Konflikti I Madh

44/44

42.—Konflikti Merr Fund

Në fund të periudhës 1.000-vjeçare, Krishti vjen sërish në tokë. Ai shoqërohet nga turmat e të shpëtuarve dhe mbështetet nga ushtritë e engjëjve. Ndërsa zbret me një madhështi të papërshkrueshme Ai i urdhëron të vdekurit e pabesë që të ring-jallen për të marrë dënimin e tyre. Ata dalin nga varret, një turmë e stërmadhe dhe e panumërt si rëra e detit. Sa ndrysho-jnë nga ata që janë zgjuar në ringjalljen e parë! Të drejtët u veshën me rini dhe bukuri të përjetshme. Të padrejtët mbajnë në vetvete gjurmë sëmundjesh dhe vdekjeje. KiM 644.1

Çdo sy në atë tërësi sysh është përqëndruar tek lavdia e Birit të Perëndisë. Turma e njerëzve të ligj thërret me një zë: “I bekuar është Ai që vjen në emër të Zotit!” Kjo thënie nuk frymëzohet nga dashuria për Jezusin. Eshtë forca e së vërtetës që i bën buzët të shqiptojnë pa dashur këto fjalë. Njerëzit e pafe dalin nga varri me atë armiqësi dhe frymë rebelimi ndaj Krishtit me të cilën shkuan në varr. Atyre nuk do t’u jepet një kohë tjetër prove për të ndrequr të metat e jetës së tyre të shkuar. Asgjë nuk do të fitohej prej kësaj. Një jetë e tërë shkeljesh nuk i ka zbutur zemrat e tyre. Po t’u afrohej një kohë e dytë prove, ajo do të kalohej si edhe e para, duke përbaltur urdhëresat e Perëndisë dhe duke nxitur rebelimin kundër Tij. KiM 644.2

Krishti zbret mbi Malin e Ullinjve, nga ku edhe u ngrit lart në qiell pas ringjalljes dhe ku engjëjt u kujtuan dishepujve premti-min e rikthimit të Tij. Profeti thotë: “Perëndia im do të vijë dhe të gjithë shenjtët e Tij do të jenë me Të.” “Atë ditë këmbët e Tij do të ndalen sipër Malit të Ullinjve, që ndodhet përballë Jeruzalemit në lindje dhe Mali i Ullinjve do të çahet në mes... duke krijuar kështu një luginë të madhe”. “Zoti do të jetë mbret mbi të gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.” (Za-karia 14:5,4,9). Ndërsa Jeruzalemi i Ri me shkëlqimin e tij verbues zbret nga qielli, ai ndalet në vendin e pastruar dhe bërë gati për të. Krishti me popullin dhe engjëjt e Tij hyjnë në Qytetin e Shenjtë. KiM 644.3

Tani Satani përgatitet për t’i hyrë betejës së tij të fundit për të fituar epërsi. Për sa kohë që princi i mëkatit nuk mund ta ush-tronte pushtetin e tij dhe nuk mund të kryente veprimtari mashtruese, ndjehej i harruar dhe i mjerë, por me të parë të vdekurit femohues të ringjallur dhe me të vënë re turmat e tyre të mëdha, shpresat e tij rilindin dhe ai vendos të mos dorëzohet. KiM 645.1

Ai do t’i mobilizojë të gjitha ushtritë e të humburve nën flamurin e tij dhe do të përpiqet që të zbatojë përmes tyre, planet e veta. Të pabesët janë robër të Satanit. Duke mohuar Krishtin, ata kanë pranuar sundimin e këtij udhëheqësi rebel. Ata janë gati që t’i përqafojnë sugjerimet e tij dhe t’i binden urdhërave të tij. Megjithatë, dinak siç është, ai nuk paraqitet si Satani. Përkundrazi, pretendon të jetë princi që është pronari me të drejta të plota i kësaj bote, të cilit i kanë marrë trashëgiminë në mënyrë të paligjshme. Ai u shfaqet shtetasve të tij të gënjyer si çlirimtar, duke i siguruar ata se ka qënë fuqia e tij që u ka hapur atyre dyert e varreve dhe që do t’i shpëtojë nga një tirani mizore. Me t’u larguar Krishti, Satani bën çudi për të mbështetur pretendimet e tij. Ai i forcon të dobëtit dhe i frymëzon të gjithë pa përjashtim me frymën dhe energjinë e tij. Ai propozon që ata të marshojnë kundër kampit të shenjtorëve për të pushtuar Qytetin e Perëndisë. Me entuziazëm djallëzor ai sheh milionat e panumërt të atyre, që janë ringjallur dhe deklaron se si udhëheqësi i tyre është në gjendje që ta rrëzojë qytetin dhe të rifitojë fronin dhe mbretërinë e tij. KiM 645.2

Në atë turmë të madhe, ka me mijëra njerëz që i përkisnin asaj race që jetoi përpara Përmbytjes, njerëz me një fizik madhështor dhe një intelekt të admirueshëm, që duke iu dorëzuar kontrollit të engjëjve mëkatarë, ia përkushtuan të gjitha aftësitë dhe dijet e tyre lartësimit të vetvetes; njerëz, veprat e mrekullueshme artistike të të cilëve, e bënë botën që ta idealizojë gjenialitetin e tyre, por mizoria dhe shpikjet e liga të të cilëve, duke e ndotur tokën dhe duke e shtrembëruar imazhin e Perëndisë, e detyruan Atë që t’i fshinte nga faqja e krijimit të Tij. Mes tyre ka mbretër e gjeneralë, që pushtuan kombe të tëra, burra trima që nuk humbën asnjë betejë dhe luftëtarë krenarë dhe ambiciozë që i bënë mbretërit të dridheshin nga afrimi i tyre. Vdekja nuk i ka ndryshuar këta njerëz. Ndërsa dalin nga varri filli i mendimeve të tyre rifillon atje ku u këput dikur. Ata frymëzohen nga e njëjta dëshirë për të sunduar si dikur. KiM 645.3

Satani konsultohet si me engjëjt e tij, ashtu edhe me këta mbretër, pushtues dhe njerëz të mëdhenj. Ata llogarisin forcën dhe madhësinë e ushtrisë së tyre dhe deklarojnë se ushtria që ndodhet brenda mureve është e vogël në krahasim me të tyren e mund të mundet lehtësisht. Ata hartojnë plane për t’i shtënë në dorë pasuritë dhe lavdinë e Jeruzalemit të Ri. Të gjithë fillojnë pa humbur kohë përgatitjet për betejë. Artizanë të zotë ndërtojnë armë lufte. Udhëheqës ushtarakë, të mirënjohur për suksesin e tyre, drejtojnë kompanitë dhe togat e luftëtarëve të sprovuar. KiM 646.1

Më së fundi jepet urdhëri për të sulmuar dhe turma e pa-numërt marshon përpara - një ushtri kjo që as pushtuesit tokësorë nuk kanë qënë kurrë në gjendje ta organizojnë dhe as forcat e bashkuara të të gjitha kohërave që nga fillimi i luftërave në tokë nuk mund ta barazojnë. Satani, më i madhi mes luftëtarëve, udhëheq trimat dhe engjëjt e tij bashkojnë forcat e tyre për betejën përfundimtare. Mbretërit e luftëtarët udhëtojnë në trenin e tij, ndërsa togat e panumërta i shkojnë pas, secili i prirë nga udhëheqësi i vet. Radhët e shtrënguara përparojnë me saktësi ushtarake mbi sipërfaqen e plasaritur dhe të çrregullt të tokës drejt Qytetit të Perëndisë. Portat e Jeru-zalemit të Ri mbyllen me urdhërin e Jezusit dhe ushtritë e Satanit rrethojnë qytetin, të gatshëm për sulm. KiM 646.2

Tani Krishti shfaqet përsëri përpara armiqve të Tij. Larg, në një pikë të lartë të qytetit, mbi një themel të artë, ngrihet një fron. Mbi këtë fron ulet Biri i Perëndisë, i rrethuar nga nënshtetasit e mbretërisë së Tij. Fuqinë dhe madhështinë e Krishtit nuk mund ta përshkruajë asnjë gjuhë e botës dhe nuk mund ta skicojë asnjë piktor. Lavdia e Atit të Përjetshëm mbulon Birin. Shkëlqimi i prezencës së Tij ndriçon Qytetin e Perëndisë, i kapërcen portat dhe mbulon botën mbarë. Më afër fronit rrinë ata që dikur punonin me zell për kauzën satanike, por që si ura zjarri të shkëputura nga djegia, kanë ndjekur më pas Shpëtimtarin me një përkushtim të plotë dhe të ethshëm. Më pas, vijnë ata që kanë formuar karaktere kristianësh në mes gënjeshtrash e mos-besimi, ata që e kanë respektuar Ligjin e Perëndisë në një kohë kur bota e Krishterë e kishte quajtur atë të kotë dhe mijëra njerëz, që u martirizuan në kohëra për besimin e tyre. Dhe ako-ma më tutje “turma e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; që qëndronin përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre.” (Zbulesa 7:9). Lufta e tyre ka përfunduar, fitorja është e siguruar për ta. Ata e kanë përfunduar garën dhe e kanë marrë çmimin. Dega e palmës në duart e tyre është një simbol triumfi, ndërsa rroba e bardhë është emblema e drejtësisë së panjollë të Krish-tit, që tani është e tyrja. KiM 646.3

Të çliruarit këndojnë një këngë lëvdimi, që kumbon e rikumbon përmes kupës qiellore. “Shpëtimi është i Perëndisë tonë, që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.” (Vargu 10). Edhe engjëjt dhe serafinët bashkojnë zërat e tyre në adhurim. Ndërsa të shpëtuarit kanë parë fuqinë dhe keqdashjen e Satanit, ata e kanë kuptuar më saktë se kurrë më parë, që vetëm fuqia e Krish-tit mund t’i bënte ata fitimtarë. Në atë turmë rrezatuese nuk ka asnjë që ta quajë shpëtimin të vetin a thua se kanë triumfuar falë fuqisë apo mirësisë së tyre. Nuk thuhet asnjë fjalë mbi veprat apo vuajtjet e tyre; por ritmi i çdo kënge dhe nota e çdo himni është: “Shpëtimi është i Perëndisë sonë dhe i Qengjit.” KiM 647.1

Në prani të banorëve të tokës e qiellit, bëhet edhe kurorëzimi përfundimtar i Birit të Perëndisë. I veshur me madhështi dhe pushtet suprem, Mbreti i mbretërve dënon rebelët e qeverisjes së Tij dhe zbaton drejtësi mbi ata që e kanë shkelur Ligjin e Tij dhe që i kanë shtypur njerëzit e Tij. Profeti i Perëndisë thotë: “Pashë një fron të madh të bardhë dhe Atë që ulej mbi të, nga prania e të Cilit iku dheu dhe qielli dhe nuk u gjet vend për ta. Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës, dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.” (Zbulesa 20;11,12). KiM 647.2

Me t’u hapur librat e të dhënave dhe me të ndjerë shikimin e Jezusit, të pabesët janë më se të ndërgjegjshëm për çdo mëkat që kanë kryer. Ata e shikojnë se si këmbët e tyre i janë larguar shtegut të shenjtërisë dhe pastërtisë dhe se si krenaria dhe rebelimi i kanë shtyrë larg në rrugën e shkeljes së Ligjit të Perëndisë. KiM 648.1

Tundimet joshëse që ata vetë i kishin mirëpritur, duke për-qafuar mëkatin, bekimet e hedhura poshtë, përçmimi i lajmëtarëve të Perëndisë, paralajmërimet e shkelura me këmbë, valët e mëshirës të kthyera pas nga zemra kokëfortë e krenare -të gjitha këto dukeshin si të shkruara me shkronja zjarri. KiM 648.2

Mbi fron zbulohet kryqi dhe si në film shfaqen njëra pas tjetrës, duke filluar nga tundimi dhe dështimi i Adamit, skenat e planit të madh të shpëtimit. Lindja e thjeshtë e Shpëtimtarit, jeta e Tij e thjeshtë dhe e bindur, pagëzimi i Tij në lumin Jordan, agjërimi dhe tundimet në shkretëtirë, shërbimi i Tij publik, që shpalosi përpara njerëzve bekimet më të çmuara qiellore, ditët e mbushura me vepra dashurie dhe mëshire, netët e lutjeve dhe meditimeve ndër male; komplotet e urryera dhe keqdashëse që ishin shenja e “mirënjohjes” për mirësitë e Tij, agonia misterioze e Gjetsemanit që e kishte zanafillën tek pesha shtypëse e mëkateve të të gjithë botës, rënia e Tij pre, me anë të tra-dhëtisë, në duart e turmës gjakdashëse, ngjarjet e frikshme të asaj nate tmerri - i burgosuri i qetë, që ishte harruar edhe nga dishepujt e Tij të dashur dhe që u tërhoq zvarrë rrugëve të Jeru-zalemit, Biri i Perëndisë që del krenar përpara Anasit, që gjykohet në pallatin e kryepriftit dhe më pas hyn në dhomën e këshillit të Pilatit, akoma më pas paraqitet edhe përpara Herodit frikacak e mizor, që tallet, fyhet, torturohet dhe dënohet me vdekje - gjithçka skicohet me imtësi dhe kujdes. KiM 648.3

E tani turmat e njerëzve janë dëshmitarë të skenave të fundit - Jezusi i durueshëm, duke u drejtuar për në Kalvar, Princi qiellor i varur në kryq; priftërinjtë zemërkëqinj dhe llumi i shoqërisë, që tallen me agoninë e Tij vdekjeprurëse, errësira e mbinatyrshme; tundja e tokës, shkëputja e shkëmbinjve, hapja e varreve - të gjitha këto shenja treguan se Shpëtimtari i botës dha jetën e Tij për ne. KiM 648.4

Ky spektakël i tmerrshëm është më se realist. Satani, engjëjt dhe shërbëtorët e tij nuk mund t’i kthejnë krahët pikturës që ka dalë nga duart e tyre. Çdo aktori i kujtohet pjesa që ka luajtur Herodi, që theri fëmijët e pafajshëm të Betlehemit, në mënyrë që ta zhdukte nga faqja e dheut Mbretin e Izraelit, shërbëtorët e ulët të Herodit mbi të cilët bie faji i gjakut të Gjon Pagëzorit, Pilati i dobët dhe lajkatar, ushtarët shakaxhinj, priftërinjtë, sundimtarët dhe turma e çmendur e njerëzve që kishin thirrur: “Le të jetë gjaku i Tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!” - të gjithë pa përjashtim e kuptojnë madhësinë e fajit të tyre. Ndërsa të shpëtuarit vënë kurorat e tyre tek këmbët e Shpëtimtarit duke thënë: “Ai vdiq për mua!”, të tjerët përpiqen më kot t’i fshihen madhështisë hyjnore të pamjes së Tij dhe reflekton lavdinë e diellit vetë. KiM 649.1

Në mes të turmës së të çliruarve janë apostujt e Krishtit, Pali heroik, Pjetri trim, Gjoni i dashur si dhe vëllezërit e tyre zemërmirë dhe me ta numri i pamasë i martirëve, ndërsa jashtë mureve ndodhen të gjithë ata që i persekutuan, burgosën dhe vranë ata. Atje është edhe Nero, ai mostër mizorish dhe vesesh, që shikon tani gëzimin dhe lartësimin e atyre që i torturonte dikur dhe që gëzohej pamasë nga ankthi i tyre i papërshkrueshëm. Edhe nëna e tij është atje jashtë për të parë me sytë e saj rezultatin e punës së vet, për të parë se si vula mëkatare e karakterit, që iu kalua të birit, pasionet, që u nxitën dhe morën përmasa të mëdha falë ndikimit dhe shembullit të saj, kanë lidhur fryte krimesh, që e bëjnë botën të dridhet. KiM 649.2

Ka mes tyre prelatë e priftërinj të papës, që pretendonin se ishin ambasadorë të Krishtit, por që përdorën burgjet, turrën e druve dhe gijotinën për ta bërë zap ndërgjegjen e popullit të Tij. Janë aty edhe kryepriftërinjtë krenarë, që u vetëlartësuan mbi Perëndinë dhe morën në dorë ndryshimin e Ligjit të Perëndisë. Këta etër të rremë të kishës duhet t’i japin llogari Perëndisë dhe zor që të shfajësohen. Ata e kanë kuptuar tepër vonë se I Gjithëpushtetshmi është xheloz për Ligjin e Tij dhe nuk mund t’ua falë një gabim të tillë. Ata e mësojnë tepër vonë se interesat e Krishtit ishin vetë interesat e njerëzve të Tij të vuajtur dhe e ndiejnë deri në palcë forcën e fjalëve të Tij “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të Mi të vegjël, këtë ma bëtë Mua” (Mateu 25:40). KiM 649.3

Të gjithë banorët e ligj të tokës do të dalin përpara trupit gjykues të Perëndisë si mbajtës të padisë së tradhëtisë së lartë kundër qeverisjes qiellore. Ata s’kanë askënd që t’i mbrojë, nuk mund të shfajësohen dhe kështu dënohen me vdekje të përhershme. KiM 650.1

Tani, të gjithë e kanë të qartë se paga e mëkatit nuk është as pavarësia e fisshme dhe as jeta e përjetshme, por skllavëria, rrënimi dhe vdekja. Të padenjët e kuptojnë se çfarë kanë kopjuar falë jetës së tyre prej rebelësh. Ata e përçmuan lavdinë e madhe të përjetësisë kur iu afrua, por sa shumë do të donin ta kishin të tyren tani! “Mund t’i kisha të miat të gjitha këto - thotë shpirti i humbur - por vendosa t’i largoj larg meje. Oh, çmenduri! I kam flakur tutje paqen, lumturinë dhe nderin për të përqafuar ligësinë, turpin dhe dëshpërimin.” Të gjithë e kuptojnë se përjashtimi i tyre nga parajsa është më se i drejtë. Me anë të jetës së tyre, ata kanë deklaruar: “Nuk duam që ky Njeri [Jezusi] të mbretërojë mbi ne.” KiM 650.2

Me gojë hapur, njerëzit e padenjë kanë parë me sytë e tyre kurorëzimin e Birit të Perëndisë. Ata shquajnë rrasat e gurta të Ligjit hyjnor, urdhëresat e të cilit ata vetë i kanë përçmuar e shkelur me këmbë, në duart e Tij. Ata janë dëshmitarë të shprehjes së çudisë, mrekullisë dhe adhurimit nga ana e të shpëtuarve dhe të valës melodioze që pushton turmën që thërret: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e Tua, O Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e Tua o Mbret i të shenjtëve!” dhe të gjunjëzuar e adhurojnë edhe ata Princin e jetës. KiM 650.3

Satani duket si i paralizuar nga lavdia dhe madhështia e Krishtit. Atij, që dikur ishte një engjëll për të pasur zili, i kujtohet rënia e vet. Një engjëll shndritës “bir i mëngjesit” ... sa ka ndryshuar, sa është degraduar! Ai është përjashtuar nga këshilli që dikur e kishte pranuar si anëtar i nderuar. Ai shikon një engjëll tjetër tani, që qëndron pranë Atit, i mbuluar me lavdinë e Tij. Ai e ka parë me sytë e tij engjëllin me pamje madhështore dhe fizik të lartë, që i vuri kurorën mbi kokë Krishtit dhe e ka më se të qartë se mund ta kishte pasur ai vetë këtë nder të madh. KiM 650.4

Atij i rikthehet në mendje shtëpia e pastërtisë dhe pafajësisë së tij, paqja dhe gëzimi që përjetonte deri kur filloi të mërmëriste kundër Perëndisë dhe të kishte zili Krishtin. KiM 651.1

Akuzat, rebelimi, mashtrimet për të fituar dashamirësinë dhe mbështetjen e engjëjve, këmbëngulja e tij e krisur për të mos u penduar kur Perëndia do ta kishte falur - të gjitha këto i shfaqen si të gjalla përpara syve. Ai rillogarit rezulatet e punës së tij mes njerëzve - armiqësinë e njeriut ndaj njeriut, shkatërrimin e tmerrshëm të jetës, rënien dhe rimëkëmbjen e mbretërive, rrëzimin e froneve dhe vargun e gjatë të konflikteve, çrregulli-meve dhe revoluSioneve. Atij i kujtohen përpjekjet e va-zhdueshme që ka bërë për ta kundërshtuar punën e Krishtit e për ta zhytur njeriun gjithnjë e më thellë. Ai e kupton se kurthet e tij djallëzore nuk kanë mundur t’i shkatërrojnë ata, që i kanë besuar Jezusit gjatë gjithë jetës së tyre. Ndërsa hedh vështrimin tek mbretëria - fryt i punës së tij, Satani sheh vetëm dështim dhe rrënim në të. Ai i ka bërë turmat e njerëzve që të mendojnë se qyteti i Perëndisë është një pre e kapur lehtë, por vetë e di mirë se kjo nuk është e vërtetë. Gjatë shekujve të kontradiktës së madhe ai është detyruar të dorëzohet dhe të tërhiqet i mundur shumë herë. Ai e njeh shumë mirë fuqinë dhe madhështinë e të Përjetshmit. KiM 651.2

Qëllimi i kryerebelit ka qënë gjithmonë shfajësimi i vetvetes dhe ngarkimi i qeverisë hyjnore me fajin e rebelimit. Ai ka përdorur për arritjen e këtij qëllimi të gjitha fuqitë e intelektit të tij mahnitës. Ka punuar me ndërgjegje e në mënyrë sistematike për t’i nxitur njerëzit që ta pranojnë pa fjalë versionin e tij në lidhje me kontradiktën e madhe që ka vazhduar për një kohë kaq të gjatë. Për mijëra vjet me radhë, ky mjeshtër konspiraSioni e ka vulosur gënjeshtrën me vulën e së vërtetës. Por tani ka ardhur koha që t’i jepet fund rebelimit dhe t’i çirret maska his-torisë dhe karakterit të Satanit. Përpjekja e fundit për ta rrëzuar nga froni Krishtin, për të shkatërruar popullin e Tij dhe për të shtënë në dorë qytetin e Zotit, ia ka nxjerrë të palarat në shesh kryemashtruesit. Ata që janë bashkuar me të, e kuptojnë se kauza e tij ka dështuar plotësisht. Ndjekësit e Krishtit dhe engjëjt hyjnorë shohin makinaSionet e tij kundër qeverisjes së Perëndisë bardhë e zi. Ai është në qendër të urrejtjes mba-rëbotërore. KiM 651.3

Satani e kupton se rebelimi i projektuar dhe zbatuar prej tij e ka bërë të papërshtatshëm për të jetuar në qiell. Ai është stërvitur për vite me radhë për ta luftuar Zotin, pastërtia, paqja dhe harmonia qiellore do të përbënin për të një torturë të papërshkueshme. Akuzat e tij kundër mëshirës dhe drejtësisë së Perëndisë nuk dëgjohen më. Urrejtja që është përpjekur të ngjallë për Jehovain i ka rënë mbi kokë. Tani Satani përulet dhe shpall kështu drejtësinë që mbart në vetvete dënimi i tij. KiM 652.1

“Kush nuk do të të druajë, O Zot, dhe nuk do lëvdojë emrin Tënd? Sepse vetëm Ti je i Shenjti; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara Teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.” (vargu 4). Çdo pyetjeje për të vërtetën dhe gënjeshtrën, që ka lindur gjatë kësaj kontradikte të stërgjatë, i është dhënë përgjigje. Sytë e të gjitha krijesave u hapën për të parë rezultatet e rebelimit dhe frytet e mohimit të urdhëresave hyjnore. Universit mbarë i është parashtruar ndryshimi mes sundimit të Satanit dhe qeverisjes së Perëndisë. Satanin e kanë dënuar veprat e duarve të tij. Mençuria, drejtësia dhe mirësia e Zotit qëndrojnë të patundura në vend nderi. Duket qartë se çdo veprim i Tij gjatë shekujve të kontradiktës së madhe është frymëzuar vetëm nga dëshira për t’i bërë mirë popullit të Tij dhe botëve që ka krijuar. “Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, O Zot, dhe shenjtorët e Tu do të të bekojnë.” (Psalmi 145:10). His-toria e mëkatit do të mbetet sa të jetë përjetësia dëshmi, që tregon se lumturia e të gjitha krijesave është e lidhur ngushtë me ekzistencën e Ligjit të Perëndisë. Duke pasur në mendje faktet e kontradiktës së madhe, i gjithë universi, si njerëzit besnikë, ashtu edhe ata jobesnikë deklarojnë me një zë: “Të drejta e të vërteta janë udhët e Tua, o Mbret i kombeve”. KiM 652.2

Përpara universit mbarë shfaqet edhe një herë sakrifica e madhe që ka bërë Ati dhe Biri në emër të njerëzimit. Ka ardhur ora që Krishti të lëvdohet e të zërë vendin e Tij mbi të gjitha prin-cipatat, fuqitë dhe mbi çdo emër tjetër. Për gëzimin që e priste - që të mund të vishte me lavdi shumë njerëz - ai duroi kryqin dhe përçmoi turpin e Tij përpara botës. Gëzimi dhe lavdia janë akoma më të mëdha se trishtimi dhe turpi. Ai sheh të çliruarit, të ri-novuar sipas shëmbëlltyrës së Tij me gjurmë të pagabueshme shenjtërie, çdo fytyrë - pasqyrë ngjashmërie me vetë Mbretin; shquan në to frutet e punës së Tij rraskapitëse dhe kënaqet. Më pas, me një zë të fuqishëm që depërton deri tek turmat si të të denjëve ashtu edhe të të padenjëve, ai deklaron: “Shikoni vlerën e gjakut Tim! Për këta vuajta, për këta vdiqa që ata të qëndrojnë në prezencën Time gjatë gjithë shekujve të për-jetësisë.” Ndërsa ata, që janë veshur me të bardha pranë fronit, i këndojnë lavde: “I denjë është Qengji që u ther të marrë fuqinë, pasurinë, diturinë, forcën, nderin, lavdinë dhe bekimin.” (Zbule-sa 5:12). KiM 652.3

Megjithëse Satani është detyruar që të njohë drejtësinë e Perëndisë dhe t’i përulet epërsisë së Krishtit, karakteri i tij ka mbetur po ai. Fryma e rebelimit si një rrymë e fuqishme, va-zhdon të lëvrojë. I verbuar nga budallallëku ai vendos të mos i japë fund kështu kësaj kontradikte. Ka ardhur koha për t’u nde-shur për të fundit herë me Mbretin qiellor. Ai turfullon në mes të radhëve të ushtarëve të tij dhe përpiqet që t’i frymëzojë ata me tërbimin e tij e t’i bëjë t’i hyjnë betejës me vrull. Por nga ata mijëra njerëz që i ka magjepsur deri në rebelim nuk ka asnjë që t’i besojë epërsisë së tij. Njerëzit e ligj përjetojnë të njëjtën urrejtje, që frymëzon edhe Satanin, por e kuptojnë se kauzës së tyre i ka ardhur fundi e se nuk mund ta mundin Jehovain. Tërbimi i tyre drejtohet kundër Satanit dhe bashkëpunëtorëve të tij në mashtrim dhe me zemërim demonësh ata i sulen atyre. KiM 653.1

Zoti thotë: “Me qënë se e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë, prandaj ja, Unë do të sjell kundër teje kombet më të tmerrshme, këta do të zhveshin shpatat e tyre kundër shkëlqimit të diturisë sate dhe do të ndotin bukurinë tënde. Ti do të zbresësh në gropë.” “Të kam shkatërruar, o kerubin mbrojtës në mes gurësh zjarri... Unë po të hedh përtokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin... Je bërë objekt tmerri dhe nuk do të ekzistosh kurrë më.” (Ezekiel 28:6-8; 16-19). “Çdo betejë luftëtarësh është e zhurmshme dhe me petka të zhytura në gjak, por kjo do të jetë me djegie dhe zjarr” “Zoti është zemëruar me të gjitha kombet, është indinjuar me të gjitha ushtritë e tyre: ai ka vendosur shkatërrimin e tyre, i braktis në masakër” “Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.” (Isaia 34;2); (Psalmi 11:6). Zjarri zbret nga qielli. Toka plasaritet. Armët e fshehura në thellësitë e saj dalin në pah. Nga çdo e çarë dalin flakë përvëluese. Edhe shkëmbinjtë marrin flakë. Toka digjet si furrë. Elementët shkrijnë nga nxehtësia marramendëse, veprat dhe toka vetë zhuriten deri në zhdukje. (Malakia 4:1); (2Pjetrit 3;10). Sipërfaqja e tokës i ngjan një mase që zien - një liqeni të madh zjarri. Eshtë ora e gjykimit dhe zhdukjes së njerëzve të padenjë - “dita e hakmarrjes së Zotit, viti i shpërblimit për çështjen e Sionit” (Isaia 34). KiM 653.2

Të padrejtët e marrin shpërblimin në tokë. (Fjalët e Urta 11:31) Ata “do të veprojnë me pabesi; dita që po vjen do t’i djegë - thotë Zoti i ushtrive.” (Malakia 4:1). Disa shkatërrohen në moment, ndërsa disa të tjerë vuajnë disa ditë. Të gjithë dënohen “sipas veprave të tyre” Mëkatet e njerëzve të drejtë i kalohen Satanit, ai do të vuajë jo vetëm për rebelimin e tij, por edhe për mëkatet që i ka shtyrë të kryejnë njerëzit e Perëndisë. Dënimi i tij do të jetë shumë më i rëndë se i atyre që ai ka mashtruar. Ai do të vazhdojë të jetojë e të vuajë edhe pas zhdukjes së të gjithë preve të tij mëkatare. Femohuesit do të shkatërrohen nga flakët që nga rrënjët e deri në degë - Satani rrënja, pasuesit e tij degët. Eshtë dhënë edhe dënimi përfundimtar, kërkesat e drejtësisë janë përmbushur dhe qielli e toka - dëshmitarë - deklarojnë drejtësinë e Zotit. KiM 654.1

Punës shkatërruese të Satanit i ka ardhur fundi përgjithmonë. Ai ka bërë çfarë ka dashur, duke i sjellë mallkim tokës dhe trishtim mbarë universit për më se 6 000 vjet. I gjithë krijimi është ankuar e ka vuajtur në heshtje. Tani, krijesat e Perëndisë marrin frymë të lira nga tundimet dhe larg pranisë së tij. “Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit [e drejtë] shpërthejnë në britma gëzimi.” (Isaia 14:7). Një britmë triumfi dhe lëvdimi del nga zem-ra e universit mbarë. KiM 654.2

“Zëri i një turme të madhe” si “zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta” dëgjohet tek thotë: “Haleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë i Plotfuqishmi!” (Zbulesa 19:6). KiM 654.3

Ndërsa tokën e kishte përfshirë zjarri i shkatërrimit, të drejtët qëndronin të sigurt në Qytetin e Shenjtë. Vdekja nuk ka ç’u bën atyre që morën pjesë në ringjalljen e parë. Ndërsa për të padenjët Perëndia u bë zjarr përvëlues, Ai është diell dhe mburojë për popullin e tij. (Zbulesa 20:6); (Psalmi 84:11). KiM 654.4

“Pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar” (Zbulesa 21:1). Zjarri që bën shkrumb e hi të pabesët, pastron njëkohësisht edhe tokën. Fshihet çdo gjurmë mallkimi. Të shpëtuarve nuk do t’ia kujtojë pasojat e frikshme të mëkatit ndonjë ferr, që digjet në përjetësi. KiM 655.1

Mbetet një kujtim i vetëm: Shpëtimtari ynë do të ketë gjith-monë në duar shenjat e kryqëzimit. Në kokën e Tij të plagosur, në ije, mbi duart dhe këmbët e Tij gjenden të vetmet gjurmë të punës mizore, që ka kryer mëkati. Duke parë në vizion Krishtin dhe lavdinë e Tij, profeti thotë: “rreze si shkëndija dilnin nga ija e Tij dhe aty fshihej fuqia e tij.” (Habakuku 3:4). Ajo ije e shpuar nga ku rodhi rrëkeja e kuqe, që pajtoi njeriun me Perëndinë, është edhe vendfuqia e Shpëtimtarit, vendi ku fshihet lavdia e Tij. KiM 655.2

“I plotfuqishëm për të çliruar” përmes flijimit shlyerës, Ai ishte edhe i gatshëm që të ushtronte drejtësi mbi të gjithë ata që e përçmuan mëshirën e Perëndisë. Shenjat e poshtërimit përbëjnë edhe nderin e Tij më të madh; përmes dekadave të përjetësisë, plagët e Kalvarit do të nxjerrin në pah lavdërimin dhe do të deklarojnë fuqinë e Tij. KiM 655.3

“Ti kullë e kopesë, kala e bijës së Sionit, Ty do të vijë sundimi i lashtë.” (Mikea 4:8). Ka ardhur koha, që shenjtorët e kanë pritur me padurim që nga momenti që shpata shndritëse ua bllokoi hyrjen në Eden çiftit të parë, koha “për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë.” (Efesianët 1:14). Toka, që fillimisht iu dha njeriut si mbretëri e tij e që më pas kaloi tradhëtisht në duart e Satanit, pushtuar për një kohë të gjatë nga armiku i fuqishëm, është çliruar tashmë nga plani i shpëtimit. KiM 655.4

Është rifituar gjithçka që humbi nga mëkati. “Kështu thotë Zo-ti...që ka formuar tokën dhe e ka bërë; Ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej.” (Isaia 45:18). Qëllimi fillestar i Perëndisë në krijimin e tokës, dhuratën e jetës së përjetshme të të shpëtuarve, është reali-zuar. “Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.” (Psalmi 37:29). KiM 655.5

Frika, që po ta përmendnim shumë do bënim të duket trashëgimia jonë e së ardhmes si diçka tepër materiale, i ka shtyrë shumë njerëz të mos mendojnë për të vërtetat, që na bëjnë ta shohim atë si shtëpinë tonë. Krishti i siguroi dishepujt e Tij që po largohej për të përgatitur dhoma për ta në shtëpinë e Atit. Ata, që i pranojnë si të vërteta mësimet e fjalës së Perëndisë nuk do të jenë tërësisht të paditur përsa i përket vendbanimit të tyre qiellor. Megjithatë, “syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan.” (1 Korintasve 2:9). Gjuha njerëzore nuk është në gjendje që ta përshkruajë shpërblimin e të drejtëve. Do t’u shfaqet vetëm atyre që do të shohin me sy. Nuk ka mendje njerëzore që ta mund të kuptojë lavdinë e Parajsës së Perëndisë. KiM 655.6

Në Bibël trashëgimia e të shpëtuarve quhet “atdhe” (Hebrenjtë 11:14-16). Atje Bariu qiellor e drejton tufën e Tij për tek burimet e ujërave të jetës. Pema e jetës jep fryte çdo muaj dhe madje edhe gjethet e saj do t’u duhen kombeve. Aty-këtu ka rrjedha të pashtershme, të pastra si kristal dhe përbri tyre shelgjet lotuese hedhin hije mbi rrugët e përgatitura për të çliruarit e Zotit. Atje lëndinat, njëra pas tjetrës, takojnë kodrat e gjelbra dhe malet e Perëndisë “krenohen” me majat e tyre vigane. Populli i Perëndisë, që është endur dhe ka migruar për një kohë të gjatë, do të gjejë tek këto lëndina paqedashëse dhe përbri këtyre rrëkeve jetëdhënëse, shtëpinë e vet të vërtetë. KiM 656.1

“Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi.” “Nuk do të dëgjohet të flitet më për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu; por do t’i quash muret e tua “Shpëtim” dhe portat e tua “Lavdërim.” “Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër...Të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprat e duarve të tyre.” (Isaia 32:18; 60:18; 65:21,22). KiM 656.2

Atje, “shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili.” “Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mersina.” “Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin...dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.” “Nuk do të bëhet asgjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi malin Tim të shenjtë. - thotë Zoti.” (Isaia 35:1; 55:13; 11:6,9). KiM 656.3

Nuk mund të ketë dhimbje në atmosferën qiellore. Nuk do të derdhen më lot, nuk do të ketë më vargje varrimi dhe as shenja vajtimesh. “Vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma ...sepse gjërat e mëparshme shkuan.” “Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: “unë jam i sëmurë.” Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij.” (Zbulesa 21:4; Isaia 33:24). KiM 657.1

Ja ku është Jeruzalemi i Ri, kryeqyteti i tokës së re të lëvduar, “kurora e shkëlqyer në dorën e Perëndisë tënd.” “Shkëlqimi i tij i ngjante një guri shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.” “Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.” “Zoti thotë: “Do të kënaqem me Jeruzalemin dhe do të gëzohem me popullin tim.” “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i Tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.” (Isaia 62:3); (Zbulesa 21:11,24); (Isaia 65:19); (Zbulesa 21:3). KiM 657.2

“Nuk do të bjerë kurrë nata” në Qytetin e Perëndisë. Askush nuk do të dojë dhe as nuk do të ketë nevojë për pushim. Askush nuk do të lodhet, duke kryer vullnetin e Perëndisë dhe duke i thurur lavde emrit të Tij. Ne do të ndiejmë përgjithmonë freskinë e mëngjesit që nuk do të kalojë kurrë. “Ata nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon.” (Zbulesa 22:5). Dritën e diellit do ta mbysë një shkëlqim që nuk është tmerrësisht rrezatues, por që megjithatë ia kalon pa masë dritës së mesditës. Lavdia e Perëndisë dhe e Qengjit e pushtojnë Qytetin Hyjnor me një dritë që nuk shuhet kurrë. Të çliruarit ecin në lavdinë, që nuk ka nevojë për ndriçimin diellor, të ditës së përjetshme. KiM 657.3

“Nuk pashë asnjë tempull në të, sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i Tij.” (Zbulesa 21;22). Populli i Perëndisë ka nderin e madh që të komunikojë haptazi me Atin dhe Birin. “Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë në mënyrë të errët.” (1 Korintasve 13:12). Ne e shohim imazhin e Perëndisë të reflektuar si në pasqyrë, në veprat e natyrës dhe në marrëdhëniet me njerëzit; por atëherë, atje do ta shohim Atë ballë për ballë pa pasur në mes një perde zbehëse. Ne do të qëndrojmë në praninë e Tij dhe do ta shikojmë me sytë tanë lavdinë e fytyrës së Tij. KiM 657.4

Atje, të shpëtuarit do të njohin ashtu siç edhe do të njihen. Dashuria dhe dashamirësia, që vetë Perëndia i ka mbjellë në shpirtin e gjithësecilit, do të marrin atje formën e tyre më të vërtetë e më të plotë. Bashkësia e mirëfilltë me qëniet hyjnore, jeta harmonike me engjëjt e bekuar dhe me besnikët e të gjitha kohërave, që i kanë larë e bërë të bardha borë rrobët e tyre në gjakun e Qengjit, lidhjet e shenjta, që bashkojnë “familjen në qiej e në tokë” (Efesianët 9:15) - të gjitha këto, ndërtojnë gurë pas guri lumturinë e të shpëtuarve. KiM 658.1

Atje, mendjet e njerëzve të pavdekshëm do të shqyrtojnë me një kënaqësi të pafund çuditë e fuqisë krijuese, misteret e dashurisë çliruese. Nuk do të ketë më asnjë armik mashtrues dhe mizor që të na joshë derisa ta harrojmë Perëndinë. Çdo af-tësi do të zhvillohet më tej, çdo cilësi do të përsoset akoma edhe më shumë. Njohuritë e reja nuk do ta lodhin mendjen e as nuk do t’i shterojnë energjitë. Atje mund të realizohen ëndrrat më të mëdha, mund të arrihen aspiratat më të bukura, mund të bëhen realitet synimet më të guximshme e megjithatë do të shfaqen lartësi të reja që duhen kaluar, çudi të reja që duhen admiruar, të vërteta të reja, që duhen kuptuar dhe qëllime të reja, që kërkojnë përkushtim mendjeje, shpirti dhe trupi. KiM 658.2

Thesaret e universit do të zbulohen përpara të zgjedhurve të Perëndisë. Të paprekur nga vdekja, ata hapin krahët për të fluturuar pa u lodhur drejt botëve të largëta, - drejt botëve, që i trishtoi pamja e rrënimit njerëzor, por që kënduan himne gëzimi kur dëgjuan lajmin e shpirtrave të shpëtuar. Fëmijët tokësorë hyjnë, duke përjetuar një çudi të papërshkrueshme, në gëzimin dhe mençurinë e qenieve të pafajshme. Ata marrin pjesë në thesaret e njohurisë dhe dijes së fituar nga shekulli në shekull, në planin e duarve të Perëndisë. Sytë e tyre shquajnë pa as më të voglën pengesë, lavdinë e krijimit - diejt, yjet dhe sistemet qiellore, që në rregullin e duhur, qarkojnë fronin e Perëndisë. Të gjitha gjërat, nga më e vogla tek më e madhja, mbajnë vulën e emrit të Krijuesit dhe tregojnë thellësitë e fuqisë së Tij. KiM 658.3

Ndërsa vitet e përjetësisë ia lënë vendin njëri-tjetrit, ata do të zbulojnë më mirë, më lavdishëm, karakterin e Perëndisë dhe të Krishtit. Dashuria, respekti dhe lumturia do të shtohen me rritjen e njohurive. Sa më shumë do të mësojnë për Perëndinë, aq më shumë do ta adhurojnë ata karakterin e Tij. Ndërsa Jezusi zbulon përpara tyre pasuritë e shpëtimit dhe arritjet e mrekullueshme gjatë kontradiktës me Satanin, zemrat e të shpëtuarve drithëro-hen me një përkushtim të zjarrtë dhe me një gëzim entuzi-azmues dhe ata i bien harpave të arta, ndërsa dhjetë mijë shumëzuar me dhjetë mijë e mijëra e mijëra zëra të tjerë bash-kohen për t’i dhënë jetë korit të fuqishëm të lëvdimit. KiM 658.4

“Çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjithë gjërat sa janë në to, thonin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.” (Zbulesa 5:13). KiM 659.1

Konfliktit të Madh i ka ardhur fundi. Mëkati dhe mëkatarët janë zhdukur pa gjurmë. Universi mbarë është i pastër. Një im-puls i vetëm harmonie dhe gëzimi ndjehet në të gjithë krijimin e pafund. Ai që krijoi gjithçka i fal jetë, dritë dhe gëzim gjithë skajeve të hapësirës së pamasë. Nga atomi pa peshë deri tek bota e madhe, të gjitha gjërat me jetë dhe pa jetë, me bukurinë e tyre të pacënuar dhe me gëzimin e tyre të përsosur deklarojnë se Perëndia është dashuri! KiM 659.2

1. Çfarë nënkupton për universin e Perëndisë fundi i Konfliktit të Madh midis Krishtit dhe Satanit? KiM 659.3

2. Karakteri i Satanit qëndron i pandryshuar që nga koha kur ran në mëkat e deri tani. Lexoni Isaian 14:13,14. Si do të sillet Satani kur të zbresë Jeruzalemi i Ri? KiM 659.4

3. Malakia 4:1 thotë se “të padrejtët do të jenë si kallmishtet: dhe dita që po vjen do t’i djegë ata.” Si mundet një Perëndi i dashur dhe i mëshirshëm të shkatërrojë këtë tokë dhe banorët e saj? KiM 659.5

4. Seria e Konfliktit të Kohërave përfundon ashtu siç filloi tek Patriarkët dhe Profetët me universin e pastruar nga mëkati dhe gjithë krijesat deklarojnë se Perëndia është dashuri. Si e keni kuptuar edhe më mirë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet leximit të këtyre serive? KiM 659.6