PATRIARKË DHE PROFETË

24/74

24—“PASHKA”

*****

Kur kërkesa për lirimin e Izraelit iu paraqit për herë të parë monarkut të Egjiptit, atij iu dha në të njëjtën kohë edhe paralajmërimi për murtajat më të tmerrshme që do të pësonte Egjipti në rast refuzimi. Moisiu u udhëzua që t’i thoshte faraonit, “Kështu thotë Zoti: ‘Izraeli është biri Im, madje i parëlinduri Im.’ Prandaj Unë të them: ‘Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë [Izraelin] të shkojë, shiko se Unë do të vras birin tënd, madje të parëlindurin tënd.’” - Eksodi 4:22, 23. Edhe pse përbuzeshin nga egjiptasit, izraelitët qenë nderuar nga vetë Perëndia për faktin se ata ishin ndarë veç nga popujt e tjerë si të vetmit depozitues të ligjit të Tij. Ndër bekimet dhe privilegjet e posaçme që iu akorduan, ata kishin një prioritet në dallim nga popujt e tjerë, ashtu siç i parëlinduri në një familje kishte prioritet ndaj vëllezërve më të vegjël në moshë. 14 PPAlb 190.1

Ndëshkimi i mësipërm ishte përfshirë që në paralajmërimin e parë, por u ekzekutua i fundit. Perëndia është i dhembshur dhe mëshirplotë në karakterin e Tij. Ai tregon një përkujdesje të pakrahasueshme për të gjitha qeniet që janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. Kështu, në rast se humbja e të korrurave dhe shkatërrimi i të gjitha llojeve të bagëtive të egjiptasve do t’i kishte detyruar këta të fundit që të pendoheshin; fëmijët e tyre nuk do të ishin goditur aspak; por mbarë kombi egjiptian i bëri urdhrit hyjnor një rezistencë të karakterizuar nga kokëfortësia e arroganca, dhe tashmë, goditja e fundit ishte thjeshtë një çështje kohe. PPAlb 190.2

Moisiu ishte ndaluar që të vinte sërish në praninë e faraonit, ndryshe kishte për t’u vrarë; por edhe një mesazh i fundit nga ana e Perëndisë duhej t’i dorëzohej këtij faraoni rebel, dhe sërish Moisiu erdhi përpara tij, kësaj rradhe me një lajmërim të kobshëm: ““Kështu thotë Zoti: ‘Aty nga mesnata, Unë do të kaloj përmes Egjiptit; dhe çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdesë, nga i parëlinduri i Faraonit që rri mbi fron, tek i parëlinduri i shërbëtores që rri pas mokrës, si dhe pjellja e parë e bagëtisë. Atëherë në vendin e Egjiptit do të ketë një britmë të madhe, që nuk është dëgjuar kurrë më parë dhe që nuk do të dëgjohet asnjëherë tjetër. Por kundër asnjërit prej bijve të Izraelit, qofshin ata njerëz apo kafshë, asnjë qen s’ka për të lëvizur gjuhën, me qëllim që të dini se Zoti bën dallimin midis egjiptasve dhe Izraelit. Dhe tërë këta shërbëtorët e tu do të zbresin tek Unë dhe do të përkulen para meje, duke thënë: “Nisu, ti dhe populli yt që të ndjek nga pas! Mbas kësaj unë do të nisem.”‘ - Eksodi 11:4-8. PPAlb 190.3

Përpara ekzekutimit të këtij dënimi, Zoti, përmes Moisiut, u dha udhëzime popullit të Izraelit në lidhje me daljen e tyre nga Egjipti, dhe veçanërisht për mbrojtjen e tyre nga ndëshkimi i sigurt. Çdo familje, e vetme ose e bashkuar me të tjera, duhet të therrte një qengj ose një kec “pa të meta” dhe me “një tufëz hisopi” ata duhet të ngjyenin në gjakun që është në legen, dhe me të duhet të spërkatnin “arkitraun dhe dy shtalkat e dyerve” të shtëpisë, në mënyrë që engjëlli shkatërrues, që do të zbriste në mesnatë, të mos hynte në banesat e tyre. (Shih - Eksodi 12:1-5). Ata duhet ta hanin mishin të pjekur në zjarr, “me bukë pa majá dhe me barishte të hidhura,” natën, dhe ashtu siç tha Moisiu, “...ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.” - Eksodi 12:8-11. PPAlb 190.4

Zoti deklaroi, “Unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do të jap ndëshkimin tim kundër gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur Unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.” Si një përkujtimore për këtë çlirim madhështor, populli i Izraelit duhet të kremtonte çdo vit një festë të veçantë që do të përkujtohej kështu brez pas brezi. “Kjo ditë do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend dhe do ta kremtoni si një festë që i kushtohet Zotit; do ta kremtoni përgjithmonë si një ligj të përjetshëm.” - Eksodi 12:14. Dhe ndërsa do ta kremtonin këtë festë në vitet e ardhshme, izraelitët do t’u tregonin pasardhësve të tyre historinë e shpëtimit madhështor që Zoti kreu për ta në Egjipt. Moisiu, ndër të tjera, tha: “Ju do t’u përgjigjeni [pasardhësve tuaj]: ‘Kjo është flija e Pashkës së Zotit, që kaloi tej shtëpive të fëmijëve të Izraelit në Egjipt, kur goditi Egjiptasit dhe i shpëtoi shtëpitë tona’.” - Vargu 27. PPAlb 191.1

Për më tepër, të parëlindurit e çdo njeriu dhe kafshe do të ishin të Zotit, dhe do të ruheshin vetëm me anë të një kurbani që do të tregonte se kur të parëlindurit e Egjiptit u vranë, ata të Izraelit, ndonëse u ruajtën plot hir e mëshirë, do të kishin qenë të ekspozuar ndaj të njëjtit fat, po të mos kishte qenë për flijimin shpagues (ose ndryshe shëlbyes) [të qengjave ose kecave]. Zoti deklaroi: “... çdo i parëlindur është Imi; ditën që godita të gjithë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, Unë ia shenjtërova vetvetes të gjithë të parëlindurit në Izrael, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve; ata do të jenë të Mitë. Unë jam Zoti.” - Numrat 3:13. Pas themelimit të shërbimit në shenjtërore (apo ndryshe, “tabernakull”) Zoti zgjodhi për Vete fisin e Levit për të shërbyer si priftërinj, në vend të të parëlindurit të Izraelit. “...Ata [Levitët] më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; Unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit.” - Numrat 8:16. Megjithatë, kërkohej nga i gjithë populli që të paguante një çmim shpengimi për çdo mashkull të parëlindur, duke treguar kështu mirënjohje ndaj mëshirës së Perëndisë që u tregua në Egjipt. - Numrat 18:15, 16. PPAlb 191.2

Festa e Pashkës do të ishte si përkujtuese ashtu edhe simbolike. Ajo jo vetëm tregonte prapa në kohë për çlirimin nga Egjipti, por gjithashtu edhe përpara, tek çlirimi më i madh që do të realizohej nga Krishti, duke e çliruar popullin e Tij nga skllavëria e mëkatit. Qengji i flijimit përfaqëson vetë Jezu Krishtin, “Qengjin e Perëndisë,” në të cilin mbështetet shpresa jonë e vetme për shpëtim. Apostulli Pal thotë, “Pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.” - 1 Korintasve 5:7. Therrja e qengjit të Pashkës nuk ishte e mjaftueshme; gjaku i qengjit duhet të spërkatej mbi shtalkat e dyerve; dhe kështu, në një mënyrë të ngjashme, meritat e gjakut të Krishtit do të aplikohen mbi njerëzit. Ne duhet të besojmë, jo vetëm që Krishti dha jetën për mbarë botën, por që Ai dha jetën për neve individualisht. Virtytin i këtij flijimi shpagues duhet t’ia referojmë vetvetes tonë. PPAlb 191.3

Hisopi që përdorej në spërkatjen e gjakut ishte simbol i purifikimit, dhe u përdor më vonë nga izraelitët për pastrimi e lebrozëve si dhe atyre që ndoteshin si pasojë e kontaktit me të vdekurit. Rëndësia e tij shihet edhe gjithashtu tek vargjet e psalmistit: “Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.” - Psalmi 51:7. PPAlb 192.1

Qengji duhej të përgatitej i plotë, asnjë kockë nuk duhej të thyhej; dhe kështu, në të njëjtën mënyrë, as edhe një kockë nuk do t’i thyhej Krishtit, Qengjit të Perëndisë, i cili do të jepte jetën për ne. - Gjoni 19:36. Kjo ndër të tjera simbolizonte tërësinë e flijimit të Krishtit. PPAlb 192.2

Mishi duhej të hahej. Nuk është e mjaftueshme as që ne vetëm të besojmë në Krishtin për faljen e mëkatit; me anë të besimit ne duhet të marrim forcë dhe ushqim të vazhdueshëm shpirtëror nga Ai nëpërmjet fjalës së Tij. Krishti tha, “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.” Gjoni 6:53, 54. Dhe për ta shpjeguar më tej këtë thënie Ai tha më vonë: “Eshtë Fryma që jep jetë;... fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.” - Vargu 63. Jezusi e pranoi ligjin e Atit të Tij, i praktikoi në tërësi parimet e ligjit gjatë gjithë jetës, tregoi frymën e tij si dhe tregoi fuqinë e tij mirëbërëse në zemër. Apostulli dhe ungjilltari Gjon thotë: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; (dhe ne soditëm lavdinë e Tij, si lavdia e të Vetëmlindurit prej Atit), plot hir e të vërtetë.” - Gjoni 1:14. Ndjekësit e Krishtit duhet të jenë pjesëmarrës të eksperiencës së Tij. Ata duhet të marrin e ushqehen me fjalën e Perëndisë në mënyrë që kjo e fundit të bëhet fuqia motivuese e jetës dhe veprimeve të tyre. Me anë të fuqisë së Krishtit, ata duhet të ndryshojnë plotësisht duke shëmbëllyer Atë vetë, si dhe duhet të reflektojnë mbi atributet hyjnore. Ata duhet të hanë mishin dhe të pijnë gjakun e Birit të Perëndisë, ndryshe në ta nuk ka jetë. Fryma dhe vepra e Krishtit duhet të bëhet fryma dhe vepra e dishepujve (ndjekësve) të Tij. PPAlb 192.3

Qengji duhej të hahej i shoqëruar me barishte apo erëza të hidhura, të cilat në fakt simbolizonin skllavërinë e hidhur në Egjipt. Kështu, në një mënyrë të ngjashme, kur ne ushqehemi nga Krishti, duhet ta bëjmë me pendim të plotë të zemrës, për shkak të mëkateve tona. Gjithashtu, përdorimi i bukës pa majá ishte domethënës. Ishte urdhëruar qartë në ligjin e festës së Pashkës, dhe u zbatua rreptësisht nga izraelitët në ritet e tyre, se gjatë përiudhës së festës majája nuk duhej të gjendej në shtëpitë e tyre. Kështu, në një mënyrë të ngjashme, majája e mëkatit duhet të hidhet tej nga të gjithë ata që duan të marrin jetë dhe ushqim nga Krishti. Kështu, Pali i shkruan bashkësisë (kishës) në Korint: “Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa majá; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne. Prandaj le të kremtojmë festën jo me majá të vjetër, as me majá ligësie dhe keqësie, por me bukë pa majá të sinqeritetit dhe të së vërtetës.” - 1 Korintasve 5:7, 8. PPAlb 192.4

Pëpara se të fitonin lirinë, skllevërit duhet të tregonin besimi e tyre në çlirimin madhështor që do të realizohej së shpejti. Mbi dyert e shtëpive të tyre duhej spërkatur gjaku, dhe ata duhej të veçonin si veten ashtu edhe familjarët e tyre nga egjiptasit, duke qëndruar brenda mureve të shtëpive të tyre. Në rast se izraelitët do të kishin shpërfillur qoftë edhe njërin nga urdhërat hyjnorë që u ishin dhënë, në rast se ata do të neglizhonin veçimin nga egjiptasit, në rast se do ta kishin therrur qengjin por nuk do të kishin spërkatur shalkat e dyerve me gjak, ose në rast se ndonjëri prej tyre do të kishte dalë jashtë mureve të shtëpisë, ata do të rrezikonin vetë jetën e tyre. Ata mund të kishin besuar ndershmerisht se kishin bërë gjithçka që u kërkohej, por sinqeriteti nuk kishte për t’i shpëtuar dot. Të gjithë ata që nuk ia vunë veshin udhëzimeve të Zotit do të pësonin humbjen e të parëlindurve, ndëshkim ky që do të kryhej nga dora e engjëllit shkatërrimtar. PPAlb 193.1

Populli izraelit duhej të jepte dëshmi për besimin vetëm me anë të bindjes. Kështu, në një mënyrë të ngjashme, të gjithë ata që shpresojnë të shpëtohen nga meritat e gjakut të Krishtit duhet të kuptojnë se vetë ata kanë diçka për të bërë (një rol për të luajtur) në mënyrë që të sigurojnë shpëtimin. Ndërsa është mëse e vërtetë se vetëm Krishti mund të na shpëtojë nga dënimi që vjen nga thyerja e ligjit të Perëndisë, ne duhet t’i kthejmë shpinën mëkatit dhe t’i drejtohemi bindjes. Njeriu do të shpëtohet me anë të besimit, jo me anë të veprave; megjithatë besimi i njeriut duhet të tregohet me anë të veprave. Perëndia është Ai që e ka dhënë Birin e Tij që të vdesë si shlyerje për mëkatin e njeriut. Perëndia është Ai që ka treguar gjithnjë dritën e së vërtetës. Perëndia është Ai që i ka dhënë njeriut resurse, udhëzime dhe privilegje. Nga ana tjetër, është njeriu ai që tashmë duhet të bëjë të vetën e të bashkëpunojë me këto “agjenci shpëtuese”; njeriu duhet të vlerësojë në maksimum dhe të përdori këto ndihmesa që vetë Perëndia ka siguruar për të—me fjalë të tjera, të besojë dhe t’i bindet të gjitha kërkesave hyjnore. PPAlb 193.2

Ndërsa Moisiu u përsëriste mbarë popullit izraelit gjërat që Perëndia kishte siguruar për çlirimin e tyre, “populli u përkul dhe adhuroi.” - Eksodi 12:27. Shpresa e lumtur e lirisë, njohuria drithëruese për ndëshkimin që do të binte mbi shtypësit e tyre, mundi dhe barra që vinin si pasojë e largimit të tyre brenda një kohe te shkurtër— të gjitha këto bënë që gjatë asaj kohe populli izraelit të ndjente një mirënjohje të thellë ndaj Perëndisë, Çlirimtarit të tyre hirplotë. Ndërkohë, shumë egjiptas ishin bindur nga fqinjët e tyre izraelitë që të pranonin Perëndinë e hebrenjve si të vetmin Perëndi të vërtetë. Ata tani iu lutën izraelitëve duke u kërkuar strehë në shtëpitë e tyre përgjatë kohës kur engjëlli shkatërrimtar do të pëeshkonte mbarë vendin. Ata u mirëpritën me ngrohtësi nga izraelitët, dhe me këtë rast u betuan edhe njëherë se do t’i shërbenin Perëndisë së Jakobit dhe se dëshironin të largoheshin bashkë me popullin e Tij nga Egjipti. PPAlb 193.3

Izraelitët iu bindën udhëzimeve që kishte dhënë Perëndia. Kështu, me shpejtësi e fshehtësi, ata bënë të gjitha përgatitjet e duhura për largim. Familjet e tyre u mblodhën, qengji i pashkës u therr, mishi u poq në zjarr, buka pa majá dhe erëzat e hidhura u bënë gati. Babai i çdo familjeje, duke qenë udhëheqësi shpirtëror i saj, spërkati gjakun mbi shalkën e derës, dhe pastaj u rikthye tek familja që e priste brenda. Izraelitët e hëngrën qengjin e Pashkës me nxitim dhe në heshtje. Njerëzit luteshin dhe vështronin plot ankth e dridhërim. Zemra e çdo mashkulli të parëlindur, që nga burri më i fortë e deri tek fëmija më i vogël rrihte fort dhe me një drobitje të pakrahasueshme.Nënat dhe baballarët shtrëngonin fort në krahë të parëlindurit e tyre të dashur, ndërsa u shkonte ndërmend goditja e tmerrshme që kishte për të ndodhur atë natë. Por asnjë shtëpi apo banesë izraelite nuk u prek nga engjëlli vdekjeprurës. Shenja e gjakut— shenja e mbrojtjes së Shpëtimtarit—ishte mbi dyert e tyre, dhe shkatërruesi nuk hyri brenda. PPAlb 193.4

Në mesnatë “u dëgjua një klithmë e madhe në Egjipt, sepse nuk kishte shtëpi ku të mos kishte një të vdekur.” - Eksodi 12:30b. Të gjithë të parëlindurit në vend, “që nga i parëlinduri i Faraonit që rrinte mbi fronin e tij, deri te i parëlinduri i të burgosurit që ishte në burg, si dhe çdo pjellë e parë e bagëtive” (- Vargu 29) ishin goditur për vdekje nga engjëlli shkatërrues. Nëpër mbarë territorin egjiptian krenaria e çdo familjeje ishte poshtëruar si mos më keq. Atmosfera u mbush me kujën e të qarat mortore. Mbreti e oborrtarët e tij, tashmë me fytyra të vrera dhe gjymtyrë që u dridheshin papritmas u shtangën përpara këtij tmerri të paparë. Faraoni solli ndërmend se si para ca kohësh kishte thërritur me arrogancë, ““Kush është Zoti (Jahveh) që unë duhet t’i bindem zërit të Tij dhe ta lë Izraelin të shkojë? Unë nuk e njoh Jahveh dhe nuk kam për ta lënë Izraelin të shkojë.” - Eksodi 5:2.2 Tani, krenaria e tij që më parë kishte guxuar të sfidonte Perëndinë e qiellit, u varros në dhé. Në dëshpërim e sipër, “atëherë ai thirri Moisiun dhe Aaronin natën dhe u tha: “Çohuni dhe largohuni nga mesi i popullit tim, ju dhe bijtë e Izraelit; dhe shkoni t’i shërbeni Zotit, siç e keni thënë. Merrni me vete kopetë e bagëtive të imta dhe të trasha, siç keni thënë, dhe shkoni; dhe më bekoni edhe mua!” - Eksodi 12:31, 32. Gjithashtu, edhe këshilltarët e oborrit si dhe të gjithë egjiptasit e nxisnin popullin izraelit “për të shpejtuar nisjen nga vendi, sepse thonin: ‘kemi për të vdekur të gjithë’.” - Eksodi 12:32. PPAlb 194.1