Konflikti I Madh

31/44

29.—Origjina e së Keqes

Për shumë njerëz, origjina e mëkatit dhe arsyeja e ekzistencës së tij janë burime hutimi. Ata janë dëshmitarë të punës së mëkatit dhe fryteve të tij të tmerrshme - izolimit dhe mjerimit - dhe pyesin veten se si mund të ekzistojnë të gjitha këto, nën sovranitetin e Atij, që është i pafund në dashuri, mençuri dhe fuqi. Çoroditja dhe dyshimi ua mbyllin sytë atyre përpara të vërtetave të fjalës së Perëndisë; të vërtetave që janë shumë të rëndësishme për shpëtimin e tyre. Disa prej tyre, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që kanë të bëjnë me ekzistencën e mëkatit, përpiqen të depërtojnë në gjëra të pazbuluara nga Perëndia; rrjedhimisht, nuk gjejnë zgjidhje për problemet e tyre dhe, duke qënë se janë të prirur ndaj dyshimit, hedhin poshtë fjalët e Shkrimeve të Shenjta, duke e përdorur dyshimin si shfajësim. Sidoqoftë, të tjerët nuk arrijnë ta kuptojnë siç duhet këtë problem, sepse keqinterpretimi dhe traditat i kanë shtrembëruar mësimet e Biblës, që lidhen me karakterin e Perëndisë, me natyrën e qeverisjes së Tij dhe me parimet e veprimtarisë së Tij ndaj mëkatit. KiM 475.1

Është e pamundur që ta shpjegosh origjinën e mëkatit dhe të parashtrosh arsyet e ekzistencës së tij. Megjithatë, me aq sa kuptojmë mbi origjinën dhe fundin që e pret mëkatin, ne mund të arrijmë në konstatimin se Perëndia është treguar i drejtë dhe mirëdashës edhe gjatë veprimtarisë së Tij kundër kësaj të keqeje të madhe. Në Bibël theksohet më shumë se çdo gjë tjetër fakti që Perëndia nuk ishte aspak përgjegjës për lindjen e mëkatit; dhe as tërheqja arbitrare e hirit hyjnor dhe as ndonjë e metë në qeverisjen qiellore nuk u bënë shkak për fillimin e një rebelimi të tillë. Mëkati është si ai mishi i huaj, prania e të cilit nuk mund të shpjegohet. Është misterioz, i pashpjegueshëm. Ta shfajësosh do të thotë ta mbrosh. Sikur të gjendej një shfajësim për të, apo të jepej qoftë edhe një arsye e vetme për ekzistencën e tij, ai nuk do të quhej më mëkat. Ne mund të japim vetëm përkufizimin që gjendet tek fjala e Perëndisë; është “shkelja e ligjit”; është rrjedhimi i një parimi që kundërshton ligjin e madh të dashurisë; ligj, që përbën edhe themelin e qeverisjes hyjnore. KiM 475.2

Përpara shfaqjes së mëkatit, në univers mbizotëronte gëzimi dhe paqja. Gjithçka përputhej plotësisht me vullnetin e Krijuesit. Dashuria për Perëndinë ishte supreme, dashuria për të tjerët e paanshme. Krishti, Fjala, I Vetmi Bir i Perëndisë, ishte një me Atin e pavdekshëm - në natyrë, në karakter dhe në qëllim - ishte e vetmja qënie në të gjithë universin, që mund të merrte pjesë në të gjitha këshillat dhe mund t’i njihte të gjitha qëllimet e Perëndisë. Ati punoi përmes Krishtit, për të krijuar të gjitha qëniet qiellore. “Përmes Tij u krijuan të gjitha gjërat që janë në qiej ... frone, zotërime, principata dhe pushtete” (Ko-losianët 1:16), dhe këto qënie qiellore e shprehnin besnikërinë e tyre jo vetëm ndaj Atit, por edhe ndaj Krishtit. KiM 476.1

Ligji i dashurisë, duke qënë themeli i qeverisjes së Perëndisë dhe lumturia e të gjitha qënieve - krijesa, mbështetej tek har-monia e tyre e përsosur me parimet e madhërishme të drejtësisë. Perëndia dëshiron që të gjitha krijesat t’i shërbejnë me dashuri - Ai dëshiron që respekti të lindë nga vlerësimi i zgjuar që duhet t’i bëhet karakterit të Tij. Atij nuk i pëlqen besnikëria e detyruar dhe u ka dhuruar të gjithëve, vullnet të lirë, në mënyrë që ata t’i shërbejnë me dëshirë dhe vullnetarisht. KiM 476.2

Por dikush vendosi që ta shpërdorojë këtë liri. Mëkati i ka rrënjët tek ai që, pas Krishtit nderohej më shumë nga Perëndia dhe që kishte më shumë lavdi dhe pushtet mes banorëve të qiellit. Luciferi, përpara rënies së tij, ishte kryeëngjëll, i shenjtë dhe i pakorruptuar. “Kështu thotë Zoti: “Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria. Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë ishe mbuluar me lloj-lloj gurësh të çmuar ... Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri. Ti ishe i përsosur në rrugët e tua, qysh nga dita që u krijove, deri sa nuk u zbulua tek ty çoroditja.” (Ezekieli 28:12 15). KiM 476.3

Luciferi mund ta kishte ruajtur dashamirësinë e Perëndisë, mund ta kishte ruajtur dashurinë dhe nderimin që tregonin engjëjt ndaj tij, duke i përdorur fuqitë e tij për të bekuar të tjerët dhe për t’i thurur lavde Krijuesit të tij. Por profeti thotë: “Zemra jote ishte ngritur prej bukurisë sate; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd.” (vargu 17). Pak nga pak, Luciferit i lindi në zemër vetë - lavdërimi. “E ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë.” Ti thoje ... do të ngre ... do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin.” (Vargu 6, Isaia 14:13,14). Në vend që të përpiqej që Zoti të zinte vendin kryesor, përsa i përket dashurisë dhe besnikërisë së krijesave të Tij, dëshira më e madhe e Luciferit ishte që të fitonte për vete shërbimin dhe nderimin e tyre. Duke lakmuar nderin që Ati i kishte dhënë Birit, princi i engjëjve ëndërronte që të shtinte në dorë pushtetin, që i takonte vetëm Krishtit. KiM 477.1

Qëniet qiellore ishin të lumtura që të reflektonin lavdinë e Krijuesit dhe të lavdëronin emrin e Tij. Nderimi i Perëndisë përmbante në vetvete paqe dhe gëzim. Por harmonia qiellore u prish nga një notë mosmarrëveshjeje. Vetëlavdërimi dhe vetëshërbimi, që kundërshtojnë planin e Krijuesit, hodhën hijet e para të mëkatit në mendjet e atyre që e donin Zotin mbi gjithçka tjetër. Këshillat qiellore iu lutën Luciferit. Biri i Perëndisë i parashtroi atij madhështinë, mirësinë, drejtësinë e Krijuesit si dhe natyrën e shenjtë dhe të pandryshueshme të ligjit të Tij. Ishte Perëndia Vetë Ai, që kishte vendosur rregull në qiell; duke e prishur këtë rregull, Luciferi do të çnderonte figurën e Krijuesit dhe do të rrënohej personalisht. Por paralajmërimi që iu bë me dashuri dhe mëshirë, zgjoi vetëm qëndresë. Xhelozia e Luciferit ndaj Krishtit u thellua më shumë dhe ai u bë akoma edhe më i vendosur. KiM 477.2

Krenaria, që lindi nga lavdia e tij, i hapi rrugën dëshirës për pushtet. Luciferi nuk i çmonte nderet që i bëheshin si dhurata nga Perëndia dhe nuk ishte mirënjohës ndaj Krijuesit për to. Ai mburrej me shkëlqimin dhe lavdinë e vet dhe dëshironte të ishte i barabartë me Perëndinë. Engjëjt qiellorë e donin dhe e ndero-nin Luciferin. Ata ishin të gatshëm që t’i zbatonin urdhëresat e tij, sepse ai ishte veshur me lavdi dhe mençuri shumë më të madhe se ato. Megjithatë, Biri i Perëndisë njihej si Sovrani i qiellit, një në fuqi dhe autoritet me Atin. Krishti bënte pjesë në të gjitha këshillat e Perëndisë, ndërsa Luciferit nuk i lejohej që t’i njihte qëllimet hyjnore. “Pse, pyeste ky engjëll i fuqishëm, - duhet ta ketë Krishti në dorë pushtetin? Pse të nderohet Ai më shumë se Luciferi?” KiM 477.3

Kështu, duke iu shmangur kontaktit të drejtpërdrejtë me Perëndinë, ai filloi punën për të mbjellë në zemrat e engjëjve farën e pakënaqësisë. Për një farë kohe, ai e fshehu qëllimin e tij të vërtetë nën maskën e respektit ndaj Perëndisë dhe u përpoq që të nxiste pakënaqësi ndaj ligjeve që drejtonin jetën e qënieve qiellore, duke theksuar se ato vinin kufizime të panevojshme. Ai i nxiti engjëjt që t’u bindeshin “dekreteve” të ndergjegjeve të tyre, duke qënë se ata ishin nga natyra të shenjtë. U përpoq që të fitonte simpatinë e tyre, duke deklaruar se Perëndia, duke e nderuar Krishtin shumë më tepër, ishte treguar i padrejtë ndaj tij. Deklaronte se edhe pse donte më shumë pushtet dhe lavdi, ai nuk po kalonte në vetëlartësim, por po kërkonte një liri më të plotë për të gjithë banorët e qiellit, në mënyrë që ekzistenca e tyre të bëhej “më e lumtur”. KiM 478.1

Perëndia i Plotmëshirshëm e duroi Luciferin për një kohë të gjatë. Atij nuk iu mohuan të drejtat, që gëzonte dhe pozita e nderuar në të cilën ndodhej, as kur filloi të ushqente frymën e pakënaqësisë dhe madje, as kur filloi të parashtronte përpara engjëjve qiellorë pretendimet e tij të rreme. Ai vazhdoi të jetonte në qiell për një kohë të gjatë. Perëndia ishte gati ta falë me kusht që ai të pendohej e t’i bindej. U bë gjithçka që mund të bëhej me anë të veprimit të dashurisë dhe mençurisë së pafund për ta bindur se po gabonte. Qielli s’e kishte njohur kurrë më parë frymën e pakënaqësisë. Fillimisht, as Luciferi vetë nuk e kuptoi natyrën e vërtetë të ndjenjave të veta dhe fundin që e priste nga kjo. Por me t’u provuar se pakënaqësia e tij ishte pa bazë, Satani duhej të bindej se po vepronte gabim, se qëllimet hyjnore ishin të drejta dhe duhej t’i provonte ato si të tilla përpara gjithë banorëve qiellorë. Sikur ta kishte bërë këtë, ai do të kishte shpëtuar vetveten dhe shumë engjëj të tjerë. Gjatë asaj kohe ai s’kishte hequr dorë plotësisht nga besnikëria ndaj Perëndisë. Edhe pse e kishte harruar pozitën e tij si kryeengjëll, po të donte të rikthehej tek Perëndia, duke e pranuar mençurinë e Krijuesit dhe duke qënë i gatshëm për të përmbushur detyrën e tij në planin e Zotit, do të kishte rifituar përsëri postin e humbur. Por krenaria nuk e la që të përulej. Ai vazhdoi t’i mbronte me këmbëngulje idetë e veta, duke menduar se s’kishte asnjë arsye që të pendohej dhe u përkushtua në luftën kundër Krijuesit të tij. KiM 478.2

Mendja e tij e mprehtë tani thurte plane mashtruese për të fituar simpatinë e engjëjve, që vareshin prej tij. Ai përdori edhe faktin që Krishti e kishte paralajmëruar dhe këshilluar, në dobi të qëllimeve të tij prej tradhëtari. Satani u kishte thënë të gjithë atyre që ishin më të afërt me të, se e kishin gjykuar gabim, se nuk e kishin respektuar pozitën e tij dhe shpejt, do t’ia hiqnin edhe lirinë. Në mënyrë që ta poshtëronte Birin e Perëndisë përpara banorëve të qiellit, duke e akuzuar për gjëra të paqëna, ai kaloi nga keqinterpretimi i fjalëve të Krishtit, tek mashtrimi dhe gënjeshtrat e mirëfillta. Ai u orvat gjithashtu që të krijonte një pseudo - grindje mes engjëjve qiellorë, duke i akuzuar për moskokëçarje ndaj interesave të qënieve, të gjithë ata, që nuk i korruptonte dot apo që nuk i bënte dot aleatë të tij. Ai ia ngarkoi përgjegjësinë e punës së tij gjithë atyre që i qëndruan besnikë Perëndisë. Në mënyrë që të mbështeste akuzën e tij boshe për padrejtësi nga ana e Perëndisë karshi tij, ai shtrembëroi fjalët dhe veprat e Krijuesit. Argumentet mashtruese që nxori ai kundër qëllimeve mirëdashëse të Perëndisë, bënin pjesë në planin e tij për t’i çoroditur engjëjt. Ai e ktheu gjithçka të thjeshtë në mister dhe i shtrembëroi aq shumë thëniet e qarta të Jehovait sa që ato dukeshin të dyshimta. Thëniet e tij u bënë më të besueshme nga pozita e tij e lartë, nga lidhja e ngushtë që kishte me administratën hyjnore dhe shumë u tunduan që të bashkoheshin me të, në luftën kundër autoritetit qiellor. KiM 479.1

Perëndia, duke vepruar me mençuri, e la Satanin që ta vazhdonte punën e nisur derisa fryma e urrejtjes u poq dhe u kthye në një revoltë aktive. Në mënyrë që të gjithë ta shihnin natyrën dhe tendencën e planeve të tij, ato duhet të shtjelloheshin mirë. Luciferi, duke qënë një kerubin i shuguruar, ishte lartësuar mjaft, qëniet qiellore e donin shumë dhe ai ushtronte një ndikim të madh mbi to. KiM 479.2

Nën qeverisjen e Perëndisë nuk ishin vetëm banorët e qiellit, por edhe banorët e botëve të tjera, krijuar prej Tij; kështu, Sa-tani mendoi se duke tërhequr në revoltë engjëjt qiellorë, do ta kishte më të lehtë që të tërhiqte pas vetes edhe banorët e botëve të tjera. Ai e parashikoi me “art” çështjen që e shqetësonte, duke përdorur mashtrime dhe gënjeshtra në mbështetje të synimeve të veta. Fuqitë e tij mashtruese ishin shumë të mëdha dhe ai fitoi epërsi, duke u maskuar nën një petk gënjeshtar. Madje as engjëjt qiellorë nuk mundën ta shquanin karakterin e tij të vërtetë dhe s’mund ta parashikonin fundin e një pune të tillë. KiM 480.1

Satani ishte nderuar kaq shumë dhe veprimet e tij ishin veshur me një mister kaq të madh, saqë engjëjt e kishin të vështirë që të zbulonin natyrën e vërtetë të punës së tij. Mëkati nuk do të dukej kurrë një gjë e fëlliqur, në qoftë se nuk do të zhvillohej plotësisht. Deri tani, universi i Perëndisë kishte qënë i huaj për të dhe qëniet e shenjta nuk kishin as idenë më të vogël të natyrës dhe ligësisë së tij. KiM 480.2

Ata nuk mund t’i parashikonin rezultatet e tmerrshme që do të sillte mohimi i ligjit hyjnor. Fillimisht Satani e kishte fshehur qëllimin e vet pas një shprehjeje të ethshme besnikërie ndaj Perëndisë. Ai deklaronte se po përpiqej të forconte qëndrueshmërinë e qeverisjes së Perëndisë, të lartësonte emrin e Tij dhe të mbronte interesat e banorëve të qiellit. Ndërsa nga njëra anë u nxiste engjëjve në mendje idenë e pakënaqësisë, nga ana tjetër pretendonte se “përpiqej” me mish e me shpirt që “ta largonte” këtë pakënaqësi prej tyre. Nën preteksin se për ruajtjen e harmonisë qiellore nevojiteshin ndryshime, ai i nxiti të tjerët që të transformonin rregullin dhe ligjet, që i respektonte vetë Perëndia gjatë qeverisjes së Tij. KiM 480.3

Zoti u tregua i drejtë dhe i qëndrueshëm gjatë veprimtarisë që zhvilloi kundër mëkatit. Satani mund të përdorte ato që Perëndia s’mund t’i përdorte kurrë - lajkat dhe mashtrimet. Ai ishte përpjekur që ta fallsifikonte përpara engjëjve fjalën e Perëndisë dhe ta keqinterpretonte planin e Tij të qeverisjes, duke pretenduar se Zoti nuk tregohej i drejtë kur u shpallte banorëve qiellorë rregulla dhe ligje; dhe se Ai kërkonte bindjen dhe përuljen e krijesave të Veta, vetëm për t’u lartësuar përpara tyre. Prandaj Perëndisë i duhej që t’u demonstronte banorëve të qiellit, ashtu edhe atyre të botëve të tjera, se qeverisja e Tij ishte më se e drejtë dhe se ligji i Tij ishte më se i saktë. Satani i kishte bërë të tjerët të mendonin se ishte ai, që mbronte të mirën univargule. Të gjithë duhej ta kuptonin karakterin dhe qël-limin e vërtetë të tradhëtarit. Me kalimin e kohës, karakteri i tij i vërtetë do të zbulohej përmes veprave të tij të djallëzuara. KiM 480.4

Ai ia ngarkoi ligjit dhe qeverisjes së Perëndisë përgjegjësinë për mosmarrëveshjet, që kishte shkaktuar puna e vet dhe deklaroi se e keqja ishte fryt i administrimit hyjnor dhe se qëllimi i tij i vetëm ishte përmirësimi i ligjeve të vëna nga Jehovai. Prandaj ishte e nevojshme që ai vetë, ta paraqiste hapur natyrën e pre-tendimeve të tij dhe të shpaloste rrjedhimet që do të sillte ndryshimi i ligjit hyjnor. Puna e tij do të përbënte dhe dënimin e tij. Fillimisht Satani kishte deklaruar që nuk po ngrinte krye kundër Perëndisë. Mbarë universi duhet ta shikonte mashtrues-in pa maskë. KiM 481.1

Mençuria pa fund nuk e shkatërroi Satanin, madje as atëherë kur u vendos që ai të mos qëndronte më në qiell. Duke qënë se Perëndia pranon vetëm shërbim dashurie nga krijesat e Veta, besnikëria duhet të bazohet tek bindja e tyre për drejtësinë dhe dashamirësinë e Tij. Banorët e qiellit dhe të botëve të tjera, duke qënë të papërgatitur për të kuptuar natyrën e rrjedhimeve që mbart në vetvete mëkati, nuk do të mund të shquanin në atë kohë, drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë në shkatërrimin e Satanit. Sikur ai të ishte eliminuar menjëherë, të tjerët do t’i shërbenin Zotit nga frika dhe jo nga dashuria. As ndikimi i mashtruesit dhe as fryma e rebelimit nuk do të ishin shkatërruar apo fshirë plotësisht. Mëkati - e keqja - duhet lejuar që të ma-turohet. Për të mirën e të gjithë universit, në mënyrë që të gjitha krijesat të qartësohen përsa u përket padive të tij absurde kundër qeverisjes hyjnore dhe të mos dyshojnë kurrë për drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë dhe për pan-dryshueshmërinë e ligjit të Tij, Satani, përmes shekujve, u lejua “të përsosi” parimet e veta. KiM 481.2

Për shekuj me radhë, rebelimi i Satanit duhet të ishte mësim për të gjithë banorët e universit, një dëshmi e përhershme e natyrës dhe rezultateve të tmerrshme të mëkatit. Zbatimi i rreg-ullave të Satanit, ndikimi i tyre si mbi njerëzit dhe mbi engjëjt, do të tregonin frutet e mohimit të autoritetit hyjnor. Ata dëshmojnë se mirëqenia e të gjitha krijesave është e lidhur ngushtë me ekzistencën e qeverisjes dhe ligjit të Perëndisë. Kështu, historia e këtij eksperimenti të tmerrshëm rebelimi do të shërbente si masë mbrojtjeje për të gjitha krijesat e zgjuara; masë, që do t’i mbronte ata, që të mos mashtroheshin nga natyra e shkeljeve të ligjit dhe t’i shpëtonte nga mëkati dhe dënimi që sjell ai. KiM 482.1

Tradhëtari dinak vazhdoi të shfajësohej deri në fund të kon-tradiktës qiellore. Me t’u shpallur vendimi që ai së bashku me simpatizantët e tij duhet të dëboheshin nga vendburimi i lumturisë, udhëheqësi rebel e shprehu haptazi dhe me ven-dosmëri përçmimin që ndjente për ligjin e Perëndisë. Ai përsëriti idenë e vet, që engjëjt nuk kishin nevojë që të kontrolloheshin dhe duhet të ndiqnin vullnetin e tyre të lirë, që do t’i udhëhiqte gjithmonë në rrugën e drejtë. Ai e quajti ligjin hyjnor kufizim të lirisë së tyre dhe deklaroi se fundi i ligjit ishte dhe qëllimi i tij kryesor; në mënyrë që, duke qënë të çliruar nga ky kufizim, engjëjt qiellorë të kishin një ekzistencë më të lavdishme dhe më të lumtur. KiM 482.2

Me një zë, Satani dhe përkrahësit e tij fajësuan Krishtin për rebelimin e tyre, duke deklaruar se po të mos i kishin qortuar, ata nuk do të kishin ngritur krye. Kështu, kokëfortë dhe mos-kokëçarës në pabesinë e tyre, duke u përpjekur më kot nga njëra anë ta rrëzonin pushtetin e Perëndisë dhe, duke pre-tenduar nga ana tjetër, se ishin viktima të pafajshme të një qeverisjeje shtypëse, kryerebeli dhe përkrahësit e tij u dëbuan nga qielli. KiM 482.3

E njëjta frymë që nxiti rebelimin në qiell, vazhdon të frymëzojë rebelimin në tokë. Satani vazhdon me njerëzit, të njëjtën politikë që ndoqi dikur me engjëjt. Fryma e tij mbretëron në zemrat e të pabindurve. Si ai, ata përpiqen që t’i flakin tej kufizimet e ligjit të Perëndisë dhe u premtojnë njerëzve liri, përmes mosrespektimit të urdhëresave të tij. Ende, lind fryma e urrejtjes dhe rezistencës sa herë që qortohen njerëzit mëkatarë. Kur ndërgjegjet njerëzore zgjohen falë mesazheve paralajmëruese të Perëndisë, Satani i përgatit njerëzit që të shfajësohen dhe të kërkojnë mbështetjen dhe simpatinë e të tjerëve gjatë rrugës së tyre mëkatare. Në vend që të ndreqin gabimet e tyre, ata vënë në qendër të shenjestrës personin që i qorton, sikur ai të ishte i vetmi problem për ta. Që nga koha e Abelit e deri në ditët tona, ndaj atyre që guxojnë të ngrenë zërin kundër mëkatit, është manifestuar e njëjta frymë kundërshtimi. KiM 482.4

Satani i shtyn njerëzit drejt mëkatit, duke e shtrembëruar karakterin e Perëndisë dhe duke e paraqitur Atë si të ashpër dhe tiran; gjë që e praktikoi edhe në qiell. Ai deklaron, duke qënë se ia ka dalë mbanë deri tani, se janë kufizimet e padrejta të Perëndisë, që kanë çuar në rrënimin e njerëzve ashtu si çuan dikur, në rebelimin e tij. KiM 483.1

Por Vetë i përjetshmi e përshkruan kështu karakterin e Tij: “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm për zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin, por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.” (Eksodi 34:6,7). KiM 483.2

Duke përzënë Satanin nga qielli, Perëndia shpalli drejtësinë dhe ruajti nderin e fronit të Vet. Por kur njerëzit mëkatonin, duke iu dorëzuar mashtrimeve të shpirtit të shkatërrimit, Perëndia dha një provë dashurie, duke dorëzuar Birin e Tij të Vetëm që të vdiste për racën mëkatare. Kjo shlyerje zbuloi karakterin e vërtetë të Perëndisë. Argumenti i mahnitshëm që sjell kryqi, provon përpara gjithë universit, se rruga e mëkatit ishte një zgjedhje e Luciferit, për të cilën s’mund të fajësohet aspak, qeverisja e Zotit. KiM 483.3

Karakteri i mashtruesit të sprovuar u zbulua qartë gjatë kon-tradiktës mes Krishtit dhe Satanit në vitet e shërbimit tokësor të Shpëtimtarit. Lufta mizore e Satanit kundër Çliruesit të kësaj bo-te, më shumë se gjithçka tjetër, ndikoi në shuarjen përfundim-tare të çdo ndjenje dashurie që mund të ushqenin akoma për të engjëjt dhe banorët e tjerë të universit. Kërkesa e tij e marrë që Krishti ta nderonte e t’i përulej, guximi i tij prej mendjemadhi, kur e çoi në majën e malit dhe në pikën më të lartë të tempullit, synimi keqdashës kur e nxiste të hidhej nga ajo lartësi mar-ramendëse, ndjenja që e linte pa gjumë dhe e çonte nga një vend tek tjetri për t’i mbushur zemrat e priftërinjve dhe të njerëzve të thjeshtë me urrejtje për Të dhe së fundi thirrja “Të Kryqëzohet! Të kryqëzohet!” - të gjitha këto ngjallën çudinë dhe indinjatën e të gjithë banorëve të universit. KiM 483.4

Ishte Satani ai, që nxiste mohimin ndaj Jezusit. Princi i errësirës përdori të gjithë pushtetin dhe dinakërinë e vet për ta shkatërruar Krishtin; sepse ai e kuptoi se mëshira dhe dashuria e Shpëtimtarit, dhembshuria dhe dashamirësia prekëse e Tij, do t’i zbulonin botës karakterin e vërtetë të Perëndisë. Satani kundërshtoi çdo thënie të Birit të Perëndisë dhe përdori njerëz - agjentë të tij për t’ia “pasuruar” jetën Shpëtimtarit me vuajtje dhe trishtim. Gënjeshtrat, me anë të të cilave u orvat që të pen-gonte punën e Jezusit, urrejtjes, që u shpreh përmes njerëzve të pabindur, akuzat mizore ndaj Atij, jeta e të cilit ishte shembull përsosmërie; të gjitha këto frymëzoheshin nga një ndjenjë e vjetër hakmarrjeje. Kjo ndjenjë mori jetë në Kalvar, për të djegur e bërë shkrumb e hi Birin e Perëndisë, ndërkohë që qëniet qiellore shikonin të heshtura e me tmerr skenën e kryqëzimit. KiM 484.1

Me t’i dhënë fund këtij flijimi, Krishti u ngjit në qiell dhe, duke mos e pranuar adhurimin e engjëjve, i parashtroi Atit këtë kërkesë. “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.” (Gjoni 17:24). Në atë çast, nga froni i Perëndisë - Atë, me fuqi dhe me dashuri të papërshkrueshme, u dëgjua përgjigja: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë.” (Hebrenjtë 1:6). Jezusi s’kishte as edhe një njollë të vetme. I kishte ardhur fundi poshtërimit të Tij, sakrifica ishte kryer dhe Ai fitoi një emër, që lartësohet mbi çdo tjetër. KiM 484.2

Tashmë faji i Satanit s’mund të shfajësohej më. Ai kishte zbuluar karakterin e tij të vërtetë prej gënjeshtari dhe vrasësi. Ishte më se i qartë fakti se ai do t’i kishte kontrolluar banorët e qiellit, po të kishte pasur mundësi, me të njëjtën frymë që përdorte për të ruajtur sundimin e tij mbi bijtë e njeriut. Ai kishte pohuar se mosrespektimi i ligjit të Perëndisë do të sillte liri dhe lavdi; por u vu re se degradimi dhe skllavëria ishin të vetmet re-zultate, që rridhnin prej tij. KiM 484.3

U doli boja edhe padive të rreme që Satani kishte përdorur kundër qeverisjes dhe karakterit hyjnor. Ai e kishte akuzuar Perëndinë se, duke kërkuar nga krijesat e veta përulje dhe bindje, në fakt, kërkonte thjesht vetëlartësim e ndërsa “u pred-ikonte” të tjerëve mbi vetmohimin, Ai vetë s’ishte sakrifikuar kurrë. Por tani, të gjithë ishin dëshmitarë të faktit se Sundimtari i universit kishte bërë, për të shpëtuar një racë të padenjë dhe mëkatare,sakrificën më të madhe të dashurisë; sepse “Perëndia e ka pajtuar botën me Veten në Krishtin.” (2 Korintasve 5:19). Kështu, ndërsa Luciferi i hapi rrugën mëkatit falë dëshirës së tij egoiste për lavdi e pushtet, Krishti u poshtërua dhe iu nënshtrua vdekjes për ta shkatërruar këtë mëkat. KiM 484.4

Perëndia e shprehu hapur neverinë ndaj parimeve të rebe-limit. Të gjithë banorët e panë me sytë e tyre drejtësinë e Tij, që u zbulua si tek dënimi që iu dha Satanit, ashtu edhe tek shpëtimi që iu dhurua njerëzve. Luciferi pati deklaruar se në qoftë se ligji i Perëndisë nuk mund të ndryshohej dhe, në qoftë se nuk mund të falej dënimi që mbartte ai, atëherë asnjë mëkatar (shkelës i ligjit) nuk do ta kishte kurrë të drejtën për të qëndruar në praninë e Perëndisë. Ai pretendonte se njerëzit ishin preja e tij, duke qënë se nuk mund ta shtinin kurrë në dorë dhuratën e shpëtimit. Por vdekja e Krishtit, ishte një argument pro njerëzimit, që s’mund të mohohej. Dënimi i ligjit ra mbi Atë që ishte i barabartë me Perëndinë; kështu njeriu është i lirë ta pranojë drejtësinë e Krishtit dhe të triumfit mbi fuqinë e Satanit, ashtu siç triumfoi edhe Biri i Perëndisë, përmes përuljes dhe pendimit. Pra, Perëndia që është i drejtë, i shfajëson të gjithë ata që i besojnë Jezusit. KiM 485.1

Por Krishti nuk vuajti dhe nuk vdiq kur erdhi në tokë vetëm për të realizuar shpëtimin e njerëzve. Ai erdhi edhe “për ta lartësuar ligjin” dhe për “ta nderuar atë”. Kjo ndodhi jo vetëm që banorët e tokës t’i jepnin atij ligji rëndësinë e duhur, por edhe që banorët e botëve të tjera të universit ta kuptonin se ai ishte i pandryshueshëm. Sikur të mund të flakeshin tej parimet e tij, Biri i Perëndisë s’kishte pse ta dhuronte jetën e vet si flijim shlyerës për shkeljet që i ishin bërë këtij ligji. Vdekja e Krishtit provon qëndrueshmërinë e tij. Flijimi i dashurisë, që u sjell shpëtim mëkatarëve dhe që përfshin si Atin edhe Birin, i tregon universit mbarë atë që mund të shprehë vetëm një plan i tillë shlyerjeje, që drejtësia dhe mëshira përbëjnë themelin e ligjit dhe qeveris-jes së Perëndisë. KiM 485.2

Gjatë vënies në jetë të aktit përfundimtar të gjykimit, do të vihet re se nuk ekziston asnjë shkak për mëkatin. Kur Gjykatësi i botës do ta pyesë Satanin: “Pse je ngritur kundër meje dhe pse më ke grabitur shtetasit e mbretërisë sime?”, autori i mëkatit nuk do dijë as të përgjigjet dhe as të shfajësohet. Nga goja e rebelëve s’do të dalë asnjë fjalë. Ata të gjithë do të heshtin. KiM 486.1

Kryqi i Kalvarit, ndërsa e shpall të pandryshueshëm ligjin, pohon gjithashtu se mëkati ka pagën e vet, vdekjen. Kur Shpëtimtari shqiptoi fjalën e fundit “Mbaroi”, për Satanin ra këmbana e vdekjes. Atje u mor një vendim në lidhje me kontra-diktën e madhe, që kishte vazhduar për një kohë kaq të gjatë dhe u sigurua fshirja përfundimtare e së keqes nga faqja e dheut. Biri i Perëndisë kaloi përmes portave të varrit që “të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin.” (Hebrenjtë 2:14). Dëshira për vetëlavdërim e kishte shtyrë Luciferin të thoshte: “Unë do ta ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë ... do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin.” Por Zoti deklaron: “Të kam katandisur në hi mbi tokë ... dhe ti nuk do të ekzistosh kurrë më.” (Isaia 14:13, 14; Ezekieli 28:18, 19). “Sepse ja, dita po vjen, si një furrë; dhe të gjithë ata që veprojnë me pabesi do të jenë si kallamishtet; dita që po vjen do t’i djegë, - thotë Zoti i ushtrive, - në mënyrë të tillë që të mos u mbetet as rrënja as dega.” (Malakia 4:1). KiM 486.2

Të gjithë banorët e universit do të kthehen në dëshmitarë të natyrës dhe rezultateve të mëkatit. Kështu, eliminimi përfundimtar i tij, që në fillim do t’i kishte trembur engjëjt dhe nuk do ta kishte nderuar Perëndinë, tani, do të vërtetojë edhe një herë dashurinë e Tij dhe do të jetë provë e drejtësisë përpa-ra një universi qëniesh që kënaqen kur kryejnë vullnetin e Perëndisë dhe që e ruajnë në zemrat e tyre si thesar të çmuar ligjin e Tij. Mëkati nuk do të ekzistojë më kurrë. Fjala e Perëndisë na thotë: “Fatkeqësia nuk do të ndodhë dy herë.” (Nahumi 1:9). Ligji i Perëndisë, që dikur Satani e quajti zgjedhë robërie, do të nderohet si ligj lirie. Krijesat e vëna në provë nuk do të heqin më kurrë dorë nga besnikëria ndaj Atij, karakteri i të Cilit ka dhënë prova dashurie dhe mençurie pafund. KiM 486.3

1. Cili është përkufizimi i “mëkatit” sipas shkrimeve? KiM 487.1

2. Përse e lejoi Perëndia Satanin që të vazhdonte rrebelimin e tij në vend që ta shfarroste atë menjëherë? Cila pasojë e mirë ka ardhur nga durimi dhe përmbajtja e Perëndisë? KiM 487.2

3. Sipas Isaias 14, përse Luçiferi drejtoi një revolt kundra Perëndisë? KiM 487.3

4. Jezusi e mposhti mëkatin dhe vdekjen përmes sakrificës së Tij në kryq. Si ndikon ky realitet në jetën tuaj të përditshme? KiM 487.4