Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit
LIBËR I KOHËS SONË
Me botimin e librit “Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit” lexuesit shqiptar i hapen horizontet dhe pikëpamjet në shumë fusha të dijes sepse autorja Ellen G. White e ka krijuar me vetmohim, dashuri dhe përkushtim. Në këtë vepër gjejmë meditime të frymëzuara njerëzore lidhur me Fjalën e Zotit. Duke depërtuar në mënyrë dijakronike dhe sinkronike në kohët e shkuara, përmes artikulimit të fuqishëm të lëvizjeve bashkëkohore religjioze dhe sekulariste, duke ndjerë dhe duke anticipuar transcendencën hyjnore, fuqinë, afërsinë, drejtësinë dhe kujdesin jetik të Zotit për njeriun ajo njëherit i thekson detyrat dhe përgjegjësitë e njeriut për t' iu nënështruar urdhërave dhe për ta pranuar dashurinë e tij duke i ftuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe simbolike për përtëritjen shpirtërore, devotshmërinë religjioze dhe spastrimin e besimit nga formalizmi. BZ 17.1
Ne mendojmë se autorja i ka dhënë kontribut të jashtzakonshëm personalizimit, humanizimit dhe orientimit të përgjithshëm të njeriut, përtëritjes së vetëdijes dhe ndërgjegjes për rreziqet që i kanosen civilizimit bashkëkohor për shkak të braktisjes gjithënjë e më të madhe të ligjeve dhe parimeve hyjnore të jetës si dhe të përvetsimit jokritik të mënyrës dhe koncepteve jetësore sekulariste, pseudoshkencore, materialiste dhe të rrymimeve e filozofive të ndryshme spekulative të cilat shkaktojnë dilema, lajthitje dhe largim nga kjo rrugë ndërsa në instancën e fundit e shpiejnë njeriun në erodimin e moralit, të besimit dhe të humbjes së jetës së tanishme dhe të amshueshme. BZ 17.2
Është fakt se njeriu e synon amshimin. Struktura përmbajtësore e këtij libri në mënyrë të qartë e anticipon kuptimin e amshimit dhe të arritjes së lumturisë njerëzore. Ai sublimon përvojën hyjnore, mitologjike, historike dhe bashkëkohore të njerëzimit përmes të gjitha rrugëve të devotshme të profetëve dhe martirëve apo mëkatare të heretikëve dhe renegatëve të kohëve historike. BZ 17.3
Me lëndën shumë të begatshme, interesante, shkencorisht të argumentuar dhe të frymëzuar nga forca hyjnore, në pikëpamje stilistike të përshtatur për lexuesin tejet të sofistikuar por edhe për lexuesin e rëndomtë, ky libër krijon mundësi të jashtzakonshme për të fituar dije dhe për të lëvizur rrugëve jetësore për jetë të denjë dhe për sigurimin e amshimit. BZ 17.4
Jemi të mendimit se cilido lexues që nuk e shfrytëzon rastin për ta lexuar do të mbetet i mangët për ato dije e njohuri pa të cilat shpirtërisht do të jetë më i varfër, në jetë më i shqetësuar dhe i privuar nga shpresa e optimizmi. Ky libër na mbushë me besim për të jetuar dhe për t'u shpëtuar, ai na mëson si duhet vepruar dhe jetuar, në çka duhet shpresuar dhe në Cilin duhet të mbështetemi, si t'u përballojmë halleve dhe sprovave të rënda në frymën e dashurisë së besimtarëve si dhe për shpëtimin e shpirtërave të humbur. BZ 18.1
Në këto kontekste libri ‘'Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit” me figura të fuqishme, në pikëpamje stilistike tejet qartë përfshin periudhën e gjatë kohore prej filleve të përfytyrimit të jetës së tanishme dhe të përjetëshme, të dashurisë së së flakët të krishter duke u nisur që nga i afërmi e deri te urdhëri që ta duam edhe armikun. BZ 18.2
Ky libër i dedikohet të gjithë besimtarëve të vërtetë, por edhe shpirtërave të lajthitur, individëve dhe popujve, judaistëve, të krishterëve, myslimanëve dhe të tjerëve që i besojnë Një dhe të vetmit Zot, të cilët u besojnë ligjeve dhe shumicës më të madhe të profetëve dhe martirëve të Tij. Ai gjithashtu i dedikohet dhe u drejtohet me argumente edhe të gjithë njerëzve të tjerë, shkencëtarëve, filozofëve me pikëpamje materialiste e bile edhe ateistëve që t'i rishqyrtojnë pikëpamjet e veta, t'i akseptojnë parimet dhe ligjet e pandryshueshme hyjnore dhe të lëvizin shtigjeve të jetës së vërtetë. BZ 18.3
Në këto pikëmbështetje pasqyrohet vlera e patjetërsueshme e saj vepre dhe kontributi i jashtzakonshëm për fisnikërimin e shpirtit të individit dhe të civilizimeve si dhe për shpëtimin e të gjithë atyre që janë në rrugë të gabuar. BZ 18.4
Nisur nga këto cilësi kjo vepër ka përjetuar qindra përkthime gati në të gjitha gjuhët standarde të qytetërimeve botërore. BZ 18.5
Lexuesve të sferës gjuhësore shqiptare me këtë vepër u hapen horizontet e reja të dijeve për të cilat kanë qenë të mangët, vetëm në saje të përpjekjeve dhe angazhimit të jashtëzakonshëm të Kishës Adventiste Krishtere në Republikën e Maqedonisë si dhe të Shtëpisë së saj botuese “Znaci na vremeto”, të cilëve u përket mirënjohja dhe falënderimi që ky libër u dhurohet lexuesve shqiptarë. Prof. dr. Nebi Islami BZ 18.6