Konflikti I Madh

42/44

40.—Njerëzit e Perëndisë të Çliruar

Me t’u tërhequr mbrojtja e ligjeve kombëtare nga ata, që nderojnë ligjin e Perëndisë, në vende të ndryshme të botës do të fillojë një lëvizje e njëkohshme për shkatërrimin e tyre. Ndërsa koha e caktuar nga dekreti afrohet gjithnjë e më shumë, njerëzit do të fillojnë të konspirojnë për t’i zhdukur nga rrënjët të zgjedhurit e urryer. Do të merret vendimi që vetëm brenda një nate të organizohet një goditje e tillë e befasueshme që do t’ia mbyllë gojën të pabindurve dhe njerëzve “kokëfortë”. KiM 618.1

Populli i Perëndisë - disa nëpër qelitë e burgjeve e të tjerët në vende të fshehta në pyje e në male - vazhdon të lutet për mbrojtjen nga qielli, ndërsa nga çdo anë, grupe të armatosura njerëzish, të nxitur nga turma engjëjsh mëkatarë, përgatiten për t’iu bërë gropën. Pikërisht në atë kohë rreziku të madh, Perëndia i Izraelit do të ndërhyjë për çlirimin e të zgjedhurve të Tij. Zoti thotë: “atëherë do t’ia merrni këngës si natën kur kremtoni një festë dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon... në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit. Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i Tij madhështor dhe do të të tregojë si godet me krahun e Tij, kur tërbohet nga zemërimi i Tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme uraganesh dhe breshëri gurësh”. (Isaia 30;29,30). KiM 618.2

Me britma triumfi, talljeje dhe mallkimi, turma njerëzish të ligj përgatiten për t’iu sulur presë së tyre kur, oh, një errësirë e dendur dhe më e zezë se nata mbulon tokën. Më pas një ylber, duke ndriçuar me lavdi nga froni i Perëndisë, i jep dritë qiellit dhe duket sikur rrethon grupet e njerëzve, që luten. Turmat e njerëzve të inatosur çuditen. Britmat e tyre tallëse meken. Me parandjenja të frikshme në zemër, ata shikojnë simbolin e besëlidhjes së Zotit dhe dëshirojnë me gjithë shpirt që t’i fshihen shkëlqimit të Tij të mbinatyrshëm. KiM 618.3

Nga mesi i radhëve të njerëzve të Perëndisë dëgjohet një zë i qartë dhe melodioz që thotë: “Shihni lart” dhe, ndërsa ngrenë sytë drejt qiellit, ata shohin harkun e premtimit. Retë e zeza e kërcënuese, që mbulonin kupën e qiellit janë larguar dhe si Stefani edhe ata shohin me vëmendje qiellin dhe vënë re lavdinë e Perëndisë dhe Birin e njeriut ulur mbi fronin e Tij. Në formën e tij hyjnore ata akoma mund të shquajnë shenjat e poshtërimit të Tij të dikurshëm dhe nga buzët e Tij dëgjojnë kërkesën që Ai i parashtron të Atit përpara engjëjve hyjnorë: “O Atë, Unë dua që atje ku jam Unë, të jenë me Mua edhe ata që më ke dhënë” (Gjoni 17;24). Dëgjohet përsëri një zë triumfues e melodioz që thotë: “Ata vijnë! Ata vijnë! Të shenjtë, të pastër e të padëmtuar. Ata e kanë mbajtur fjalën e durimit Tim, ata do të ecin mes engjëjve” dhe nga buzët e zbehta dhe që dridhen, të atyre, që e kanë ruajtur të pacënuar besimin, del një britmë fitoreje. KiM 619.1

Perëndia e shfaq fuqinë e tij në çlirimin e popullit të Vet në mesnatë. Megjithatë del dielli, duke ndriçuar si të ishte mesditë. Shenja e çudi ndjekin njëra-tjetrën brenda një kohë te shkurtër. Të padenjët e shohin me tmerr e me çudi këtë skenë, ndërsa të denjët i shohin me gëzim solemn shenjat e çlirimit të tyre. Duket sikur çdo element i natyrës ka ndryshuar zakonet. Rrymat e ujit nuk rrjedhin më. Shfaqen re të zeza e të dendura që përplasen me njëra-tjetrën. Në mes të qiejve të vrenjtur ekziston një hapësirë e kaltër, e pastër e një lavdie të papërshkruar, nga ku vjen edhe zëri i Perëndisë si fërshëllima e ujërave të ujëvarave dhe thotë: “U krye” (Zbulesa 16:17) KiM 619.2

Ai zë tund qiellin dhe tokën. Më pas ndodh një tërmet i madh “që i tillë nuk ishte bërë qëkurse u bënë njerëzit mbi tokë, një tërmet kaq fort i madh” (vargut 17,18). Kupa e qiellit duket sikur hapet e mbyllet, përmes saj ndriçon lavdia, që vjen nga froni i Perëndisë. Malet dridhen si një kallam nga era dhe shkëmbinjtë shpërndahen në të katër anët. Dëgjohet një oshëtimë si ajo e një furtune, që afrohet me shpejtësi. Deti është i kreshpëzuar. Ndihet si një klithmë uragani, që i ngjan zërit të demonëve, kur i hyjnë një misioni shkatërrimi. Toka gulçon e lëkundet si valët e detit. Sipërfaqja e saj fillon të plasaritet. Vetë themelet e saj duken sikur nuk mbajnë më. Vargmalet po shpërbëhen. Ishujt e papopulluar zhduken. Portat detare që i ngjajnë Sodomit për nga ligësia i përpijnë dallgët e inatosura. “Babilonia e madhe u kujtua përpara Perëndisë që t’i japë kupën e verës së zemërimit të Tij të tërbuar”. Një breshër i madh “me peshë prej një talenti” shkatërron gjithçka që i del përpara. (vargut 19,21). KiM 619.3

Qytetet më krenare të botës janë bërë rrafsh me tokën. Pal-latet mbretërore për ndërtimin e të cilave, njerëzit e mëdhenj të botës kanë harxhuar pa kursim pasurinë e tyre dhe ku janë vetëlavdëruar sa kanë dashur, rrënohen përpara syve të tyre. Muret e burgjeve kthehen në gërmadha dhe njerëzve të Perëndisë, që janë burgosur për shkak të besimit të tyre, iu rifa-let liria. KiM 620.1

Varret hapen dhe “shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme” (Danieli 12:2). Të gjithë ata që kanë vdekur, duke i besuar mesazhit të engjëllit të tretë ring-jallen të nderuar për të dëgjuar besëlidhjen e paqes së Perëndisë me ata që e kanë respektuar deri në fund Ligjin e Tij. “edhe ata që e tejshpuan” (Zbulesa 1:7), ata që u tallën dhe i përçmuan agonitë vdekjeprurëse të Krishtit si dhe kundërshtarët më të dhunshëm të së vërtetës dhe të popullit të tij ngrihen nga varret për ta parë me sytë e tyre lavdinë e tij dhe nderin që iu bëhet njerëzve besnikë e të bindur. KiM 620.2

Re të dendura vazhdojnë ta mbulojnë qiellin, por herë pas here depërtojnë edhe disa rreze, që i ngjajnë shkëlqimit të syve hakmarrës të Jehovait. Vetëtima të shpeshta, që e kanë burimin në qiej e mbështjellin tokën me një perde të zjarrtë. Mes ushtimës së tmerrshme të furtunës dëgjohen zëra të llahtarshëm e misteriozë, që deklarojnë fatin e njerëzve të padrejtë e të ligj. Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por pa as më të voglin dyshim janë mëse të qarta për mësuesit e rremë. Ata që pak më parë ishin kaq aktivë, mendjemëdhenj, provokues dhe mospërfillës në mizorinë e tyre ndaj popullit urdhëresëmbajtës të Perëndisë, janë tani të pushtuar nga një tmerr dhe frikë mbytëse. Vajtimet e tyre dëgjohen mbi çdo zhurmë apo tingull tjetër. Demonët e njohin karakterin hyjnor të Krishtit dhe dridhen përpara forcës së tij, ndërsa njerëzit luten për mëshirë dhe shtrihen përtokë të llahtarisur. KiM 620.3

Profetët e lashtësisë, ndërsa panë vizione të ditës së Perëndisë, e përshkruan atë kështu: “Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt, ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotëfuqishmit” (Isaia 13:6) “Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhurin përpara tmerrit të Zotit dhe përpara shkëlqimit të madhërisë së tij. Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenar-ia e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje, që ngrihet për ta ulur.” “Në këtë ditë njerëzit do t’ua hedhin minjve dhe laku-riqëve të natës idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, që i kanë prodhuar për t’i adhuruar, për t’u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në greminat e kreshpave para tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së Tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet” (Isaia 2:10-12; 20,21) . KiM 621.1

Përmes një të çare mes reve rrezaton një yll, shkëlqimi i të cilit është katër herë më i madh në kontrast me errësirën e den-dur. Ai iu jep shpresë e gëzim besnikëve, por iu flet për zemërim e ashpërsi shkelësve të Ligjit të Perëndisë. Ata, që kanë flijuar gjithçka për Krishtin tani janë të sigurt, të fshehur si në dhomat sekrete të tendës së Zotit. Ata janë vënë në provë dhe i kanë treguar botës dhe përçmuesve të së vërtetës se ata do t’i qëndrojnë besnikë deri në fund Atij që vdiq për ta. Ata që janë treguar të qëndrueshëm në besim edhe përpara vdekjes kanë përjetuar një ndryshim të mrekullueshëm. Papritur ata janë çli-ruar nga tirania e tmerrshme dhe e zymtë e njerëzve të trans-formuar në demonë. Fytyrat e tyre, më parë të zbehta, të shqetësuara dhe të dërrmuara, ndriçojnë tani me çudi, besim e dashuri. Zërat e tyre ngrihen në një këngë triumfi: “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit dhe ujërat e tij të tërbohen e të shkumbojnë dhe malet të dridhen nga fryrjet e tyre” (Psalmi 46:1-3) . KiM 621.2

Ndërsa këto fjalë besimi të shenjtë ngjiten fluturimthi tek Perëndia, retë zhduken dhe shfaqen qartë qiejtë me yje që janë të një lavdie të papërshkrueshme krahasuar me kupën e zezë dhe të zymtë të qiellit në dy krahët e tyre. Lavdia e qytetit qiellor derdhet e pacënuar përmes portave të hapura të tij. Më pas në mes të qiejve shfaqet një dorë, që mban dy pllaka guri të lidhura së bashku. Profeti thotë: “qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi”. (Psalmi 50:6). Ai Ligj Hyjnor, drejtësia e Perëndisë, që u shpall përmes furtunës e flakëve nga mali i Sinait si udhërrëfyes jetësh, u zbulohet tani njerëzve si rregull gjykimi.Dora hap pllakat e gurta dhe aty shihen të shkruara si me penë zjarri urdhëresat e ligjit të shenjtë që iu dha Moisiut. Fjalët janë aq të qarta sa mund t’i besojnë të gjithë. Kujtesa zgjohet, errësira e superstiSionit dhe herezisë zhduket nga çdo mendje dhe 10 urdhëresat e shkurtëra, të kuptueshme e autoritare janë në qendër të vëmendjes së të gjithë banorëve të tokës. KiM 622.1

Eshtë e pamundur që të përshkruhet terrori dhe dëshpërimi i atyre që i kanë shkelur me këmbë kërkesat e shenjta të Perëndisë. Zoti u dha atyre ligjin; ata mund t’i kishin krahasuar karakteret e tyre me të dhe t’i kishin mësuar të metat e tyre, ndërsa kishin akoma mundësi për t’u penduar e për të ndryshuar, por në mënyrë që të fitonin dashamirësinë e botës, ata nuk i përfillën urdhëresat e Tij dhe i mësuan edhe të tjerët që t’i shkelnin ato me të dy këmbët. Ata u përpoqën që t’i detyronin njerëzit e Perëndisë që ta përdhosnin Të Sabatin e Tij. Tani ata dënohen nga ai ligj, që e përçmuan dikur. Ata e shikojnë qartë se nuk kanë asgjë që mund t’i shfajësojë. Ata e zgjodhën vetë se kë do të adhuronin dhe kujt do t’i shërbenin. “Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben Atij” (Malakia 3:18). KiM 622.2

Armiqtë e ligjit të Zotit, që nga pastorët e deri tek më i thjeshti, krijojnë mes tyre një ide të re mbi të vërtetën dhe detyrën që mbart ai në vetvete. Ata e kuptojnë tepër vonë se E Shtuna i urdhëresës së katërt përbën vulën e Perëndisë që jeton. Tepër vonë e kuptojnë edhe natyrën e vërtetë e të Shtunës të tyre të rremë dhe të themelit prej rëre ku janë mbështetur. Ata kuptojnë se kanë qënë duke luftuar kundër Perëndisë. Mësuesit fetarë i kanë çuar njerëzit në greminën e humbjes, ndërsa thonin se po i udhëhiqnin drejt portave të Pa-rajsës. Vetem në ditën e fundit të larjes së hesapeve do të shihet se sa e madhe do të jetë përgjegjësia e zyrtarëve të lartë të Kishës dhe sa të tmerrshme janë rezultatet e pabesnikërisë së tyre. Vetëm në përjetësi do të mund ta llogarisim me saktësi humbjen edhe të një njeriu të vetëm. I frikshëm do të jetë fati i atij të cilit Perëndia do t’i thotë: “Largohu, ti shërbëtor i lig!”. KiM 622.3

Zëri i Zotit dëgjohet nga qielli, duke deklaruar ditën dhe orën e ardhjes së Jezusit dhe duke u dhënë edhe një herë njerëzve besëlidhjen e përjetshme. Fjalët e Tij zbresin drejt tokës si kumbim i bubullimës më të fuqishme. Izraeli i Perëndisë dëgjon i heshtur me sytë lart. Fytyrat e tyre janë ndriçuar nga lavdia e Tij dhe shkëlqejnë si fytyra e Moisiut kur zbriti nga mali Sinai. Njerëzit e padenjë nuk i shohin dot. Me t’u bekuar ata, që e kanë nderuar Perëndinë, duke mbajtur të Shenjtë Sabatin e Tij; dëgjohet një britmë fitoreje. KiM 623.1

Papritmas nga lindja shfaqet një re e vogël e zezë, pothuajse sa gjysma e madhësisë së dorës së njeriut. Eshtë reja, që rrethon Shpëtimtarin e që duket në largësi si e mbështjellë në errësirë. Njerëzit e Zotit e dinë se kjo është shenja e ardhjes së Birit të njeriut. Ata e shikojnë në heshtje, ndërsa i afrohet tokës, duke u ndriçuar e duke u bërë gjithnjë e më i lavdishëm derisa shfaqet tërësisht, një re e bardhë e madhe, baza e së cilës i ngjan një lavdie si zjarr, që digjet dhe me të qëndron ylberi i besëlidhjes. Jezusi marshon përpara si një fitimtar i plotfuqishëm. Ka ardhur, jo më si “Njeriu i Vuajtjeve “për të pirë kupën e hidhur të turpit e zemërimit, por si fitimtar i qiellit dhe i tokës për të gjykuar si të gjallët, ashtu edhe të vdekurit.” Besniku dhe i vërteti gjykon e lufton me drejtësi “dhe” ushtritë që janë në qiell” (Zbulesa 19:11,14) e ndjekin pas. Me himne melodish qiellore, një turmë e madhe dhe e panumërt engjëjsh të shenjtë, e shoqëron në këtë udhëtim. Kupa e qiellit mbushet me forma të shndritshme-” dhjetë mijë mbi dhjetë mijë, e mijëra e mijëra të tjerë. “Nuk ka penë njerëzore, që mund ta përshkruajë këtë skenë; nuk ka asnjë mendje aq të mprehtë njerëzore që ta kuptojë lavdinë e saj.” Lavdia e Tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e Tij. Shkëlqimi i tij ishte si drita.” (Habakuku 3:3,4). Ndërsa reja afrohet gjithnjë e më shumë, çdo sy sheh Princin e jetës. S’ka më kurorë gjembash mbi kokën e tij, por një diademë. Lavdia i ka ndaluar mbi vetullën hyjnore.Shprehja e fytyrës së Tij reflekton shkëlqimin marramendës të diellit të mesditës.” Dhe mbi rrobën e kafshën e Tij ishte shkruar një emër: “Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve.” (Zbulesa 19:16). KiM 623.2

Përpara Tij “të gjitha fytyrat bëhen të zbehta” dhe mohuesit e mëshirës së Perëndisë i zë tmerri i dëshpërimit të përjetshëm. “Zemra ligështohet, gjunjët dridhen ... dhe tërë fytyrat e tyre zverdhen.” (Jeremia 30:6); (Nahumi 2:10).Të drejtët thonë, duke u dridhur: “Kush do të jetë në gjendje që të qëndrojë? “Kënga e engjëjve pushon dhe kudo mbizotëron një periudhë qetësie e plotë. Më pas dëgjohet zëri i Jezusit që thotë: “Hiri im është i mjaftueshëm për ju”. Fytyrat e njerëzve besnikë shkëlqejnë dhe çdo zemër mbushet me gëzim. Dhe engjëjt ia marrin një kënge të re, ndërsa i afrohen edhe më shumë tokës. KiM 624.1

Mbreti i mbretërve ulet mbi re i mbështjellë si me një zjarr përvëlues.Qiejtë mbështillen si një pergamen, toka dridhet përpara Tij dhe çdo mal e ishull lëviz nga vendi i vet. “Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rrijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do ketë një furtunë të madhe. Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e Tij.” (Psalmi 50:3,4). KiM 624.2

“Dhe mbretërit e dheut, të mëdhenjtë, të pasurit, koman-dantët, të fuqishmit, çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve dhe u thoshin maleve dhe shkëmbenjve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e Atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i qengjit.” (Zbulesa 6:15-17). KiM 624.3

Të qeshurat tallëse nuk dëgjohen më. Buzët gënjeshtare nuk gjejnë dot më fjalët e shumëdëshiruara. Përplasja e armëve, çoroditja e betejës dhe “çdo mantel i rrëkëllyer me gjak “nuk do të ekzistojë më. Tani dëgjohen vetëm lutje, vajtime e ankime. Nga buzët, që deri tani vonë po talleshin del thirrja: “Dita e madhe e zemërimit të Tij ka ardhur. Kush do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë?” Të padenjët luten që më mirë t’i vënë përfund shkëmbenjtë dhe malet se sa të takohen ballë për ballë me Atë, që e kanë mohuar e përçmuar. KiM 624.4

Ata e njohin atë zë, që depërton deri tek veshët e të vdekurve. Sa shpesh u kanë bërë thirrje për t’u penduar tonet e tij të qeta. Sa shpesh është dëgjuar në përpjekjet mirëdashëse të një miku, të një vëllai, të një Shpëtimtari. Për mohuesit e hirit të Tij nuk ka asnjë tjetër, që mbart aq shumë dënim dhe që është ngarkuar me aq shumë qortim sa ai zë që u është lutur gjatë: “Konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit? (Ezekieli 33:11). Oh ai ishte për ta zëri i një të panjohuri! Jezusi thotë: “unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën Time, askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e Mia dhe nuk pranuat ndreqjen Time.” (Fjalët e Urta 1:24, 25) KiM 625.1

Ai zë zgjon kujtime që ata do të donin t’i fshihnin fare -paralajmërime të përçmuara, ftesa të refuzuara, privilegje të braktisura. KiM 625.2

Këta janë ata që e tallën Krishtin e përulur. Me një fuqi tron-ditëse atyre u vjen në mendje Vuajtësi që kur e pyeti kryeprifti, deklaroi solemnisht: “Unë po ju them, se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit”. (Mateu 26:64). Tani ata e shohin me sytë e tyre lavdinë e tij dhe do ta shohin pas pak edhe të ulur në të djathtë të pushtetit. KiM 625.3

Atyre, që e hodhën poshtë pretendimin e Tij se ishte Biri i Perëndisë u kanë humbur fjalët tani. Ja ku është edhe Herodi mistrec, që qeshi me titullin e Tij mbretëror dhe i urdhëroi ush-tarët tallës që ta kurorëzonin Mbret. Janë edhe ata ushtarët, që me duart e fëlliqura i veshën rrobën e kuqërremtë, i vunë në ballë kurorën e gjembave, i dhanë në duar skeptrin e rremë dhe që u përulën përpara Tij në mënyrë tallëse e blasfemuese. Njerëzit, që e goditën dhe e pështynë Princin e jetës, i kthejnë kurrizin shikimit të Tij depërtues dhe përpiqen t’i shpëtojnë e t’i largohen lavdisë së mbinatyrshme të pranisë së tij. Ata, që i shpuan me gozhdë duart e këmbët, ushtari, që i shpoi brinjën, i shikojnë këto shenja me tmerr e mbytje ndërgjegjeje. KiM 625.4

Priftërinjtë dhe sunduesit i kujtojnë ngjarjet e Kalvarit deri në imtësitë më të vogla. Atyre iu kujtohet sesi duke tundur kokat me gëzim satanik i thirrën Atij me të madhe: “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë Vetveten; në qoftë se është Mbreti i Izraelit le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do t’i besojmë Atij, Ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: “unë jam Biri i Perëndisë.” (Mateu, 27:42,43). KiM 626.1

Kujtojnë me përpikmëri ata tani parabolën e vreshtarëve, që nuk pranuan t’i jepnin Zotit të Vreshtit frytet që i takonin, por i rrahën shërbëtorët e Tij dhe ia vranë birin e vetëm. Atyre iu kujtohet gjithashtu dënimi, që ata e dhanë me gojën e tyre ku thanë “Zoti i vreshtit do të vijë e do t’i shfarosë vreshtarët”. Njerëzit e padrejtë, priftërinjtë dhe anëtarët e pleqësisë shohin tek mëkati dhe dënimi i këtyre vreshtarëve rrugën, që ata vetë kanë ndjekur dhe fatin e afërt që i pret. E nga mesi i tyre ngrihet një klithmë, që i ngjan një agonie vdekjeprurëse. Akoma më therëse se britma “Kryqëzojeni, kryqëzojeni!”, që u ndje dikur në rrugët e Jeruzalemit, dëgjohet kudo një zë vajtues dhe i dëshpëruar që thotë: “Ai është Biri i Perëndisë! Ai është Mesia i vërtetë!” Ata përpiqen që t’i largohen prezencës së mbretit të mbretërve. Ata më kot orvaten që të fshihen në shpellat e thella tokësore, të cilat janë bërë gërmadha nga veprimtaria e ele-menteve natyrore. KiM 626.2

Vjen një moment në jetën e të gjithë atyre, të cilët e mo-hojnë të vërtetën, kur ndërgjegjja zgjohet, kur në mendje rikthehen kujtime të një jete hipokrite dhe kur shpirtin e bren keqardhja. Por çfarë janë të gjitha këto krahasuar me brejtjen e ndërgjegjes në atë ditë “kur frika vjen si një furtunë” dhe “kur fatkeqësia vjen si një stuhi” (Fjalët e urta 1:27). Ata, që donin aq shumë që ta shkatërronin Krishtin dhe popullin e Tij janë tani dëshmimtarë të lavdisë që i mbulon ata. Të tmerruar siç janë ata dëgjojnë zërat e Shenjtorëve me nota të gëzuara që këndojnë: “Ja ky është Perëndia ynë; tek Ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë.” (Isaia 25:9). KiM 626.3

Në mes lëkundjes së tokës, vetëtimave dhe gjëmimit të bu-bullimave dëgjohet zëri i Birit të Perëndisë, që zgjon shenjtorët, që flenë. Ai shikon varret e të drejtëve dhe më pas, duke ngritur duart drejt qiellit thërret; “zgjohuni, zgjohuni, zgjohuni, ju që flini në pluhur dhe ngrihuni!” KiM 626.4

Në të katër anët e botës të vdekurit do ta dëgjojnë atë zë dhe ata që do ta dëgjojnë do të ringjallen. Dhe bota mbarë do ta dëgjojë hapin e asaj ushtrie tejet të madhe të çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. Ata dalin nga shtëpia- burg e vdekjes të veshur me lavdi të përjetshme, duke thirur: “O vdekje ku është gjëma jote? O ferr ku është fitorja jote? (1 Korintasve 15:55). Shenjtorët e ringjallur dhe të gjallët e drejtë bashkojnë zërat në një britmë të gjatë dhe të gëzuar fitoreje. KiM 627.1

Të gjithë dalin nga varret me të njëjtin fizik që kishin kur hynë në to. Adami, që qëndron në mes të turmës së të ringjallurve është tepër i gjatë dhe madhështor, pak më i shkurtër se biri i Perëndisë. Ai dallohet qartë, i krahasuar me njerëzit e brezave të mëvonshëm, në këtë aspekt duket qartë korruptimi i madh që breu racën tonë. Megjithatë të gjithë ringjallen me freskinë dhe zellin e një rinie të përjetshme. Në fillim njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, jo vetëm në karakter, por edhe në formë. Mëkati e shpërfytyroi dhe pothuajse e fshiu fare imazhin hyjnor, por Krishti erdhi për të restauruar atë që kishte humbur. Ai do të ndryshojë trupat tanë të fishkur për t’i gdhendur sipas modelit të trupit të Tij të lavdishëm. Forma e korruptuar, që mbante në vetvete vdekjen, pa hijeshi dhe e ndotur nga mëkati, kthehet në diçka të përsosur të bukur dhe të pavdekshme. Të gjitha të metat dhe deformimet “Harrohen” në varr. Të shpëtuarit, të ripranuar në pemën e jetës, në Edenin e shumëhumbur, “do të fitojnë” (Malakija 4:2) formën e plotë të një lavdie të pacënuar. Shenjat e fundit të veprimit infektues të mëkatit do të fshihen dhe besnikët e Krishtit do të shfaqen të veshur me “bukurinë e Zotit”, me mendje, shpirtra e trupa, që reflektojnë imazhin e përsosur të Zotit të tyre. Oh shpëtimi i mrekullueshëm! Sa gjatë është folur për të, sa shumë është pritur me padurim, por asnjëherë nuk është kuptuar plotësisht . KiM 627.2

Të drejtët e gjallë transformohen “në një moment sa hap e mbyll sytë.” Me të dëgjuar zërin e Perëndisë ata fitojnë lavdi, ndërsa tani u falet pavdekësia dhe bashkohen me shenjtorët e ringjallur për të takuar Zotin e tyre në ajër. Engjëjt “i mbledhin bashkë të zgjedhurit e Tij nga të katër anët, nga një cep i qiellit tek tjetri.” Engjëjt hyjnorë u sjellin nënave fëmijët e tyre të vegjël. Ritakohen miq, që kanë kohë pa u parë për të mos u ndarë më kurrë dhe të gjithë së bashku, me këngë gëzimi në gojë, ngjiten drejt qytetit të Perëndisë. KiM 627.3

Në të dyja anët e karrocës ka krahë dhe poshtë saj rrota, që lëvizin e, ndërsa karroca ngjitet gjithnjë e më lart duket sikur zhurma e rrotave thotë “I shenjtë” duket sikur lëvizja e krahëve thotë “I shenjtë” dhe suita e engjëjve thërret “I shenjtë, i shen-jtë, i shenjtë është Zoti, Perëndia i plotfuqishëm.” Ndërsa karro-ca merr rrugën drejt Jeruzalemit të Ri të shpëtuarit brohorasin “Haleluja”. KiM 628.1

Përpara se të hyjnë në qytetin e madh të Perëndisë, Shpëtimtari i jep pasuesve të Tij emblemat e fitores dhe u fal atyre shenjat dalluese të mbretërisë së Tij. Radhët e shndritshme të shenjtorëve formojnë një katror me qendër bosh përreth mbretit të tyre, i cili ngrihet madhështor mbi njerëz dhe engjëj, duke rrezatuar nga të gjitha poret dashuri dhe mirësi. E gjithë turma e panumërt e të shpëtuarve është përqëndruar tek Ai, çdo sy sheh lavdinë e Atij fytyra e të Cilit rrezaton më shumë se e çdo njeriu dhe forma e të Cilit është më madhështore se ajo e bijve të njeriut. KiM 628.2

Jezusi vendos me dorën e tij të djathtë, mbi kokat e fitimta-rëve, kurorën e lavdisë. Secilit i takon një kurorë, mbi të cilën është shkruar “emri i tij i ri” (Zbulesa 2:17) dhe mbishkrimi “Lavdi Zotit”. Çdo dorë rrok palmën e fitimtarit dhe harpën shndritëse. Më pas me t’i rënë engjëjt udhëheqës notës së parë çdo dorë i prek telat e harpës me zotësi artisti duke krijuar një melodi të bukur dhe origjinale. Një entuziazëm i papërshkruar pushton çdo zemër dhe të gjithë ngrenë zërat e tyre në një këngë lavdërimi: “Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e Tij dhe na bëri mbretër dhe priftërinj për Perëndinë dhe Atin e Tij, Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve.” (Zbulesa 1:5.6). KiM 628.3

Përpara turmës së shenjtë gjendet qyteti hyjnor. Jezusi i hap katërkanatëshe portat - perla dhe kombet, që e kanë ruajtur të vërtetën hyjnë brenda. Atje ata shohin parajsën e Perëndisë, shtëpinë e Adamit në virgjërinë e saj. Më pas dëgjohet përsëri ai zë që është më i pasur në melodi se çdo muzike që ka dëgjuar ndonjëherë veshi njerëzor, duke thënë: “konfliktit tuaj i ka ardhur fundi,” “Ejani ju o të bekuar të Atit tim dhe merrni si trashëgim mbretërinë, që është përgatitur për ju që nga krijimi i botës!” KiM 628.4

Lutja e Shpëtimtarit për dishepujt e Tij është bërë realitet “Atje ku jam Unë do të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.” (Juda 24) Krishti paraqet “të paqortueshëm dhe me gëzim para lavdisë së Atit”, çmimin e gjakut të Tij, duke deklaruar: “Ja ku jam Unë dhe fëmijët që më dhe”, “Ata që më ke dhënë i kam ruajtur.” Oh sa të mëdha janë çuditë e dashurisë shlyerëse! Sa i madh është ngazëllimi i atij çasti kur Ati i Përjetshëm, duke vëzhguar të shpëtuarit, do të shohë në ta imazhin e Tij, ku gjur-ma dhe e keqja e mëkatit i janë fshirë dhe njerëzorja përputhet përsëri me hyjnoren! KiM 629.1

Me një dashuri të papërshkrueshme Jezusi iu uron mirseardhjen besnikëve të Tij në gëzimin e Zotit. Shpëtimtari gëzon kur sheh në mbretërinë e lavdisë njerëzit, që janë shpëtuar falë agonisë dhe poshtërimit të Tij, ndërsa të shpëtuarit do të marrin pjesë në gëzimin e Tij kur të shohin mes shenjtorëve ata që i kanë besuar Krishtit përmes lutjeve, punës dhe sakrificave të tyre. Ndërsa i afrohen fronit të bardhë ata përjetojnë një lumturi të papërshkrueshme, kur shohin ata që i ka bërë ata vetë miq me Krishtin dhe kur vënë re se një ka sjellë të tjerë dhe të tjerët të tjerë akoma, që të gjithë të shijojnë parajsën e pushimit për t’i vënë kurorat e tyre tek këmbët e Jezusit dhe për t’i thurur lavde Atij çdo ditë përjetësie. KiM 629.2

Me t’u uruar të shpaguarve mirseardhjen në qytetin e Perëndisë dëgjohet kudo një këngë adhurimi. Të dy Adamët bëhen gati për t’u takuar. Biri i Perëndisë qëndron në këmbë me krahë hapur për të pritur babain e racës sonë- qënien që e krijoi Ai vetë, që mëkatoi kundër Krijuesit të Tij, i Cili mban akoma në trup shenjat e kryqëzimit, që iu desh të përballonte për shkak të mëkatit të tij. Ndërsa Adami shquan me sy gjurmët e gozhdëve mizore ai nuk e përqafon Zotin e Tij, por bie në gjunjë para këmbëve të Tij, duke thënë: “I denjë, i denjë është qengji që u ther!” Shpëtimtari e ngre atë përsëri në këmbë me dashuri dhe e nxit që ta shikojë edhe një herë shtëpinë e tij në Eden, nga e cila ka kohë që është larguar. KiM 629.3

Pas dëbimit të tij nga Edeni, jeta e Adamit në tokë u mbush me trishtim e probleme. Çdo gjethe e vyshkur, çdo viktimë flijimi, çdo e metë mbi fytyrën e qeshur të natyrës dhe çdo njollë mbi pastërtinë njerëzore e kujtonte atë për mëkatin e tij. Ndërgjegjja e brende tmerrësisht, ndërsa shikonte përhapjen e shpejtë të padrejtësisë dhe ndërsa merrte si përgjigje të paralajmërimeve të tij vetëm qortime, a thua se ai vetë ishte shkaku i kësaj të keqeje që quhej “mëkat”. Ai duroi me përulje për pothuajse mbi 1000 vjet dënimin e shkeljes - mëkat. Ai u pendua me të vërtetë për mëkatin e tij, besoi në meritat e Shpëtimtarit të premtuar dhe vdiq me shpresën e një ringjalljeje në zemër. Biri i Perëndisë e vuri në vend rënien dhe dështimin njerëzor dhe tani përmes gjakut shlyerës, Adami e sheh veten në pronat e tij të dikurshme. KiM 629.4

I mbushur me lumturi ai sheh pemët, që dikur ishin krenaria e tij-pikërisht ato pemë, frutat e të cilave i kishte mbledhur vetë me duart e tij në ato ditë gëzimi dhe pafajësie. Ai sheh vreshtat, që i ka punuar vetë dhe lulet, për të cilat kujdesej aq shumë. Mendja e tij fillon të kuptojë realitetin e kësaj skene. Ai e kupton që ky është me të vërtetë Edeni i restauruar, madje akoma dhe më i bukur nga ç’kishte qënë në ditën e mërgimit të tij. Shpëtimtari e drejton për tek pema e jetës, këput frytin e lavdisë dhe i thotë ta hajë. Ai hedh një vështrim përreth dhe shikon një turmë të madhe të shpëtuarish nga familja e tij, që janë miq në parajsën e Perëndisë. Pastaj ai e vendos kurorën e tij vezulluese tek këmbët e Jezusit dhe, duke e rrokur Shpëtimtarin e përqafon atë. Ai prek harpën e tij të artë dhe kupa e qiellit përcjell këngën e triumfit: “I denjë, i denjë është Qengji që u ther dhe jeton përsëri!” Anëtarët e familjes së Adamit bashkohen me këtë melodi, vendosin kurorat e tyre tek këmbët e Shpëtimtarit dhe përulen para Tij në adhurim. KiM 630.1

Engjëjt, që vajtuan për rënien e Adamit dhe u ngazëlluan kur Jezusi pas ringjalljes, me anë të së cilës hapi dyert e varreve për të gjithë ata, që do t’i besonin emrit të Tij, u ngjit në qiell, ishin dëshmitarë të këtij ribashkimi. Tani ata panë me sytë e tyre real-izimin e planit të shpëtimit dhe bashkuan zërat e tyre në këtë këngë lëvdimi. KiM 630.2

Pranë detit të qelqtë, përpara fronit të Perëndisë, pranë atij deti që duket i përzier me zjarr, aq e shndritshme është lavdia e Zotit, janë grumbulluar ata “që kanë mundur bishën, figurën dhe damkën e saj dhe numrin e emrit të saj.” Ata qëndrojnë në këmbë me qingjin mbi malin Sion “me harpa në duar,” ata 144 mijë njerëzit, që ishin çliruar mes gjithë të tjerëve. Më pas dëgjohet një zë nga qielli, që i ngjan ushtimës së ujërave dhe gjëmimit të rrufeve. Eshtë zëri i harpistëve që u bien veglave të tyre. Ata këndojnë përpara fronit një “këngë të re,” që s’mund ta mësojë askush, asnjë tjetër përveç të 144 mijëve. Eshtë kënga e Moisiut dhe e qengjit - një këngë çlirimi. Askush përveç 144 mijëve nuk mund ta mësojë atë këngë, sepse është kënga e përvojës së tyre- e një përvoje që nuk e ka përjetuar asnjë njeri tjetër. “Këta janë ata, që ndjekin Qengjin kudo që të shkojë Ai”. Këta, duke u larguar nga toka dhe duke u shpenguar ndër njerëzit quhen “të parat fruta të Perëndisë dhe të Qengjit.” (Zbulesa 15:2.3; 14:1-5). “Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh. Ata kanë përballuar një provë të tillë të madhe, që nuk është parë ndonjëherë. Ata kanë përjetuar ankthin e orëve të vështirësive të mëdha të Jakobit, ata kanë qëndruar pa ndihmën e ndonjë ndërmjetësi përmes derdhjes përfundimtare të kupës së dënimeve të Perëndisë, por janë çli-ruar, sepse “i kanë larë dhe i kanë zbardhur rrobat e tyre në gja-kun e Qengjit.” “Në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse ja-në të paqortueshëm para fronit të Perëndisë.” “Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbejnë Atij ditë e natë në tempullin e Tij dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë mes tyre.” Ata e kanë parë tokën të zhuritur nga zitë e bukës dhe sëmundjet epidemike, kanë parë diellin me një fuqi të tillë përvëluese sa i ka përzhitur njerëzit dhe ata vetë kanë duruar vuajtje, uri dhe etje. Por “ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t’i godasë më dielli, as nuk do të kenë vapë, sepse Qengji, që është në mes të fronit do t’i kullosë e do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre” (Zbulesa 7:14-17). KiM 630.3

Gjatë gjithë kohërave njerëzit e zgjedhur të Shpëtimtarit janë edukuar e disiplinuar në shkollën e provës. Ata ecën në tokë në rrugica të ngushta dhe u pastruan në furrnaltën e vuajtjeve. Ata duruan për hir të Jezusit, kundërshtim, urrejtje dhe shpifje.Ata e ndoqën Atë përmes konfliktesh, ata përballuan vetmohimin dhe përjetuan zhgënjime të hidhura. Ata e kuptuan të keqen, fuqinë, fajin dhe mallkimin, që mbart në vetvete mëkati falë përvojës së tyre të dhimbshme dhe mësuan kështu ta urrejnë atë. Ideja e sakrificës së madhe, që është dashur të bëhet për ta kuruar atë nuk i lejon ata që të krenohen dhe ua mbush zemrat me mirënjohje dhe lavde, ndjenja këto që ata që nuk kanë dështuar kurrë nuk mund t’i njohin. Ata duan shumë, sepse edhe janë fa-lur shumë. Duke qënë se kanë marrë pjesë në vuajtjet e Krishtit ata janë të përshtatshëm për t’u bërë pjesë edhe e lavdisë së tij. KiM 631.1

Trashëgimtarët e Perëndisë vijnë nga çardakë, nga kolibe, nga burgje, nga male, nga shkretëtira, nga shpellat tokësore dhe nga fundi i detit. Ndërsa jetonin në tokë “ata vuajtën”, u persekutu-an dhe ishin të varfër. Me miliona vetë u varrosën të mbuluar me turp, vetëm e vetëm, sepse nuk pranuan t’i dorëzoheshin pre-tendimeve mashtruese të Satanit. Gjykatat njerëzore i gjykuan si kriminelët më të këqinj. Por tani “vetë Perëndia është gjykatësi” (Psalmi 50:6). Tani vendimeve njerëzore u ka ardhur fundi. “Zoti do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të Tij.” (Isaia 28:8) “Do t’i quajnë populli i Shenjtë”, “të çliruarit e Zotit”. Ai ka vendosur që “t’u jap atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar.” (Isaia 62:12; 61:3). Ata nuk janë më të dobët, të vuajtur, të përçarë dhe të shtypur. Që tani e tutje ata do të jetojnë përgjithmonë me Zotin. Ata qëndrojnë para fronit të veshur me petka më të çmuara se të gjithë njerëzit më të nde-ruar të botës. Ata janë nderuar me Diadema më madhështore, se ato të monarkëve tokësore. Ditëve të dhimbjes dhe vajit u ka ardhur fundi. Mbreti i lavdisë i ka fshirë lotët nga sytë e të gjithëve, nuk ekzistojnë më shkaqe trishtimi. Në mes valëvitjes së degëve të palmave ata këndojnë një këngë të qartë, melodi-oze dhe të gëzuar lëvddimi; të gjithë këndojnë me gjithë zemër notat e kësaj kënge, derisa vetë kupa e qiellit e përcjell himnin: “Shpëtimi është i Perëndisë sonë, që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.” Të gjithë banorët e qiellit përgjigjen me fjalët: “Amen, Bekimi, Lavdia, Dituria, Falenderimi, Nderimi, Fuqia dhe Forca janë të Perëndisë sonë në shekuj të shekujve.” (Zbule-sa 7:10;12). KiM 632.1

Në këtë jetë ne vetëm sa mund të fillojmë ta kuptojmë temën e mrekullueshme të shpëtimit. Me mendjet tona të kufi-zuara ne mund të mendojmë me zell të madh për turpin dhe lav-dinë, jetën dhe vdekjen, drejtësinë e mëshirën që reflekton kryqi, megjithatë edhe pse mund t’i vëmë në punë të gjitha fuqitë tona mendore nuk arrjmë ta kuptojmë domethënien e Tij të plotë. Gjatësia e gjerësia, thellësia e lartësia e dashurisë shlyerëse vetëm sa merren me mend. Plani i shpëtimit nuk do të kuptohet imtësisht as atëherë kur të çliruarit të shohin se si janë parë dhe të njohin se si janë njohur. Vetëm me kalimin e shekujve të përjetësisë, mendja njerëzore do të mrekullohet e do të çuditet nga e vërteta që do t’i zbulohet vazhdimisht nga viti në vit, nga shekulli në shekull. Megjithëse trishtimeve, dhimbjeve e tundimeve tokësore do t’u vijë fundi dhe mëkati në vetvete do të shkatërrohet përfundimisht, populli i Perëndisë nuk do të arrijë ta krijojë kurrë një ide të qartë dhe intelektuale të çmimit të vërtetë të shpëtimit të tyre. KiM 633.1

Kryqi i Krishtit do të jetë shkenca dhe kënga e të shpëtuarve gjatë gjithë përjetësisë. Në figurën e Krishtit të lëvduar ata do të shohin Krishtin e kryqëzuar. Nuk do të harrohet kurrë që ai krijoi dhe koordinoi me anë të fuqisë së Tij botët e panumërta të hapësirës pa anë e cak, I Dashuri i Perëndisë, Madhëria qiellore, Ai, që kerubini dhe serafini (engjëlli), shndërrues e adhuronin me gjithë shpirt u përul për të lartësuar njerëzimin mëkatar; Ai që duroi fajin e turpin e mëkatit si dhe fshehjen e fytyrës së të Atit, deri sa mallkimet e një bote të humbur ia thyen zemrën dhe e copëzuan jetën e Tij mbi atë kryq në Kalvar. Fakti që krijuesi i të gjitha botëve pa përjashtim dhe Gjyqtari i çdo fati hoqi dorë nga lavdia e Tij dhe u poshtërua nga dashuria për njeriun do të ngjalli gjithmonë çudinë e adhurimin e një universi mbarë. Ndërsa ar-matat e të shpëtuarve hedhin vështrimin tek Shpëtimtari i tyre dhe shohin të shkëlqejë mbi fytyrën e Tij, lavdia e përjetshme e të Atit, ndërsa shohin fronin e Tij, që ekziston nga përjetësia në përjetësi dhe kuptojnë se mbretërisë së Tij nuk do t’i vijë kurrë fundi ata shpërthejnë në një këngë të gëzueshme: “I denjë, i denjë është Qengji që u ther dhe na ka shpëtuar e pajtuar ne me Perëndinë me anë të gjakut të Tij të çmuar!” KiM 633.2

Misteri i kryqit shpjegon të gjitha misteret e tjera. Në dritën e Kalvarit, vetitë e Perëndisë që na kanë ngjallur respekt e nderim duken kaq të bukura e tërheqëse. Vihet re se si mëshira, butësia dhe dashuria prindërore ndërthuren me shenjtërinë, drejtësinë dhe fuqinë. Ndërsa jemi dëshmitarë të madhështisë së fronit të Tij të lartësuar e të shenjtëruar ne shohim të shprehur me lavdi karakterin e Tij dhe e kuptojmë si asnjëherë më parë domethënien e atij emri të dashur “Ati Ynë”. KiM 634.1

Do të vihet re se Ai, që është i pafund në mençuri nuk mund të hartonte një plan tjetër për shpëtimin tonë, përveç flijimit të të Birit. Shpërblimi i një sakrifice të tillë është gëzimi që sjell popullimi i tokës me qenie të shenjta, të lumtura, të pavdeksh-me e të shpaguara. Konflikti i Shpëtimtarit me fuqitë e errësirës rezulton në gëzim për të shpëtuarit, që ia dedikojnë gjithçka sa të jetë përjetësia lavdisë së Perëndisë. Dhe Ati është i kënaqur kur çmimi i paguar i ka dhënë një vlerë të tillë shpirtit, dhe Krishti Vetë, duke parë frytet e flijimit të Tij, është i kënaqur. KiM 634.2

1. Perëndia i Izraelit do të ndërhyjë në “orën e ekstremitetit maksimal.” A mund të sillni ndërmend një eksperiencë jetësore në të cilën Perëndia ndërhyri për t’ju çliruar nga një moment kritik? KiM 634.3

2. Lexoni Zbulesën 14:1-5. Çfarë i bën 144,000 njerëzit një grup special? Përse ata janë të vetmit që mund të këndojnë këngën e Moisiut dhe të Qengjit? KiM 634.4

3. Ndërsa Dhjetë Urdhërimet zbresin nga qielli, armiqtë e ligjit kuptojnë se “E Shtuna i urdhërimit të katërt është vula e Perëndisë së gjallë.” Çfarë mund të bëni ju që të ndihmoni njerëzit të kuptojnë dhe ta pranojnë të vërtetën mbi Sabatin — të Shtunën? KiM 634.5

4. Të shpëtuarit do të ftohen në “gëzimin e Zotit.” Reflektoni për gjërat e mrekullueshme që do të shikoni dhe që do të përjetoni përgjatë gjithë përjetësisë. KiM 634.6