Konflikti I Madh

36/44

34.—A Mund të na Flasin të Vdekurit?

Shërbimi i engjëjve të shenjtë, ashtu si na përshkruhet edhe në faqet e Shkrimit të Shenjtë, është një e vërtetë ngushëlluese dhe e çmuar për çdo të krishterë. Por teologjia “moderne” i ka errësuar dhe shtrembëruar mësimet Biblike në lidhje me këtë pikë. Doktrina e pavdekshmërisë, që fillimisht u mor borxh nga filozofia pagane për t’u bërë pjesë gjatë viteve të errëta të apostazisë së madhe e besimit kristian, i ka zënë vendin të vërtetës sipas së cilës “të vdekurit nuk dinë asgjë”. Me mijëra njerëz besojnë, se janë shpirtrat e të vdekurve ata “që janë dërguar për t’i shërbyer të gjithë atyre, që do të trashëgojnë shpëtimin.” Dhe ky besim është përhapur pa marrë parasysh dëshminë e Shkrimit të Shenjtë për ekzistencën e engjëjve qiellorë dhe lidhjes së tyre me historinë njerëzore përpara vdekjes së të parës qënie njerëzore. KiM 534.1

Doktrina e ndërgjegjes gjatë vdekjes e veçanërisht besimi, se shpirtrat e të vdekurve kthehen për t’i shërbyer të gjallëve i kanë hapur rrugën spiritualizmit modern. Në qoftë se të vdekurit jetojnë në praninë e Perëndisë dhe të engjëjve të shenjtë dhe kanë privilegjin që të dinë më shumë se më parë pse të mos kthehen në tokë për të ndriçuar mendjet dhe për të udhëzuar njerëzit e gjallë? Në qoftë se, siç na thonë “teologët e njohur”, shpirtrat e të vdekurve fluturojnë rreth miqve të tyre mbi tokë, pse nuk u lejohet atyre që të komunikojnë me ta, t’i paralajmërojnë ndaj të keqes dhe t’i ngushëllojnë në kohë të vështira? Si mund ta hedhin poshtë ata që besojnë në ndërgjegjen gjatë vdekjes dritën hyjnore që u komunikohet përmes shpirtrave të lavdishëm?! KiM 534.2

Kjo rrugë konsiderohet e shenjtë, përmes së cilës Satani punon për të arritur qëllimet e tij. Engjëjt mëkatarë që iu përgjigjen urdhrave të tij shfaqen si lajmëtarë të botës së shpirtrave. Ndërsa në dukje të gjallët komunikojnë me të vdekurit, është princi i të keqes ai, që përfiton për të ndikuar negativisht mendjet e tyre. Ai ka fuqi që të sjellë përpara njerëzve një formë qënieje të ngjashme me miqtë apo të afërmit e vdekur. Fotokopja e rreme është e përsosur; pamja e jashtme, fjalët, toni riprodhohen pa më të voglin ndryshim. Shumë njerëz i ngushëllon siguria, se të dashurit e tyre po shijojnë lumturinë qiellore dhe pa as më të voglin dyshim ata i vënë veshin “shpirtrave joshës dhe doktrinave të djallit”. KiM 535.1

Kur ata fillojnë të besojnë se të vdekurit mund të kthehen për të komunikuar me ta, Satani i ballafaqon me ata njerëz që u larguan nga kjo botë të papërgatitur. Këta të fundit pretendojnë se jetojnë në qiell të lumtur e madje se janë të veshur me pozitë të lartë, kështu hidhen themelet e atij gabimi popullor që nuk njeh asnjë ndryshim mes të drejtëve dhe të pabesëve. Të ashtuquajturit vizitorë nga bota e shpirtrave ndonjëherë i paralajmërojnë të afërmit e tyre mbi baza të sakta. Kështu me të fituar besimin e tyre ata paraqesin doktrina që minojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë besimin tek Shkrimet e Shenjta. Në dukje të interesuar për mirëqënien e miqve të tyre në tokë, ata mbartin në vetvete shumë gabime të rrezikshme. Fakti që ndonjëherë ata thonë të vërtetën dhe janë në gjendje të parashikojnë disa ngjarje të së ardhmes, i jep thënieve të tyre një farë besueshmërie; dhe me mijëra njerëz i pranojnë dhe u besojnë mësimeve të tyre me zemër të hapur dhe me sy mbyllur thua se ato janë disa nga të vërtetat më të shenjta të Biblës. Ligji i Perëndisë flaket tutje, Fryma e Shenjtë përçmohet dhe gjaku i besëlidhjes shihet si diçka pa vlerë. Shpirtrat e mohojnë origjinën hyjnore të Krishtit dhe e vënë veten në të njëjtin nivel me vetë Krijuesin. Kështu, rebeli i madh, duke përdorur një maskë të re, vazhdon luftën kundër Perëndisë; luftë që filloi në qiell dhe që vazhdoi në tokë për më se gjashtë mijë vjet. KiM 535.2

Shumë njerëz përpiqen që t’i shpjegojnë këto “shfaqje shpirtërore” duke i quajtur mashtrime të arrira apo marifete të suksesshme të magjistarëve. Por, megjithëse është e vërtetë që shumë nga këto “shfaqje shpirtërore” janë provuar që janë thjesht dredhi e asgjë tjetër, disa prej tyre mbajnë vulën e fuqisë mbinatyrore. Fillimi misterioz i spiritualizmit modern nuk erdhi si rezultat i dredhive dhe dinakërisë njerëzore, por ishte fryt i punës së engjëjve të errësirës që i paraqitën kështu botës një nga iluzionet më të suksesshme dhe më shkatërruese. Shumë njerëz që ushqejnë besimin se spiritualizmi përbën thjesht një mashtrim njerëzor, do të bien shpejt në kurthin e tij, sepse me t’u ballafaquar me shfaqje i vetmi shpjegim i të cilave është fuqia mbinatyrore, ata do të mashtrohen dhe do t’i pranojnë ato si manifestime të fuqisë së Perëndisë. KiM 535.3

Këta njerëz nuk i kushtojnë rëndësi dëshmisë së Shkrimeve të Shenjta, që ka të bëjë me çuditë që është në gjendje të kryejë Satani dhe agjentët e tij. Magjistarët e Faraonit mundën ta fallsifikonin punën e Perëndisë të ndihmuar nga fuqia Satanike. Pali dëshmon se përpara ardhjes së dytë të Krishtit do të manifestohet e njëjta fuqi djallëzore. Ardhja e Zotit do të paraprihet nga “veprimi i Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekulli të rreme dhe nga çdo mashtrim ligësie.” (2 Selanikasve 2:9,10). Ndërsa apostulli Gjon, duke përshkruar fuqinë çudibërëse që do të shfaqet në ditët e fundit, deklaron:“Ai bënte shenja të mëdha, saqë edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të këtyre shenjave...” (Zbulesa 13:13,14). Këtu nuk flitet për mashtrime të thjeshta. Njerëzit mashtrohen nga mrekullitë që bëjnë agjentët e Satanit dhe jo nga të ashtuquajturat “mrekulli”. KiM 536.1

Princi i errësirës, që i ka përqëndruar përpjekjet e tij për një kohë të gjatë në zanatin e të mashtruarit, fut me mençuri në kurthet e tij tunduese njerëz të të gjitha klasave dhe shtresave shoqërore. Njerëzve të shkolluar dhe të kulturuar ai u paraqit aspektet më intelektuale dhe më të stërholluara të spiritualizmit, duke i tërhequr kështu drejt greminave shkatërruese. Spiritualizmi mishëron në vetvete mençurinë që apostulli Jakob e përshkruan si “dituri që nuk zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.” (Jakobi 3:15). Megjithatë mashtruesi i madh edhe mund të fshihet kur kjo është rruga më e mirë për të arritur qëllimet e tij. Ai që mundi t’i shfaqej Krishtit në shkretëtirën e tundimit i veshur me shkëlqimin e një engjëlli qiellor, vjen përpara njerëzve në formën më tërheqëse për syrin njerëzor; në formën e një engjëlli drite. Ai i bën thirrje arsyes, duke paraqitur tema të mëdha; ai e kënaq fantazinë me skena të paimagjinueshme; dhe fiton simpati falë “shprehjes elokuente” të dashurisë dhe mëshirës. Ai i jep krahë imagjinatës, duke i bërë njerëzit që të krenohen kaq shumë me zgjuarsinë e tyre, saqë në zemrat e tyre të hidhet fara e përçmimit ndaj të Përjetshmit. Ajo qënie e fuqishme që mundi ta çonte Shpëtimtarin e botës në majën e malit për t’i afruar Atij mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, do t’iu japë njerëzve mbi një pjatë argjendi, tundimet e tij në mënyrë që t’ua mpijë ndjenjat të gjithë atyre, që nuk kanë veshur mburojat hyjnore. KiM 536.2

Satani i mashtron njerëzit sot ashtu siç bëri edhe me Evën në Eden, me anë të lajkave, duke zgjuar në mendjet e tyre dëshirën për dije të ndaluara dhe duke nxitur ambicien për vetëlavdërim. Këta faktorë sollën dështimin e tij dhe ai synon t’i rrëzojë njerëzit përmes tyre. “Do të jeni si Perëndia deklaroi ai- do të mund të njihni të mirën dhe të keqen.” (Zanafilla 3:5). Spiritualizmi na mëson se “njeriu është krijesë e progresit, që në lindje ai është destinuar që të përparojë, madje edhe në përjetësi, drejt Perëndisë.” Më pas na thuhet:“Çdo mendje do të gjykojë vetveten dhe askënd tjetër. Ky gjykim do të jetë i drejtë, sepse do të jetë gjykimi i vetvetes.... Froni është brenda jush.” Një mësues spiritualist ndërsa brenda tij u zgjua “ndërgjegja shpirtërore”, tha: “Miqtë e mi, të gjithë ishin gjysmëperëndi të pagabueshëm.” Ndërsa një tjetër deklaron:“Çdo qënie e drejtë dhe e përsosur është Krisht.” KiM 537.1

Kështu, Satani ka kthyer në objekt adhurimi, në vend të dejtësisë dhe përsosmërisë së Perëndisë pafund, në vend të drejtësisë së pacënueshme të ligjit të Tij, që është kriteri i vërtetë i çdo arritjeje njerëzore, natyrën mëkatare njerëzore. Pra, ai e ka quajtur këtë natyrë të kalbur të vetmin objekt adhurimi, të vetmin rregull gjykimi, të vetmin kriter karakteri. Ky është progres; po, po; ky është progres, por jo përpara, prapa. KiM 537.2

Ekziston një ligj i një natyre intelektuale dhe shpirtërore sipas të cilit, duke parë ne ndryshojmë. Mendja, gradualisht, përshtatet me subjekte mbi të cilat i lejohet të përqëndrohet. Ajo tërhiqet pas diçkaje që është mësuar me dashuri dhe respekt. Një njeri nuk mund të shkojë më larg se kriteri i tij i pastërtisë, mirësisë apo së vërtetës. Në qoftë se vetvetja përbën idealin e tij më të lartë ai nuk do të mund të arrijë asgjë tjetër më fisnike se kjo. Përkundrazi, do të vazhdojë të fundoset gjithnjë e më shumë. Njeriun mund ta lartësojë dhe ta fisnikërojë vetëm hiri i Perëndisë. Sikur gjithçka të mbetej në duart e tij njeriu do të zgjidhte atë rrugë që, pa as më të voglin dyshim, do ta çonte në rrënim. KiM 537.3

Në format madhështore të spiritualizmit njerëzit e shkolluar dhe të edukuar gjejnë atë që përputhet me prirjet e tyre, por pjesës tjetër; njerëzve të vetkënaqur, imoral dhe të shkujdesur, spiritualizmi i shfaq një fytyrë me një maskë më të thjeshtë. Satani studion çdo prirje apo dobësi të natyrës njerëzore, ai shquan mëkatet, që kryen më shpesh çdo individ i caktuar dhe më pas kujdeset që këtij njeriu të mos i mungojnë rastet për të shfaqur prirjet drejt të keqes. Ai i tundon njerëzit vazhdimisht në lidhje me diçka që në vetvete është më se e ligjshme, duke i bërë ata që t’i dobësojnë përmes teprisë, fuqitë e tyre fizike, morale dhe mendore. Ai ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë me mijëra njerëz përmes dëshirës për të lënë të lira pasionet, duke rrënuar kështu natyrën njerëzore. Dhe në mënyrë që t’i vërë kapakun punës së nisur ai deklaron përmes këtyre shpirtrave që “njohuria e vërtetë e vë njeriun mbi ligjin;” që “gjithçka që ekziston është e drejtë,” që “Perëndia nuk dënon”, dhe që “të gjitha mëkatet, që kryhen nga njerëzit janë në vetvete të pafajshme.” Kështu kur njerëzit binden dhe besojnë se dëshira egoiste është ligji më i lartë, liria është e lejuar dhe se njeriu është përgjegjës vetë për vetveten, si mund të çuditemi që korrupsioni dhe shthurja janë në lulëzim e sipër? Me mijëra njerëz pranojnë me etje të madhe si të vërteta mësime të rreme që u japin atyre dorë të lirë për t’iu bindur prirjeve të një zemre mëkatare. Kapistalli i vetkontrollit është hedhur mbi qafën e epshit, fuqitë mendore dhe shpirtërore janë kthyer në pre të parimeve shtazarake dhe kështu Satani tërheq me gëzim në rrjetën e tij me mijëra njerëz, që vetëquhen ndjekës të Krishtit. KiM 538.1

Por askush nuk duhet të mashtrohet nga pretendimet e gënjeshtërta të spiritualizmit. Perëndia i ka falur botës dritë të mjaftueshme për t’i aftësuar njerëzit që t’i zbulojnë këto kurthe të rrezikshme. Siç është shpjeguar deri tani, teoria që përbën themelin e spiritualizmit kundërshton haptazi thëniet më të qarta të Shkrimeve të Shenjta. Bibla deklaron se të vdekurit nuk dinë asgjë dhe se mendimet e tyre janë zhdukur; ata s’dinë asgjë nga ato që ndodhin ditën me diell; ata nuk dinë asgjë për gëzimet dhe shqetësimet e njerëzve të tyre të dashur. KiM 538.2

Për më tepër, Perëndia e ka ndaluar haptazi të ashtuquajturën “komunikim” me shpirtrat e të vdekurve. Në kohën e çifutëve ekzistonte një grup njerëzish që, ashtu si spiritualistët e sotëm, pretendonin se mund të komunikonin me të vdekurit. Por Bibla thotë se “shpirtrat e njohur” siç quhen vizitorët e botëve të tjera, s’janë asgjë tjetër veçse “shpirtra demonësh”. (Të krahasohen Numrat 25:1-3 Psalmi 106:28; 1 Korintasve 10:20; Zbulesa 16:14). Zoti e quante komunikimin me shpirtrat e njohur diçka të pështirë dhe komunikimi vetë dënohej solemnisht me vdekje. (Levitiku 19:31; 20:27). Në ditët tona magjia në vetvete përçmohet. Ideja se njerëzit mund të bashkëbisedojnë me shpirtrat e këqinj konsiderohet si përrallë e mesjetës. Por spiritualizmi që numëron në radhët e veta me qindra, mijëra e madje me miliona njerëz, që ka depërtuar në rrethet shkencore dhe përkrahet nga organet legjislative dhe nga pallatet mbretërore - ky mamuth mashtrimi s’është asgjë tjetër veçse rilindja nën një maskë të re të magjisë, që është dënuar e ndaluar në të shkuarën. KiM 539.1

Fakti që shpirtrat nuk shohin asnjë dallim mes drejtësisë dhe mëkatit, mes apostujve më fisnikë dhe më të devotshëm të Krishtit dhe shërbëtorëve më të korruptuar të Satanit, do të ishte për çdo të krishterë provë e mjaftueshme e karakterit të vërtetë të spiritualizmit. KiM 539.2

Duke bërë sikur njerëzit më të ulët nderohen në një mënyrë të veçantë në qiell, Satani po i thotë botës:“S’ka rëndësi se sa të ligj jeni; s’ka rëndësi nëse i besoni apo jo Zotit dhe Biblës. Jetoni si të doni..., parajsa është shtëpia juaj.” Mësuesit spiritualistë deklarojnë me besim:“Kushdo që vepron keq pëlqehet nga Zoti, i cili kënaqet me të.” ose “Ku është Perëndia e drejtësisë?” (Malakia 2:17). KiM 539.3

Fjala e Perëndisë na thotë:“Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr.” (Isaia 5:20). Apostujt, të mishëruar nga këta shpirtra të rremë, kundërshtojnë atë që kanë shkruar vetë nën ndikimin e Frymës së Shenjtë, ndërsa ishin ende gjallë në tokë. Ata mohojnë origjinën hyjnore të Biblës, duke mbuluar kështu me baltë themelin e shpresës së çdo të Krishteri dhe, duke fikur dritën, që zbulon rrugën drejt parajsës. Satani po e bën botën të besojë se Bibla është thjesht një trillim apo një libër, që i përshtatej miturisë ose fillimeve të ekzistencës së kësaj race, por që tani nuk duhet t’i kushtohet shumë rëndësi apo më mirë akoma duhet të flaket tej si diçka e vjetëruar. Dhe në vend të fjalës së Perëndisë, ai ngre lart shfaqjet shpirtërore. Pra, kemi të bëjmë me një rrugë, që kontrollohet plotësisht prej tij, përmes kësaj rruge ai mund ta bëjë botën të besojë gjithçka që nxjerr nga goja. Ai e fsheh diku nën shkurre, pikërisht ashtu si ia do zemra atë, librin, që e gjykon atë dhe pasuesit e tij; ai e paraqit Shpëtimtarin e botës si një njeri të zakonshëm. Dhe ashtu si rojet romake, që kur panë varrin bosh të Jezusit hapën fjalë të gënjeshtërta, që priftërinjtë dhe anëtarët e pleqësisë ua kishin mësuar, mbi ringjalljen e Tij, ashtu edhe ata që u besojnë manifestimeve spirituale përpiqen të na bindin se nuk ka pasur asgjë të mrekullueshme apo mbinatyrore në jetën e Shpëtimtarit. Kështu, pasi përpiqen të hedhin poshtë Jezusin, ata tërheqin mendjen e njerëzve tek mrekullitë e tyre, duke deklaruar me mburrje se këto të fundit ua kalojnë ku e ku veprave të Krishtit. KiM 539.4

Eshtë e vërtetë se spiritualizmi sot po ndryshon formë dhe, duke i fshehur disa nga aspektet e tij më të papëlqyeshme po vesh një petk deri diku Kristian. Por të mos harrojmë se thëniet e tij nga podiume të ndryshme dhe nga faqet e shtypit e kanë çuditur botën për vite me radhë dhe pikërisht aty (tek thëniet), zbulohet karakteri i tij i vërtetë. Këto mësime as nuk mund të mohohen dhe as nuk mund të fshihen. KiM 540.1

Madje në formën e tanishme edhe pse ka fituar një farë liberalizmi më të madh se në të shkuarën, mashtrimi që ai mban në vetvete është më i rrezikshëm, sepse është më i zgjuar. Ndërsa fillimisht i mohonte si Krishtin, ashtu edhe Biblën, tani shprehet se i pranon të dyja. Por Bibla interpretohet në një mënyrë të tillë që t’ia bëjë qejfin një zemre të patransformuar, ndërsa të vërtetat e saj solemne dhe jetësore humbin vlerën e tyre. Dashuria mendohet si tipari kryesor i Perëndisë, por degradohet në një ndjenjë të dobët sentimentalizmi, duke mos bërë dallim mes të mirës dhe të keqes. Drejtësia e Perëndisë, urrejtja e Tij ndaj mëkatit, urdhëresat e ligjit të Tij hyjnor nuk përmenden fare. Ligji i Moisiut konsiderohet si diçka e shkruar e asgjë më shumë. Njerëzit bien rob të përrallave të bukura dhe magjiplote, duke harruar se Bibla duhet të jetë themeli i besimit të tyre. Krishti mohohet njësoj si më parë; por Satani i ka verbuar njerëzit në atë pikë sa ata nuk mund ta dallojnë më mashtrimin. Të paktë janë ata që e kanë një koncept të drejtë të fuqisë mashtruese të spiritualizmit dhe të rrezikut që sjell ndikimi i tij. Disa luajnë me të për të kënaqur kuriozitetin e tyre. Ata nuk i besojnë me të vërtetë atij dhe do t’i tmerronte mendimi se mund t’i dorëzohen kontrollit të shpirtrave. Por ata enden në një zonë të ndaluar dhe shkatërruesi i fuqishëm ushtron pushtetin e tij mbi ta edhe pse kjo ndodh kundër vullnetit të tyre. Le t’i nënshtrohen për një çast të vetëm mendjet e këtyre njerëzve kontrollit të tij dhe ai do t’i kthejë në robër. Me forcat e tyre ata e kanë të pamundur që t’i thyejnë prangat e magjishme dhe joshëse. Këta shpirtra të ngecur në kurth mund t’i çlirojë vetëm fuqia e Perëndisë, që vjen si përgjigje e lutjeve të ethshme të besimit. KiM 540.2

Të gjithë ata që mbajnë gjallë disa veçori të caktuara karakteri apo që me vullnet të lirë ushqejnë një mëkat të njohur, po u hapin derën tundimeve të Satanit. Ata largohen nga Zoti dhe nga kujdesi i engjëjve të Tij; e ndërsa i ligu përpiqet t’i mashtrojë, ata janë të pambrojtur dhe bien lehtas pre e tij. Kështu, ata që i nënshtrohen pushtetit të tij nuk arrijnë ta kuptojnë se ku do t’i çojë kjo rrugë. Me t’i shtënë në dorë ata vetë, tunduesi do t’i përdorë si agjentë për të joshur të tjerë drejt rrënimit të plotë. KiM 541.1

Profeti Isaia thotë:“Në rast se ju thuhet “Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmurisin dhe pëshpërisin, përgjigjuni:“A nuk duhet një popull të konsultojë Perëndinë e tij? A duhet vallë, t’u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve? Përmbajuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë.” (Isaia 8:19,20). Në qoftë se njerëzit do të ishin të gatshëm për të pranuar të vërtetat, që shprehen kaq qartë në Shkrimet e Shenjta në lidhje me natyrën njerëzore dhe gjendjen e të vdekurit, ata do të mund të shquanin në pretendimet dhe manifestimet spiritualiste dorën dhe punën e Satanit me shenja dhe çudi të rreme. Por në vend që të heqin dorë nga liria e tepruar, që i shkon kaq shumë pas shtati zemrës mëkatare dhe të braktisin mëkatet, që i duan aq shumë, me mijëra njerëz mbyllin sytë përpara dritës dhe ecin kuturu pa marrë parasysh asnjë nga paralajmërimet e dhëna, ndërsa Satani thur përreth tyre kurthet e tij dhe ata kthehen në pre. “Sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qënë të shpëtuar... Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim... që ata t’i besojnë gënjeshtrës.” (2 Selanikasve 2:10,11). KiM 541.2

Ata, që kundërshtojnë mësimet e spiritualizmit nuk po sulmojnë vetëm disa njerëz të caktuar, por vetë Satanin dhe agjentët e tij. Ata i kanë hyrë betejës kundër principatash, fuqish dhe shpirtrash të këqinj, të një rëndësie të veçantë. Satani nuk do të lëshonte as edhe një centimetër tokë, në qoftë se nuk do të zbrapsej përpara fuqisë së lajmëtarëve qiellorë. Njerëzit e Perëndisë duhet të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë ashtu siç i bëri ballë Shpëtimtari, duke përdorur fjalët:“Eshtë e shkruar”. Satani ashtu si bëri edhe në kohën e Krishtit, mund të citojë pjesë të Shkrimeve të Shenjta, por për të arritur zhgënjimet e tij “të famshme”, do t’i shtrembërojë ato. Ata që duan të dalin fitimtarë në këto kohëra vështirësish, duhet të kuptojnë individualisht dëshminë e Shkrimeve të Shenjta. KiM 542.1

Shumë njerëz do të ballafaqohen me shpirtrat e demonëve, që do të simbolizojnë miqtë apo të afërmit e vdekur dhe që do të deklarojnë disa nga herezitë më të rrezikshme. Këta vizitorë do të prekin pikat tona më të dobëta dhe do të kryejnë mrekulli për të mbështetur pretendimet e tyre. Ne duhet t’i zbrapsim sulmet e tyre, duke përdorur të vërtetën e Biblës, që na tregon qartë se të vdekurit nuk dinë asgjë dhe ata, që shfaqen në këtë mënyrë kaq të mistershme s’janë asgjë tjetër veçse shpirtrat e demonëve. KiM 542.2

Përpara nesh gjendet “ora e shpresës, që do të vijë mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.” (Zbulesa 3:10). Të gjithë ata, besimi i të cilëve nuk është ngritur me themelin e fjalës së Perëndisë, do të mashtrohen dhe do të munden me turp. Satani “Vepron duke përdorur çdo mashtrim ligësie” për të fituar kontroll mbi fëmijët e njeriut dhe mashtrimet e tij do të shtohen nga dita në ditë. Por ai mund të arrijë qëllimin e tij vetëm, në qoftë se njerëzit i dorëzohen tundimeve të tij. Ata, që po kërkojnë me zell të vërtetën dhe që po përpiqen që të pastrojnë shpirtrat e tyre përmes bindjes, duke u përgatitur kështu për këtë konflikt të madh do të gjejnë tek Perëndia e së vërtetës një mbrojtje të sigurt. Shpëtimtari na premton, duke na thënë:“Unë do të të ruaj ty sepse e ruajte fjalën e durimit tim” (Vargu 10). Ai do të preferonte më mirë të dërgonte edhe engjëllin e fundit qiellor në mbrojtje të popullit të tij se sa të linte qoftë edhe një njeri të vetëm, që ka besim tek Ai të mundej nga Satani. KiM 542.3

Profeti Isaia na kujton mashtrimin e frikshëm që do të përjetojnë të pabesët; mashtrimin që do t’i bëjë të mendojnë se i kanë shpëtuar gjykimit të Perëndisë. “Kemi përfunduar një besëlidhje me vdekjen, kemi bërë një alencë me Sheolin, kur rrebeshi përmbytës do të kalojë nuk do të arrijë deri tek ne, sepse gënjeshtrën e kemi bërë strehën tonë dhe jemi fshehur prapa falsitetit.” (Isaia 28:15). Këtu përshkruhet ai grup njerëzish që, duke qënë kokëfortë dhe të pabesë, vetngushëllohen me sigurinë që mëkatari nuk do të dënohet; dhe se që të gjithë njerëzit, pavarësisht nga korruptimi i tyre, do të lartësohen drejt parajsës për t’u bërë si engjëjt e Perëndisë. Por akoma më shumë theksohen ata njerëz, që kanë përfunduar një besëlidhje me vdekjen dhe një aleancë me ferrin, që kanë hequr dorë nga të vërtetat që Perëndia i ka skicuar për të mbrojtur të drejtët në ditët e vështirësive për të pranuar strehën e gënjeshtrave ofruar “me bujari” nga Satani - me fjalë të tjera për të pranuar pretendimet zhgënjyese të spiritualizmit. KiM 543.1

S’ka fjalë që mund ta përshkruajë verbërinë e këtij brezi njerëzish. Me mijëra njerëz e flakin tej me përbuzje fjalën e Perëndisë dhe pranojnë të etur mashtrimin e Satanit. Skeptikët tallen me “fanatizmin” e atyre, që përqafojnë besimin e profetëve dhe apostujve dhe kënaqen duke hedhur baltë mbi deklaratat solemne të Shkrimeve të Shenjta në lidhje me Krishtin, planin e shpëtimit dhe shpagimin, që do të bjerë mbi të gjithë ata, që e kanë mohuar të vërtetën. Atyre u vjen kaq keq për ata të shkretët, që janë njerëz kaq të dobët, injorantë dhe supersticiozë sa e njohin Perëndinë dhe i binden ligjit të Tij. Duken kaq të sigurt sa thua e kanë lidhur me të vërtetë një besëlidhje me vdekjen dhe një aleancë me ferrin - sikur të kenë ngritur me të vërtetë një barrierë të padepërtueshme dhe të pakapërcyeshme mes vetes së tyre dhe gjykimit hakmarrës të Perëndisë. Ata s’kanë frikë nga asgjë. Kaq plotësisht i janë dorëzuar tun-duesit, kaq pazgjidhshmërisht janë bashkuar me të dhe kaq tërësisht janë mbrujtur me shpirtin e tij, saqë nuk kanë as fuqi dhe as dëshirë për t’i shpëtuar kurthit të tij. KiM 543.2

Satani ka kohë që është përgatitur për përpjekjen e tij përfundimtare për të mashtruar botën. Siguria që iu dha Evës në Eden përbën edhe themelin e punës së tij:“Ju s’keni për të vdekur aspak”. “Ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.” (Zanafilla 3:4,5). Hap pas hapi ai i ka hapur rrugën kryeveprës së tij mashtruese - lulëzimit të spiritualizmit. Ai nuk e ka arritur akoma plotësisht qëllimin e tij, por do t’ia dalë mbanë në fundin e kohës. Profeti thotë:“Dhe pashë... tri frymë të ndyra, që u ngjanin bretkosave... ato janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë.” (Zbulesa 16:13,14). E gjithë bota, me përjashtim të atyre, që falë besimit në fjalën e Tij do të marrin fuqi nga Perëndia, do të thithet nga forca përpirëse e këtij zhgënjimi. Njerëzit ndillen drejt një sigurie fatale, për t’u zgjuar nga shprehja e zemërimit të Perëndisë. KiM 544.1

Zoti Perëndi thotë:“Unë do të vendos të drejtën si masë dhe drejtësinë si plumçe: breshëri do të pastrojë strehën e gënjeshtrës dhe ujërat do të përmbysin strehën tuaj. Besëlidhja juaj me vdekjen do të anullohet dhe aleanca juaj me Sheolin nuk do të qëndrojë; kur rrebeshi i përmbytjes do të kalojë, ju do të shkeleni prej tij.” (Isaia 28:17,18). KiM 544.2

1. Lexoni Psalmin 146:3,4; Predikuesi 9:5,6; Gjoni 11:11, 14. Bibla na mëson se të vdekurit janë të pandërgjegjshëm dhe nuk mund të komunikojnë me të gjallët. Nëse dikush që ngjan me një të afërmin tuaj të dashur apo mikun tuaj që ka vdekur, cilin jeni duke parë në të vërtetë? KiM 545.1

2. Lexoni 2 Selanikasve 2:9,10 dhe Zbulesën 13:13. Bibla thotë se shfaqja e Satanit në ditët e fundit do të jetë reale dhe do të mashtrojë shumë njerëz. Si mund të jesh i mbrojtur nga mashtrimi nëse ndodh kjo gjë? KiM 545.2

3. A jeni vizituar nga frymëra që pretendonin se ishte njëri nga të afërmit tuaj të vdekur? A jeni ngatërruar ndonjëherë me tavolinat e bixhozit, letrat tarot, horoskopet apo ekstrasensët? Si ju ndihmon ky kapitull të përballeni me këto situata me supernaturorët? KiM 545.3