PATRIARKË DHE PROFETË

73/74

72—“REBELIMI I ABSALOMIT”

*****

“Ai do ta paguajë katërfish” (- 2 Samuelit 12:6), kishte qenë verdikti spontan që Davidi i kishte dhënë vetes, pasi kishte dëgjuar shëmbëlltyrën e profetit Nathan; dhe pikërisht në përputhje më këtë verdikt kishte për t’u gjykuar mbreti i Izraelit. Katër prej bijve të tij duhet të binin, dhe humbja e secilit prej tyre do të ndodhte si pasojë e mëkatit që kishte kryer i jati. 55 PPAlb 561.1

Krimi i shëmtuar i Amnonit, të parëlindurit të Davidit, u la të kalonte pa u ndëshkuar dhe pa u qortuar. Në fakt, ligji shpallte dënimin me vdekje për marrëdhëniet jashtëmartesore, dhe, për më tepër, krimi i incestit që kreu Amnoni e bënë atë dyfish fajtor. Por Davidi, i vetë-ndëshkuar për mëkatin e tij, nuk u përpoq ta sillte shkelësin përpara drejtësisë.Për dy vjet me rradhë, Absalomi, mbrojtësi i natyrshëm i motrës (të cilën e kishte me nënë e me babë) që ishte dhunuar aq turpshëm, e mbajti fshehur planin për hakmarrje. Por kur erdhi çasti i caktuar ai veproi pa më të voglin hezitim. Në një festë të bijve të mbretit, fajtori për incestin, Amnoni, tashmë i dehur, u vra me urdhër të vëllait të tij, Absalomit. PPAlb 561.2

Një ndëshkim i dyfishtë u ndje në zemrën e Davidit, kur iu transmetua ly lajm i tmerrshëm, ” Absalomi ka vrarë të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre.’ Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura.” - 2 Samuelit 13:30, 31. PPAlb 561.3

Djemtë e mbretit, pasi u kthyen të alarmuar në Jeruzalem, i treguan të vërtetën babait të tyre; Vetëm Amnoni ishte vrarë; dhe ata “filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe.” - Vargu 36. Por Absalomi u arratis dhe kërkoi strehë tek Talmai, mbreti i Geshurit, babai i nënës së tij. PPAlb 561.4

Ashtu si djemtë e tjerë të Davidit, Amnoni ishte lënë të llastohej e të merrte drejtim të gabuar që në fëmijëri. Davidi ishte përpjekur që t’i plotësonte të birit çdo dëshirë të zemrës, pa marrë parasysh kriteret e Perëndisë. Pavarësisht këtij mëkati të rëndë, Perëndia duroi për një kohë të gjatë në lidhje me të. Amnonit i ishin dhënë plot dy vjet si një mundësi për pëndesë; por ai vazhdoi në mëkatin e tij, dhe me fajin që e rëndonte, jeta e tij u ndërpre nga vdekja e papritur, për t’u përballur me panelin solemn të gjykimit. Davidi e kishte neglizhuar detyrimin për të ndëshkuar krimin e rëndë të Amnonit, dhe për shkak të mungesës së besnikërisë së mbretit dhe prindit nga njëra anë, dhe mungesës së pendesës së të birit nga ana tjetër, Zoti i lejoi ngjarjet që të merrnin rrjedhën e natyrshme, dhe nuk e ndali Absalomin. Kur prindërit e sunduesve e neglizhojnë detyrimin që u është dhënë për të ndëshkuar padrejtësitë, Perëndia do ta marrë Vetë situatën në dorë. Fuqia e tij kufizuese do të largohet paksa nga ata njerëz që komplotojnë ligësi, dhe për rrjedhojë, rrethanat do të precipitojnë në një mënyrë të tillë saqë do të ndodhë që mëkati do të ndëshkohet me mëkat. PPAlb 561.5

Pasojat e kobshme të llastimit të shfrenuar e të padrejtë që Davidi i bëri Amnonit nuk morën fund me kaq, sepse pikërisht këtu filloi edhe ftohja dhe largimi i Absalomit nga babai i tij. Pasi Absalomi u arratis për në Geshur, Davidi, duke qenë i mendimit se krimi i të birit kërkonte njëfarë ndëshkimi, ia ndaloi të birit kthimin në pallatin mbretëror. Ky vendim më shumë bëri që ajo ligësi e koklavitur në të cilën ishte përzier edhe mbreti jo vetëm të pakësohej, por të shtohej edhe më tepër. Absalomi, duke qenë energjik, ambicioz, dhe i paskrupullt, dhe për më tepër i përjashtuar (për shkak të arratisjes) nga pjesëmarrja në punërat e mbretërisë, shumë shpejt do t’i përkushtohej një komploti tepër të rrezikshëm. PPAlb 562.1

Për dy vjet me rradhë, Joabi u përpoq pa reshtur që të realizonte pajtimin mes Davidit dhe të birit, Absalomit. Dhe duke patur këtë synim në mendje, Joabi siguroi shërbimet e një gruaje nga Tekoahu, e njohur për reputacionin e mençurinë e saj. Sipas udhëzimeve të Joabit, kjo grua u paraqit tek Davidi si një e vé, dy djemtë e së cilës kishin qenë mbështetja dhe ngushëllimi i vetëm për të. Në grindje e sipër, njëri prej tyre kishte vrarë tjetrin, dhe duke qenë kështu, të gjithë pjesëtarët e farefisit kishin kërkuar me ngulm që fajtori që kishte mbijetuar të dorëzohej tek ai që do të merrte hakun e vëllait të vrarë. “Në këtë mënyrë,” tha e veja, “do të shuhet e vetmja urë zjarri që më ka mbetur dhe (farefisi) nuk kanë për t’i lënë burrit tim as emër as pasardhës mbi faqen e dheut.” - 2 Samuelit 14:7. Zemra e mbretit David u prek shumë nga këto fjalë dhe e siguroi gruan se djali i saj do të përfitonte nga mbrojtja mbretërore. PPAlb 562.2

Pasi mori premtime të shumta nga mbreti në lidhje me sigurimin e birit të saj, gruaja u lut që mbreti të kishte dhe pak durim me të, duke i thënë se ai kishte folur gabim, sepse ai kishte ngurruar të kthente atë që është në mërgim (- Shih vargun 13). “Sepse,” tha ajo, “Ne duhet të vdesim, dhe jemi porsi ujërat që derdhen mbi tokë, të cilët nuk mund të mblidhen më; Por as Zoti Perëndi nuk bën përjashtime,; gjithsesi Ai e gjen mënyrën që ai njeri që është në mërgim të mos përjashtohet prej Tij.” - Vargu 14. Ky përshkrim prekës dhe i dhimbsur i dashurisë së Perëndisë ndaj mëkatarit,—që zaten vinte prej Joabit, këtij ushtaraku të rreptë,—është një evidencë e mrekullueshme e njohurisë së gjërë që izraelitët kishin për sa i përket të vërtetave të shpengimit. Duke ndjerë nevojën që kishte vetë për mëshirën e Perëndisë, mbreti nuk mundi t’i rezistonte dot apelit të gruas së mënçur. Joabit iu dha urdhri, “Shko, pra, dhe bëj që të kthehet i riu Absalom.” - 2 Samuelit 14:21. PPAlb 562.3

Absalomi u lejua që të kthehej në Jeruzalem, por jo që të hynte në oborrin mbretëror e të takohej me të jatin. Davidi kishte nisur të kuptonte pasojat e këqija të llastimit që u kishte bërë fëmijëve të vet; dhe ndonëse ai e donte shumë Absalomin, këtë djalë të pashëm e të talentuar, mbreti ishte i mendimit e gjykoi të domosdoshme që, për t’iu bërë mësim si Absalomit ashtu edhe popullit, urrejtja për krimin e kryer (të vëllavrasjes) të manifestohej qartë. Absalomi jetoi për dy vjet në shtëpinë e tij, por i përjashtuar nga oborri mbretëror. Motra e tij banoi me të, dhe prania e saj e mbante gjallë kujtesën e asaj padrejtësie të rëndë që ajo kishte vuajtur. Në sytë e popullit princi Absalom konsiderohej si një hero dhe jo si një vëllavrasës. Kështu, duke e ndjerë këtë avantazh, Absalomi ia vuri për qëllim vetes që të fitonte zemrën e popullit. Absalomin e ndihmonte edhe pamja e jashtme për të marrë admirimin e të gjithë atyre që e shihnin. “Në të gjithë Izraelin nuk gjendej njeri për t’u lavdëruar më tepër për bukuri se sa Absalomi; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës, nuk kishte asnjë të metë tek ai.” - 2 Samuelit 14:25. PPAlb 562.4

Mbreti nuk veproi asak me mënd që ta linte një djalë si Absalomi—ambicioz, impulsiv, dhe i rrëmbyeshëm—të bluante në mendje për dy vjet për fyerjen që i ishte bërë (me përjashtimin nga oborri mbretëror). Për më tepër, vendimi i Davidit për ta lejuar Absalomin që të kthehej në Jeruzalem nga njëra anë, por edhe për t’ia refuzuar hyrjen për në praninë e tij nga ana tjetër, bëri që Absalomi të ishte ai që fitoi më shumë popullaritet në rradhët e banorëve. PPAlb 563.1

Meqënëse kujtesa e shkeljes së rëndë të ligjit të Perëndisë që kishte kryer e torturonte vazhdimisht, Davidi dukej si i paralizuar moralisht; ai ishte i dobët dhe i pavendosur, ndërkohë që përpara mëkatit të rëndë ai kishte qenë kurajoz dhe shumë i vendosur. Edhe influenca e tij mbi popullin ishte dobësuar ndjeshëm. Dhe të gjitha këto gjëra favorizuan komplotin e birit të tij, i cili, kundrejt natyrës, do të ngrinte krye kundër të atit. PPAlb 563.2

Nëpërmjet ndikimit të Joabit, Absalomi u pranua sërish në praninë e babait të vet; por, ndonëse në pamje të parë u duk se pajtimi u realizua, Absalomi vazhdoi të mendonte për planet ambicioze që shtjellonte në mendje. Tashmë, ai kishte pretenduar për vete një status pothuajse mbretëror, duke patur qerre dhe kuaj të shumtë, si dhe pesëdhjetë ushtarë që e shoqëronin kudo. Në një kohë kur mbreti gjithnjë e më shumë dëshironte qetësinë dhe tërheqjen nga detyrat mbretërore, Absalomi kandisej gjithnjë e me më shumë zell nga popullariteti i madh që kishte. PPAlb 563.3

Apatia dhe pavendosmëria e Davidit patën ndikimin e tyre edhe tek vartësit e tj; administrimi i drejtësisë në vend filloi të karakterizohej nga neglizhenca dhe vonesat. Nga ana e tij, Absalomi shfrytëzonte me mjeshtëri çdo shkak pakënaqësie për llogari të vet. Ky burrë me pamje fisnike shihej përditë pranë portës së qytetit ku një turmë e madhe njerëzish pritnin me rradhë për të bërë ankimimet në lidhje me padrejtësitë që u ishin bërë. PPAlb 563.4

Absalomi takohej ngrohtësisht me ta dhe i dëgjonte me rradhë ankesat e këtyre njerëzve, duke shprehur simpatinë e vet për vuajtjet si dhe keqardhjen për mungesën e efikasitetit qeverisës. Pasi dëgjonte historitë e njerëzve që i vinin, princi i përgjigjej secilit prej tyre me të njëjtat fjalë, “Shiko, argumentat e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë.” Pastaj shtonte, ” ‘Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, cilido që do të kishte një proçes apo një çështje kishte për të ardhur tek unë dhe unë do t'i siguroja drejtësi.’ Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte.” - 2 Samuelit 15:3-5. PPAlb 563.5

Të nxitur nga insinuatat mjeshtërore të princit, pakënaqësia me qeverisjen e vendit sa vinte e rritej. Ndërkohë, të gjithë flitnin me lëvdata të mëdha për Absalomin. Ai tashmë konsiderohej nga shumica si trashëgimtari i mbretërisë; dhe populli e kundronte atë me krenari sepse e çmonte si të denjë për këtë post të lartë, kështu që filloi të shprehej publikisht dëshira që Abaloni të merrte fronin mbretëror. “Në këtë mënyrë Absalomi vodhi zemrat e njerëzve të Izraelit.” - Vargu 6. Megjithatë, duke qenë i verbuar nga dashuria për të birin, mbreti nuk tregoi ndonjë dyshim. Statusi princëror që Absalomi i kishte caktuar vetes konsiderohej (me naivitet) nga Davidi si një nder që i bëhej oborrit mbretëror—si një shprehje e gëzimit të pajtimit e të birit me babain. PPAlb 563.6

Pasi kishte përgatitur mendërisht popullin për atë që do të ndodhte më pas, Absalomi dërgoi fshehurazi njerëz të besuar nëpër të gjithë fiset e Izraelit për të rënë në ujdi për masat që duheshin marrë për një kryengritje të mundshme. Kësaj rradhe, ai u mundua t’i maskonte skemat e tij tradhtare dhe komplotiste me anë të një kostumi të devotshmërisë fetare. Një zotim që ai e kishte ndërmarrë kohë më parë kur ishte në arrati duhet të përmbushej në Hebron. Kështu, Absalomi i tha mbretit, Të lutem, lermë të shkoj në Hebron për të përmbushur një kusht që kam lidhur me Zotin. Sepse gjatë qëndrimit të tij në Geshur të Sirisë, shërbëtori yt ka lidhur një zotim duke thënë: ‘Në rast se Zoti më kthen në Jeruzalem, unë do t’ i shërbej Zotit!” - Vargjet 7, 8. Davidit, këtij babai kaq tëdashur, iu bë qejfi shumë nga kjo evidencë përshpirtshmërie që tregoi i biri, dhe e lejoi që të nisej duke dhënë pëlqimin e tij. Komploti tashmë ishte në fazat e tij përfundimtare dhe kryengritja ishte gati të shpërthente. Akti kurorëzues i hipokrizisë së Absalomit ishte menduar që jo vetëm të mashtronte mbretin, por edhe që të konsolidonte besimin e popullit ndaj tij, dhe në këtë mënyrë, duke i shtyrë ata drejt rebelimit kundër mbretit që ishte zgjedhur nga Zoti Perëndi. PPAlb 564.1

Absalomi u nis për në Hebron, dhe në atë vend me të u nisën “dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë.” - Vargu 11. Këta burra shkuan me Absalomin, pa u shkuar aspak ndërmend se dashuria e tyre për djalin po i shtynte drejt kryengritjes kundër babait. Sapo mbërriti në Hebron, Absalomi menjëherë thirri Ahithofelin, njërin prej këshilltarëve kryesorë të Davidit, një burrë që gëzonte reputacion të madh për zgjuarsinë e tij. Për më tepër, opinioni i Ahithofelit konsiderohej po aq i vlefshëm dhe me vend sa ai i një orakulli. Ahithofeli u bashkua me komplotistët, dhe mbështetja që ai ofroi e bëri kauzën e Absalomit që të dukej më e sigurt në suksesin që mendohej të korrte, meqënëse kishte thirrur nën flamurin e saj shumë njerëz me influencë nga mbarë krahinat e vendit. Kur ra boria që paralajmëronte kryengritjen, informatorët e princit shpërndanë lajmin në të gjithë vendin se Absalomi ishte shpallur mbret, dhe se shumica e popullit ishte mbledhur në anën e tij. PPAlb 564.2

Ndërkohë, alarmi për këtë kryengritje mbërriti tek mbreti, në Jeruzalem. Davidi sikur u zgjua papritmas, vetëm që të kuptonte se rebelimi kishte ndodhur nën hundën e tij, fare pranë fronit mbretëror. Pikërisht biri i tij—biri që kishte dashur e besuar aq shumë —kishte qenë ai që kishte planifikuar të kryente këtë grusht shteti, të rrëmbente kurorën mbretërore dhe padyshim edhe jetën e tij. I gjendur në këtë situatë tepër të rrezikshme, Davidi e flaku tej depresionin që e rëndonte prej vitesh, dhe me atë frymë që kishte patur në vitet e hershme filloi përgatitjet për të përballuar këtë emergjencë të tmerrshme. Nga ana e tij, Absalomi po grumbullonte forca të shumta në Hebron, vetëm tridhjetëekatër kilometra më larg. Kryengritësit mund të mbërrinin shumë shpejt në portat e Jeruzalemit. PPAlb 564.3

Nga pallati mbretëror, Davidi hodhi vështrimin drejt kryeqytetit,—” i bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është ... qyteti i Mbretit të madh.” - Psalmi 48:2. Kur mendoi se ai qytet i mrekullueshëm mund të bëhej shesh i vrasjeve, përleshjeve, e plaçkitjeve, Davidi u trondit thellë. A duhet të thirrte për ndihmë të gjithë nënshtetasit që ishin ende të devotshëm ndaj fronit të tij, dhe të luftonte për të mbrojtur kryeqytetin? A duhet ta lejonte vallë Jeruzalemin që të përmbytej nga gjaku? Ndaj mori një vendim. Tmerret e luftës nuk duhet të binin aspak mbi qytetin e zgjedhur. Ai vendosi të largohej nga Jeruzalemi, dhe, duke bërë kështu, ai njëkohësisht vinte në provë edhe besnikërinë e popullit, duke u dhënë atyre mundësinë për t’i ardhur në ndihmë mbretit legjitim. Në këtë situatë të rënduar krize, detyra e tij ndaj Perëndisë dhe ndaj popullit ishte që të ruante të paprekur autoritetin që i ishte mandatuar nga lart, prej Perëndisë së qiejve. Për sa i përket çështjes së konfliktit, ai do t’ia linte këtë gjë në dorë Perëndisë. PPAlb 565.1

Me përulësi e keqardhje Davidi u largua nga porta e Jeruzalemit,— i larguar me pahir nga froni, pallati dhe arka e Perëndisë, si pasojë e kryengritjes e rebelimit të djalit të tij të dashur. Populli e ndoqi nga prapa në një karvan të gjatë e të trishtueshëm që i përngjante një kortezhi funerali. Garda mbretërore shoqëronte mbretin, e përbërë prej kerethitëve, pelethitëve, si dhe gjashtëqind gititë nga Gathi, nën komandën e Itait. Por Davidi, i karakterizuar nga altruizmi dhe mirësjellja, nuk binte dakord që këta të huaj që kishin shërbyer si roje personale të tij të përfshiheshin në këtë ngjarje katastrofike. Ai u shpreh mjaft i habitur kur ata ia bënë të qartë se ishin gati të sakrifikoheshin për mbretin e tyre. Atëherë, Davidi i tha Itait nga Gathi, “Pse vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin, sepse ti je i huaj dhe për më tepër i mërguar nga atdheu yt. Ti ke arritur vetëm dje dhe sot do të të duhej të endesh sa andej e këtej, kur unë vetë nuk e di se ku po shkoj? Kthehu prapa dhe ktheji edhe vëllezërit e tu në mirësi dhe në besnikëri.” - 2 Samuelit 15:19, 20. PPAlb 565.2

“Por Itai iu përgjigj mbretit duke thënë: ‘Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që jeton mbreti, zotëria im, në çdo vend që të jetë mbreti, zotëria im, për të vdekur ose për të jetuar, aty do të jetë edhe shërbëtori yt’.” - Vargu 21. Këta burra ishin konvertuar nga paganizmi dhe ishin kthyer në adhurues besnike të Zotit Perëndi të Izraelit. Tashmë, ata treguan fisnikërinë e tyre duke vërtetuar besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë dhe mbretit të tyre. Davidi, i mbushur në zemër me një mirënjohje të thellë, e pranoi përkushtimin e tyre ndaj kauzës së tij në duke e fundosur dhe kështu, të gjithë kaluan mbi përroin e Kidronit dhe morën rrugën drejt shkretëtirës. PPAlb 565.3

Karvani ndali edhe një herë tjetër. Po afrohej grup i madh njerëzish të veshur me rroba të shenjta. “Dhe ja, po vinte edhe Zadoku me të gjithë levitët, të cilët mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë.” Shoqëruesit e Davidit e konsideruan këtë si një ogur të mirë për ta. Prania e atij simboli të shenjtë ishte për ta një betim që ishte marrë për shpëtimin dhe fitoren përfundimtare. Në fakt, ardhja e arkës i frymëzoi njerëzit dhe u dha atyrë kurajo që t’i vinin prapa mbretit. Largimi i saj nga Jeruzalemi do të shkaktonte tmerr mes idhtarëve të Absalomit. PPAlb 565.4

Sapo pa arkën e shenjtë, për një çast të shkurtër, zemra e Davidit sikur u elektrizua nga gëzimi dhe shpresa. Por pas këtyreve çasteve të lumtura, mendime të tjera filluan ta mundonin. Në pozitën e tij si sundues i zgjedhur dhe i caktuar nga Zoti, ai ndodhej nën një përgjegjësi solemne për ruajtjen e arkës. Lavdia e Perëndisë dhe e mira e popullit, dhe jo interesat personalë duhet të ishin preokupimi dhe meraku kryesor i mbretit të Izraelit. Zoti Perëndi, prania e të Cilit ishte ndërmjet kerubinëve, kishte folur në lidhje me Jeruzalemin, “Ky (vend) është prehja Ime” (- Psalmi 132:14); dhe pa autoritetin hyjnor, asnjë prift apo mbret nuk kishte të drejtë që ta lëvizte prej andej simbolin e pranisë së Perëndisë. Gjithashtu, Davidi e dinte fare mirë se zemra dhe jeta e tij duhet të ishin në përputhje me parimet e kriteret hyjnore, ndryshe arka do të kthehej në një mjet katastrofe dhe jo suksesi. Mëkati i rëndë që kishte kryer e mundonte vazhdimisht. Ai e kuptoi në këtë komplot se prapa ishte ndëshkimi i Perëndisë. Shpata që nuk do t’i ndahej shtëpisë së tij kishte dalë nga këllëfi. Ai nuk e dinte se cili do të ishte rezultati i betejës. Nuk i takonte atij që të nxirrte jashtë kryeqytetit të vendit statutet e shenjta që mishëronin vullnetin e Sovranit të tyre hyjnor, të cilat shërbenin si një kushtetutë për vendin dhe si një themel për begatinë e tij. Atëherë, Davidi i tha urdhër priftit Zadok, “Çoje në qytet arkën e Perëndisë! Po të kem gjetur hirin e Zotit, ai do të më kthejë dhe do të bëjë që ta shoh përsëri qytetin bashkë me banesën e tij. Por në rast se thotë: ‘Nuk të pëlqej,’ ja ku jam, le të më bëjë atë që i pëlqen.” Pastaj mbreti shtoi ” ‘A nuk je ti shikues?’—një njeri i caktuar nga Perëndia për të udhëzuar e mësuar popullin—” ‘Kthehu në paqe në qytet me dy bijtë tuaj: Ahimaazin, birin tënd, dhe me Jonatanin, birin e Abiatharit. Shikoni, unë do të pres në fushat e shkretëtirës, deri sa të më vijë nga ana juaj ndonjë fjalë për të më njoftuar’.” - 2 Samuelit 15:25-28. PPAlb 565.5

Duke qëndruar në qytet, priftërinjë mund t’i bënin një shërbim edhe më të mirë mbretit, sepse do të mësonin lëvizjet dhe planet e rebelëve, të cilat pastaj mund t’ia komunikonin mbretit me anë të bijve të tyre, Ahimaazit dhe Jonatanit. PPAlb 566.1

Pasi priftërinjtë u kthyen në drejtim të Jeruzalemit, një hije edhe më e rëndë ra mbi turmën që po detyrohej të largohej. Situata ishte si mos më keq: mbreti ishte bërë ikanak, ata vetë ishin të dëbuar, tashmë të braktisur edhe nga arka e Perëndisë—e ardhmja dukej e errët dhe parashikimi i saj, i tmerrshëm. “Davidi mori të përpjetën e malit të Ullinjve dhe, duke u ngjitur, qante; ecte kokëmbuluar dhe këmbëzbathur. Dhe tërë njerëzit që ishin me të ishin kokëmbuluar dhe qanin duke u ngjitur. Dikush erdhi t'i thotë Davidit: ‘Ahithofeli figuron me Absalomin në mes të komplotistëve’.” - Vargjet 30, 31a. Edhe njëherë tjetër, Davidi u detyrua të pranonte pasojat e mëkatit të vet në atë situatë aq të rënduar. Tradhtia dhe dezertimi i Ahithofelit, njërit prej politikanëve më të aftë dhe dinakë, ishte nxitur nga hakmarrja për turpin e madh që Davidi i shkaktoi familjes së Bathshebës, gjyshi i së cilës ishte Ahithofeli. PPAlb 566.2

” Dhe Davidi tha, O Zot, të lutem, ktheji në marrëzi këshillat e Ahithofelit!” - Vargu 31b. Pasi u ngjit në majë të malit, mbreti u përkul në luje, duke e zbrazur plotësisht barrën e shpirtit përpara Perëndisë dhe duke kërkuar me përulësi mëshirën hyjnore. Lutja e mbretit u duk sikur u plotësua sa hap e mbyll sytë. Hushai, arkiti, një këshilltar i mënçur dhe i aftë, që e kishte treguar veten si njërin nga miqtë më besnikë të Davidit, erdhi menjëherë tek mbreti, me rroba të shqyera, dhe i baltosur fund e krye, për të ndarë fatin e tij me mbretin ikanak që kishte braktisur fronin. Sikur të ishte ndriçuar atë çast nga vetë Zoti, sapo e pa këtë njeri besnik dhe të sinqertë, Davidi e kuptoi se Hushai do të ishte pikërisht njeriu që mund t’i shërbente interesave të mbretit në kryeqytet më mirë se cilido tjetër. Me kërkesë të Davidit, Hushai u kthye në Jeruzalem dhe bëri sikur i ofroi shërbimet e tij Absalomit, duke patur për synim të vërtetë thyerjen e këshillave dinake të Ahithofelit. PPAlb 566.3

Me këtë dritëz të vogël në errësirë, mbreti dhe pasuesit e tij vazhduan rrugën duke zbritur malin e Ullinjve nga pjesa lindore e tij, në drejtim të lumit Jordan. Shtegu ishte mjaft i vështirë për t’u përshkuar, me gryka të thepisura e të shkreta, si dhe me gurë rrëshqitës e rrëpira të rrezikshme. “Kur mbreti David arriti në Bahurim, që andej doli një njeri që ishte i fisit të shtëpisë së Saulit, ai quhej Shimei dhe ishte bir i Gerit. Ai po dilte duke shqiptuar mallkime, dhe hidhte gurë kundër Davidit dhe gjithë shërbëtorëve të mbretit David, ndërsa tërë populli dhe tërë trimat ishin radhitur në të djathtë dhe në të majtë të mbretit. Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: ‘Mbathja, pra, mbathja, o njeri gjakatar dhe i kobshëm! Zoti ka bërë që mbi kokën tënde të bjerë gjaku i shtëpisë së Saulit, në vend të cilit ti ke mbretëruar; dhe Zoti e ka dhënë mbretërinë në duart e Absalomit, birit tënd; dhe ja, tani je bërë rob i vetë ligësisë sate, sepse je njeri gjakatar”.’ - 2 Samuelit 16:5-8. PPAlb 567.1

Në të kaluarën, kur Davidi mbretëronte i qetë, Shimei nuk kishte denjuar të tregonte as me fjalë dhe as me vepra se nuk ishte nënshtetas besnik i mbretërisë. Por tani, kur mbreti ndodhej në një situatë tejet të vështirë, ky benjamit mosmirënjohës tregoi karakterin e vërtetë. Ai e kishte nderuar Davidin kur ky i fundit ishte mbi fron, por tashmë, ndërsa Davidi gjendej i poshtëruar, e shante dhe e mallkonte. Duke qenë gojëfëlliqur dhe egoist, Shimei i shikonte të tjerët sikur kishin të njëjtin karakter si të tijin, dhe, i frymëzuar nga vetë Satani, ai shfryu dufin mbi atë që ishte vajosur e caktuar nga vetë Zoti. Fryma që e shtyn njeriun që të triumfojë, të ofendojë, apo të torturojë tjetrin i cili është duke vuajtur apo gjendet keq, është fryma e Satanit. PPAlb 567.2

Akuzat e Shimeit kundër Davidit ishin plotësisht të pavërteta—ato nuk ishin gjë tjetër veçse shpifje të ulta dhe keqdashëse. Davidi nuk kishte kryer asnjë faj në dëm të Saulit apo shtëpisë së tij. Edhe kur e kishte patur në dorë për ta vrarë Saulin, Davidi vetëm sa i kishte grisur pak rrobën, dhe madje edhe për këtë e kishte qortuar veten sepse kishte treguar mungesë respekti për të vajosurin e Zotit (Saulin). PPAlb 567.3

Konsiderata e lartë që mbreti David kishte për jetën e njeriut, ishte treguar në raste e situata të panumërta, madje edhe atëherë kur ai vetë ishte ndjekur nga prapa sikur të ishte egërsirë gjahu. Një ditë, kur ai ndodhej i fshehur në shpellën e Adullamit, dhe po mendonte për lirinë që gëzonte kur kishte qenë më i ri, Davidi thirri me të madhe, “Ah, sikur të më jepte dikush të pija ujë nga pusi i Bethlehemit, që është afër portës.” (- 2 Samuelit 23:15). Bethlehemi në atë kohë ishte në duart e filistinasve; por tre luftëtarë trima depërtuan përtej rojeve armike dhe i sollën ujë zotërisë së tyre. Por Davidi nuk pranoi kurrsesi ta pinte atë ujë. Ai thirri, “Larg qoftë për mua, o Zot, një veprim i tillë! A nuk u vu, vallë gjaku i njerëzve, jeta e tyre në rrezik?” - Vargu 17. Dhe me respekt e solemnitet ai e derdhi ujin si një ofertë për Perëndinë. Davidi kishte qenë një burrë luftëtar, shumicën e jetës ai e kishte kaluar mes skenave të dhunshme; por nga të gjithë ata që kanë përjetuar një situatë të ngjashme në jetën e tyre, të paktë janë ata që janë ndikuar nga influenca demoralizuese dhe brutalizuese e luftës, siç ndodhi me Davidin. PPAlb 567.4

Nipi i Davidi, Abishai, njëri prej komandantëve më trima, nuk mundi t’i durojë ato fjalë fyese që dolën nga goja e Shimeit. ” ‘Përse vallë ky qen i ngordhur duhet të mallkojë mbretin, zotërinë tim? Të lutem, më lër të shkoj t'i pres kokën!’... Por Davidi iu përgjigj: ‘Ja, im bir, që ka dalë nga barku im, kërkon të më marë jetën, pale ky benjaminit (Shimei)! Lëreni të rrijë dhe të mallkojë, sepse ia ka urdhëruar Zoti. Ndoshta Zoti do ta shohë hidhërimin tim dhe do të më bëjë të mira në vend të mallkimeve që po më drejton sot.” - 2 Samuelit 16:9-12. PPAlb 568.1

Ndërgjegja e vrarë po i tregonte Davidit të vërteta të hidhura dhe poshtëruese. Ndërkohë që nënshtetasit e tij besnikë çuditeshin për këtë ndryshim kaq të papritur të rrjedhave të jetës së mbretit, për këtë vetë asgjë nuk ishte e mistershme. Ai e kishte parandjerë shpesh ardhjen e këtyre ngjarjeve. Në fakt, Davidi kishte pyetur shpesh veten pse Perëndia kishte duruar aq shumë pas mëkatit të rëndë që kishte kryer (mbreti) duke e vonuar kështu ndëshkimin e merituar. Ndërsa tani, në arratinë e tij të karakterizuar nga nxitimi dhe pikëllimi, këmbëzbathur, me rrobat mbretërore të zëvendësuara nga pëlhura e thesit, kur të qarat e pasuesve të vet zgjonin jehonat e kodrave, ai mendonte për kryeqytetin e dashur—për vendin që kishte qenë skena e mëkatit të tij—dhe ndërsa mbreti kujtonte mirësinë dhe dhembshurinë e Perëndisë, ai nuk i humbi aspak shpresat.Ai u ndje i sigurt që Zoti do ta trajtonte me mëshirë PPAlb 568.2

Shumë keqbërës kanë justifikuar mëkatin e tyre duke treguar për nga rënia e Davidit, por sa të paktë janë ata që manifestojnë pendesën dhe përulësinë e Davidit. Sa të paktë janë ata që i pranojnë qortimet dhe ndëshkimet me të njëjtën durim dhe burrëri si ajo e Davidit. Ai e kishte rrëfyer fajin e kryer, dhe për vite me rradhë ishte përpjekur që të kryente detyrën e tij si një shërbëtor besnik I Perëndisë; Ai kishte punuar shumë për ndërtimin e përforcimin e mbretërisë, dhe nën sundimin e tij Izraeli kishte arritur një fuqi dhe begati të panjohur ndonjëherë. Për më tepër, Davidi kishte mbledhur sasira të mëdha materialesh të kushtueshme për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë. Mos ndoshta vallë gjithçka për të cilën ai ishte munduar gjithë jetën do të shkonte kot? A duhet të ndodhte që ato fryte të përkushtimit të tij shumëvjeçar në detyrë, puna prej gjeniu, e karakterizuar nga devocioni dhe aftësia shtetbërëse dhe politike, të kalonin në duart e djalit të tij tradhtar dhe kokëkrisur, i cili as që e vriste mendjen si për nderimin e Perëndisë, ashtu edhe për begatinë e kombit? Në rast se Davidi do të kishte murmuritur kundër Perëndisë në këtë situatë të tmerrshme, kjo do të dukej mëse e natyrshme! PPAlb 568.3

Por Davidi e pa fajin e tij si shkakun për fatkeqësinë që i kishte rënë. Fjalët e profetit Mikea tejçojnë frymën që frymëzoi zemrën e mbretit. Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime. Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër Tij, deri sa Ai do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; Ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e Tij.” - Mikea 7:8, 9. Dhe vërtet, Zoti nuk e braktisi aspak Davidin. Ky kapitull i jetës së tij, ato kohë kur ai, pavarësisht nga rrethanat dhe fyerjet më të këqija të mundshme, e tregoi veten të përulur, bujar, zemërbardhë, dhe të bindur, është një nga periudhat më fisnike të jetës së këtij heroi të Biblës. Në fakt, sunduesi i Izraelit nuk u trajtua asnjëherë më me madhështi nga qielli sesa atëherë kur ishte katandisur në poshtërimi, në dukje, më të thellë të jetës së tij. PPAlb 568.4

Në rast se Perëndia do ta kishte lejuar Davidin që të vazhdonte në mëkatet e tij pa u qortuar, dhe ndërkohë që ai shkelte parimet dhe kriteret hyjnore, ai të mbretëronte në paqe dhe begati mbi fronin e vet, skeptikët dhe ateistët mund të gjenin njëfarë justifikimi për të cituar historinë e Davidit e ta përdornin si një argument kundër besimit për të cilin flet Bibla. Por në eksperiencën nëpërmjet të cilës Perëndia e detyroi Davidin që të kalonte, Zoti na tregon se ai nuk mund ta tolerojë apo justifikojë mëkatin. Për më tepër, historia e Davidit na mundëson që të shikojmë edhe objektivat mashështorë që Perëndia ka parasysh kur i duhet të merret me mëkatin; ajo na jep mundësinë të gjithëve që të dallojmë gjurmët e veprimtarisë së planifikuar prej Tij, veprimtari që karakterizohet nga mëshira dhe dhembshuria hyjnore për njerëzimin, edhe kur ajo bëhet nëpërmjet ndëshkimeve të ashpra. Perëndia bëri që Davidi të merrte ndëshkimin e merituar, por nuk e shkatërroi atë; roli i furrnaltës është që të pastrojë, të kullojë, dhe jo të konsumojë (të djegë). Zoti thotë, “në rast se [pasardhësit e Davidit] shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e Mia, Unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura, por nuk do ta heq mirësinë Time prej [Davidit] dhe nuk do të lë që besnikëria Ime të jetë e mangët.” - Psalmi 89:31-33. PPAlb 569.1

Pak kohë pasi Davidi ishte larguar nga Jeruzalemi, në kryeqytet ia behu Absalomi dhe ushtria e vet, dhe pa anjë betejë a përleshje mori në zotërim këtë fortesë të Izraelit. Hushai ishte njëri nga të parët që e uroi monarkun e sapo-kurorëzuar, ndërkohë që princi u habit dhe iu bë qejfi shumë që miku dhe këshilltari i babait të tij për vite të tëra tashmë kishte ndërruar aleancë. Absalomi ishte mëse i bindur për suksesin që do të korrte. Deri në këtë moment, skemat e tij komplotiste kishin qenë tepër të suksesshme. Kështu, duke qenë i interesuar që ta përforconte fronin dhe të siguronte besimin e kombit, ai e mirëpriti Hushain në oborrin mbretëror. PPAlb 569.2

Absalomi tashmë rrethohej nga një forcë e madhe ushtarake, por, siç është përmendur më parë, ajo përbëhej nga burra të pastërvitur për luftë. Deri në ato çaste nuk kishte patur as edhe një përleshje. Ahithofeli e dinte fare mirë se ishte tepër herët për ta nënvleftësuar situatën e Davidit. Një pjesë e konsiderueshme e kombit ishin ende besnikë ndaj tij; mbreti legjitim ishte i rrethuar nga luftëtarë të sprovuar të cilët linin kokën për mbretin. Për më tepër, ushtria e Davidit komandohej nga gjeneralë të aftë dhe me përvojë. Gjithashut, Ahithofeli e dinte se pas shpërthimit fillestar të entuziazmit për hir të mbretit të ri, do të vinte një reagim. Në rast se kryengritja do të dështonte, Absalomi edhe mund të ishte në gjendje që të siguronte një pajtim me babain e vet; në këto rrethana, Ahithofeli, në rolin e tij si kryekëshilltar i mbretit, do të konsiderohej si fajtori kryesor për grushtin e shtetit; mbi të natyrisht do të binte dënimi më i rëndë. Me synimin për ta parandaluar Absalomin nga hedhja e ndonjë hapi prapa, Ahithofeli e këshilloi që të vepronte në një mënyrë të tillë që në sytë e popullit do ta bënte pajtimin (me Davidin) të pamundur. Me një dhelpëri djallëzore, ky politikan dinak dhe i pamoralshëm i bëri thirrje Absalomit që të shtonte edhe krimin e incestit ndaj atij të rebelimit. Para gjithë Izraelit ai duhet të merrte për vete konkubinat e të jatit, sipas zakonit të kombeve të lindjes, duke shpallur botërisht në këtë mënyrë se kishte trashëguar fronin e babait. Mjerisht, Absalomi e zbatoi këtë këshillë të ndyrë. Në këtë mënyrë u përmbush fjala e Perëndisë që i tha Davidit me anë të profetit, “Ja, Unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t'i marrë gratë e tua para syve të tu për t'ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën. Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse Unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit.” - 2 Samuelit 12:11, 12. Jo se ishte Zoti ai që i nxiti këto akte të fëlliqura, por si pasojë e mëkatit të Davidit, Zoti nuk e ushtroi fuqinë e Tij në këtë rast për t’i parandaluar këto akte. PPAlb 569.3

Ahithofeli gëzonte një reputation të lartë për mënçurinë që kishte, por ai ishte shumë i varfër dhe nevojtar për sa i përket ndriçimit që vjen nga Perëndia. “Druajtja ndaj Zotit është fillimi i mënçurisë” (- Fjalët e Urta 9:10); dhe pikërisht kjo i mungonte Ahithofelit, ndryshe nuk do ta mbështeste suksesin e grushtit të shtetit mbi krimin e ulët të incestit. Njerëz me zemra të shthurrura komplotojnë fëlliqësira, a thua sikur nuk ekziston një Perëndi i cili mund t’i pengojë nëpërmjet rrethanave; por “Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.”- Psalmi 2:4. PPAlb 570.1

Zoti deklaron: “[Njerëzit] nuk kanë dashur të pranojnë këshillën Time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e Mia. Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk.” - Fjalët e Urta 1:30-32. PPAlb 570.2

Pasi ia doli mbanë që të siguronte një strofkë për veten në këtë komplot të pabesë, Ahithofeli i bëri thirrje Absalomit që një sulm i menjëhershëm kundër Davidit ishte i domosdoshëm. Lermë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin; duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin, dhe tërë popullin do ta kthej te ti.” - 2 Samuelit 17:2, 3. PPAlb 570.3

Ky plan u aprovua nga këshilltarët e mbretit. Po të ishte zbatuar, Davidi kishte për t’u vrarë me siguri, natyrisht, në rast se Zoti nuk do të ndërhynte drejpërsëdrejti për ta shpëtuar. Por një mënçuri më e lartë se ajo e Ahithofelit të famshëm po drejtonte rrjedhën e ngjarjeve. “Në të vërtetë Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën me vënd të Ahithofelit për të shkatërruar Absalomin.” - Vargu 14. PPAlb 570.4

Hushai nuk ishte thirrur në këshill, dhe sigurisht që nuk do të ndërhynte pa iu dhënë leja; ndryshe do të lindnin dyshimet se ai mund të ishte informator i Davidit. Por, pasi asambleja u shpërnda, Absalomi, i cili kishte një konsideratë shumë të lartë për këshilltarin e të jatit, ia transmetoi Absalomit planin e Ahithofelit. Hushai e kuptoi menjëherë se po të ndiqej plani i propozuar, Davidi do të merrte fund. Kështu që tha, ” ‘Kësaj rradhe, këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë.’ Hushai shtoi: ‘Ti e njeh babain tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin. Me siguri në këtë orë ai është fshehur në ndonjë vrimë ose në ndonjë vend tjetër; në qoftë se në fillim do të hidhet mbi disa nga njerëzit e tu, kushdo që do ta mësojë ka për të thënë: ‘Midis njerëzve që ndiqnin Absalomin ndodhi një masakër’. Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima”.’ - 2 Samuelit 17:7-10. Dhe pastaj Hushai sugjeroi një plan që do t’i dukej i pëlqyeshëm natyrës sqimatare dhe egoiste të Absalomit, i cili kishte shumë qejf të shiste mend. “Prandaj këshilloj që i tërë Izraeli nga Dani deri në Beer-Sheba të mblidhet rreth teje, i shumtë si rëra që ndodhet në bregun e detit, dhe që ti të marrësh pjesë personalisht në betejë. Kështu do ta arrijmë në çdo vend që të ndodhet dhe do të biem mbi të ashtu si vesa bie mbi tokë; dhe nga gjithë njerëzit që janë me të nuk ka për të shpëtuar as edhe një. Në rast se tërhiqet në ndonjë qytet, tërë Izraeli do t'i çojë litarë atij qyteti dhe ne do ta tërheqim në përrua, deri sa aty të mos mbetet asnjë gur.” - Vargjet 11-13. PPAlb 570.5

“Absalomi dhe tërë njerëzit e Izraelit thanë: “Këshilla e arkitit Hushai është më e mirë se ajo e Ahithofelit.” - Vargu 14. Por Ahithofeli nuk u mashtrua nga kjo këshillë, dhe e parashikoi me qartësi pasojën e këtij gabimi fatal nga ana e Absalomit. Ai e dinte fare mirë se kauza e rebelëve tashmë kishte marrë fund. Për më tepër, ai e dinte mjaft mirë se cilido të ishte fati i princit, nuk do të kishte fare shpresë për këshilltarin që e kishte nxitur të kryente krimet më të rënda. Ahithofeli kishte qenë ai që e kishte inkurajuar Absalomin që të ndërmerrte grushtin e shtetit; ishte ai që e kishte këshilluar për të kryer fëlliqësinë më të urryer, duke çnderuar të atin; ishte ai që kishte këshilluar vrasjen e Davidit, dhe që kishte kurdisur planin se si kjo do të realizohej; ishte ai që kishte djegur mundësinë e fundit e pajtimit babë e bir; dhe tani, dikush tjetër preferohet përpara atij, madje dhe nga Absalomi?! I përçudnuar, i egërsuar, i mbushur me xhelozi, inat dhe dëshpërim, Ahithofeli “shkoi në shtëpinë e vet, në qytetin e tij, rregulloi shtëpinë, vari veten dhe vdiq.” Ky ishte rezultati i mençurisë i një njeriu i cili, megjithë intelektin dhe aftësitë e larta që i ishin dhënë, nuk e bëri Zotin Këshilltarin e tij. Në fakt, Satani i josh njerëzit me premtime kandisëse, por në fund, çdo qenie njerëzore do të marrë vesh se “paga e mëkatit është vdekja.” Romakëve 6:23. PPAlb 571.1

Duke mos qenë plotësisht i sigurt se këshilla që i kishte dhënë mbretit do të zbatohej, Hushai njoftoi pa humbur kohë mbretin, duke e paralajmëruar Davidin që pa humbur kohë të kalonte në anën tjetër të lumit Jordan. Kështu, Hushai i dërgoi këtë mesazh priftërinjve, djemtë e të cilëve duhet ta përcillnin mesazhin: “Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë. Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: ‘Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen.”‘ - 2 Samuelit 17:15, 16. PPAlb 571.2

Djemtë e rinj u zbuluan dhe më pas u gjurmuan; gjithsesi, ata ia dolën mbanë që ta realizonin me sukses misionin e rrezikshëm që u ishte ngarkuar. I lodhur dhe i rraskapitur nga mundimi dhe trishtimi i asaj dite të parë të arratisë, Davidi mori prej djemve mesazhin se duhet të kalonte lumin Jordan që atë natë, sepse i biri po kërkonte që ta vriste. PPAlb 571.3

Vallë, si mund të ndjehej vallë një mbret dhe baba, i cili ishte katandisur kaq mizorisht në këtë situatë të rrezikshme e të tmerrshme? Ja ku ishte ky “burrë i fortë dhe i guximshëm,” ky burrë lufte, ky mbret, fjala e të cilit ishte ligj, i tradhtuar nga i biri që e kishte dashur aq shumë, që e kishte llastuar aq shumë, që marrëzisht e kishte besuar aq shumë, duke qenë ndërkohë i fajësuar dhe i braktisur nga nënshtetasit e tij, të cilët gjasme ishin betuar e kishin lidhur besë që të qëndronin të lidhur pas tij—vallë, me cilat fjalë arriti Davidi që t’i zbraste këto ndjenja të shpirtit? Në prag të betejës më të kobshme të jetës së tij, Davidi ia kushtoi zemrën Perëndisë, dhe këndoi si më poshtë: PPAlb 571.4

O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi!
Shumë ngrihen kundër meje,
Shumë thonë për mua: ‘Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë.’
Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje;
Ti je lavdia ime dhe [Zoti] më larton kokën.
Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i Tij i shenjtë.
Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.
Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish
që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.
Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im;
sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull;
u ke thyer dhëmbët të pabesëve.
Shpëtimi i përket Zotit,
bekimi yt qoftë mbi popullin tënd.
PPAlb 572.1

- Psalmi 3:1-8.

Davidi dhe të gjithë shoqëruesit që i vinin prapa—luftëtarë dhe qeveritarë, të rinj e të moshuar, gra dhe fëmijë të vegjël—e kaluan lumin e thellë dhe të rrëmbyeshëm në errësirën e natës. “Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin.”- 2 Samuelit 17:22. PPAlb 572.2

Pastaj, Davidi dhe forcat e tij u tërhoqën në Mahanaim, e cila kishte qenë rezidenca mbretërore e Ishboshethit. Ky ishte një qytet shumë i fortifikuar, i rrethuar nga rrethina malore në të cilat ishte shumë të favorshme për t’u tërhequr në rast lufte. Ajo krahinë ishte shumë e begatë, dhe popullsia u tregua mjaft miqësore ndaj kauzës së Davidit. Në Mahanaim, ushtrisë së Davidit iu bashkuan shumë banorë të qytetit, ndërkohë që të pasurit sollën dhurata të bollshme me ushqime të freskëta si dhe gjëra të tjera të nevojshme. PPAlb 572.3

Këshilla e Hushait ia kishte arritur qëllimit, duke i siguruar Davidit mundësinë për t’u larguar; por nga ana tjetër dihej se Absalomi, ky princ i rrëmbyer dhe kokëkrisur nuk mund të përballohej dhe aq gjatë, dhe me të vërtetë, ai u vu shumë shpejt në ndjekje të babait të vet. PPAlb 572.4

“Dhe Absalomi kaloi Jordanin me gjithë njerëzit e Izraelit.” - Vargu 24. Absalomi emëroi Amasain, djalin e motrës së Davidit, Abigailin, kryekomandant të ushtrisë së tij. Ushtria e tyre ishte e madhe në numër por e padisiplinuar dhe e papërgatitur siç duhet për t’u përballur me ushtarët me përvojë të Davidit. PPAlb 572.5

Davidi i ndau forcat e tij në tre batalione nën komandën e Joabit, Abishait, dhe Itait nga Gathi. Ai në fakt dëshironte që ta drejtonte vetë ushtrinë në betejë por kundër këtij sugjerimi protestuan me forcë oficerët e ushtrisë, por edhe këshilltarët dhe gjithë njerëzit e tjerë. ” ‘Ti nuk duhet të vish, sepse po të na vënë përpara, nuk do të na jepnin rëndësi; edhe po të vdiste gjysma jonë, nuk do të na jepnin rëndësi; por ti vlen sa dhjetë mijë nga ne; është më mirë të rrish gati të na ndihmosh nga qyteti.’ Mbreti iu përgjigj me këto fjalë: “Do të bëj atë që ju duket më mirë.” - 2 Samuelit 18:3, 4. PPAlb 572.6

Hordhitë e gjata të ushtrisë rebele dukeshin qartë nga muret e qytetit. Princi uzurpues shoqërohej nga një ushtri e madhe në numër, në karahasim me të cilën, ushtria e Davidit dukej si një çetë e vogël. Por ndërsa mbreti vështronte forcat kundërshtare, mendimi që e mundonte më shumë nuk ishte kurora dhe froni mbretëror, madje as edhe jeta e vet, e cila do të varej nga rrjedha e betejës. Zemra e babait ishte e mbushur me dashuri dhe keqardhje per birin e tij rebel. Ndërkohë që ushtria doli jashtë për përleshje nga portat e qytetit, Davidi u dha zemër ushtarëve të tij besnikë, duke i urdhëruar ata që të shkonin në betejë duke besuar se Perëndia i Izraelit do t’ua jepte fitoren. Por as edhe në këtë çast, ai nuk mund ta mbante fshehur dashurinë për Absalomin. Në kohën kur Joabi, i cili drejtonte batalionin e parë, kaloi pranë mbretit, ky fitimtar i qindra betejave uli kokën e tij krenare për të dëgjuar mesazhin e fundit të mbretit, i cili i tha me zë të dridhur, “Për hirin tim, silluni me kujdes me të riun Absalom!” - Vargu 5. Edhe Abishai dhe Itai morën të njëjtin urdhër—“Për hirin tim, silluni me kujdes me të riun Absalom!” Por ky merak nga ana e mbretit të jepte përshtypjen se Absalomi ishte më i shtrenjtë në sytë e tij se mbretëria, më i shtrenjtë edhe se ata vartës besnikë ndaj fronit të tij, dhe vetëm sa e rriti edhe më tej indinjatën e ushtarakëve ndaj birit rebel të mbretit. PPAlb 573.1

Vendi ku do të zhvillohej beteja ishte një pyll pranë lumit Jordan, në të cilin, numri i madh i ushtrisë së Absalomit do të përbënte një disavantazh për të. Ushtarët e padisiplinuar dhe amatoreskë nuk arrinin fare të koordinoheshin dhe ishin të çoroditur mes shkorrishteve dhe moçaleve pranë pyllit. Dhe “populli i Izraelit u mund atje nga shërbëtorët e Davidit; dhe në atë vend masakra qe e madhe; atë ditë ranë njëzet mijë njerëz.” - 2 Samuelit 18:7. Absalomi, pasi kuptoi se gjithçka kishte marrë fund, nxitoi për t’ia mbathur, por, (ndërsa kalëronte) koka i ngeci në mes të degëve të një lisi të madh, dhe pasi mushka u largua, ai mbeti i varur në ajër, duke qenë kështu një prë e lehtë për armiqtë. Ai u gjet në këtë gjëndje nga një ushtar i mbretit, i cili nuk e vrau Absalomin, në shenjë respekti që kishte ndaj porosisë së mbretit. Gjithesi, ai i raportoi Joabit atë që kishte parë. Joabi nk kishte skrupuj tek të cilët mund të mbahej. Ai ishte miqësuar me Absalomin, pasi kishte siguruar dy herë pajtimin e tij me Davidin, dhe besimi i treguar prej tij ishte tradhtuar turpërisht nga Absalomi. Por të mos ishte për ato avantazhet të fituara nga Absalomi si pasojë e ndërmjetësimit të Joabit, ky rebelim, me të gjitha gjërat e kobshme, mund të ishte evituar krejtësisht. Tashmë, ishte në dorë të Joabit që t’i jepte fund shkaktarit të gjithë kësaj ligësie. Kështu mori në dorë tri shtiza dhe ia shtiu në zemër Absalomit, i cili ishte ende gjallë në pjesën e dendur të lisit. Pastaj dhjetë shqyrtarë të rinj të Joabit e rrethuan Absalomin, e goditën prapë dhe e mbaruan... Pas kësaj e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe hodhën mbi të një sasi të madhe gurësh...” - 2 Samuelit 18:14-17a. PPAlb 573.2

Kështu morën fund autorët dhe nxitësit e kryengritjes rebele në Izrael. Nga ana tjetër, Ahithofeli kishe vrarë veten me dorën e tij. Princi Absalom, bukuria e lavdishme e të cilit kishte qenë lavdia e Izraelit, ishte vrarë në lule të rinisë, kufoma e tij u hodh në një gropë, dhe u mbulua me një pirg gurësh, të cilët simbolizonin ndëshkimin e përjetshëm për tradhtinë që kreu. Gjatë jetës së tij, Absalomi kishte ndërtuar për vete një monument të kushtueshëm në luginën e mbretit, por, ironikisht, e vetmja përkujtimore që shënonte varrin e tij ishte pirgu i gurave në shkretëtirë. PPAlb 574.1

Pasi vrasjes së udhëheqësit të rebelimit, Joabi i bëri thirrje ushtrisë me anë të zërit të borisë që të mos e ndiqte më ushtrinë armike. Pas kësaj, u dërguan menjëherë lajmëtarë që t’i transmetonin lajmet e fundit mbretit. PPAlb 574.2

Roja që po vrojtonte mbi murin e qytetit për nga sheshi i betejës, pikasi një burrë që po vraponte fillikat. Disa çaste më pas u pikas edhe një vrapues i dytë. Ndërsa i pari po afrohej, roja i tha mbretit, i cili ishte duke pritur pranë portës, ” “Mënyra e të vrapuarit të të parit më duket si ajo e Ahimaazit, e birit të Zadokut!’ Mbreti tha: ‘Eshtë një njeri i mirë dhe vjen me lajme të bukura.’ Ahimatsi i thërriti mbretit dhe tha: ‘Paqe!’ Pastaj u shtri përpara mbretit me fytyrën për tokë dhe tha: ‘I bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që ka lënë në pushtetin tënd njerëzit që kishin ngritur duart kundër mbretit, zotërisë tim’!” - 2 Samuelit 18:27-28. Por pyetjes plot ankth të mbretit, “A është mirë i riu Absalom?” Ahimaazi i tha një përgjigje evazive (- Vargu 29). PPAlb 574.3

Lajmëtari i dytë erdhi pas pak, duke thërritur, “Lajme të mira, o mbret, o imzot. Zoti të ka siguruar sot drejtësi, duke të çliruar nga duart e të gjithë atyre që kishin ngritur krye kundër teje.” - Vargu 31.” Edhe një herë tjetër doli nga goja e babait pyetja që e mundonte shumë, ““A është mirë i riu Absalom?” Lajmëtari i dytë nuk ishte në gjendje që ta mbante fshehur këtë lajm të hidhur, dhe iu përgjigj mbretit, “Armiqtë e mbretit, zotërisë tim, dhe tërë ata që ngriheshin kundër teje për të të bërë të keqe qofshin si ai i ri (Absalomi)!” - Vargu 32. Kaq mjaftonte! Davidi nuk bëri më asnjë pyetje, por uli kokën përdhe dhe “duke u dridhur i tëri, u ngjit në dhomën që ishte mbi portën dhe qau; dhe thoshte: “O biri im Absalom; biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!” - Vargu 33. Ushtria fitimtare ndërkaq ishte kthyer nga sheshi i betejës, dhe po i afrohej qytetit. Britmat e thirrjet e triumfit dhe fitores jehuan nëpër kodrat përreth. Por pasi hynë brenda portës së qytetit, të thirrurat u shuan, flamurët që mbanin në duar u ulën, dhe me një fytyrë të trishtuar, ata marshuan sikur të kishin pësuar disfatë e jo fitore. Kjo për faktin se mbreti nuk kishte dalë përpara për t’i përshëndetur e i uruar mirëseardhjen, por nga dhoma e tij dëgjoheshin qartë të qarat e vajtimet e tij, “O biri im Absalom; biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!” PPAlb 574.4

Kështu, fitorja atë ditë u shndërrua në zi për të gjithë popullin, sepse populli dëgjoi atë ditë të thuhet: ‘Mbreti është i dëshpëruar për shkak të birit të tij’ Atë ditë populli hyri fshehurazi në qytet, ashtu si largohen fshehurazi dhe tërë turp ata që ia mbathin gjatë betejës.” - 2 Samuelit 19:2, 3. PPAlb 574.5

Joabin e zuri një indinjatë tepër e madhe. Perëndia u kishte dhënë atyre arësye për triumf e gëzim; në fakt, rebelimi më i madh i të gjitha kohërave në Izrael sapo ishte shtypur me sukses; e megjithatë, kjo fitore ishte shndërruar në hidhërim për Davidin, mëkati i të cilit kishte kushtuar jetën e mijëra luftëtarëve trima. Joabi, ky komandant i ashpër dhe mizor, nxitoi të shkonte në praninë e mbretit dhe i tha prerazi, “Ti sot po mbulon me turp fytyrën e të gjithë njerëve që në këtë ditë shpëtuan jetën tënde, atë të bijve dhe të bijave të tua, jetën e bashkëshortes dhe të konkubinave të tua, sepse ti dashuron ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan; sot ke treguar qartë që komandantët dhe ushtarët nuk kanë asnjë vlerë për ty; dhe tani kuptoj se, po të ishte gjallë Absalomi dhe ne të ishim këtë ditë të tërë të vdekur, atëherë do të ishe i kënaqur. Tani, pra, çohu dil dhe foli zemrës së shërbëtorëve të tu, sepse betohem në emër të Zotit se, po nuk dole, asnjeri nuk do të qëndrojë me ty këtë natë; dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që të ka rënë që kur ishe i ri e deri më sot.” - 2 Samuelit 19:5-7. Ndonëse ky qortim që iu bë mbretit të dëshpëruar në shpirt, ishte i rëndë dhe i ashpër, Davidi nuk e pati zët dhe e mirëpriti. Duke e kuptuar se gjenerali kishte të drejtë, ai shkoi për tek porta, dhe i përshëndeti ushtarët trima me fjalë inkurajimi dhe lavdërimi, ndërkohë që ata marshuan anash tij. PPAlb 574.6