MËSIME NDRYSHE NGA JEZUSI - VËLLIMI 1
PASOJAT E MOSPËRFILLJES.
Satani punon në mendjet e njerëzve dhe i shtyn ata të besojnë se larg nga Perëndia mund të fitojnë njohuri të jashtëzakonshme. Me anë të mashtrimit ai i nxiti Adamin dhe Evën të dyshonin tek fjala e Perëndisë dhe ta zëvendësonin atë me një teori, që të çonte drejt mosbindjes. Sofizmat e tij po vazhdojnë të bëjnë sot, atë që bënë në Eden. Ata mësues, të cilët përfshijnë në mësimet e tyre mendimet e autorëve jobesimtarë mbjellin në mendjet e të rinjve mendime, që i shtyjnë ata të mos i besojnë Perëndisë dhe ta shkelin ligjin e Tij. Ata nuk e kuptojnë se çfarë po bëjnë, nuk i kuptojnë pasojat e punës së tyre. MNJ 87.1
Një student mund të kalojë sot përmes bankave të shkollës deri në universitet e më tej. Ai mund t’ia dedikojë të gjitha forcat dhe energjitë e veta fitimit të sa më shumë njohurive, por nëse nuk e njeh Perëndinë, nëse nuk i bindet ligjeve që qeverisin qënien e tij, ai do ta çojë veten drejt shkatërrimit. Zakonet e gabuara do ta çojnë atë drejt humbjes së vetëkontrollit dhe të respektit për veten dhe nuk do të arrijë të arsyetojë drejt dhe ashtu siç duhet mbi çështje, që kanë të bëjnë nga afër me të. Ai do ta trajtojë trupin dhe mendjen e vet me shpërfillje e mendjelehtësi dhe kështu, për shkak të zakoneve të gabuara do të shkatërrohet. Një njeri i tillë nuk mund të jetë i lumtur, pasi shpërfillja nga ana e tij e parimeve të drejta e të shëndosha, që duhet të qeverisin jetën e ka lënë atë në mëshirën e zakoneve, që ia shkatërrojnë paqen e jetës. Vitet e lodhshme të studimeve i shkojnë dëm, pasi si përfundim, ai ka shkatërruar vetveten. Duke e keqpërdorur fuqinë e vet mendore dhe fizike, tempulli i trupit të tij është rrënuar, për këtë jetë dhe për atë që do të vijë. Ai mendonte se, duke fituar njohuri tokësore, po mblidhte një thesar, por duke e lënë mënjanë Biblën ka sakrifikuar thesarin e vërtetë, atë që vlente më shumë se çdo gjë tjetër. MNJ 87.2