MËSIME NDRYSHE NGA JEZUSI - VËLLIMI 1

20/24

10—RRJETA

MBRETËRIA E QIEJVE i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithëfarë lloje gjërash. Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç’është e mirë, por i hedhin ato, që nuk janë të mira. Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t’i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët; dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë të qara dhe kërcëllim dhëmbësh.-Mateu 13:47-50. MNJ 102.1

Hedhja e rrjetës simbolizon predikimin e ungjillit, që mbledh në kishë të mirët dhe të këqinjtë. Kur misioni i ungjillit të ketë përfunduar, gjykimi do të realizojë ndarjen. Krishti e dinte se prania e vëllezërve të rremë brenda kishës do të sillte përgojimin për keq të rrugës së të vërtetës. Bota do ta shante ungjillin, për shkak të jetës kontradiktore e të paqëndrueshme të mësuesve të rremë. Gjithashtu edhe ndër të Krishterët, shumë do të pengoheshin, duke parë se ndër ata që mbanin emrin e Krishtit shumë syresh nuk ishin të kontrolluar nga Shpirti i Tij. Për shkak të faktit, se këta mëkatarë ndodheshin brenda kishës mund të ndodhte që njerëzit të mendonin se Perëndia i falte mëkatet e tyre. Prandaj Krishti e ngriti vellon, që fshihte të ardhmen dhe i ftoi të gjithë të shikojnë se do të jetë karakteri dhe jo pozita, ai që do të vendosë fatin e njeriut. MNJ 102.2

Si shëmbëlltyra e egjrës, ashtu edhe ajo e rrjetës na mësojnë qartë se nuk ekziston një kohë, kur të gjithë njerëzit e mbrapshtë do të kthehen tek Perëndia. Gruri dhe egjra rriten bashkë deri në kohën e të korrave. Peshqit e mirë dhe të këqinjtë nxirren bashkë në breg dhe aty bëhet ndaija përfundimtare. MNJ 103.1

Edhe më, këto shembëlltyra na mësojnë se nuk do të ketë tjetër kohë prove, pas gjykimit. Përfundimi i punës së ungjillit do të ndiqet menjëherë nga ndarja e të mirëve nga të këqinjtë dhe fati i secilës klasë do të vendoset njëherë e përgjithmonë. MNJ 103.2

Perëndia nuk dëshiron shkatërrimin e askujt. ” ‘Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj’ thotë Zoti, Zoti, ‘unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit’. ”-Ezekieli 33:11. Gjatë gjithë periudhës së provës, Shpirti i Tij po i lutet me ngulm njerëzve ta pranojnë dhuratën e jetës. Vetëm ata, që do ta shpërfillin lutjen e Tij do të shkatërrohen. Perëndia ka deklaruar se mëkati duhet shkatërruar, si një diçka e keqe dhe shkatërrimtare për universin. Ata, të cilët vazhdojnë të jenë të lidhur pas mëkatit do të humbasin bashkë me shkatërrimin e tij. MNJ 103.3