Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit

41/47

37. BIBLA MBROJTJA JONË

“Në ligj mbështetuni, në dëshmi. Ata që nuk do të thonë kështu agimin nuk do ta presin.” (Isaia 8,20) Populli i Zotit mbështetet në Shkrimin Shenjt si në mbrojtjen kundër ndikimeve të mësuesve të rrejshëm ashtu dhe të fuqive mashtruese të shpirtërave të errësirës. Satani e përdorë çdo dinakëri që njerëzit t'i pengojë për të fituar dije nga Bibla sepse mësimi i saj i qartë i zbulon mashtrimet e tij. Çdo ngjallje e veprave hyjnore e nxitë princin e së keqes të zhvillojë aktivitete më të mëdha. Ai tani është duke i bërë përpjekjet e fundit ta përfundojë luftën kundër Krishtit dhe pasuesve të tij. Para nesh së shpejti do të dëshmohet mashtrimi i fundit i madh. Antikrishti para syve tonë do të bëjë mrekulli. Ai do ta imitojë qenien aq të ngjashme me të vërtetën sa që do të jetë e pamudshme të dallohet njëra prej tjetrës përveç me ndihmën e Shkrimit Shenjt. Me dëshmitë e Shkrimit Shenjt patjetër duhet të analizohet çdo pohim dhe çdo mrekulli që mund të bëhet. BZ 562.1

Ata që përpiqen për t'i mbajtur udhërat e Zotit do të jenë të urrejtur dhe të përqeshur. Ata mund të mbështeten vetëm në Zotin. Për t'u përballuar sprovave që do t'u vijnë ata duhet ta kuptojnë vullnetin e Zotit ashtu siç është zbuluar në Fjalën e tij. Ata mund ta respektojnë Zotin vetëm atëherë në qoftë se e kuptojnë drejtë karakterin, pushtetin dhe qëllimet e tija dhe në qoftë se jetojnë në harmoni me të. Vetëm ata që i kanë forcuar shpirtërat me të vërtetat e Biblës do të mund ta përballojnë luftën e madhe të fundit. Çdo individ do të përballohet me pyetjen: a duhet ta dëgjoj më tepër Zotin apo njeriun? Çasti vendimtar është para dyerve. A i kemi vënë këmbët në shkëmbin e pandryshueshëm të Fjalës së Zotit? A jemi të gatshëm të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtjen e urdhërave të Zotit dhe të fesë së Jezusit? BZ 562.2

Para kryqëzimit Shpëtimtarit u ka thënë nxënsve të vet se do të vritej dhe se do të ngjallej nga varri; engjëjt kanë qenë të pranishëm që fjalët e tij t'i skalitin në zemrat dhe shpirtërat e nxënësve. Mirëpo nxënësit e prisnin çlirimin nga zgjedha romake dhe nuk mundën ta përballojnë mendimin se Ai në të cilin i kishin mbështetur të gjitha shpresat do të detyrohej ta përjetonte vdekjen aq të turpshme. Fjalët të cilat duhej t'u përkujtoheshin u kishin humbur nga kujtesa dhe koha e sprovës i gjeti të papërgatitur. Vdekja e Jezusit në këtë mënyrë ua shkatërroi shpresat si të mos ua kishte tërhequr vërejtjen fare. Kështu edhe neve në profeci na zbulohet e ardhmja gjithashtu aq qartë siç u qe zbuluar nxënësve me fjalët e Krishtit. Ngjarjet që janë të lidhura me mbarimin e kohës së mëshirës dhe me veprën e përgatitjes për kohën e halleve na janë paraqitur qartë. Mirëpo mijëra njerëz nuk kanë mirëkuptim për këto të vërteta të rëndësishme si të mos u ishin zbuluar fare. Satani i zgjuar kujdeset që ta mënjanojë nga ata çdo ndikim i cili do të kishte mundur t'i bënte esull për t'u shpëtuar; në këtë mënyrë koha e halleve do t'i gjejë të papërgatitur. BZ 563.1

Kur Zoti ia dërgon botës vërejtjet aq të rëndësishme përmes engjëjve që fluturojnë në mes të qiellit dhe i shpallin, atëherë Ai kërkon nga çdo qenie e arsyeshme që i zgjuar ta pres lajmin. Gjyqet e tmerrshme që do të bëhen kundër të gjithë atyre që i luten bishës dhe figurës së saj (Zbulesa 14,9-11), duhet t'i nxisin të gjithë që t'i studjojnë me kujdes profecitë për ta mësuar se çka është vula e egërsirës dhe si duhet t'i shmangen që të mos e marrin. Mirëpo shumica e njerëzve i bëjnë veshët shurdhër për të mos e dëgjuar të vërtetën dhe për t'u drejtuar nga përrallat. Apostulli Pali ka thënë për kohën e fundit: “Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimn e shëndoshë, por sipas ëndjeve të veta do të bashkojnë rreth vetes mësuesë për ta kënaqur veshin.” (2 Timoteut 4,3) Ajo kohë ka ardhur. Njerëzit nuk e dëshirojnë të vërtetën biblike sepse ajo i kundërvihet dëshirave të zemrës mëkatare e cila e gjakon botën, kurse satani u sjell lajthitje të cilat ata i duan. BZ 563.2

Mirëpo Zoti në tokë do ta ketë popullin e vet i cili do të mbështet në Biblën dhe vetëm në Biblën, si kriter të të gjitha shkencave dhe si bazë të çdo reforme. As mësimet e njerëzve të ditur as pohimet e shkencës, as dogmat fetare, as vendimet e tubimeve kishtare aq të shumta dhe kontradiktore, sa edhe kishat që i përfaqësojnë, as zëri i shumicës—askush prej këtyre, e as të gjithë së bashku nuk mund të konsiderohen si dëshmi për apo kundër cilësdo pikë të fesë. Para se ta pranojmë cilëndo shkencë apo normë duhet të bindemi se a e mbështet atë që është e qartë: “Kështu thotë Zoti.” BZ 563.3

Satani përpiqet vazhdimisht që njeriun ta lidhë më tepër për vete se sa që ai është i lidhur për Zotin. Ai i mashtron njerëzit që peshkopët, klerikët dhe profesorët e teologjisë t'i trajtojnë si prijësa të tyre në vend që ta studjojnë Shkrimin Shenjt me qëllim që vet t'i mësojnë obligimet e tyre. Sepse, duke e drejtuar arsyen e këtyre prijësve satani sipas dëshirës së vet mund të ndikojë në popull. BZ 564.1

Kur erdhi Krishti për ta predikuar Fjalën e jetës, populli i rëndomt e ndëgjonte me ëndje e bile edhe shumë klerikë e prijës i besonin. Mirëpo kryeprifti dhe prijësit e popullit vendosën ta injoronin, ta urrenin dhe t'i hedhnin poshtë mësimet e tij. Edhe pse u shkoi huq i tërë mundi për të gjetur arsye që ta akuzonin, edhe pse e ndjenin ndikimin e forcës dhe të urtisë hyjnore me të cilat qenë frymëzuar Fjalët e tij ata prapseprap iu nënshtruan paragjykimeve të veta. I hodhën poshtë dëshmitë më të qarta të shërbimit të tij mesianist sepse përndryshe do të detyroheshin të bëheshin nxënësit e tij. Këta kundërshtarë të Jezusit kanë qenë njerëzit të cilët populli që nga femijëria ishte mësuar t'i respektonte dhe që pakusht t'i nështrohej autoritetit të tyre. “Si bën që” pyesnin ata—“udhëheqësit dhe shkrimtarët tanë të mençur të mos e besojnë Jezusin? A thua këta njerëz të devotshëm nuk do ta kishin pranuar në qoftë se ai vërtetë do të ishte Krishti?” Ndikimi i mësuesve të këtillë e mashtroi popullin hebrej për ta refuzuar Shpëtimtarin e tyre. BZ 564.2

Shpirti që i nxiste këta klerikë dhe udhëheqës i përshkon edhe sot e kësaj dite shumë njerëz që lavdërohen me devotshmërinë e tyre. Ata refuzojnë ta analizojnë dëshminë e Shkrimit Shenjt për të vërtetat e posaçme të kësaj kohe. Ata e theksojnë numrin e madh të tyre, pasurinë dhe përvojën dhe me nënçmim e vështrojnë numrin e vogël të mbrojtësve të së vërtetës si njerëz të parëndësishëm, të varfër dhe të pa prestigj të cilët e kanë një fe që i ndan nga bota. BZ 564.3

Krishti parparakisht e kishte parë se përvetësimi i paskrupullt i pushtetit të cilin e bënin skribët dhe farisejët nuk do të pushonte me zhbëijen e hebrejve. Ai me shikim profetik e shihte ngritjen e pushtetit njerëzor i cili dëshironte ta mbizotëronte ndërgjegjen, gjë që për kishën në të gjitha kohët ka qenë mallkim i tmerrshëm. Akuza e tij e rëndë kundër skribëve dhe farisejëve si dhe vërejtjet drejtuar popullit që të mos shkonte pas këtyre prijësve të verbër janë vërtetuar si këshilla për brezat e ardhshëm. BZ 564.4

Kisha e Romës e kufizon të drejtën e interpretimit të Shkrimit Shenjt vetëm për klerikët. Duke u mbështetur në faktin se vetëm kisha ëshë e aftë për ta interpretuar Fjalën e Zotit ajo ia merr Biblën popullit të rëndomt. Edhe pse Reformacioni ua dha të gjithëve Shkrimin Shenjt, megjithatë ky parim arbitrar që buron nga Roma i ndalon shumë protestantë që ta studjojnë Shkrimin Shenjt për vete. Prej tyre kërkohet që mësimin e tij ta pranojnë ashtu siç e interpreton kisha. Ka mijëra njerëz që nuk e marrin guximin të ndërmarrin diçka që është e kundërt me besimin e tyre ose e përcaktuar me mësimin e kishës së tyre, pa marrë parasysh se sa qartë është mbarshtruar në Shkrmin Shenjt. BZ 565.1

Ndonse Bibla është përplot vërejtje kundër mësuesve të rrejshëm, megjithatë shumë njerëz janë të gatshëm që t'ia besjonë shpëtimin e shpirtërave të vet klerit. Sot ka mijëra të krishterë për nga emri të cilët nuk mund ta përmendin asnjë arsye tjetër për besimin e tyre, përveç në qoftë se ashtu janë mësuar prej prijësve të tyre fetarë. Ata kalojnë skaj mësimeve të Shpëtimtarit duke mos i kushtuar kujdes fare atyre por kanë besim të paluhatshëm në fjalët e klerikëve të tyre. Por a janë këta të pagabueshëm? Si mund t'ua besojmë shpirtërat tanë udhëheqjes së tyre, përveç në qoftë se nuk e mësojmë nga Fjala e Zotit se ata janë vërtetë bartësit e dritës? Mungesa e guximit moral që të kërcejmë mbi shtegun e shkelur të botës i mashtron shumë njerëz që të shkojnë hapave të njerëzve të ditur. Pasi që nuk dëshirojnë të studiojnë vet, më në fund ziren në rrjetën e lajthitjeve. Ata e shohin se e vërteta për këtë kohë është e paraqitur qartë në Bibël dhe e ndjejnë fuqinë e Shkrimit Shenjt i cili e përcjellë predikimin e tij, por megjithatë lejojnë, për shkak të kundërshtimit të klerit që të jenë të shkëputur nga drita. Edhe pse arsyeja dhe ndërgjegja janë dëshmuar, megjithatë këta shpirtëra të verbuar nuk marrin guxim të mendojnë më ndryshe se që mendojnë prijësit e tyre shpirtërorë, ndërsa mendimin personal, të mirën e tyre jetike ia flijojnë mosbesimit, krekosjes, mendjes fodull dhe paragjykimeve të tjerëve. BZ 565.2

Ka shumë mënyra me të cilat satani shërbehet që me ndihmën e ndikimit njerëzor t'i lidhë skllevërit e vet. Ai i lidhë mijëra njerëz për vete me lidhje të rrafinuara të dashurisë ndaj armiqëve të kryqit të Krishtit. Çfarëdo që të jetë kjo lidhje—prindore, lidhja e bijve, lidhja bashkëshortore apo miqësore pasojat janë të njëjta. Kundërshtarët e së vërtetës e përdorin fuqinë e vet për ta mbizotëruar ndërgjegjen kurse shpirtërat për t'i mbajtur nën pushtetin e vet nuk kanë mjaft guxim as mëvetësi për ta dëgjuar ndjenjën personale të obligimit. BZ 565.3

Lavdërimi i vërtetë dhe i drejtë i Zotit janë të pandashëm. Është e pamundshme që njeriu i cili i përmbahet Shkrimit Shenjt të mos e respektojë Zotin. Shumë njerëz pohojnë se nuk është me rëndësi së çka beson dikush, në qoftë se jeta e tij është drejtë. Mirëpo jeta formohet nga besimi. Në qoftë se të vërtetën dhe dritën mund ta zëmë kurse ne nuk duam t'i dëgjomë dhe t'i kuptojmë, atëherë vërtetë i kemi refuzuar. Ne në këtë mënyrë më me ëndje e zgjedhim errësirën se dritën. BZ 566.1

“Ka udhë që njeriut i duket e drejtë, por në fund e shpie në vdekje.” (Fjalët e Urta 16,25) Injoranca dhe mosdija nuk e arsyetojnë lajthitjen apo mëkatin kur të na jepet rasti për ta njohur vullnetin e Zotit. Njeriu udhëton dhe vjen në vendin ku ndahen rrugët, por shtigjet tregojnë se ku shpie secila prej tyre. Në qoftë se njeriu nuk kujdeset për udhërrëfimin dhe niset rrugës e cila i duket e drejtë, megjithatë sado që të jetë i sinqertë mund të gjendet në rrugën e gabueshme. BZ 566.2

Zoti na e kanë dhënë Fjalën e vet për t'u njohur me mësimet e saj edhe për të mësuar vet se çka kërkon Ai prej nesh. Kur një skrib iu kishte drejtuar Jezusit me pyetjen: “Mësues çka duhet të bëj për ta fituar jetën e pasosur?—Shpëtimtari e drejtoi nga Shkrimi Shenjt me fjalët—“çka shkruna në Ligj? Si lexon atje?” (Luka 10,25.26) Mosdija nuk e shfajson as plakun, as të riun as nuk i çliron nga dënimi të cilin e tërheq pas vete shkelja e Ligjit të Zotit, sepse ata e kanë pasqyrën besnike të këtij ligji, parimet dhe kërkesat e tij. Nuk mjafton që vetëm të kemi qëllime të mira; nuk mjafton ta bëjmë atë që konsiderohet e drejtë ose atë që thotë predikuesi se është e drejtë. Është fjala për shpëtimin e shpirtit tonë prandaj secili për vete duhet ta studjoj Shkrimin Shenjt. Sado të jetë e fuqishme bindja jonë, sado që të jemi të bindur se ai që predikon se e di ç‘është e vërteta, kjo nuk bën të jetë themeli ynë. Ne e kemi hartën në të cilën janë të shënuara të gjitha udhërrëfimet për në qiell dhe asgjë nuk duhet të supozojmë apo ta marrim me mend. BZ 566.3

Detyra e pare dhe më e lartë e çdo qenie të arsyeshme është që të mësojë nga Shkrimi Shenjt se ç‘është e vërteta e atëherë të jetojë në bazë të asaj drite dhe t'i kurajojë të tjerët që dhe ata të ecin rrugës së tij. Nga dita në ditë, ne duhet ta studjojmë Biblën me kujdes, të thellohemi në çdo mendim të saj dhe t'i krahasojmë vargjet me kujdes. Me ndihmën e Zotit ne duhet ta formojmë vet mendimin tonë sepse para Zotit do të përgjigjemi vet për veten. BZ 568.1

Të vërtetat e zbuluara në mënyrën më të qartë në Bibël, njerëzit e ditur i kanë mbështjellë me dyshime dhe me errësirë. Duke u bërë se posedojnë dije të lartë, ata thonë se Shkrimi Shenjt ka domethënie shpirtërore mistike dhe misterioze e cila nuk është e shprehur qartë me gjuhën tonë. Këta njerëz janë mësues të rrejshëm. Njerëzve të këtillë Jezusi u ka thënë: “Nuk e kuptoni Shkrimin Shenjt e pushtetin e Zotit.” (Marku 12,24) Gjuha e Biblës duhet të interpretohet në bazë të domethënies së qartë përveç në qoftë se janë përdorë simbole apo figura të caktuara. Krishti e ka dhënë këtë premtim: “Kush do ta kryej vullnetin e Tij, do ta njoh a është ky mësim i Zotit.” (Gjoni 7,17) Në qoftë se njerëzit dëshirojnë ta kuptojnë Biblën ashtu siç thotë ajo, sikur të mos kishte mësues të rrejshëm për t'ua tollovitur mendjet, do të zbatohej vepra e cila do t'i gëzonte engjëjt dhe mijëra e mijëra njerëz që bredhin në lajthitje do të vinin në grigjet e Krishtit. BZ 568.2

Ne gjatë studimit të Biblës duhet t'i përdorim të gjitha forcat shpirtërore dhe ta angazhojmë arsyen për t'i kuptuar realitetet e thella qiellore aq sa është e mundshme për njerëzit vdekatarë. Por nuk duhet të harrojmë se dëgjueshmëria fëmijërore dhe nënshtrimi janë tiparet e vërteta të nxënësve. Vështirësitë biblike kurrë nuk mund të përballohen në mënyrën e njëjtë me të cilën shërbehemi gjatë analizimit të problemeve filozofike. Ne nuk mund të lëshohemi në studimin e Biblës me atë vetëbesim me të cilin shumë njerëz i qasen studimeve nga sfera e shkencës, por me lutje dhe besim në Zotin dhe me dëshirë të sinqertë që ta njohim vullnetin e tij. Ne duhet të nisemi nga shpirti i devotshëm dhe i dëgjueshëm në qoftë se duam ta arrijmë njohjen e të madhit “UNË JAM”. Në rastin e kundërt shpirtërat e këqijë do të na e verbërojnë arsyen dhe do ta shkëpusin zemrën tonë nga e vërteta e cila në ne nuk mund të lë kurrëfarë mbrese. BZ 568.3

Shumë pjesë të Shkrimit Shenjt të cilat njerëzit i konsiderojnë mistere ose i kapërcejnë si diçka të parëndësishme, janë përplot ngushëllime dhe mësime për atë i cili mëson në shkollën e Krishtit. Njëra ndër arsyet përse shumë teologë nuk e kanë të qartë kuptimin për Fjalën e Zotit është fakti se i mbyllin sytë para të vërtetave të cilat nuk duan t'i zbatojnë në jetën e tyre. Kuptimi i të vërtetave biblike, nuk varet aq shumë nga fuqitë intelektuale të atij që i studion, aq sa nga sinqeriteti i qëllimeve dhe i dëshirave serioze për drejtësi. BZ 568.4

Bibla kurrë nuk bën të studjohet pa lutje. Vetëm Shpirti Shenjt mund të na ndihmojë ta kuptojmë rëndësinë e atyre gjërave të cilat lehtë mund të kuptohen dhe të na ruajë nga mjegullimi i atyre pikave të së vërtetës të cilat vështirë kuptohen. Është detyrë e engjëjve qiellorë t'i përgatisin zemrat tona për ta kuptuar Fjalën e Zotit ashtu që të jemi të ngazëllyer nga bukuria e saj, të mbushur me këshilla, të kurajuar dhe të forcuar me premtimet të cilat gjenden në të. Një lutje e autorit të psalmeve duket kësisoji: “Hapmi sytë që të shikojë mrekullitë e Ligjit Tënd.” (Psalmi 119,18) Kjo duhet të jetë edhe lutja jonë. Sprovat shpeshherë na duken të papërballueshme për arsye se lihet pasdore lutja dhe studimi i Biblës si dhe fakti se ai që i nënshtrohet sprovës nuk i përkujton menjëherë premtimet e Zotit për ta pritur satanin me armën biblike. Mirëpo, engjëjt janë vazhdimisht rreth atyre që kanë vullnet t'i pëvetësojnë gjërat hyjnore dhe në çastin e nevojës së madhe ata do t'ua përkujtojnë ato të vërteta të cilat u nevojiten. “Kur të vijë si përroi i rrëmbyeshëm, Shpirti Shenjt do të qëndrojë përballë tij.” (Isaia 59,19) BZ 569.1

Jezusi u ka premtuar nxënësve të vet: “E Shpirti Shenjt—mbrojtës të cilin do tua dërgojë Ati në emër Tim, Ai do t'jua mësojë të gjitha dhe do t'ju përkujtojë gjithçka ju thash.” (Gjoni 14,26) Mirëpo mësimet e Krishtit së pari duhet të jenë skalitur në kujtesën tonë në mënyrë që Shpirti Shenjt në çastin e rrezikut të mund të na e përkujtojë. “Fjalët tua i fsheha në zemrën time”—ka thënë Davidi “që të mos gaboj kundër teje.” (Psalmi 119,11) BZ 569.2

Të gjithë ata që e çmojnë të mirën e amshueshme duhet të ruhen të mos bijnë në sprovën e dyshimeve. Sulmet do të jenë të orientuara ndaj shtyllave themelore të së vërtetës. Është e pamundshme të kursehemi nga përqeshjet, nga filozofemat dhe shkencat e rrejshme e atraktive të shkencës moderne. Satani i rregullon sprovat e veta për të gjitha shtresat. Të paarsimuarit i sulmon duke i përqeshur dhe shpotitur ndërsa të arsimuarit me vërejtje shkencore dhe me sfida filozofike, njësoj të llogaritura për të shkaktuar mosbesim apo për ta nënçmuar Shkrimin Shenjt. Bile edhe rinia që ka pak përvojë, e merr guximin të dyshojë në parimet themelore të krishterimit. Edhe ky mosbesim i të rinjëve, sado që është i cekët e ka ndikimin e vet. Shumë njerëz në këtë mënyrë janë mashtruar duke e shpotitur besimin e prindërve të tyre dhe duke e urrejtur frymën e mëshirës (Hebrenjëve 10,29). Shumë jetëra të atyre që kanë premtuar se do t'i shërbejnë Zotit me nder dhe botës me bekim janë shkatërruar nga fryma e helmuar e ateizmit. Të gjithë ata që mbështeten në konkluzionet narcisoide të arsyes njerëzore dhe u duket se mund t'i interpretojnë misteret hyjnore dhe se pa ndihmën e urtisë së Zotit mund ta gjejnë të vërtetën kanë rënë në rrjetën e kurtheve të satanit. BZ 569.3

Ne jemi duke jetuar në periudhën kohore më solemne të historisë së kësaj bote. Fati i njerëzve të cilët e kanë stërmbushur botën së shpejti duhet të vendoset. E mira e jonë e ardhshme personale e gjithashtu edhe shpëtimi i njerëzve të tjerë, varet nga rruga prej të cilës tani do të nisemi. Është e nevojshme që të na prijë fryma e së vërtetës. Çdo pasues i Krishtit duhet të pyes seriozisht: “O Zot çka dëshiron të bëj?” Ne duhet të përkulemi para Zotit në agjërim dhe lutje dhe që shumë të mendojmë për Fjalën e tij e sidomos për ngjarjet në gjyq. Tani duhet të kërkojmë përvoja të thella dhe të gjalla me Zotin. Nuk bën ta humbim asnjë çast. Rreth nesh janë duke u ngjeshur ngjarjet me rëndësi më të madhe: ne gjendemi në trollin magjik të satanit. Mos flini rojet e Zotit! Armiku është afër dhe ju vrojton, i gatshëm që në çdo moment të vërsulet mbi ju dhe t'ju bëj pre, vetëm në qoftë se koteni dhe ju zë gjumi. BZ 570.1

Shumë njerëz janë të mashtruar në pikëpamje të pozitës së tyre para Zotit. Ata janë të kënaqur me vetveten sepse nuk kanë bërë vepra të këqija por i harrojnë veprat e mira dhe fisnike të cilat i kërkon Zoti prej tyre që ata nuk i kanë bërë. Nuk mjafton që ata janë pemë në kopshtin e Zotit. Zoti pret që ata të japin fryte. Ai i bën përgjegjës për të gjitha të mirat të cilat në mëshirën e Tij kanë mundur t'i bëjnë dhe nuk i kanë bërë. Ata janë të regjistruar në librat qiellorë si ata që i pengojnë tokës. Mirëpo edhe rasti i këtyre njerëzve nuk është krejtësisht pa mëshirë. Për ata që nuk e çmojnë dashurinë e Zotit dhe e keqpërdorin mëshirën e tij, zemra e dashurisë që duron shumë ende lutet. “Prandaj thotë: zgjohu ti që fle, ngritu nga të vdekurit dhe do të shëndërisë Krishti! Shikoni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë por si njerëz të urtë të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija.” (Efesianëve 5,14-16) BZ 570.2

Kur të vijë koha e provës do të dëshmohen ata që e kanë pranuar Fjalën e Zotit si rregull të jetë së tyre. Në verë nuk shihet dallimi ndërmjet drunjëve halorë dhe të tjerë; por kur të vijnë stuhitë e dimrit drunjët halorë mbeten të pandryshyeshëm ndërsa të tjerëve u bijnë gjethet. Kështu edhe tani, gjoja të krishterët nuk mund të dallohen nga të krishterët e vërtetë, por është pikërisht para nesh koha kur ky dallim do të duket. Le të ngriten kundërshtarët le të ndizet fanatizmi fetar dhe intoleranca përsëri, le të vazhdojnë persekutimet—gjysëm të krishterët dhe hipokritët do të luhaten dhe do të heqin dorë nga feja e tyre, por të krishterët e vërtetë do të qëndrojnë fuqishëm si kreshta me besim edhe më të fuqishëm dhe me shpresë edhe më të ndritshme se në ditët e mirëqenies. BZ 571.1

Autori i psalmeve thotë: “Ligjin tënd gjithë ditën e sjellë në mend! Me anë të urdhërimve tua e fitoj urtinë, prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre.” (Psalmi. 119,99.104) “Lum njeriu që e fitoi urtinë.” “Ai do të jetë por si druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët e s'do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie s'është në kujdes, nuk pushon duke dhënë fruta.” (Fjalët e Urta 3,14; Jeremiu 17,8) BZ 571.2