Konflikti I Madh

35/44

33.—Mashtrimi i Parë i Madh

Satani u përpoq që ta mashtronte racën njerëzore që në fillim të kohës. Ai që kishte nxitur rebelim në qiell dëshironte që banorët e tokës të bëheshin aleatë të tij në luftën kundër qeverisjes së Perëndisë. Adami dhe Eva ishin më se të lumtur aq kohë sa iu bindën ligjit të Zotit dhe ky fakt dëshmonte kundër pretendimit absurd që Satani shprehu ndërsa ishte në qiell, sipas të cilit ligji i Perëndisë i shtypte dhe cënonte lumturinë e krijesave të Tij. E për më tepër, Satani u bë më cmirëzi kur pa shtëpinë e mrekullueshme që ishte bërë gati për çiftin e pafajshëm. Ai vendosi që t’i rrënonte ata në mënyrë që, duke i larguar ata nga Perëndia dhe duke i vënë nën kontroll, të shtinte në dorë tokën dhe të vendoste atje mbretërinë e tij në kundërshtim me të Plotfuqishmin. KiM 515.1

Sikur Satani t’u kishte zbuluar Adamit dhe Evës karakterin e tij të vërtetë, ata do ta kishin hedhur poshtë menjëherë kërkesën e tij, sepse ishin paralajmëruar për ekzistencën e këtij armiku të rrezikshëm, por ai punoi në errësirë, duke e fshehur qëllimin e tij të vërtetë, që të arrinte me sukses objektivin e vet. Duke përdorur si mjet të vetin gjarpërin, që në atë kohë ishte një krijesë që ngjallte interes, iu drejtua Evës me fjalët: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?” (Zanafilla 3:1). Sikur Eva të mos kishte filluar të diskutonte me tunduesin ajo do të ishte e sigurt, por ajo mori guximin që të bisedonte me të dhe u kthye kështu në viktimë të trukeve të tij. Shumë njerëz vazhdojnë të mashtrohen në të njëjtën mënyrë. Ata i vënë në dyshim urdhërimet e Perëndisë dhe në vend që t’i binden kërkesave hyjnore, pranojnë teoritë njerëzore që s’janë asgjë tjetër veçse veshje të jashtme të mashtrimeve satanike. KiM 515.2

“Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: Nga frytet e pemëve të kopshtit mund të hamë, por nga fryti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni.” Atëherë gjarpri i tha gruas: “Ju s’keni për të vdekur aspak, por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.” (Vargut 2-5). Ai deklaroi pra, se ata do të bëheshin si Perëndia, më të mençur se më parë dhe do të lartësoheshin drejt një forme më të ndritur ekzistence. Eva iu dorëzua tundimit dhe Adami falë ndikimit të saj i hyri gjithashtu rrugës së mëkatit. Ata i pranuan si të vërteta fjalët e gjarprit, sipas të cilave Perëndia nuk i kishte me gjithë mend ato që u kishte thënë, ata nuk patën besim tek Krijuesi i tyre dhe menduan se në një farë mënyre Ai e kishte cënuar lirinë e tyre dhe se, duke shkelur ligjin e tij ata do të lartësoheshin dhe do të fitonin më shumë mençuri. KiM 516.1

Menjëherë pas mëkatit të tij Adami e gjeti domethënien e fjalëve “të gjarprit”. Cili ishte kuptimi i vërtetë i fjalisë “Ju s’keni për të vdekur aspak?” A përputhej kuptimi i tyre me fjalët e satanit që tha se ata do të përjetonin një formë më të lartë ekzistence? Ata mund të “përfitonin” shumë nga shkelja e ligjit dhe Satani do të quhej bamirësi i madh. Por Adami e kuptoi se kjo nuk ishte domethënia e saktë e fjalisë hyjnore. Perëndia deklaroi se si dënim për mëkatin që kryen ata duhet të riktheheshin atje nga kishin ardhur, në tokë. KiM 516.2

“Do të rikthehesh në dhe, sepse nga ai ke ardhur” (Vargu 19). Kuptimi i vetëm i fjalëve të Satanit “Sytë tuaj do të hapen” ishte ky: Sytë e Adamit dhe të Evës u hapën që ata të shihnin marrëzinë e tyre, ata njohën mëkatin dhe provuan shijen e hidhur të frytit të shkeljes së ligjit dhe mosbindjes ndaj Perëndisë. KiM 516.3

Në mes të kopshtit të Edenit rritej pema e jetës, frytet e të cilës kishin fuqinë e jetës së përjetshme. Sikur Adami t’i kishte qëndruar besnik Perëndisë, ai do të kishte vazhduar të gëzonte të drejtën për të shijuar frytet e kësaj peme dhe do të kishte jetuar përjetësisht. Por me të mëkatuar, atij iu hoq e drejta e pjesëmarrjes në prodhimtarinë e pemës së jetës dhe ai u kthye në viktimë të vdekjes. Fjalia hyjnore, “Do të rikthehesh në dhe, sepse nga ai ke ardhur”, tregon shuarjen e plotë të jetës”. Shkelja, mosbindja e hodhi poshtë premtimin për pavdekësi që iu bë njerëzve me kusht që ata të tregoheshin të bindur. Adami nuk mund t’u jepte brezave pasardhës diçka që nuk e kishte të vetën; edhe për racën mëkatare nuk do të kishte asnjë shpresë, sikur Perëndia të mos iu dhuronte përsëri pavdekësinë përmes flijimit të Birit të Vet. Ndërsa “vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan”, Krishti “nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të Ungjillit.” (Romakët 5:12; 2 Timoteu 1:10). Pavdekësia mund të fitohet vetëm përmes Krishtit. Jezusi tha: “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë.” (Gjoni 3:36). Çdo njeri që i përmbush këto kushte, mund ta fitojë këtë bekim të çmuar. Të gjithë ata që “kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira”, do të marrin “jetë të përjetshme” (Romakët 2:7). KiM 516.4

Vetëm mashtruesi i premtoi Adamit jetë të përjetshme edhe përmes mosbindjes. Deklarata që gjarpri i bëri Evës në Eden: “Ju s’keni për të vdekur aspak” -ishte shërbesa e parë që është predikuar ndonjëherë mbi pavdekësinë e shpirtit. Megjithëse kjo deklaratë mban firmën e vet Satanit, vazhdon të përsëritet nga podiumet e kishave të Krishtera dhe të pranohet nga pjesa më e madhe e njerëzve me po atë lehtësi, sa u pranuan edhe nga prindërit tanë të parë. Pra fjalisë së Shkrimit të Shenjtë, “Shpirti që mëkaton do të vdesë” (Ezekieli 18:20) i është dhënë një kuptim i ri “shpirti që mëkaton nuk do të vdesë, por do të jetojë përjetësisht”. Kështu nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të çuditemi me budallallëkun, që i bëri njerëzit të besojnë tek fjalët e Satanit dhe të mos i përfillin fjalët e Zotit. KiM 517.1

Sikur njeriut dhe pas dështimit të tij t’i lejohej ngrënia e frutave të pemës së jetës, ai do të kishte jetuar përgjithmonë dhe rrjedhimisht mëkati do të përjetësohej. Por kerubinët me shpatën flakëruese “ruajtën rrugën e pemës së jetës” (Zanafilla 3:24), duke mos lejuar asnjë anëtar të familjes së Adamit që ta kapërcente këtë pengesë dhe të shtinte në dorë frytin jetëdhënës. Prandaj të gjithë mëkatarët i pret vdekja. KiM 517.2

Por Satani menjëherë pas dështimit të njerëzve i urdhëroi engjëjt e tij që të bënin ç’ishte e mundur për të përhapur idenë se njeriu ishte nga natyra i pavdekshëm; dhe pasi t’i drejtonte njerëzit në këtë rrugë të gabuar, ata (engjëjt mëkatarë) do t’i nxisin më tej drejt konkluzionit shkatërrimtar se mëkatari është i dënuar të jetojë në mjerim të përjetshëm. Kështu princi i errësirës, duke punuar përmes agjentëve të tij e paraqet Perëndinë si një tiran hakmarrës, duke deklaruar se ai i flak në ferr, duke i bërë që të ndiejnë mallkimin e tij të gjithë ata, që nuk i pëlqejnë; e për më tepër, ndërsa ata përpëliten dhe vuajnë nga dhembjet dhe ankthi i flakëve në përjetësi, Krijuesi i tyre i shikon i kënaqur nga froni i vet. KiM 517.3

Pra, djalli e vesh Krijuesin dhe Mirëbërësin e njerëzimit me tiparet e veta. Mizoria është satanike. Perëndia është dashuri; gjithçka e krijuar nga dora e tij ishte e pastër, e shenjtë dhe e bukur deri sa Kryerebeli “na dhuroi mëkatin”. Vetë Satani është armiku, që i tundon njerëzit drejt mëkatit e më pas i shkatërron përfundimisht dhe, me t’u siguruar se viktimën e ka në dorë ai ngazëllehet triumfues mbi rrënjët e punës së tij. Sikur të kishte mundësi ai do të përfshinte në rrjetën e tij të gjithë racën njerëzore. Pa ndërhyrjen dhe fuqinë hyjnore të gjithë bijtë dhe bijat e Adamit do të ishin të humbur, përjetësisht të humbur. KiM 518.1

Satani përpiqet të mashtrojë njerëzit sot, ashtu siç mashtroi prindërit tanë të parë, duke lëkundur besimin e tyre tek Krijuesi, duke i bërë të dyshojnë tek zgjuarsia e Qeverisjes dhe drejtësia e ligjeve të tij. Në mënyrë që të justifikojnë keqdashjen dhe rebelimin e tyre Satani dhe “misionarët” e tij e paraqesin Zotin më të keq se ata vetë. Kryemashtruesi përpiqet që ta veshë Atin tonë qiellor me karakterin dhe mizorinë e tij të paskajshme në mënyrë që ai me dëbimin e tij nga qielli, të luajë rolin e viktimës që s’mund t’i nënshtrohej një Qeveritari të tillë të padrejtë. Ai i shpalos botës lirinë që mund të gëzojë nën sundimin e tij të paanshëm, duke e krahasuar atë me zgjedhën që mbartin në vetvete dekretet e ngurta të Zotit. Në këtë mënyrë ai i bind njerëzit që të heqin dorë nga besnikëria ndaj Perëndisë. KiM 518.2

Sa e papranueshme është për çdo zemër të mbushur me dashuri e dëshirë, për çdo shpirt që ushqen ndjenjën e drejtësisë, doktrina sipas së cilës të vdekurit mëkatarë torturohen me zjarr dhe squfur në një ferr të ndezur përjetësisht, e ju duhet të vuajnë për mëkatet e një jete të shkurtër tokësore aq gjatë sa do të jetojë Perëndia. Megjithatë kjo doktrinë është përhapur shumë dhe përbën një nga besimet e pjesës më të madhe të të krishterëve. Një doktor i ditur teologjie ka thënë: “Vuajtjet e ferrit do t’i japin një ngjyrë të re lumturisë së shenjtorëve. Kur këta të fundit të shikojnë se si të tjerët, që kanë lindur në të njëjtat rrethana dhe kanë të njëjtën natyrë janë zhytur në një mjerim të tillë, ata do të bëhen të ndërgjegjshëm për lumturinë e tyre”. Një tjetër përdor këto fjalë: “Ndërsa dekreti i mosaprovimit zbatohet përjetësisht mbi nenet e zemërimit, tymi i vuajtjeve të tyre do të ngjitet përjetësisht përpara neneve të mëshirës, që në vend që t’i përkrahin ato qënie të mjerueshme do të thonë: “Amen! Haleluja! Lëvduar qoftë Zoti! KiM 518.3

Në cilat faqe të fjalës së Perëndisë gjendet një mësim i tillë? Do t’i humbin vallë shenjtorët në qiell të gjitha ndjenjat e keqardhjes dhe mëshirës e madje edhe idenë e humanizmit të zakonshëm? A do të shndërrohen këto në moskokëçarjen e njeriut stoik dhe në mizorinë e njeriut të egër? Jo, jo; në librin e Perëndisë nuk gjendet një mësim i tillë. Ata që na prezantojnë pikëpamje si këto që cituam më lart mund të jenë njerëz të ditur e madje edhe të ndershëm, por janë viktima të mashtrimit të sofistikuar të Satanit. Ai i bën ata që t’i keqinterpretojnë disa shprehje Biblike, duke i dhënë atyre ngjyrën e keqdashjes dhe egërsisë, që janë tipike për të, por të huaja për krijuesin tonë. “Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj”, thotë Zoti Perëndi, “unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni?” (Ezekieli 33:11). KiM 519.1

Çfarë do të mendohej për Perëndinë, sikur ne të pranonim që Ai kënaqet kur sheh me sy tortura pa fund, se ngazëllehet nga britmat dhe mallkimet e krijesave të shumëvuajtura që ai i ka dënuar në flakët e ferrit? A mund të jenë këta tinguj të tmerrshëm nota muzike për veshët e dashurisë pafund? Thuhet se Perëndia i dënon njerëzit mëkatarë përjetësisht, për të tre-guar urrejtjen që ushqen për mëkatin, që është shkatërrimtar, për paqen dhe rregullin e universit. Çfarë blasfemie e ndyrë! Sikur urrejtja e Zotit për mëkatin të jetë arsyeja e përjetësimit të tij! Sepse sipas mësimeve të këtyre teologëve, tortura e va-zhdueshme pa shpresë mëshire i verbon këto viktima fatkeqe dhe ata e shprehin zemërimin e tyre në mallkim dhe blasfemi, duke shtuar kështu përjetësisht fajin e tyre. Mendja njerëzore nuk mund ta kuptojë të keqen që mbart në vetvete herezia e vuajtjes së përjetshme. KiM 519.2

Besimi i Biblës, besimi i dashurisë, mirësisë, dhe i dhembshurisë errësohet nga superstiSionet dhe vishet me tmerr. Kur shohim se me çfarë ngjyrash të rreme e pikturon Satani karakterin e Perëndisë, a mund të çuditemi nga fakti që njerëzit e kanë frikë, madje dhe e urrejnë Krijuesin tonë mëshirëplotë? Pikëpamjet e frikshme rreth Zotit, pikëpamje që nga podiumet kishëtare janë përhapur nëpër botë i kanë kthyer në skeptikë dhe jobesimtarë me mijëra, po, me miliona njerëz. KiM 520.1

Teoria e vuajtjes së përjetshme është një nga doktrinat e rreme që formojnë verën e fortë të zemërimit të Babilonisë, nga e cila do të pijnë të gjithë kombet. (Zbulesa 14:8; 17:2) KiM 520.2

Fakti që ministrat e Krishtit e kanë pranuar këtë herezi dhe e shpallin atë si të vërtetë nga podiumet e shenjtë është me të vërtetë një mister. Ata e morën atë ashtu siç morën edhe Të Shtunën e rremë, nga Roma. E vërtetë është, njerëz të mirë e të mëdhenj e kanë përqafuar këtë ide, por drita e një subjekti të tillë ka ardhur në ditët tona më e plotë. Ata ishin përgjegjës vetëm për dritën që u zbulua në kohën e tyre, për rrezet e reja të kohës sonë përgjegjësia bie mbi ne. Në qoftë se i kthejmë krahët dëshmisë së fjalës së Perëndisë dhe pranojmë doktrina të rreme vetëm sepse na i mësuan baballarët tanë, mbi ne do të bjerë dënimi që iu dha Babilonisë; ne do të pijmë verën e fortë të pabesisë së saj. KiM 520.3

Një grup i madh njerëzish që nuk e pranojnë doktrinën e vuajtjes së përjetshme përqafojnë gabimin e kundërt. Ata e kuptojnë se Shkrimet e Shenjta e paraqesin Perëndinë si një qënie dashurie dhe mëshire dhe nuk mund ta besojnë se ai do t’i dorëzojë krijesat e Veta në flakët e përjetshme të ferrit. Kështu, duke mbështetur tezën se shpirti është i pavdekshëm ata arrijnë në konkluzionin “e vetëm” se i gjithë njerëzimi do të shpëtojë një ditë. Shumë njerëz janë të mendimit se kërcënimet dhe paralajmërimet Biblike synojnë t’i shtyjnë njerëzit drejt bindjes, duke i frikësuar ata, por nuk do të bëhen realitet ndonjëherë. Pra, mëkatari mund t’ia bëjë qejfin vetes, duke i shkelur me këmbë urdhëresat e Perëndisë e megjithatë të presë në fund një shpërblim dashamirësie. Një doktrinë e tillë, që “ngre lart” mëshirën e Zotit, por që nuk e përfill drejtësinë e Tij, i shkon pas shtatit dëshirave të një zemre njerëzore dhe e inkurajon njeriun mëkatar drejt paudhësive të tjera. KiM 520.4

Që të tregojmë se si njerëzit, që besojnë tek shpëtimi mba-rëbotëror i shtrembërojnë Shkrimet e Shenjta në mbështetje të dogmave të tyre shkatërruese, na duhet të citojmë thëniet e tyre. Gjatë varrimit të një të riu të pafe, që kishte gjetur vdekjen në një aksident, një pastor universialist zgjodhi si tekst referimi thënien që gjendet në Shkrimin e Shenjtë dhe lidhet me Davidin: “Ishte ngushëlluar tashmë nga vdekja e Amnonit” (2 Samuelit 13:39). KiM 521.1

“Shpesh më pyesin, - tha folësi, - se ç’i pret ata që largohen nga kjo botë të zhytyr në mëkat, që vdesin ndoshta të dehur, që vdesin me njollat e kuqe të krimit mbi petkat e tyre apo që vdesin siç vdiq ky djalë i ri, pa pasur asnjë përjetim besimi, pa pranuar të vërtetën e madhe. Ne i drejtohemi Shkrimeve të Shenjta; përgjigjja e tyre i jep zgjidhje këtij problemi të vështirë. Amnoni ishte një njeri mëkatar, s’pendohej kurrë derisa një ditë e dehën dhe e vranë, ashtu, të dehur. Davidi ishte profet i Zotit, ai duhet ta dinte nëse Amnoni do të gjendej mirë në botën tjetër. Çfarë tha ai? “Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushëlluar tanimë nga vdekja e Amnonit” (vargu 39). KiM 521.2

“Çfarë përfundimi nxjerrim nga një thënie e tillë? A nuk arrijmë vallë në konkluzionin se vuajtjet e përjetshme nuk ishin pjesë e besimit të tij fetar? Ky është i vetmi konkluzion, dhe këtu zbulojmë një provë triumfuese në mbështetje të hipotezës më të këndshme dhe më mëshirëplote, asaj të pastërtisë dhe paqes së pacënueshme mbarëbotërore. Ai ishte ngushëlluar nga vdekja e birit të tij. Pse vallë? Sepse me syrin e profecisë ai mund të depërtonte në të ardhmen e lavdishme dhe të shihte birin e vet larg tundimeve, të çliruar nga zgjedha dhe të pastruar nga kalbëzimi i mëkatit për t’u pranuar, pasi të kthehej në shenjtor, në radhët e shpirtërave ngazëllues. Ngushëllimi i tij i vetëm ishte fakti, që duke u larguar nga gjendja e tanishme e mëkatit dhe vuajtjes, biri i tij i dashur ishte ngjitur në atë vend, ku shpirti i tij i errët do të ndriçohej nga frymëmarrja e plotë e Frymës së Shenjtë, ku mendja e tij do të rrokte mençurinë qiellore dhe dashurinë pafund, duke u përgatitur kështu për të shijuar, falë kësaj natyre të shenjtëruar, pushimin dhe shoqërinë e qiellit. KiM 521.3

“Nga kjo ne kuptojmë se shpëtimi qiellor nuk varet aspak as nga qëndrimi ynë në këtë jetë, as nga ndryshimi që përjetojmë në zemër, as nga besimi i tanishëm dhe as nga ndjekja e mundshme e një feje të caktuar”. KiM 522.1

Kështu i ashtuquajturi pastor i Krishtit përsërit gënjeshtrën që e shqiptoi i pari gjarpri në kopshtin e Edenit: “Ju s’keni për të vdekur aspak”. “Ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jenë si Perëndia”. Ai deklaron se mëkatarët më të këqinj - vrasësi - hajduti, tradhëtari - do të bëhen gati që pas vdekjes të bëhen pjesë e lumturisë së përjetshme. KiM 522.2

Nga i nxjerr këto konkluzione ky shtrembërues i Shkrimeve të Shenjta? Nga një fjali e vetme që shpreh përuljen e Davidit ndaj vullnetit të Perëndisë. Me shpirt “ai dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushëlluar tanimë nga vdekja e Amnonit”. Therja e plagës së trishtimit ishte zbutur me kalimin e kohës, mendimet tashmë përqëndroheshin tek djali i gjallë, duke u larguar gradualisht nga biri i vdekur dhe ai kishte filluar ta harronte frikën që i shkaktonte dënimi më se i drejtë i krimit të tij. E kjo na qenka prova që Amnoni i dehur dhe gjaknxehtë menjëherë pas vdekjes na paska shkuar në shtëpinë e lumturisë pafund për t’u pastruar shpirtërisht dhe për t’u përgatitur për të shijuar shoqërinë e engjëjve të pamëkatë! Me të vërtetë një përrallë e këndshme kjo, që i realizon kaq mirë dëshirat e zemrës njerëzore! Kjo është doktrinë satanike dhe e kryen punën e vet me sukses të plotë. A duhet të çuditemi që me udhëzime të kësaj natyre e keqja sa vjen e shtohet? KiM 522.3

Rruga që ndjek ky mësues - mashtrues shërben si shembull për të treguar rrugët që ndjekin me qindra të tjerë. Disa fjalë të Shkrimeve të Shenjta shkëputen nga konteksti, që në pjesën më të madhe të rasteve është i veshur me një kuptim krejtësisht të kundërt nga ai i pari dhe këtyre pasazheve të shkëputura u mohohet kuptimi i mirëfilltë dhe përdoren si prova në mbështetje të disa doktrinave të caktuara, që nuk bazohen aspak te fjala e Perëndisë. Dëshmia që sillet si provë e faktit që Amnoni i dehur është në qiell është një konkluzion që hidhet poshtë nga thëniet e qarta të Shkrimeve të Shenjta sipas të cilave asnjë pijanec nuk do ta trashëgojë mbretërinë e Perëndisë. (1 Korintasve 6:10) KiM 522.4

Pikërisht kështu e kthejnë të vërtetën në gënjeshtër njerëzit e pabesë, skeptikë dhe jo besimtarë. Teoria e tyre ka mashtruar dhe ka vënë në gjumë në djepin e sigurisë së rreme me mijëra e mijëra njerëz. KiM 523.1

Sikur të jetë e vërtetë që shpirtrat e të gjithë njerëzve pa përjashtim shkojnë drejt e në parajsë në momentin e vdekjes, atëherë më mirë të lakmojmë vdekjen sesa jetën. Shumë njerëz, të shtyrë nga një besim i tillë, i kanë dhënë fund jetës me duart e veta. Kur dikush është i trishtuar, i çorientuar dhe i zhgënjyer është shumë e lehtë që ta presë fillin e hollë të jetës për të fluturuar drejt haresë së botës së përjetshme. KiM 523.2

Perëndia na ka dhënë në fjalën e Tij prova vendimtare që Ai do t’i dënojë të gjithë ata që e shkelin ligjin e Tij. Ata që i bëjnë qefin vetes, duke menduar se Ai është tepër i mëshirshëm për të ushtruar drejtësi mbi mëkatarin, duhet të kujtohen për kryqin e Kalvarit. Vdekja e Birit të panjollosur të Perëndisë dëshmon se “mëkati ka pagën e vet: vdekjen” dhe se çdo shkelje e ligjit të Perëndisë duhet shpaguar. Krishti i pafajshëm u kthye në mëkat për njerëzit. Ai mbajti mbi supe fajin e shkeljes dhe s’mundi ta shihte më fytyrën e Atit të Tij derisa iu thye zemra dhe vdiq. Ai sakrifikoi dhe u flijua, që mëkatarët të shpëtonin. Kjo ishte e vetmja mënyrë shpëtimi ndaj dënimit të mëkatit për njerëzimin. Dhe çdo njeri që nuk pranon të marrë pjesë në shlyerjen me një çmim të tillë, duhet ta mbajë mbi supet e veta peshën e fajit dhe dënimit që sjell shkelja e ligjit. KiM 523.3

Le të shikojmë se ç’na mëson më tej Bibla për njerëzit mëkatarë dhe të pabindur që ai universialisti i vendos në parajsë bashkë me engjëjt e shenjtë. KiM 523.4

“Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës” (Zbulesa 21:6). Ky premtim i drejtohet vetëm atyre që kanë etje. Vetem ata që ndiejnë nevojën e ujit të jetës dhe e kërkojnë atë, duke harruar gjithçka tjetër, do ta shuajnë etjen. “Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir” (vargu 7). Edhe këtu kushtet janë të qarta. Në mënyrë që të bëhemi trashëgimtarë të gjithçkaje ne duhet t’i bëjmë ballë dhe të fitojmë mbi mëkatin. KiM 523.5

Përmes profetit Isaia, Zoti deklaron: “I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë. Mjerë i pabesi! Do t’i bjerë mbi kokë fatkeqësia, sepse do t’i jepet ajo që duart e tij kanë përgatitur” (Isaia 3:10,11). “Edhe në qoftë se mëkatari bën njëqind herë të keqen - thotë njeriu i urtë - dhe i zgjaten ditët e tij, unë e di që të mirën do ta kenë ata që kanë frikë nga Perëndia, që kanë frikë përpara Tij.” (Predikuesi 8:12,13). Ndërsa Pali dëshmon se mëkatari po mbledh rreth vetes “zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë, që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij;” “mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën” - Romakët 2:5,6,9. KiM 524.1

“Asnjë nga imoralët, kopracët apo të ndyrët, të cilët janë idhujtarë nuk kanë ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë” (Efesianët 5;5). “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjtë 12:14). “Lum ata që i kryejnë urdhërimet e Tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit. Jashtë janë qentë, magjistarët, imoralët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën” (Zbulesa 22:14,15). Perëndia i ka dorëzuar njerëzimit një deklaratë të karakterit dhe mënyrës së Tij të veprimit kundër mëkatit. “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin, por nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin.” (Eksodi 34:6,7). “Ai do të shkatërrojë të gjithë të pabesët”. “Shkelësit do të shkatërrohen të gjithë, në fund të pabesët do të dërrmohen.” (Psalmi 145:20; 37:38). Qeveria hyjnore do ta përdorë fuqinë dhe autoritetin e vet për t’i dhënë fund rebelimit, megjithatë zbatimi i kësaj drejtësie do të përputhet plotësisht me karakterin e Perëndisë si qënie mirëdashëse dhe mëshirëplotë. KiM 524.2

Perëndia i ka dhënë gjithësecilit një vullnet dhe një gjykim të lirë. Atij nuk i pëlqen aspak bindja e një skllavi. Ai dëshiron që krijesat e duarve të Tij ta duan, sepse Ai e meriton dashurinë e tyre. Ai do të donte që ata t’i bindeshin falë vlerësimit të tyre të zgjuar të mençurisë, drejtësisë dhe mirëdashjes së Tij. Të gjithë ata që i kuptojnë drejt këto cilësi do t’i falin Atij dashurinë e tyre, sepse Ai do t’i tërheqë drejt vetes, duke mbjellë në zemrat e tyre farën e adhurimit ndaj vetive të Tij të çmuara. KiM 525.1

Parimet e mirësisë, mëshirës dhe dashurisë që u mëshiruan në figurën e Shpëtimtarit, përbëjnë një kopje të transkriptuar të vullnetit dhe karakterit të Perëndisë. Krishti deklaroi se u mësoi njerëzve vetëm ato që kishte marrë nga Ati i Tij. Parimet e qeverisjes hyjnore përputhen plotësisht me porosinë e Shpëtimtarit: “Duajini armiqtë tuaj”. Perëndia zbaton drejtësinë mbi të pabesët jo vetëm për të mirën e universit mbarë, por edhe për të mirën e vetë këtyre njerëzve. Ai do t’i bënte ata të lumtur në rast se do të kishte mundësi të bënte këtë, duke iu përmbajtur ligjeve të qeverisjes së Tij dhe u ofron mëshirë, por ata e përçmojnë dashurinë, e quajnë të pavlerë ligjin dhe e hedhin poshtë mëshirën. Edhe pse marrin dhurata prej Tij vazhdimisht, ata e çnderojnë Dhuruesin, ata e urrejnë Perëndinë, sepse e dinë që Ai nuk i honeps dot mëkatet e tyre. Zoti i duron për një kohë të gjatë paudhësitë e tyre, por ora vendimtare do të vijë dhe një ditë do të vuloset edhe fati i tyre. Do t’i lidhë vallë me zinxhirë Ai këta rebelë që ata të qëndrojnë përkrah Tij? Do t’i detyrojë me forcë që të kryejnë vullnetin e Tij? KiM 525.2

Ata që kanë zgjedhur Satanin udhëheqës dhe që janë vënë nën kontrollin e tij nuk janë përgatitur për të qëndruar në praninë e Perëndisë. Krenaria, mashtrimi, imoraliteti, mizoria janë gdhendur tashmë në karakterin e tyre. A mund të shkojnë ata në parajsë për të jetuar përjetësisht me ata që i kanë përçmuar dhe urryer mbi tokë? Një gënjeshtar nuk ka për të rënë kurrë dakort me të vërtetën, bindja nuk do të mund ta kënaqë kurrë krenarinë dhe vetëkënaqësinë, i korruptuari s’mund ta pranojë kurrë pastërtinë, për egoistin dashuria pa interes nuk është interesante. Çfarë burimi kënaqësie mund t’i ofrojë parajsa atyre njerëzve që janë të dhënë kokë e këmbë pas interesave tokësore e egoiste? KiM 525.3

A mund të shkojnë në parajsë sa hap e mbyll sytë ata që gjatë gjithë jetës së tyre kanë ngritur krye ndaj Perëndisë? A mund të dëshmojnë këta njerëz shkallën e lartë dhe të shenjtë të përsosmërisë, që ekziston atje - ku çdo shpirt është i mbushur me dashuri, ku çdo fytyrë rrezaton gëzim, ku për nder të Perëndisë dhe Qingjit dëgjohen melodi të mrekullueshme dhe ku fytyra e Atij që rri ulur mbi fron lëshon rreze pafund drite mbi të shpëtuarit - a mund të bëhen pjesë e turmës qiellore dhe a mund ta ngrenë zërin në këngë lavdërimi ata, zemrat e të cilëve janë mbushur me urrejtje për Perëndinë, të vërtetën dhe shenjtërinë e Tij? A mund t’i bëjnë ballë ata lavdisë së Perëndisë dhe të Qingjit? Jo, jo, atyre ju janë falur vite prove dhe stazhi, që ata të krijonin karaktere të përshtatshme parajse, por ata s’e mësuan kurrë zemrën e tyre me pastërtinë, ata nuk e mësuan kurrë gjuhën e qiellit dhe tani është tepër vonë. Rebelimi kundër Perëndisë i ka kthyer në qytetarë të papërshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë. Pastërtia, shenjtëria dhe paqja e këtij vendi do të ishte torturë për ta, lavdia e Zotit do të ishte një zjarr shkatërrues. Ata do të dëshironin me gjithë shpirt që të largo-heshin me të katra nga ai vend i shenjtë. Ata do të parapëlqenin shkatërrimin që do t’i fshihte nga fytyra e Atij që vdiq për t’i shpëtuar. Të pabesët e caktojnë fatin e tyre nga zgjedhja e vet. Ata përjashtohen vullnetarisht nga qielli dhe Perëndia tregohet i drejtë dhe i mëshirshëm me ta. KiM 526.1

Zjarret e ditës së madhe, ashtu si ujërat e Përmbytjes, tregojnë vendimin gjyqësor të Perëndisë që e keqja është e pashërueshme. Ata as nuk kanë ndërmend që t’i nënshtrohen autoritetit hyjnor. Ata e kanë shprehur vullnetin e tyre në revoltë dhe, kur jetës së tyre i ka ardhur fundi është tepër vonë për ta kthyer rrjedhën e mendimeve të tyre në drejtim të kundërt, tepër vonë për t’u kthyer nga shkeljet në bindje, nga urrejtja në dashuri. KiM 526.2

Duke i falur jetën Kainit, vrasësit, Perëndia i dha botës një shembull të asaj, që do të ishte rezultati i dhënies mundësi një mëkatari për të vazhduar jetën, duke vazhduar në të njëjtën kohë edhe rrugën e paudhësisë pa cak. Mijëra pasardhës të Kainit, falë ndikimit të mësimeve dhe shembullit të tij, i hynë rrugës së mëkatit derisa “ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë” dhe “synimet e zemrave të tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë”. “Toka ishte e korruptuar përpara Perëndisë dhe plot me dhunë”. (Zanafilla 6:5,11). KiM 526.3

Vetëm për të treguar mëshirë ndaj botës, Zoti i fshiu nga faqja e dheut bashkëkohësit mëkatarë të Noes. I mëshirshëm u tregua Ai edhe kur shkatërroi banorët e Sodomit. Përkrahësit e paudhësisë, përmes fuqisë mashtruese të Satanit, fitojnë simpati dhe admirim, duke i udhëhequr kështu të tjerët drejt rebelimit. Kështu ndodhi në kohën e Kainit dhe të Noes, kështu ndodhi në kohën e Abrahamit dhe të Lotit, kështu ndodh edhe në ditët tona. Perëndia do t’i shkatërrojë përfundimisht mohuesit e hirit të Tij, për të treguar mëshirë ndaj mbarë universit. KiM 527.1

“Paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. (Romakët 6:23). KiM 527.2

Ndërsa të drejtët marrin si trashëgimi jetën, të padrejtët trashëgojnë vdekjen. Moisiu i deklaroi Izraelit; “Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen” (Ligji i Përtërirë 30:15). Në këto vargu të Shkrimit të Shenjtë nuk flitet për vdekjen që iu shpall për herë të parë Adamit, sepse të gjithë njerëzit duhet ta vuajnë dënimin e shkeljeve të tyre. Këtu i referohemi “vdekjes së dytë”, që krahasohet me jetën e përjetshme. KiM 527.3

Vdekja, si rezultat i mëkatit të Adamit, kaloi tek të gjithë njerëzit pa përjashtim. Të gjithë shkojnë në varr. Dhe të gjithë duhet të dalin një ditë nga varri falë planit të shpëtimit. “Do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve” “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.” (Veprat e Apostujve 24:15; 1 Korintasve 15:22). Por klasat njerëzore që do të ringjallen dallojnë nga njëratjetra. “Të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e Tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit” (Gjoni 5:28,29). Ata që kanë qënë “të denjë” për të fituar ringjalljen e jetës janë “të bekuar dhe të shenjtë”. “Mbi ta vdekja e dytë nuk ka pushtet” (Zbulesa 20:6). Por ata që nuk janë falur, sepse nuk e kanë fituar atë me anë të pendimit dhe besimit, duhet të durojnë dënimin e fajit të tyre - “pagën e mëkatit”. Dënimi që ata vuajnë ndryshon në kohëzgjatje dhe intensitet “sipas veprave të tyre”, por përfundimisht do të marrë fund me vdekjen e dytë. Duke qënë se Perëndia e ka të pamundur ta shpëtojë mëkatarin që nuk pendohet për mëkatet e tij, sepse Ai duhet t’i qëndrojë besnik parimeve të drejtësisë dhe mëshirës, Ai ia heq atij të drejtën e ekzistencës për të cilën ai s’e ka treguar veten të denjë. Një shkrimtar i frymëzuar nga Fryma e Shenjtë thotë: “Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më”. Një tjetër deklaron: “do të jenë si të mos kenë qënë kurrë” (Psalmi 37:10); (Abdia 16). Të mbuluar me turp ata lihen në një harresë të përjetshme dhe të pashpresë. KiM 527.4

Kështu do t’i jepet fund mëkatit bashkë me trishtimin dhe rrënimin që mbart ai. Psalmisti thotë: “Ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre përgjithnjë. Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm!” (Psalmi 9:5,6). Gjoni në librin e Zbulesës, ndërsa shikon në të ardhmen drejt përjetësisë, dëgjon një himn univargul lavdërimi që nuk prishet nga asnjë notë e keqintonuar. Ai dëgjoi të gjitha krijesat e qiellit dhe tokës se si i thurnin lavde Perëndisë. (Zbulesa 5:13). Atje nuk do të ketë shpirtra të humbur që të blasfemojnë kundër Zotit, ndërsa vuajnë dhimbjet e një torture të vazhdueshme, me këngët e të shpëtuarve nuk do të përzihen britmat e qënieve të harruara të ferrit. KiM 528.1

Gabimit themelor të pavdekshmërisë natyrore i shtohet doktrina e ndërgjegjes gjatë vdekjes. - një doktrinë, që ashtu si teoria e vuajtjes së përjetshme, bie ndesh me mësimet e Shkrimeve të Shenjta, me arsyen dhe ndjenjat tona humane. Sipas këtij besimi kaq popullor, të shpëtuarit në parajsë njihen me gjithçka që ndodh në tokë dhe dinë gjithçka për miqtë dhe të afërmit që kanë lënë pas. Po si mund të jenë të lumtur këta të vdekur kur dinë shqetësimet e njerëzve të gjallë, kur shohin me sytë e tyre mëkatet që kryejnë të dashurit e tyre, kur shohin se si i durojnë ata trishtimet, zhgënjimet dhe ankthet e jetës? Sa shumë nga lumturia qiellore do të shijonin ata që u vijnë rrotull miqve të tyre mbi tokë? Sa acarues është besimi sipas të cilit me t’u larguar fryma nga trupi, shpirti i njeriut të pabindur i dorëzohet flakëve të ferrit! Çfarë ankthi duhet të përjetojnë ata që shohin shokët e tyre t’i japin fund jetës të papërgatitur për të hyrë në një gjendje përjetësie të mbushur me mjerim dhe vuajtje! Shumë njerëz janë çmendur nga ky mendim i frikshëm. KiM 528.2

Po Shkrimet e Shenjta çfarë na thonë në lidhje me këto çështje? Davidi deklaron se i vdekuri është i pandërgjegjshëm. “Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken” (Psalmi 146:4). Solomoni dëshmon të njëjtën gjë: “të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë” “Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë dhe ata nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha ato që bëhen nën diell”. “Në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri” (Predikuesi 9:5,6,10). KiM 529.1

Kur, në përgjigje të lutjes së tij, jeta e Ezekielit u zgjat edhe 15 vjet mbreti mirënjohës i thuri Perëndisë lavde për mëshirën e Tij. Ai përmend në këngën e tij arsyet e gëzimit që ndjen: “Varri nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë, ata që zbresin në gropë nuk mund të shpresojnë më në besnikërinë tënde. I gjalli, i gjalli është ai që të lëvdon siç po bëj unë sot.” (Isaia 38:18,19). Teologjia e ditëve tona na thotë se të vdekurit besimtarë janë në parajsë duke shijuar harenë qiellore dhe duke e lavdëruar Perëndinë me këngë pafund, por Ezekieli nuk mundi të shquante një perspektive kaq të lavdishme në vdekje. Edhe dëshmia e psalmistit përputhet me fjalët e tij “Në vdekje nuk do të kujtoj njeri, kush do të të kremtoj në varr?” Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes” (Psalmi 6:5; 115:17) Në ditën e Rrëshajave Pjetri deklaroi se patriarku David është “i vdekur dhe i varrosur dhe varri i tij është nder deri në ditën e sotme” “Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell.” (Veprat e Apostujve 2:29,34). Fakti që Davidi qëndron në varr deri në ditën e ringjalljes provon se të drejtët nuk shkojnë në qiell në momentin e vdekjes së tyre. Vetëm nëpërmjet ringjalljes dhe faktit që Krishti u ngrit nga varri, Davidi mund të ulet në anën e djathtë të Perëndisë. KiM 529.2

Ndërsa Pali thotë: “Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur, por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj, ju jeni ende në mëkatet tuaja dhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur”. (1 Korintasve 15:16-18). Në qoftë se për katër mijë vjet me radhë të drejtët kanë shkuar menjëherë në parajsë në ditën e vdekjes së tyre si mund të thoshte Pali se në qoftë se nuk do të ketë ringjallje “ata që fjetën në Krishtin janë të humbur?” Ringjallja e ditës së fundit nuk do të ishte e nevojshme. KiM 529.3

Martiri Tyndal, duke iu referuar gjendjes së të vdekurit, deklaroi: “E pranoj haptazi që nuk më bind ideja që ata janë tashmë pjesë e lavdisë së plotë që gëzon Krishti apo engjëjt e zgjedhur të Perëndisë. Kjo nuk mund të jetë një pikë e besimit tim, sepse po të ndodhte kështu, predikimi mbi ringjalljen e njerëzve do të ishte diçka e kotë” 72. KiM 530.1

Eshtë një fakt i pamohueshëm që shpresa tek lumturia e për-jetshme ka çuar në mohimin e doktrinës Biblike të ringjalljes.Kjo tendencë u vu në dukje nga doktor Adam Clarke që tha: “të Krishterët e hershëm e konsideronin doktrinën e ringjalljes si të veshur me një rëndësi shumë më të madhe se të Krishterët e ditëve tona. Si ndodhi kjo? Apostujt ngulnin këmbë vazhdimisht në këtë pikë, duke i shtyrë ndjekësit e Perëndisë që të bindeshin, të pendoheshin dhe të ngazëlloheshin përmes saj. Ndërsa pasardhësit e tyre në ditët tona e përmendin ringjalljen shumë rrallë! Apostujt e predikonin një gjë të tillë dhe të krishterët e hershëm besonin në të; ne nuk e përmendim dhe dëgjuesit tanë nuk besojnë në të. Kjo është doktrina që theksohet më shumë në Bibël dhe kjo është gjithashtu doktrina që shkelet më shumë me këmbë në sistemin e sotëm të predi-kimit” 73 KiM 530.2

Kjo gjë ka vazhduar për shekuj me radhë, derisa bota e krishterë e ka harruar krejtësisht të vërtetën e lavdishme të ringjalljes. Kështu një shkrimtar i shquar fetar, duke komentuar fjalët e Palit tek 1 Selanikasve 4:13-18 thotë: “Doktrina e pavdekshmërisë së bekuar të të drejtëve na jepet me qëllim ngushëllimi dhe zë vendin e të gjithë doktrinave të tjera të dyshimta që lidhen me ardhjen e dytë të Zotit. Zoti vjen për ne në ditën e vdekjes sonë. Këtë duhet të presim me besim. Të vdekurit kanë kaluar tashmë në lavdi. Ata s’kanë pse të presin trumpetën për të marrë gjykimin dhe shpërblimin e lumturisë”. KiM 530.3

Por kur largimi i Tij po afrohej, Jezusi nuk u tha dishepujve se ata do të shkonin shumë shpejt pranë Tij. “Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.” E më pas Ai tha: “Dhe kur të shkoj t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje” (Gjoni 14:2,3). Ndërsa më poshtë Pali na thotë se: “Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeëngjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët, pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi re, për të dalë përpara Zotit në ajër dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin”. Dhe ai shton: “Ngushëlloni pra, njëritjetrin me këto fjalë.” (1 Selanikasve 4:16-18). Sa ndryshojnë këto fjalë ngushëllimi nga ato të pastorit universialist që cituam më lart! Ky i fundit i ngushëlloi miqtë e lënë pas, duke u dhënë atyre sigurinë se sado mëkatarë të ketë qënë i vdekuri gjatë jetës së tij në momentin që jep frymën e fundit ai fluturon mes engjëjve. Pali e përqëndron vëmendjen e vëllezërve të tij tek ardhja e Zotit, kur prangat e varrit do të thyhen dhe “të vdekurit në Krisht” do të ringjallen për të fituar jetën e përjetshme. KiM 531.1

Perëndia do t’i shqyrtojë me kujdes rastet e të gjithë njerëzve dhe do t’i gjykojë me drejtësi karakteret dhe veprat e tyre përpara se ata të marrin në dorëzim dhomat e rezervuara për të bekuarit. Të gjithë do të gjykohen në bazë të gjërave që janë shkruar në libra dhe do të shpërblehen në bazë të veprave të tyre. Ky gjykim nuk ndodh në momentin e vdekjes. Vini re fjalët e Palit: “Ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të Atij Njeriu, të cilin Ai e ka caktuar dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur nga të vdekurit” (Veprat e Apostujve 17:31). Këtu apostulli e thekson qartë se është caktuar një kohë e veçantë për gjykimin e botës. KiM 531.2

Juda i referohet të njëjtës periudhë kur thotë: “Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe edhe engjëjt, që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre”. Më pas ai citon fjalët e Enokut: “Ja, Zoti erdhi me mijërat e Tij të shenjtë, për të bërë gjyqin kundër të gjithëve.” (Juda 6,14,15). Gjoni deklaron se pa “të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë dhe librat u hapën ... dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra”. (Zbulesa 20:12). KiM 531.3

Por në qoftë se të vdekurit janë duke shijuar tashmë lumturinë qiellore apo janë duke u përpëlitur në flakët e ferrit kujt i duhet gjykimi i ardhshëm? Mësimet që na jep fjala e Perëndisë në lidhje me këto çështje të rëndësishme janë të qarta dhe të thjeshta, njerëzit e zakonshëm e kanë të lehtë t’i kuptojnë ato. Po a ka ndonjë njeri të zgjuar që të shquajë mençuri apo drejtësi në teorinë e ditës? A do t’u thuhet të drejtëve pas inspektimit të rasteve të tyre ditën e gjykimit. “Ju lumtë o shërbëtorë të mirë dhe besnikë, hyni në gëzimin e Zotit”, kur ata kanë jetuar në praninë e Tij ndoshta për shekuj me radhë? A do të grumbullohen të pabesët nga vendi i torturës për të dëgjuar nga gjykatësi i botës dënimin: “Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm?” (Mateu 25:21,41). Oh, shaka makabre! Akuzë e turpshme ndaj mençurisë dhe drejtësisë së Perëndisë! KiM 532.1

Teoria e pavdekshmërisë së shpirtit ishte një nga doktrinat e rreme që Roma e mori borxh nga paganizmi për ta përzier me kristianizmin. Martin Luteri e klasifikon atë me “përrallat e tmerrshme, që formojnë dekretet - plehra të Romës” 74. Duke komentuar fjalët e Solomonit tek Predikuesi ku ai thotë se të vdekurit nuk dinë asgjë, Reformatori thotë: “Ky është një libër tjetër që provon se të vdekurit...nuk ndiejnë asgjë. Ai (Solomoni) thotë se në vdekje nuk ka as shkencë, as detyrë, as dije dhe as mençuri. Solomoni deklaron se të vdekurit flenë dhe nuk kanë ndjenja. Pra, të vdekurit shtrihen në varre, të pandërgjegjshëm për ditët dhe vitet që kalojnë, por kur të zgjohen do t’u duket se kanë fjetur vetëm një minutë”. 75 KiM 532.2

Në Shkrimet e Shenjta nuk gjendet asnjë thënie në mbështetje të doktrinës sipas së cilës të drejtët e marrin shpërblimin dhe të pabesët dënimin e tyre ditën e vdekjes. As patriarkët dhe as profetët nuk na kanë lënë një “siguri” të tillë. Krishti dhe apostujt e Tij nuk aluduan për një gjë të tillë. Bibla na thotë qartë se të vdekurit nuk shkojnë menjëherë në qiell. Ata paraqiten si të vënë në gjumë deri në ditën e ringjalljes. (1 Selanikasve 4:14; Jobi 14:10-12). Pikërisht atë ditë kur këputet kordoni prej argjendi dhe kur thyhet vazoja prej ari (Predikuesi 12:6), zhduken edhe mendimet e njeriut. Ata që zbresin në varr mbështillen nga heshtja. Ata nuk e dinë se çfarë ndodh nën diell (Jobi 14:21). Paçin një pushim të bekuar të drejtët e lodhur! Koha, qoftë e gjatë apo e shkurtër, për ta përbën një moment të vetëm. Ata flenë, boria e Perëndisë i zgjon për në pavdekësi. “Sepse do të bjerë boria, të vdekurit do të ringjallen të paprishur...dhe kur ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore” (1 Korintasve 15:52-54). Me t’u zgjuar nga gjumi i tyre i thellë, ata fillojnë të mendojnë për momentet e fundit.se po i dorëzoheshin fuqisë së varrit. Me t’u ngritur nga varri, britma triumfuese do t’i bëjë jehonë mendimit të tyre të parë të gëzueshëm: “O vdekje, ku është gjëma jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (Vargu 55) KiM 532.3

1. Në të gjithë universin, vetëm bota jonë ran ë mëkat. Cila ishte gënjeshtra që Satani i tha Evës, dhe që ngeli një nga mashtrimet e tij më të suksesshme? KiM 533.1

2. A na mëson Bibla që njerëzit kanë pavdekshmëri natyrale? Mbështetini përgjigjet tuaja nga Bibla. KiM 533.2

3. Lexoni Ezekielin 18:20, 33:11, Malakia 4:1, Mateu 10:28, Zbulesa 20:11-15. Ideja e “mundimit të përjetshëm në ferr” ka çuar shumë njerëz që ta rrefuzojnë Zotin. Cili është mësimi korrekt i Biblës për ferrin dhe shkatërrimin e të padrejtëve? KiM 533.3

4. Univargulizmi mëson se çdo njeri do të shpëtohet në fund. A është kjo e vërtetë? A ka kushte për tu shpëtuar? KiM 533.4