PATRIARKË DHE PROFETË

71/74

70—“MBRETËRIMI I DAVIDIT”

*****

Menjëherë sapo u stabilizua si mbret në fronin e Izraelit, Davidi filloi të kërkonte një vend më të përshtatshëm për ta bërë kryeqytet të territorit që kishte nën sundim. Tridhjetë e katër kilometra larg Hebronit u zgjodh një territor i cili do të ishte metropoli i ardhshëm i mbretërisë. Përpara kohës kur Jozueu udhëhiqte ushtritë izraelite mbi lumin Jordan ky vend ishte quajtur Salem. Pranë këtij vendi Abrahami kishte vërtetuar besnikërinë e tij ndaj Perëndisë. Tetëqind vjet përpara kurorëzimit të Davidit, ly vend kishte qenë shtëpia e Melkizedekut priftit të më të lartit Perëndi. Vendi gëzonte një pozitë qendrore dhe të ngritur në vend, dhe rrethohej lezetçëm nga kodra të shumta. Duke qenë mbi kufirin ndërmjet Benjaminit dhe Judës, gjëndej gjithashtu në afërsi të Efraimit, dhe ofronte akses të rehatshëm edhe për fiset e tjera izraelite. 53 PPAlb 542.1

Për ta marrë në zotërim këtë territor, hebrenjtë duhet të shpronësonin popullsinë e mbetur të kanaanitëve, të cilët mbanin një pozitë të fortifikuar mbi malet e Zionit dhe Moriahut. Kjo fortesë quhej Jebus, dhe banorët e saj quheshin jebusitë. Për shekuj me rradhë, fortesa e Jebusit ishte konsideruar si e pathyeshme; por ajo u rrethua dhe u mor nga hebrenjtë nën komandën e Joabit, i cili, si shpërblim për trimërinë që tregoi, u bë kryekomandant i ushtrive të Izraelit. Jebusi tashmë u shndërrua në kryeqytetin e vendit, kurse emri i tij pagan u ndryshua dhe u quajt Jeruzalem. PPAlb 542.2

Në këtë situatë, Hirami, mbreti i qytetit të pasur të Tirës, në Detin Mesdhë, kërkoi të bënte aleancë me mbretin e Izraelit, dhe i ofroi asistencë Davidit për veprën e ndërtimit të pallatit mbretëror në Jeruzalem. Nga Tira u dërguan ambasadorë, të shoqëruar me arkitektë dhe punëtorë profesionistë,si dhe kontenierë të shumtë me matëriale të ndryshme, përfshi lëndë drusore të shtrenjta, pemë kedri si dhe materiale të tjera me vlerë. PPAlb 542.3

Forca në rritje e Izraelit nën mbretërinë e bashkuar të Davidit, përvetësimi i fortesës së Jebusit, si dhe aleanca me Hiramin, mbretin e Tirës, nxiti ringjalljen e armiqësisë nga ana e filistinëve. Këta të fundit ndërmorën një sulm të përgjithshëm me një forcë të madhe e cila u pozicionua në luginen e Refaimit, në një distancë të afërt me Jeruzalemin. Nga ana e tyre, Davidi dhe ushtria izraelite zunë pozicion në fortesën e Zionit dhe pritnin udhëzimin e Perëndisë. “Atëherë Davidi u këshillua me Zotin duke i thënë: ” A duhet të dal kundër filistinasve? A do të m’i lësh në duart e mia?’ Zoti i dha këtë përgjigje Davidit: ‘Nisu, sepse do t’ i lë me siguri flistinasit në duart e tua?’ - 2 Samuelit 5:19. PPAlb 542.4

Davidi sulmoi menjëherë ushtritë armike duke i mposhtur dhe i shkatërruar plotësisht. Gjithashtu ai more prej tyre perënditë (idhuj) që filistinët kishin sjellë me vete për të siguruar fitoren. Të pezmatuar në kulm nga kjo disfatë e hidhur, filistinët mblodhën një forcë më të madhe ushtarake, dhe iu kthyen fushës së betejës. Edhe një herë tjetër ata “dolën përsëri dhe u përhapën në luginën e Refaimit.” - Vargu 22. Sërish Davidi u këshillua me Zotin dhe I Përjetshmi Perëndi mori përsipër drejtimin e ushtrive të Izraelit. PPAlb 542.5

Kësaj rradhe, Perëndia e udhëzoi Davidin duke i thënë, “Mos u dil përballë; merrua krahët, hidhu mbi ta përballë pemëve të manit. Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e pemëve të manit, hidhu menjëherë në sulm, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për të mundur ushtrinë e filistinëve.” - Vargjet 23, 24. PPAlb 543.1

Në rast se Davidi do të kishte vepruar me kokën e vet, siç kishte bërë Sauli, nuk do të kishte korrur aspak sukses. Por ai bëri ashtu siç e porositi Zoti, dhe për rrjedhojë, mundi “ushtrinë e flistinasve nga Gabaoni deri në Gezer. Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Zoti bëri që atë ta kishin frikë të gjithë kombet.” - 1 Kronikave 14:16, 17. PPAlb 543.2

Tashmë që Davidi e kishte konsoliduar mbretërimin e tij dhe e kishte çliruar plotëisht vendin nga pushtimet e armiqve të huaj, ai iu përkushtua realizimit të një dëshire të mbajtur thellë në zemër—të sillte arkën e Perëndisë në Jeruzalem. Arka e shenjtë kishte mbretur për një periudhë të gjatë në Kirjath-Jearim, rreth gjashtëmbëdhjetë kilometra larg; por kryeqytetit të kombit i takonte të nderohej me ardhjen e kësaj arke që simbolizonte Praninë Hyjnore të Perëndisë. PPAlb 543.3

Davidi zgjodhi tridhjetë mijë prej luftërarëve më të denjë të Izraelit, sepse synonte që këtë rast ta shndërronte në një skenë ngazëllimi dhe një ceremoni të paharrueshme. Njerëzit iu përgjigjën me gëzim kësaj thirrjeje.. Kryeprifti, me vëllezërit e tij që shërbenin në detyrën e tyre të shenjtë, së bashku me të gjithë krerët e fiseve u mblodhën në Kirjath-Jearim. Davidi ishte pushtuar nga një zell i shenjtë. Arka u soil nga shtëpia e Abinadabit dhe u vendos në një qerre të re që prihej nga dy qe, ndërkohë që për arkën kujdeseshin dy prej bijve të Abinadabit. PPAlb 543.4

Burrat e Izraelit vinin nga pas duke lëshuar brohërima e britma gëzimi, dhe duke kënduar kënga lavdërimi. Ata u shndërruan në një turmë të madhe njerëzish dhe këndonin të shqëruar nga melodia e instrumentave muzikorë; “Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit u binin para Zotit veglave të ndryshme prej druri të selvisë, qesteve, harpave, dajreve, sistrave dhe cembaleve.” - 2 Samuelit 6:5. PPAlb 543.5

Një skenë e tillë triumfale nuk ishte përjetuar prej kohësh në Izrael. Vargani i gjatë i njerëzve vazhdoi rrugën me një ngazëllim solemn përgjatë kodrave dhe luginave në drejtim të Qytetit të Shenjtë (të Jeruzalemit). PPAlb 543.6

Por “kur Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzahu zgjati dorën drejt arkës së Perëndisë dhe e mbajti atë, sepse qetë u penguan. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Uzahut, dhe Perëndia e goditi për fajin e tij; ai vdiq në atë vend pranë arkës së Perëndisë.” - Vargjet 6, 7. PPAlb 543.7

Papritmas, turëm e përshkoi një panik i thellë. Davidi shtangu dhe u alarmua shumë, ndërkohë që në zemër vinte në pikëpyetje drejtësinë e Perëndisë. Ai kishte synuar që ta nderonte arkën si një simbol i pranisë hyjnore. Pse vallë, atëherë, u dha ky ndëshkim i tmerrshëm që e shndërroi atë festë të gëzueshme në një rrethanë për t’u hidhëruar e pikëlluar? Kështu, duke menduar se mbajtja e arkës pranë vetes përbënte rrezik, Davidi vendosi që ta linte aty ku kishte ngecur. U gjet një vend për të aty pranë, në shtëpinë e Obed-Edomit, i cili ishte nga krahina e Gitit. PPAlb 543.8

Vdekja e Uzahut erdhi si pasojë e ndëshkimit hyjnor në lidhje me dhunimin e një urdhri të qartë të Perëndisë. Nëpërmjet Moisiut, Zoti kishte dhënë një udhëzim të veçantë për sa i përket transportimit të arkës së shenjtë. Askush tjetër përveç priftërinjve, pasardhës të Aaronit, nuk duhet ta preknin arkën, dhe as ta shikonin nga lart kur nuk ishte e mbuluar. Urdhri hyjnor ishte: “Pasi që Aaroni dhe bijtë e tij të kenë mbaruar së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj, kur kampi është bërë gati të niset, bijtë e Kohathit do të vijnë për t’ i mbartur, por ata nuk do të prekin gjërat e shenjta, që të mos vdesin. Këto janë gjërat nga çadra e mbledhjes të cilat pasardhësit e Kehathit duhet të trasportojnë.”- Numrat 4:15. Priftërinjtë duhet ta mbulonin arkën, dhe pastaj pasardhësit e Kohathit duhet ta ngrinin nga stapet të cilët ishin vendosur në formë unaze në të kattra anët e arkës, dhe nuk ishin lëvizur asnjëherë. Pasardhësve të Gershonit dhe Merarit (bijve të Aaronit), të cilët ishin përgjegjës për perdet dhe dërrasat e shtyllat e tabernakulllit, Moisiu u kishte dhënë qerre me qe për transportimin e të gjitha këtyre gjërave që u ishin lënë në ngarkim. “Por bijve të Kohathit nuk u dha asgjë, sepse ishin ngarkuar me shërbimin e objekteve të shenjta, që ata i mbanin mbi shpatulla.” - Numrat 7:9. Kështu, me sjelljen e arkës nga Kirjath-Jearimi, kishte ndodhur një thyerje e drejtpërdrejtë dhe e pafalshme e udhëzimeve të Zotit. PPAlb 544.1

Davidi dhe njerëzit e shumtë ishin mbledhur për të kryer një veprimtari të shenjtë, dhe i ishin përkushtuar kësaj gjëje me një zemër të gëzuar e të gatshme; por Zoti nuk mund ta pranonte këtë shërbim, sepse nuk ishte kryer në përputhje me udhëzimet e Tij. Edhe filistinasit, të cilët nuk kishin asnjë njohuri mbi ligjin e Perëndisë, e kishin vendosur arkën e shenjtë mbi një qerre kur ia kthyen Izraelit, dhe Zoti e kishte miratuar përpjekje që kishin bërë. Ndërsa izraelitët e kishin patur përherë në pëllëmbë të dorës verdiktin e qartë të vullnetit të Perëndisë për këtë çështje, dhe neglizhenca e treguar ndaj këtyre udhëzimeve po e çnderonte Perëndinë. Uzahu u bë fajtor sepse tregoi një guxim të tepruar. Shkelja e ligjit të Perëndisë e kishte zbehur sensin e shenjtërisë tek Uzahu. Kështu, duke mbartur shumë mëkate të parrëfyer, Uzahu, i gjendur përballë kufizimit hyjnor, guxoi me mospërfillje që të prekte simbolin e pranisë së Perëndisë. Në fakt, Perëndia nuk mund të pranojë një bindje të pjesshme, as edhe trajtimin me shkujdesje të urdhërimeve të Tij të shenjta. Nëpërmjet ndëshkimit të Uzahut, Perëndia synonte që t’ia bënte mësim gjithë Izraelit se sa i rëndësishëm ishte zbatimi rigoroz i kritereve e kërkesave të Tij. Pra, vdekja e një njëriu të vetëm, e cila e shtyu popullin që të pendohej, do të mund të parandalonte ndëshkimin e pashamgshëm (në rast mospendese) të mijëra të tjerëve. PPAlb 544.2

Duke u ndjerë se edhe zemra e tij nuk ishte plotësisht në rregull me Zotin, Davidi duke parë vrasjen e Uzahut, kishte ndjerë frikë nga arka se ndoshta ndonjë mëkat I tiji do të sillte ndëshkim edhe mbi të. Por Obed-Edomi, ndonëse u gëzua me drithërima, e mirëpriti simbolin e shenjtë si një premtim të hirit të Perëndisë ndaj atij që kishte treguar bindje dhe respekt për Të. Vëmendja e gjithë Izraelit ishte përqendruar tek ky bailor i Gitit dhe tek shtëpia e tij; të gjithë ishin kureshtarë të dinin se çfarë do të ndodhte me familjen e Obed-Edomit. “Dhe Zoti e bekoi Obed-Edomin dhe tërë shtëpinë e tij.” - 2 Samuelit 6:11b. PPAlb 544.3

Qortimi hyjnor e kishte realizuar qëllimin e vet tek mbreti David. Ky i fundit u bë që të kuptonte si kurrë më parë se sa i shenjtë ishte ligji i Perëndisë dhe sa e domosdoshme ishte respektimi dhe praktikimi rigoroz i tij. Nderi që iu shfaq shtëpisë së Obed-Edomit e inkurajoi Davidin që të shpresonte sërish se arka mund të sillte bekime si për të, ashtu e dhe për popullin e tij. PPAlb 545.1

Në fund të tre muajve, Davidi ndërmori një përpjekje tjetër për ta zhvendosur arkën, dhe kësaj rradhe ai iu përmbajt me përpikmëri të gjitha udhëzimeve që vinin nga Perëndia. Edhe një herë tjetër, krerët e kombit u mblodhën pranë shtëpisë ku banonte banori i krahinës së Gitit. Me një përkujdesje solemne, arka u mbart mbi supet e njerëzve të caktuar nga Perëndia, dhe turma e madhe e njerëzve vijonte më pas, dhe kështu, karvani i gjatë vazhdoi rrugën që kishte nisur me zemër në dorë. Pasi avancuan vetëm gjashtë hapa, ra boria që lajmëroi ndaljen. Me urdhër të Davidit, duhet të flijoheshin “një ka dhe një viç i majmë.” - Vargu 11. Atëherë dridhërimat dhe tmerri ia lanë vendin gëzimit dhe ngazëllimit. Mbreti i kishte lënë mënjanë rrobat mbretërore dhe ishte veshur me një veshje të thjeshtë, një efod të ngjashëm me atë që vishej nga priftërintë. Nëpërmjet këtij veprimi, Davidi nuk donte të thoshte se kishte marrë përsipër të kryente funksionet priftërore, sepse efodi shpeshherë vishej edhe nga njerëz të tjerë përveç priftërinjve. Por në këtë shërbesë të shenjtë, ai do të luante rolin e atij njeriu i cili, para Perëndisë, e shihte veten si të barabartë e jo superior ndaj bashkëkombasve të tij. Atë ditë duhet të adhurohej vetëm Zoti Perëndi i Izraelit. Vetëm Zoti Perëndi do të ishte objekti i vetëm i respektit solemn. PPAlb 545.2

Edhe një herë tjetër, karvani i gjatë u vu në lëvizje, dhe muzika e harpave, qesteve, dajreve, sistrave dhe cembaleve ngrihej drejt qiellit e shoqëruar nga melodia e zërave të shumtë. “Davidi hidhte valle me gjithë forcat e tija përpara Zotit, duke veshur një efod prej liri.” - Vargu 14. PPAlb 545.3

Vallëzimi që Davidi bëri i përshkuar nga një gëzim solemn përpara Zotit është cituar nga njerëz të caktuar që jepen vetëm pas argëtimeve, si një justifikim për kërcimet moderne të kohëve të sotme, por për këtë pretendim nuk ka asnjë pikë argumenti. Në ditët tona vallëzimi shoqërohet me sjellje të papërshtatshme si dhe me zbavitje të shfrenuara natës vonë. Në këto vende, shëndeti dhe morali sakrifikohen për hir të qejfit dhe kënaqësisë. Perëndia nuk është aspak objektivi solemn i mendimeve të atyre që frekuentojnë ambiente të papërshtatshme kërcimi. Në mbledhje të këtilla, lutja apo këngët e lavdërimit do ishin plotësisht të huaja për këto lloj ambientesh. Kjo përbën një provë të rëndësishme. Argëtime të tilla kanë tendencën që ta dobësojnë apo zbehin zemrën tonë për gjërat e shenjta, si dhe e pakësojnë gëzimin tonë kur i shërbejmë Perëndisë, ndaj nuk duhet të frekuentohen nga besimtarët e krishterë. Muzika dhe vallëzimi që u dëgjua dhe u pa të bëhej si një lavdërim i ngazëllyeshëm ndaj Perëndisë për lejimin e zhvendosjes së arkës, nuk kishte asgjë të përbashkët me çoroditjet shthurrëse të vallëzimit modern. Vallëzimi i Davidit synonte të risillte tek populli kujtesën e Perëndisë e të lartësonte emrin e tij të shenjtë. Ndërsa mënyra moderne e të kërcyerit përdoret nga Satani dhe bashkëpunëtorët e tij me synimin që t’i shtyjë njerëzit ta harrojnë Perëndinë dhe ta çnderojnë atë. PPAlb 545.4

Karvani triumfal iu afrua kryeqytetit i prirur përpara nga simboli i shenjtë i Perëndisë, Mbretit të padukshëm të Izraelit. Pastaj, një shpërthim melodioz kënge kërkoi nga rojtarët e mureve që portat e Qytetit të Shenjtë të hapen plotësisht: PPAlb 546.1

“O ju porta, çoni kokat tuaja;
dhe ju, porta të përjetshme,
hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
Kush është ky Mbret i lavdisë?
Eshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm,
Zoti i fortë në betejë.
O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt,
o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
Kush është ky Mbret i lavdisë?
Eshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë.”
PPAlb 546.2

- Psalmi 24:7-10.

Pastaj, portat u hapën krejtësisht, dhe karvani hyri në qytet, dhe me një solemnitet të thellë e të paparë, arka u depozitua në çadrën që ishte përgatitur posaçërisht me këtë rast. Përpara arkës së shenjtë u ngritën altarë për flijimet e rastit, tymi i flijimeve të paqes dhe atyre të blatimit (kurbaneve), si dhe shtëllungat e temjanit, së bashku me lavdërimet e lutjet e Izraelit, u ngritën lart në qiell. Pas përfundimit të shërbesës, vetë mbreti shpalli një lutje bekuese ër njerëzit e pranishëm Pastaj, me një zemërgjërësi mbretërore, ai dhuroi ushqime dhe pije të cilat u shpërndanë për të ushqyer e freskuar njerëzit. PPAlb 546.3

Të gjitha fiset izraelite ishin përfaqësuar në këtë shërbesë, e cila përbënte kremtimin e ngjarjes më të shenjtë që shënonte mbretërimi i Davidit. Fryma e frymëzimit hyjnor kishte zbritur mbi mbretin, dhe tashmë, ndërsa rrezet e fundit të diellit e mbushën tabernakullin me një dritë të shenjtë, zemra e Davidit u mbush me mirënjohje për Perëndinë, sepse arka, ai simbol i shenjtë i pranisë së Tij ndodhej kaq pranë fronit mbretiror. PPAlb 546.4

Me këto mendime të gëzuara, Davidi u kthye për në pallatin mbretërir, “për të bekuar shtëpinë e tij” (- Vargu 20). Por dikush tjetër e kishte përjetuar këtë skenë ngazëllimi me një frymë krejtësisht të ndryshme nga ajo që kishte prekur zemrën e Davidit. “Por ndodhi që, ndërsa arka e Zotit po hynte në qytetin e Davidit, Mikal, bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që po hidhej dhe kërcente përpara Zotit, dhe e përçmoi në zemrën e saj.” - Vargu 16. e pushtuar nga zemërimi, ajo priti që burri i saj të kthehej në pallat, por doli për ta takuar jashtë, dhe përshëndetjes së përzemërt që I bëri, ajo iu përgjigj me fjalë shumë të hidhura. Ironia e fjalimit të saj ishte tepër therëse dhe e mprehtë: PPAlb 546.5

Sa i nderuar ka qënë sot mbreti i Izraelit që u zhvesh para syve të skllaveve të shërbëtorëve të tij, ashtu siç do të vepronte një njeri vullgar!” - Vargu 20b. PPAlb 546.6

Davidi ishte i mendimit se Mikali në fakt kishte përçmuar dhe çnderuar jo atë vetë por shërbesën e Perëndisë, kështu që iu përgjigj me ashpërsi: “E bëra përpara Zotit që më ka zgjedhur në vend të atit tënd dhe të tërë shtëpisë së tij për të më vendosur princ të Izraelit, të popullit të Zotit; prandaj bëra festë përpara Zotit. Prandaj do ta ul veten edhe më poshtë dhe do të bëhem më i pavlerë në sytë e mi; por lidhur me shërbëtoret për të cilat më fole, unë do të nderohem pikërisht prej tyre.” - Vargjet 21, 22. PPAlb 546.7

Qortimit të Davidit iu shtua dhe ai i Zotit: për shkak të krenarisë dhe arrogancës që tregoi, Mikali ” To Davids rebuke ëas added that of the Lord: because of her pride and arrogance, Michal nuk pati fëmijë deri ditën e vdekjes së saj.” - Vargu 23. PPAlb 547.1

Ceremonitë solemne me rastin e zhvendosjes së arkës lanë një përshtypje të thellë anembanë Izraelit. Për rrjedhojë, u vu re një interes më i thellë në shërbesën e shenjtërores si dhe një rindezje e zellit për Zotin Perëndi. Davidi u përpoq me të gjitha mundësitë që këto përshtypje të vazhdonin. Shërbesa e këngës u bë një pjesë e rregullt e adhurimit fetar. Për më tepër, Davidi nuk kompozoi psalme vetëm për prfitërinjtë në shenjtërore, por edhe për popullin e thjeshtë që t’i këndonte përgjatë udhëtimeve për tek altari kombëtar përgjatë festave të përvitshme. Ndikimi i ushtruar prej tij ishte me të vërtetë i konsiderueshëm, saqë rezultoi në çlirimin e kombit nga idhujtaria. Shumë nga popujt që jetonin përreth, duke parë begatinë e Izraelit, filluan të shprehnin sipati për Perëndinë e Izraelit, i cili kishte bërë gjëra aq madhështore për popullin e Tij. PPAlb 547.2

Tabernakulli i ndërtuar nga Moisiu, me gjithçka që i përkiste shërbesës në shenjtërore, përveç arkës, gjendej ende në Gibeah. Nga ana e tij, Davidi synonte ta bënte Jeruzalemin jo vetëm kryeqytet, por edhe epiqendrën fetare të Izraelit. Ai kishte ndërtuar pallatin mbretëror për vete, dhe u ndje se ishte e paparanueshme që arka e shenjtë e Perëndisë të qëndronte brenda një çadre. Ai vendosi të ndërtonte për arkën një tempull aq madhështor saqë ky i fundit të shprehte qartë vlerësimin e Izraelit për nderin që i ishte bërë si komb që të kishte pranë praninë hyjnore të Zotit Perëndi, Mbretit sovran të mbarë universit. Pasi ia komunikoi planin profetit Nathan, Davidi mori si përgjigje një mesazh mjaft inkurajues, “Shko, bëj gjithçka ke në zemër, sepse Zoti është me ty.” - 2 Samuelit 7:3. Por po atë natë, fjala e Zotit erdhi tek Nathani, duke i thënë atij një mesazh për mbretin. Davidi do të privohej nga privilegji i ndërtimit të shtëpisë së Perëndisë (tempullit) por nga ana tjetër u sigurua që hiri hyjnor do tëishte me të, me pasardhësit e tij, dhe me mbretërinë e Izraelit: Unë të mora nga vatha, ndërsa kullosje delet, që ti të bëheshe udhëheqës i Izraelit, i popullit tim. Kam qenë pranë teje kudo që ke shkuar, kam shfarosur tërë armiqtë e tu para teje dhe e bëra emrin tënd të madh si ai i të mëdhenjve që janë mbi dhe. Do t'i caktoj një vend Izraelit, popullit Tim, dhe do ta ngulit që ai të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e shqetësojë më, që njerëzit e këqinj të mos vazhdojnë ta shtypin si në të kaluarën.” - Vargjet 8-10. PPAlb 547.3

Meqënëse Davidi kishte shprehur dëshirën që të ndërtonte një shtëpi për Perëndinë, u dha ky premtim, “Zoti të shpall se ka për të të ndërtuar një shtëpi... unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu ... dhe do të konsolidoj mbretërinë tënde. [Pasardhësi yt] do të ndërtojë një shtëpi në emrin Tim dhe Unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij.” - Vargjet 11-13. PPAlb 547.4

Gjithashtu, Zoti sqaroi edhe arësyen se pse tempulli nuk mund të ndërtohej nga Davidi: “Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë shumë luftëra; prandaj nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje. Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të shlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t'i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin. - 1 Kronikave 22:8-10. PPAlb 547.5

Ndonëse kjo dëshirë e zjarrtë që kishte patur në zemër iu refuzua, Davidi e pranoi këtë mesazh hyjnor me përulësi dhe mirënjohje. “Kush jam unë, o Zot Perëndi, dhe çfarë është shtëpia ime që më bëri të vij deri këtu? Por kjo ishte akoma një gjë e vogël në sytë e Tu, o Zot Perëndi, sepse Ti ke folur edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët;” dhe pastaj e përtëriu sërish besëlidhjen me Perëndinë (- 2 Samuelit 7:18, 19). PPAlb 548.1

Davidi e dinte se do te ishte nder për emrin e tij dhe se mretëria e tij do të merrte lavdi nga realizimi i kësaj vepre që ai e kishte shumë për zemër për ta bërë. Por ai u tregua mëse i gatshëm për t’ia nënshtruar vullnetin e tij vullnetit të Perëndisë. Ky lloj pranimi me mirënjohje e përulje tregohet shumë rrallë në kohët tona, madje edhe nga besimtarët e krishterë. Sa shpesh ndodh që ata që e kanë kaluar fuqinë e burrërisë vazhdojnë të insistojnë me shpresën për të realizuar një vepër a projekt madhështor që e kanë për zemër, por për të cilin janë plotësisht të papërshtatshëm për ta realizuar! Perëndia u flet këtyre njerëzve nëpërmjet rrethanave, ashtu siç edhe profeti i Tij i foli Davidit, duke deklaruar se vepra që ata dëshirojnë aq shumë për ta kryer nuk është taksur për ta. Por përgjegjësia e tyre është që të përgatitin rrugën për një person tjetër që do ta realizojë. Mjerisht, në vend që këta njerëz t’i nënshtrohen me përulje e mirënjohje verdiktit hyjnor, shumë prej tyre heqin plotësisht dorë nga gjithçka nëse shmangen apo refuzohen, duke u justifikuar se në qoftë se nuk lejohen të bëjnë një gjë që dëshirojnë, nuk kanë për të bërë asgjë fare. Shumë të tjerë harxhojnë energji të konsiderueshme për të ruajtur postet apo përgjegjësitë për të cilat nuk janë më të përshtatshëm për të mbajtur, dhe përpiqen me sqimë e mëndjemadhësi që të realizojnë një punë apo projekt për të cilin janë të paaftë, ndërkohë që ato gjëra për të cilat janë të aftë, i neglizhonë plotësisht. Mjerisht, për shkak të kësaj mungese bashkëpunimi nda ana e tyre, vepra apo projekti I madh që duhet realizuar sabotohet apo pengohet. PPAlb 548.2

Davidi, në besëlidhjen që bëri me Jonatanin i kishte premtuar se pasi të kishte hequr qafe armiqtë përreth, do të tregonte mirësi ndaj familjes së Saulit. Duke u kujtuar për këtë besëlidhje, mbreti, duke qenë njeri i përgjegjshëm, bëri një pyetje, “A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?” - 2 Samuelit 9:1. Davidit iu tha se jetonte një djalë i Jonatanit, Mefiboshethi, i cili kishte qenë i paralizuar (sakat) që nga lindja. Në fakt, në kohën kur Sauli ishte mposhtur nga filistinasit në luginën e Jezreelit, shërbëtorja përgjegjëse për këtë djalë, duke u përpjekur të largohej bashkë me të, e kishte lënë fëmijën t’i binte nga duart, duke e paralizuar kështu për gjithë jetën. Atëherë Davidi e thirri të riun në oborrin mbretëror dhe e priti me një mirësi të jashtëzakonshme. Të gjitha pronat e zotërimet private të Saulit iu dhanë Mefiboshethit, që ky i fundit të jetonte denjësisht; ndërkohq që ky bir i Jonatanit do të ishte mik i përhershëm i mbretit dhe do të hante përditë në tryezën mbretërore. Nëpërmjet raportimeve që bënin armiqtë e Davidit, Mefiboshethi ishte nxitur që të kishte armiqësi e paragjykim të keq për Davidin si gjoja uzurpues i fronit mbretëror: Por pritja bujare dhe e ngrohtë që Davidi i bëri atij si dhe mirësia e tij e pandërprerë, e bënë për vete zemrën e të riut të paralizuar. Kështu, Mefiboshethi u miqësua shumë me Davidin, dhe, ashtu si babai i tij, Jonatani, ai u bind se ndante interesa të përbashkët me atë që Vetë Perëndia kishte zgjedhur për mbret. PPAlb 548.3

Pas konsolidimit të Davidit në fronin mbretëror, kombi shijoi një interval të gjatë paqeje. Popujt përreth, duke parë forcën dhe unitetin e mbretërisë izraelite, shumë shpejt dolën në përfundimin se nuk ia vlente fare që ta sulmonin apo ta dëmtonin Izraelin. Nga ana tjetër, Davidi, i preokupuar me organizimin dhe përforcimin e mbretërisë, nuk ndërmori asnjë pushtim agresiv ndaj kombeve të tjerë. Megjithatë, më në fund, ai i shpalli luftë armiqve historikë të Izraelit, filistinasve si dhe moabitëve. Ai ia doli mbanë t’i mposhtte që të dy kombet, dhe t’i kthente në haraçpagues të tij.. PPAlb 549.1

Pas këtyre zhvillimeve, u formua një koalicion i gjerë prej kombeve përreth izraelitëve gjë që solli betejat dhe fitoret më madhështore të mbretërisë së Davidit,, si dhe zgjerimet më të mëdha të territorit nën sundimin e tij. Kjo aleancë armiqësore, e cila në fakt ishte nxitur nga xhelozia që këto kombe kishin ndaj fuqisë në rritje të Davidit, nuk ishte provokuar në asnjë mënyrë prej tij. Por rrethanat që çuan në lindjen e këtij konflikti ishin si më poshtë: PPAlb 549.2

Në Jerusalem erdhën lajmet se kishte vdekur Nahashi, mbreti i amonitëve—një monark që ishte sjellë shumë mirë me Davidin kur ky i fundit ishte arratisur nga Izraeli për t’i shpëtuar tërbimit të Saulit kundër tij. Duke qenë kështu, me dëshirën për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për nderin që i ishte bërë nga Nahashi kur Davidi ishte gjendur si mos më keq, ky i fundit dërgoi ambasadorët e tij që t’i dërgonin një mesazh ngushëllimi Hanunit, birit dhe trashëgimtarit të mbretit amonit. Davidi tha, unë do të sillem me dashamirësi ndaj Hanunit, birit të Nahashit, ashtu si babai i tij u soll me dashamirësi ndaj meje.” - 2 Samuelit 10:2. PPAlb 549.3

Por ky akt fisnik dhe i sjellëshëm u keqinterpretua. Në fakt, amontitët e urrenin Zotin, Perëndinë e vërtetë dhe vazhdonin të ishin armiq të betuar të izraelitëve. Mirësia në dukje nga ana e Nahashit ndaj Davidit ishte nxitur plotësisht nga armiqësia që ata kishin ndaj Saulit, në atë kohë mbret i Izraelit. Kështu, mesazhi paqësor i Davidit u shtrembërua nga këshilltarët e Hanunit. Ata “i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: “Beson me të vërtetë që Davidi të ka dërguar njerëz për ngushëllim për të nderuar atin tënd? A nuk të ka dërguar përkundrazi shërbëtorët e tij për të vëzhguar qytetin, për të spiunuar dhe për ta shkatërruar atë?” - Vargu 3. PPAlb 549.4

Pikërisht nga këshillat e këtyre njerëzve, Nahashi, para pesëdhjetë vjetëve, ishte nxitur që të shkaktonte atë situatë të tmerrsme ndaj popullsisë së Jabesh-Gileadit, (qytetit izraelit që ndodhej pranë kufirit me Filistinë), kur, të rrethuar nga amonitët, ata kishin kërkuar të lidhnin një besëlidhje paqeje. Nahashi kishte kërkuar prej tyre që të kishte të drejtën që t’u nxirrte sytë e djathtë të gjithë burrave izraelitë në rast mosrespektimi të paktit. Amonitët ende i mbanin mend dhe e kishin parasysh se si mbreti i atëhershëm i Izraelit e kishte zmbrapsur planin e tyre mizor, dhe se si e kishte shpëtuar popullsinë e atij qyteti, e cila, përndyshe, do të ishte poshtëruar e gjymtuar. Zjarri i inatit ndaj Izraelit nuk ishte shuar aspak. Ata nuk mund ta konceptonin dot frymën dashamirëse që kishte frymëzuar atë mesazh paqeje dhe mirëkuptimi nga ana e Davidit. Kur Satani është nën kontrol të mendjes së njerëzve, ai do të nxitë lakminë dhe dyshimin tek ta, të cilat do të shtrembërojnë edhe ftesat apo ofertat më të sinqerta. Pasi ia vuri veshin këshilltarëve të tij, Hanuni i konsideroi të dërguarit e Davidit si informatorë spiunë, dhe i trajtoi me fyerje dhe përbuzje. PPAlb 549.5

Amonitët ishin lejuar që ti matërializonin planet e liga që kishin në zemër pas asnjë kufizim, në mënyrë që Davidi ta kuptonte më së miri se cili ishte karakteri i vërtetë i tyre. Nuk kishte qenë aspak vullneti i Perëndisë që Izraeli të lidhte pakt me këtë popull pagan e të pabesë. PPAlb 550.1

Në koëhrat e lashta, ashtu siç ndodh edhe në ditët tona, posti i ambasadorit ishte shumë i nderuar. Ligji universal i kombeve siguronte mbrojtjen e tyre nga dhunimi apo fyerjet personale që mund t’iu bëheshin. Duke qenë se ambasadori ishte përfaqësues i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i qeverisë së tij, çdo keqtrajtim i ushtruar ndaj tij nuk mund të lihej pa kndërpërgjigjen e duhur. Duke e ditur se fyerja që bënë ndaj Izraelit nk do të lihej pa hakmarrje, amonitët bënë përgatitjet e duhura për luftë. “Kur bijtë e Amonit e kuptuan se kishin shkaktuar urrejtjen e Davidit, Hanuni dhe Amonitët dërguan një mijë talenta argjendi për të rekrutuar në shërbimin e tyre qerre dhe kalorës nga Mesopotamia, nga Sirët e Maakahut dhe nga Tsobahu. Rekrutuan gjithashtu tridhjetë e dy mijë qerre dhe mbretin e Maakahut me gjithë popullin tij, që fushuan përballë Medebas. Ndërkaq bijtë e Amonit ishin mbledhur nga qytetet e tyre për të marrë pjesë në luftë.” - 1 Kronikave 19:6, 7. PPAlb 550.2

Në të vërtetë, ishte një aleancë e jashtëzakonshme. Banorët e rajonit ndërmjet lumit Eufrat dhe Detit Mesdhë kishin lidhur aleance me amonitët. Veriu dhe lindja e territorit izraelit u rrethuan nga forca të shumta të armatosura, që ishin bashkuar me njëri tjetërin për të shtypur mbretërinë e Izraelit. PPAlb 550.3

Hebrenjtë nuk bënë aspak sehir e të pritnin që t’u pushtohej atdheu. Forcat e tyre të armatosura, të udhëhequra nga Joabi, kaluan lumin Jordan, dhe filluan mësymjen drejt kryeqytetit të Amonit. Ndërkohë që kryekomandanti izraelit drejtonte ushtrinë për në fushën e betejës, ai u përpoq t’u jepte kurajo duke i thënëçdo ushtari, “Tregohu trim dhe të jemi të fortë për popullin tonë dhe për qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen.” - 1 Kronikave 19:13. Forcat e bashkuara të aleatëve u mposhtën që në betejën e parë. Megjithatë, armiqtë e Izraelit nuk u tërhoqën plotësisht nga konflikti dhe pas një viti e filluan sërish luftën. Mbreti i Sirisë mblodhi një ushtri të madhe në numër, dhe filloi të kërcënonte Izraelin. Davidi, duke e kuptuar fare mirë rëndësinë e rezultatit të kësaj beteje, u nis vetë për luftë, dhe nëpërmjet bekimit të Perëndisë shkaktoi disfatën më të rëndë të pësuar ndonjëherë prej sirianëve, saqë këta të fundit, që nga Libani e deri në lumin Eufrat, jo vetëm që u dorëzuan, por pranuan të ktheheshin në haraçpagues të Izraelit. Kundër amonitëve, Davidi i udhëhoqi betejat me trimëri, deri sa fortesat e armiqve u shkatërruan dhe krejt rajoni ra nën sundimin e mbretërisë së lavdishme izraelite. PPAlb 550.4

Ato rreziqe që kishin sjellë ogurin e një shkatërrimi të plotë të mundshëm, nëpërmjet sovranitetit të Perëndisë mbi rrethanat, u bënë mjeti me anë të të cilit Izraeli u ngjit e u zgjerua me një madhështi të paparë ndonjëherë. Ndërsa sillte ndërmend kujtimet e bukura të këtyre fitoreve të shquara që kishte korrur, Davidi këndonte: PPAlb 550.5

“Rroftë Zoti,
qoftë e bekuar Kështjella ime
dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!
Ai është Perëndia që hakmerret për mua
dhe që më nënshtron popujt;
Ai më çliron nga armiqtë e mi.
Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje
dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.
Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.
Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij
dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij,
dhe me fisin e tij përjetë.”
PPAlb 551.1

- Psalmi 18:46-50.

Dhe nëpërmjet këtyre këngëve të Davidit,
popullit i ngulitej në mendje se Zoti
Perëndi ishte fuqia dhe shpëtimtari i tyre:
“Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe;
trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
Kali është një shpresë e kotë shpëtimi,
dhe me forcën e tij të madhe
nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.”
PPAlb 551.2

- Psalmi 33:16, 17.

Ti je mbreti im, o Perëndi,
[Ai] që vendos fitoret për Jakobin (Izraelin).
Me anën Tënde do të përmbysim armiqtë tanë;
në emrin Tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.
Sepse nuk kam besim tek harku im
dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.
Por je Ti Ai që na shpëton nga armiqtë tanë
dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.”
PPAlb 551.3

- Psalmi 44:4-7.

Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt,
por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.
PPAlb 551.4

- Psalmi 20:7.

Mbretëria e Izraelit tashmë kishte arritur plotësisht përmbushjen e premtimit të dhënë Abrahamit, e që i ishte përsëritur më vonë Moisiut: “Unë do t’u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit. - Zanafilla 15:18. Izraeli ishte bërë një komb i fuqishëm, i respektuar dhe i nderuar nga të gjitha kombet e tjera përreth. Brenda mbretërisë së tij, pushteti i Davidit ishte forcuar së tepërmi. Ai gëzonte mbështetjen dhe përkrahjen e plotë e të gjithanshme të popullit, si rrallë ndonjë udhëheqës tjetër ndër epokat e ndryshme të historisë botërore. Ai e kishte nderuar Perëndinë, dhe tashmë Perëndia po e nderonte atë. PPAlb 551.5

Por në mes të begatisë bënte strehë rreziku. Gjatë kohës kur gëzonte triumfin më madhështor publik, Davidi do ta gjente veten të përfshirë në një situatë me rrezikshmërinë më të lartë dhe do të pësonte disfatën më poshtëruese të jetës së tij. PPAlb 551.6