Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit

4/47

HYRJE

Para se në botë të paraqitej mëkati, Adami ka mundur personalisht të bisedojë me Krijuesin e tij, mirëpo kur njeriu për shkak të mëkatit u nda nga Zoti, kjo përparësi e lartë iu shkurtua. Me planin e shpëtimit, përndryshe përsëri është hapur rruga përmes të cilës banorët e botës sonë përsëri mund të kenë lidhje me qiellin. Zoti me Frymën e tij e ka mbajtur lidhjen me njerëzit dhe ia ka dërguar botës dritën hyjnore nëpërmjet profetëve të vet. “Të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt folën nga ana e Hyut.” (2 Pjetrit 1,21) BZ 19.1

Gjatë 2.500 vjetëve të para të historisë njerëzore nuk ka ekzistuar zbulesa e shkruar Hyjnore. Atyre të cilëve Zoti ua ka dhënë zbulesat e veta, ia kanë kumtuar dijen e vet të tjerëve dhe kështu ajo ka kaluar nga ati në të birin gjatë brezave të ardhshëm. Vetëm në kohën e Moisiut Zbulesa Hyjnore ka filluar të shkruhet dhe këto zbulesa të Shpirtit të Shenjt janë palosur në një libër të frymëzuar. Kjo punë është kryer gjatë tërë kohës së gjashtëmbëdhjetë shekujve—duke filluar nga Mojsiu, historiani i krijimit të botës dhe i dhënies së Ligjit Hyjnor e deri te Gjoni “Autori i të vërtetave madhështore ungjillore”. BZ 19.2

Bibla na drejton nga Zoti si nga autori i saj—kurse atë megjithate e ka shkruar dora njerëzore. Stili i librave të ndryshëm i mbanë veçoritë e autorëve të ndryshëm. Në to janë zbuluar të vërtetat të gjitha “të frymëzuara nga Zoti” (2 Timoteut 3,16), edhepse të gjitha janë shprehur me fjalët njerëzore. Zoti me Shpirtin e vet të Shenjtë ua ka ndriçuar mendjen dhe zemrën shërbëtorëve të vet. Ai ua ka dhënë ëndërrat dhe realitetin, simbolet dhe pamjet kurse ata të cilëve në këtë mënyrë u janë zbuluar, vetë e kanë veshur mendimin në gjuhë njerëzore. BZ 19.3

Dhjetë urdhërat të cilat i ka shprehur vetë Zoti mandej i ka shkruar me dorën e vet. Ato i ka përpiluar Zoti e jo njeriu. Mirëpo, Bibla me të vërtetat e dhëna nga Zoti të shprehura me gjuhën njerëzore e sublimon sintezën e hyjnores dhe njerëzores. Ky bashkim ka ekzistuar edhe në natyrën e Mesisë, sepse Ai ka qenë biri i Zotit dhe Biri i Njeriut. Kështu për Biblën mund të thuhet e njëjta që është shkruar për Krishtin: “E Fjala u bë njeri dhe banoi ndër ne.” (Gjoni 1,14) BZ 19.4

Bibla është shkruar gjatë shumë shekujve dhe e kanë shkruar njerëzit të cilët janë dalluar shumë nga njëri tjetri për nga pozita, profesioni dhe aftësitë—prandaj librat e saj shprehin një llojllojshmëri të madhe të stileve si dhe llojllojshmëri të lëndës e cila mbarshtrohet në të. Autorët e ndryshëm i kanë përdorur shprehjet e ndryshme dhe shpeshherë të vërtetën e njëjtë, autori i caktuar e ka shprehur më qartë se tjetri. Pasi që më tepër autorë e shprehin lëndën dhe shkencën e njëjtë nga pikëpamjet dhe raportet e ndryshme, kjo gjë lexuesit të sipërfaqshëm dhe të pakujdesshëm, me paragjykime, mund t'i duket se ndërmjet autorëve të Biblës ekzistojnë papajtueshmëri dhe kundërthënie, ndërsa hulumtuesi i arsyeshëm, i sinqertë dhe i paanshëm në to e shehë një harmoni të përsosur. BZ 20.1

Pasi që të vërtetën e kanë pasqyruar autorë të ndryshëm, ajo është shprehur nga anët e veta të ndryshme. Një autor më tepër nën mbresat e një ane të lëndës i përpunon ato pika të cilat përputhen me përvojën e tij dhe me aftësinë e tij për ta kuptuar dhe vlerësuar. Përndryshe, autori tjetër mund ta vështrojë nga ana tjetër; në këtë mënyrë secili i prirur nga Shpirti i Shenjt e pasqyron atë e cila në të ka lënë mbresa më të fuqishme. Autorët e Biblës i kanë pasqyruar të vërtetat nga anët e ndryshme por të gjithë së bashku e kanë krijuar një harmoni të përsosur. Të vërtetat e zbuluara në këtë mënyrë e përbëjnë një tërësi të përsosur e cila mund t'i plotësojë nevojat e njerëzve në të gjitha rrethanat dhe përvojat jetësore. BZ 20.2

Zoti ka dashur që të vërtetën e vet t'ia kumtojë botës përmes njerëzve dhe Ai, këta përmes Shpirtit Shenjt i ka aftësuar dhe ua ka bërë të mundshme që këtë vepër ta përfundojnë. Ai e ka drejtuar mendjen e tyre dhe i ka mësuar çka të shkruajnë apo çka të flasin. Ky thesar i është besuar “gjyqeve tokësore”, por megjithatë ai është me prejardhje hyjnore; dëshmia është kumtuar me shprehjen e papërsosur të gjuhës njerëzore; por kjo megjithatë është dëshmi hyjnore; edhe besimtarët e devotshëm dhe besnikë në të i shohin forcat hyjnore, përplotë mëshirë dhe të vërteta. BZ 20.3

Në fjalën e Tij, Zoti e ka dhënë dijen e nevojshme për shpëtim. Ne duhet ta pranojmë Shkrimin Shenjt si zbulesë të sigurtë dhe të pagabueshme të vullnetit të tij. Ajo është kriter i karakterit, rregull e besimit dhe jetës. “I tërë Shkrimi Shenjt—hyjnisht i frymëzuar është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar me drejtësi, që njeriu i Hyut të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.” (2 Timoteut 3,16.17) BZ 21.1

Por fakti se Zoti ia ka zbuluar vullnetin e vet njeriut nuk e përjashton nevojën e pranisë së përhershme dhe të prirjes së Shpirtit hyjnor. Përkundrazi Shpëtimtari ua ka premtuar Shpirtin Shenjt nxënësve të tij që të mund ta kuptojnë fjalën e tij, që t'i ndriçojë dhe t'ua vulosë shkencën e tij në zemrat e tyre. E pasi që fryma hyjnore e ka frymëzuar Biblën për këtë arsye nuk mund të ketë kundërthënie ndërmjet Frymës dhe Fjalës së shkruar. BZ 21.2

Fryma nuk është dhënë—e as që do të jepet ndonjëherë për ta zëvendësuar Biblën. Shkrimi Shenjt në mënyrë decidive thotë se Fjala Hyjnore është kriter me të cilin duhet të analizohet çdo shkencë dhe çdo përvojë. Apostulli Gjoni thotë: “Mos i besoni çdo shpirti por veni në provë shpirtërat për t'i vërtetuar a janë të Hyut sepse shumë profetë të rrejshëm janë shpëmdarë nëpër botë.” (1 Gjonit 4,1) Edhe Isaia ka deklaruar: “Në ligj mbështetuni, në dëshmi! Ata që nuk do të thonë kështu agimin nuk do ta presin.” (Isaia 8,20) BZ 21.3

Njerëzit të cilët konsiderojnë se janë të ndriçuar nga Shpirti Shenjt dhe deklarojnë se më nuk u nevojitet Fjala hyjnore si prijëse, turpërohen nga Shpirti Shenjt. Ata priren nga mbresat të cilat i konsiderojnë zë hyjnor në shpirtin e tyre. Mirëpo Shpirti i cili i drejton ata nuk është Shpirti Shenjt. Të udhëhiqesh nga mbresat e ta lësh pas dore Shkrimin Shenjt kjo shpie vetëm në habi, lajthitje, mashtrime dhe në shkatërrim. Kjo vetëm i ndihmon tinzarit. Pasi që shërbimi i Shpirtit Shenjt ka rëndësi vendimtare për besimtarët, ky është njëri ndër planet dinake të satanit që me ndihmën e lajthitjeve të ekstremistëve dhe të fanatikëve ta turpërojë veprën e Shpirtit dhe ta detyrojë popullin e Zotit që ta lë pas dore këtë burim të fuqisë të cilin ia ka dhuruar vet Zoti. BZ 21.4

Në pajtim me Fjalën e Zotit, Shpirti i Tij duhet ta vazhdojë veprën e vet gjatë tërë kohës së mëshirës. Gjatë periudhës së shekujëve në të cilën është shkruar Shkrimi Shenjt—Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re—Shpirti Shenjt nuk ka pushuar t'i ndriçojë zemrat e njerëzve pavarësisht nga zbulesat të cilat është dashur të përmblidhen në Kanunin e Shenjt. Vetë Bibla na informon se njerëzit përmes Shpirtit Shenjt kanë marrë vërejtje, qortime, këshilla dhe udhëzime, pavarësisht se janë thënë në Shkrimin e Shenjt. Përmenden profetët që kanë jetuar në kohë të ndryshme dhe për fjalët e të cilëve nuk thuhet asgjë. Gjithashtu pasi që është përmbyllur Kanuni i Shenjt, Shpriti Shenjt është dashur edhe më tutje ta vazhdojë veprën e vet: të arsimojë, të tërheq vërjejtjen dhe t'i ngushëllojë fëmijët e Zotit. BZ 21.5

Jezusi u ka premtuar nxënësve të vet: “E Shpirti Shenjt—Mbrojtës të cilin do t'ua dërgoj Ati në Emër tim, Ai do t'jua mësojë të gjitha dhe do t'ju përkujtojë gjithçka (unë) ju thash.” “E kur të vij Ai—Shpirti i së Vërtetës—Ai do t'ju udhëzojë ta njihni tërë të vërtetën. Ai s'do të flasë prej vetëvetes por do të flas çka të dëgjojë dhe do t'ju zbulojë të ardhmen.” (Gjoni 14,26; 16,13) BZ 22.1

Shkrimi Shenjt na mëson qartë se këto premtime nuk kufizohen vetëm për kohën e apostujve por kanë të bëjnë me besimtarët të të gjitha kohërave. Shpëtimtari u ka thënë të gjithë nxënësve: “Mësoni të zbatoni gjithçkaju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë—deri në të sosur të botës.” (Mateu 28,20) Apostulli Pali ka deklaruar se dhuratat e Shpirtit Shenjt do t'ia jap kishës që “Shenjtrit t'i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t'ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyut deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.” (Efesianëve 4,12.13) BZ 22.2

Apostulli është lutur për besimtarët në Efes: “që Hyu i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë t'ju jap Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; T'ju jap syve të zemrës (suaj) dritë që të mund të kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufijshme të trashëgimit të tij ndër shënjtër, dhe madhërinë e pa masë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së tij.” (Efesianëve 1,17-19) Apostulli Pali ka kërkuar nga besimtarët në Efes që Shpirti Shenjt t'ua ndriçojë mendjen dhe zemrat dhe t'i aftësojë për kuptimin e mistereve të thella Hyjnore. BZ 22.3

Pas zbulesës së mrekullueshme të Shpirtit Shenjt, në ditën e shpirtërave, Pjetri e ka thirrur popullin për pendesë dhe pagëyim në emër të Krishtit, për faljen e mëkateve dhe ka thënë: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë—Shpirtin Shenjt. Sepse ky premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyu ynë do t'i thërrasë.” (Veprat 2,38-39) Lidhur me skenat e ditës së madhe të Zotit, drejtpërsëdrejti Ai na premton përmes profetit Joelit derdhjen e veçantë të Shpritit Shenjt (Joeli 2,28). Ky profetizim pjesërisht është plotësuar në ditën e Rrëshajave, por ai do ta arrijë realizimin e plotë me zbulesën e Mëshirës Hyjnore e cila do ta përcjellë përmbylljen e veprës ungjillore në botë. BZ 22.4

Lufta e madhe ndërmjet të mirës dhe të keqes do të zgjasë deri në fund dhe do të jetë gjithënjë më e ashpër. Mllefi i satanit kundër kishës së Krishtit është pasqyruar gjatë gjithë shekujve. Zoti ia ka dhënë popullit të vet mëshirën dhe Shpirtin e Shenjt për ta forcuar dhe për t'ju kundërvënë fuqisë së të keqes. Kur apostujve është dashtur t'ia zbulojnë ungjillin botës dhe për ta shënuar për brezat e ardhshëm, ata në veçanti janë dhuntuar nga urtia e Shpirtit Shenjt. Mirëpo, kur kisha t'i afrohet çlirimit të vet të plotë atëherë satani do të veprojë me forcë gjithnjë e më të madhe: “Sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë.” (Gjoni 12,12) Ai do të veprojë “me tërë forcën, me simbole dhe mrekulli të rrejshme” (2 Selanikasve 2,9). Ka 6.000 vjetë që vepron kjo frymë tinëzare e cila dikur ka qenë njëri ndër engjujt më të lartë që sot me tërë forcën vepron me qëllim që t'i përçajë dhe t'i shkatërrojë njerëzit. Tërë shkathtësinë sataniste dhe tërë dinakrinë e vet do ta shfrytëzojë në luftën e fundit kundër popullit të Zotit. Pikërisht në këtë kohë të rreziqeve, populli i Zotit duhet t'ia tërheq vëmendjen botës për ardhjen e shpejtë të Krishtit për ta përgatitur një popull i cili pa të meta “i pastër dhe në qetësi” do të dalë para fytyrës së Zotit (2 Pjetrit 3,14). Në këtë kohë kishës do t'i nevojitet forca e veçantë e Zotit si edhe në kohën e apostujve. BZ 23.1

E ndriçuar nga Shpirti Shenjt, autores së këtij libri i janë zbuluar skenat e luftës së gjatë botërore ndërmjet të mirës dhe të së keqës. Shumë herë më kanë dalur para syve skenat e tmerrshme të luftës ndërmjet Krishtit, princit të jetës, krijuesit të shpëtimit tonë dhe satanit, princit të së keqes, shkaktarit të mëkatit dhe shkelësit të parë të Ligjit Hyjnor. Armiqësinë e njëjtë të cilën satani e ka shprehur ndaj Krishtit (Mesisë) e ka shprehur edhe ndaj vijuesve të tij. Gjatë tërë historisë së njerëzimit vërehet urrejtja e njëjtë e satanit ndaj parimeve të Ligjit Hyjnor, teoria e njëjtë e gënjeshtarave e cila përpiqet ta tregojë lajthitjen si të vërtetë, ligjet njerëzore si ligje Hyjnore, adhurimin e natyrës si adhurim të Krijuesit. Gjatë të gjithë shekujve satani është përpjekur që në mënyrë të shtrembër ta paraqesë karakterin Hyjnor me qëllim që njerëzit ta fitojnë mbresën e shtrembër për Zotin, që t'i frikohen edhe ta urrejnë në vend se ta duan; synohet që të suprimohet Ligji Hyjnor dhe që popullit të besojë se është çliruar nga obligimet e tij; që të ndiqen ata të cilët e kanë guximin t'i kundërvihen mashtrimeve të satanit. Të gjithë këtë do ta shohim në qoftë se e studjojmë historinë e patrikëve, të profetëve, të martirëve dhe të reformatorëve. BZ 23.2

Në luftën e fundit të madhe, satani do të shërbehet me taktikën e njëjtë, do ta shprehë frymën e njëjtë dhe do ta synojë qëllimin e njëjtë si dhe në të gjithë shekujt e kaluar. Kurthet e satanit do të jenë edhe më të rafinuara ndërsa sulmet e tij edhe më të vendosura. Ai do të përpiqet t'i mashtrojë në qoftë se ka mundësi edhe të zgjedhurit (Marku 13,22). BZ 24.1

Kur Shpirti Shenjt m'i zbuloi të gjitha të vërtetat dhe fjalët e mëdha dhe m'i tregoi skenat e së kaluarës dhe të së ardhmes, më është urdhëruar që edhe të tjerëve t'ua zbuloj ate që më është treguar: ta përshkruaj luftën e madhe gjatë shekujëve dhe ta pasqyroj në mënyrë që ajo të ndriçojë edhe luftën e ardhshme e cila është duke u afruar. Duke synuar ta arrijë këtë qëllim jam përpjekur që t'i zgjedh dhe rradhis ngjarjet nga historia kishtare në mënyrë që të pasqyrohet zhvillimi i të vërtetave të mëdha të cilat nëpër kohë të ndryshme i janë dhënë botës dhe që të dëshmoj se si e kanë shkaktuar këto të vërteta mllefin e satanit dhe armiqësinë nga ana e një kishe e cila e don botën, por janë ruajtur nga dëshmia e atyre të cilët “nuk janë frikësuar për jetën e tyre as me çmimin e vdekjes”. BZ 24.2

Nga këta rreshta mund të shihet skena e luftës e cila ndodhë para nesh. Në qoftë se i vështrojmë në frymën e Fjalës Hyjnore dhe me ndriçimin e Shpirtit Shenjt mund t'i shohim të demaskuara kurthet e satanit dhe rreziqet të cilat duhet t'i tejkalojnë ata që dëshirojnë të mbeten “pa të meta” kur të vijë Shpëtimtari. BZ 24.3

Ngjarjet e mëdha të cilat e kanë shënuar përparimin e Reformacionit në shekujt e kaluar dhe janë shënuar në histori, janë të njohura mirë. Këto janë fakte të cilat askush nuk mund t'i mohojë. Këtë histori e kam paraqitur shkurtimisht në pajtim me qëllimin dhe vëllimin e këtij libri. Faktet janë të përmbledhura në një numër faqesh sa është e domosdoshme për kuptimin e tyre. Në disa raste ku historiani i ka radhitur ngjarjet ashtu që ato shkurtimisht ta pasqyrojnë esencën e çështjeve apo i ka paraqitur në detaje që janë në pajtim me planin e këtij libri, unë i kam cituar fjalët e tij; mirëpo në disa raste nuk janë përmendur emrat, sepse citatet nuk janë theksuar për ta shquar autorin si autoritet por për arsye se deklaratat e tij e japin një pasqyrë të qartë dhe bindëse për ngjarjet historike. Duke pasqyruar përvojën dhe pikëpamjet e atyre të cilët në kohën tonë e përparojnë veprën e Reformacionit ngjashëm i kam shfrytëzuar veprat e tyre të botuara. BZ 24.4

Qëllimi i këtij libri nuk është ekskluzivisht t'i paraqesë të vërtetat e reja për luftat në të kaluarën por t'i theksojë faktet dhe parimet të cilat mund të jenë të rëndësishme për ngjarjet e ardhshme. Të vështruara si pjesë të luftës ndërmjet forcave të dritës dhe errësirës, këto raporte nga e kaluara e fitojnë një kuptim të ri. Nga ato rrezaton drita që e ndriçon ardhshmërinë dhe rrugën e fëmijëve të Zotit të cilët janë të thirrur si dikur Reformatorët që të dëshmojnë për fjalët e Zotit dhe për dëshminë e Jezusit, bile edhe pranë rrezikut që ta humbin tërë pasurinë e kësaj bote. BZ 25.1

Qëllimi i këtij libri është që t'i tregojë skenat e luftës së madhe ndërmjet të vërtetës dhe lajthitjes; që t'i zbulojë mashtrimet e satanit dhe mjetet me të cilat mund t'i kundërvihemi me sukses; që ta ofrojë zgjidhjen e vërtetë të problemit të madh të së keqes; që ta ndriçojë prejardhjen dhe fundin e mëkatit në mënyrë që të shihet drejtësia dhe madhështia e Zotit në të gjitha veprimet e tij ndaj krijesave të veta; dhe më në fund ta dëshmojë shenjtërinë dhe pandryshueshmërinë e Ligjit Hyjnor. Përndryshe është e sinqertë lutja e autores që ky libër të ndihmojë që shpirtrat të shpëtojnë nga fuqia e errësirës dhe “të bëhen pjesëmarrës në trashëgiminë e shenjtërve në dritë” në lavdinë e Atij i cili na ka dashur dhe që veten e ka dorëzuar për ne. BZ 25.2

E. G. White