PATRIARKË DHE PROFETË

22/74

22—“MOISIU”

*****

Me qëllim që të kishin ushqim të bollshëm gjatë viteve të zisë së bukës, populli në Egjipt i kishte shitur kurorës mbretërore bagëtitë dhe tokat e tyre, dhe kështu u kthyen me kalimin e kohës në argatë të përhershëm të tokave që kishin zotëruar më parë. Jozefi duke treguar aftësitë e tij si burrë shteti mundësoi çlirimin e argatëve nga detyrimet e tyre duke i lejuar që të lidhnin kontratë me shtetin; ata mund të përdornin tokat që i përkitnin faraonit por duhet të paguanin një tribut vjetor prej një të pestash të prodhimeve të tyre. 12 PPAlb 166.1

Por pasardhësit e Jakobit nuk ishin të detyruar që t’i bindeshin këtyre kushteve. Për hir të shërbimit që Jozefi i kishte bërë kombit egjiptian, atyre jo vetëm që iu dha një pjesë e mirë e territorit të vendit për të banuar, por edhe ishin të përjashtuar nga taksimi, si dhe furnizoheshin bollshëm me ushqim përgjatë vazhdimit të zisë së bukës. Faraoni shpjegoi publikisht se ishte pikërisht si rezultat i ndërhyrjes mëshirplotë të Perëndisë së Jozefit që Egjipti gëzonte bollëkun ndërkohë që kombet e tjera ishin pllakosur nga skamja. Gjithashtu, faraoni kuptoi se administrimi nga ana e Jozefit e kishte pasuruar jashtë mase mbretërinë, dhe si rrjedhim, mirënjohja e tij përfshiu mbarë familjen e Jakobit me favoret dhe nderet mbretërore. PPAlb 166.2

Por me kalimin e kohës, ai njeri i madh të cilit Egjipti i detyrohej aq shumë, së bashku me brezin e bekuar për shkak të punë së tij administruese, vdiq e u varros. Pas asaj kohe, “doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin.” - Eksodi 1:8. Me thënë të drejtën mbreti i ri nuk ishte aspak i paditur për shërbimet që Jozefi i kishte bërë kombit, por ai thjesht nuk dontë t’i njihte ato, dhe aq më keq, bëri ç'është e mundur që ato të liheshin në harrësë. “A i tha popullit të tij: ‘Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. Le të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi.” - Eksodi 1:9, 10. PPAlb 166.3

Izraelitët ishin tashmë vërtet të shumtë në numër; ata “qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.” - Vargu 7. Nën përkujdesjen e veçantë të Jozefit, si dhe favoret e mbretit që mbretëronte në atë kohë, ata ishin përhapur me shpejtësi nëpër mbarë vendin. Në të njëjtën kohë, ata e kishin mbajtur racën të pastër, duke mos patur asgjë të përbashkët me egjiptasit si në zakone ashtu edhe në fé; dhe numri i tyre në rritje tani shkaktonte frikë tek faraoni i ri dhe tek populli i tij, se në rast lufte ata mund të bashkonin forcat me armiqtë e Egjiptit. Megjithatë, legjislacioni e ndalonte përzënien e tyre nga vendi. Duhet thënë gjithashtu se shumë prej tyre ishin punëtorë të aftë dhe të zotë, dhe sigurisht që kontribuonin ndjeshëm në pasurimin e kombit; mbreti i ri ua kishte nevojën këtyre punëtorëve për ngritjen e pallateve dhe tempujve të tij të madhërishëm. Por nga ana tjetër ai i uli izraelitët në të njëjtin rang me ata egjiptas që i kishin shitur pronat mbretërisë. Shumë shpejt, ai vuri targambledhës mbi ta, duke i çuar kështu gradualisht drejt skllavërisë. “Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t’u shërbenin me ashpërsi, dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune nëpër ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punëra me ashpërsi.” - Vargjet 13,14. “Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin.” - Vargu 12a. PPAlb 166.4

Mbreti dhe këshilltarët e tij kishin shpresuar se do t’ia dilnin mbanë t’i nënshtronin izraelitët duke i detyruar ata të kryenin punët më të rënda, dhe në këtë mënyrë t’i ulnin në numër, dhe në të njëjtën kohë të shtypnin frymën dhe inciativën e tyre të pavarur. Por meqënëse dështuan në qëllimin e tyre, qeveritarët egjiptianë filluan të ndërmerrnin masa edhe më mizore ndaj tyre. U dhanë urdhëra mamíve të cilat në sajë të profesionit të tyre mund t’i ekzekutonin pra këto urdhra që të vritnin fëmijët izraelitë meshkuj menjëherë pas lindjes. Vetë Satani ishte nxitësi i këtyre urdhrave. Ai e dinte se një shpëtimtar do të lindte e rritej tek izraelitët; dhe duke e shtyrë mbretin që të vriste fëmijët meshkuj ai shpresonte pra që të mundte vullnetin hyjnor. Por këto mamí i druheshin Perëndisë, dhe nuk guxuan që ta ekzekutonin këtë mandat mizor. Zoti e aprovoi vendimin e tyre dhe u dha atyre pasuri e begati. Tashmë i egërsuar nga dështimi i planit të tij, faraoni e bëri ultimatumin më urgjent si dhe më gjithëpërfshirës. Kështu, iu bë thirrje mbarë kombit që të gjurmonte e të vriste foshnjet e pafajshme. “Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: ‘Çdo foshnje mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë foshnjet femër’.” - Vargu 22. Ndërkohë që ky dekret hyri në fuqi, Amramit dhe Jokebedës, dy izraelitëve të devotshëm nga fisi i Levit, u lindi një djalë. Foshnja ishte “një fëmijë i bukur;” dhe prindërit, duke besuar se koha për shpëtimin e Izraelit po afronte, dhe se Perëndia do të ngrinte një shpëtimtar për popullin e tij, vendosën që fëmija i tyre nuk duhet të flijohej. Besimi në Perëndi ua forcoi ndjeshëm zemrat dhe kështu, ata “nuk u frikësuan nga urdhëresa e mbretit.” - Hebrenjve 11:23. PPAlb 167.1

Nëna ia doli mbanë ta fshihte fëmijën për tre muaj. Por pastaj, duke e kuptuar qartë se nuk mund ta mbante dot më fshehur, ajo përgatiti një “kanistër prej xunkthi, e leu me bitum dhe katran (për ta bërë të papërshkueshme nga uji), vendosi në të fëmijën dhe e la në kallamishtën në bregun e lumit.” Eksodi 2:3. Ajo nuk guxoi që ta qëndronte e ta ruante, spese kështu do të rrezikonte edhe më shumë si jetën e foshnjes ashtu edhe të sajën, por motra e foshnjës e quajtur Miriam e ndiqte kanistrën përgjatë lumit. Në pamje të parë Miriami bënte sikur luante, por në të vërtetë ajo shikonte plot ankth se çfarë do t’i ndodhte vëllait të saj të vogël. Por sigurisht kishte dhe ruajtës të tjerë. Lutjet me përgjërim të nënës e kishin lënë fëmijën nën përkujdesjen e Perëndisë; dhe engjëjt e padukshëm fluturonin mbi kanistrën e tij të vogël ndërsa ajo iu afrua një bregu. Engjëjt drejtuan vajzën e faraonit që të shkonte pikërisht në vendin ku ndali kanistra. Kur e pa kanistrën, princeshën e zuri një kureshtje e madhe, dhe kur pa foshnjën e bukur brenda, ajo e kuptoi menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Të qarat e fëmijës e mallëngjyen atë së tepërmi dhe e bënë të mendonte me keqardhje për atë nënë të panjohur që ishte detyruar ta bënte këtë gjë vetëm e vetëm për të ruajtur jetën e vogëlushit të saj të dashur. Kështu, vajza e faraonit vendosi ta shpëtonte foshnjen; ajo do ta adoptonte atë si djalin e saj. PPAlb 167.2

Miriami kishte parë fshehurazi të gjithë ngjarjen, dhe pasi kuptoi qartë se foshnja ishte parë me sy të mirë nga princesha, guxoi t’i afrohej pranë, dhe pas disa çastesh i tha: “A të shkoj të thërras një tajë nga gratë izraelite që ta mëndë këtë fëmijë për ty?” - Eksodi 2:7. Dhe pastaj iu dha leja për ta bërë këtë gjë. Motra vrapoi me nxitim tej nëna me lajmin e gëzuar, dhe pa u vonuar aspak të dyja u kthyen së bashku në pallatin e vajzës së faraonit. “Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde,” i tha princesha. PPAlb 168.1

Perëndia i kishte dëgjuar lutjet e nënës; besimi i saj ishte shpërblyer. Tani, ajo do ta kryente këtë detyrë që i jepte gëzim dhe siguri me një mirënjohje të thellë ndaj Perëndisë. Si rrjedhojë, ajo shfrytëzoi çdo mundësi që ta edukonte fëmijën e saj për Perëndinë. Ajo ishte më se e bindur se biri i saj qe shpëtuar për të kryer një punë madhështore në të ardhmen dhe gjithashtu e dinte se shumë shpejt ai kishte për t’iu dorëzuar vajzës së mbretit dhe kështu do të rrethohej nga influenca të ndryshme që do të kishin tendencën që ta largonin atë nga Perëndia. E gjithë kjo prognozë e bëri nënën e Moisiut shumë më të zellshme e më të kujdesshme në edukimin e tij sesa në edukimin e fëmijëve të tjerë të saj. Ajo u përpoq t’i rrënjoste Moisiut druajtjen ndaj Perëndisë si dhe dashurinë për të vërtetën dhe drejtësinë, prandaj lutej vazhdimisht që ai të mbahej larg çdo influence çthurrëse. Ajo i tregoi të birit kotësinë dhe mëkatin e idhujtarisë, dhe që herët i mësoi atij që të përkulej dhe t’i lutej Perëndisë së gjallë, i cili ishte i vetmi që mund ta dëgjonte dhe ta ndihmonte në çdo situatë emergjente. PPAlb 168.2

Ajo e mbajti djalin aq sa iu lejua, por më në fund ishte e detyruar që ta dorëzonte kur mbushi dymbëdhjetë vjeç. Nga kasollja e tij modeste ai u morr për në pallatin mbretëror, tek vajza e faraonit, “dhe ai u bë biri i saj.” - Vargu 10. Por Moisiu nuk do të humbiste as këtu formimin që kishte marrë që në fëmijëri. Mësimet që kishte marrë që në prehrin e nënës ishin të paharrueshme për të. Ato shërbyen si një mburojë ndaj krenarisë, pabesisë, dhe imoralitetit që gëlonte mes luksit të oborrit mbretëror. PPAlb 168.3

Sa jashtëzakonisht e gjerë në pasojat e saj ishte influenca e asaj gruaje Hebreje, aq më tepër kur marrim në konsideratë faktin se ajo ishte veçse një emigrante dhe skllave! Krejt jeta e ardhshme e Mosiut, misioni i madh që ai do të përmbushte si udhëheqësi i Izraelit, dëshmon për rëndësinë e punës së nënës besimtare të krishterë. Asnjë punë tjetër nuk e zëvendëson dot këtë. Në të vërtetë, nëna mban në duar në njëfarë mënyre fatin e fëmijëve të saj. Ajo merret me zhvillimin e mendjes dhe karakterit të fëmijës, duke punuar kështu jo vetëm për këtë jetë por për vetë përjetësinë. Nëna është ajo që mbjell farën e cila mbin dhe do të rritet e japë frut, ose për mirë ose për keq. Ajo nuk duhet të pikturojë një trajtë të bukur mbi letër apo ta skalisë atë në merer, por të frymëzojë e inkurajojë tek fëmija vetë shëmbëlltyrën e hyjnores. Përgjegjësia për formimin e duhur të fëmijës bie mbi nënën, veçanërisht gjatë viteve të para të jetës. Formimi dhe edukimi që fëmijët marrin që të vegjël do t’i shoqërojë ata gjatë gjithë jetës. Prindërit duhet ta marrin në dorë edukimin dhe trainimin e fëmijëve të tyre që në fillim, që si rezultat ata të jenë të krishterë. Fëmijët na janë lënë në kujdesin tonë si prindër për t’u trainuar, jo si trashëgimtarë të fronit të një perandorie njerëzore, por si mbretër nën Perëndi, që të mbretërojnë përgjatë epokave pafund. PPAlb 168.4

Le ta dijë çdo nënë se çastet që do t’i kushtojë fëmijëve të saj janë të paçmuara; puna e saj do të vihet në provë në ditën solemne të llogari-dhënies. Atëherë do të shihet se shumë nga dështimet dhe krimet e kryera nga shumë burra e gra kanë ndodhur si pasojë e mosdijes dhe neglizhimit nga ana e atyre, detyra e të cilëve ishte të drejtonin hapat e vegjël të fëmijëve të tyre për në rrugën e duhur. Pastaj ka për t’u parë se shumë njërëz që kanë bekuar botën me dritën e gjenisë dhe të vërtetës dhe shenjtërisë, i detyrohen për parimet që ndikuan në influencën dhe suksesin që korrën një nëne të krishterë, që u lut vazhdimisht për ta. PPAlb 169.1

Në oborrin mbretëror të faraonit, Moisiu iu nënshtrua trainimit më të lartë civil dhe ushtarak. Monarku kishte vendosur që ta bënte nipin e tij të adoptuar trashëgimtar të vetë fronit të tij, dhe i riu u arsimua pikërisht për këtë pozitë të lartë. “Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra.” - Veprat e Apostujve 7:22. Aftësia e tij si udhëheqës ushtarak e bënë atë të preferuarin e ushtrive të Egjiptit, dhe ai përgjithësisht konsiderohej si një personazh i shquar. Satani kishte korrur disfatë të plotë në planin e tij. I njëjti dekret që dënonte foshnjet izraelite me vdekje ishte hedhur poshtë nga Perëndia për trainimin dhe arsimimin e udhëheqësit të ardhshëm të popullit të Tij. PPAlb 169.2

Krerëve të familjeve izraelite iu bë e ditur nga engjëjt se koha e shpëtimit të tyre po afronte dhe se do të ishte pikërisht Moisiu ai njeri që Perëndia do të përdorte për të arritur këtë objektiv. Për më tepër, engjëjt udhëzuan vetë Moisiun se Jahveh, Perëndia i vërtetë i Izraelit e kishte zgjedhur që të thyente zgjedhën e popullit të Tij. Nga ana e tij, Moisiu, duke marrë në konsideratë opsionin se populli i tij do ta fitonte lirinë me forcën e arëve, e kishte mëse të qartë se do të ishte pikërisht ai vetë njeriu nga i cili pritej të drejtonte popullin hebrë kundër ushtrive të Egjiptit. Duke e patur këtë gjë parasysh, Moisiu vuri nën kontroll ndjenjat, në mënyrë që lidhja emocionale që kishte me nënën e tij të re (që e kishte adoptuar) apo relatat e tij me faraonin të mos e pengonin që të ishte i lirë të kryente vullnetin e Perëndisë. PPAlb 169.3

Sipas ligjeve të Egjiptit, të gjithë ata që zinin fronin e faraonëve duhet të bëhen anëtarë të kastës priftërore; dheMoisiu, si trashëgimtari i pritshëm, duhet të fillonte të njihej me traditat dhe ritet e fesë zyrtare. Kjo detyrë përgatitore ishte përgjegjësia e priftërinjve. Por ndërkohë që si student ai ishte tepër i zellshëm dhe i palodhur, ai nuk pranonte që të merrte pjesë në adhurimin e perëndive të rreme egjiptiane. Si rrjedhojë, ai u kërcënua se do të humbiste të drejtën për t’u bërë faraon, si dhe u paralajmërua se do të çbirësohej nga princesha në rast se do të vazhdonte t’i qëndronte besnik besimit hebrë. Por ai qëndroi i patundur në vendosmërinë e tij për të adhuruar e për të nderuar asnjë tjetër përveç të vetmit Perëndi, Krijuesit të qiellit dhe tokës. Ai u përpoq të arsyetonte me priftërinjtë dhe adhuruesit e ithujve, duke treguar kotësinë dhe marrëzinë e riteve të tyre supersticioze dhe të nderimit të objekteve absurde. Askush nuk mund t’i kundërpërgjigjej argumenteve të tij apo t’ia ndryshonte dot mendjen, megjithëse për një farë kohe vendosmëria e tij u tolerua si pasojë e pozitës së lartë që gëzonte dhe nga emri i mirë që gëzonte në sytë e mbretit dhe të popullit. PPAlb 169.4

“Me anë të besimit Moisiu, kur u bë i rritur (në moshë), nuk pranoi të quhet i biri i së bijës së Faraonit, duke parapëlqyer të keqtrajtohej bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit, duke e çmuar qortimin e Krishtit si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit, sepse tregoi një konsideratë të lartë ndaj shpërblimit.” - Hebrenjve 11:24-26. Moisiu u përgatit në atë shkallë që të gëzonte dominancë pëmes burrave të mëdhenj të botës, të shkëlqente në oborret e mbretërisë më të lavdishme të saj, si dhe të komandonte skeptrin e pushtetit të saj. Madhështia e tij intelektuale e dallon atë mbi njerëzit e mëdhenj të të gjitha kohërave. Si historian, poet, filozof, gjeneral ushtrish, she ligjvënës, ai qëndron i vetëm pa asnjë rival. Megjithëse kishte në dorë të sundonte mbarë botën, ai zotëronte forcën morale që të refuzonte një të ardhme aq të lajmueshme e kandisëse plot pasuri, madhështi dhe famë, “duke parapëlqyer të keqtrajtohej bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit.” PPAlb 170.1

Moisiu ishte udhëzuar që në vegjëli për sa i përket shpërblimit përfundimtar që do t’i jepej shërbëtorëve të përunjur e besnikë të Perëndisë, dhe përfitimi material që mund të kishte as që ia vlente të krahasohej me këtë shpërblim, ndaj u refuzua plotësisht. Prej tij. Pallati madhështor i faraonit dhe froni i monarkut iu ofruan Moisiut për ta tunduar në maksimum; por ai e kishte mëse të qartë se nëpër oborret e fisme të atij pallati fshiheshin epshet e mëkatit që do ta bënin atë që të harronte Perëndinë. Kështu, ai pa përtej atij pallati përrallor, përtej kurorës mbretërore, drejt ndereve të larta që do të jepen për njerëzit e shenjtë besimtarë të Më të Lartit Perëndi në një mbretëri të pandotur nga mëkati. Me anë të besimit, Moisiu pa një kurorë që nuk prishet kurrë, të cilën Mbreti i qiellit do ta vendoste mbi kokën e çdo fitimtari. Ishte pikërisht ky besim që e bëri Moisiun që t’i kthente shpinën fisnikëve dhe klasës së lartë të botës dhe të bashkohej me një komb të vobektë, të varfër dhe të përbuzur që kishte vendosur t’i bindej Perëndisë dhe jo t’i shërbente mëkatit. PPAlb 170.2

Moisiu qëndroi në oborin mbretëror deri në moshën dyzetvjeçare. Mendja i shkonte shpesh tek gjendja e papranueshme në të cilën ishte populli i tij, dhe i bënte vizitë herë pas here të afërmve të tij që punonin si skllevër, dhe u jepte zemër duke i siguruar se Perëndia do të punonte për shpëtimin e tyre nga skllavëria. Shpeshherë, duke parë padrejtësinë dhe shtypjen që ushtrohej vazhdimisht ndaj bashkëkombasve të vet, Moisiu mbushej me urrejtje dhe donte me gjithë shpirt të hakmerrej ndaj të këqijave që ata pësonin me pa të drejtë. Kështu, një ditë, ndërsa gjendej jashtë oborrit mbretëror, kur pa një egjiptas të vriste një izraelit për motive të dobta, ai i doli përpara egjiptasit dhe e vrau atë. Përveç izraelitit, nuk gjendej asnjë dëshmitar përreth gjatë ngjarjes, kështu qe Moisiu e varrosi menjëherë trupin e egjiptasit në rërë. Ai nuk e kishte treguar veten aspak të gatshëm që të merrte përsipër kauzën e popullit të tij, dhe shpresonte që t’i shihte ata që të ngriheshin dhe të rifitonin lirinë e tyre. “Ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t’u jepte çlirimin me anë të krahut të tij, por ata nuk e kuptuan dot.” - Veprat e Apostujve 7:25. Ata nuk ishin përgatitur ende për liri. Të nesërmen, Moisiu pa dy izraelitë dukë u zënë me njëri-tjetrin, ndërsa vuri re se faji e kishte vetëm njëri. Moisiu e qortoi fajtorin, i cili menjëherë iu kthye akuzuesit (Moisiut), duke ia mohuar të drejtën që të ndërhynte, dhe si rrugaç që ishte e akuzoi rëndë atë: “Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos ke ndërmend të më vrasësh siç vrave egjiptasin?” - Eksodi 2:14. PPAlb 170.3

E gjithë ngjarja u mor vesh shumë shpejt nga egjiptasit, dhe, në një formë tepër të ekzagjeruar, mbërriti tek veshi i faraonit. Mbretit iu sqarua se ky krim i Moisiut (vrasja e egjiptasit) ishte në fakt tepër domëthënës; se Mosiu kishte për synim drejtimin e popullit të tij në luftë kundër egjiptasve, që të rrëzonte qeverinë, dhe të ulej vetë në fronin mbretëror, dhe se nuk mund të kishte më siguri për mbretërinë (pas këtij akti) përderisa Mosiu ishte ende gjallë. Si rrjedhim, u mor një vendim i menjëhershëm nga ana e faraonit që Moisiu të dënohej me vdekje; por ky i fundit, duke u ndërgjegjësuar për rrezikun që e priste, u arratis duke shtegtuar në drejtim të Arabisë. PPAlb 171.1

Vetë Zoti ia tregoi udhën që duhet të ndiqte, dhe Mosiu më në fund gjeti shtëpinë e Jethros, priftit dhe princit të Midianit, i cili gjithashtu ishte një adhurues i Perëndisë së vërtetë. Pas një farë kohe, Moisiu u martua me njërën nga vajzat e Jethros; dhe pikërisht këtu, duke i shërbyer të vjehrrit si bari i kopeve të tij, ai jetoi për plot dyzet vjet. PPAlb 171.2

Me vrasjen e egjptasit, Moisiu bëri pak a shumë të njëjtin gabim që shpesh ksihin bërë edhe paraardhësit e tij, pra, marrjen përsipër përsonalisht të asaj pune që Perëndia kishte premtuar se do ta kryente vetë. Vullneti i Perëndisë nuk ishte aspak që ta shpëtonte popullin e tij me anë të luftës, pra me gjakderdhje, ashtu siç pandehte Moisiu, por me anë të fuqisë së tij të papërballueshme, në mënyrë që lavdia t’i kushtohej vetëm Atij. Megjithatë, ky veprim kaq i nxituar do të refuzohej nga ana e Perëndisë dhe nuk mund të pranohej si rrugëzgjidhje për përmbushjen e vullnetit të Tij. Shkurt, Moisiu nuk ishte i përgatitur për detyrën madhështore që i printe. Atij i duhej të mësonte të njëjtëin mësim besimi që i ishte mësuar Abrahamit dhe Jakobit —të mos mbështetej aspak në fuqinë apo urtësinë njerëzore, por tek fuqia e Perëndisë për përmbushjen e premtimeve të Tij. Gjithashtu, Moisiu duhet të merrte shumë mësime të tjera, në mes të qetësisë që ofronin malet. Ai duhet të mësonte durueshmërinë dhe të kontrollonte temperamentin në shkollën e vetëmohimit dhe të vështirësisë. Ai nuk mund të drejtonte e qeveriste me urtësi pa mësuar konceptin e bindjes dhe nënshtrimit. Zemra e tij duhej në rradhë të parë që të ishte në harmoni të plotë me Perëndinë përpara se Moisiu t’u mësonte mbarë Izraelit njohurinë e vullnetit hyjnor. Vetëm duke dhënë në rradhë të parë shembullin e tij personal (duke u bërë baba), ai mund të përgatitej më tej që të ushtronte një përkujdesjese prindërore ndaj të gjithë atyrë që do të kishin nevojë për ndihmën e tij. PPAlb 171.3

Të ishte për njerëzit, ata do ta kishin konsideruar këtë përiudhë të gjatë mundimi dhe monotonie si një humbje e tmerrshme kohe. Por Perëndia, me urtësinë e tij që nuk njeh fund, thërriti pikërisht atë që do të bëhej prijësi i popullit të tij që të kalonte plot dyzet vjet në punën modeste të bariut. Zakonet e përkujdesjes, të vetë-sakrificës dhe përkujdesjes së zellshme për kopetë që kishte nën ngarkim, do ta përgatitnin Moisiun që të bëhej më vonë bariu i dhembshur dhe mëshirëplotë i Izraelit. Asnjë avantazh që mund të vinte nga arsimimi apo kultura njerëzore nuk mund të shërbente si një zëvendësim për këtë përvojë të vyer që ai fitoi gjatë këtyre katër dekadave. Nga ana tjetër, Moisiu kishte mësuar shumë gjëra (në Egjipt) të cilat i duhej t’i çmësonte. Influencat që e kishin rrethuar në Egjipt—dashuria e njerkës, pozita e tij e lartë si nipi i mbretit, imoraliteti i kudondodhur, finesa, sofistikimi dhe misticizmi i fesë së rreme egjiptase, shkëlqimi i adhurimit idhujtar, madhështia solemne e arkitekturës dhe skulpturës—të gjitha këto kishin lënë përshtypje të thella në mendjen e tij relativisht të re, dhe për rrjedhojë, ndikonin deri tiku në veset dhe karakterin e tij. Vetëm koha, ndryshimi i rrethanave, dhe mbi të gjitha kuvendimi me Perëndinë mund t’i hiqnin këto mbresa nga mendja e Moisiut. Kurse nga ana e Moisiut pritej që ai të përkushtohej me gjithë zemër që të denonconte gabimin dhe të pranonte të vërtetën në çdo rast. Por nga ana tjetër, vetë Perëndia do të shërbente si ndihmës për të kur situata konfliktuale që mund të haste do të ishte e papërballueshme për forcat e tij njerëzore. PPAlb 171.4

Elementi njerëzor shihet tek të gjithë ata që janë zgjedhur për të realizuar një detyrë apo mision nga Perëndia. Megjithatë, ata njerëz nuk u mjaftuan me qëndrimin në atë gjendje, megjithëse kishin patur më parë vese dhe karakter jo dhe aq të dëshirueshme. Përkundrazi, ata kanë dëshiruar me kërshëri që të përftojnë urtësinë nga vetë Perëndia, dhe të mësojnë që të punojnë për Të. Siç thotë apostulli, “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtësia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.” - Jakobit 1:5. Por Perëndia nuk do t’u transmetojë njerëzve dritë hyjnore ndërkohë që këta të fundit janë mëse të kënaqur që të qëndrojnë në errësirë. Me qëllim që të marrin ndihmën e Perëndisë, njerëzit duhet të kuptojnë dobësinë dhe paaftësinë që i karakterizon; ata duhet të përkushtojnë plotësisht mendjet e tyre ndaj ndryshimit të konsiderueshëm që duhet të ndodhë në vetvete; ata duhet t’i kushtojnë shumë kohë lutjeve dhe përpjekjeve përgjëruese dhe të vazhdueshme. Zakonet dhe veset e vjetra duhet të braktisen; dhe vetëm me anë të përpjekjeve të vazhdueshme për të korrigjuar këto gabime dhe për t’iu nënshtruar parimeve të drejta mund të korret fitorja. Shumë njerëz nuk arrijnë pozitën që mund të zinin për shkak se ata presin për Perëndinë që të bëjë për ta atë për të cilën u ka dhënë fuqi që të bëjnë për vete. Të gjithë ata që janë përgatitur për t’u bërë të dobishëm, duhet të trainohen me një disiplinë të rreptë mendore dhe morale, dhe Perëndia pa dyshim që ka për t’i ndihuar duke bashkuar fuqinë hyjnore me përpjekjen njerëzore. PPAlb 172.1

I mbrojtur nga lartësitë e maleve, Moisiu ishte vetëm më Perëndinë. Tempujt madhështorë të Egjiptit nuk i bënin më përshtypje mendjes së tij me bestytnitë dhe rrenat që mbartnin. Në madhështinë solemne të atyre lartësive të përjetshme, Moisiu kundroi madhërinë e Më të Lartit Perëndi, dhe në kontrast ai më në fund kuptoi se sa të pafuqishëm e të papërfillshëm ishin perënditë e rreme të Egjiptit. Emri i Krijuesit ishte i shkruar kudo. Moisiu ndjente sikur qëndronte në praninë e Tij hyjnore dhe përkulej përpara fuqisë së Tij. Pikërisht në këto lartësi të natyrës së krijuar nga Perëndia u fshinë krenaria dhe vetë-mbështetja e tij. Pikërisht në këtë thjeshtësi aspak të lehtë të jetës së tij nëpër shkretina, u zhdukën pasojat e rehatisë dhe luksit të Egjiptit. Moisiu u bë i durueshëm, i respektueshëm, dhe i përulur, “...një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut.” (- Numrat 12:3), por nga ana tjetër i fortë në besimin tek Perëndia i fuqishëm i Jakobit (Izraelit). PPAlb 172.2

Ndërsa vitet iknin tutje, dhe Moisiu shtegtonte bashkë me kopetë në vende të vetmuara, dhe vriste mendjen për gjendjen e mjerueshme të popullit të tij në Egjipt, ai kujtonte komunikimin dhe marrëdhënien e Perëndisë me paraardhësit e tij si dhe premtimet që në fakt ishin trashëgimia e popullit të zgjedhur, dhe lutjet e tij për Izraelin ngriheshin për në qiell çdo ditë e çdo mbrëmje. Engjëjt qiellorë ndriçonin rrugën përpara tij. Pikërisht në këto vende, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, Moisiu shkroi librin e Zanafillës. Vitet e gjata që kaloi në vetminë e shkretëtirës do të ishin në të vërtetë të pasura në bekime, jo vetëm për Moisiun dhe popullin e tij por edhe për mbarë botën dhe brezat që do të vijonin. PPAlb 173.1

“Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë mbreti i Egjiptit vdiq, dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri tek Perëndia. Kështu Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte bërë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin. Dhe Perëndia shikoi bijtë e Izraelit, dhe Perëndia u përkujdes për ta.” - Eksodi 2:23-25. Më në fund kishte ardhur koha për shpëtimin e Izraelit. Por vullneti i Perëndisë do të plotësohej në mënyrë që arroganca njerëzore të poshtërohej përfundimisht. Si shpëtimtar do të vinte një bari i përunjur, me vetëm një shkop në dorë; por Perëndia do ta bëntë pikërisht atë shkop simbolin e fuqisë së Tij. Duke kullotur tufat një ditë pranë Horebit, “malit të Perëndisë,” (- Eksodi 3:1) Moisiu pa një ferrishte që ishte përpirë fund e krye nga flakët, por çuditërisht nuk të jepte përshtypjen se po digjej. Moisiu u afrua me qëllim që ta shihte më nga afër këtë skenë të çuditshme, kur një zë që vnte nga flakët e thirri me emër. Me buzë që i dridheshin ai u përgjigj, “Ja ku jam.” Pasi përgjigjes që dha, Moisiu u paralajmërua që të mos afrohej duke treguar mungesë respekti: “... hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë... Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.”- Eksodi 3:5, 6a. Ishte pikërisht I Njëjti që u ishte shfaqur paraardhësve të tij para shumë kohërave si Engjëlli i besëlidhjes. “Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.” - Vargu 6b. PPAlb 173.2

Përunjësia dhe respekti i thellë duhet të karakterizojnë mënyrën e të sjellurit të të gjithë atyre që vijnë në praninë e Perëndisë. Në emër të Jezusit ne mund të afrohemi përpara tij me konfidencë, por nuk duhet t’i afrohemi Atij në mënyrë të pasjellshme dhe harbute a thua sikur Ai është në të njëjtin nivel si vetë ne. Ka njerëz që i drejtohen Perëndisë së madh, Atij që është i plotfuqishëm dhe i shenjtë, që banon në një shkëlqim verbues, njësoj sikur i drejtohen një personi tjetër apo edhe ndonjërit më inferior. Ka gjithashtu edhe prej atyre që sillen në shtëpinë e Tij në një mënyrë të atillë që nuk do të guxonin ta bënin në dhomën e pritjes të një udhëheqësi botëror. Këta njerëz duhet të kujtojnë se ata janë në shikimin e Atij që adhurohet nga engjëjt serafë, përpara të cilit vetë engjëjt mbulojnë fytyra e tyre. Perëndia duhet të respektohet e nderohet në maksimum; të gjithë ata që e kuptojnë se gjenden në praninë e Tij do të përkulen në përunjësi përpara Tij, dhe, si Jakobi, që pa vegimin që iu dha nga Perëndia, ata do të thërrasin: “Sa i tmerrshëm është ky vend! Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë, dhe kjo është porta e qiellit!” - Zanafilla 28:17. Ndërsa Moisiu priste me respekt të jashtëzakonshëm përpara Perëndisë, fjalët vazhdonin të kumbonin: “Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij. Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e Egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, në vendin ku ndodhen Kananejtë, Hitejtë, Amorejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë. Dhe tani, ja britma e bijve të Izraelit ka arritur deri tek Unë, dhe kam parë gjithashtu se si Egjiptasit i shtypin. Prandaj eja dhe Unë do të të dërgoj te faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti.” - Eksodi 3:7-10. PPAlb 173.3

I shtangur dhe i tmerruar nga urdhri, Moisiu u tërhoq prapa, duke thënë, “Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?” - Eksodi 3:11. Përgjigja ishte, “Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar Unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal.” - Vargu 12. Moisiu Moses filloi të mendonte mbi vështirësitë që do të haste , mbi verbërinë, injorancën si dhe mosbesimin e popullit të tij, shumë prej tyre nuk kishin më as një njohuri minimale mbi Perëndinë. “Shiko, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: ‘Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju,’po të jetë se ata më thonë: ‘Cili është emri i Tij?,’ çfarë përgjigje duhet t’u jap?” Përgjigja qe—“UNE JAM AI QE JAM” “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “UNE JAM-i [Hebr. Jahveh] më ka dërguar tek ju.” - Vargjet 13, 14. PPAlb 174.1

Moisiut iu dha urdhër që në fillim të mblidhte pleqtë e Izraelit (anëtarët e pleqësisë), më fisnikët e më të virtytshmit, ata që kishin vuajtur për një kohë të gjatë nën zgjedhën egjiptiane. Moisiui i duhej tu bënte të ditur atyre mesazhin që vinte nga Perëndia, mesazh ky që përmbante premtimin e shpëtimit. Pastaj atij i duhet të shkonte së bashku me pleqtë izraelitë përpara faraonit, dhe t’i thonin atijtek Then he ëas to go ëith the elders before the king, and say to him—“Zoti, Perëndia i hebrenjve është takuar me ne; dhe tani na lër të shkojmë, të lutemi, dhe të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t’i bëjmë flijime Zotit, Perëndisë tonë.” - Vargu 18. PPAlb 174.2

Moisiu gjithashtu u paralajmërua se faraoni do t’i bënte rezistencë apelit që të lejonte Izraelin që të largohej. Megjithatë, kurajoja e shërbëtorit të Perëndisë nuk duhet të binte në asnjë çast; sepse Zoti do ta shfrytëzonte këtë rast që të demonstronte fuqinë e Tij përpara egjiptasve si dhe përpara popullit të Tij. “Atëherë unë do të shtrij dorën Time dhe do të godas Egjiptin me të gjitha mrekullitë që Unë do të bëj në mes tyre; pas kësaj ai [faraoni] do t’ju lërë të ikni.” - Vargu 20. PPAlb 174.3

Pastaj u dhanë udhëzime për sa i përket masave përgatitore që do të ndërrmerrnin për udhëtimin. Zoti deklaroi, “Dhe do t’i jap këtij populli të mira para syve të Egjiptasve; dhe do të ndodhë që kur të niseni, nuk do të shkoni duarbosh; por çdo grua do t’i kërkojë fqinjës së saj dhe gruas që banon në shtëpinë e saj sende argjendi, sende ari dhe rroba; - Vargjet 21, 22a. Egjiptasit ishin pasuruar padrejtësisht nga puna e detyruar e Izraelitëve, dhe ndërsa këta të fundit do të fillonin udhëtimin e tyre për në atdheun e ri, ishte mëse e drejtë që ata të pretendonin të merrnin një shpërblim për të gjitha ato vite mundimi. Kështu, ata do të kërkonin sende me vlerë të cilët mund të transportoheshin lehtësisht, dhe Perëndia do t’i favorizonte ata në sytë e egjiptasve. Mrekullitë e fuqishme që do të kryheshin për shpëtimin e tyre do të shkaktonin tmerr të jashtëzakonshëm tek shtypësit e tyre, aq sa kërkesat e skllevërve të tyre izraelitë do të plotësoheshin prej tyre një më një. PPAlb 174.4

Moisiu pa përpara tij vështirësi që dukeshin të pakapërcyeshme. Çfarë prove mund t’u jepte bashkëkombasve të tij që të vërtetonte se e kishte dërguar vetë Perëndia? “Por ja,” tha ai, “ata nuk do të më besojnë as do t’i binden zërit tim, sepse do të thonë: ‘Zoti nuk të është shfaqur’.” - Eksodi 4:1. Tashmë atij iu dha evidencë e plotë ndaj shqisave. Kështu, iu tha që të hidhte shkopin (apo bastunin) që mbante mbi tokë. Ndërsa e bëri këtë, “u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap.”- Eksodi 4:3. Pastaj u urdhërua që ta kapte gjarprin nga bishti dhe menjëherë u kthye në shkop në dorën e tij. (- Vargu 4). PPAlb 175.1

Gjithashtu iu dha urdhër që të vendoste dorën në gjí. Moisiu u bind dhe “pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora.” - Vargu 5. Pasi iu tha që ta vendoste dorën përsëri në gjí, Moisiu vuri re se ajo u kthye menjëherë në gjendjen e mëparshme, pra si dora tjetër. Me anë të këtyre shenjave Zoti e siguroi Moisiun se populli i Tij si dhe faraoni do të bindeshin se përpara tyre do të gjendej Dikush që ishte më i fuqishëm se mbreti i Egjiptit. PPAlb 175.2

Por shërbëtori i Perëndisë ndjehej ende i rënduar nga mendimet se si do ta kryente këtë punë të mahnitshme dhe të pazakontë që e priste përpara. I trishtuar dhe i hidhëruar, ai kësaj rradhe nxorri për justifikim mungesën e aftësisë së të folurit rrjedhshëm. “Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend.” - Vargu 10. Ai ishte larguar për një kohë të gjatë nga egjiptasit, dhe nuk kishte më një njohuri të qartë dhe rrjedhshmëri në të folur ashtu siç e kishte patur kur kishte jetuar mes tyre. PPAlb 175.3

Zoti i tha atij, “Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?” - Vargu 11. Pastaj u shtua edhe një garanci tjetër e ndihmës hyjnore: “Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash.” - Vargu 12. Por Moisiu u përgjërua sërish që Zoti të zgjidhte një person më kompetent se ai. Këto justifikime në fillim vinin nga përunjësia dhe But Moses still entreated that a more competent person be selected. These excuses at first proceeded from humility and ndrojtja, por pasi Zoti kishte premtuar se do t’i zhdukte të gjitha pengesat e vështirësitë, dhe t’i jepte atij një sukses të garantuar, atëherë çdo hezitim dhe ankesë se ai ishte i papërshtatshëm nuk ishte asgjë tjetër veçse një shfaqje mosbesimi ndaj Perëndisë. Kjo sjellje nënkuptonte një frikë se Perëndia do të ishte i paaftë që ta kualifikonte atë për punën madhështore për të cilën e kishte thirrur, ose se Ai kishte bërë një gabim në zgjedhjen e personit. PPAlb 175.4

Pas këtij incidenti, Moisiut iu soll në vëmendje Aaroni, vëllai i tij i madh, i cili, meqënëse e përdorte çdo ditë gjuhën egjiptiane, ishte në gjendje ta fliste në mënyrë të përsosur. Kështu Moisiut iu tha se Aaroni do të vinte ta takonte. Fjalët e tjera që do të pasonin nga ana e Zotit përmbanin një urdhër kategorik: “Ti do t’i flasësh dhe do t’i vësh fjalët në gojën e tij [Aaronit], dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t’ju mësoj atë që duhet të bëni. Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia. Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë.” - Vargjet 15-17. Moisiu nuk mund të hezitonte më dot, ngaqë nuk ekzistonte më asnjë bazë për t’u justifikuar. PPAlb 175.5

Urdhri hyjnor që iu dha Moisiut e gjeti këtë të fundit mosbesues tek vetja, të ngathët në të folur, dhe të ndrojtur. Ai u godit nga ndjesia se ishte i paaftë që të bëhej zëdhënësi i Perëndisë për Izraelin. Por fakti se e kishte pranuarpak më parë këtë detyrë, ai iu përkushtua asaj me gjithë zemër, duke vendosur të gjithë besimin që kishte tek Perëndia. Rëndësia e jashtëzakonshme e misionit të tij në fakt kërkonte që ai të ushtronte fuqitë më të mira të mendjes së tij. Perëndia e bekoi gatishmërinë e tij të menjëhershme dhe ai u bë elokuent, pra njeri i fjalës, optimist, me besim tek vetja, dhe mëse i përgatitur për detyrën më të vështirë që i ishte dhënë ndonjëherë ndonjë njeriu. Ky është një shembull për të treguar se çfarë bën në të vërtetë Perëndia për të forcuar karakterin e të gjithë atyre që mbështeten plotësisht tek Ai, dhe i përkushtohen plotësisht urdhrave të Tij. PPAlb 176.1

Njerëzit kanë për të marrë pushtet dhe efikasitet vetëm atëherë kur ata kanë për të pranuar përgjegjësitë që vetë Perëndia u jep atyre, dhe kur ata përpiqen me gjithë shpirt që të kualifikohen për marrjen e tyre. Sado modeste të jenë pozitat e tyre, sado të kufizuara të jenë aftësitë e tyre, ata njerëz që do të arrijnë të perftojnë madhështi të vërtetë do të jenë ata të cilët, duke u mbështetur plotësisht në forcën hyjnore, do ta kryejnë veprimtarinë e tyre me besnikëri të plotë. Në rast se Moisiu do të mbështetej vetëm tek forcat dhe urtësia e tij, dhe do ta pranonte atë përgjegjësi aq të rëndësishme, ai nuk do të tregonte asgjë tjeter veçe paaftësi të plotë për ta kryer këtë punë kaq të rëndësishme. Fakti se njerëzit i ndjejnë dobësinë e tyre, është të paktën njëfarë evidence se ata e kuptojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të punës që u është caktuar atyre, dhe se ata do të kenë vetë Perëndinë si këshillues dhe si burim force. PPAlb 176.2

Moisiu u kthye tek vjehrri i tij dhe i shprehu dëshirën që të bënte një vizitë tek vëllezërit e tij në Egjipt. Jethro ia dha lejen me anë të një bekimi: ” Shko në paqe.” - Eksodi 4:18. Pastaj, Moisiu u nis për udhë, së bashku me gruan dhe fëijët. Ai nuk guzoi që t’ia bënte të ditur atyre qëllimin e vërtetë të misionit të tij, sepse druhej se mund të mos lejoheshin që ta shoqëronin. Megjithatë., përprara se të shkelnin në territorin egjiptian, ai e mendoi se do të ishte më mirë për sigurinë e tyre që t’i kthente ata mbrapsht në shtëpi në Midian. PPAlb 176.3

Frika nga faraoni dhe egjiptasit që ishin zemëruar jashtë mase me të para dyzet vjetësh sikur e detyronin Moisiun që të tregohej më i matur dhe më i rezervuar ndaj vendimit për t’u kthyer në Egjipt, por pasi kishte vendosur që t’i bindej urdhrit hyjnor, Zoti ia bëri të ditur se të gjithë armiqtë e tij tashmë kishin vdekur. PPAlb 176.4

Rrugës prej Midianit, Moisiu mori një paralajmërim të befasishëm e të tmerrshëm që tregoi pakënaqësinë e Zotit. Një engjëll iu shfaq në një mënyrë kërcënuese, sikur donte ta vriste menjëherë. Asnjë shpjegim nuk iu dha; por Moisiu kujtoi se nuk kishte respektuar njërin nga kërkesat e Perëndisë; duke i dhënë rrugë fjalëve bindëse të gruas, ai kishte neglizhuar kryerjen e ritit të rrethprerjes (synetit) tek djali më i vogël që kishin. Në këtë mënyrë, ai nuk kishte arritur të respektonte dhe t’i bindej kushtit me anë të së cilit fëmija e tij mund të kishte të drejtën për të marrë bekimet e besëlidhjes së Perëndisë me Izraelin; dhe një neglizhim i tillë nga ana e Moisiut, prijësit të zgjedhur të Izraelit veçse do të dobësonte fuqinë ose pushtetin e udhëzimeve hyjnore mbi popullin. Zipora, duke patur frikë se do t’i vritej i shoqi, e kreu ritin (synetin) vetë, dhe vetëm atëherë engjëlli e lejoi Moisiun që të vazhdonte udhëtimin e tij për në Egjipt. Në misionin e tij për tek faraoni, Moisiu do ta gjente veten në një pozitë mjaft të rrezikshme; jeta e tij mund të ruhej vetëm nëpërmjet mbrojtjes që do të bënin egjëjt e shenjtë. Bpor ndërsa ai vazhdonte të jetonte duke neglizhuar një detyrim (synetin e të birit) ai nuk do te kishte mundësi të ndjehej i sigurt, sepse në këtë mënyrë ai nuk mund të mbrohej dot nga engjëjt e Perëndisë. PPAlb 176.5

Në periudhën që do të vijë pak përpara ardhjes së dytë të Krishtit, e cila në Bibël quhet “koha e ankthit” (- Danieli 12:1), besimtarët e virtytshëm do të mbrohen falë përkujdesjes së engjëjve qiellorë; por nuk do të ketë aspak siguri për shkelësin e ligjit të Perëndisë. Në atë kohë, engjëjt nuk do të mund të mbrojnë ata që do të shpërfillin qoftë edhe njërin nga udhëzimet e parimet hyjnore. PPAlb 177.1