PATRIARKË DHE PROFETË

74/74

73—“VITET E FUNDIT TË DAVIDIT”

*****

Rrëzimi i kryengritjes së Absalomit nuk solli një paqe të menjëhershme për mbretërinë. Një pjesë e konsiderueshme e kombit ishte përfshirë në këtë revoltë, sa që Davidi nuk kthehej dot në kryeqytet që të rivendoste autoritetin e tij pa patur një ftesë nga ana e fiseve. Në situatën e rrëmujshme që vijoi pas disfatës së Absalomit, nuk pati ndonjë veprim të prerë dhe të vendosur për të rithirrur mbretin, dhe kur më në fund fisi i Judës e mori përsipër që të thirrte përsëri mbretin David, xhelozia e fiseve të tjera u ndez sërish, gjë që solli rifillimin e një kundërrevolucioni. Por megjithatë, ky i fundit u shtyp me shpejtësi, dhe paqja u rikthye edhe një herë në Izrael. 56 PPAlb 576.1

Historia e Davidit na paraqitet si njëra prej dëshmive më domethënëse që na paralajmëron për rreziqet që na kanosen nga pushteti, pasuria dhe nderimet që na bën bota—ato gjëra që dëshirohen e lakmohen më shumë prej njerëzve. Të paktë janë ata njerëz të cilët e kanë kaluar këtë përvojë jete dhe kanë dalë më të përgatitur për t’i bërë ballë kësaj prove. Jeta e hershme e Davidit si barí, jetë kjo e mbushur me mësime përulësie, të punës së palodhur, dhe përkujdesjes së duruar për bagëtitë; kuvendimi e komunikimi me natyrën në vetminë që ofronin kodrat, të cilat e çuan më tej talentin e tij të mrekullueshëm për muzikë dhe poezi, si dhe drejtimi i mendimeve dhe ndjenjave për nga Perëndia Krijues; disiplina e gjatë e jetës që kaloi në shkretëtirë, e cila e detyroi që të ushtronte mirë kurajon, burrërinë, durimin dhe besimin në Zotin—të gjitha këto ishin përcaktuar nga vetë Zoti si parapërgatitje për fronin e Izraelit. Davidi kishte shijuar eksperienca shumë të vyera të dashurisë së Perëndisë, dhe ishte bekuar me një porcion të veçantë të Frymës së Tij; Tek historia e jetës së Saulit ai kishte parë mirë se sa e kotë dhe e padobishme ishte dituria njerëzore e pabazuar tek Perëndia. Por megjithatë, sukseset dhe nderimet që i bënte bota e dobësuan disi karakterin e Davidit, kur marrim parasysh se ai u mposht shumë herë nga zemërimi dhe temperamenti. PPAlb 576.2

Marrëdhëniet me kombet pagane bënë që izraelitëve t’u lindte dëshira për të ndjekur e kremtuar zakonet e traditat e tyre kombëtare, si dhe zgjuan tek ata ambicien për t’u bërë të mëdhenj në sytë e botës. Në të vërtetë, si populli i Zotit Perëndi, Izraelit i takonte të nderohej; por ndërkohë që krenaria dhe mbështetja tek vetja sa vinte e rritej, izraelitët nuk ndjeheshin dhe aq të kënaqur me këtë lloj superioriteti. Ata e kishin mendjen më tepër se si të rradhiteshin më lart se kombet e tjerë. Kjo lloj fryme do të binte fare lehtë pré ndaj tundimit. Me synimin për të thelluar më tej sundimin mbi kombet e huaja, Davidi vendosi që ta rrisë ushtrinë në numër duke imponuar shërbimin e detyruar ushtarak për të gjithë meshkujt në moshën e caktuar. Për ta mundësuar këtë gjë, u bë i domosdoshëm një rregjistrim i përgjithshëm i popullsisë. Ky vendim i mbretit u nxit nga krenaria dhe ambicia. Numërimi i popullit vetëm sa do të vinte në dukje kontrastin ndërmjet dobësisë së mbretërisë izraelite kur Davidi ishte ngjitur në fronin mbretëror dhe begatinë, dhe forcimin që ajo kishte shijuar gjatë sundimit të tij. Kjo lloj mendësie vetëm sa do t’i bënte si mbretin, ashtu edhe popullin, që të mbështeteshin edhe më shumë në forcat e veta (duke harruar kështu Perëndinë). Shkrimet e Shenjta madje thonë se, “Por Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e provokoi Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit.” -1 Kronikave 21:1. Begatia që Izraeli shijoi gjatë mbretërimit të Davidit kishte qenë në sajë të bekimeve të Perëndisë dhe jo të aftësive të mbretit apo fortësisë së ushtrive kombëtare. Por zmadhimi i burimeve ushtarake të mbretërisë vetëm sa do t’u krijonte kombeve përreth përshtypjen se Izraeli e varte besimin tek ushtritë e veta, dhe jo tek fuqia e Zotit Perëndi. PPAlb 576.3

Ndonëse populli i Perëndisë ndjehej krenar për madhështinë e atdheut, ata nuk e mirëpritën planin e Davidit për zgjerimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në fakt, thirrja për rregjistrim shkaktoi pakënaqësira të mëdha; për pasojë, u mendua si i domsodoshëm përdorimi i oficerëve ushtarakë në vend të priftërinjve dhe gjykatësve, të cilët kishin qenë më përpara personat përgjegjës për rregjistrimin e përgjithshëm të popullsisë. Kjo ndërmarrje nga ana e mbretit binte në kundërshtim të plotë me parimet e teokracisë (sistemit qeverisës me Zotin Perëndi si Sovran suprem të popullit). Madje edhe Joabi protestoi, në mënyrë të paskrupullt, siç e kishte zakon. Ai tha, ” ‘Zoti, Perëndia yt, e shumëzoftë popullin njëqind herë më tepër nga ç'është dhe sytë e mbretit, zotërisë tim, e pafshin këtë gjë. Po pse mbreti, zotëria im, e dëshiron vallë një gjë të tillë?’ Megjithatë urdhëri i mbretit iu imponua Joabit dhe krerëve të ushtrisë. Kështu Joabi dhe krerët e ushtrisë u larguan nga mbreti dhe shkuan të bëjnë regjistrimin e popullsisë së Izraelit.” - 2 Samuelit 24:3, 4. PPAlb 577.1

Numërimi nuk kishte përfunduar ende kur Davidi u bind për mëkatin që kishte kryer. Duke u ndjerë fajtor, ai tha “Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, ma shlyej paudhësinë time, sepse kam vepruar me marrëzi.” - Vargu 10. Të nesërmen Davidit i erdhi një mesazh nga profeti Gad: “Kështu thotë Zoti: ‘Zgjidh ose tre vjet zi buke, ose tre muaj shkatërrimesh përpara kundërshtarëve të tu, gjatë të cilave shpata e armiqve të tu do të të zërë, ose tri ditë shpate të Zotit, me fjalë të tjera murtaja në vend, gjatë të cilave engjëlli i Zotit do të të sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e Izraelit. Tani më bëj të ditur përgjigjen që duhet t'i jap atij që më ka dërguar.’ Davidi i tha Gadit: ‘Unë jam në një ankth të madh! Oh, më mirë unë të bija në duart e Zotit sepse Ai është shumë i mëshirshëm, se sa të bija në duart e njerëzve’!” - 1 Kronikave 21:11-13. PPAlb 577.2

Kështu, vendi u godit nga murtaja, e cila shkaktoi vdekjen e shtatëdhjetë mijë vetëve në Izrael. Fshikullimi nuk e kishte përfshirë ende kryeqytetin (Jeruzalemin), kur “Davidi me sytë e ngritur, pa engjëllin e Zotit që rrinte midis tokës dhe qiellit me në dorë një shpatë të zhveshur dhe të drejtuar mbi Jeruzalem. Atëherë Davidi dhe pleqtë, të veshur me thasë, ranë përmbys me fytyrë për tokë. Davidi i tha Perëndisë: “A nuk kam qenë unë, vallë, ai që urdhëroi regjistrimin e popullsisë? Kam qenë unë që kam mëkatuar dhe që kam bërë të keqen; por këta, kopeja, çfarë kanë bërë? Të lutem, o Zot, Perëndia im, drejtoje dorën tënde kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim, por mos e godit popullin tënd me këtë fatkeqësi.’” - Vargjet 16, 17. PPAlb 577.3

Rregjistrimi i përgjithshëm i popullsisë kishte shkaktuar pakënaqësi tek populli; por ky i fundit ushqente të njëjtat mëkate që kishin nxitur këtë vendim nga ana e mbretit. Ashtu si Zoti nëpërmjet mëkatit të Absalomit kreu ndëshkimin e Davidit, ashtu edhe nëpërmjet këtij gabimi të këtij të fundit, Zoti ndëshkoi Izraelin për mëkatet që kishte kryer. PPAlb 578.1

Engjëlli shkatërrues u ndal pikërisht në dalje të Jeruzalemit. Ai u ngrit mbi Malin e Moriahut “në lëmin e Ornanit, Jebuzitit.” - Vargu 18. Pasi u udhëzua nga profeti, Davidi shkoi për në mal, dhe atje i ndërtoi një altar Zotit, “Pastaj Davidi ndërtoi në atë vend një altar për Zotin dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi. Kështu Zoti mori parasysh lutjen e bërë nga vendi dhe mjerimi u largua nga populli i Izraelit.” - 2 Samuelit 24:25. PPAlb 578.2

Vendi në të cilin u ngrit altari u konsiderua që atëherë si tokë e shenjtë dhe iu dhurua falas mbretit nga Ornani. Por mbreti nuk pranoi që ta merrte falas atë. ” ‘Jo! Unë dua ta ble për vlerën e saj të plotë, sepse nuk kam për të marrë për Zotin atë që është prona jote dhe nuk kam për të ofruar një ofertë flijimi që nuk më kushton asgjë.’ Kështu Davidi i dha Ornanit si çmim të tokës peshën e gjashtëqind siklave prej ari.” - 1 Kronikave 21:24-25. Ky vend që njihej si vendi ku Abrahami kishte ndërtuar altarin për të flijuar birin e tij Isaakun, u shenjtërua edhe një herë tjetër nga kjo ngjarje, dhe për rrjedhojë, më pas u zgjodh si shesh ndërtimi për tempullin e ndërtuar nga Solomoni. PPAlb 578.3

Gjithsesi, një tjetër hije do të rëndonte mbi Davidin gjatë viteve të pleqërisë. Ai kishte mbushur moshën shtatëdhjetë vjeç. Vështirësitë dhe sfidat gjatë jetës së tij që në rini, luftërat e shumta që kishte luftuar, mundimet dhe pikëllimet e dekadave të fundit, e kishin shterruar burimin e jetës tek ai. Ndonëse mendja e mbretit e kishte ruajtur mprehtësinë dhe qartësinë e vet, dobësia dhe mosha e thyer e shtynin gjithmonë e më tepër drejt vetmisë dhe e kishin penguar që ai të merrte vesh siç duhet se çfarë po ndodhte në të vërtetë në mbretërinë e tij. Kështu, sërish, rebelimi nisi edhe një herë tjetër mu pranë fronit të tij. Përsëri doli në pah llastimi dhe edukimi i gabuar që Davidi kishte kryer si prind. Kësaj rradhe, njeriu që aspironte fronin mbretëror ishte Adonijahu, “një burrë shmë i pashëm” (- 1 Mbretërve l:6b) në fytyrë e paraqitje por kokëkrisur dhe i paskrupullt përbrënda. Që i vogël atij nuk i ishte tërhequr veshi pothuajse fare; sepse “i ati i tij nuk e kishte qortuar kurrë në jetën e tij, duke i thënë: “Pse bën kështu?” - Vargu 6a. Tashmë ai ishte rebeluar ndak autoritetit të Perëndisë, i cili kishte caktuar Solomon in si trashëgimtar të fronit. Si nga aftësitë natyrore, ashtu edhe nga karakteri i perëndishëm, Solomoni ishte shumë më i kualifikuar se sa vëllai i tij më i madh për t’u bërë sundues i Izraelit; megjithatë, ndonëse verdikti nga ana e Perëndisë ishte shprehur shumë qartë, Adonijahu nuk ngeli pa simpatizantë. Joabi, ndonëse kishte qenë fajtor për shumë krime, kishte qenë deri në këtë moment besnik ndaj fronit mbretëror; por tashmë edhe ai iu bashkua komplotit kundër Solomonit, së bashku me priftin Abiathar. PPAlb 578.4

Kryengritja u bë gati; komplotistët u mblodhën në një festë të madhe që po zhvillohej jashtë qytetit për të shpallur Adonijahun mbret, kur ndodhi që plani i tyre të pengohej nga ndërhyrja burrërore e disa personave besnikë, prijësi i të cilëve ishte prifti Zadok, profeti Nathan, si dhe Bathsheba, nëna e Solomonit. Ata ia paraqitën situatën e krijuar mbretit, duke e kujtuar edhe një herë se udhëzimi hyjnor ishte që froni të trashëgohej nga Solomoni. Davidi abdikoi menjëherë për hir të Solomonit, i cili u vajos menjëherë dhe u shpall mbret. Kryengritja komplotiste u shtyp. Nxitësit e saj morën mbi vete dënimin me vdekje. Jeta e Abiatharit u kursye, në sajë të respektit për profesionin e tij dhe besnikërinë e mëparshme që ai kishte treguar ndaj mbretit; por gjithsesi ai shkoi një gradë më poshtë dhe e humbi postin e kryepriftit, i cili i kaloi Zadokut dhe pasardhësve të tij. Edhe Joabi dhe Adonijahu nuk u vranë menjëherë, por pas vdekjes së Davidit ata morën dënimin e duhur për krimin që kishin kryer. Ekzekutimi i dënimit mbi birin e Davidit plotësoi ndëshkimin e katërfishtë që dëshmonte mbi të gjitha për mospajtimin e thellë nga ana e Zotit Perëndi për mëkatet e Davidit si prind. PPAlb 579.1

Që nga fillimi i mbretërimit të Davidit, një prej planeve që ai kishte patur më shumë për zemër ishte ngritja e një tempulli për Zotin. Ndonëse ai vetë nuk u lejua që ta realizonte këtë ëndërr, zelli dhe përkushtimi i tij për këtë projekt madhështor nuk rreshtën asnjëherë. Davidi kishte siguruar (para vdekjes) një sasi të konsiderueshme materialesh nga më të shtrenjtat, ar, argjend, gurë oniksi, gurë të tjerë të çmuar, mermer, si dhe trarë dhe materiale druri nga më të shtrenjtët. Dhe tashmë, këto thesare të çmuara që ishin grumbulluar prej tij do t’i liheshin në dorëzim të tjerëve; sepse duart e të tjerëve do të ishin ato që do ta ndërtonin shtëpinë për arkën e shenjtë, simbolin e pranisë së Zotit Perëndi. PPAlb 579.2

Duke e parë se ditëve të jetës të tij po u vinte fundi, mbreti thirri të gjithë princat e Izraelit, së bashku me njerëzit që përfaqësonin të gjitha krahinat e mbretërisë, që ta merrnin në dorëzim e ta përdornin siç duhet këtë pasuri. Davidi dëshironte t’u linte atyre amanetin e vdekjes, si dhe të siguronte bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre për arritjen e realizimin e këtij projekti madhështor. Për shkak të dobësisë që kishte nga mosha, nuk pritej që ai të ishte vetë i pranishëm gjatë këtij transferimi; por frymëzimi nga ana e Zotit Perëndi erdhi tek Davidi, dhe kështu, karizma dhe fuqia iu rikthyen edhe njëherë të fundit, ndërsa ai foli hapur përpara popullit. Ai u tha njerëzve për dëshirën që kishte patur për të ndërtuar tempullin e shenjtë, si dhe për urdhërimin e Perëndisë që kjo vepër do t’i besohej birit të tij, Solomonit. Premtimi hynjor kishte qenë i tillë, “Do të jetë biri yt Solomon ai që ka për të ndërtuar shtëpinë Time dhe oborret e Mia, sepse kam zgjedhur atë si djalin Tim, dhe unë do të jem për atë si një baba. Do ta bëj të qëndrueshme përjetë mbretërinë e tij në rast se u përmbahet në mënyrë të vendosur urdhërimeve dhe dekreteve të mia, ashtu si po bën sot.” - 1 Kronikave 28:6, 7. PPAlb 579.3

“Kështu, pra,” tha Davidi, “përpara tërë Izraelit, asamblesë së Zotit, dhe përpara Perëndisë tonë që na dëgjon, zbatoni dhe kërkoni tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mund ta zotëroni këtë vend të mirë dhe t'ua lini si trashëgimi bijve tuaj mbas jush, përjetë.” - Vargu 8. PPAlb 579.4

Davidi kishte mësuar nga përvoja e tij jetësore se sa vështirë është rruga e atij njeriu që largohet prej Perëndisë. Ai e kishte ndjerë thellë dënimin për shkak të thyerjes së ligjit, si dhe i kishte vuajtur vetë frytet e paudhësisë; kështu që me gjithë shpirt ua la amanet udhëheqësve të Izraelit që t’i qëndronin besnikë Perëndisë, dhe që Solomoni t’i bindej ligjit të Perëndisë, duke qëndruar larg mëkateve që ia kishin dobësuar autoritetin babait të tij, që ia kishin hidhëruar atij jetën, dhe që, në fund të fundit, kishin çnderuar Perëndinë. Davidi e dinte fare mirë se për t’u bërë ballë tundimeve që me siguri do t’i orvateshin Solomonit si pasojë e pozitës së tij të lartë do të nevojitej përulësia e zemrës, besimi i vazhdueshëm tek Perëndia, si dhe vigjilenca e pandërprerë. Në fakt, njerëzit e ngritur në pozita të larta vihen në shënjestrën më të parë të Satanit. Pasi u drejtua për nga i biri, (Solomoni), i cili sapo ishte shpallur e pranuar botërisht si mbret, Davidi tha: “Ti Solomon, biri im, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë, sepse Zoti heton të gjitha zemrat dhe kupton tërë qëllimet e mendimeve. Në rast se ti e kërkon, Ai do të të lërë ta gjesh; por në rast se ti e braktis, Ai do të të hedhë poshtë përjetë. Tani ki parasysh që Zoti të ka zgjedhur për të ndërtuar një shtëpi si shenjtërore; tregohu i fortë dhe futju punës!” - Vargjet 9,10. PPAlb 580.1

Pastaj Davidi i dha Solomonit udhëzime në detaj në lidhje me ndërtimin e tempullit, përfshi format për çdo nën-ndarje të tij si dhe të gjitha veglat që duheshin për ndërtim, siç i ishin treguar nga frymëzimi hyjnor. Solomoni ishte ende i ri në moshë, dhe u step përpara këtyre përgjegjësive kaq të mëdha që do t’i binin mbi supe, siç ishin ndërtimi i tempullit si dhe qeverisja e popullit të Perëndisë. Kështu, Davidi i tha të birit, “Ji i fortë dhe trim, përvishju punës, mos ki frikë dhe mos u trondit, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, do të jetë me ty. Ai nuk do të lërë dhe nuk do të braktisë deri sa të mbarosh tërë punën për shërbimin e shtëpisë të Zotit.” - Vargu 20. PPAlb 580.2

Edhe një herë tjetër, Davidi bëri një apel përpara asamblesë: “Solomoni, biri im, i vetmi që Perëndia ka zgjedhur, është akoma i ri dhe i pa përvojë, ndërsa vepra është e madhe, sepse ky pallat nuk i është dedikuar një njeriu, por vetë Zotit Perëndi. Me të gjitha mundësitë e mia kam përgatitur për shtëpinë e Perëndisë tim ar për sendet prej ari, argjend për sendet prej argjendi, bronz për sendet prej bronzi, hekur për sendet prej hekuri, dru për sendet prej druri, gurë oniksi dhe gurë për t'u ngallmuar, gurë brilanti dhe me ngjyra të ndryshme, lloj lloj gurësh të çmuar dhe mermer në një sasi të madhe. Përveç kësaj, duke qenë se e kam vendosur dashurinë time mbi shtëpinë e Perëndisë tim, përveç asaj që kam përgatitur për shtëpinë e shenjtërores, i dhuroj shtëpisë së Perëndisë tim thesarin tim personal prej ari dhe argjendi: tre mijë talenta ari, nga ari i Ofirit, dhe shtatë mijë talenta argjendi të kulluar për të veshur muret e shenjtërores, ari për sendet prej ari, argjendi për sendet prej argjendi dhe për të gjitha punimet që duhet të kryhen nga zejtarë të shkathët. Kush është sot i gatshëm ta mbushë dorën e tij për t'ia kushtuar Zotit?” - 1 Kronikave 29:1-5. PPAlb 580.3

Përgjigja nga asambleja ishte e menjëhershme. “Atëherë të parët e shtëpive atërore, krerët e fiseve të Izraelit, komandantët e mijëshëve dhe të qindëshëve, administratorët e punëve të mbretit bënë oferta vullnetare, dhe dhanë për punimin e shtëpisë së Perëndisë pesë mijë talenta ari, dhjetë mijë darika ari, dhjetë mijë talenta argjendi, tetëmbëdhjetë talenta prej bronzi dhe njëzqind mijë talenta prej hekuri. Kushdo që zotëronte gurë të çmuar, i dorëzoi në duart e Jehielit, Gershonitit, me qëllim që të hynin në thesarin e shtëpisë të Zotit. Populli u gëzua nga ofertat e tyre vullnetare, sepse i kishin bërë këto oferta Zotit me gjithë zemër; edhe mbreti David u gëzua shumë. Kështu Davidi bekoi Zotin përpara tërë asamblesë dhe tha: “I bekuar je ti, o Zot, Perëndi i Izraelit, Ati ynë, për gjithë amshimin. Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është Jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe Ti ngrihesh sovran mbi gjithshka. Nga Ti vijnë pasuria dhe lavdia; Ti sundon mbi gjithçka; në dorën Tënde janë forca dhe fuqia, dhe Ti ke fuqinë për të bërë të madh dhe për t'u dhënë forcë të gjithëve. Prandaj ne, o Perëndia ynë, të falenderojmë dhe kremtojmë emrin Tënd të lavdishëm. Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga Ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora Jote. Sepse ne jemi të huaj dhe shtegtarë përpara teje ashtu si qenë etërit tanë. Ditët tona mbi tokë janë si një hije dhe nuk ka shpresë. O Zot, Perëndia ynë, tërë ky bollëk gjërash që kemi përgatitur për të të ndërtuar një tempull Ty, në emrin tënd të shenjtë, vjen nga dora Jote, është e tëra Jotja. Unë e di, PPAlb 580.4

o Perëndia im, që Ti provon zemrën dhe gëzohesh kur sheh sjelljen e drejtë. Prandaj në drejtësinë e zemrës sime të kam ofruar në mënyrë spontane tërë këto gjëra; dhe tani shoh me gëzim që populli yt, që është këtu i pranishëm, bën ofertat e tij në mënyrë spontane. O Zot, Perëndi i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, i etërve tanë, ruaj gjithnjë këto prirje dhe mendime në zemrën e popullit tënd dhe drejto zemrat e tyre nga Ti; dhe jepi Solomonit, birit tim, një zemër të ndershme, që ai të respektojë urdhërimet, porositë dhe statutet e tua, që të bëjë tërë këto gjëra dhe të ndërtojë tempullin për të cilin kam bërë përgatitjet.’ Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë: ‘Tani bekoni Zotin, Perëndinë tuaj.’ Atëherë tërë asambleja bekoi Zotin, Perëndinë e etërve të tyre; u përkulën dhe ranë përmbys përpara Zotit dhe mbretit.” - Vargjet 6-20. PPAlb 581.1

Me interesim maksimal, mbreti i kishte mbledhur të tëra materialet e shtrenjta pëe ndërtimin dhe zbukurimin e tempullit. Ai kishte kompozuar himne të lavdishme që në vitet e mëpasme do të jehonin nëpër oborret e tempullit. Tashmë, zemra e tij u ngazëllye në Perëndinë, ndërsa të parët e etërve dhe prijësve të Izraelit iu përgjigjën kaq fisnikërisht apelit të tij, dhe treguan përkushtimin e tyre personal ndaj kësaj vepre të rëndësishme që i priste përpara. Dhe ndërsa u zotuan për shërbimin që do të kryenin, ata kishin predispozitën që të bënin më shumë. Ata i shtuan ofertat, duke dhuruar nga pasuria dhe kursimet personale e duke mbushur kështu arkën e tempullit. Davidi e kishte ndjerë thellë në shpirt padenjësinë e vet në mbledhjen e matërialeve të ndërtimit për shtëpinë e Perëndisë. Për më tepër, shprehja e devotshmërisë që u vu re nga përgjigja e menjëhershme e fisnikëve të mbarë mbretërisë, të cilët i dhuruan me një zemër plot përkushtim pasuritë e tyre për Zotin Perëndi, e mbushën zemrën e Davidit me një gëzim të papërshkrueshëm. Por vetëm Perëndia e kishte nxitur këtë sjellje shembullore të popullit. Atij dhe jo njeriut, i takonte e gjithë lavdia. Ishte Perëndia Ai që u kishte dhuruar njerëzve pasuritë e gjithë tokës, ndërsa Fryma e Tij i kishte bërë ata të gatshëm për të sjellë gjërat e çmuara që zotëronin për kauzën e ndërtimit të tempullit. Gjithçka vinte nga Zoti; në qoftë se dashurua e Tij nuk do t’i kishte prekur zemrat e njerëzve, përpjekjet e mbretit do të kishin qenë të kota, ndërsa tempulli nuk kishte për t’u ndërtuar ndonjëherë. PPAlb 581.2

Gjithçka që njeriu merr nga bollëku i Perëndisë gjithsesi i takon Perëndisë. Çfarëdo gjëje që Perëndia ka siguruar tek ato gjëra të vlera dhe të bukura të tokës janë vendosur mbi duart e njerëzve për t’i vënë në provë—për të nxitur tek ta dashurinë e thellë për Të, dhe vlerësimin e bekimeve të Tij nga ana e tyre. Qofshin pasuri monetare apo intelekti, ato duhet të paraqiten si një ofertë e vullnetshme, spontane, në këmbët e Jezusit; ndërkohë që ne bashkohemi me Davidin dhe themi, “Të gjitha gjërat vijnë nga Ti, dhe nga të Tuat të kemi dhënë.” PPAlb 582.1

Kur ndjeu se po i afrohej fundi i jetës, merakun në zemër Davidi e kishte sërish për Solomonin dhe mbretërinë e Izraelit, begatia e të cilit do të varej drejtpërsëdrejti nga besnikëria ndaj Zotit. Kështu, “ai urdhëroi të birin Solomon, duke i thënë: ‘Unë jam duke shkuar atje ku shkojnë tërë banorët e tokës; prandaj tregohu i fortë dhe sillu si burrë! Respekto urdhrat e Zotit, Perëndisë tënd, duke ecur në rrugët e tij, duke zbatuar në praktikë statutet e tij, urdhërimet e tij, dekretet e tij dhe porositë e tij, ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me qëllim që ti t’ ia dalësh mbanë në të gjitha gjërat që do të bësh dhe nga çdo anë që të kthehesh, dhe me qëllim që Zoti ta plotësojë premtimin që më ka bërë kur tha: ‘Në qoftë se bijtë e tu do të kujdesen për të ecur para meje me të vërtetë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do të mungojë kurrë dikush mbi fronin e Izraelit’.” - 1 Mbretërve 2:1-4. PPAlb 582.2

“Fjalët e fundit” të Davidit siç janë dokumentuar më poshtë, janë në fakt një këngë e mirëfilltë,—një këngë që flet për besimin, për virtytet parimore, dhe për besnikërinë e pavdekshme: PPAlb 582.3

“Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit: ‘Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia. Perëndia i Izraelit ka folur, Kalaja e Izraelit më ka thënë: ‘Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë, është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu.’ A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt. A nuk do të bëjë ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?” - 2 Samuelit 23:1-5. PPAlb 582.4

E madhe kishte qenë rënia e Davidit (në mëkat) por e thellë kishte qenë pendesa e tij, e zjarrtë kishte qenë dashuria e tij, dhe i fortë kishte qenë besimi që kishte treguar. Ai ishte falur shumë, dhe prandaj kishte dashur aq shumë. Shih Luka 7:48. PPAlb 582.5

Psalmet e Davidit e përshkojnë të gjithë gamën e përvojës njerëzore, që nga thellësitë e fajit të kryer me dashje dhe vetë-ndëshkimit, tek besimi më shembullor dhe kuvendimi më i lavdishëm me Perëndinë. Pasqyra e jetës së Davidit na tregon qartë se mëkati sjell vetëm turp dhe mjerim, por dashuria dhe mëshira e Perëndisë veçse depërtojnë nëpër thellësitë më të mëdha, ndërsa besimi veçse e ngre lart njeriun e penduar që të gëzojë adoptimin si bir apo bijë e Zotit Perëndi. Kur marrim parasysh premtimet që përmbajnë Shkrimet e shenjta, jeta e Davidit mbetet njëra prej dëshmive më të fuqishme të besnikërisë, drejtësisë dhe mëshirës besëlidhëse të Perëndisë. PPAlb 582.6

Njeriu “mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë,” “por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë.” “Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që i druhen Atij, dhe drejtësia e Tij për fëmijët e fëmijëve, për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e Tij për t'i zbatuar në praktikë.” - Jobi 14:2; - Isaia 40:8; - Psalmi 103:17, 18. PPAlb 583.1

Tërë ato që bën Perëndia janë përjetë.” - Predikuesi 3:14a. PPAlb 583.2

Të lavdishme janë premtimet që iu bënë Davidit dhe pasardhësve të tij, premtime që të bëjnë të mendosh për epokat e përjetshme, sepse janë premtime që përmbushen plotësisht në Krishtin. Zoti deklaroi: “Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë: ‘Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë. Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë. Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë. Do të asgjësoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë. Besnikëria Ime dhe mirësia Ime do të jenë me të, dhe me emrin e tij do të bëhet i fuqishëm. Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë. Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: ‘Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit’ Do ta bëj gjithashtu të Parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut. Do të përdor mirësi ndaj Tij përjetë, dhe besëlidhja ime me Të do të mbetet e qëndrueshme. - Psalmi 89:3-28. PPAlb 583.3

Do t'i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshëm
dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
PPAlb 583.4

- Psalmi 89:29.

“Ai do t'u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit,
do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve
dhe do të dërrmojë shtypësin.
Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur,
si një rrebesh që vadit tokën.
Në ditët e tij i virtytshmi do të lulëzojë
dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri
dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
Emri i tij do të vazhdojë përjetë,
emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell;
dhe njerëzit do të bekohen në të
dhe tërë kombet do ta shpallin të bekuar.”
PPAlb 583.5

Psalmi 72:4-8, 17.

“Sepse na ka lindur një Fëmijë, një Bir na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet qeverisja dhe emir i Tij do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i Paqes.” “Ai do të jetë i madhërishëm dhe do të quhet Bir i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë Atij fronin e Davidit, atit të Tij. Ai do të mbretërojë përjetë mbi shtëpinë e Jakobit e mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.” - Isaia 9:6; Luka 1:32, 33. Kapitulli 1: Pse u Lejua Mëkati? PPAlb 583.6