Konflikti I Madh
Hyrje
Para se të hynte mëkati, Adami gëzonte akses të plotë me Krijuesin e tij, por që nga momenti kur njeriu u nda nga Perëndia për shkak të shkeljes, raca njerëzore u privua nga ky privilegj i madh. Megjithatë, falë planit të shpëtimit, u hap një rrugë përmes së cilës banorët e tokës mund të kishin ende një lidhje me qiellin. Perëndia ka komunikuar me njerëzit përmes Frymës së Shenjtë dhe drita hyjnore i është dhënë botës nëpërmjet zbulesave që Ai u ka dhënë shërbëtorëve të Tij. “Njerëzit e shenjtë të Perëndisë folën të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetrit 1:21). KiM 9.1
Gjatë njëzetepesë shekujve të parë të historisë njerëzore, nuk ekzistonte asnjë zbulesë e shkruar. Ajo çka ishte mësuar mbi Zotin, komunikohej gojarisht dhe kështu transmetohej nga ba-ballarët tek bijtë, brez pas brezi. Përgatitjet për Fjalën e shkruar filluan të realizoheshin gjatë periudhës së Moisiut. Kështu pra, zbulesat e frymëzuara u trupëzuan në një libër të frymëzuar. Kjo veprimtari vazhdoi përgjatë një periudhe të konsiderueshme prej gjashtëmbëdhjetë shekujsh — që nga Moisiu, historiani i Zanafillës dhe i Ligjit, e deri tek Gjoni, regjistruesi i të vërtetave më sublime të Ungjillit. KiM 9.2
Bibla tregon qartë se autori i vërtetë i saj është Zoti Perëndi, ndonëse u shkrua nga dora njerëzore, dhe në stile të ndryshme e të shkruarit të librave të saj, duke na treguar edhe karakteris-tikat unike të shkruesve të saj të ndryshëm. Të vërtetat e zbuluara në Bibël janë të gjitha “të frymëzuara nga Perëndia” (2 Timoteut 3:16), ndonëse ato janë të shprehura me fjalë njerëzore. I pakufishmi Perëndi përmes Frymës së Tij të Shenjtë ka hedhur dritë në mendjet dhe zemrat e shërbëtorëve të Tij. Ai u ka shfaqur ëndërra, vegime, simbole dhe figura; dhe ata të cilët i morën këto të vërteta, i shkruan më pas në gjuhë njerëzore. KiM 9.3
Dhjetë Urdhërimet u shpallën personalisht nga Zoti dhe u shkruan nga vetë dora e Tij. Ato janë një kompozim hyjnor, jo njerëzor. Por Bibla, me të vërtetat e dhëna nga Zori Perëndi, të shprehura në gjuhën njerëzore, na paraqesin një bashkim të hyjnores me njerëzoren. Ky lloj bashkimi u shfaq në natyrën e Krishtit, i cili ishte njëkohësisht Biri i Perëndisë dhe Biri i njeriut. Pra ashtu sikurse është e vërtetë për Krishtin, është e vërtetë edhe për Biblën, që “Fjala u bë mish dhe jetoi mes nesh” (Gjoni 1:14). KiM 9.4
Shkruar në periudha kohore të ndryshme, nga njerëz të cilët ndryshonin nga njëri-tjetri përsa i përket nivelit, poziSionit apo aftësive intelektuale e dhuntive shpirtërore, librat e Biblës para-qesin një kontrast të gjërë në stil si dhe një gjithanshmëri në natyrën e tematikave që trajtohen. Mënyra të ndryshme të të shprehurit janë përdorur nga shkrimtarë të ndryshëm; shpesh, e njejta e vërtetë përçohet me intensitet të ndryshëm në varësi të shkrimtarit. Dhe duke qenë se shkrimtarë të ndryshëm flasin për një tematikë të caktuar, por të parë nga këndvështrime të ndryshme, disa lexuesve të pakujdesshëm dhe sipërfaqësorë mund t’u jetë dhënë përshtypja sikur ekzistojnë papajtueshmëri apo kontradikta, por, nga ana tjetër, lexuesit e kthjellët dhe të mprehtë arrijnë të dallojnë harmoninë e plotë të shkrimeve bib-like. KiM 10.1
Siç paraqitet nga individë të ndryshëm, e vërteta na jepet e parë nga aspekte të ndryshme. Një shkrimtari, për shembull, i lë më tepër mbresë një pjesë e caktuar e temës; ai kap ato pjesë që harmonizohen me përjetimin apo me aftësinë e tij të percep-timit dhe vlerësimit; dikush tjetër mbresohet nga një tjetër pjesë; dhe secili prej tyre, nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, prezanton atë që ka lënë më shumë mbresa në mendjen e tij — një aspekt të ndryshëm të së vërtetës, por e gjitha e harmoni-zuar në përsosmëri. Të vërtetat në këtë mënyrë bashkohen për të formuar një tërësi të përsosur, e përshtatur kjo për të plotësuar nevojat e njeriut në të gjitha rrethanat dhe përvojat jetësore. KiM 10.2
Zoti Perëndi ka parapëlqyer të komunikojë të vërtetën e Tij përmes kanaleve njerëzore, dhe Ai vetë, me anë të Frymës së Shenjtë, trajnoi njerëzit dhe i aftësoi ata për ta kryer këtë detyrë. Ai i udhëhoqi mendjet e tyre duke u treguar se çfarë të zgjidhnin për të folur dhe për të shkruar. Ndonëse iu besua mjeteve tokësore, thesari mbetet gjithsesi nga Qielli. Vërtetë, dëshmia u përçua nëpërmjet shprehjes së papërsosur të gjuhës njerëzore, por megjithatë ajo është dëshmia e Perëndisë; dhe besimtarët e bindur të Perëndisë shikojnë në të lavdinë e fuqisë hyjnore, plot me hir e të vërtetë. KiM 10.3
Në fjalën e Tij, Perëndia i ka dhënë njeriut njohurinë e nevojshme për shpëtim. Shkrimet e Shenjta duhet të pranohen si zbulesa të pagabueshme dhe autoritative të vullnetit të Tij. Ato janë standarti i karakterit, shfaqëset e doktrinave dhe prova e eksperiencës. “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:16-17). KiM 11.1
Megjithatë, fakti që Zoti Perëndi u ka zbuluar vullnetin e Tij njerëzve përmes fjalës së Tij, nuk e ka bërë të panevojshme praninë e vazhdueshme dhe udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Përkundrazi, Fryma na u premtua nga Shpëtimtari ynë, për të përhapur fjalën tek shërbëtorët e Tij, për të ndriçuar dhe për të zbatuar mësimet e Tij. Dhe përderisa ishte Fryma e Perëndisë që e frymëzoi Biblën, është absolutisht e pamundur që mësimet e Frymës të jenë në kundërshtim me ato të fjalës së shkruar. KiM 11.2
Fryma nuk u dhurua dhe as nuk mund të jepet kurrë si zëvendësues i Biblës; sepse Shkrimet në mënyrë të qartë na thonë që fjala e Perëndisë është standarti nga i cili duhen vënë në provë të gjitha mësimet e përjetimet. Apostulli Gjon thotë: “Mos i besoni çdo fryme, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë” (1 Gjonit 4:1). Dhe Isaia na thotë, “Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë” (Isaia 8:20). KiM 11.3
Një padrejtësi e madhe është bërë ndaj punës së Frymës së Shenjtë nga gabimet e atyre të cilët, duke pretenduar se janë ndriçuar nga Fryma, deklarojnë së nuk kanë më nevojë për udhëheqjen e fjalës së Perëndisë. Ata udhëhiqen nga ndjesitë apo përjetimet, të cilat i konsiderojnë si zëri i Perëndisë në shpirt. Por fryma që i kontrollon ata nuk është Fryma e Zotit. Ndjekja e këtyre emoSionalizmave, duke neglizhuar kështu Biblën, mund të çojë vetëm në çoroditje, mashtrim dhe shkatërrim. Këto gjëra shërbejnë vetëm për avancimin e planeve të të ligut. Përderisa puna e Frymës së Shenjtë është e një rëndësie jetësore për kishën e Krishtit, një nga mënyrat tinzare të Satanit është që nëpërmjet gabimeve të ekstremistëve dhe fanatikëve, të shkaktohet përbuzje për punën e Frymës si dhe të provokohet një neglizhencë tek njerëzit e Perëndisë ndaj këtij burimi fuqie, të cilin Zoti vetë na e ka dhuruar. KiM 11.4
Në harmoni me fjalën e Perëndisë, Fryma e Tij duhej të va-zhdonte punën e vet përgjatë periudhës kohore të shpalljes së Ungjillit. Gjatë kohës në të cilën u dhanë Shkrimet e Dhjatës së Vjetër dhe Dhjatës së Re, Fryma e Shenjtë nuk pushoi së komu-nikuari dritë në mendjet e individëve, përfshi dhe zbulesat që u materializuan në Kanonin e Shenjtë (procesin e përcaktimit të 66 librave përfundimtarë që përbëjnë Biblën). Bibla është një shembull që na tregon sesi nëpërmjet Frymës së Shenjtë, njerëzimi ka marrë paralajmërime, qortime, këshilla dhe udhëzime në çështje që nuk lidhen me mënyrën e dhënies së Shkrimeve. Referenca të tilla janë bërë nga profetë të epokave të ndryshme, ligjërimet e të cilëve nuk janë regjistruar. Në mënyrë të ngjashme, pas përfundimit të kanonizimit të Shkri-meve, Fryma e Shenjtë përsëri do të vazhdonte punën e vet, duke ndriçuar, paralajmëruar dhe ngushëlluar fëmijët e Perëndisë. KiM 12.1
Jezusi u premtoi dishepujve të Tij: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t`ju mësojë çdo gjë dhe do t`ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë”. “Kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, Ai do t`ju prijë në çdo të vërtetë: … dhe do t`ju tregojë gjërat që do vijnë” (Gjoni 14:26; 16:13). Shkrimet qartësisht na mësojnë se këto premtime, nuk ishin të kufizuara vetëm për kohërat apostolike por edhe përgjatë të gjitha epokave të kishës së Krishtit. Shpëtimtari i siguron ndjekësit e Tij, “Unë jam me ju deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20). Kurse Pali deklaron se dhuntitë dhe shfaqjet e Frymës ndodhnin bren-da kishës “për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:12-13). KiM 12.2
Për besimtarët në Efes, apostulli u lut, “që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t`ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij, dhe t`u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët, dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij” (Efesianëve 1:17-19). Shërbesa e Frymës hyjnore në ndriçimin e të kuptuarit dhe hapjes së mendjes për gjërat e thella të fjalës së Shenjtë të Perëndisë, ishte bekimi që Pali kërkonte për kishën efesiane. KiM 12.3
Pas shfaqjes së mrekullueshme të Frymës së Shenjtë në Ditën e Rrëshajave, Pjetri nxiti njerëzit të pendoheshin dhe të pagëzoheshin në emrin e Krishtit, për shlyerjen e mëkateve të tyre; dhe tha: “Ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t`i thërrasë” (Veprat e Apostujve 2:38-39). KiM 13.1
Në lidhje direkte me skenën e ditës së madhe të Perëndisë, Zoti përmes profetit Joel na ka premtuar një derdhje të posaçme të Frymës së Tij (Joeli 2:28). Profecia u përmbush pjesërisht në derdhjen e Frymës në Ditën e Rrëshajave; por do të përmbushet plotësisht në shfaqjen e hirit hyjnor që do të kujdeset për mbylljen e shërbesës së shpërndarjes së Ungjillit. KiM 13.2
Konflikti i Madh ndërmjet të mirës dhe të keqes do të rritet në intensitet në momentet e fundit të historisë tokësore. Në të gjitha epokat, zemërimi i Satanit është derdhur kundër kishës së Krishtit; dhe Perëndia ka derdhur hirin dhe Frymën e Tij mbi njerëzit për t’i forcuar ata që t’i rezistojnë fuqisë së të ligut. Kur apostujve të Krishtit u duhej të shpërndanin Ungjillin e Tij nëpër botë dhe ta ruanin atë për kohërat e ardhshme, ata u ndriçuan me dhurimin e Frymës. Por ndërsa kisha i afrohet çlirimit të saj përfundimtar, Satani do të punojë më fuqishëm. Ai zbret “duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë” (Zbulesa 12:12). Ai do të punojë “me çudira, shenja dhe mrrekullira të rreme” (2 Thesalonikasve 2:9). Për më se 6000 vjet, ajo mendje mjeshtërore që njëherë e një kohë kishte qenë më e larta mes engjëjve të Perëndisë, ka qenë tërësisht e angazhuar në punën e shkatërrimit dhe mashtrimit. Dhe gjithë thellësitë e aftësive satanike të fituara me dinakëri, e gjithë ligësia e shkaktuar përgjatë këtyre luftërave të epokave, do të përballet me njerëzit e Perëndisë në konfliktin përfundimtar. Dhe në këtë kohë plot rre-zik, ndjekësit e Krishtit do të duhet t’i shpallin botës lajmin e ardhjes së dytë të Zotit; dhe njerëzit duhet të përgatiten të qëndrojnë përballë Tij në ardhjen e Tij, “të papërlyer dhe të paqortueshëm” (2 Pjetrit 3:14). Në këtë kohë dhurata e posaçme e hirit hyjnor dhe fuqisë së Tij nuk është më pak e nevojshme se ç’ishte në kohërat apostolike. KiM 13.3
Nëpërmjet ndriçimit nga Fryma e Shenjtë, skenat e konfliktit të gjatë ndërmjet të mirës dhe të keqes i janë shfaqur autores së këtij libri. Herë pas here mua më është lejuar të shoh ngjarjet, në epoka të ndryshme, të konfliktit të madh mes Krishtit, Princit të jetës, Autorit të shpëtimit tonë dhe Satanit, princit të së keqes, autorit të mëkatit, shkelësit të parë të ligjit të shenjtë të Perëndisë. Armiqësia e Satanit ndaj Krishtit është shfaqur kundrejt ndjekësve të Tij. E njëjta urrejtje ndaj parimeve të ligjeve të Perëndisë, e njëjta taktikë mashtrimi, përmes së cilës e gabuara paraqitet sikur të ishte e vërtetë, nga e cila ligjet njerëzore zëvendësojnë ato të Perëndisë dhe njerëzit drejtohen për të adhuruar krijesën në vend të Krijuesit, mund të eviden-tohet gjatë gjithë historisë së shkuar. Përpjekjet e Satanit për të hedhur baltë mbi karakterin e Perëndisë, me synimin që njerëzimi të ketë një konceptim të gabuar për Zotin Krijues dhe, për rrjedhojë, ta mendojnë Zotin me frikë e urrejtje dhe jo me dashuri (siç është në të vërtetë); përpjekjet djallëzore për ta anashkaluar ligjin hyjnor, duke i drejtuar njerëzit që të mendojnë se janë të çliruar nga kërkesat e tij; si dhe përndjekja e atyre që guxojnë t’i rezistojnë mashtrimeve të tij, janë ushtruar në va-zhdimësi përgjatë epokave. Ato mund të evidentohen qartësisht në historinë e patriarkëve, profetëve dhe apostujve, martirëve e reformatorëve. KiM 14.1
Në konfliktin e madh përfundimtar, Satani do të përdorë të njëjtën praktikë pune, do të shfaqë të njejtën frymë dhe do të punojë për të njejtin fund sikurse edhe përgjatë epokave të shkuara. Ajo që ka ndodhur më parë do të ndodhë sërish, vetëm se beteja që po troket do të jetë tmerrësisht më intensive, aq sa bota nuk e ka parë ndonjëherë më parë. Mashtrimet e Satanit do të jenë më të rafinuara, sulmet e tij më të vendosura. Nëse do të kishte mundësi, ai do të mashtronte edhe më të zgjedhurit (Marku 13:22). KiM 14.2
Ashtu si Fryma e Perëndisë më ka hapur mendjen ndaj të vërtetave të mëdha të fjalës së Tij dhe skenave të së shkuarës e të së ardhmes, unë jam ftuar për t’ua bërë të ditur të tjerëve—të hulumtoj historinë e konfliktit në të shkuarën dhe veçanërisht të hedh dritë në betejën e së ardhmes që po afron shumë shpejt. Në përmbushjen e këtij objektivi, jam përpjekur të zgjedh dhe përmbledh së bashku ngjarjet e historisë së kishës në një mënyrë të tillë që të shpalos të vërtetat e sprovave që ka kaluar bota në kohëra të ndryshme, të cilat e kanë nxitur zemërimin e Satanit dhe armiqësinë e një kishe të dhënë pas botës dhe që janë ruajtur në dëshminë e atyre që “nuk e deshën veten e tyre deri në vdekje.” KiM 15.1
Në këto shkrime mund të shohim paralajmërimet e konfliktit përpara nesh. Në lidhje me këtë, me dritën e fjalës së Perëndisë dhe ndriçimi e Frymës së Tij, ne mund të shohim qartësisht mënyrat që përdor i ligu dhe rreziqet që duhet të shmangin ata, që të mund të gjenden “pa faj” përpara Zotit kur Ai të vijë. KiM 15.2
Ngjarjet e mëdha që kanë shënuar progres në reformën e epokave të shkuara janë çështje të historisë, të mirëpranuara në tërësi nga bota protestante; ato janë fakte të cilat askush nuk mund t’i mohojë. Këtë histori unë e kam paraqitur shkurtimisht, në përputhje me qëllimin e këtij libri dhe konçiziteti që duhet të analizohet, faktet që janë paketuar në një hapësirë të vogël të cilat konsistojnë edhe me një kuptim të drejtë të zbatimit të tyre. Në disa raste, kur një historian ka grupuar disa ngjarje bashkë, aq sa ka qenë e mundur, në një mënyrë të përmbledhur të temës, ose ka përmbledhur detaje në një mënyrë të përshtatshme, fjalët e tij janë cituar; por në disa raste specifike nuk u është cituar emri, për shkak se nuk ka qenë qëllimi të citohet shkrimtari si autoritet, por për shkak se fjalimet e tij japin një prezantim të fuqishëm të temës. Në tregimin e përvojave jetësore dhe pikëpamjeve të atyre që po çojnë përpara punën e reformës në kohën tonë, një përdorim i ngjashëm është bërë edhe me botimet e tyre. KiM 15.3
Nuk është synimi i këtij libri të japë të vërteta të reja në lidhje me betejat e kohërave të shkuara sesa është sjellja e fakteve dhe parimeve që kanë ndikim në ngjarjet që do të ndodhin. Megjithatë, parë si pjesë e konfliktit ndërmjet forcës së dritës dhe errësirës, të gjitha këto ngjarje të së shkuarës duket që japin një domethënie të re; dhe nëpërmjet tyre hidhet një dritë mbi të ardhmen, duke ndriçuar rrugën e atyre, të cilët sikurse dhe reformatorët e kohërave të shkuara, do të thirren të dëshmojnë “për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezus Krishtit”, qoftë edhe në rast sakrifikimi të të mirave tokësore. KiM 16.1
Të shpalosen skenat e konfliktit të madh ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës; të demaskohen dinakëritë e Satanit si dhe të evidentohen mjetet me anë të të cilave mund t’i rezistojmë atij me sukses; të prezantohet një zgjidhje e kënaqshme e problemit të madh të së keqes, duke hedhur kaq shumë dritë mbi origjinën dhe natyrën e mëkatit derisa të manifestohen plotësisht drejtësia dhe dashamirësia e Perëndisë në tërësinë e raportit që Ai ka me krijesat e Tij; dhe të tregohet natyra e shenjtë dhe e pandryshueshme e ligjit të Tij — ky është pikërisht objektivi i këtij libri. Që, përmes influencës së librit, njerëzit të mund të çlirohen nga fuqia e errësirës dhe të bëhen “pjesëmarrës të trashëgimisë së shenjtorëve në dritë”, për lavdi të Atij që na deshi dhe dha jetën e Tij për ne — kjo është lutja e sinqertë e autores! KiM 16.2
Ellen G. White