MËSIME NDRYSHE NGA JEZUSI - VËLLIMI 1

1/24

MËSIME NDRYSHE NGA JEZUSI - VËLLIMI 1

1—MËSIMI ME SHËMBËLLTYRA

MËSIMET E DHËNA nga Jezusi përmes shëmbëlltyrave frymëzohen nga të njëjtat parime, që udhëhoqën edhe misionin e Tij në këtë botë. Për të na dhënë mundësinë të njihnim nga afër karakterin dhe jetën e Tij hyjnore, Krishti mori mbi vete trajtat tona dhe jetoi mes nesh. Hyjnia u bë e njohur në trajtat e një njeriu dhe lavdia e padukshme u shfaq në trajtat e dallueshme njerëzore. Njerëzit mundën të zbulonin atë që nuk dinin, përmes gjërave të njohura dhe, sendet tokësore shërbyen për të ilustruar të fshehtat e qiellit. Si në shfaqjen e Perëndisë me pamje njerëzore, ashtu edhe në mësimet e Jezusit e panjohura u ilustrua me ndihmën e gjërave të njohura dhe të vërtetat hyjnore u shpallën përmes ndodhive dhe objekteve familjare të botës sonë. MNJ 5.1

Shkrimet thonë: ‘Jezusi ua tha turmave të gjitha këto gjëra në shëmbëlltyra ... në mënyrë që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: Unë do ta hap gojën time në shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës.”- Mateu 13:34,35. Gjërat natyrore ishin përçuese të atyre shpirtërore. Natyra, si edhe përvoja jetësore e atyre, që e dëgjonin Jezusin ishin te lidhura me të vërtetat e fjalës së shkruar. Shëmbëlltyrat e Krishtit pra, të cilat nga bota natyrore na udhëheqin në rrugën drejt mbretërisë shpirtërore janë hallka të zinxhirit të së vërtetës, që e bashkon njeriun me Perëndinë dhe tokën me qiellin. MNJ 5.2

Në mësimet me shembuj nga natyra Krishti fliste për gjëra, që kishin marrë jetë në duart e Tij, gjëra, të cilat Ai vetë i kishte pajisur me fuqi e dhunti. Në trajtat e veta të përsosura fillestare, gjithçka e krijuar ishte shprehje e mendimit të Perëndisë. Natyra, për Adamin dhe Evën, kur këta ende banonin në Eden, ishte pasqyrë e gjallë e dijeve të Perëndisë dhe gëlonte me mësime hyjnore. Urtësia e shpalosur në veprat e natyrës ju fliste syve dhe bënte fole në zemrat e hapura ndaj saj. Kështu, ata komunikonin me Perëndinë me anë të gjërave, që Ai kishte krijuar. Por shkëlqimi që vinte prej fytyrës së Perëndisë u largua nga faqja e dheut, sapo çifti i shenjtë e shkeli ligjin e Shumë të Lartit. Toka, sot e kësaj dite është prishur dhe shëmtuar nga mëkati. Megjithatë, edhe në gjendjen e mjeruar aktuale, mbi dhe’ ka ende shumë gjëra të bukura. Mësimet e gdhendura nga Perëndia në natyrën e krijuar prej Tij nuk janë zhdukur nga sipërfaqja e dheut. Natyra, e lexuar siç duhet vazhdon të flasë për Krijuesin e saj. MNJ 6.1

Në kohën e Krishtit këto mësime nga natyra kishin humbur sysh dhe njerëzit kishin pushuar prej kohësh së dalluari Perëndinë, në veprat e Tij. Mëkati i njerëzimit e kishte mjegulluar pamjen e bukur të krijimit dhe, kështu, në vend që të shërbenin për ta shfaqur Perëndinë, veprat e Tij u shndërruan në pengesa, që e fshihnin Atë. Njerëzit “adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit”, dhe paganët “u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.”- Romakëve 1:25, 21. Kështu, në Izrael, mësimet e njerëzve i kishin zënë vendin atyre të Perëndisë. Jo vetëm objektet e natyrës, por edhe shërbesat rituale të flijimeve dhe vetë Shkrimet - të krijuara enkas për ta shfaqur Perëndinë - ishin shtrembëruar krejtësisht, duke u shndërruar në mjete për ta fshehur Atë. MNJ 7.1

Krishti kërkoi ta nxirrte në dritë të vërtetën, duke e zbuluar atë nga çdo gjë që e fshihte. Ai erdhi për ta flakur tej vellon e errësirës, që mëkati ka hedhur mbi faqen e dheut, duke nxjerrë kështu përsëri në dritë lavdinë shpirtërore, për të pasqyruar atë, për të cilën janë krijuar gjithë gjërat. Fjalët e Tij shpjeguese ju dhanë jetë të re mësimeve të natyrës dhe atyre të Biblës, duke ndërtuar prej tyre një zbulesë të re. MNJ 7.2

Dikurjezusi këputi një zambak të bukur dhe jua dha një grupi fëmijësh dhe të rinjsh. Ndërsa ata vështronin fytyrën e Tij gjithashtu djaloshare, e cila rrezatonte dhe shëmbëllente pamjen e Atit, Ai ju dha këtë mësim: “Vini re si rriten zambakët e fushës (me thjeshtësinë e bukurisë natyrore): ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; unë, pra, po ju them se, Solomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte i veshur si ndonjë nga ata.” Ky pohim u pasua nga një premtim i mrekullueshëm dhe një mësim me të vërtetë i rëndësishëm: “Tani, nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë”? MNJ 7.3

Gjatë predikimit në mal, këto fjalë nuk iu drejtuan vetëm të rinjve dhe fëmijëve, por edhe gjithë të tjerëve. Ato iu drejtuan turmës, mes së cilës kishte shumë gra e burra të rënduar nga brenga e shqetësime, njerëz të trishtuar e të hidhëruar nga zhgënjimet. Për ata Jezusi vazhdoi: “Mos u shqetësoni pra, duke thënë: çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi? Sepse janë paganët, që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.” Ju “kërkoni para së gjithash mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen”. Mateu 6:28-33 MNJ 8.1

Kështu e interpretoi Krishti mesazhin, që Ai vetë ka qëndisur zambakëve e barit të fushave. Ai dëshiron që ky mesazh të lexohet prej nesh në çdo lule e në çdo fije bari. Fjalët e tij mbartin premtim e shpresë dhe e përforcojnë besimin tek Perëndia. MNJ 8.2

Kaq i gjerë ishte diapazoni i të vërtetës së Jezusit, aq gjithëpërfshirës mësimi i Tij, saqë për ta ilustruar u përdor çdo pamje e natyrës. Kështu, skenat e jetës së përditshme u Iidhën të gjitha me nga një të vërtetë shpirtërore, duke e veshur natyrën me shëmbëlltyra. MNJ 8.3

Krishti, në fillimet e shërbimit të Tij, ju pati folur njerëzve në mënyrë aq të qartë e të drejtpërdrejtë, saqë çdokush nga ata, që e dëgjonin mund t’i kishte bërë të vetat të vërtetat, që të udhëhiqnin drejt shpëtimit. Në shumë zemra ama, fatkeqësisht, e vërteta nuk pati zënë rrënjë dhe shpejt ishte flakur tej. “Prandaj, unë ju flas atyre me shëmbëlltyra”, tha Ai “sepse, duke parë nuk shohin dhe, duke dëgjuar nuk dëgjojnë, as nuk kuptojnë... Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë.”- Mateu 13:13-15 MNJ 8.4

Jezusi dëshironte të ndizte dëshirën për të ditur. Ai u përpoq t’i shkundtte të pavëmendshmit dhe t’i vuloste zemrat me të vërtetën. Mësimi me shëmbëlltyra ishte një mënyrë e mirënjohur komunikimi, e cila ngjallte vëmendje dhe respekt, jo vetëm ndër hebrenjtë, por edhe mes njerëzve të kombeve të tjera. Jezusi nuk do të mund të kishte përdorur një metodë mësimdhënieje më efikase. Nëse dëgjuesit e Tij do të kishin dëshiruar sinqerisht të njiheshin me të vërtetat hyjnore, ata do të kishin mundur t’i kuptonin fjalët e Tij, pasi Ai ishte përherë i gatshëm t’jua shpjegonte ato, atyre që me të vërtetë kërkonin të dinin. MNJ 9.1

Krishti, për më tepër, duhej të paraqiste edhe nga ato të vërteta, të cilat njerëzit jo vetëm që nuk ishin ende të gatshëm t’i pranonin, por as, madje, thjesht t’i kuptonin si duhej. Gjithashtu edhe për këtë arsye, Ai i mësoi ata përmes shëmbëlltyrave. Duke i lidhur mësimet me pamje nga jeta e përditshme, përvoja jetësore, apo natyra, Jezusi tërhiqte vëmendjen e tyre dhe iu linte mbresa të thella. Më pas, sa herë ju qëllonte të hidhnin vështrimin mbi objektet, që Ai kishte përdorur për të ilustruar mësimet e veta, atyre ju kujtoheshin fjalët e Mësuesit hyjnor. Kuptimi dhe rëndësia e mësimeve të Shpëtimtarit shpalosej përherë e më qartë në mendjet, që ishin të hapura ndaj Shpirtit të Shenjtë. Misteret gjenin zgjidhje dhe gjërat e vështira për t’u kuptuar bëheshin të qarta. MNJ 9.2

Jezusi kërkonte rrugën për të mbërritur në çdo zemër. Duke përdorur një numër të madh ilustrimesh, Ai jo vetëm që e paraqiste të vërtetën nga këndvështrime të ndryshme, por arrinte edhe t’i drejtohej një numri më të madh dëgjuesish. Kureshtja e tyre zgjohej prej sendeve të zgjedhura ndër objektet, që përbënin kornizën dhe sfondin e botës së tyre të përditshme. Askush prej atyre, që e dëgjonin Shpëtimtarin nuk mund të ndihej i harruar, apo i lënë pas dore. Më të përulurit dhe ata, që kishin mëkatuar më shumë gjenin në mësimet e Tij një zë që ju fliste me butësi e simpati. MNJ 10.1

Ai kishte edhe një arsye tjetër për të mësuar me shëmbëlltyra. Mes turmave, që grumbulloheshin rreth Tij kishte priftërinj dhe rabinë, skribë dhe kryepleq, Herodianë dhe pushtetarë, njerëz të dashuruar me botën, fanatikë dhe ambiciozë, të cilët më shumë se çdo gjë tjetër dëshironin të gjenin ndonjë akuzë kundër Tij. Spiunët e tyre e ndiqnin çdo ditë hap pas hapi, duke shpresuar që dikur prej buzëve të Tij të dilnin Ijalë, mbi të cilat të bazoheshin për ta dënuar e për ta ndalur përgjithmonë punën e Tij. Për ta ndalur njëherë e përgjithmonë, Atë që dukej sikur tërhiqte pas vetes mbarë botën. Shpëdmtari e kuptonte karakterin e këtyre njerëzve dhe e paraqiste të vërtetën e Vet në një mënyrë të atillë, që ata të mos mund të gjenin asgjë, tek e cila të kapeshin për ta çuar çështjen e Tij para Sinedrit. Në shëmbëlltyra Ai kritikonte hipokrizinë dhe poshtërsitë e atyre, që mbanin poste të larta dhe veshur me shprehje të figurshme, shpaloste të vërteta aq therrëse, saqë po të ishin shpallur haptaz, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe akuzuese, ata nuk do të kishin pritur t’jua dëgjonin fundin dhe do të kishin vepruar për t’i dhënë fund një orë e më parë punës së Tij. Por, ndërkohë që i shmangej spiunëve, Ai nuk linte pa e bërë gjithësesi mëse të qartë të vërtetën. Kështu, ata që ishin të ndershëm në zemër përfitonin nga mësimet e Tij. Dijet hyjnore dhe hiri i pafund bëheshin të qarta përmes gjërave, që Perëndia kishte krijuar. Përmes natyrës dhe përvojës jetësore, njerëzit mësonin rreth Perëndisë. “Vetitë e Tij të padukshme, fuqia e Tij e pëijetshme dhe hyjnia e Tij” ishin “të dukshme nëpërmjet veprave të Tij, që nga krijimi i botës”.- Romakëve 1: 20 MNJ 10.2

Mësimet me shëmbëlltyra të Shpëtimtarit na tregojnë gjithashtu se çfarë është në të vërtetë arsimi i lartë. Krishti mund t’ju kishte hapur njerëzve rrugën drejt të vërtetave madhore të shkencës dhe mund të kishte zgjidhur mistere, për hulumtimin e të cilave njerëzimit i janë dashur shumë shekuj pune e studimi. Ai mund të kishte formuluar sugjerime në fushën e shkencave, të cilat do kishin nxitur mendimin shkencor dhe stimuluar shpikje e zbulime deri në fund të kohës, por nuk e bëri një gjë të tillë. Nuk tha asgjë, thjesht sa për të shuar kureshtjen, apo për të kënaqur ambicjet e njeriut, duke i hapur atij dyert e madhështisë së kësaj bote. Në të gjitha mësimet që dha, Jezusi e lidhi mendjen e njeriut me Mendjen e Pafund. Ai nuk i udhëzonte njerëzit të studionin teoritë njerëzore rreth Perëndisë, fjalës, apo veprave të Tij. Ai i ftonte ta kundronin Atë, ashtu siç shfaqej në fjalët dhe në veprat e Tij. MNJ 11.1

Krishti nuk u mor me teori abstrakte, por me ato gjëra, që janë thelbësore për zhvillimin e karakterit dhe që e rrisin ndjeshëm aftësinë e njeriut për ta njohur Perëndinë dhe për të bërë të mirën. Ai ju foli njerëzve për ato të vërteta, që kanë të bëjnë me jetën dhe pëijetësinë. MNJ 11.2

Krishti ishte, Ai që udhëhoqi edukimin e Izraelit. Lidhur me urdhëresat e Perëndisë Ai tha: ‘këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’jua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t’i lidhësh si shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe portat e tua”- Ligji i Përtërirë 6: 7-9. Në mësimet e veta Jezusi tregoi sesi duhej përmbushur kjo urdhëresë, sesi duhen paraqitur ligjet dhe parimet e Perëndisë, në mënyrë që të shfaqin bukurinë dhe vlerën e tyre të çmuar. Kur përgatiste popullin e Izraelit për t’u bërë përfaqësuesi i Tij i posaçëm, Zoti iu dha izraelitëve shtëpi në kodra e lugina. Gjatë jetës së tyre të përditshme, ashtu si edhe gjatë shërbesave të tyre fetare ata jetonin në kontakt të vazhdueshëm me natyrën dhe me fjalën e Perëndisë. Po kështu, edhe Krishti i mësoi dishepujt e Tij ndanë liqeneve, në male, në fusha e në ullishte, në vende pra, ku ata mund t’i kundronin objektet e natyrës, me të cilat Ai ilustronte mësimet e veta. Ndërsa mësonin për Krishtin ata i vinin në praktikë njohuritë e fituara, duke bashkëpunuar me Të në punën e Tij. MNJ 11.3

Përmes krijimit pra, ne do të njihemi me Krijuesin. Libri i natyrës është një libër i madh mësimi, të cilin ne duhet ta përdorim së bashku me Shkrimet, për t’jua bërë të njohur edhe të tjerëve karakterin e Tij dhe për t’i riudhëhequr tek Perëndia delet e humbura. Ndërsa studiohen veprat e Perëndisë, Shpirti i Shenjtë e udhëheq mendjen drejt bindjes. Nuk bëhet Çalë për bindjen, që vjen si rezultat i arsyetimit logjik; bëhet fjalë, nëse mendja nuk është errësuar deri në atë pikë, sa të mos e shohë më Perëndinë dhe sytë apo veshët nuk janë verbuar a shurdhuar aq sa për të mos parë e dëgjuar më, për një kuptim më të thellë, i cili bën të mundur që të vërtetat shpirtërore të fjalës së shkruar të mbesin në zemër. MNJ 12.1

Thjeshtësia dhe kthjelltësia e këtyre mësimeve të drejtpërdrejta nga natyra, i vesh ato me vlera të jashtëzakonshme. Mësimet e të gjithëve duhet të rijedhin nga po ky burim, pasi bukuria e natyrës, në vetvete e udhëheq frymën larg mëkatit dhe joshjeve të kësaj bote, drejt dlirësisë, paqes dhe Zotit. MNJ 12.2

Shpesh mendjet e studentëve janë te mbushura me teori e hamendësime njerëzish, të quajtura, në mënyrë të gënjeshtërt, shkenca dhe filozofi. Ata duhet të qëndrojnë në kontakt sa më të afërt me natyrën. Le të mësojnë ata se Krijimi dhe Krishtërimi kanë të njëjtin Zot. Le të mësojnë të dallojnë harmoninë, mes botës natyrore dhe asaj shpirtërore. Çdo gjë që ju shohin sytë e çdo gjë që marrin ndër duar le të jetë për ta një mësim që do t ju vlejë për të ndërtuar karakterin. Në këtë mënyrë, aftësitë mendore do t’ju forcohen, do t’ju zhvillohet karakteri dhe e gjithë jeta e tyre do të fisnikërohet. MNJ 13.1

Qëllimi i mësimeve me shëmbëlltyra qëndron në të njëjtin plan me qëllimin e Sabatit. Perëndia jua dha njerëzve përkujtimoren e fuqisë së Vet krijuese, në mënyrë që ata të mund ta dallonin Atë në veprat e dala prej duarve të Tij. Sabati na fton të kundrojmë lavdinë e Krijuesit në veprat e veta. Jezusi, meqenëse dëshironte edhe Ai të njëjtën gjë i lidhi mësimet e Tij të vyera, me hijeshinë e gjërave të natyrës. Gjatë ditës së shenjtë të pushimit, më tepër se gjatë çdo dite tjetër, ne duhet të studiojmë mesazhet, që Perëndia ka shkruar për ne në natyrë. Ne duhet t’i studiojmë shëmbëlltyrat e Jezusit atje ku Ai i shpjegoi ato, në fusha e ullishte, nën qiellin e hapur, mes barit dhe luleve. Teksa i afrohemi zemrës së natyrës, Krishti na bën me të vërtetë ta ndiejmë praninë e Tij dhe ju flet zemrave tona për paqen dhe dashurinë, që burojnë nga Ai. MNJ 13.2

Krishti nuk i ka lidhur mësimet e Tij vetëm me ditën e pushimit, por edhe me javën e punës. Ai ka lajme dhe dije për të ndarë edhe me atë, që nget parmendën dhe mbjell në ara. Tek procesi i plugimit dhe i mbjelljes, tek punimi i tokës dhe tek korija, Ai na mëson të shikojmë të ilustruar mënyrën sesi punon në zemrat tona hiri i Tij. Kështu, në çdo lloj pune të dobishme e në çdo situatë të jetës, Ai dëshiron që ne të gjejmë një mësim të së vërtetës hyjnore. Atëherë veprimtaritë e përditshme nuk do të monopolizojnë më, gjithë vëmendjen tonë, duke na bërë që ta harrojmë Perëndinë por, përkundrazi, ato do të na kujtojnë vazhdimisht Krijuesin dhe Shpëtimtarin tonë. Mendimi i Perëndisë do të përshkojë si një fije ari, çdonjërën prej veprimtarive dhe punëve tona të përditshme. Për ne, lavdia e fytyrës së Tij do të fillojë të pasqyrohet sërisht në faqen e dheut, ne do të mësojmë vazhdimisht mësime të reja hyjnore dhe do të rritemi në pamjen e dlirësisë së Tij. Kështu ne “do të mësohemi nga Zoti” dhe në gjëndjen, në të cilën jemi thirrur “do të mbetemi tek Perëndia”. - Isaia54:13 , 1 Korintasve 7:24 MNJ 13.3