MËSIME NDRYSHE NGA JEZUSI - VËLLIMI 2
N Ë DITËT E FUNDIT
Skenat e fundit të historisë së kësaj bote jepen në mbyllje të shëmbëlltyrës së pasanikut. Ai e mbante veten për pasardhës të Abrahamit, por ishte i ndarë prej tij nga një humnerë e pakalueshme: nga karakteri i vet i lig. Abrahami i shërbente Perëndisë, duke zbatuar fjalën e Tij me besim dhe bindje, ndërsa pasaniku ishte i pavëmendshëm ndaj Perëndisë dhe nevojave e brengave të njerëzimit. Humnera e madhe mes tij dhe Abrahamit ishte humnera e mosbindjes. Ka shumë vetë sot që po ndjekin këtë rrugë. Ndonëse janë anëtarë të kishës, ata nuk janë me të vërtetë të konvertuar. Ata mund të marrin pjesë në shërbesat e kishës, mund të këndojnë psalmin: “Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi”. (Psalmi 42:1), por janë duke thënë një gënjeshtër. Ata nuk janë më të drejtë në sytë e Perëndisë, sesa mëkatari më i madh. Shpirti, që kërkon qejfet e kësaj bote, mendja që dëshiron të duket, nuk mund t’i shërbejnë Perëndisë. Ashtu si pasaniku i shëmbëlltyrës, një njeri i tillë nuk ka dëshirë të luftojë ndaj lakmisë së mishit. Përkundrazi, ai dëshiron t’i plotësojë orekset e veta dhe zgjedh klimën e mëkatit. Kur papritmas mbi të të vijë vdekja, ai do të zbresë në varr me karakterin e formuar gjatë jetës në bashkëpunim me forcat Satanike. Në varr, ai nuk ka më mundësi të zgjedhë asgjë, as për mirë, e as për keq, sepse ditën kur vdes, gjithë planet e tij shkojnë bashkë me të. (Psalmi 146:4; Predikuesi 9:5,6). MNJ2 86.1
Kur zëri i Perëndisë t’i zgjojë të vdekurit, ky njeri do të ngrihet nga varri me të njetjat dëshira e pasione, të njejtat pëlqime e mospëlqime, që kishte kur ishte ende në jetë. Perëndia nuk kryen asnjë mrekulli, për ta krijuar rishtazi një njeri, i cili nuk dëshironte të rikrijohej, kur i kishte të gjitha mundësitë. Gjatë jetës, ai nuk gjeti kënaqësi tek marrëdhënia me Perëndinë, as nuk i pëlqeu t’i shërbente Atij. Karakteri i tij nuk është në harmoni me Perëndinë dhe ai nuk do të ishte i lumtur me familjen qiellore. MNJ2 87.1
Sot në botën tonë ka një klasë njerëzish, që besojnë në drejtësinë e tyre. Ata nuk janë llupësa, as pijanecë e as paganë, por dëshirojnë të jetojnë për veten e tyre dhe jo për Perëndinë. Ai nuk bën pjesë në jetët e tyre, prandaj ata klasifikohen me jobesimtarët. Sikur të mund të hynin në portat e qytetit të Perëndisë, ata nuk do të kishin të drejtë të hanin nga pema e jetës, pasi kur urdhëresat e Perëndisë iu parashtruan, ata thanë: Jo! Ata nuk i kanë shërbyer Perëndisë këtu në tokë, ndaj nuk do t’i shërbenin Atij as në botën tjetër. Ata nuk do të mund të jetonin në praninë e Tij dhe sipas tyre, çdo vend tjetër do të ishte më i preferueshëm se qielli. MNJ2 87.2
Të mësosh nga Krishti do të thotë ta pranosh hirin dhe karakterin e Tij. Por ata, që nuk i vlerësojnë siç duhet dhe i nuk përdorin mundësitë e çmuara që u jep Shpirti i Shenjtë këtu në tokë, nuk janë të përshtatshëm për të marrë pjesë në adhurimin qiellor. Karakteri i tyre nuk i ngjan atij hyjnor. Papërgjegjshmëria e tyre ka çuar në krijimin e një honi, që asnjë urë nuk është në gjendje ta kapërcejë. Mes tyre dhe të drejtëve ka një humnerë të pakalueshme. MNJ2 87.3