PATRIARKË DHE PROFETË

23/74

23—“MURTAJAT E EGJIPTIT”

*****

Pasi u udhëzua nga engjëjt, Aaroni, u nis për të takuar vëllain, Moisiun, prej të cilit ishte ndarë për një kohë të gjatë; dhe ata u takuan në vendet e qeta të shkretëtirës, afër malit Horeb. Në këtë vend ata u mblodhën së bashku dhe Moisiu i tregoi Aaronit “të gjitha fjalët e Zotit që e kishte dërguar, si dhe të gjitha shenjat që i kishte urdhëruar.” - Eksodi 4:28. Pastaj u nisën së bashku për në Egjipt, dhe kur mbërritën në territorin e Goshenit, ata bënë thirrje që të mblidheshin të gjithë pleqtë e Izraelit (krerët e familjeve të mëdha). Aaroni u përsëriti atyre të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur mes Perëndisë dhe Moisiut, dhe pastaj ato shenja që Perëndia i kishte dhënë Moisiut u treguan përpara popullit. “Kështu populli i besoi. Ata kuptuan që ishte Zoti që u kishte bërë vizitë fëmijëve të Izraelit dhe kishte parë dëshpërimin e tyre; dhe ata u përkulën dhe e adhuruan [Zotin]. - Eksodi 4:31. 13 PPAlb 178.1

Moisiu gjithashtu kishte marrë si detyrë nga Zoti që t’i dorëzonte një mesazh faraonit. Kështu, dy vëllezërit hynë në pallatin e faraonit si ambasadorë të Mbretit të mretërve , dhe folën në emër të Tij. “Kështu thotë Zoti (hebraisht: Jahveh) Perëndia i Izraelit: ‘Lëre popullin tim të shkojë, me qëllim që të kremtojë për mua një festë në shkretëtirë.’” - Eksodi 5:1. PPAlb 178.2

“Kush është Zoti (Jahveh) që unë duhet t’i bindem zërit të Tij dhe ta lë Izraelin të shkojë? Unë nuk e njoh Jahveh dhe nuk kam për ta lënë Izraelin të shkojë.” - Eksodi 5:2. PPAlb 178.3

Përgjigja që iu dha nga dy vëllezërit qe, “Perëndia i Hebrenjve na doli përballë; tani na lër të ecim tri ditë me radhë në shkretëtirë që të bëjmë një flijim për Zotin, që është Perëndia ynë, që ai të mos na godasë me murtajë ose me shpatë.” - Vargu 3. PPAlb 178.4

Buja rreth tyre dhe interesit që ata kishin ngjallur tek populli kishte arritur me kohë në veshët e faraonit. Ai u inatos keq. “Pse vallë Moisiu dhe Aaroni e largojnë popullin nga puna e tij? Kthehuni në mundimet tuaja!” Mbretëria kishte pësuar humbje që kur këta të huaj kishin ndërhyrë e kishin prishur status quo-në ekzistuese. Faraoni tha përsëri: “Ja, tani populli i vendit është i shumtë, dhe ju doni që ai të ndërpresë mundimet e tij.” - Vargjet 4, 5. PPAlb 178.5

Gjatë robërisë së tyre në Egjipt, izraelitët e kishin humbur në njëfarë mase njohurinë rreth ligjit të Perëndisë, dhe si pasojë ishin larguar nga parimet e tij. Kështu, dita e Sabatit ishte trajtuar me mospërfillje nga shumica, ndërsa kërkesat e rrepta të pronarëve e bënin respektimin e kësaj dite praktikisht të pamundur. Por Moisiu i tregoi qartë popullit se bindja ndaj Perëndisë ishte kushti parësor për të arritur çlirimin; dhe përpjekjet që po bëheshin për të rikthyer mbajtjen të shenjtë të ditës së Sabatit filluan të viheshin re nga pronarët egjiptianë që i shtypnin dita-ditës.[* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 1]. PPAlb 178.6

Faraoni, në kulmin e inatosjes, dyshonte se izraelitët po kurdisnin revoltë kundër shërbimit që i bënin atij. Pakënaqësia, sipas tij, vinte si rrjedhojë e dembelizmit; dhe ai do të bënte gjithçka që kishte në dorë që izraelitët të rropateshin gjithë kohës në punërat e mundimshme në mënyrë që të mos kishin kohë të merreshin me këto skema të rrezikshme. Dhe menjëherë ai adoptoi masa të rrepta me qëllim që t’i mundonte edhe më tepër si dhe të ndrydhte e eliminonte frymën e pavarur që izraelitët kishin. Pikërisht në të njëjtën ditë, u lëshuan urdhëra që e bënë punën e izraelitëve edhe më të mundimshme e më mizore. Në atë kohë, materialet më të zakonshme të ndërtimit ishin tullat që piqeshin nën diellin e nxehtë; Muret e ndërtesave më të bukura ndërtoheshin pikërisht me këto lloj tullash dhe pastaj visheshin me gur; kështu, një numër i madh skllevërish izraelitë punonin nëpër punishtet e shumta të prodhimit të tullave. Ngaqë për prodhimin e tullave nevojitej edhe kashtë, kjo e fundit copëzohej dhe përzihej me argjilën për ta mbajtur sa më inerte, sasira të mëdha kashte nevojiteshin për prodhim; faraoni tani dha urdhër që të ndërpritej furnizimi me kashtë; që punëtorët duhet ta gjenin vetë atë, ndërsa prej tyre kërkohej po e njëjta sasi tullash. PPAlb 179.1

Ky urdhër shkaktoi një pakënaqësi të madhe mes izraelitëve në mbarë territorin. Pronarët egjiptianë ksihin caktuar zyrtarë hebrenj që të mbikqyrnin punën e popullit. Dhe këta zyrtarë mbanin përgjegjësi për punën e kryer nga ata punëtorë që kishin nën zotërim. Kur filloi të vihej në zbatim urdhri i rreptë i mbretit, populli u shpërnda gjithandej nëpër egjipt që të mblidhte kallamishte në vend të kashtës; por ishte krejtësisht e pamundur për ta që të realizonin prodhimin e tullave në të njëjtën sasi si më parë. Për shkak të këtij mosrealizimi, zyrtarët hebrenj u rrahën keq. PPAlb 179.2

Këta zyrtarë kujtonin se mundimi vinte nga pronarët e tyre, dhe jo nga vetë mbreti, kështu që shkuan tek ai për të paraqitur ankimimet që kishin. Protesta e tyre u përball me tallje e përbuzje nga ana e faraonit: “Ju jeni përtacë, shumë përtacë! Për këtë arsye më thoni: ‘na lë të bëjmë fli për Zotin.’” - Vargu 17. Faraoni u dha urdhër që t’i ktheheshin punës dhe se nuk bëhej fjalë që kushtet mizore të punës të përmirësoheshin. Pasi u kthyen, zyrtarët takuan Moisiun dhe Aaronin, dhe me indinjatë u thanë: “Le t’i hedhë sytë Zoti mbi ju dhe le të gjykojë, sepse na keni bërë të urryer në sytë e Faraonit dhe në sytë e shërbëtorëve të tij duke vënë në duart e tyre shpatën për të na vrarë.” - Vargu 21. PPAlb 179.3

Kur Moisiu dëgjoi kritikat e mësipërme, u dëshpërua shumë. Vuajtjet e popullit vetëm sa ishin shtuar. Nëpër të gjithë tokën e Egjiptit, një britmë dëshpërimi dëgjohej kudo, nga të rinjtë dhe të moshuarit, dhe të gjithë fajësonin atë për përkeqësimin e gjendjes në të cilën ndodheshin. I pezmatuar jashtë mase, Moisiu iu drejtua Perëndisë me një thirrje, “O Zot, pse e fute në halle këtë popull? Pse pra më dërgove? Sepse, qysh prej ditës që shkova tek faraoni, për t’i folur në emrin Tënd, ai i ka bërë të keqe këtij populli dhe Ti nuk e çlirove aspak popullin tend.” - Vargu 23. Përgjigja ishte: “Tani ke për të parë çfarë kam për t’i bërë Faraonit; sepse i detyruar nga një dorë e fuqishme ai do t’i lërë [Izraelitët] të shkojnë; po, i detyruar nga një dorë e fuqishme do t’i dëbojë nga vendi i tij.” Pastaj Perëndia iu referua sërish besëlidhjes që Ai kishte bërë me etërit e tyre, dhe e siguroi Moisiun se do të përmbushej. PPAlb 179.4

Gjatë viteve të skllavërisë në Egjipt, kishte në mes të izraelitëve nga ata që i kishin qëndruar besnikë adhurimit të Perëndisë së vërtetë, i cili i ishte shfaqur Moisiut me emrin Jahveh. Këta njerëz shqetësoheshin pa masë kur shihnin fëmijët e tyre të ishin dëshmitarë të akteve të turpshme të paganëve, përfshi këtu edhe përkuljen përpara perëndive të rreme. Në dëshpërim e sipër, ata iu drejtuan Zotit dhe i kërkuan çlirimin nga zgjedha egjiptiane, me qëllim që të shpëtonin njëherë e mirë nga influenca çthurrëse e idhujtarisë. Ata nuk e mbajën të fshehtë besimin e tyre, por u deklaruan egjiptasve se objekti i vetëm i adhurimit të tyre ishte Krijuesi i qiellit dhe i tokës, i vetmi Perëndi i vërtetë dhe i gjallë. Ata përsëritnin dhe evokonin faktet mbi ekzistencën dhe fuqinë e Tij, që nga krijimi deri në ditët e Jakobit. Kështu, egjiptasve iu dha një mundësi që të njiheshin me fenë e hebrenjve; por ata i përçmuan mësimet e skllevërve dhe për më tepër u përpoqën që t’i joshnin adhuruesit e Perëndisë së vërtetë drejt idhujtarisë duke u premtuar shpërblime, dhe kur kjo metodë nuk jepte rezultat, i kërcënonin mizorisht. PPAlb 180.1

Krerët e familjeve të Izarelit u përpoqën që ta mbajnë fort besimin që po fundosej ndër rradhët e bashkëatdhetarëve të tyre duke i rikujtuar atyre premtimet që Perëndia u kishte bërë të parëve të tyre. Gjithashtu, ata i rikujtuan fjalët profetike të Jozefit përpara vdekjes, me anë të të cilave ai parashikoi shpëtimin e tyre nga skllavëria në Egjipt. Disa ua vunë veshin dhe besuan. Të tjerët, duke parë rrethanat në të cilat gjendeshin, hoqën dorë nga çdo lloj shprese. Kur egjiptasit u informuan se çfarë bisedohej mes skllevërve izraelitë, ata u tallën dhe përqeshën shpresën e tyre për çlirim, si dhe e mohuan me përbuzje fuqinë e Perëndisë së Izraelit. Duke i mëshuar faktit se izraelitët nuk ishin asgjë tjetër por një komb skllevërish, egjiptasit u thonin atyre duke i tallur, ” Në qoftë se Perëndia juaj qënka kaq i drejtë e i mëshirshëm, dhe zotëroka fuqi mbi atë të perëndive egjiptiane, pse atëherë nuk ju çliron dot juve?” Pastaj u thonin që t’i vinin mënd situatës në të cilën ndodheshin ata si egjiptas. Ata adhuronin perëndi të cilat konsideroheshin si të rreme nga izraelitët, por megjithatë, ata ishin një komb i pasur dhe i fuqishëm. Pastaj deklaronin se perëndisë e tyre i kishin bekuar me pasuri e begati dhe u kishin dhënë izraelitët për shërbëtorë. Kështu, ata ngazëlleheshin dhe mburreshin ndërsa kishin pushtetin për të shtypur dhe vrarë adhuruesit e Jahveh, Perëndisë së Izraelit. Vetë Faraoni mburrej duke deklaruar se Perëndia i hebrenjve nuk mund t’i shpëtonte dot nga dora e tij. PPAlb 180.2

Fjalë të këtilla venitën shpresat e shumë izraelitëve. Madje edhe atyre situata u dukej ashtu siç e kishin përshkruar egjiptasit. Ishte e vërtetë se ata ishin skllevër, dhe u duhej të duronin çdo lloj akti mizor që pronarët e tyre mund të vendosnin të kryenin kundër tyre. Fëmijët e tyre ishin gjurmuar e vrarë, dhe vetë jetët e tyre ishin kthyer në një mundim të madh. Mëgjithëkëtë ata adhuronin Perëndinë e qiellit. Por në qoftë se Jahveh ishte në të vërtetë mbi gjithë perënditë egjiptiane, ai me siguri nuk mund t’i lente ata si skllevër të këtyre idhujtarëve. Por ata që u treguan të vërtetë ndaj Perëndisë e kishin të qartë faktin se Zoti i kishte lejuar ata që të bëheshin skllever për shkak të largimit të Izraelit nga Perëndia, për shkak të zgjedhjes që kishin bërë duke u martuar e përzier me kombet pagane, duke përfunduar kështu në idhujtari. Nga ana tjetër, ata i siguruan me besimin e plotë se Perëndia do ta thyente së shpejti zgjedhën e robërisë egjiptiane. PPAlb 180.3

Hebrenjtë kishin kujtuar se do ta fitonin lirinë pa asnjë përpjekje apo mund të veçantë, pa vuajtje apo vështirësi të mëdha. Por e vërteta ishte se ata nuk ishin përgatitur aspak për çlirim. Ata kishin shumë pak besim tek Perëndia, dhe nuk ishin aspak të gatshëm që t’i duronin vuajtjet e mundimet derisa Perëndia të vendoste në momentin e duhur që të ndërhynte për ta. Për më tepër, shumë prej tyre ishin të kënaqur që më mirë të mbeteshin në robëri, sesa të hasnin vështirësitë që përfshinte shpërngulja në një vend të huaj për ta; aq më tepër që zakonet e disave ishin bërë pothuajse të njëjtë me ato të egjiptasve saqë ata preferuan që të banonin përfundimisht në Egjipt. Për këto arsye, Zoti nuk i shpëtoi ata me anë të manifestimit të parë të fuqisë së Tij përpara faraonit. Ai ndikoi tek rrethanat në një mënyre të tillë që solli një përkeqësim të frymës tiranike të monarkut egjiptian si dhe të shfaqte Vetveten përpara popullit të Tij. Duke parë drejtësinë e Tij, fuqinë e Tij, si dhe dashurinë e Tij, ata do të vendosnin që të largoheshin nga Egjipti dhe t’i përkushtoheshin shërbimit ndaj Tij. Detyra e Moisiut do të kishte qenë shumë më pak e vështirë po të mos kishte aq shumë izraelitë të cilët qenë korruptuar në atë shkallë saqë nuk dëshironin të largoheshin më nga Egjipti. Zoti urdhëroi Moisiun që të shkojë sërish tek populli dhe t’u përsëriste atyre premtimin e shpëtimit, duke i siguruar edhe njëherë për favorin hyjnor. Mosiu shkoi ashtu siç ishte urdhëruar; por ata nuk dëshiruan që ta dëgjonin. Shkrimi i Shenjtë thotë, “por ata nuk ia vunë veshin Moisiut, nga shkaku i ankthit dhe i skllavërise së rëndë.” - Eksodi 6:9. Edhe njëherë mesazhi hyjnor iu përcoll Moisiut, “Shko, foli faraonit, mbretit të Egjiptit, që të lejojë fëmijët e Izraelit të dalin nga vendi i tij.” - Eksodi 6:11.I dekurajuar, Moisiu iu përgjigj, “Ja, bijtë e Izraelit nuk më dëgjuan; si mundet faraoni të më dëgjojë mua...? - Vargu 12. Moisiut iu tha që të merrte Aaronin me vete dhe të shkonte përpara faraonit, dhe t’i kërkonte sërish “që ai të nxirrte fëmijët e Izraelit jashtë vendit të tij.” - Vargu 13. PPAlb 181.1

Moisiu u informua se faraoni nuk do të lëshonte aspak pé në rast se Perëndia nuk do ta ndëshkonte Egjiptin dhe ta nxirrte jashtë tij Izraelin me anë të manifestimit sinjalizues të fuqisë së Tij (nëpërmjet shtatë murtajave). Përpara fillimit të çdo murtaje, Moisiu kishte për detyrë të shpallte botërisht natyrën dhe pasojat e saj, në mënyrë që mbreti të kishte mundësinë të shpëtonte prej saj veten dhe popullin e tij. Çdo ndëshkim që hidhej poshtë do të ndiqej nga një ndëshkim edhe më i rëndë, deri sa zemra e gurtë e krenare e faraonit të përulej, dhe ai të pranonte Krijuesin e tokës dhe qiellit si të vetmin Perëndi të gjallë e të vërtetë. Kështu, Zoti do t’u jepte egjitpasve një mundësi të vyer që ata të shihnin se sa e kotë ishte dituria e parisë së tyre, sa e papërfillshme ishte fuqia e perëndive të tyre, në rast se ata do t’i kundërshtonin urdhërat e Jahveh, Zotit Perëndi të Izraelit. Zoti do të ndëshkonte popullin egjiptian për idhujtarinë e tyre dhe do të shuante mburrjet e tyre se gjoja merrnin bekime nga perënditë e tyre të rreme. Perëndia do të përlëvdonte emrin e Tij, me qëllim që kombet e tjera të kishin mundësinë që të dëgjonin për fuqinë e tij dhe të dridheshin përpara veprave të tij të fuqishme, si dhe që populli i Tij të kishte mundësinë që të shkëputej njëherë e mirë nga idhujtaria dhe t’i kushtonin Atij adhurim të pastër e të shenjtë. PPAlb 181.2

Edhe njëherë, Moisiu dhe Aaroni hynë në hollet luksoze të pallatit mbretëror egjiptian. Atje, të rrethuar nga kollonat madhështore dhe zbukurimet marramëndëse, nga pikturat e shtrenjta dhe imazhet e skulpturuara të perëndive pagane, përpara monarkut të mbretërisë më të fuqishme në botë në atë kohë, qëndronin dy përfaqësues të racës së skllavëruar, duke përsëritur urdhërin e Perëndisë në lidhje me çlirimin dhe largimin e Izraelit. Mbreti kërkoi një mrekulli, si shenjë që ata ishin zgjedhur nga Perëndia. Moisiu dhe Aaroni ishin udhëzuar qartë se si duhe të vepronin në rast se faraoni do t’ua kërkonte këtë gjë. Kështu, Aaroni mori shkopin dhe e hodhi përpara këmbëve të faraonit. Shkopi u shndërrua në një gjarpër. Nga ana e tij, faraoni dha urdhër të vinin “të diturit dhe yshtësit; dhe magjistarët e Egjiptit me artin e tyre të fshehtë bënë edhe ata të njëjtën gjë. Secili prej tyre hodhi bastunin e tij, dhe bastunët u bënë gjarpërinj; por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre.” - Eksodi 7:11, 12. Pas kësaj, mbreti, më i vendosur se kurrë, i shpalli magjistarët e tij të barabartë në fuqi me Moisiun dhe Aaronin; ai i denoncoi shërbëtorët e Zotit si sharlatanë e mashtrues, dhe kështu ndjeu një vetësiguri në vetvete që e bëri të refuzonte kërkesat e tyre. Megjithatë, edhe pse ai e përbuzte mesazhin e tyre, faraoni u pengua nga fuqia hyjnore që t’u bënte keq dy vëllezërve hebrenj. PPAlb 181.3

Mrekullitë që u treguan përpara faraonit u kryen nga dora e Perëndisë dhe aspak nga ndonjë ndikim apo pushtet njerëzor që zotërohej nga Moisiu apo Aaroni. Ato shenja dhe mrekulli ishin kryer për të bindur faraonin se i madhi “UNE JAM” (hebraisht: Jahveh) ishte Perëndia që kishte dërguar Moisiun, dhe se faraoni ishte i detyruar ta lejonte Izraelin që të largohej, në mënyrë që hebrenjtë të kishin mundësinë që t’i shërbenin Perëndisë së vetëm të gjallë. Edhe magjistarët egjiptianë treguan shenja dhe mrekulli; sepse nuk i kryen ato vetëm nga mjeshtëria e tyre, por nga fuqia e perëndisë së tyre, Satanit, i cili i ndihmoi ata duke fabrikuar e falsifikuar punën e Jahveh.. PPAlb 182.1

Në të vërtetë, magjistarët nuk i shndërruan bastunet e tyre në gjarpërinj; por me anë të magjisë, dhe të ndihmuar nga mashtruesi i madh (Satani), qenë në gjendje që të paraqitnin pamjen sikur ishin gjarpërinj. Ndryshimi i bastuneve në gjarpërinj ishte përtej fuqisë apo pushtetit të Satanit.Ky princ i së keqes, ndonëse zotëronte të gjithë diturinë dhe fuqinë e një engjëlli të rënë, nuk ka fuqi apo pushtet për të krijuar, ose për të dhënë jetë; ky është prerogativi i Perëndisë dhe vetëm Perëndisë. Por atë çfarë kishte mundësi të bënte Satani, e bëri; ai prodhoi një falsitet. Për sytë e publikut bastunet “u ndryshuan” në gjarpërinj. Kështu besuan se ndodhi në të vërtetë si faraoni dhe oborrtarët e tij. Në pamje të jashtem ato dukeshin njësoj si gjarpri që ishte prodhuar nga Moisiu dhe Aaroni. Ndonëse Zoti bëri që gjarpri i vërtetë t’i gëlltitë gjarpërinjtë e rremë, faraoni e interpretoi këtë ngjarje sikur kjo nuk ishte një vepër e fuqisë së Perëndisë, por si rrjedhojë e një magjie superiore në krahasim nga ajo e shërbëtorëve të tij. PPAlb 182.2

Faraoni dëshironte që ta justifikonte kokëfortësinë e tij (duke i rezistuar urdhrit hyjnor), dhe për rrjedhojë ai kërkonte një farë preteksti për t’i hedhur poshtë e nënvleftësuar mrekullitë që Perëndia kishte kryer nëpërmjet Moisiut. Satani i dha faraonit gjithçka që ai donte. Me anë të veprës që kreu nëpërmjet magjistarëve, Satani bëri që egjiptasit të krijonin përshtypjen se Moisiu dhe Aaroni ishin thjesht yshtës dhe magjistarë, dhe se mesazhi që ata sillnin nuk meritonte ndonjë vëmendje të veçantë, a thua sikur vinte nga ndonjë superiore. Kështu, falsiteti i Satanit e arriti qëllimin e vet duke i bërë egjiptasit edhe më prepotentë në rebelimin e tyre ndaj Zotit, si dhe duke e bërë faraonin që ta ngurtësonte edhe më tej zemrën kundrejt bindjes. Në të njëjtën kohë, Satani shpresonte që të trondiste besimin e Moisiut dhe Aaronit në origjinën hyjnore të misionit të tyre, në mënyrë që instrumentet e tij të korrnin fitore. Ai nuk donte aspak që fëmijët e Izraelit të liroheshin nga robëria dhe t’i shërbenin të vetmit Perëndi të gjallë. PPAlb 182.3

Por Satani, princi i së keqes, kishte një synim edhe më të madh kur manifestoi mrekullitë nëpërmjet magjistarëve. Ai e dinte mjaft mirë se Moisiu, me thyerjen e zgjedhës për popullin e Izraelit simbolizonte dhe në të njëjtën kohë lajmëronte vetë Krishtin, i cili do të shkatërronte mbretërimin e mëkatit në familjen njerëzore. Djalli e dinte se në kohën kur do të shfaqej Krishti do të kryheshin mrekulli të jashtëzakonshme, për t’i treguar mbrare botës se vetë Perëndia e kishte dërguar Atë. Satani u drodh nga frika për pushtetin e vet. Duke fallsifikuar veprën që Perëndia kreu nëpërmjet Moisiut, ai shpresonte jo vetëm që të parandalonte çlirimin e Izraelit, por edhe të ushtronte ndikimin e vet për koëhrat që do të vinin duke synuar që të skatërronte besimin në mrekullitë e Krishtit. Në fakt, Satani kërkon papushim që të falsifikojë veprën e Krishtit dhe të ridimensionojë pushtetin dhe pretendimet që ka. Ai i shtyn njerëzit që këta të fundit t’i shpjegojnë mrekullitë e Krishtit duke i paraqitur ato gjoja vetëm si rezultat të mjeshtërisë dhe fuqisë njerëzore. Kështu, ai shkatërron në mendjen e shumë njerëzve besimin në Krishtin si Biri i Perëndisë, si dhe i shtyn këta njerëz që të refuzojnë ofertat hirplota të mëshirës që Perëndia tregon nëpërmjet planit të shpengimit të njerëzimit nga mëkati. PPAlb 183.1

Të nesërmen në mëngjes, Moisiu dhe Aaroni u urdhëruan nga Zoti që të bënin një visitë pranë bregut të lumit Nil, aty ku mbreti e kishte zakon të pushonte. t the riverside next morning, ëhere the king ëas accustomed to repair. Meqënëse rrjedha e Nilit ishte burimi kryesor i ushqimit dhe i pasurisë për mbarë Egjiptin, lumi adhurohej si një perëndi, dhe faraoni shkonte pranë bregut përditë që të kryente homazhet e veta. Pikërisht atje, dy vëllezërit ia përsëritën edhe njëherë mesazhin, dhe pastaj zgjatën bastunin dhe rrahën ujërat e lumit. Lumi i shenjtë u bë gjak, peshqit ngordhën, dhe lumi filloi të mbante një erë shumë të keqe. Uji nëpër shtëpitë e egjiptasve, rezervat që mbaheshin në çisterna dhe fuçi u shndërrua i gjithi në gjak. Por “magjistarët e Egjiptit bënë të njëjtën gjë me artet e tyre magjike” dhe faraoni “theu krahët dhe u drejtua nga shtëpia e tij; dhe nuk i dha rëndësi as kësaj gjëje.” - Eksodi 7:23. Murtaja zgjati shtatë ditë, por nuk dha rezultat. PPAlb 183.2

Bastuni rrahu sërish ujërat, dhe kësaj rradhe lumi u mbush me bretkosa të cilat me shpejtësi mbuluan mbarë vendin. Ato u futën nëpër shtëpi, vunë në zotërim dhomat e gjumit dhe madje edhe në furrat dhe magjet e bukës. (- Eksodi 8:3-6). Bretkosa konsiderohej si e shenjtë për egjiptasit, dhe rrjedhimisht nuk i vritnin dot; por shumë shpejt amfibet plot jargë nuk duroheshin dot më. Ato pushtuan edhe vetë pallatin e faraonëve, dhe mbreti nuk duroi dot derisa ato u hoqën. Magjistarët kishin bërë sikur kishin prodhuar bretkosa por nuk ishin në gjendje t’i zhduknin ato. Kur e pa këtë zhvillim ngjarjesh, faraoni u përul paksa. Ai thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha “Lutjuni Zotit që t’i largojë bretkosat nga unë dhe nga populli im, dhe unë do ta lejoj popullin (izraelit) të shkojë, që të bëjë flijime për Zotin.” - Eksodi 8:8. Pasi i kujtuan mbretit mburrjet e mëparshme, ata i kërkuan atij që të caktonte një afat kohor se kur dëshironte që ata t’i luteshin Zotit për heqjen e kësaj murtaje. Ai caktoi të nesërmen, duke shpresuar fshehurazi se deri atëherë bretkosat do të zhdukeshin vetvetiu, e për rrjedhojë do ta shpëtonin nga poshtërimi i hidhur që nënkuptonte për të nënshtrimi ndaj Perëndisë së Izraelit. Megjithatë, murtaja vazhdoi deri në kohën e caktuar (kur u lutën dy vëllezërit), dhe në ato çaste bretkosat anëembanë Egjiptin ngordhën, por trupat e tyre të dekompozuar ndotën krejt atmosferën. PPAlb 183.3

Zoti mund t’i kishte kthyer ato në pluhur brenda një kohe të pallogaritshme; por nuk e bëri këtë gjë për arsye se pas zhdukjes së tyre, faraoni dhe njerëzit e tij do ta konsideronin këtë fenomen si rezultat të yshtjeve dhe arteve magjike të ngjashme me ato të magjistarëve të oborrit. Bretkosat ngordhën, dhe më pas u mblodhën në togje të mëdha. Këtu, faraoni dhe mbarë Egjipti kishin përpara syve të tyre prova faktike të cilat nuk mund të hidheshin poshtë nga filozofia e tyre boshe. Ishte mëse e qartë se kjo gjë nuk ishte arritur me anë të magjisë, por ishte një ndëshkim që vinte nga Perëndia i qiellit. “Po kur Faraoni pa që kishte pak lehtësim, e ngurtësoi zemrën e tij dhe nuk i dëgjoi më, ashtu siç kishte thënë Zoti.” - Eksodi 8:15. Me urdhër të Perëndisë, Aaroni shtriu dorën, dhe pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja që mbushën mbarë tokën e Egjiptit. Faraoni thirri magjistarët që të bënin të njëjtën gjë edhe ata, por ata nuk mundën dot. Kështu, vepra e Perëndisë tregoi se ishte superiore ndaj asaj të Satanit. Vetë magjistarët e pranuan se “Ky është gishti i Perëndisë” - Eksodi 8:19. Por mbreti nuk ndryshoi qëndrim. PPAlb 184.1

Meqë apeli dhe paralajmërimi nuk ndikuan tek faraoni, u shkaktua një murtajë tjetër. Kohëndodhja e saj u paratha me qëllim që të mos pretendohej se kishte ndodhur rastësisht. Kështu, “erdhën grumbuj të dendur mizash në shtëpinë e Faraonit dhe në shtëpitë e shërbëtorëve të tij, dhe në gjithë vendin e Egjiptit toka u shkretua nga moria e mizave.” - Vargu 24. Këto miza ishin të mëdha dhe helmuese, dhe si pasojë pickimi nga to shkaktonte dhimbje të mëdha si për njerëzit ashtu edhe për kafshët. Siç ishte parathënë, kjo gjëmë nuk ra në tokën e Goshenit (aty ku jetonin izraelitët). PPAlb 184.2

Pas kësaj, faraoni u ofroi izraelitëve lejen për të flijuar në Egjipt, por ata nuk e pranuan një kusht të tillë. “Jo s’ka si bëhet,” tha Mosiu “sepse [kështu] do t’i bënim Zotit, Perëndisë tonë, flijime që janë të neveritshme për Egjiptasit. Ja, duke bërë para syve të tyre flijime që janë të neveritshme për Egjiptasit, a nuk do të na vrasin ata me gurë?” - Vargu 26. Kafshët të cilat do t’u kërkoheshin hebrenjve për flijim ishin të njëjtat kafshë që konsideroheshin si të shenjta për egjiptasit; dhe respekti ndaj këtyre kafshëve ishte i tillë saqë po të vrisje qoftë edhe një, madje edhe pa dashje, kjo nënkuptonte dënim me vdekje. Do të kishte qenë e pamundur për hebrenjtë që të adhuronin në Egjipt pa ofenduar pronarët e tyre. Moisiu propozoi sërish që të lejoheshin që të shkonin në shkretëtirë duke ecur tri ditë me rradhë, për të kryer flijimet e duhura. Faraoni ra dakort, dhe iu lut shërbëtorëve të Perëndisë që t’i luteshin Zotit për heqjen e kësaj murtaje. Dy vëllezërit dhanë fjalën se do ta bënin këtë, por në të njëjtën kohë e paralajmëruan që të mos sillej si mashtrues me ta. Murtaja u ndërpre, por zemra e mbretit ishte ngurtësuar nga rebelimi i vazhdueshëm, dhe për pasojë ai refuzoi edhe njëherë që të jepte viston e tij. PPAlb 184.3

Një murtajë edhe më e tmerrshme pasoi atë të mizave—gjëma ra mbi tërë bagëtinë e Egjiptit që gjendej nëpër fusha. Kafshët e shenjta, qetë e parmëndës, kuajt, gomerët, devetë, bagëtia e trashë dhe e imët—të gjitha u vranë (- Eksodi 9:3-6). Gjithashtu, ëllezërit kishin thënë qartë se bagëtia e hebrenjve do të përjashtohej nga kjo gjëmë; dhe faraoni dërgoi njerëz nëpër shtëpitë e izraelitëve për të parë, të cilët dëshmuan të vërtetën e deklaratës së Moisiut se “nga bagëtitë e fëmijëve të Izraelit nuk ka ngordhur as edhe një”. Megjithatë, mbreti vazhdoi të sillej me kokëfortësi. PPAlb 185.1

Pas kësaj Moisiut iu dha urdhër që të shkonte të merrte ca grushte me hi furre, të cilin filloi ta “shpërndajë... drejt qiellit në sytë e Faraonit.” - Eksodi 9:8. Ky veprim ishte mjaft domethënës. Përpara katërqind vjetësh, Perëndia i kishte treguar Abrahamit shtypjen e pasardhësve të tij në të ardhmen, me anë të figurës së një furre me tym dhe një llampe që digjej. Zoti kishte deklaruar se Ai kishte për t’i ndëshkuar shtypësit e pasardhësve të Abrahamit, si dhe do të shpëtonte robër të shumtë. Në Egjipt, Izraeli ishte dergjur mjaft gjatë në furrën e lëngimit. Ky veprim i Moisiut ishte pra një siguri për ta se Perëndia e kishte mëse parasysh besëlidhjen e Tij, dhe se koha për çlirimin e tyre tashmë kishte ardhur. PPAlb 185.2

Ndërsa hiu i furrës u spërkat drejt qiellit, dhe këto pjesëza mikroskopike u shpërndanë në mbarë Egjiptin dhe ngado që shkonin, shkaktonin “ulcera që përftuan puçrra te njerëzit dhe te kafshët.” - Vargu 10. Deri atëherë, priftërinjtë dhe magjistarët egjiptianë e kishin inkurajuar faraonin që të sillej me kokëfortësi, por tashmë kishte ardhur një murtajë që i kishte prekur edhe ata vetë. Të goditur nga një sëmundje e urryeshme dhe shumë e mundimshme, të zhveshur nga fuqia e tyre e rrejshme, ata nuk ishin më në gjendje që të luftonin kundër Perëndisë së Izraelit. Mbarë kombi u detyrua që të shihte me sytë e veta budallallëkun dhe kotësinë që sillte besimi ndaj magjistarëve, të cilët nuk ishin më në gjendje të mbronin as veten e tyre. PPAlb 185.3

Megjithatë, zemra e faraonit u ngurtësua edhe më shumë. Kësaj rradhe, Zoti i dërgoi një mesazh, duke i thënë, “këtë herë do t’i dërgoj tërë plagët e mia pikërisht mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që të mësosh se nuk ka asnjë të ngjashëm me Mua në për të gjithë dheun. Në fakt, në qoftë se ... Unë do ta kisha shtrirë dorën dhe do të kisha goditur me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe fshirë nga faqja e dheut. Por, pikërisht për këtë arsye, të kam falur, për të të treguar fuqinë time dhe që emri Im të shpallet nëpër të gjithë dheun. Jo se Perëndia e kishte bërë që faraoni të ekzistonte për këtë qëllim, por ndikimi hyjnor tek rrethanat kishte bërë që ai faraon të mbretëronte në kohën e caktuar për çlirimin e Izraelit. Ndonëse ky tiran arrogant dhe harbut me anë të krimeve të veta ia kishte privuar vetes mëshirën e Perëndisë, jeta e tij gjithsesi ishte ruajtur me qëllimin që nëpërmjet kokëfortësisë së tij Zoti të mund të shpallte mrekullitë e Tij në tokën e Egjiptit. Organizimi i ngjarjeve dhe rrethanave vjen nga lart. Perëndia mund të kishte vendosur në fron një mbret më të mëshirshëm, i cili as që kishte për të guxuar t’i bënte ballë manifestimeve të fuqishme të pushtetit hyjnor. Por në një rast të tillë, planet e Zotit nuk do të realizoheshin. Populli i Tij u lejua që të përjetonte mizorinë e skajshme të egjiptasve, në mënyrë që izraelitët të mos mashtroheshin nga ndikimi çthurrës e korruptues i idhujtarisë. Në relatat e Tij me faraonin, Zoti shpalli qartë mërinë e Tij ndaj idhujtarisë si dhe vendosmërinë e Tij për të dënuar mizorinë dhe shtypjen. PPAlb 185.4

Perëndia kishte deklaruar që më përpara përsa i përket faraonit, “Unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë.” - Eksodi 4:21. Ngurtësimi izemrës së mbretit nuk ndodhi aspak prej ushtrimit të fuqisë së mbinatyrshme. Perëndia i dha faraonit provat më të forta faktike të fuqisë dhe pushtetit të Tij hyjnor, por monarku refuzoi me kokëfortësi duke rebeluar kundër Tij. Farat e rebelimit që ai mbolli kur hodhi poshtë mrekullinë e parë, prodhuan të korrurat e veta. Ndërsa vazhdonte të ecte sipas mendjes se vet, nga njëri nivel i kokëfortësisë dhe arrogancës në tjetrin, zemra e tij u ngurtësua gjithnjë e më tepër, derisa u lajmërua që të shihte fytyrat mavi të të parëlindurve të vdekur egjiptas. PPAlb 186.1

Perëndia u flet njerëzve nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, duke u dhënë atyre paralajmërime të ndryshme dhe duke qortuar mëkatin. Ai i jep gjithsecilit mundësi për të korrigjuar gabimet përpara se ato të nguliten thellë në karakter; por nëse ndokush e refuzon qortimin, fuqia hyjnore nuk ndërhyn më për të kundërvepruar ndaj tendencës së veprimit të këtij individi. Ky i fundit e ka më të lehtë për të vazhduar në rrugën që ka zgjedhur. Në të vërtetë, ky individ po e ngurtëson zemrën kundër ndikimit të Frymës së Shenjtë. Një refuzim i mëtejshëm nga ana e tij ndaj dritës hyjnore e vendos atë në një pozitë të tillë ku një ndikim pozitiv edhe më i fortë nuk do të jetë aq efikas sa të ngulë rrënjë në karakterin e këtij individi. PPAlb 186.2

Ai person që dorëzohet para tundimit herën e parë ka për t’u dorëzuar edhe më shpejt herën e dytë. Çdo përsëritje e të njëjtit mëkat e pakëson gjithnjë e më shumë forcën për t’i bërë ballë mëkatit, i errëson sytë, dhe dobëson ndjeshëm konfidencën. Çdo farë epshi do të japë frutin e vet pa u vonuar. Nuk është Perëndia ai që kryen mrekulli për të penguar të korrurat. “... Sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë - Galatasve 6:7. Ai person që tregon një durueshmëri jobesnike, një indiferencë totale ndaj së vërtetës hyjnor nuk bën asgjë tjetër përveçse korr atë që ka mbjellur vetë. Në këtë mënyrë turmat vijnë, mblidhen dhe dëgjojnë me një indiferencë stoike po ato të vërteta (nga Bibla, fjala e Perëndisë) të cilat njëherë e një kohë u kishin ndryshuar jetën. Fatkeqësisht, ata mbollën neglizhim dhe rezistencë ndaj të vërtetës, dhe mjerisht, ata kanë për të korrur të njëjtë gjë që mbollën. PPAlb 186.3

Ata që perpiqen të qetësojnë ndërgjegjen e vrarë me mendimin se mund ta ndryshojnë rrugën e keqe që kanë nisur kur të duan, se mund t’i marrin në konsideratë më vonë ftesat e shumta që vijnë prej mëshirës së Perëndisë, dhe vazhdojnë kështu me hope, e marrin këtë rrugë duke u kanosur seriozisht prej saj. Ata mendojnë se pasi të kenë hedhur të gjithë ndikimin e tyre në anën e Satanit, rebelit të madh, në një moment tmerrësisht të vështirë, kur janë të rrethuar nga rreziku në të katër anët, ata mund të ndryshojnë udhëheqësit. Por nuk është kaq e lehtë. Përvoja, edukimi, disiplina e një jete plot epshe e dëfrime mëkatare i jep një trajtë të tillë karakterit saqë ata nuk mund ta pranojnë dot imazhin apo shëmbëlltyrën e Jezusit. Po të mos ishte hedhur dritë në rrugën e tyre të errët, gjërat do të kishin përfunduar krejt ndryshe. Mëshira e Perëndisë mund të ndërhyjë, dhe t’u japë atyre një mundësi për të pranuar ofertat e saj; po pasi kjo dritë të jetë refuzuar apo përçmuar për një kohë të gjatë, ajo ka për t’u tërhequr përfundimisht. PPAlb 186.4

Më pas faraonitiu kërcënua se do të vinte një murtajë breshri, me paralajmërimin, “dërgo njeri që të sigurosh bagëtinë tënde dhe tërë ato që ke nëpër fusha. Sepse tërë njerëzit dhe kafshët, që ndodhen nëpër fushat dhe nuk janë çuar në shtëpi, do të goditen nga breshëri dhe do të vdesin.” - Eksodi 9:19. Shiu dhe aq më tepër breshëri ishin një dukuri e rrallë në Egjipt, dhe një stuhi e përmasave që që parashikohen nga dy vëllezërit hebrenj nuk ishte parë kurrë më parë. Lajmi u përhap me shpejtësi, dhe të gjithë ata që e besuan fjalën e Zotit i mblodhën bagëtitë, ndërsa ata që e përçmuan paralajmërimin hyjnor i lanë ato në kullota. Kështu, Perëndia tregoi mëshirë në mes të ndëshkimit. Njerëzit u vunë përpara provës dhe kështu u pa sa shumë prej tyre kishin treguar respekt e frikë ndaj Tij dhe manifestimit të fuqisë së Tij. PPAlb 186.5

Stuhia erdhi ashtu siç ishte parathënë, bubullima dhe breshër, dhe zjarr i përzier me breshërin, “dhe ky ishte aq i fortë, sa nuk ishte parë ndonjë herë në të gjithë vendin e Egjiptit, që ditën që ishte bërë komb. - Eksodi 9:24. Dhe breshri ra me furi mbi tërë tokën e Egjiptit dhe shkatërroi gjithçka që gjendej sbuluar nëpër fusha, “si njerëzit ashtu dhe kafshët; breshri goditi çdo lloj bimësie në fushat dhe bëri copë copë çdo pemë që ndodhej në fushë.” - Vargu 25. Shkatërrimi dhe shkretimi treguan qartë forcën e engjëllit shkatërrues që ishte dërguar. Ndërkohë, toka e Goshenit (ku banonin izraelitët) nuk u prek aspak nga stuhia. Egjitpasve iu demonstrua edhe një herë se toka është nën kontrollin e Perëndisë së gjallë, dhe se elementet e saj i binden zërit të Tij, dhe se siguria gjendet vetëm tek bindja ndaj Tij. PPAlb 187.1

Tërë Egjipti u trondit dhe u tmerrua përballë rreshjeve të papërballueshme që erdhën nga ndëshkimi hyjnor. Faraoni thirri me shpejtësi të dy vëllezërit dhe thërriti, “Këtë herë unë mëkatova; Zoti është i drejtë, ndërsa unë dhe populli im jemi të këqij. Lutjuni Zotit që të mbarojnë bubullimat e Perëndisë dhe breshri; unë do t’ju lë të shkoni dhe nuk do të jeni të detyruar të rrini më këtu.” - Vargjet 27, 28. Prgjigja qe, “Mbasi të dal nga qyteti, do t’i shtrij duart nga Zoti; bubullimat do të pushojnë dhe nuk do të ketë më breshër, që ti të mësosh që toka i përket Zotit. Por unë e di që ti dhe shërbëtorët e tu, nuk do të keni frikë akoma nga Zoti Perëndi.” - Vargjet 29, 30. PPAlb 187.2

Moisiu e kishte të qartë se gara nuk kishte përfunduar ende. Rrëfimet dhe premtimet e faraonit nuk ishin rrjedhojë e ndonjë ndryshimi rrënjësor në mendjen apo zemrën e tij, por në të vërtetë dolën prej gojës së tij nga tmerri dhe ankthi. Moisiu premtoi, megjithatë, që t’ia plotësonte kërkesën; sepse nuk dëshironte t’i jepte shkas për kokëfortësira të mëtejshme. Profeti u largua, pa u trembur aspak nga stuhia, dhë kështu faraoni dhe oborrtarët e tij u bënë dëshmitarë të fuqisë së Jahveh, Zotit të Izraelit i cili e mbronte lajmëtarin e Tij. Pasi e përshkoi qytetin, Moisiu “i shtriu duart drejt Zotit; atëherë bubullimat dhe breshri pushuan dhe nuk ra më shi mbi tokë.” - Vargu 33. Por sapo e mori veten nga ndalimi i breshrit, zemra e faraonit iu rikthye sërish poshtërsisë dhe ndyrësisë. PPAlb 187.3

Pastaj Zoti i tha Mosiut, “Shko tek faraoni; sepse e kam ngurtësuar zemrën e tij dhe zemrën e shërbëtorëve të tij, me qëllim që Unë të mund të tregoj këto shenjat e Mia në mes tyre, dhe me qëllim që ti të mundësh t’u tregosh bijve të tu dhe bijve të bijve të tu gjërat e mëdha që kam bërë, duke vënë në lojë Egjiptasit, dhe shenjat e Mia që kam bërë midis tyre, që të dini se UNE JAM (fjalë për fjalë në hebraisht: Jahveh) Zoti. Zoti po tregonte hapur fuqinë e Tij, për të konfirmuar besimin e Izraelit në Të si i Vetmi Perëndi i gjallë dhe i vërtetë. Ai dha prova të pakundërshtueshme dhe të pagabueshme në trajtimin e ndryshëm që u bëri atyre në krahasim me egjiptasit. Zoti do të bënte që të gjithë kombet t’i njihnin se cilët ishin hebrenjtë. Ky popull që më parë ishte shtypur e përçmuar prej tyre ishte tashmë nën mbrojtjen e Perëndisë së qiellit. PPAlb 187.4

Moisiu e paralajmëroi faraonin se në rast se do të vazhdonte të tregohej kokëfortë, Zoti do të dërgonte një murtajë karkalecash. “Dhe ato do të mbulojnë faqen e dheut, kështu që asnjeri nuk do të mund ta shohë tokën; dhe ato do të përpijnë edhe atë që ka mbetur, atë që ju ka lënë breshri, dhe do të përpinë çdo pemë që rritet për ju në fusha. Dhe do t’i mbushin shtëpitë tuaja, shtëpitë e tërë shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e tërë Egjiptasve, diçka që as etërit e tu as etërit e etërve të tu nuk e kanë parë kurrë, nga dita që qenë mbi dhe deri në këtë ditë.” - Eksodi 10:5, 6. PPAlb 188.1

Këshilltarët e faraonit shtangën nga tmerri. Kombi egjiptian kishte pësuar humbje kolosale nga shkatërrimi i bagëtive. Shumë njerëz ishin vrarë nga breshri. Pyjet ishin shkatërruar, dhe të gjitha bimët e fidanët ishin rrafshuar. Ata po humbitnin me shpejtësi gjithçka që kishin përfituar nga puna e mundimshme e hebrenjve. Të gjithë vendin e pllakoste uria. Princat dhe oborrtarët ia brehën tek faraoni dhe i kërkuan me zemërim, “Deri kur ky njeri do të jetë pengesë për ne? Lëri këta njerëz të ikin, që t’i shërbejnë Zotit Perëndisë të tyre! Nuk e ke kuptuar akoma që Egjipti është shkatërruar?” - Eksodi 10:7. PPAlb 188.2

Moisiu dhe Aaroni u thirrën përsëri, dhe faraoni u tha atyre, “shkoni, shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj. Por cilët janë ata që do të shkojnë?” - Vargu 8. PPAlb 188.3

Moisiu iu përgjigj, “ne do të shkojmë me fëmijët tanë dhe me pleqtë tanë, me bijtë tanë dhe bijat tona; do të shkojmë me kopetë tona të bagëtive të imta dhe të trasha, sepse duhet të kremtojmë një festë kushtuar Zotit.” - Vargu 9. PPAlb 188.4

Mbreti u mbush me vrer. ” ‘Zoti qoftë me ju, ndërsa unë do t’ju lë të ikni bashkë me fëmijët tuaj! Por kini kujdes se mos keni qëllime të këqia! Jo, jo! Shkoni ju, burra, t’i shërbeni Zotit; sepse kjo është ajo që kërkoni’ Dhe i dëbuan nga prania e Faraonit.” - Vargjet 10, 11. Faraoni ishte përpjekur me çdo mjet që t’u merrte shpirtin izraelitëve duke i munduar me punërat më të rënda, por tani hiqej sikur i bëhej vonë për të mirën e tyre dhe fliste me ëmbëlsi për fëmijët e tyre. Synimi i vërtetë që kishte ishte mbajtja e grave dhe fëmijëve si një lloj garancie për kthimin e burrave. PPAlb 188.5

“Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat. Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër. Ato mbuluan faqen e tërë dheut, aq sa e nxinë dheun; përpinë tërë bimësinë e vendit dhe tërë pemët e drurëve që breshri kishte lënë; dhe nuk mbeti asgjë e blertë mbi drurët dhe shkurrëzat e fushës, në tërë vendin e Egjiptit.” Vargjet 13-15. Atëherë faraoni thirri me nxitim të dy profetët, dhe tha, “Unë kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. Por tani të lutem, falmani mëkatin edhe një herë; dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë nga unë këtë mynxyrë vdekjeprurëse” - Vargjet 16, 17. Moisiu dhe Aaroni e bënë këtë gjë, dhe një erë e fortë nga përëndimi i mori me vete karkalecat në drejtim të Detit të Kuq. Por megjithëktë, faraoni vazhdoi me kokëfortësinë e arrogancën që e kishte karakterizuar që në fillim. PPAlb 188.6

Populli i Egjiptit vuri duart në kokë nga tmerri e dëshpërimi. Murtajat dhe gjëmat që kishin rënë mbi ta nuk përballoheshin dot më, ndaj kishin frikë dhe ankth të papërshkrueshëm për të nesërmen. Kombi e adhuronte faraonin si përfaqësuesin e perëndisë së tyre, por shumë syresh tashmë u bindën se ai po i kundërvihej një Perëndie që detyronte të gjithë fuqinë e natyrës që t’i shërbente vullnetit të Tij. Skllevërit hebrenj, që ishin mbrojtur mrekullisht gjatë gjithë përiudhës së murtajave, po ndjenin dita-ditës se tashmë, shpresa për çlirim ishte më e vërtertë se kurrë. Pronarët e tyre nuk guxonin më t’u jepnin urdhra e t’i shtypnin si më parë. Mbarë Egjiptin e kishte pllakuosur frika se kombi i skllavëruar izraelit do të ngrihej e hakmerrej për ligësinë që kishte pësuar për një kohë të gjatë. Në çdo qytet e fshat njerëzit pyesnin me ankth e nën zë, “vallë çfarë ka për të ndodhur nesër?” PPAlb 189.1

Papritur vendi u mbulua nga errësira. Një errësirë aq e plotë dhe e zezë aq sa dukej si një “errësirë që ... mund të preket me dorë.” - Vargu 21. Njerëzit jo vetëm që u privuan nga errësira, por edhe vetë atmosfera u bë mjaft shtypëse; si paspjë njerëzit merrnin frymë me vështirësi. “Njëri nuk shikonte tjetrin dhe asnjeri nuk lëvizi nga vendi ku ndodhej për tri ditë; por për të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre.” - Vargu 23. Në fakt, dielli dhe hëna ishin objekte adhurimi për egjiptianët; në këtë errësirë të mistershme si njerëzit ashtu dhe “perënditë” e tyre u goditën nga fuqia e Perëndisë së vërtetë, Atij që kishte marrë përsipër kauzën e skllevërve.[* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 2] Megjithatë, edhe pse ishte i frikshëm, ky ndëshkim ishte një provë e dhembshurisë së Perëndisë dhe dëshirës së Tij për të mos shkatërruar. Ai donte t’u jepte kohë njerëzve për të reflektuar e për t’u penduar përpara se të dërgonte mbi ta më të tmerrshmen murtajë, atë të fundit. PPAlb 189.2

Më në fund, frika detyroi faraonin të bënte edhe një lëshim tjetër. Në fund të ditës së tretë të errësirës së vazhdueshme, ai thirri Moisiun, dhe ra dakort për largimin e popullit izraelit, me kusht që kopetë e tyre me bagëti të imët e të trashë të mbeteshin në Egjipt. “Bagëtia jonë do të vijë me ne; nuk do të lëmë këtu as edhe një thua të saj,” u përgjegj hebreu sypatrembur... Nuk e dimë se me se do t’i shërbejmë Zotit, deri sa të arrijmë atje poshtë.” - Vargu 26. Inati dhe vreri i mbretit nuk mbaheshin dot më. “Qërohu nga unë! Ruhu se më del përpara, sepse ditën që do të më dalësh përpara ke për të vdekur!” - Vargu 28. PPAlb 189.3

Moisiu iu përgjigj, “Mirë e the; unë nuk do të të dal më përpara.” - Vargu 29. PPAlb 189.4

“Moisiu si burrë gëzonte konsideratë të lartë në vendin e Egjiptit, në sytë e shërbëtorëve të Faraonit dhe në sytë e popullit.” - Eksodi 11:3. Egjiptianët e konsideronin Moisiun të ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Mbreti as që guxonte dot të vinte dorë mbi të, sepse njerëzit e konsideronin si të vetmin njeri që zotëronte fuqinë dhe pushtetin për të larguar gjëmat dhe murtajat. Ata e shprehën qartë dëshirën që izraelitët të lejoheshin që të largoheshin nga Egjipti. Por faraoni dhe priftërinjtë e tij paganë ishin të vetmit që kundërshtuan kërkesat e Moisiut deri në momentin e fundit. PPAlb 189.5