PATRIARKË DHE PROFETË

25/74

25—“EKSODI”

*****

Veshur e ngjeshur kokë e këmbë dhe me shkop në dorë, populli i Izraelit kishte qëndruar urtë, plot ankth por gjithsesi entuziast, duke pritur për mandatin mbretëror që do t’i lejonte ata të shpërnguleshin nga Egjipti. Ata u nisën për rrugë që pa u gdhirë. Gjatë periudhës së gjëmave dhe murtajave, manifestimi i fuqisë së Perëndisë kishte mbjellë besim tek zemrat e skllevërve dhe i kishte kallur datën shtypësve të tyre egjiptas. Kështu, ata kishin kohë që kishin filluar të mblidheshin gradualisht së bashku në Goshen. Pavarësisht nga natyra e befasishme dhe e papritur e nisjes së tyre, ata kishin ndërmarrë disa masa paraprake për organizimin e nevojshëm si dhe kontrollin e turmave lëvizëse. Kështu, ata u ndanë në grupime apo kompani, nën urdhërat e drejtuesve të zgjedhur. 15 PPAlb 195.1

Dhe ata u larguan, “ishin rreth gjashtëqind mijë njerëz më këmbë, pa llogaritur fëmijët. Dhe me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish.” - Eksodi 12:37, 38a. Në këtë turmë të madhe nuk ishin vetëm ata që ishin mobilizuar si pasojë e besimit të tyre në Perëndinë e Izraelit, por gjithashtu kishte edhe një numër edhe më i madh njerëzish që thjesht dëshironin të shpëtonin nga gjëmat dhe murtajat, ose nga ata që thjesht u bashkuan me turmat e mëdha lëvizëse prej habisë dhe kureshtjes. Ky grupim njerëzish do të përbënin një pengesë dhe rrezik të vazhdueshëm në të ardhmen për Izraelin. PPAlb 195.2

Populli mori gjithashtu me vete “kopetë e tyre të bagëtive të imta dhe të trasha, një numër të madh kafshësh.” - Eksodi 12:38b. Këto ishin prona të izraelitëve, të cilët nuk ua kishin shitur asnjëherë pronat e tyre faraonit, ashtu siç kishin bërë egjiptasit. Jakobi dhe djemtë e tij kishin sjellur bagëtitë e tyre (të imta dhe të trasha) në Egjipt, vend në të cilin ato ishin shumuar jashtë mase. Përpara se të largoheshin nga Egjipti, populli izraelit, me urdhër të Moisiut, pretendoi për vete kompensimin që i takonte për punën e papaguar; nga ana tjetër, egjiptasit mezi pritnin të çliroheshin nga prania e tyre, kështu që nuk kishin nga t’ia mbanin dhe i kompensuan. Kështu, skllevërit morën rrugën, pasi morën pasurinë e egjiptasve, të cilën këta të fundit e kishin fituar padrejtësisht në kurriz të izraelitëve. PPAlb 195.3

Ajo ditë përmbushi historinë që iu shfaq Abrahamit në një vegim profetik shekuj më parë: “Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet. Por Unë do të gjykoj atë komb të cilit ata (pasardhësit e Abrahamit) kanë për t’i shërbyer; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha.” - Zanafilla 15:13, 14. [* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 3], Kështu, katërqind vjetët tashmë ishin plotësuar dhe “kështu ndodhi që pikërisht atë ditë Zoti i bëri bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i Egjiptit, simbas rradhëve të tyre.” - Eksodi 12:51. Me largimin (ose ndryshe, eksodin) e tyre nga Egjipti, izraelitët mbanin me vete një trashëgimi mjaft të vyer, eshtrat e Jozefit, i cili kishte dëshiruar prej kohësh këtë plotësim të premtimit të Perëndisë (shih - Eksodi 13:19). Gjatë asaj epoke të errët të skllavërisë, ato eshtra kishin shërbyer si një përkujtimore për izraelitët se një ditë ata kishin për t’u çliruar. PPAlb 195.4

Në vend që të merrnin rrugën më të drejtpërdrejtë për në Kanaan, që i binte përmes vendit të filistenjëve, Zoti e drejtoi Izraelin për në drejtim të jugut, drejt brigjeve të Detit të Kuq. “Sepse Perëndia tha: ‘Që të mos bëhet pishman populli kur të shohë luftën, dhe të mos kthehet në Egjipt’.” - Eksodi 13:17. Po të kishin provuar që të kalonin përmes Filistisë, progresi i tyre do të ishte ndalur; kjo për arsyen se filistenjtë do t’i konsideronin ata si skllevër që kishin shpëtuar prej pronarëve dhe nuk do të kishin hezituar aspak që t’u shpallnin luftë izraelitëve. Për më tepër, izraelitët nuk ishin aspak të mirëpërgatitur për një përleshje të armatosur me këtë popull të fuqishëm e luftëdashës. Ata kishin një njohuri të pakët mbi Perëndinë si dhe besim të pakët tek Ai, dhe në një situatë lufte kishin vetëm për t’u tmerruar e dëshpëruar. Ata ishin të paarmatosur dhe të pamësuar fare me luftën. Nga ana tjetër skllavëria e gjatë kishte bërë të vetën dhe i kishte drobitur jashtë mase si fizikisht por edhe emocionalisht. Gjithashtu, ata kishin me vete gra e fëmijë, për të mos përmendur bagëtitë e të gjitha llojeve. Kështu, duke i drejtuar ata për nga rruga drejt Detit të Kuq, Zoti e shfaqi Vetveten si një Perëndi i dhembshurisë po aq sa kishte qenë një Perëndi i gjykimit. PPAlb 196.1

“Kështu ata u nisën nga Sukothi dhe fushuan në Etham, buzë shkretëtirës. Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t’i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t’u bërë atyre dritë, që të mund të ecnin ditën dhe natën. Kolona e reve nuk tërhiqej kurrë ditën përpara popullit, as kolona e zjarrit natën.” - Eksodi 13:20-22. Siç thotë psalmisti, “Ai (Zoti) shpalosi një ré për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.” - Psalmi 105:39 (Shih gjithashtu - 1 Korintasve 10:1, 2). PPAlb 196.2

Flamuri i Drejtuesit të tyre të padukshëm i printe vazhdimisht përpara. Gjatë ditës reja ose i jepte drejtim udhëtimit të tyre ose shtrihej për së gjëri për t’u bërë atyre hije (kur iu duhej të çlodheshin). Ajo shërbente si një mbrojtje nga vapa e tmerrshme, dhe me freskinë dhe lagështinë e saj i siguronte popullit çlodhje e rifreskim në atë shkretëtirë të nxehtë e të thatë. Kurse gjatë natës, ajo shndërrohej në një kolonë të zjarrtë, duke ndriçuar kështu vendpushimin e tyre dhe për më tepër, duke i siguruar ata vazhdimisht se prania hyjnore ishte me ta. PPAlb 196.3

Në një nga pasazhet më të mrekullueshme dhe ngushëlluese të profecisë në librin e Isaias, lexuesi has një refererim që i bëhet kolonës së resë dhe të zjarrit të cilat simbolizojnë përkujdesjen e Perëndisë për popullin e Tij në betejën e madhe përfundimtare me forcat e të keqes: “Atëherë Zoti do të krijojë mbi çdo vendbanim të malit Sion dhe në kuvendet e tij një re tymi gjatë ditës dhe një shkëlqim zjarri flakërues gjatë natës, sepse mbi tërë lavdinë do të ketë një mbulesë. Dhe do të ketë një çadër (ose tabernakull) që do të shërbejë për të bërë hije kundër të nxehtit të ditës, si dhe për të shërbyer si strehë dhe mbrojtje kundër furtunës dhe shiut.” - Isaia 4:5, 6. PPAlb 196.4

Ata udhëtuan përmes një terreni shkretëtire të pajetë. Që në ditët e para ata filluan të pyesin veten se për ku po i çonte Perëndia; ata po tregonin shenja të qarta lodhjeje nga rruga e stërmundimtë, ndërsa shumë syresh filluan të kishin frikë se mos po ndiqeshin nga egjiptasit. Por reja eci përpara dhe ata e ndoqën. Dhe më në fund Zoti urdhëroi Moisiun që të merrte kthesën drejt një lugine shkëmbore, e cila përfundonte në brigjet e Detit të Kuq ku ata ngritën çadrat. Zoti gjithashtu e lajmëroi Moisiun se faraoni do t’i ndiqte, por se ata do t’i thurrnin lavde e do ta nderonin Perëndinë për shpëtimin që do të siguronte për ta. PPAlb 197.1

Në Egjipt u përhap me shpejtësi lajmi se pasardhësit e Izraelit, në vend që të ndalnin për të adhuruar në shkretëtirë, kishin marrë rrugën drejt Detit të Kuq. Këshilltarët e faraonit e informuan atë se skllevërit e tyre ishin larguar për të mos u kthyer më kurrë. Egjiptasit qortonin veten e tyre se sa të marrë ishin treguar kur kishin kujtuar se vdekja e të parëlindurve të tyre kishte ardhur si pasojë e fuqisë së Perëndisë (së Izraelit). Pasi e kishin marrë veten nga tmerri e frika, njerëzit e shquar filluan t’i interpretonin e t’i shpjegonin gjëmat e murtajat që kishin rënë si pasoja të shkaqeve natyrore. Dhe vajtonin me trishtim e hidhërim: “Çfarë kemi bërë kështu, e lamë Izraelin të ikë nga shërbimi që na bënte?” - Eksodi 14:5. PPAlb 197.2

Faraoni mblodhi ushtritë e tij, “gjashtëqind qerre të zgjedhura dhe tërë qerret e Egjiptit, me luftëtarë në secilin prej tyre,” kalorës, kapitenë dhe ushtarët e pararojës. (- Eksodi 14:7). Vetë faraoni, i shoqëruar nga njerëzit e shquar të oborrit, printe ushtrinë gjatë mësymjes. Për të siguruar favorin e perëndive të tyre, me fjalë të tjera, për të garantuar sukesin e tratativës së tyre, faraoni dhe ushtria e tij u shoqëruan dhe nga priftërinjtë paganë. Faraoni ishte mëse i vendosur që t’i frikësonte izraelitët duke bërë një ekspozim të paparë të forcave të tij. Për më tepër, egjiptasit i druheshin një situate kapitullimi dhe nënshtrimi të plotë ndaj Perëndisë së Izraelit, gjë që do të sillte mbi ta një turp të paparë mbi ta dhe rrjedhimisht kishin për t’u bërë objekt talljeje për popujt e tjerë. Por po të marshonin tani me një ekspozim të jashtëzakonshëm force dhe të arrinin t’i kapnin e merrnin me vete izraelitët, ata do të shpëtonin torruan si edhe do të mund të shërbeheshin sërish nga ish-skllevërit e tyre. PPAlb 197.3

Hebrenjtë nga ana e tyre kishin ngritur çadrat në bregdet. Sasia e madhe e ujërave përpara tyre përfaqësonte një pengesë në dukje të pakapërcyeshme për ta, ndërsa për nga jugu një mal i lartë e i thepisur i pengonte që të avanconin më tej. Papritur ata vunë re në distancë shkëlqimin e mburojave si dhe zhurmën e qerreve të luftës që përbënin pararojën e një ushtrie të madhe në numër. Ndërsa ushtria afrohej, u duk qartë se egjiptasit ishin vënë në ndjekje të izraelitëve. Zemrat e këtyre të fundit u pllakosën nga tmerri. Disa filluan t’i thërrasin Zotit, por shumica prej tyre nxituan për tek Moisiu dhe filluan t’i ankohen: “Pse, nuk kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim në shkretëtirë? Pse e bëre këtë gjë me ne, duke na nxjerrë nga Egjipti? A nuk ishte vallë kjo për të cilën të flisnim në Egjipt, duke të thënë: ‘Na lër rehat, kështu do të mund t’u shërbejmë Egjiptasve?’ Sepse për ne do të kishte qenë më mirë t’u shërbenim Egjiptasve se sa të vdesim në shkretëtirë.” - Eksodi 14:11, 12. PPAlb 197.4

Moisiu u mërzit shumë nga fakti se populli i tij po tregonte një besim kaq të dobët tek Perëndia, pavarësisht se gjatë gjithë kohës ata kishin qenë dëshmitarë të manifestimit të fuqisë së Tij për hatrin e tyre. Si guxonin vallë që i hakërreheshin për rreziqet dhe vështirësinë e gjendjes së tyre, kur ata e dinin fare mirë se ai kishte ndjekur urdhërat e drejtpërdrejta nga Perëndia? Vërtet, nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi, në qoftë se Vetë Perëndia nuk do të kishte ndërhyrë për lirimin e tyre nga skllavëria; por ngaqë ishte sjellë deri në këtë situatë duke iu bindur pikë për pikë udhëzimeve hyjnore, Moisiu nuk ndjente aspak frikë për pasojat. Ai iu përgjigj me qetësi dhe vetësiguri popullit: “Mos kini frikë, qëndroni pa lëvizur dhe shpëtimi do të vijë nga Zoti, i cili do t’ua tregojë sot juve; sepse egjiptasit që shihni sot, nuk keni për t’i parë më kurrë. Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë.” - Eksodi 14:13, 14. PPAlb 198.1

Nuk ishte aspak gjë e lehtë që t’i detyroje turmat e mëdha izraelite që të pritnin përpara Zotit. Ngqë u mungonte tërësisht disiplina dhe vetëkontrolli, ata filluan të silleshin me agresivitet dhe papërgjegjshmëri. Ata kujtonin se nga çasti në çast kishin për të rënë në duart e sunduesve egjiptianë, dhe për rrjedhojë vajtimet e të qarat e tyre morën dhenë. Kolona e mrekullueshme e resë ishte ndjekur si një sinjal nga ana e Perëndisë për të ecur përpara; por në ato çaste ata e vinin në pikëpyetje këtë dhe pandehnin se ndoshta ajo mund të paralajmëronte një katastrofë të kobshme; pse, a nuk i kishte drejtuar ata në anën e gabuar të malit, drejt një rruge të pakalueshme? Kështu, engjëlli i Perëndisë përfytyrohej nga mendjet e tyre të marrosura si një lajmëtar i gjëmës që do të binte mbi ta. PPAlb 198.2

Por në ato çaste, ndërsa hordhitë egjiptiane po afroheshin, të sigurt se kishin siguruar lehtesisht prënë, kolona e resë u ngrit në mënyrë të madhërishme drejt qiellit, kaloi mbi izraelitët, dhe zbriti në mes tyre dhe ushtrive të Egjiptit. Ndërmjet të dyja kampeve, pra sulmuesve dhe të sulmuarve, u vendos një mur errësire. Egjiptasit nuk ishin më në gjendje që të dallonin kampin e hebrenjve, dhe u detyruan të ndalin. Por ndërsa errësira e natës u bë edhe më e thellë, muri i resë u shndërrua në një dritë madhështore për hebrenjtë, duke ndriçuar e rrezatuar mbi mbarë kampin e tyre sikur të ishte ditë. PPAlb 198.3

Atëherë u rikthye shrpesa në zemrat e izraelitëve. Dhe Moisiu foli me zë të lartë përpara Zotit. “Pastaj Zoti iu drejtua Moisiut ‘Pse më bërtet mua? U thuaj fëmijëve të Izraelit të shkojnë përpara. Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që fëmijët e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në tokë të thatë.”‘ - Eksodi 14:15, 16. PPAlb 198.4

Kur përshkruan kalimin e detit nga Izraeli, psalmisti këndon, “Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën. Ti e udhëhoqe popullin tënd si një kopë me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.” - Psalmi 77:19, 20. Ndërsa Moisiu ngriti lart bastunin ujërat u ndanë dysh, dhe Izraeli eci në mes të detit, mbi tokë të thatë, ndërkohë që ujërat qëndronin si një mur në të dyja anët. Drita që vinte nga kollona e zjarrtë e Perëndisë rrezatonte mbi stërkalat me shkumë, si dhe ndriçonte rrugën që merrte formën e një tuneli në mes të ujërave të detit, duke u venitur kështu në errësirën e bregut përballë. PPAlb 198.5

“Dhe Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit. Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti hodhi sytë mbi kampin e Egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe u dha dërrmën. Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre.” - Eksodi 14:23-25a. Reja misterioze u shndërrua në një kolonë të zjarrtë përpara syve të tyre të shtangur. Vetëtimat dhe bubëllimat krjuan panik të madh tek egjiptasit. “Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan. Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.” - Psalmi 77:17, 18. PPAlb 199.1

Egjiptasit u zunë ngushtë dhe u pushtuan nga rrëmuja dhe dëshpërimi. Mes mërisë së elementëve të natyrës, në të cilët ata dëgjuan zërin e një Perëndie të zemëruar me ta, ata u përpoqën që të kthehen mbrapsht dhe të largoheshin me shpejtësi drejt bregut nga kishin hyrë. Por Moisiu ngriti bastunin dhe ujërat që ishin ngritur, ujërat që gëlonin, gjëmonin dhe mezi pritnin prënë e tyre, ranë me furi poshtë dhe e gllabëruan krejt ushtrinë egjiptiane duke e fundosur në errësirën e thellësisë së tyre. PPAlb 199.2

Pas agimit, turmave të Izraelit iu shfaqën të gjitha ato që kishin mbetur nga armiqtë e tyre të fuqishëm—trupat e pajetë të tyre që kishin dalë në breg. Brenda një nate, nga një situatë e rrezikshme kishte ardhur shpëtimi i plotë i tyre. Ajo turmë e madhe e drobitur—ata skllevër që nuk ishin mësuar të luftonin në betejë, gra, fëmijë, dhe bagëti, me detin përpara tyre, dhe me ushtritë e fuqishme të Egjiptit që i ndiqnin nga pas—kishin parë që udha e tyre ishte hapur përmes ujërave dhe që armiqtë e tyre ishin mposhtur pikërisht atëherë kur priteshin të ngadhënjenin mbi ta. Vetëm Jahveh (hebr. UNE JAM), Perëndia i Izraelit, kishte mundësuar shpëtimin e tyre, dhe zemrat e tyre u mbushën me mirënjohje dhe besim për Të. Ata i shprehën ndjenjat dhe emocionet e tyre me anë të këngëve të lavdërimit. Fryma e Perëndisë erdhi mbi Moisiun, dhe ai e drejtoi popullin në një himn triumfant falenderimi, himni më i vjetër dhe nga më sublimët që njihen nga njerëzimi. PPAlb 199.3

“Unë do t’i këndoj Zotit (hebr. Jahveh), sepse ka triumfuar me lavdi;
Hodhi në det kuaj dhe kalorës.
Zoti është forca ime dhe kënga ime,
Dhe Ai është bërë shpëtimi im:
Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj;
Eshtë Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.
Zoti është një luftëtar, Jahveh është emri i Tij.
Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij,
Luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.
Ata mbulohen nga humnera;
Ranë poshtë në thellësi si një gur.
Dora Jote e djathtë, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj.
Dora Jote e djathtë, o Zot, i bëri armiqtë copë e çikë;
Me madhështinë e madhërisë Tënde, Ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje;
Ti nxjer jashtë zemërimin Tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte.
PPAlb 199.4

Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit. PPAlb 199.5

Armiku thoshte: ‘Do t’i ndjek, do t’i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t’i shfarosë.’ PPAlb 200.1

Por ti dërgove jashtë Frymën Tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme. PPAlb 200.2

Kush vallë është si Ti ndërmjet perëndive, o Zot? PPAlb 200.3

Kush vallë është si Ti, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, që kryen mbrekulli? PPAlb 200.4

Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti. PPAlb 200.5

Me mëshirën Tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar;
Me forcën Tënde e ke çuar drejt banesës Tënde të shenjtë.
PPAlb 200.6

Popujt e kanë dëgjuar këtë dhe dridhen. Ankthi ka mbërthyer banorët e Filistinës. PPAlb 200.7

Që tani krerët e Edomit e kanë humbur, të fuqishmit e Moabit i ka zënë frika, tërë banorët e Kanaanit po shkrihen. PPAlb 200.8

Frika dhe tmerri do të bjerë mbi ta.
Falë forcës së krahut tënd do të bëhen të palëvizshëm si guri,
Deri sa populli yt, o Zot, të kalojë, deri sa të kalojë populli që Ti ke blerë.
PPAlb 200.9

Ti do t’i futësh dhe do t’i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, PPAlb 200.10

Në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur.
Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë.”
-Eksodi 15:1-18. Si oshëtima e një ujvare të lartë, nga turma qindramijëshe u dëgjua një brohoritje sublime në shenjë mirënjohjeje për Zotin. Këngës ia filluan të parat gratë e Izraelit, nën drejtimin e Miriamit, motrës së Moisiut, ndërsa dolën në shesh duke festuar e kërcyer. Refreni ngazëllyes i këngës dëgjohej deri përtej shkretëtirës dhe detit, dhe malet i bënin jehonë këngës së tyre të lavdërimit—“Këndojini Zotit (hebr. Jahveh), sepse Ai ka triumfuar me lavdi.”
PPAlb 200.11

Kjo këngë si dhe shpëtimi madhështor të cilin ajo përkujton, la mbresa të tilla saqë nuk u harrua kurrë nga populli hebrë. Nga njëra epokë në tjetrën asaj iu bë jehonë nga profetët dhe këngëtarët e Izraelit, duke i dëshmuar kështu se Zoti është forca dhe shpëtimi i të gjithë atyre që kanë besim tek Ai. Në të vërtetë, kjo këngë nuk u përket vetëm popullit çifut. Vargjet e saj flasin edhe për shkatërrimin e të gjithë armiqve të drejtësisë e virtytshmërisë si dhe për fitoren përfundimtare të Izraelit të Perëndisë. Kështu, apostulli Gjon, ndërsa shihte në vegim profecitë e librit të Zbulesës në ishullin Patmos, ndër të tjera sheh një turmë të madhe të veshur me rroba të bardha, ata që kanë “korrur fitoren,” duke qëndruar mbi “një det të qelqtë të përzier me zjarr,” me “qestet e Perëndisë” në dorë. “Dhe ata këndojnë këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, si dhe këngën e Qengjit.” - Zbulesa 15:2, 3. PPAlb 200.12

“Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit Tënd jepi lavdi, për mëshirën Tënde dhe përhir të së vërtetës Tënde.” - Psalmi 115:1. E tillë ishte fryma që mbizotëronte këngën e shpëtimit të Izraelit, dhe është ajo frymë që duhet të banojë në zemrat e të gjithë atyre që e duan dhe i druhen Perëndisë. Perëndia na ka çliruar nga skllavëria e mëkatit, dhe ky çlirim është akoma dhe më i madh se ai i hebrenjve në Detin e Kuq. Ashtu si turmat izraelite, edhe ne duhet të lavdërojmë Zotin me gjithë zemër e me gjithë shpirt duke ngritur zërat tanë për “veprat e [Tij të] mrekullueshme në dobi të fëmijëve të njerëzve.” - Psalmi 107:8. Ata që përfitojnë nga mëshira e madhërishme e Perëndisë, dhe që janë mirënjohës edhe për dhuratat e Tij më simbolike, do të mbushen me ngazëllim dhe do t’i këndojnë Zotit nga zemra me melodi. Bekimet e përditshme që ne marrim nga dora e Perëndisë, dhe mbi të gjitha flijimi sublim që Jezusi bëri që të na sjellë e bëjë të mundur lumturinë dhe parajsën për ne, duhen të jenë një temë e përhershme e mirenjohjes sonë për Zotin. Çfarë dhembshurie, çfarë dashurie e pakrahasueshme ka treguar Perëndia për ne, mëkatarët e humbur, duke na rilidhur me Veten e Tij që të jemi për Të një thesar i veçantë! Çfarë sakrifice është kryer nga Jezu Krishti, Shpenguesi ynë, që ne të mund të quhemi fëmijë të Perëndisë! Le ta lavdërojmë Perëndinë për atë “shpresë të lume” (shih - 1 Titit 2:13) që na pret përpara në planin madhështor të shpëtimit; le ta lavdërojmë Atë për trashëgiminë qiellore dhe për premtimet e Tij të çmuara; le ta lavdërojmë Atë sepse Jezusi jeton për të ndërmjetësuar për ne! PPAlb 200.13

“Kushdo që ofron flijime lëvdimi,” thotë Krijuesi ynë, “më përlëvdon Mua.” - Psalmi 50:23a. Të gjithë banorët e qiellit bashkohen për të lavdëruar Perëndinë. Le ta mësojmë që tani këngën e engjëjve, që të mund ta këndojmë kur të bashkohemi me rradhët e tyre vezulluese. Le të thërrasim bashkë me psalmistin, “Unë do ta lëvdoj Zotin deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.” “Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë të gjithë popujt.” - Psalmet 146:2; 67:5. PPAlb 201.1

Duke qenë plotësisht sovran, Perëndia i solli hebrenjtë në strehën e malin pranë detit në mënyrë që të manifestonte fuqinë e Tij kur i shpëtoi ata si dhe të dërrmonte tërësisht krenarinë e sunduesve të tyre. Perëndia mund t’i kishte shpëtuar izraelitët edhe nëpërmjet mënyrave të tjera, por Ai e zgjodhi këtë mënyrë me qëllim që të vinte në provë besimin e tyre si dhe ta forconte përkushtimin e tyre ndaj Tij. Populli ishte i drobitur dhe i tmerruar, megjithatë po të mos kishin ecur përpara me urdhrin e Moisiut Perëndia nuk kishte për ta hapur aspak rrugën për ta. Ishte “me anë të besimit” mënyra se si “ata kaluan përmes Detit të Kuq si të ishte tokë e thatë.” - Hebrenjve 11:29. Duke marshuar në drejtim të ujit, ata treguan se kishin besim tek fjala e Perëndisë e transmetuar nëpërmjet Moisiut. Ata bënë gjithçka që kishin në dorë që të bënin, dhe pastaj Perëndia, i Fuqishmi i Izraelitndau detin më dysh dhe bëri një rrugë për këmbët e tyre. PPAlb 201.2

Ky mësim i vyer këtu vlen për të gjithë kohërat. Shpesh, jeta e besimtarëve të krishterë kërcënohet nga rreziqe të ndryshme, dhe detyra e tyre nuk kryhet dhe aq lehtë. Imagjinata njerëzore përfytyron rrënime dhe katastrofa të afërta përpara si dhe robëri apo vdekje pas. Prapë se prapë, zëri i Perëndisë flet qartë, “Shko përpara!” Ne duhet t’i bindemi këtij urdhri, edhe pse sytë tanë nuk mund të depërtojnë errësirën, ndërsa ndjejmë dallgët e ftohta pranë këmbëve. Pengesat që ndalin avancimin tonë përpara nuk kanë për tu zhdukur asnjëherë, në qoftë se fryma jonë karakterizohet nga dyshimet dhe hezitimet. Ata që i shmangen përkushtimit dhe bindjes ndaj Perëndisë dhe presin që më përpara të zhduket çdo hije pasigurie dhe që të mos të ketë asnjë rrisk dështimi apo disfate, nuk kanë për t’u përkushtuar dhe bindur kurrë. Mosbesimi përshpërit, “Le të presim derisa të gjitha pengesat të largohen, se pastaj i shohim gjërat më me qartësi;” por nga ana tjetër besimi kërkon që ne të ecim me trimëri e kurajo përpara, duke shpresuar në gjithçka, duke besuar gjithçka. PPAlb 201.3

Veçantia e resë ishte se qëndronte si një murr errësire përpara egjitpasve ndërsa shërbente si një burim i madh drite për hebrenjtë, duke ndriçuar të gjithë vendqëndrimin e tyre si dhe duke çuar dritë përgjatë rrugës që kishin përpara. Në një mënyrë të ngjashme, prania e Perëndisë, kur marrim parasysh sovranitetin e Tij të plotë u sjell errësirë dhe dëshpërim atyre që nuk besojnë, ndërsa të gjithëve që besojnë tek Ai u dërgon dritë dhe paqe. Vërtet, udha në të cilën prin Perëndia mund të kalojë përmes shkretëtirës apo detit, por në fund të fundit, është një udhë e sigurt! PPAlb 202.1