Konflikti I Madh
39.—Koha e Trazirave
Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd; dhe do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si nuk ka pasur kurrë, që kurse ekzistojnë kombet e deri në atë kohë, e pikërisht në atë kohë do të çlirohen, edhe njerëzit e tu, të gjithë, emrat e të cilëve do të gjenden të shkruar në libër.” (Danieli 12:1) KiM 597.1
Me t’u dhënë edhe mesazhi i engjëllit të tretë, nuk ka më mëshirë për banorët mëkatarë të botës. Njerëzit e Perëndisë e kanë kryer detyrën e tyre. Ata e kanë pranuar “shiun e fundit”, kohën e flladit të pranisë së Zotit dhe janë gati për t’i bërë ballë orës së provës së madhe. Engjëjt nxitojnë nga njëri vend tek tjetri. Një engjëll, duke u kthyer nga toka deklaron se e ka kryer punën e tij; bota është ballafaquar me provën përfundimtare dhe të gjithë ata, që janë treguar besnikë ndaj urdhëresave hyjnore kanë marrë vulën e Perëndisë që jeton. Në këtë moment Jezusi nuk është më ndërmjetës në shenjtoren qiellore. Ai ngre duart lart dhe me zë të lartë thotë: “U krye” dhe më pas engjëjt heqin kurorat e tyre mbretërore, ndërsa Ai thotë solemnisht: “Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet.” (Zbulesa 22:11). Eshtë marrë çdo vendim jete a vdekjeje. Krishti ka kryer shlyerjen dhe fshirjen e mëkateve të popullit të Tij. Numri i shtetasve të Tij është bërë i njohur; mbretëria, sundimi dhe madhështia e më të madhes mbretëri nën qiell, është bërë gati për t’iu dhënë trashëgimtarëve të shpëtimit dhe Jezusi do të mbretërojë që nga ky moment Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. KiM 597.2
Me t’u larguar Ai nga shenjtorja, banorët e tokës i mbulon errësira. Gjatë asaj kohe të frikshme të drejtët duhet të ballafaqohen me Perëndinë pa ndihmën e një ndërmjetësi. Kufiri mbrojtës i vendosur edhe mbi njerëzit e ligj nuk ekziston më dhe Satani i ka ata plotësisht nën kontroll. Vuajtjes së gjatë të Perëndisë i ka ardhur fundi. Bota e ka mohuar mëshirën e Tij, e ka përçmuar dashurinë e Tij dhe e ka shkelur me këmbë ligjin e Tij. Të padenjët e kanë kaluar kufirin e provës së tyre, Fryma e Shenjtë, së Cilës i kanë bërë ballë për një kohë kaq të gjatë, i ka braktisur më në fund. Të pastrehuar në hirin hyjnor, ata janë të pambrojtur përpara të Ligut. Pikërisht atëherë Satani do t’i zhysë banorët e tokës në një trazim të madh të fundit. Ndërsa engjëjt e Perëndisë nuk i kontrollojnë më erërat e pasionit njerëzor, të gjithë elementët e kontradiktave do të lirohen nga zinxhirët. Bota mbarë do të rrënohet më keq se Jeruzalemi i dikurshëm. KiM 598.1
Një engjëll i vetëm solli vdekjen e të gjithë të parëlindurve egjiptianë dhe e mbushi vendin me lot e vaj. Kur Davidi e ofendoi Perëndinë, duke numëruar popullin, një engjëll ishte ai që shkaktoi shkatërrimin- dënim të këtij mëkati. E njëjta fuqi shkatërruese, që ushtrohet nga engjëjt e shenjtë, kur urdhëron Perëndia, do të vihet në punë edhe nga engjëjt mëkatarë, kur lejon Perëndia. Përreth nesh ka forca të gatshme që nuk presin asgjë tjetër veçse lejen hyjnore për të shkatërruar gjithçka. KiM 598.2
Ata që e nderojnë ligjin e Zotit janë akuzuar si shkaktarë të fatkeqësive botërore dhe do të konsiderohen si mbartës të ndryshimeve të frikshme të natyrës, të mosmarrëveshjeve dhe gjakderdhjes mes njerëzve dhe do të mendohet se janë ata që po i sjellin mallkim këtij planeti. Fuqia që shoqëron paralajmëri-min e fundit i ka tërbuar njerëzit zemërligj; zemërimi i tyre drejtohet kundër atyre që e kanë pranuar këtë mesazh dhe Sa-tani do ta nxisë akoma dhe më shumë frymën e urrejtjes dhe persekutimit. KiM 598.3
Kur Perëndia e fshehu fytyrën e Tij përpara kombit çifut, as priftërinjtë dhe as populli nuk e kuptuan një gjë të tillë. Edhe pse ishin nën kontrollin e Satanit dhe të pushtuar nga pasionet më të tmerrshme dhe keqdashëse, ata vazhdonin të mendonin se ishin populli i zgjedhur i Zotit. Shërbesat vazhdonin në tempull, në al-tarët e tij të ndotur vazhdonin të ofroheshin flijime dhe çdo ditë kërkohej bekimi hyjnor për një popull, që përpiqej të zhdukte pastorët dhe apostujt e Perëndisë dhe që ishte fajtor për gjakun e Birit të dashur të Perëndisë. Në të njëjtën mënyrë kur në shenjtoren qiellore të jetë marrë vendimi përfundimtar dhe të jetë përcaktuar fati i pandryshueshëm i kësaj bote, banorët e tokës nuk do ta dinë një gjë të tillë. Format e fesë do të mbahen gjallë nga njerëz, që nuk udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë. Zelli satanik, me të cilin princi i errësirës do t’i frymëzojë këta njerëz, që t’i zbatojnë në praktikë skemat e tij të pamëshirshme, do t’i ngjajë zellit që vjen nga Perëndia. KiM 598.4
Duke qenë se E Shtuna është kthyer në pikën kyçe të kontra-diktës së madhe në vendet e Krishtera dhe autoritetet fetare dhe sekulare janë bërë një për ta bërë adhurimin e së dielës të detyrueshëm, mosdorëzimi këmbëngulës i një pakice të vogël ndaj kërkesave njerëzore do t’i vërë ata në qendër të urrejtjes mbarëbotërore. Do të theksohet se ata të paktë njerëz, që e kundërshtojnë këtë rit fetar dhe këtë ligj shtetëror nuk duhen lënë të lirë të bëjnë çfarë të duan dhe se është më mirë që të vuajnë ata se sa të gjitha kombet t’i përfshijë rrëmuja dhe çrreg-ullimi. Një mijë e tetëqind vjet më parë sunduesit e kombeve përdorën të njëjtën argument kundër Krishtit. Eshtë e lever-disshme për ne, - tha Kajafa dinak, - që të vdesë vetëm një njeri për popullin dhe të mos humbasë gjithë kombi. (Gjoni 11:50). Një argument i tillë do të jetë vendimtar dhe së fundi do të miratohet një dekret kundër të gjithë atyre, që e nderojnë Të Shtunën e urdhëresës së katërt, duke deklaruar se ata meritojnë dënimin më të ashpër dhe, duke u dhënë njerëzve, pas një farë kohe, dorë të lirë për t’i vrarë ata. Romanizmi në Botën e Vjetër dhe Protestanizmi femohues në Botën e Re do të ndjekin të njëjtën rrugë në lidhje me ata, që i respektojnë të gjitha urdhëresat hyjnore. KiM 599.1
Njerëzit e Perëndisë do të përjetojnë shqetësimet dhe ankthin që përshkruhen nga profeti në kohën e vështirësive të mëdha të Jakobit: “Kështu thotë Zoti: Ne kemi dëgiuar një brit-më tmerri, frike dhe jo paqeje... Pse tërë fytyrat janë bërë të zbehta? Medet, sepse ajo ditë është e madhe; nuk pati kurrë ndonjë të ngjashme me të; do të jetë një kohë ankthi për Jakobin, por ai do të shpëtojë prej tij.” (Jeremia 30:5-7). KiM 599.2
Nata e ankthit të Jakobit kur ai lutej me ngulm që të shpëtonte nga dora hakmarrëse e Esaut (Zanafilla 32:24-30), përfaqëson përvojën e popullit të Perëndisë në orën e vështirësive të mëdha. Duke qenë se kishte mashtruar për të fituar bekimin e të atit, që i takonte në fakt Esaut, Jakobi u largua nga shtëpia për të ruajtur kokën i tmerruar nga kërcënimet vdekjeprurëse të të vëllait. Pasi qëndroi për vite me radhë në mërgim ai, duke iu përgjigiur urdhërit të Perëndisë, filloi udhëti-min bashkë me gratë, fëmijët dhe bagëtitë e tij drejt vendlindjes së vet. Me të arritur në kufijtë e vendit ai u frikësua nga lajmi që Esau në krye të një skuadre luftëtarësh po afrohej padyshim i gatshëm për t’u hakmarrë. Shoqëruesit e Jakobit, të paarmato-sur e të pambrojtur, dukeshin sikur do të binin viktima të dhunës dhe urrejtjes. E për më tepër, barrës së ankthit dhe frikës iu shtua edhe pesha mbytëse e vetëqortimit, sepse ishte mëkati i tij (Jakobit) që i kishte vënë në një rrezik të madh. KiM 600.1
Shpresa e tij e vetme ishte mëshira e Perëndisë; mbrojtja e tij e vetme, lutja. Megjithatë ai bëri gjithçka që ka në dorë për ta shlyer të keqen që i ka bërë të vëllait dhe për ta shmangur rrezi-kun kërcënues. Kështu duhet të veprojnë edhe pasuesit e Krish-tit: ndërsa i afrohen orës së vështirësive të mëdha ata duhet të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për t’iu shfaqur njerëzve në dritëhijen e duhur, për ta çarmatosur paragjykimin dhe për ta shmangur kështu rrezikun, që i kanoset lirisë së ndërgjegjes. KiM 600.2
Duke e larguar familjen, në mënyrë që ata të mos ishin dëshmitarë të shqetësimit të tij, Jakobi qëndron vetëm, i gatshëm për të hyrë në bisedime me Perëndinë. Ai rrëfen mëkatin e tij dhe e pranon me mirënjohje mëshirën që Zoti ka treguar ndaj tij, ndërsa lutet i përulur; duke kujtuar besëlidhjen e Perëndisë me etërit e tij dhe premtimet që iu bënë atij vetë gja-të natës së vizionit në Bethel dhe gjatë viteve të mërgimit. Jeta e tij është në krizë; gjithçka është në rrezik. Në errësirë e në vetmi ai vazhdon t’i lutet i përulur Perëndisë. Pa pritur ndjen një dorë mbi sup. Mendon se është një armik që do ta vrasë dhe me gjithë energjinë e dëshpërimit që ndjen lufton me sulmuesin e tij. Me të zbardhur dita, i huaji përdor fuqinë e tij të mbi-natyrshme dhe vetëm prekja e tij duket sikur e paralizon njeriun e fuqishëm dhe ai i lutet i përlotur dhe i pashpresë armikut të tij misterioz. Jakobi e kupton tashmë se ai është përleshur me vetë engjëllin e besëlidhjes. Edhe pse ndjehet i pafuqishëm dhe i trishtuar, ai nuk heq dorë nga qëllimi i tij. Ai ka përjetuar për një kohë të gjatë ankth, dhimbje dhe keqardhje për atë që ka bërë dikur e tani duhet të sigurohet se është i falur. Vizitori hyjnor bëhet gati për t’u larguar, por Jakobi kapet fort pas tij, duke iu lutur për një bekim. Engjëlli i tha: “Lermë të shkoj, se po lind agi-mi.” Por Jakobi iu përgjigj:Nuk do të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë. Çfarë besimi, qëndrueshmërie dhe këmbëngulje vihet re në këto fjalë! Sikur ky të kishte qenë një pretendim arrogant dhe i hamendshëm, Jakobi do të ishte shkatërruar në moment; por ai ishte thjesht një njeri, që rrëfen dobësitë dhe parëndësinë e vet dhe vazhdon t’i besojë mëshirës së një Perëndie që ruan besëlidhjen. KiM 600.3
Me forcën e vet luftoi me Engjëllin dhe fitoi. (Osea 12:6). Përmes përuljes, pendesës dhe vetëdorëzimit, ky njeri mëkatar dhe i padenjë fitoi ndaj Engjëllit qiellor. Ai u kap fort me duart që i dridheshin tek premtimet e Perëndisë dhe zemra e Dashurisë Pafund nuk mund të mos e pranonte lutjen e këtij mëkatari. Si provë triumfi dhe si shenjë inkurajimi për të tjerët, emri i tij ndryshoi nga një emër- kujtimi mëkati në një emër- përkujtim fitoreje. Fakti që Jakobi fitoi me Perëndinë ishte garanci, që provonte se ai do të fitonte edhe me njerëzit. Ai nuk kishte më frikë që të ballafaqohej me inatin e të vëllait, sepse Zoti ishte mburoja e tij. KiM 601.1
Satani e kishte akuzuar Jakobin përpara engjëjve të Perëndisë, duke pretenduar se ai duhej zhdukur për shkak të mëkatit të tij. Ai e kishte frymëzuar Esaun që të marshonte kundër tij dhe ai u përpoq që gjatë natës së gjatë të agonisë së patriarkut ta bënte atë të ndjehej fajtor e të dekurajohej deri në atë pikë sa ta harronte Perëndinë. Jakobi ishte me të vërtetë i dëshpëruar, por e dinte që pa ndihmën qiellore do të ishte i humbur me gjithçka. Ai ishte penduar me sinqeritet për mëkatin e tij dhe me zemër të pastër i bëri thirrje mëshirës së Perëndisë. Asgjë nuk do ta zbrapste përpara qëllimit që i kishte vënë vetes, prandaj e rroku fort engjëllin, duke qarë me lot e duke iu lutur me zë të dridhur derisa ia doli mbanë. KiM 601.2
Ashtu si e nxiti Esaun që të marshonte kundër Jakobit, ashtu do t’i frymëzojë Satani edhe njerëzit e ligj që të shkatërrojnë në orët e vështirësive të mëdha, popullin e Perëndisë. Dhe ashtu si akuzoi Jakobin, ai do të ngrerë akuzat e tij kundër popullit të Perëndisë. Ai konsideron banorët e tokës si skllevër të tij dhe nuk i pëlqen ai grupi i vogël që, duke respektuar urdhëresat e Perëndisë i bëjnë ballë pushtetit të tij suprem. Sikur të mund t’i zhdukte ata nga faqja e dheut, triumfi i tij do të ishte i plotë. Ai shikon engjëjt e shenjtë që i mbrojnë ata dhe arrin në konkluzionin që mëkatet e tyre janë falur, por në të vërtetë ai nuk e di se gjithçka është vendosur në shenjtoren qiellore. Ai i di mirë të gjitha mëkatet që kanë kryer ata, duke rënë pre e tundimeve të tij dhe i paraqet ata përpara Perëndisë më të fryrë se kurrë, duke i vizatuar ata si njerëz, që si ai vetë e meritojnë urrejtjen e Perëndisë. Ai deklaron se Perëndia i drejtë nuk mund t’i fali mëkatet e popullit të tij dhe njëkohësisht të shkatërrojë Satanin dhe engjëjt e tij. Ai i quan ata prenë e tij dhe kërkon që t’i lihet rrugë e lirë veprimi për t’i shkatërruar ata njëherë e përgjithmonë. KiM 602.1
Ndërsa Satani i akuzon njerëzit e Perëndisë për mëkatet e tyre, Zoti e lejon që t’i vërë ata në provë deri në pikën e fundit. Besimi tek Perëndia dhe qëndrueshmëria e tyre do të vihen në një provë të vështirë. Ndërsa shqyrtojnë të shkuarën ata deku-rajohen, sepse në jetën e tyre vënë re shumë pak elemente të së mirës. Ata janë më se të ndërgjegjshëm për dobësinë dhe parëndësinë e tyre. Satani përpiqet që t’i frikësojë ata me anë të mendimit se nuk kanë as më të voglën shpresë dhe se njolla e padrejtësisë së tyre nuk do të mund të lahet kurrë. Duke bërë këtë ai shpreson që ta groposë besimin e tyre, që ata t’i dorëzo-hen tundimeve të tij dhe të heqin dorë nga besnikëria ndaj Perëndisë. KiM 602.2
Megjithëse njerëzit e Zotit do të rrethohen nga armiq, qëllimi i vetëm i të cilëve është shkatërrimi i tyre, ankthi që ata për-jetojnë nuk vjen si rrjedhim i persekutimit për hir të së vërtetës, por për shkak të frikës që ata ndiejnë se mund të mos jenë penduar për çdo mëkat dhe se nuk do të mund ta përmbushin për fajin e tyre premtimin e Shpëtimtarit: Unë do të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi të gjithë botën. (Zbulesa 3:10). Sikur të ishin të sigurt se iu ishin falur mëkatet ata nuk do të dridheshin përpara torturave apo vdekjes, po sikur të jenë të padenjë dhe të humbin jetën e tyre falë të metave të karakterit, atëherë emri i shenjtë i Perëndisë do të përbaltej. KiM 602.3
Nga çdo anë ata dëgjojnë komplote tradhëtie dhe shohin punën aktive të rebelimit e brenda tyre lind një dëshirë e zjarrtë dhe e ethshme që kjo lëvizje femohuese të përfundojë shpejt dhe ligësisë së njerëzve t’i vijë fundi. Por ndërsa i luten Perëndisë që t’i bëjnë ballë punës së rebelimit, ata vetë, duke përjetuar një ndjenjë të fortë vetëqortimi nuk kanë forcën e duhur që t’i qëndrojnë apo ta zprapsin valën e fuqishme të mëkatit. Ata mendojnë se, sikur t’i kishin përdorur të gjitha af-tësitë e tyre në shërbim të Krishtit, duke fituar çdo ditë fuqi të reja, forcat e Satanit nuk do të ishin aq të mëdha sa të fitonin mbi ta. KiM 603.1
Ata përulen përpara Perëndisë dhe, duke kujtuar se sa të penduar janë treguar për mëkatet e tyre të së shkuarës i luten Shpëtimtarit, duke përdorur fjalët e premtimit të Tij: “Do të ishte me Mua, po, për të bërë paqe me Mua.” (Isaia 27:5). Ata nuk heqin dorë nga besimi edhe pse lutjet e tyre nuk marrin një përgjigje të menjëhershme. Megjithëse përjetojnë një ankth, një shqetësim dhe një çrregullim të madh ata nuk pushojnë së luturi. Ata kapen fort pas fuqisë së Perëndisë ashtu siç u kap edhe Jakobi fort pas Engjëllit dhe zemrat e tyre shqiptojnë fjalët: “Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë.” KiM 603.2
Sikur Jakobi të mos ishte penduar më parë që e fitoi të drejtën e të parëlindurit me mashtrim, Perëndia nuk do ta kishte dëgiuar lutjen e tij dhe nuk do t’ia kishte kursyer me mëshirë jetën. Në të njëjtën mënyrë, në qoftë se populli i Perëndisë, gjatë orës së vështirësive të mëdha, do të ketë mëkate të parrëfyera edhe pse ata do të përjetojnë frikë e ankth, do të jenë të humbur; dëshpërimi do t’ia priste rrugën besimit dhe ata nuk do të kishin as sy, as faqe për t’iu lutur Perëndisë për shpëtim. Por ndërsa e ndiejnë thellë në zemër se nuk janë të denjë për t’i dalë përpara Zotit, nuk kanë fshehur asgjë të keqe nga sytë e Tij. Mëkatet e tyre janë gjykuar dhe fshirë plotësisht e ata i kanë harruar fare ato. KiM 603.3
Satani i bën shumë njerëz të besojnë se Perëndia nuk do t’i kushtojë rëndësi “gabimeve” të tyre në çështjet e vogla të jetës, por Zoti na tregon nëpërmjet trajtimit që i bën Jakobit se Ai as nuk do ta miratojë e as nuk do ta tolerojë ndonjëherë të keqen. Të gjithë ata, që përpiqen t’i shfajësojnë apo fshehin mëkatet e tyre, duke i lënë ato të parrëfyera e të pafalura në faqet e librave qiellorë do të bien në kurthin e Satanit. Sa më fisnik të jetë profesioni i tyre dhe sa më e nderuar pozita që kanë, aq më e mjerë është në sytë e Zotit rruga që ata zgjedhin dhe aq më i sigurt triumfi i kundërshtarit të tyre të madh. Ata që vonohen në përgatitjet e tyre për ditën e fundit nuk mund ta rregullojnë atë as në orën e vështirësive të mëdha dhe as më pas. Rasti i këtyre njerëzve është i pashpresë. KiM 604.1
Ata, të ashtuquajturit të Krishterë, që ballafaqohen me kon-fliktin e fundit të frikshëm të paarmatosur, do t’i rrëfejnë të dëshpëruar e në ankth mëkatet e tyre, ndërsa njerëzit e ligj do të gëzohen nga shqetësimi i tyre. Rrëfime të tilla janë të së njëjtës natyrë me ato të Esaut dhe Judës. Ata që janë autorët e tyre ankohen për rezultatin e mëkatit dhe jo për fajin që mbart ai. Ata as nuk pendohen me të vërtetë dhe as nuk urrejnë me të vërtetë mëkatin. Ata i pranojnë mëkatet e tyre falë frikës së dënimit, por si Farisenjtë e dikurshëm, do të vazhdonin ta përçmonin Perëndinë sikur të mos ekzistonte më gjykimi. KiM 604.2
Historia e Jakobit na siguron se Zoti nuk do t’i braktisë ata që janë mashtruar, tunduar e gënjyer në mëkat, por që janë rikthyer tek Ai të penduar. Ndërsa Satani përpiqet që ta rrënojë këtë grup njerëzish, Perëndia do të dërgojë engjëjt e Tij për t’i mbrojtur ata në rast rreziku. Sulmet e Satanit janë të vendosura dhe të ashpra; mashtrimet e tij të tmerrshme, i dëgjon të qarat e tyre. Ankthi i tyre është i madh dhe zjarri i furnaltës duket sikur do t’i bëjë shkrumb e hi, por Rafinatori do t’i nxjerrë nga furra si ar i provuar mes flakësh. Dashuria e Perëndisë për fëmijët e Tij gjatë periudhës së provave të tyre më të vështira është po aq e zjarrtë dhe e madhe sa në ditët e përparimit të tyre më të suksesshëm, por atyre iu duhet të futen në furrnaltën e zjarrtë, në mënyrë që të digjet dashuria e tyre për botën dhe ata të mundin ta reflektojnë imazhin e Krishtit të pacënuar. KiM 604.3
Periudha e dëshpërimit dhe ankthit që na pret do të kërkojë nga ne një besim, që mund t’i bëjë ballë rraskapitjes, vonesës dhe urisë- një besim që edhe pse vihet në një provë të vështirë, pikërisht për një kohë të tillë. Jakobi fitoi, sepse ai ishte i ven-dosur e këmbëngulës. Fitorja e tij është provë e fuqisë së lutjes së vazhdueshme. Të gjithë ata që do të mbështeten tek premtimet e Perëndisë si bëri ai do të triumfojnë si triumfoi ai. Ata që nuk janë të gatshëm për vetëmohim, për t’u giunjëzuar përpara Perëndisë dhe për t’u lutur vazhdimisht dhe ethshëm për bekimin e Tij, nuk do ta fitojnë atë kurrë. Të luftosh me Perëndinë- sa pak veta e dinë se çfarë do të thotë kjo! Sa të paktë janë ata që i janë drejtuar Perëndisë me një dëshirë kaq të zjarrtë saqë çdo forcë e tyre është vënë në lëvizje. Kur njeriun që lutet e pushtojnë valë të tilla dëshpërimi që nuk ka giuhë që t’i përshkruajë, sa të paktë janë ata që mbështeten me besim të patundur tek premtimet e Perëndisë. KiM 605.1
Atyre që ushtrojnë besim të pamjaftueshëm, iu kërcënohet rreziku i madh i rënies rob të zhgënjimeve satanike dhe të dekre-tit ndërgjegje- kontrollues. E madje edhe në rast se i bëjnë ballë provës, ata do të përjetojnë një ankth dhe shqetësim akoma më të madh gjatë orëve të vështirësive, sepse nuk e kanë zakon t’i besojnë Perëndisë. Ata do të detyrohen t’i mësojnë leksionet e besimit që i kanë flakur tutje dikur, nën një trysni të tmerrshme dekurajimi. KiM 605.2
Ne tani duhet të njihemi me Zotin, duke i vënë në provën e të së vërtetës premtimet e Tij. Engjëjt mbajnë shënim çdo lutje të ethshme dhe të sinqertë. Më mirë të braktisim kënaqësitë egoiste se sa ta lëmë pas dore komunikimin me Perëndinë. Varfëria më e madhe dhe vetësakrifikimi më i plotë me miratimin e Tij, janë më shumë se pasuritë, nderet, rehatllëku dhe shoqëria e zhveshur nga bekimi i Tij. Ne duhet të kalojmë kohë duke u lutur. Nëse i lëmë mendjet tona që të jepen pas in-teresave botërore, Zoti mund të na krijojë “kohë të lirë”, duke iu vënë shkelmin idhujve tanë të arit, shtëpive apo tokave pjellore. KiM 605.3
Të rinjtë nuk do të josheshin drejt mëkatit sikur të mos pra-nonin t’i hynin një rruge tjetër, përveç asaj që ka vulën e bekimit të Perëndisë. Në rast se lajmëtarët e paralajmërimit të fundit solemn do t’i luteshin Perëndisë për t’i bekuar me zell dhe me besim si Jakobi e jo me përtaci, plogështi e ftohtësi ata do të ki-shin mundësi të dëshmonin shpesh. “E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u kursye.” - Zanafilla 32:30. Ata do të quheshin më se të denjë, duke pasur fuqi që të fitojnë me Perëndinë kundër njerëzve. KiM 606.1
“Ora e vështirësive të mëdha, që nuk janë parë kurrë më parë” është afër dhe ne do të na duhet një përvojë shpirtërore që tani nuk e kemi dhe që shumë njerëz nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për ta fituar. Shpesh mendohet se problemet janë më të vështira në mendje se sa në realitet, por kjo teori nuk vlen në lidhje me krizën që na pret. Edhe përshkrimi më i gjallë nuk mund t’i skicojë përmasat e kësaj prove të vështirë. Në atë kohë ankthi, çdo njeriut do t’i duhet të paraqitet vetë para Perëndisë. “Edhe sikur mes tyre të ishin Noe, Danieli dhe Jobi, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, - thotë Zoti, - ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat e tyre sepse drejtësia e tyre do të shpëtonte vetëm ata vetë.” (Ezekieli 14:20). KiM 606.2
Tani, ndërsa Kryeprifti ynë po ndërhyn për ne, ne vetë duhet të përpiqemi që të përsosemi në Krisht. As nuk duhet të na shkojë nëpër mendje se Shpëtimtari ynë mund t’i dorëzohet fuqisë së tundimit. Satani gjen në zemrën njerëzore diçka që i shërben si pikënisje, nxiten disa dëshira mëkatare në shpirt dhe falë tyre i hapet rruga tundimeve të tij. Por Krishti ka thënë për Veten e Tij: “Princi i kësaj bote nuk ka asgjë në Mua.” (Gjoni 14:30). Satani nuk gjeti asgjë në personin e Birit të Perëndisë që t’i jepte atij mundësi për të triumfuar. Ai i kishte respektuar urdhëresat e të Atit me përpikmëri dhe Ai i qëndronte larg mëkatit, në mënyrë që Satani të mos kishte asgjë në dorë kundër Tij. Të kësaj natyre duhet të jenë edhe ata që duan t’i bëjnë ballë orës së provës së madhe. KiM 606.3
Përmes besimit në gjakun shlyerës të Krishtit, ne duhet të veçohemi nga mëkati në këtë jetë. Shpëtimtari ynë i çmuar na fton që të bashkohemi me Të, të bashkojmë dobësinë tonë me forcën e Tij, padijen tonë me mençurinë e Tij, parëndësinë tonë me aftësitë e Tij. Zemërgjerësia e Perëndisë është shkolla ku ne duhet të mësojmë bindjen dhe thjeshtësinë e Krishtit. Zoti madje po na parashtron jo rrugën që do të zgjidhnim ne, që është rruga më e lehtë dhe më e këndshme, por qëllimet e vër-teta në jetë. Na takon ne që të bashkëpunojmë me forcat që përdor Perëndia në punën për t’i rigdhendur karakteret tona si-pas modelit hyjnor. Askush nuk mund ta lërë pas dore apo ta mënjanojë këtë detyrë pa vënë në rrezik shpirtin e tij. KiM 606.4
Apostulli Gjon në vizionin e tij dëgjoi një zë të lartë nga qielli, duke thirrur: “Mjerë iu banorë të tokës e të detit. sepse zbriti djalli drejt jush, duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.” (Zbulesa 12:12). Skenat që e bëjnë të thërrasë me të madhe zërin qiellor, janë të frikshme. Zemërimi i Satanit vjen duke u rritur ndërsa epokës sonë po i vjen fundi dhe mashtrimet e shkatërrimet do të arrijnë kulmin kur të trokasë ora e ankthit të madh. KiM 607.1
Shpejt do të shfaqen në qiej shenja të frikshme të karakterit mbinatyror; prova këto të fuqisë çudibërëse të demonëve. Shpirtrat e demonëve do të shkojnë tek sundimtarët e kombeve dhe në çdo cep të tokës për t’i zënë ata në grackën e mashtrimit dhe për t’i nxitur kështu që të bashkohen me Satanin në përpjekjen e tij të fundit kundër qeverisjes qiellore. Këto forca do të mashtrojnë si sundimtarët, ashtu edhe njerëzit e thjeshtë. Do të shfaqen njerëz, që do të deklarojnë se janë Vetë Krishti, duke pretenduar si të tyren titullin dhe adhurimin që i takojnë Shpëtimtarit të kësaj bote. Ata do të kryejnë mrekulli të papara shërimi dhe do të shpallin se kanë vizione nga qielli që pa as më të voglin dyshim, do të bien ndesh me dëshminë e Shkrimeve të Shenjta. KiM 607.2
Në dramën e madhe të mashtrimit aktin kurorëzues do ta lu-ajë vetë Satani- personifikim i Krishtit. Kisha ka kohë që ka deklaruar se ardhja e Shpëtimtarit do të përbëjë edhe fundin e shpresave të saj. Mashtruesi i madh do të krijojë idenë se Krishti është mes nesh. Në pjesë të ndryshme të botës Satani do të shfaqet mes njerëzve si një qënie madhështore me një shkëlqim marramendës, që i ngjan përshkrimit të Birit të Perëndisë që na jep Gjoni në librin e Zbulesës. (Zbulesa 1:13- 15). Lavdia që e rrethon ia kalon çdo gjëje tjetër që kanë parë ndonjëherë sytë e njerëzve. Kudo dëgjohet britma triumfuese: “Ka ardhur Krishti! Ka ardhur Krishti!” Njerëzit i përulen atij në shenjë adhurimi, ndërsa ai ngre duart lart dhe i bekon ata ashtu siç i bekoi edhe Krishti dishepujt e Tij në tokë. Zëri i tij është i ulët dhe i qetë, por melodioz. Me një ton të këndshëm e të mëshirshëm ai shqipton disa nga të vërtetat e lavdishme qiellore që dikur i ka shpallur edhe Shpëtimtari; ai shëron të sëmurët e më pas, në këmbë të Krishtit, ai pretendon se e ka ndryshuar Të Shtunën në të Dielën dhe i urdhëron të gjithë që ta shenjtërojnë ditën që ai vetë e ka bekuar. Ai deklaron se ata që ngulin këmbë në respektimin e ditës së shtatë po blasfemojnë, duke mos pranuar t’u vënë veshin engjëjve, që dërgohen të mbarsur me dritë e të vërtetë, kundër emrit të Tij. Ky është mashtrimi më i madh, pothuajse i përsosur. Ashtu siç u mashtruan Samaritanët nga Simon Magusi, do të mashtrohen edhe mijëra njerëz, nga më i vogli tek më i madhi, nga këto fuqi absurde dhe këta të fundit do të thonë: “Kjo është fuqia e madhe e Perëndisë.” (Veprat e Apostujve 8:10). KiM 607.3
Por populli i Perëndisë nuk do të gënjehet. Mësimet e këtij krishti të rremë nuk përputhen me Shkrimet e Shenjta. Bekimet e tij iu drejtohen adhuruesve të bishës dhe të figurës së saj, pikërisht atij grupi njerëzish mbi të cilët na thotë Bibla do të derdhet vera e papërzier e zemërimit të Perëndisë. KiM 608.1
E për më tepër Satanit nuk i lejohet që të kopjojë mënyrën e ardhjes së Krishtit. Shpëtimtari i ka paralajmëruar njerëzit e Tij që të mos mashtrohen në këtë pikë dhe e ka paratreguar qartë mënyrën e ardhjes së Tij të dytë. “Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit... Pra, në qoftë se iu thonë: “Ja, është në shkretëtirë”, mos shkoni atje: “Ja është në dhomat e fshehta”, mos u besoni. Sepse si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.” (Mateu 24:24- 27, 31; 25:31); (Zbulesa 1:7; 1) (Selanikasve 4:16,17). Eshtë e pamundur që ta kopjosh këtë ardhje. Do të njihet nga bota mbarë- do të shihet nga të gjithë banorët e saj. KiM 608.2
Vetëm ata, të cilët kanë qenë studentë të zellshëm të Shkrimeve të Shenjta dhe e kanë pranuar me zemër të hapur dashurinë për të vërtetën, do të mbrohen nga forca shkatërruese e këtij mashtrimi që do ta zërë rob botën. Këta njerëz do të mund t’ia çjerrin maskën mashtruesit falë dëshmive Biblike. Koha e provës është për të gjithë. Nga shoshitja e tundimit do të zbulohet i Krishteri i vërtetë. Janë vallë njerëzit e Zotit të lidhur kaq fort me fjalën e Tij saqë nuk i dorëzohen provës së ndjenjave të tyre? A do të kapen ata fort në këtë kohë kritike tek Bibla dhe vetëm tek Bibla? Satani, në qoftë se do të ketë mundësi, do t’i pengojë ata në përgatitjet për t’i bërë ballë orës së provës. Ai do t’i rregullojë gjërat në atë mënyrë që t’u zërë rrugën atyre, duke i bërë ata që të magjepsen pas thesareve tokësore ose të jenë ngarkuar me një peshë kaq të rëndë dhe rraskapitëse sa që zemrat e tyre të jenë aq të dhëna pas problemeve dhe shqetësimeve të kësaj jete sa dita e provës së madhe t’u afrohet si hajdut nate. KiM 609.1
Me t’u miratuar nga qeveritarët e vendeve Kristiane, dekreti kundër të gjithë atyre që i respektojnë urdhëresat dhe me t’u hequr kështu prej tyre mbrojtja e qeverisë, duke i lënë ata në duart e atyre që duan t’i shohin të vdekur, njerëzit e Perëndisë do të largohen nga qytetet e fshatrat dhe do të shoqërohen së bashku në grupe të vogla, duke jetuar në vendet më të shkreta e të izoluara. Shumë prej tyre do të gjejnë strehë në fortesat malore. Ashtu si të Krishterët e lëndinave të Piedmontit, edhe ata do t’i kthejnë vendet e larta në shenjtore e do ta falenderojnë Perëndinë për “shkëmbinjtë e fortifikuar.” (Isaia 33:16). Por shumë njerëz nga kombe e klasa të ndryshme, të rëndësishëm e të parëndësishëm, të pasur e të varfër, të zinj e të bardhë do të bien rob të një skllavërie të padrejtë e mizore. Të dashurit e Zotit kalojnë ditë rraskapitëse, të lidhur në zinxhirë e të mbyllur në burgje, të dënuar me varje në litar a të harruar në qelitë e errëta e të neveritshme, ku vdesin nga uria. Nuk ka asnjë vesh njerëzor që t’i dëgjojë të qarat e tyre dhe nuk ka dorë njerëzore që t’i ndihmojë. KiM 609.2
Po Zoti a do ta harrojë popullin e Tij në një orë prove të tillë? A e harroi Ai Noan besnik kur e gjykoi botën përpara përmbytjes? A e harroi Ai vallë Zotin, kur zjarri zbriti nga qielli për t’i bërë shkrumb e hi qytetet e luginës? E harroi vallë Ai Jozefin kur ky jetonte i rrethuar nga idhulltarët egjiptianë? E harroi Ai vallë Elian kur betimi i Izabelës e kërcënonte atë me të njëjtin fat të profetëve të Baalit? E harroi Ai vallë Jereminë në gropën e errët dhe të mërzitshme të shtëpisë - burg? A i harroi Ai vallë të tre izraelitët trima në furrnaltën përvëluese apo Danielin në kafazin e luanëve? KiM 609.3
“Por Sioni ka thënë: “Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar.” A mundet një grua që ta harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos t’i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë unë nuk do të harroj. Ja unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia.” (Isaia 49:14- 16). Zoti i ushtrive ka thënë: “Ai që iu prek, prek beben e syrit të Tij.” (Zakaria 2:8). KiM 610.1
Edhe pse armiqtë mund t’i burgosin, muret e qelive nuk mund ta ndërpresin komunikimin e këtyre shpirtrave njerëzorë me Krishtin. Ai që sheh çdo dobësi të tyren, që njeh çdo provë që ata kalojnë, është mbi çdo fuqi tokësore; dhe çelitë e tyre të vetmuara do të presin engjëj si mysafirë; engjëj që do të sjellin dritë e paqe qiellore. Burgu do t’i ngjajë një pallati, sepse i pasuri në besim qëndron aty dhe muret e errëta do të ndriçohen nga shkëlqimi hyjnor si atëherë kur Pali dhe Sila u lutën dhe i thurën lavde Perëndisë në mesnatë në qelitë e burgut filipian. KiM 610.2
Ndëshkimi i Perëndisë do të bjerë mbi ata që përpiqen t’i kundërshtojnë e t’i shkatërrojnë njerëzit e Tij. Durimi i Tij i madh me të ligjtë u ka dhënë zemër njerëzve që ta përqafojnë pa frikë padrejtësinë, por megjithatë dënimi i tyre është i sigurt dhe i tmerrshëm, sepse është vonuar ca si shumë. “Zoti do të ngrihet si në malin e Peratsimit, do të zemërohet si në luginën e Gabaonit, për të plotësuar veprën e Tij, veprën e tij të padëgjuar, për të plotësuar punën e Tij të pazakontë.” (Isaia 28:21). Për Zotin tonë të mëshirshëm akti i dënimit është një akt i pazakontë. “Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, - thotë Zoti, - unë kënaqem me vdekjen e të pabesit.” (Ezekieli 33:11). Zoti është “i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri... që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin.” Megjithatë Ai “pa asnjë dyshim do ta zhdukë fajtorin.” “Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun.” (Eksodi 34:6,7); (Nahumi 1:3). Ai do të hakmerret për autoritetin e ligjit të Tij të përbaltur nëpërmjet gjërash të tmerrshme. Një ide e ashpërsisë së hakmarrjes që e pret të padenjin mund të krijohen nga mosdashja e Perëndisë për të ushtruar drejtësi në këtë rast. Kombi, të cilin Ai e ka duruar për një kohë të gjatë dhe që nuk do ta shpartallojë pa e mbushur kupën e padrejtësive sipas gjykimit të Perëndisë, do ta pijë më në fund kupën e zemërimit të papërzier me mëshirë të Zotit. KiM 610.3
Me të pushuar së qëni Krishti ndërmjetësi ynë në shenjtoren qiellore, zemërimit “të papërzier” që iu kanoset atyre që e adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe që marrin damkën e saj mbi ballë, do t’i lihet rrugë e lirë. (Zbulesa 14:9,10) Plagët që për-jetoi Egjipti kur Perëndia ishte gati për të çliruar Izraelitët ishin të ngjashme në karakter me ndëshkimet më të tmerrshme dhe më të mëdha që do të përjetojë bota përpara çlirimit përfundimtar të popullit të Perëndisë. Duke përshkruar këto dënime të llah-tarshme zbuluesi thotë: “Një ulçer e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që e adhurojnë fig-urën e saj.” Deti “u bë si gjaku i një të vdekuri dhe çdo qënie e gjallë në det vdiq.” Dhe “lumenjtë dhe burimet e ujërave u bënë gjak.” Megjithatë të gjitha këto fatkeqësi janë të tmerrshme, drejtësia e Perëndisë ka arsye për hakmarrje. Engjëlli i Zotit deklaron: “Ti je i drejtë o Zot... që i gjykove këto gjëra. Sepse ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe profetëve dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë.” (Zbulesa 16:2- 6). Duke i dënuar njerëzit e Zotit me vdekje, ata e kanë dënuar edhe vetveten me vdekje, me derdhje gjaku. Në të njëjtën mënyrë Krishti në kohën e Tij, i deklaroi çifutët fajtorë për gjakun e derdhur të të gjithë shenjtorëve që nga ditët e Abe-lit, sepse ata frymëzoheshin nga e njëjta frymë dhe përpiqeshin të bënin të njëjtën gjë me vrasësit modernë. KiM 611.1
Gjatë plagës që pason, fuqi i jepet diellit, në mënyrë që ai t’i djegë njerëzit me zjarr. Dhe njerëzit u dogjën nga një nxehtësi e madhe. (vargut 8,9). Më pas, profetët përshkruajnë gjendjen e tokës gjatë kësaj periudhe të frikshme. Fusha është shkretuar, vendi është në zi... tërë drurët e fushës u thanë sepse nuk ka gëzim midis bijve të njerëzve. Farat po thahen nën plisa, depot janë katandisur të shkreta... Sa vuajnë kafshët! Kopetë e gjedhëve sillen kot, sepse nuk ka kullotë për ta... Rrjedhat e ujit janë tharë dhe zjarri ka gllabëruar tokat për kullotë. Atë ditë këngët e tempullit do të bëhen vajtime, - thotë Zoti, - Do të ketë kudo kufoma që do t’i hedhin jashtë në heshtje. (Jo-eli 1:10-12, 17-20); (Amosi 8:3). KiM 611.2
Këto nuk janë plagë mbarëbotërore se përndryshe banorët e tokës do të zhdukeshin pa nam e pa nishan. Megjithatë, ato do të përbëjnë ndëshkimet më të tmerrshme që kanë njohur ndonjëherë qëniet njerëzore. Çdo dënim që iu është bërë njerëzve përpara periudhës së provës së madhe, ka qenë i për-zier me mëshirë. Gjaku shlyerës i Krishtit e ka mbrojtur mëka-tarin nga shpërblimi i plotë i fajit të tij, por gjatë ndëshkimit përfundimtar zemërimi do të shprehet i papërzier me mëshirë. KiM 612.1
Gjatë asaj ore prove me mijëra njerëz do ta duan me shpirt mëshirën e Perëndisë, që e kanë përçmuar për një kohë të gja-të. “Ja, do të vijnë ditët, - thotë Zoti, - gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit. Ata do të shkojnë duke u en-dur nga një det në tjetrin, nga veriu në lindje, do të rendin sa andej këtej në kërkim të fjalës së Zotit, por nuk do ta gjejnë.” (Amosi 8:11,12). KiM 612.2
Edhe njerëzit e Perëndisë do të vuajnë, por ndërsa do të përndiqen e do të trishtohen, ndërsa do të vuajnë urie dhe nuk do të kenë me bollëk, atyre do t’u kursehet jeta. Ai Zot, që u kujdes për Elijan, nuk do ta lërë pas dore asnjërin nga fëmijët e Tij vetëmohues. Ai, që numëron flokët e tyre do të kujdeset për ta e në kohë zie buke ata do të jenë të ngopur. Ndërsa njerëzit e ligj do të vdesin nga uria dhe sëmundjet epidemike, engjëjt do t’i mbrojnë të drejtët dhe do t’ua plotësojnë nevojat atyre. Atij, që ecën me drejtësi i është premtuar: “Buka do t’i jepet atij dhe uji do t’i sigurohet. Të mjerët dhe të varfërit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t’ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t’i braktis.” (Isaia 33:15,16; 41:17). KiM 612.3
Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt tek hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, ata që e nderojnë Perëndinë do të ngazëllohen tek Zoti dhe do të gëzohen tek Perëndia i shpëtimit të tyre. (Habakuku 3:17,18). KiM 613.1
Zoti është Ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde. Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën. Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të të ruaj jetën tënde. Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse. Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore. Ti nuk do të kesh frikë nga terri i natës, as nga shigjeta që fluturon ditën, as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë. Njëmijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetëmijë në të djathtën tënde, por ty nuk do të të afrohet. Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e tu dhe të shikosh shpërbli-min e të pabesëve. Duke qenë se ke thënë: O Zot, ti je streha ime dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde, nuk do të të gjejë asgjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës tënde. (Psalmi 121:5-7; 91:3-10). KiM 613.2
Megjithatë në sytë e njerëzve, do të duket sikur popullit të Perëndisë do t’i duhet ta vulosë dëshminë me gjak siç bënë edhe martirët përpara tyre. Edhe ata vetë fillojnë të kenë frikë e të mendojnë se Zoti i ka lënë pre në duart e armiqve të tyre. Eshtë një periudhë agonie e frikshme. Ata i luten Perëndisë ditë e natë për shpëtim. Njerëzit e pabesë gëzojnë dhe kudo dëgjohet britma e tyre tallëse: Ku e keni besimin tani? Pse nuk iu shpëton Perëndia nga hakmarrja jonë me që jeni me të vërtetë populli i Tij? Por besimtarëve të durueshëm iu kujtohet Jezusi që, ndërsa po vdiste në kryq dëgjoi të tallurat dhe shpotitjet e kryepriftërinjve dhe sundimtarëve: “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Iz-raelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të.” (Mateu 27:42). Si Jakobi, edhe ata luftojnë me Zotin. Shprehjet e fytyrave të tyre rreflektojnë betejën e brendshme. Ata janë të zbehtë. Megjithatë nuk heqin dorë nga ndërmjetësimi. KiM 613.3
Sikur njerëzit të ishin në gjendje që të shihnin vizione hyjnore ata do të vinin re një numër të madh engjëjsh që i rrethojnë me mure mbrojtës të gjithë ata që e kanë ndjekur me besim e durim fjalën e Krishtit. Me një ndjenjë të sinqertë simpatie, engjëjt kanë qenë dëshmitarë të ankthit dhe i kanë dëgjuar me veshët e tyre lutjet e këtyre njerëzve. Ata po presin urdhërin e Komandantit të tyre që t’i shpëtojë nga ky rrezik i madh. Por duhet të presin edhe pak. Njerëzit e Perëndisë duhet të pijnë nga kupa dhe të pagëzohen. Vetë kjo vonesë, që për ta është e dhimbshme, përbën përgjigjen më të mirë të petiSioneve të tyre. Ndërsa përpiqen që të presin me besim që Zoti të veprojë, ata detyrohen që të ushtrojnë besim, shpresë dhe durim, që i kanë ushtruar kaq pak gjatë përvojës së tyre fetare. Megjithatë, për hir të të zgjedhurve, kjo kohë prove do të shkurtohet: “Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin Atij ditë e natë?... Po, unë po iu them se ai do t’iua marrë hakun shpejt.” (Luka 18:7,8). Fundi do të vijë shumë më shpejt nga ç’presin njerëzit. Gruri do të grumbullohet e do të lidhet në duaj për hambarët e Perëndisë; egjra do të lidhet në krah shkarpash për zjarrin e shkatërrimit. KiM 614.1
Rojet qiellore e kryejnë me besnikëri detyrën që u është besuar, vazhdojnë patrullimin. Edhe pse një dekret i miratuar e ka caktuar kohën kur jeta e njerëzve që nderojnë urdhëresat mund të vihet në rrezik, armiqtë e tyre në disa raste do ta para-prijnë këtë dekret e do të përpiqen t’i bëjnë gropën atyre përpara kohës së caktuar. Por askush nuk mund t’u shpëtojë ro-jeve të këtyre njerëzve besnikë. Disa prej tyre sulmohen, ndërsa largohen nga fshatrat dhe qytetet, por shpatat e ngritura kundër tyre thyhen e bien në tokë si të ishin fije kashte. Të tjerët i mbrojnë engjëj në formë luftëtarësh. KiM 614.2
Gjatë gjithë kohërave Zoti e ka ndihmuar e çliruar popullin e Tij me anë të engjëjve hyjnorë. Qëniet qiellore kanë luajtur një rol aktiv në jetën e njerëzve. Ata janë shfaqur të veshur me dritë apo si njerëz të thjeshtë, veshur si udhëtarë. Engjëjt u janë shfaqur shërbëtorëve të Perëndisë në formë njerëzore. Ata ka-në pushuar kur janë lodhur, nën hijen e lisave. Kanë pranuar bu-jarinë e shtëpive tokësore. Janë kthyer në udhërrëfyes për udhëtarët që i ka zënë nata rrugës. Ata kanë ndezur me duart e tyre zjarret mbi altare. Kanë hapur dyer burgjesh e iu kanë falur liri shërbëtorëve të Zotit. Të armatosur me armaturën qiellore ata erdhën për të lëvizur madje edhe gurin e varrit të Shpëtimta-rit. KiM 614.3
Në formë njerëzore engjëjt janë ndërthurur me njerëzit e drejtë, por kanë vizituar edhe grumbullimet e të padrejtëve siç bënë me Sodomin, për të mbajtur shënim veprat e tyre dhe për të vendosur nëse ata e kanë kaluar kufirin e durimit të Perëndisë. Zotit i pëlqen shumë mëshira; dhe për hir të një num-ri të vogël njerëzish që me të vërtetë i shërbejnë Atij, ai nuk i dërgon fatkeqësi dhe e zgjat periudhën paqësore për mijëra të tjerë. Blasfemuesit e Perëndisë nuk e kuptojnë aspak se iu janë borxhli për jetët e tyre atyre të paktëve besnikë, të cilët i tallin e i shtypin. KiM 615.1
Edhe pse sundimtarët e botës nuk e dinë, ata kanë pasur shpesh në këshillat e tyre engjëj si zëdhënës. Sy njerëzorë i kanë parë ata, veshë njerëzorë i kanë dëgjuar thirrjet e tyre, buzë njerëzore i kanë hedhur poshtë sugjerimet e tyre dhe janë tallur me këshillat që kanë dhënë ata, duar njerëzore i kanë përbuzur e kanë abuzuar me ta. Në salla mbledhjesh e gjyqesh këta lajmëtarë qiellorë kanë treguar se mund ta mbrojnë një të pafa-jshëm, shumë më mirë se më të aftët e më elokuentët avokatë mbrojtës. Ata kanë hedhur poshtë qëllime dhe kanë arrestuar elemente keqbërës, që do ta kishin vonuar shumë punën e Zotit dhe do t’u kishte shkaktuar shqetësime njerëzve të Tij. Në orë rreziku e ankthi “engjëlli i Perëndisë zë vend rreth atyre që kanë frikë prej Tij dhe i çliron.” (Psalmi 34:7). KiM 615.2
Me një dëshirë të zjarrtë, populli i Perëndisë pret shenjat e ardhjes së dytë të Mbretit. Ndërsa rojeve u bëhet pyetja “Në ç’pikë ka arritur nata?”, përgjigjja vjen shpejt “vjen mëngjesi e pastaj edhe nata.” (Isaia 21:11,12). Drita po depërton mes reve mbi majat e maleve. Shpejt do të shfaqet edhe lavdia e Tij. Dielli i Drejtësisë është në të dalë. Si mëngjesi dhe nata janë fare afër- mëngjesi: fillimi i periudhës së përjetësisë për të drejtët dhe nata: ardhja e fundit të përjetshëm për të padrejtët. KiM 615.3
Ndërsa besimtarët i drejtojnë petiSione Perëndisë, perdja që ndan të dukshmen nga e padukshmja duket sikur nuk ekziston më. Qiejtë ndriçohen nga lindja e ditës së përjetësisë dhe si melodi këngësh engjëllore dëgjohen fjalët: “Qëndroni të patundur në besnikëri. Ndihma po vjen.” Krishti, Fitimtari i plotfuqishëm, u jep ushtarëve të Tij të rraskapitur një kurorë lavdie të përjetshme dhe zëri i Tij dëgjohet nga dyert pak të hapura qiellore: “Ja, Unë jam me ju. Mos kini frikë. Unë i di të gjitha ankthet tuaja, unë i kam mbajtur mbi supe trishtimet tuaja. Nuk po luftoni kundër një armiku të panjohur. E kam luftuar unë këtë betejë në emrin tuaj dhe në emrin Tim ju jeni më shumë se fitimtarë.” KiM 616.1
Shpëtimtari i çmuar do të na ndihmojë kur kemi më shumë nevojë. Rruga drejt parajsës është shenjtëruar nga gjurmët e Tij. Çdo gjemb, që na ngulet në këmbë, i është ngulur Atij më parë. Çdo kryq që na duhet të mbajmë mbi supe, është mbajtur nga Ai më parë. Zoti lejon konflikte që ta përgatisë shpirtin për paqe. Ora e vështirësive të mëdha është një provë e fuqishme për njerëzit e Perëndisë, por është edhe momenti i duhur, kur çdo besimtar i vërtetë duhet të ngrejë sytë lart dhe me besim të shohë ylberin e premtimit që e rrethon. KiM 616.2
“Të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare e dhimbja e rënkimi do të zhduken. Unë, unë vetë, jam Ai, që iu ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë bari? Ti ke harruar Zotin që të ka bërë... dhe kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Po ku është tani tërbimi i shtypësit? I mërguari në robëri do të çlirohet së shpejti, nuk do të vdesë në gropë e as nuk do t’i mungojë buka. Sepse Unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët; emri i Tij është Zoti i ush-trive. Unë i vura fjalët e Mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës Sime.” (Isaia 51:11-16). KiM 616.3
“Prandaj tani dëgjo këtë, o e pikëlluar dhe e dehur, por jo nga vera. Kështu thotë Zoti yt, Perëndia yt, që mbron çështjen e popullit të Tij: “Ja, unë po të heq nga dora kupën e hutimit, llumin e kupës së zemërimit Tim; ti nuk do ta pish më. Do ta vë përkundrazi në duart e atyre që të hidhëronin dhe të thonin: “Shtrihu përtokë, që të kalojmë mbi ty” dhe ti bëje kurrizin tënd një vend, një rrugë për kalimtarët.” (vargut 21-23). KiM 616.4
Syri i Perëndisë, duke hedhur vështrimin në shekuj, u ndal tek kriza që do t’u duhej të përballonin njerëzit e Tij, pikërisht atëherë kur fuqitë tokësore do të bashkohen kundër tyre. Si të mërguarit- robër, ata do t’i tremben vdekjes nga uria apo dhuna. Por, I Shenjti që e ndau në dy pjesë Detin e Kuq përpara Izrael-itëve, do ta manifestojë fuqinë e Tij pafund dhe t’i shpëtojë ata nga skllavëria. “Ata do të jenë të Mitë, - thotë Zoti i ushtrive,- ditën kur unë përgatis thesarin Tim të veçantë dhe Unë do t’i fal ashtu si e fal njeriu birin që i shërben Atij.” - Malakia 3:17. Po të derdhej gjaku i këtyre dëshmitarëve besnikë të Krishtit në këtë rast ai nuk do të shërbente si gjaku i martirëve, si farë për të dhënë të mbjella të mbara për Perëndinë. Besnikëria e tyre nuk do të ishte dëshmi për t’i bindur të tjerët për të vërtetën, sepse zemra e ngurtë njerëzore i ka kthyer mbrapsht valët e mëshirës derisa ato nuk vijnë më. Në rast se të drejtët do të liheshin që të binin pre në duart e armiqve të tyre, princi i errësirës do të tri-umfonte. Psalmisti thotë: “Ditën e fatkeqësisë Ai do të më fshehë në çadrën e Tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së Tij.” (Psalmi 27:5). Krishti tha: “Shko, o populli Im, hyr në dhomat e Tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, derisa të kalojë zemërimi. Sepse, ja, Zoti del nga banesa e Tij për të ndëshkuar paudhësitë e banorëve të tokës.” (Isaia 26:20,21). I lavdishëm do të jetë çlirimi i atyre, që e kanë pritur me durim ardhjen e Tij dhe i kanë emrat të shkruar në librin e jetës. KiM 617.1
1. Në ç’mënyrë do jetë ndryshe periudha e fundit e trazirave nga të gjitha sprovat e tjera të historisë njerëzore? KiM 617.2
2. Satani do të improvizojë Ardhjen e Dytë të Jezusit. Si mund të përgatiteni për këtë mashtrim? KiM 617.3
3. Çfarë hiri special do t’u jepet njerëzve të Perëndisë në mënyrë që të qëndrojnë besnik ndaj Tij gjatë kësaj kohe? Shikoni Danielin 12:1. KiM 617.4