Hapa Drejt Jezusit
1—Dashuria e Perëndisë për njeriun
Natyra dhe Bibla na tregojnë për dashurinë e Perëndisë. Ati ynë në Oiej na jep jetë, mençuri dhe ngazëllim. Vështro elementët e mahnitshëm natyrorë dhe mendo mënyrat e ndryshme që natyra siguron për nevojat dhe lumturinë e të gjithë krijesave. Drita e diellit dhe shiu dëshmojnë dashurinë e Krijuesit, kodrat, detet dhe rrafshinat flasin për Të. Ai siguron nevojat e përditshme për çdo krijesë. Në psalmet e bukura, Davidi shkroi për Perëndinë: HDJ 9.1
“Sytë e të gjithëve shikojnë drejt Teje duke pritur dhe ti, u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë” (Psalmi 145:15-16). HDJ 9.2
Perëndia e krijoi Adamin dhe Evën përsosmërisht të shenjtë dhe të lumtur. Toka ishte e bukur kur doli prej duarve të Perëndisë. Nuk kishte asgjë të shkatërruar ose të vdekshme. Por Adami dhe Eva nuk iu bindën ligjit të Perëndisë, ligjit të dashurisë. Mosbindja solli trishtim dhe vdekje. Megjithatë Perëndia e tregoi dashurinë e Tij edhe kur mëkati po shkaktonte vuajtje. Bibla thotë, se Perëndia e mallkoi tokën për të mirën e qënieve njerëzore (Zanafilla 3:17). Ai lejoi gjëmbat dhe barërat e këqia të rriteshin. Lejoi sprovat dhe shqetësimet që jetët e njerëzve të mbusheshin me punë dhe përkujdesje. Këto shqetësime ishin për të larguar njeriun nga rrënojat dhe turpi i shkaktuar nga mëkati. HDJ 9.3
Por kjo botë plot mëkat nuk është e gjitha vuajtje dhe dhembje. Vetë natyra na jep mesazhe shprese dhe ngushëllimi. Lulet rriten bashkë me shkurret dhe trëndafilat mbulojnë gjëmbat. Fakti që “Perëndia është dashuri” dëshmohet nga çdo lule që çel dhe nga çdo fije bari, zogjtë e këndshëm që këndojnë melodinë e tyre të gëzueshme dhe të gjitha këto shfaqin përkujdesjen e Perëndisë për ne. Lulet shumëngjyrëshe që ëmbëlsojnë ajrin dhe pemët e larta e të blerta na kujtojnë se Ai dëshiron t'i bëjë të lumtur fëmijët e Tij. Bibla shpalos karakterin e Perëndisë. Zoti vetë na ka folur për dashurinë e Tij dhe mëshirën. Kur Moisiu u lut “Tregomë lavdinë Tënde” Zoti iu përgjigj: “Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime” (Eksodi 33:18-19 KJV). Mirësia e Zotit është lavdia e Tij. Perëndia kaloi pranë Moisiut dhe tha: “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkejet dhe mëkatin” (Eksodi 34:6-7). Perëndia është gjithmonë i durueshëm dhe i mirë dhe na tregon dashurinë e Tij të qëndrueshme (Jona 4:2; Mikea 7:18). Perëndia i ka udhëhequr zemrat tona drejt Tij në mënyra të ndryshme. Ai provoi të na tregonte për Veten e Vet nëpërmjet natyrës dhe dashurisë më të thellë dhe të pastër që mund të njohë zemra e njeriut. Por kjo ende nuk e tregon plotësisht dashurinë e Tij për ne. Edhe pse Perëndia na ka dhenë gjithë këto prova, Satanai, armiku i Perëndisë, i ka verbuar mendjet e njerëzve, kështu që ata të tmerrohen prej Perëndisë dhe të mendojnë se Ai është i ashpër dhe i pamëshirshëm. Satanai përpiqet t'i bëjë njerëzit që të mendojnë se Perëndia është një gjykatës i ashpër dhe mizor. Ai thotë, se krijuesi ruan rastin kur njerëzit mëkatojnë dhe kështu të mund t'i ndërshkojë ata. Për t'i treguar njerëzve se të gjitha këto nuk janë të vërteta, Jezusi erdhi të jetojë në këtë botë. HDJ 9.4
Ai dëshironte që njerëzit të njihnin dashurinë e pafund të Perëndisë. Biri i Perëndisë erdhi nga qielli për t'u dhënë njerëzve një pamje më të qartë të Atit. “Askush s'e pa kurrë Perëndinë, kurrë; i vetëmlinduri Bir që është në gjirin e T'et, është Ai që e ka bërë të njohur” (Gjoni 1:18). “Asnjeri nuk e njeh Birin, përveç Atit, dhe asnjeri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij, të cilit Biri do t'ia zbulojë” (Mateu 11:27). Kur njëri nga dishepujt i tha Jezusit: “Na e trego Atin” Jezusi i tha: HDJ 11.1
“Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; si vallë po thua: “Na e trego Atin” (Gjoni 14:8-9). Jezusi foli rreth punës së Tij në këtë tokë. Ai tha: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse Ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; Ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve edhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit” (Luka 4:18). Kjo ishte puna e Tij. Ai shkoi kudo të bënte mirë dhe shëroi të gjithë të sëmurët nga Satanai. Në fshatra të tërë nuk u dëgjuan më klithma dhembjeje, sepse Ai kaloi nëpër to dhe shëroi të gjithë të sëmurët. Vepra e Jezusit tregoi, se Ai ishte dërguar nga qielli. Në çdo vepër të jetës së Tij pasqyrohej dashuria, mëshira dhe dhembshuria. Zemra e Tij ishte e mbushur plot me dashuri për njerëzit. Biri i Perëndisë u kthye në njeri që të mund të ndihmonte njerëzit. Më të varfërit dhe të përulurit nuk ndruheshin t'i afroheshin Atij. Edhe fëmijët e vegjël donin të rrinin afër Tij, ata kënaqeshin kur qëndronin në prehërin e Jezusit dhe shihnin fytyrën e Tij të dashur dhe mendimtare. Jezusi nuk mbajti asnjë të fshehtë dhe gjithnjë fliste me dashuri, Ai ishte i sjellshëm, i mirë dhe i përzemërt me të tjerët. Nuk ishte asnjëherë nevrik, apo i ashpër dhe kurrë nuk foli me ashpërsi të tepruar. Ai kurrë nuk lëndoi ndokënd, apo të qortonte njerëzit për dobësitë e tyre. Jezusi tha të vërtetën, por gjithnjë me dashuri. HDJ 11.2
Ai foli kundër shtirjes, mosbesimit dhe mëkatit, por kur i duhej të fliste prerazi dhe në mënyrë direkte, gjithnjë në tonin e Tij, dallohej trishtim. Jezusi qau për qytetin që e donte shumë, sepse nuk e pranonte Atë si rrugën e vetme, të vërtetën dhe jetën. Njerëzit u kthyen kundër Shpëtimtarit të tyre, por Ai gjithnjë i pa me dashuri dhe mëshirë. Jezusi nuk jetoi për Veten e Vet, por vëmëndja e Tij ishte e përqëndruar tek të tjerët. Çdo njeri ishte i çmuar për Të. Ai u kujdes me plot dashuri për çdo pjesëtar të familjes së Perëndisë duke i konsideruar të gjitha qëniet njerëzore si persona që kishin nevojë për shpëtim. Jeta, që Jezusi jetoi, shpalos karakterin e Tij dhe gjithashtu, na zbulon karakterin e Perëndisë. “Lumenj dashurie qiellore rrjedhin nga zemra e Perëndisë drejt nesh nëpërmjet Birit të Tij. Jezus i dhembshuri, Shpëtimtari mëshirëplotë, Perëndia u shfaq në mish” (lTimoteut 3:16). Jezusi jetoi, vuajti dhe vdiq të na shpëtonte ne. Ai u kthye në “Njeriun e Dhembjeve” që ne të jetonim në gëzim të përjetshëm. Perëndia e la Birin e Tij të dorëzonte lavdinë e parajsës dhe të vinte në një botë të mbuluar nga mëkati. Zoti e la Jezusin të vinte në një botë të errësuar nga hija e vdekjes. Ai lejoi Birin e Vet të largohej nga prezenca e Tij dhe nga adhurimi i engjëjve. E la që të vuante turpin, urrejtjen dhe vdekjen. “Ndëshkimi për të cilin kemi paqen, është mbi Të dhe për shkak të vurratave të Tij, ne jemi shëruar” (Isaia 53:5). HDJ 12.1
Shiheni Jezusin në shkretëtirë, në Gjetsemani dhe në kryq. Biri i përsosur i Perëndisë mori mbi Vete peshën e mëkatit. Ai kishte qenë një me Perëndinë, por në kryq Ai ndjeu ndarjen e tmerrshme që mëkati bën midis Perëndisë dhe njeriut dhe prej kësaj nga shpirti i Tij doli një thirrje e dhembshme: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46) Ajo ç'ka ia theu zemrën ishte pesha e mëkatit, fuqia e tij e tmerrshme që ndan mëkatarin nga Perëndia. Por Biri i Perëndisë nuk e dha jetën e Tij që të bënte Atin e Tij të na donte. Ai nuk vdiq që pastaj Perëndia të mund të na shpëtonte, Jo, jo! “Sepse Perëndia e deshi aq botë sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16). Perëndia na do jo, sepse Krishti vdiq për ne! Ai ia dha Birin e Tij vdekjes, sepse Ai na deshi. Nëpërmjet Krishtit Perëndia derdhi dashurinë e Tij të pafundme mbi një botë mëkatare. “Zoti i bëri miq qëniet njerëzore nëpërmjet Krishtit” (2 Korintasve 5:19). Perëndia vuajti bashkë me Birin e Tij. Me dhembjen në Gjetsemani dhe me vdekjen në kryq Perëndia pagoi çmimin për shpëtimin tonë. Jezusi tha: “Prandaj Ati më do, sepse Unë e lë jetën time që ta marr përsëri” (Gjoni 10:17). Kjo është pra: “Ati im ju deshi aq shumë, sa që Ai më do mua edhe më tepër, sepse dhashë jetën për t'ju shpenguar. Unë shleva mëkatet në vëndin tuaj dhe prej kësaj jam më afër Atit se më parë, që Perëndia të vazhdojë të shpëtojë mëkatarë, të cilët besojnë në mua”. HDJ 12.2
Vetëm Biri i Perëndisë mund të na shpëtojë. Vetëm Ai që është Një me Atin mund të na tregojë për të. Vetëm Ai mund të na e tregojë se sa e madhe dhe e thellë është dashuria e Zotit. Asgjë tjetër, përveç sacrificës së Krishtit për ne, mund të na e tregojë se sa shumë i do Perëndia mëkatarët. “Perëndia e deshi aq botën sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16). Ai e dha Krishtin të jetonte midis njerëzve, të mbante mëkatet dhe borxhet e tyre dhe të vdiste për ta. Perëndia ia dha Birin e Tij kësaj bote, duke u kthyer në njeri, Krishti do të kuptonte se si ndiheshin qëniet njerëzore dhe çfarë nevojash kishin. Ai ishte në unitet me Perëndinë, por gjithnjë do të ishte i lidhur me qëniet njerëzore. “Jezusi nuk turpërohet t'i quajë ata familjen e Vet” (Hebrenjtë 2:11). Jezusi ështe sakrifica jonë, Avokati ynë, vëllai ynë që qëndron në formën njerëzore përpara fronit të Atit të Tij. Në këtë formë Ai do të jetë përherë në unitet më qëniet njerëzore që Ai shpëtoi. Ai është Biri i njeriut, dhe e bëri gjithë këtë për të na ngritur nga rrënojat e mëkatit që ne të mund të reflektojmë dashurinë e Perëndisë dhe të ndajmë gëzimin e jetesës së Perëndishme. Duke dhënë Birin e Tij të vdesë për ne, Ati ynë qiellor bëri një sakrificë të madhe dhe pagoi një çmim të lartë për të na shpenguar. Një çmim i këtillë duhet të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë shpreson Perëndia që ne të bëhemi nëpërmjet Krishtit. Apostulli Gjon pa se sa e madhe, e thellë dhe e gjerë është dashuria e Perëndisë dhe ai donte të tregonte rreth saj, por nuk mund të gjente fjalët për ta përshkruar. Kështu Ai tha: “Shikoni se sa shumë na ka dashur Perëndia! Dashuria e Tij është kaq e madhe sa ne jemi quajtur Bijtë e Perëndisë” (1 Gjoni 3:1). HDJ 13.1
Ç'vlerë të lartë vendos kjo mbi ne! Duke mëkatuar qëniet njerëzore kthehen në mjete të Satanait. Por nëpërmjet besimit në Krishtin dhe në vdekjen e Tij, ne mund të bëhemi fëmijët e Perëndisë. Duke marrë parasysh natyrën njerëzore, Krishti i vendos mëkatarët aty ku ata mund të bëhen të vlefshëm për emrin “Bij të Perëndisë.” Nuk ka dashuri që mund të krahasohet me këtë, bijtë e Mbretit qiellor! Premtim i çmuar! Sa mrekulli të mendosh rreth dashurisë së madhe të Zotit për një botë që nuk e deshi atë! Të menduarit rreth dashurisë së Perëndisë, na bën të ndihemi shumë të përulur. Ky mendim, ashtu siç tregohet nga vdekja e Jezusit, duhet të na i çojë mendjet tona afër Perëndisë. Sa më shumë studiojmë karakterin e Perëndisë dhe sa më shumë vazhdojmë të shohim drejt kryqit, aq më tepër ne shohim mëshirën e Perëndisë, dhembshurinë dhe faljen. Ne shohim se dashuria e Tij e pafundme , është shumë më e madhe nga dashuria e një nëne për fëmijën e saj të pabindur. HDJ 14.1