Hapa Drejt Jezusit
2—Nevoja që mëkatarët kanë për Krishtin
Adami dhe Eva u krijuan me mendje të përsosura dhe fuqi madhështore. Mendimet e tyre ishin të pastra dhe qëllimet e tyre të shenjta. Por kur ata zgjodhën të mos t'i bindeshin Perëndisë, mendimet e tyre ndryshuan. Dashuria për veten mori vendin e parë para dashurisë për Perëndinë. Mëkati i bëri ata aq të dobët sa nuk mundeshin t'i rezistonin fuqisë të së keqes vetëm. Ata ishin skllevërit e Satanait edhe mund të kishin mbetur përgjithnjë skllevër, në qoftë se Perëndia nuk do t'i ndihmonte. Satanai donte ta prishte planin që Perëndia kishte, kur ia krijoi burrin dhe gruan. Satanai donte ta mbushte botën me probleme dhe vdekje dhe më pas gjithë këtë ligësi ta përdorte kundër Perëndisë që ta fajësonte për krijimin e qënieve njerëzore. Përpara se të mëkatonin , Adami dhe Eva ndjenin kënaqësi kur flisnin me Perëndinë. Ata ishin të lumtur të qëndronin me të, sepse “Ai është çelësi që hap të gjitha thesaret e fshehura të diturisë dhe të njohjes” (Kolosianëve 2:3). HDJ 16.1
Por pasi mëkatuan, ata nuk gjetën lumturi në të qenurit të shenjtë dhe u përpoqën të fshiheshin prej Perëndisë. Mëkatarët sot bëjnë të njejtën gjë, sepse ata nuk duan gjërat që Perëndia i do. Ata nuk ndiejnë kënaqësi të jenë me Perëndinë ose të flasin me Të në lutje. Në qoftë se Perëndia do t'i lejonte ata të hynin në parajsë, ata nuk do të ishin të lumtur atje, nuk do të gëzoheshin të qëndronin me Perëndinë, ose të kalonin kohën me Engjëjt e Shenjtë. Në parajsë mbretëron dashuria vetëmohuese. Atje çdokush e do Perëndinë, sepse Ai i do ata. Por dashuria e Perëndisë nuk do t'i përgjigjet zemrës së një mëkatari. Mendimet dhe mënyrat e një mëkatari do të jenë të ndryshme ndaj mendimeve të njerëzve pa mëkat që do të jetojnë në parajsë dhe ai do të jetë gjithmonë i pakënaqur. Mëkatari do të dojë të fshihet prej Jezusit, prej dritës dhe qendrës së lumturisë në parajsë. Mëkatarët nuk janë përjashtuar nga parajsa prej urdhërit hyjnor, por janë përjashtuar nga mospërshtatja e vetë atyre për të jetuar atje. Lavdia e Perëndisë do të jetë për ta një zjarr që djeg. Ata do të dëshirojnë të vdesin që të mos shohin fytyrën e Jezusit që vdiq për t'i shpëtuar. Nuk është e mundur që ne vetë të shpëtojmë prej fuqisë së mëkatit. Zemrat tona janë plot mëkat dhe ne nuk mund t'i ndryshojmë. “Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër” (Jobi 14:4). Në fakt mëndja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk mund t'i nënshtrohet ligjit të Perëndisë (Romakëve 8:7). Edukimi, sjellja e mirë dhe fuqia e vullnetit të gjitha kanë vëndin e tyre për të na ndihmuar të bëjmë të mirën. Por të gjitha këto nuk na e ndryshojnë dot jetën dhe as nuk na e pastrojnë zemrën. Vetëm një jetë e re nga lart dhe një fuqi që depërton brënda nesh mund të na ndryshojë nga të qënurit mëkatar, në të shenjtë. Ajo fuqi është Krishti. Vetëm hiri i Tij mund t'u japë jetë shpirtrave tanë të vdekur dhe të na çojë drejt Perëndisë dhe shenjtërisë. Shpëtimtari tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që, nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:3). Vetëm, nëse dikujt i jepet një zemër e re prej Perëndisë me dëshira dhe qëllime të reja. Disa besojnë se mund të zhvillojnë dhe ushqejnë të mirën që ndodhet në ta, por kjo ide është e gabuar dhe të udhëheq drejt vdekjes së përjetshme. “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t'i njohë, sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Jezusi tha, “Mos u mrekullo që të thashë: Duhet të lindni përsëri” (Gjoni 3:7). Është shkruar për Krishtin: “Në Atë ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve” (Gjoni 1:4). “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Aposujve). Ne shohim dashamirësinë e Perëndisëdhe keqardhjen e tij atërore, shohim se ligji i Tij është i mençur,i drejtë dhe i mirë. Është një ligj dashurie, por asnjëherë nuk është e mjaftueshme për ne që të shohim dhe të njohim gjithë këtë. Apostulli Pal e dinte kur tha: “Unë e pranoj që ligji është i mire. Kështu ligji është i shenjtë dhe urdhërimi i shenjtë,i drejtë dhe i mirë” (Romakëve 7:12,16). Por edhe pse Pali e dinte këtë, ai u ndje i pa shpresë dhe i hidhëruar. Ai tha: “Unë jam i mishtë ,i shitur mëkatit si skllav” (Romakëve 7:14). Pali dëshironte të ishte i pastër dhe i drejtë me Perëndinë, por duke ditur se nuk kishte fuqi ta ndryshonte veten, thirri: “Oh, ç'njeri i mjerë që jam!” Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? (Romakëve 7:24) Kjo thirrje e trishtuar ka dalë nga zemrat e trazuara në të gjitha vendet dhe kohërat. Ka vetëm një përgjigje për çdo njeri: “Ja, Oengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29). Perëndia ka provuar në mënyra të ndryshme për t'ua bërë të qartë këtë të vërtetë të gjithë atyre që duan të lirohen prej mëkatit. Pasi Jakobi mashtroi atin e tij dhe vodhi bekimin që i takonte vëllait të tij Esaut, atij i duhej të largohej nga shtëpia. Ai ishte i vetëm dhe larg prej familjes së tij, por vetëm një mendim e shqetësonte atë më shumë nga të tjerët. Ai kishte frikë se mëkati i tij e kishte larguar prej Perëndisë. I trishtuar, Jakobi u mbështet në tokën e thatë e të zhveshur për të pushuar. Kodra të vetmuara ndodheshin përreth tij dhe sipër, qiejt e ndritshëm e të yjëzuar. HDJ 16.2
Kur ra të flinte, ai pa në endërr një dritë që e rrethonte, pa një shkallë që arrinte deri në portat e parajsës. Engjëjt ngjiteshin dhe zbrisnin në shkallë dhe prej lavdisë lart, Jakobi dëgjoi një zë që foli një mesazh sigurie dhe shprese. Ky mesazh prej qiellit iu përgjigj nevojës që kishte zemra e ti. Atij iu zbulua, se nëpërmjet Shpëtimtarit të tij, Jakobi një mëkatar, të bëhej përsëri mik me Perëndinë. Jakobi ishte mirënjohës dhe i lumtur për këtë. Shkalla në ëndrrën e Jakobit përfaqësonte Jezusin, i Cili është i vetmi që mund të bashkojë Perëndinë me njerëzit. Krishti po fliste për ëndrrën e Jakobit, kur Ai i tha Natanaelit: “Ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e Njeriut” (Gjoni 1:51). Kur Adami dhe Eva mëkatuan, u larguan prej dashurisë dhe miqësisë së Perëndisë. Ata e larguan veten e tyre prej Tij dhe nuk mund të flisnin më me Perëndinë. Por nëpërmjet Krishtit, toka lidhet përsëri me qiellin, Jezusi bëri një urë midis tokës dhe qiellit, kështu që engjëjt mund të ndihmojnë dhe ngushëllojnë njerëzit. Ai mori mëkatarët, të dobëtit, të paaftët dhe i bëri që të preknin Burimin e fuqisë së pashtershme. Kemi shumë nevojë për ndihmën e Perëndisë në çdo gjë që përpiqemi të bëjmë. Çdo përpjekje që mundohemi të bëjmë për njerëzit që të kenë një jetë më të mirë, kthehet në hiç pa ndihmën nga lart. Perëndia është shpresa e vetme per mëkatarët dhe çdo e mirë dhe dhuratë e përsosur që na jepet, vjen prej së larti (Jakobi 1:17). Pa Perëndinë, ne nuk mund të kemi karakter vërtet të mirë. Udha e vetme drejt Perëndisë është Krishti: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta ; askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Perëndia ka një interes të thellë e të veçantë për fëmijët e tij tokësorë. Dashuria e Tij për ne është më e fortë se çdo dashuri tjetër. Duke dhënë Birin eTij, Perëndia ka derdhur mbi ne të gjithë parajsën në një dhuratë të vetme. Jezusi jetoi dhe vdiq. Tani Ai është Prifti ynë i lartë dhe i fuqishëm. Engjëjt qiellorë po punojnë për të na shpëtuar. Një Baba i dashur dhe Fryma e Shenjtë janë duke punuar për shpëtimin tonë. Le të kalojmë kohë dhe të mendojmë për sakrificën madhështore që Shpëtimtari bëri për ne, le të falenderojmë me gjithë zemër për punën që parajsa po bën për të shpëtuar të humburit. Perëndia po bën gjithçka që Ai mundet për të na sjellë përsëri në shtëpinë eTij. Krishti ofron një shpërblim të madh për ata që bëjnë të drejtën. Ai premton lumturi në qiell, ku përgjithmonë ne do të zhvillohemi në mendje, shpirt dhe trup. Ne do të kënaqemi në shoqërinë e engjëjve dhe do të ndajmë dashurinë e Perëndisë dhe Birit të Tij. Sigurisht që këto shpërblime janë të mjaftueshme për të na bindur t'i japim zemrat tona Krijuesit dhe Shpëtimtarit tonë. Nga ana tjetër, fjala e Perëndisë na paralajmëron të mos i shërbejmë Satanait, duke na thënë se mëkati shkatërron karakterin dhe si pasojë sjell vdekjen e përjetshme. Në fund të botës, Perëndia do të shkatërrojë gjithë mëkatin. HDJ 19.1
Le të kujtojmë mëshirën e Perëndisë. Çfarë mund të bënte më tepër Perëndia? T'i drejtojmë zemrat tona në marrëdhënie të drejtë me Atë që na deshi aq shumë. Le ta pranojmë dashurinë e Perëndisë dhe udhën në të cilën mund të ndryshohemi e të bëhemi si Ai. Më pas do të miqësohemi dhe do të ndjehemi me të vërtetë në shtëpinë tonë, me Atin dhe Birin. HDJ 20.1