Konflikti I Madh

43/44

41.—Shkretimi i Tokës

“Mëkatet e saj kanë arritur deri në qiell dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj... Në kupën që ajo derdhi derdhini dyfish. Në masën që u vetëlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të saj thotë: “Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të njoh.” Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zija e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, Ai që e gjykon atë. Dhe do të qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve të saj... duke thënë: “Mjerë, mjerë Babilonia, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!” (Zbulesa 18:5-10). KiM 635.1

“Edhe tregëtarët e dheut” që “u pasuruan për shkak të luksit të saj të tepruar” “do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj dhe do të qajnë e do të vajtojnë, duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh që ishte veshur me li të hollë, me të pur-purta e të kuqe të ndezur dhe i stolisur me ar, me gurë të çmuar e me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!” (Zbulesa 19;11,3, 15-17) KiM 635.2

Të tilla fatkeqësi do të përjetojë Babilonia në ditën e zemërimit të Perëndisë. Ajo e ka mbushur kupën e paudhësive të saj, koha ka ardhur, ajo është pjekur për t’u korrur me drapërin e shkatërrimit. KiM 635.3

Kur zëri i Perëndisë i jep fund robërisë së popullit të Tij, ata që kanë humbur gjithçka në konfliktin e jetës fillojnë të zgjohen nga ky gjumë letargjik. Gjatë periudhës së provës ata ishin verbuar nga mashtrimet e Satanit dhe e shfajësonin veten për këtë rrugë mëkatare që ndiqnin. Të pasurit vetëlavdëroheshin për epërsinë e tyre mbi ata që kishin më pak, por harruan që e kishin vënë pasurinë e tyre, duke e shkelur me këmbë ligjin e Zotit. Ata nuk e kishin çuar në vend detyrën e tyre për të ushqyer të uriturit, për të veshur të zhveshurit, për të vepruar me drejtësi dhe për ta përqafuar mëshirën. Ata ishin përpjekur që të vetëlartësoheshin për të fituar kështu nderimin e bashkëkrijesave të tyre. Tani ata janë zhveshur nga gjithçka që i bënte të rëndësishëm e janë lënë në mëshirë të fatit, nevojtarë e të pambrojtur. Ata shikojnë me sy të zgurdulluar shkatërrimin e idhujve, që i zinin vendin krijuesit në zemrat e tyre. Ata ia kanë shitur shpirtin pasurive dhe kënaqësive tokësore dhe nuk kanë bërë asgjë për t’u pasuruar në sytë e Perëndisë. Si rrjedhim jetët e tyre janë një dështim i plotë, kënaqësitë e tyre janë kthyer në hidhërim dhe thesaret e tyre janë korruptuar nga i pari tek i fundit. Fitimi i një jete zhduket sa hap e mbyll sytë. Të pasurit vajtojnë shkatërrimin e shtëpive të tyre të stërmëdha dhe groposjen e arit dhe argjendit të dikurshëm, por këto vaje fashiten nga frika se ata vetë do të zhduken së bashku me idhujt e tyre. KiM 635.4

Të padrejtët i bren ndërgjegjja, jo sepse e kanë mohuar me paturpësi Perëndinë dhe i kanë përçmuar të tjerët, por sepse Zoti ka dalë fitimtar. Ata vajtojnë një rezultat të tillë, por nuk pendohen për ligësinë e tyre. Po t’u jepej rasti, ata nuk do të li-nin gjë pa bërë për të fituar. KiM 636.1

Bota vë re se ai grup njerëzish, që ata e kanë tallur e përçmuar dhe kanë dashur ta zhduknin nga faqja e dheut, nuk pëson asgjë nga sëmundjet epidemike, nga furtunat a tërmetet. Ai që përbën për shkelësit e ligjit të Tij një zjarr përvëlues, është për popullsinë e Tij një strehë e sigurt. KiM 636.2

Pastori që i ka bërë varrin të vërtetës për të fituar dasha-mirësinë e botës, sheh tani karakterin dhe ndikimin e mësimeve të tij. Duket qartë se syri i kudondodhshëm e ka ndjekur atë, ndërsa qëndronte në podiumet kishëtare, ndërsa ecte në rrugë e ndërsa komunikonte me njerëzit në skena të ndryshme të jetës. Çdo emoSion i zemrës, çdo rresht i shkruar, çdo fjalë e thënë, çdo veprim që i ka shtyrë njerëzit të pushojnë në një strehë gënjeshtrash, ka qënë një farë që është përhapur me shpejtësi dhe në njerëzit e ligj e të pashpresë që ka përreth ai shquan të korrat e farës. KiM 636.3

Zoti thotë: “Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit të Tij, duke thënë “Paqe, paqe”, kur nuk ekziston paqja.” “Në fakt e keni brengosur zemrën e të drejtit me gënjeshtra, kur Unë nuk e brengosa dhe keni forcuar duart e të pabesit, që të mos shmanget nga rruga e tij e keqe për të mos mbetur në jetë.” (Jeremia 8:11; Ezekiel 19:22). KiM 637.1

“Mjerë barinjtë, që prishin dhe shpërndajnë kopenë e kul-lotës sime! ... Ja, Unë do t’ju dënoj për ligësinë e veprimeve tua-ja.” “Bërtisni, o barinj, klithni: Rrotullohuni në pluhur, o drejtues të kopesë, sepse ditët e therjes suaj janë plotësuar... Barinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi të ikin dhe rojet e kopesë asnjë rrugë shpëtimi.” (Jeremia 23:1,2; 25:34,35). KiM 637.2

Pastorët dhe njerëzit e tjerë e kuptojnë se nuk kanë krijuar një lidhje të qëndrueshme me Perëndinë. Ata e kuptojnë se ka-në rebeluar kundër Autorit të ligjit të drejtësisë dhe shpresës. Duke hedhur baltë mbi urdhëresat hyjnore, ata i kanë hapur rrugën me mijëra rrjedhave të mëkatit, mosmarrëveshjeve, urrejtjes dhe padrejtësisë derisa toka u kthye në një fushë të pamasë beteje dhe në një kosh plehrash. Pikërisht kjo është pamja që iu shfaqet përpara syve atyre që kanë mohuar të vër-tetën dhe kanë përqafuar gënjeshtrën. Nuk ka gjuhë që të mund të shprehë dëshirën që ndiejnë të pabindurit dhe të pabesët për të pasur atë që e kanë humbur përgjithmonë - jetën e për-jetshme. Njerëzit, të cilët bota i ka adhuruar për talentin dhe elokuencën e tyre, i shohin të gjitha këto në dritën e tyre të vër-tetë. Ata e kuptojnë se kanë humbur për shkak të shkeljeve që kanë kryer dhe bien në këmbët e atyre, besnikërinë e të cilëve e kanë përçmuar dhe u rrëfejnë se Perëndia i ka dashur me të vërtetë. KiM 637.3

Njerëzit e kuptojnë se i kanë mashtruar. Ata akuzojnë njëri-tjetrin për rrënimin që i pret, por të gjithë janë të mendimit se pastorët janë ata që kanë fajin më të madh. Pastorët femohues kanë profetizuar vetëm gjëra të bukura dhe i kanë bërë dëgjuesit e tyre që ta shumëzojnë me zero Ligjin e Perëndisë dhe t’i përndjekin të gjithë ata që e kanë respektuar atë si të shenjtë. Tani, mësuesit e dëshpëruar i rrëfejnë botës punën e tyre mashtruese. Turmat e njerëzve tërbohen. “Ne jemi të humbur -bërtasin ata - dhe ju jeni arsyeja e rrënimit tonë” dhe akuzojnë me këto fjalë barinjtë e rremë. Madje pikërisht ata, që dikur i çmonin më shumë se të tjerët, do t’i mallkojnë me gjithë zemër. Duart, që dikur u kurorëzuan me dafina, do të ngrihen për t’i shkatërruar. Shpatat që duhej të përdoreshin për të therur njerëzit e Perëndisë, përdoren tani për t’u shkurtuar jetën armiqve të tyre. Kudo mbizotërojnë mosmarrëveshjet dhe gjakderdhjet. KiM 637.4

“Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t’i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës.” (Jeremia 25;31). Mosmarrëveshja ka vazhduar për 6.000 vjet me radhë; Biri i Perëndisë dhe lajmëtarët e Tij qiellorë kanë qenë në një konflikt të vazhdueshëm me fuqitë e mëkatarit të madh, për të paralajmëruar, ndriçuar e shpëtuar fëmijët e njeriut. Tani gjithësecili e ka marrë vendimin e vet, të pabesët janë bashkuar plotësisht me Satanin në luftën e tij kundër Perëndisë. Ka ardhur koha që Zoti të hakmerret për autoritetin e shkelur me këmbë të Ligjit të Tij. Tani mosmarrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me Satanin, por edhe me njerëzit - bashkëluftëtarë të tij: “Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet.” “Ai do t’i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës.” KiM 638.1

Vula e shpëtimit iu është dhënë atyre “që rënkojnë e qajnë për çdo të keqe që ka ndodhur” Tani engjëlli i vdekjes, që përfa-qësohet nga njerëzit me armë në vizionin e Ezekielit, nis udhëti-min pasi merr urdhërin: “Vrisni deri në shfarosje pleq, të rinj, vir-gjëresha, fëmijë dhe gra, por mos iu afroni asnjërit mbi të cilin është shenja, filloni nga shenjtorja ime.” Profeti vazhdon: “Kështu ata filluan me pleqtë që ishin para tempullit.” (Ezekie-li 9:1-6). KiM 638.2

Shkatërrimi fillon me ata që vetëquhen: “udhëheqës shpirtërorë” të njerëzve. Rojet e rremë janë të parët që rrëzo-hen. Askush nuk do të shpëtojë, për asnjë nuk do të ketë keqardhje. Burra, gra, shërbëtorë e fëmijë të vegjël zhduken pa nam e nishan. KiM 638.3

“Ja, Zoti del nga banesa e Tij për të ndëshkuar paudhësitë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do t’i fshehë më të vrarët e saj.” (Isaia 26:21). “Kjo do të jetë plaga me të cilën Zoti do të godasë të gjithë popujt, që kanë luftuar kundër Jeruzalemit: Ai do të bëjë që mishi i tyre të kon-sumohet, ndërsa ata qëndrojnë në këmbë, sytë e tyre do të konsumohen në zgavrat e tyre dhe gjuha e tyre do të kon-sumohet në gojën e tyre. Atë ditë do të ndodhë që për shkak të veprimit të Zotit, midis tyre do të jetë një çoroditje e madhe, secili prej tyre do të zërë dorën e fqinjit të vet dhe do ta ngrerë dorën kundër dorës së fqinjit të vet.” (Zakaria 14:12,13). Banorët e ligj të tokës - priftërinj, sundimtarë dhe njerëz të pasur dhe të varfër, të respektuar e të thjeshtë - do të bien pre e mosmarrëveshjeve të çmendura të pasioneve të tyre të egra dhe e zbrazjes së gotës së zemërimit të papërzier të Perëndisë.” Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës tek tjetri; nuk do të qahen, nuk do të mblidhen dhe as nuk do të varrosen.” (Jeremia 25:33) KiM 638.4

Me ardhjen e Jezusit, njerëzit e ligj zhduken nga faqja e dheut - të konsumuar nga fryma e gojës së Tij dhe të shkatërruar nga ndriçimi i lavdisë së Tij. Krishti e merr popullin e Tij në Qytetin e Perëndisë dhe toka zbrazet nga banorët e saj. “Ja, Zoti zbraz tokën dhe e bën të shkretë, prish faqen e saj dhe shpërndan banorët e saj.” “Toka do të zbrazet plotësisht dhe do të plaçkitet plotësisht, sepse Zoti ka thënë këto fjalë: “Sepse banorët e saj kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme. Prandaj një mallkim e ka përpirë tokën dhe banorët e saj janë të dëshpëruar, prandaj banorët e tokës po digjen.” (Isaia 24:1,3,5,6). KiM 639.1

Toka i ngjan një shkretëtire të vërtetë. Rrënojat e qyteteve dhe të fshatrave shkatërruar nga tërmetet, pemët e shkulura nga rrënjët, shkëmbinjtë e nxjerrë nga deti apo të shkëputur nga toka, gjenden gjatë gjithë sipërfaqes së saj, ndërsa gropat e mëdha tregojnë vendin ku malet janë rrëzuar që nga themelet e tyre. KiM 639.2

Ndërsa më pas ndodh ngjarja, që paraprofetizohet në shërbesën solemne të Ditës së Shlyerjes. Me të përfunduar shërbimi në Vendin shumë të shenjtë dhe me t’u pastruar shen-jtorja nga mëkatet e Izraelit me anë të aftësisë shpaguese të gjakut të flijimit për mëkatin, cjapi paraqitet i gjallë përpara Perëndisë dhe në prani të bashkësisë kryeprifti rrëfen mbi të tërë paudhësitë e bijve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre për t’i vënë mbi kokën e cjapit.” (Levitiku 16:21). Në të njëjtën mënyrë, kur të ketë përfunduar puna shlyerëse në shenjtoren qiellore, në prani të Perëndisë, të engjëjve qiellorë dhe të turmave të të shpëtuarve, mbi kokën e Satanit do të rrëfehen të gjithë mëkatet e popullit të Perëndisë; ai do të deklarohet fajtor për të gjitha të këqijat që i ka detyruar ata t’i kryejnë. Dhe ashtu si cjapi, që u dërgua në një vend të shkretë, edhe Satani do të “mërgojë” në një tokë të shkretë, në një vend të pabanuar e të frikshëm. KiM 639.3

Gjoni tek Zbulesa na paratregon për dëbimin e Satanit dhe gjendjen e kaosit dhe shkretimit që do të mbizotërojë mbi planetin tonë dhe deklaron që, një gjendje e tillë do të vazhdojë për 1.000 vjet. Pas përshkrimit të skenave të ardhjes së dytë të Zotit dhe shkatërrimit të mëkatarëve, profecia vazhdon kështu: “Pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës dhe një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe satani dhe e lidhi për 1.000 vjet dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, derisa të mbushen 1.000 vjet dhe pas kësaj ai duhet zgjidhur për pak kohë.” (Zbule-sa 20;1-3). KiM 640.1

Shprehja “humnerë” simbolizon botën në një gjendje çrreg-ullimi dhe errësire dhe kjo qartësohet nga tekste të tjera të Shkrimeve të Shenjta. Duke përshkruar gjendjen e tokës “në fillim” të dhënat Biblike na thonë se: “ajo ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës”. (Za-nafilla 1;2). Profecia na tregon se ajo do të kthehet, të paktën pjesërisht, në këtë gjendje të mëparshme. Duke e pritur me padurim ditën e madhe të Perëndisë, profeti Jeremia deklaron: “Pashë tokën dhe ja, dridheshin dhe tërë kodrat lëkundeshin. Pashë dhe ja, nuk kishte asnjë njeri dhe tërë zogjtë e qiellit kishin ikur. Pashë dhe ja, toka pjellore ishte një shkretëtirë dhe të gjitha qytetet e saj ishin shembur.” (Jeremia 4;23-26). KiM 640.2

Kjo do të jetë edhe shtëpia e Satanit dhe e engjëjve të tij mëkatarë për 1.000 vjet. Duke qenë i mbërthyer në tokë, atij nuk do t’i lejohet hyrja në botët e tjera për të tunduar e bezdisur ata, që nuk kanë dështuar kurrë. Në këtë kuptim thuhet se ai lidhet: ai s’mund ta ushtrojë fuqinë e tij, sepse nuk ka mbetur askush që mund të bëhet pre e tij. Ai i ka larë duart njëherë e përgjithmonë nga puna e mashtrimit dhe rrënimit që ka qenë për shekuj me radhë e vetmja kënaqësi e tij. KiM 640.3

Profeti Isaia, duke parashikuar kohën e rrëzimit të Satanit, thotë: “Vallë, si ke rënë nga qielli o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën përtokë ty që i hidhje poshtë kombet? Ti thoje në zemrën tënde “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë... do të jem i ngjashëm me shumë të Lartin. Po përkundrazi, do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës. Ata që do të të shikojnë, të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: “Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë, që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij? (Isaia 14;12-17). KiM 641.1

Për 6.000 vjet rebelimi satanik e “ka bërë tokën të dridhet”. Ai “e katandisi botën në shkretëtirë dhe i shkatërroi qytetet e saj” dhe “nuk i la kurrë të lirë robërit e tij”. Për 6.000 vjet ai ka mba-jtur rob njerëzit e Perëndisë e po të mundte do të vazhdonte t’i mbante ata në zinxhira; por Krishti i theu zinxhirët dhe u fali të burgosurve lirinë. KiM 641.2

Madje as të pabesët nuk janë më nën komandën e tij dhe ai mbetet vetëm me engjëjt e tij të zinj për të kuptuar se ç’do të thotë mallkim mëkati. “Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij, ty përkundrazi, të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme... Ti nuk do të bashko-hesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd.” (Isaia 14;18-20). KiM 641.3

Për 1.000 vjet, Satani do t’i vijë rrotull tokës së shkretë për të parë me sytë e vet frytet e rebelimit të tij kundër Ligjit të Perëndisë. Gjatë kësaj kohe ai do të vuajë shumë. Që nga dëbimi i tij nga qielli, në jetën e tij prej aktivisti të palodhur nuk ka pasur vend për mendime, por tani ai nuk ka asgjë në dorë dhe është braktisur për të kuptuar rolin që ka luajtur që nga momenti kur rebeloi kundër qeverisjes qiellore dhe për të pritur me tmerr dhe drithëm të ardhmen e tmerrshme që do të mbajë mbi supe për të keqen që ka bërë, kur do të dënohet gjithashtu për mëkatet që i ka shtyrë të tjerët të kryejnë. Popullit të Perëndisë, robëria e Satanit do t’i sjellë gëzim dhe ngazëllim. Profeti thotë: “Kështu që ditën në të cilën Zoti do t’i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë, së cilës i ishe nënshtruar, ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Ba-bilonisë që përfaqëson Satanin në këtë rast dhe do të thuash: “Ashtu si mbaroi shtypësi!...Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve. Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet, tani përndiqet pa mëshirë” (Vargu 3-6). KiM 641.4

Në periudhën 1.000-vjecare nga ringjallja e parë në të dytën, bëhet gjykimi i të pabesëve. Apostulli Pal e përshkruan këtë gjykim si një ngjarje, që pason ardhjen e dytë: “Mos gjykoni asnjë para kohe derisa të vijë Zoti, që do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave.” (1 Korintasve 4:5). KiM 642.1

Danieli deklaron: “se iu dha e drejta shenjtorëve të Shumë të Lartit”, vetëm kur arriti i Lashti i Ditëve.” (Danieli 7:22). Gjatë kësaj kohe të drejtët mbretërojnë si princër dhe priftërinj në Perëndi. Gjoni tek Zbulesa thotë: “Pashë frone dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë.” “Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të 1.000 vjet. (Zbulesa 20:4,6). Pikërisht kjo është koha kur Pali na parathotë se: “shenjtorët do të gjykojnë botën” (1 Korintasve. 6:2). Ata gjykojnë së bashku me Krishtin, njerëzit e ligj, duke i krahasuar veprat e tyre me librin - statut, Biblën e duke e mbyllur çdo rast me një vendim të bazuar në aktet e kry-era prej tyre. Më pas caktohet dënimi që duhet të vuajë çdo njeri i pabesë dhe ky shënohet përbri emrit të tij në librin e vdekjes. KiM 642.2

Krishti dhe të besuarit e Tij do të gjykojnë edhe Satanin dhe engjëjt e tij mëkatarë. Pali thotë: “A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëjt? (vargu 3). Ndërsa Juda deklaron se: “Ai ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe edhe engjëjt, që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre” (Juda 6) KiM 642.3

Në fund të periudhës 1.000-vjeçare do të ndodhë edhe ringjallja e dytë. Kështu, të vdekurit femohues do të ringjallen për t’u paraqitur përpara Perëndisë për t’u zbatuar “gjykimi i shkruar”. Gjoni tek Zbulesa, pas përshkrimit të ringjalljes së të drejtëve thotë: “Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë derisa të mbusheshin të 1.000 vjetët” (Zbulesa 20:5). Isaia, duke iu referuar të pabesëve deklaron: “Ata do të mblidhen bashkë si të burgosur në një burg të nëndheshëm; do të mbyllen në një burg dhe pas shumë ditësh do të ndëshkohen.” (Isaia 24:22). KiM 642.4

1. Kur të padrejtët të shohin që janë të humbur, ata do të “mbushen me keqardhje”. Nëse është vërtetë kështu, atëherë përse atyre sërisht nuk u kursehet shkatërrimi? KiM 643.1

2. Lexoni Levetikun 16:18-22. Çfarë bënin priftërinjtë me dhinë që arratisej përgjatë Shlyerjes? Si krahasohet kjo me atë që i ndodh Satanit dhe engjëjve të tij përgjatë 1,000 vjetëve? KiM 643.2

3. Njerëzit e Perëndisë do të jenë në qiell për 1.000 vjet me Perëndinë. Çfarë do të bëjnë ata gjatë kësaj kohe? KiM 643.3