MËSIME NDRYSHE NGA JEZUSI - VËLLIMI 2

12/35

22—FJALË DHE VEPRA

NJË NJERI kishte dy bij dhe, duke iu drejtuar të parit tha: ‘Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim’; por ai iu përgjigj dhe i tha: ‘Nuk dua’; por më vonë, i penduar, shkoi. Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: ‘Po imzot, do ta bëj’, por nuk shkoi. Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?’ Ata i thanë. ‘I pari’.” Mateu 21:28-31. MNJ2 88.1

Në predikimin e në mal, Krishti tha: “Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim, që është në qiej”. Mateu 7:21. Prova e sinqeritetit nuk bazohet te fjalët, por te veprat. Krishti nuk pyet: “Çfarë thoni të veçantë”?, por “Çfarë bëni të veçantë”? Mateu 5:47. Fjalët e Tij janë kuptimplota: “Po t’i dini këto gjëra, të lumtur jeni ju nëse do t’i bëni”. Gjoni 13:17. Fjalët pra, nuk kanë kurrfarë vlere, nëse nuk shoqërohen me veprat e duhura. Ky është mësimi i shëmbëlltyrës së dy bijve. MNJ2 88.2

Krishti e tregoi këtë shëmbëlltyrë, pak kohë para se të vdiste, gjatë vizitës së Tij të fundit në Jeruzalem. Ai i kishte përzënë nga tempulli tregtarët dhe blerësit, duke u folur zemrave të tyre me fuqinë e Perëndisë. Të habitur e të terrorizuar, ata i ishin bindur urdhërit të Tij, pa e kundërshtuar. MNJ2 89.1

Pasi e kishin marrë veten nga frika, priftërinjtë dhe krerët ishin kthyer në tempull dhe e kishin gjetur Krishtin, duke shëruar të sëmurët dhe ata, që po vdisnin. Ata kishin dëgjuar këngët e gëzimit dhe lavdet drejtuar Perëndisë. Brenda në tempull, fëmijët, që ishin shëruar valëvisnin degë palmash dhe këndonin: “Hossana Birit të Davidit”!. Edhe më të vegjëlit bashkoheshin me korin e lavdeve drejtuar Mjekut të madh. Megjithatë, e gjithë kjo nuk mjaftoi për t’i bindur priftërinjtë dhe krerët të hiqnin dorë nga paragjykimet dhe nga xhelozia e tyre. MNJ2 89.2

Ditën tjetër, ndërsa Krishti po jepte mësim në tempull, priftërinjtë dhe krerët e popullit erdhën tek Ai dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet”? Mateu 21:23. MNJ2 89.3

Këta njerëz kishin në dorë prova të pakundërshtueshme të pushtetit të Krishtit. Kur Ai kishte pastruar tempullin, ata kishin parë në fytyrën e Tij autoritetin e qiellit dhe nuk kishin mundur t’i bënin ballë pushtetit të fjalëve të Tij. Edhe njëherë, me anë të mrekullive të shërimit, Ai i ishte përgjigjur pyetjeve të tyre, duke dhënë prova të pakundërshtueshme të autoritetit të vet. Por ata nuk kërkonin prova. Priftërinjtë dhe krerët prisnin që Krishti ta shpallte veten si Mesia, që të mund t’ia shtrembëronin fjalët dhe t’i nxisnin turmat kundër Tij. Ata donin ta shkatërronin ndikimin e Tij dha ta vrisnin. MNJ2 89.4

Jezusi e kishte të qartë se ata, që nuk kishin dalluar në Të Perëndinë dhe nuk kishin pranuar se veprat, që bënte ishin prova të karakterit të Tij hyjnor, nuk kishin për ta besuar as pohimin e Tij të hapur, se Ai ishte Mesia. Në përgjigjen që jep, Ai e anashkalon kurthin e tyre dhe i kthen mbrapsh akuzat. MNJ2 89.5

“Edhe unë do t’ju bëj një pyetje”, tha Ai, “dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra. Pagëzimi i Gjonit nga erdhi, nga qielli, apo nga njerëzit”? Mateu 21:23,24. MNJ2 90.1

Priftërinjtë dhe krerët mbetën në mëdyshje. “Ata arsyetonin midis tyre, duke thënë: ‘Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: ‘Përse atëherë, nuk i besuat’? Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet. Dhe iu përgjigjën Jezusit, duke thënë: ‘Nuk e dimë’. Atëherë ai u tha atyre: ‘As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra’. ” Mateu 21:25-27. MNJ2 90.2

Përgjigjja “Nuk e dimë” ishte një gënjeshtër me bisht, që priftërinjtë, kur e panë veten ngushtë, e përdorën për të dalë nga situata. Gjon Pagëzori kishte ardhur të dëshmonte për Atë, autoritetin e të cilit ata po e vinin tani në dyshim. Ai e kishte treguar me gisht, duke thënë: “Ja, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës”! Gjoni 1:29. Pastaj e kishte pagëzuar dhe pas pagëzimit, ndërsa Krishti lutej, qiejt ishin hapur dhe Shpirti i Perëndisë kishte zbritur mbi Të në formën e një pëllumbi, ndërkohë që një zë nga qielli thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. Mateu 3.17. MNJ2 90.3

Priftërinjtë dhe krerët i mbanin mend mirë profecitë e Gjonit lidhur me ardhjen e Mesisë, e mbanin mend edhe skenën e pagëzimit të Jezusit, ndaj edhe nuk guxonin të thonin se pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli. Nëse e pranonin publikisht Gjonin si profet, ashtu siç besonin vërtet se ishte, si mund ta hidhnin poshtë pastaj, dëshminë e tij, se Jezusi i Nazaretit ishte Biri i Perëndisë? Nga ana tjetër, nuk mund as të pohonin se pagëzimi i Gjonit vinte nga njerëzit, pasi populli besonte se ai ishte një profet. Prandaj thanë: “Nuk e dimë”. MNJ2 90.4

Në atë pikë, Krishti tregoi shëmbëlltyrën e atit dhe të dy bijve. Kur ati shkoi tek djali i parë, duke i thënë: “Shko sot të punosh në vreshtin tim”, djali iu përgjigj menjëherë: “Nuk shkoj”. Ai nuk pranoi të bindej dhe përfundoi në një rrugë të keqe, duke u shoqëruar me njerëz të ligj. Por më vonë u pendua dhe iu bind thirrjes. MNJ2 91.1

Ati shkoi edhe tek djali tjetër dhe i kërkoi të njejtën gjë: “Shko sot të punosh në vreshtin tim” dhe ky djalë i tha: “Po, imzot do ta bëj”, por nuk shkoi. MNJ2 91.2

Në këtë shëmbëlltyrë, ati përfaqëson Perëndinë, kurse vreshta, kishën. Dy djemtë përfaqësojnë dy klasa të ndryshme njerëzish. Djali, që nuk pranoi t’i bindej urdhërit, duke thënë, “Nuk shkoj” përfaqëson ata, që jetojnë haptazi në mëkat dhe nuk shfaqin besim, apo perëndishmëri. Ata e shpallin botërisht se nuk duan t’u binden ligjeve dhe urdhëresave të Perëndisë, por shumë prej tyre më vonë pendohen dhe i binden thirijes së Perëndisë. Kur Gjon Pagëzori u drejtoi atyre mesazhin: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”, ata u penduan dhe i rrëfyen mëkatet e veta. (Mateu 3:2). MNJ2 91.3

Kurse djali që tha, “Po imzot do të shkoj” dhe pastaj nuk vajti, shfaqi karakterin e farisenjve. Krerët e Hebrenjve, ashtu si ai, nuk pendoheshin dhe shfaqnin siguri të tepruar në vetvete. Jeta fetare e kombit Hebre ishte shndërruar në një farsë. Kur ligji ishte shpallur nga zëri i Perëndisë në malin Sinai, i gjithë populli kishte premtuar se do të bindej. Ata praktikisht kishin thënë: “Po imzot do të shkoj”, por pastaj nuk kishin vajtur. Kur Krishti erdhi vetë për t’i rimëkëmbur parimet e ligjit, ata nuk e pranuan. Krishti u pati dhënë krerëve Hebrenj të kohës së vet prova të mjaftueshme të autoritetit dhe pushtetit të vet hyjnor, por ndonëse ishin bindur, ata prapë nuk deshën t’i pranonin këto prova. Krishti u kishte thënë se mosbesimi i tyre i vazhdueshëm i detyrohej mungesës në ta të asaj fryme, që të çon në bindje. Ai u kishte deklaruar: “Ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj. . . . më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina, që janë urdhërime nga njerëzit”. Mateu 15:6, 9. MNJ2 91.4

Ne grupin e mbledhur para Krishtit kishte skribë dhe Farisenj, priftërinj dhe krerë dhe pasi tregoi shëmbëlltyrën e dy bijve Krishti u bëri atyre këtë pyetje: wCili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?”. Për një çast, Farisenjtë e harruan gjendjen e tyre dhe i’u përgjigjën: “I pari”, pa e kuptuar se kështu po dënonin vetveten. Atëherë nga buzët e Krishtit dolën fjalët akuzuese: uNë të vërtetë po ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve. Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe ju nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar”. Mateu 21:31,32. MNJ2 92.1

Gjon Pagëzori predikoi të vërtetën dhe nga predikimi i tij u bindën dhe u konvertuan shumë mëkatarë. Këta do të hynin në mbretërinë e qiejve para atyre, që me siguri të tepruar në vetvete nuk e pranuan paralajmërimin solemn. Tagrambledhësit dhe prostitutat ishin të paditur, kurse ata, që kishin studiuar e njihnin të vërtetën dhe prapë nuk pranuan të ecnin në shtegun, që të çon në Parajsën e Perëndisë. Kështu, e vërteta që duhej t’i kishte udhëhequr drejt jetës u shndërrua për ta në dënim me vdekje. Mëkatarët me damkë, që e urrenin vetveten, ishin dorëzuar në duart e Gjonit, i cili i kishte pagëzuar; ndërsa mësuesit ishin treguar njerëz hipokritë. Kokëfortësia e tyre ishte arsyeja kryesore që i pengonte ta pranonin të vërtetën. Ata e kundërshtonin punën bindëse të Shpirtit të Perëndisë dhe nuk pranonin t’u bindeshin urdhëresave të Tij. MNJ2 92.2

Krishti nuk iu tha: uNuk keni për të hyrë në mbretërinë e qiellit”, por iu tregoi se arsyen, që i pengonte të hynin e kishin krijuar vetë. Për krerët Hebrenj dera ishte ende e hapur dhe ftesa akoma e vlefshme. Krishti dëshironte shumë që ata të bindeshin dhe të konvertoheshin. MNJ2 93.1

Priftërinjtë dhe krerët e Izraelit e kalonin jetën duke marrë pjesë në ceremoni fetare, të cilat mbaheshin si tepër të shenjta për t’u përzier me çështje laike. Për këtë arsye, jeta e tyre duhej t’i dedikohej krejtësisht fesë, por në të vërtetë, ata i kryenin ceremonitë sa për sy e faqe, pra për t’u dukur si njerëz të perëndishëm dhe besimtarë, ndërkohë që nuk i nënshtroheshin parimeve, që ata vetë thonin se iu duhej bindur. Ata pra nuk e zbatonin të vërtetën, që predikonin. MNJ2 93.2

Krishti tha se Gjon Pagëzori ishte një nga profetët më të mëdhenj dhe i tregoi dëgjuesve të vet se kishin patur prova të mjaftueshme për ta njohur Gjonin si lajmëtar të Perëndisë. Fjalët e predikuesit të shkretëtirës ishin të pushtetshme. Ai kishte folur me kurajo, duke i dënuar priftërinj të dhe krerët për mëkatet e tyre dhe, duke i kërkuar të kryenin vepra të denja për mbretërinë e qiellit. Ai u vuri në dukje mospërfilljen, që shfaqnin ndaj autoritetit të Atit, duke mos pranuar të kryenin punën, që Ai u kishte caktuar. Gjoni nuk binte në ujdi me mëkatin dhe shumë vetë u kthyen prej tij nga rruga e padrejtësisë. MNJ2 93.3

Sikur besimi i krerëve Hebrenj të kishte qënë i vërtetë, ata do ta kishin dëgjuar profecinë e Gjonit dhe do ta pranonin Jezusin si Mesinë. Por ata nuk shfaqnin frytet e pendesës dhe të drejtësisë. Prandaj, pikërisht ata, që krerët përbuznin do të hynin në mbretërinë e Perëndisë, para tyre. MNJ2 93.4

Në shëmbëlltyrë, djali që tha: “Po, imzot do të shkoj”, u paraqit si njeri besnik dhe i bindur, por koha tregoi se pohimi i tij nuk ishte i vërtetë. Ai nuk e donte me të vërtetë të atin. Kështu, Farisenjtë ishin krenarë për shenjtërinë e tyre, por kur kjo u vu në provë, doli se ishte e rreme. Kur ua donte interesi ata ishin mjaft striktë ndaj kërkesave të ligjit, por kur bindja kërkohej pikërisht prej tyre, ata gjenin kleçka për të mos iu bindur urdhëresave të Perëndisë. Prandaj Krishti paralajmëroi që të ruheshin nga ata: “mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë”. Mateu 23:3. Ata nuk kishin dashuri të vërtetë, as për Perëndinë, as për njerëzit. Perëndia u kërkoi të punonin bashkë me Të për të bekuar botën, por ata, ndonëse e pranuan me fjalë thirrjen e Tij, me vepra nuk iu bindën. Ata kishin besim tek vetja dhe krenoheshin me mirësinë e vet, por nuk iu bindeshin urdhëresave të Perëndisë. Ata nuk pranuan ta kryenin detyrën, që Perëndia u kishte caktuar, kështu, për shkak të shkeljeve të tyre Perëndia ishte gati të ndahej nga ky komb i pabindur. MNJ2 93.5

Drejtësia e njeriut nuk ka të bëjë fare më drejtësinë e Perëndisë dhe atyre, që kapen fort pas saj do t’ju duhet një ditë të vuajnë pasojat e gabimit të tyre fatal. Ka shumë vetë sot, të cilët pretendojnë se iu binden urdhërimeve të Perëndisë, por nuk e njohin fare dashurinë e Tij. Krishti i thërret të bashkëpunojnë me Të për shpëtimin e botës, por ata mjaftohen të thonë: “Po imzot, do të shkoj”, dhe pastaj nuk shkojnë. Ata janë dembela dhe nuk bashkëpunojnë me njerëzit, që i shërbejnë Perëndisë. Ashtu si djali i pabesë, ata i bëjnë Perëndisë premtime të rreme. Duke hyrë në kishë me ceremoni dhe duke u bërë anëtarë të saj, ata marrin përsipër t’i binden fjalës së Perëndisë dhe t’ia dedikojnë jetën e tyre shërbimit të Tij, por në të vërtetë nuk kanë aspak ndërmend të veprojnë kështu. Me fjalë ata thonë se janë bij të Perëndisë, por veprat dhe karakteri i tyre e mohojnë këtë marrëdhënie. Meqënëse nuk ia dorëzojnë vullnetin e vet Perëndisë, gjithë jeta e tyre është një gënjeshtër. MNJ2 94.1

Këta njerëz duket sikur e mbajnë premtimin për t’ju bindur Zotit, përsa kohë kjo nuk ju kushton asgjë, por sapo ju duhet të bëjnë sakrifica, apo të heqin dorë nga diçka, atëherë kur duhet të marrin kryqin e vet, ata menjëherë tërhiqen. Kështu ndjenja e detyrës pak nga pak zhduket dhe ata mësohen t’i shkelin me vetëdije urdhëresat hyjnore. Ndoshta veshët e tyre e dëgjojnë akoma fjalën e Perëndisë, por shpirtërisht ajo nuk ka më asnjë kuptim për ta. Zemra e tyre është bërë gur, dhe ndërgjegjja ka rënë në gjumë. MNJ2 95.1

Nuk duhet të mendoni se fakti që nuk shfaqni haptazi armiqësi ndaj Krishtit do të thotë se po i shërbeni Atij. Në këtë mënyrë njeriu mashtron vetveten. Duke i mbajtur vetëm për vete dhuratat e Perëndisë, kohën, të mirat materiale, e çdo gjë tjetër, që na janë dhënë t’i përdorim për t’i shërbyer, ne, në fakt, punojmë kundër Tij. MNJ2 95.2

Satani përfiton nga apatia, dembelizmi dhe përgjumja e të ashtuquajturve të Krishterë, për të forcuar radhët e veta dhe për të fituar të tjerë pasues. Shumë nga ata, që mendojnë se, ndonëse nuk po punojnë për Krishtin, prapë janë nga ana e Tij, e ndihmojnë në fakt armikun, pasi e lejojnë të përparojë në planet e veta, duke përfituar nga situata. Duke mos qënë punëtorë të zellshëm për Mësuesin, duke i lënë të pakryera detyrat e tyre dhe fjalët të pathëna, ata e kanë lejuar Satanin të ngadhënjejë mbi frymët e atyre, që mund të ishin fituar për Krishtin. MNJ2 95.3

Përtacia dhe mosveprimi e bëjnë të pamundur shpëtimin. Një njeri me të vërtetë i konvertuar nuk mund të jetojë pa bërë asgjë. Nuk është e mundur të shkojmë në parajsë kaluar, pasi atje nuk ka vend për dembelët. Nëse nuk bëjmë përpjekje serioze për të hyrë atje, duke mësuar e zbatuar ligjet e qiellit, atëherë nuk do të jemi gati të hyjmë. Ata, që nuk pranojnë të bashkëpunojnë me Perëndinë këtu në tokë, nuk do të pranojnë të bashkëpunojnë me Të as në qiell. Ndaj, pranimi i tyre do të ishte një veprim i pakujdesshëm. MNJ2 95.4

Tagrambledhësit dhe mëkatarët kanë më shumë shpresa për të hyrë në mbrëtërinë e qiellit, sesa ata që e njohin fjalën e Perëndisë, por nuk i binden asaj. Ai, që e kupton se nuk mund t’i fshehë mëkatet e veta para Perëndisë, dhe e di se shpirti, trupi dhe mendja e vet janë shthurur, ka frikë se mos mbesë përjetë jashtë mbretërisë së qiejve. Ai e kupton pra gjendjen e vet të sëmurë dhe kërkon shërim tek Mjeku i madh, i Cili thotë: uatë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë”. Gjoni 6:37. Këta njerëz Perëndia i përdor si punëtorë në vreshtën e Tij. MNJ2 96.1

Djali, që në fillim nuk pranoi t’i bindej Perëndisë nuk u dënua nga Krishti, madje as nuk u qortua prej Tij. Por kjo nuk do të thotë se ata, që përfaqësohen nga ai meritojnë përgëzime për mosbindjen e shfaqur. Sinqeriteti i tyre nuk duhet interpretuar si virtyt. Atëherë kur shoqërohet nga e vërteta dhe shenjtëria, sinqeriteti e bën njeriun dëshmitar të paepur të Krishtit, por në buzët e mëkatarit, ai shndërrohet në një fyerje dhe sfidë, që i ngjan shumë blasfemisë. Fakti që dikush nuk është hipokrit, nuk e bën atë më pak mëkatar. Kur Shpirti i Shenjtë troket në zemrat tona, e vetmja rrugë e sigurtë që duhet ndjekur është t’i përgjigjemi Atij pa vonesë. Kur dëgjojmë thirrjen: “Shko sot të punosh në vreshtin tim”, ne duhet t’i përgjigjemi asaj pa vonesë. Fjala e Perëndisë thotë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos e bëni zemrën gur”. Hebrenjve 4:7. Vonesa në përgjigje është një pakujdesi, që mund t’ju kushtojë shtrenjtë, pasi thirrja mund të mos përsëritet. MNJ2 96.2

Askush të mos e gënjejë veten, duke menduar se mund të heqë dorë kollaj nga mëkatet që ka ushqyer me vetëdije për një kohë të gjatë, pasi nuk është aspak kështu. Çdo mëkat i ushqyer dobëson karakterin dhe forcon zakonin e keq, duke sjellë si pasoja dobësimin fizik, mendor dhe moral. Edhe nëse pendohesh më vonë për gabimin e kryer dhe kthehesh në rrugën e drejtë, mënyra e jetesës dhe ajo e të menduarit që ke ndjekur deri atëherë, si edhe fakti që ishe mësuar të veproje në mënyrë të gabuar, do të ta bëjnë të vështirë dallimin mes të mirës dhe të keqes. Dhe Satani, duke përfituar nga kjo dobësi e jotja, do të vazhdojë të të sulmojë vazhdimisht. MNJ2 96.3

Sinqeriteti i qëllimeve tona shfaqet kur dëgjojmë kërkesën: “Shko sot të punosh në vreshtin tim”. A do të përgjigjemi vetëm me fjalë, apo edhe me vepra? A do të jemi të gatshëm t’i vemë të gjitha aftësitë tona, pa pritur shpërblim, në shërbim të të Zotit të vreshtës? MNJ2 97.1

Apostulli Pjetër na mëson si të sillemi: uHiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe tëjezusit, Zotit tonë. Duke qënë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat, që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet, me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që përmes tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë. Edhe ju, për të njejtën arsye, duke bërë çdo përpjekje t’i shtoni besimit tuaj, virtytin dhe virtytit, diturinë, diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës, perëndishmërinë, mëshirës dashurinë vëllazërore, dhe dashurisë vëllazërore dashurinë”. 2 Pjetër 1:2-7. MNJ2 97.2

Nëse e punojmë me besnikëri vreshtën e shpirtit, Perëndia do të na bëjë bashkëpunëtorë të Tij dhe do të kemi mundësi të punojmë edhe për të tjerët dhe, jo vetëm për veten tonë. Duke përfaqësuar kishën, me anë të vreshtit Krishti nuk donte të thonte se ne duhet ta kufizojmë veprimtarinë tonë vetëm brenda saj. Vreshta e Zotit duhet zgjeruar. Ai dëshiron që ajo të shtrihet në çdo skaj të dheut. Udhëzimet dhe hirin që marrim nga Perëndia duhet t’ua përcjellim edhe të tjerëve, që edhe ata të dinë si të kujdesen për bimët e çmuara. Kështu do të mund ta zgjerojmë vreshtën e Perëndisë. Perëndia po kërkon prova të besimit, dashurisë dhe durimit tonë. Ai na vështron, për të parë nëse po i përdorim aftësitë tona shpirtërore për t’u bërë punëtorë të kualifikuar të vreshtit të Tij këtu në tokë, në mënyrë që të mund të hyjmë në Parajsën e Perëndisë, në shtëpinë e Edenit, nga e cila Adami dhe Eva u detyruan të largoheshin, për shkak të shkeljes së tyre. MNJ2 97.3

Perëndia është si një atë për popullin e Tij dhe ka të drejtë të kërkojë nga ata, që t’i shërbejnë me besnikëri. Le të mendojmë për jetën e Krishtit: edhe pse ishte princi i njerëzimit Ai i shërbeu Atit, duka na dhënë shembullin që duhet dhe mund të ndjekë çdo bir. Perëndia kërkon prej nesh që të bindemi ashtu si Krishti. Ai i shërbeu Atit me dashuri, vullnetarisht e në mënyrë spontane: “Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time”. Psalmi 40:8. Asnjë sakrificë nuk ishte e tepërt për Krishtin, asnjë lodhje tepër e madhe, e rëndësishme ishte të kryente detyrën e Tij. Kur ishte dymbëdhjetë vjeç, Krishti tha: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim”? Luka 2:49. Ai e kishte dëgjuar thirrjen dhe i ishte përveshur menjëherë punës: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e Atij, që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij”. Gjoni 4:34. MNJ2 98.1

Kështu duhet t’i shërbejmë edhe ne Perëndisë. Shërbimi i vërtetë është bindje e plotë dhe kush dëshiron të jetë bir i Perëndisë duhet të bashkëpunojë me Të, me Kxishtin dhe me engjëjt e qiellit. Ja prova, që i pret të gjithë. Zoti thotë për ata, që i shërbejnë me besnikëri: “Ata do të jenë të mitë”, thotë Zoti i ushtrive, “ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë, dhe unë do t’i fal, ashtu si e fal njeriu birin, që i shërben atij”. Malakia 3:17. MNJ2 98.2

Plani i Perëndisë parashikon që njerëzit të vihen në provë dhe t’u jepet mundësia të zhvillojnë një karakter të drejtë. Ai i vë në provë për të parë a i binden, apo jo urdhrave të Tij. Veprat tona të mira nuk na shërbejnë për të fituar dashurinë e Perëndisë, por tregojnë se ne e zotërojmë këtë dashuri. Nëse e dorëzojmë vullnetin tonë në duart e Tij, atëherë nuk do të jemi ne që do të bëjmë vepra të mira për të fituar dashurinë e Tij, përkundrazi, do të jetë Ai që do të na e dhurojë falas këtë dashuri, e cila do të na shtyjë pastaj t’iu bindemi me gëzim urdhëresave të Tij. MNJ2 99.1

Sot e kësaj dite ka vetëm dy kategori njerëzish, dhe vetëm dy do të ketë edhe në ditën e gjykimit: njëra e shkel ligjin e Perçndisë, tjetra i bindet atij. Krishti na mëson të tregohemi besnikë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia... Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij... Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që ju po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar”. Gjoni 14:15- 24. “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij”. Gjoni 15:10. MNJ2 99.2