Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit

46/47

42. BETEJA KA PËRFUNDUAR

Pas pëfundimit të njëmijë vjetëve, Krishti përsëri kthehet në tokë, me përcjelljen e shumësisë së njerëzve të shpërblyer dhe të njëmijë engjëjve. Kur zbret me madhështi serioze u urdhëron mëkatarëve të vdekur që të ngrihen dhe ta pranojnë gjyqin e tyre. Ata dalin nga toka në masa të mëdha, të panumërt si rëra e detit. Çfarë dallimi në krahasim me ata që janë ngritur në ngjalljen e parë! Të drejtit janë të veshur me rininë dhe bukurinë e pavdekshme. Mëkatarët në vete i mbajnë gjurmët e sëmundjeve dhe të vdekjes. BZ 626.1

Çdo sy i kësaj mase jashtëzakonisht të madhe përpiqet ta shohë lavdinë e Birit të Zotit. Masat jashtëzakonisht të mëdha të mëkatarëve njëzërit brohorisin: “Qoftë i bekuar ai që vjen në emër të Zotit!” Ata këtë e brohorisin nga dashuria ndaj Jezusit. Forca e së vërtetës i shtynë që t'i thonë këto fjalë nga vullneti i tyre. Të këqijët çfarë kanë shkuar në varret e tyre, të atillë dhe dalin prej tyre: në armiqësi të njëjtë ndaj Jezusit dhe me frymën e njëjtë të kundërshtimit. Atyre më nuk u jepet kohë e re e mëshirës në të cilën do të mund t'i korrigjonin gabimet e jetës së tyre të kaluar. Me këtë nuk do të ishte arritur asgjë. E tërë jeta e tyre, përplotë gabime dhe mëkate nuk ua ka zbutur zemrat, prandaj edhe sikur t'u jepej një kohë tjetër e mëshirës, ata njësoj si edhe të parën do ta kalonin në urrejtjen e urdhërave të Zotit dhe në nxitjen e rebelimit kundër Tij. BZ 626.2

Jezusi zbret në Malin e Shenjt prej nga pas ngjalljes kishte fluturuar në qiell dhe ku engjëjt e kishin përsëritur premtimin për ardhjen e tij. Profeti thotë: “Do të vijë Zoti Perëndia im e me Të të gjithë shenjtërit.” “Këmbët e tij atë ditë do të qëndrojnë mbi malin e ullinjëve që është përballë Jerusalemit në lindje. Mali i ullinjëve do të ndahet dysh ... Do të formohet një luginë e thellë.” “Atëherë Zoti do të jetë mbreti i mbarë tokës: atë ditë do të jetë një Zot i vetëm e një i vetëm do të jetë emri i Tij.” (Zakaria 14, 5.4.9) Kur Jersualemi i Ri në shkëlqimin e vet do të zbresë nga qielli do të vendoset në vendin e pastër të përgatitur për këtë qëllim, kurse Krishti me popullin dhe engjëjt e vet do të hyjë në qytetin e shenjtë. BZ 626.3

Tani satani përgatitet për betejën e madhe të fundit për fron. Deri sa i është marrë fuqia dhe ka qenë i privuar nga mundësia që të mashtrohet, princi i së keqes ka qenë i mjerë dhe i shqetësuar. Mirëpo posa të jenë zgjuar mëkatarët e vdekur dhe ai në anën e tij të shoh masë aq shumë të madhe, shpresat e tij përsëri do të ngjallen dhe ai do të vendosë që të mos e braktis arenën e luftës së madhe. Do ta grumbullojë nën flamurin e vet tërë ushtrinë e të të humburve dhe me ta do të përpiqet që t'i realizojë qëllimet e veta. Mirëpo, besnik ndaj dinakërisë së tij të mëparshme ai nuk do ta pranojë se është satani. Do të pohoj se është princi i cili është pronar i vërtetë i tokës të cilit i është marrë trashëgimia në mënyrë të paligjshme. Ai me ithtarët e vet të mashtruar do të paraqitet si shpëtimtarë duke i bindur se fuqia e tij i ka ngritur nga varret dhe se tani dëshiron t'i çlirojë nga dhuna gjakpirëse. Pasi që Krishti nuk është i pranishëm aty, satani do të bëjë mrekulli për ta argumentuar këtë pohim. Të dobëtit do t'i bëjë të fuqishëm dhe të gjithë do t'i mbushë me frymëzim dhe energji. Ai do të propozojë që t'i sulmojnë të shenjtit dhe ta pushtojnë Qytetin e Zotit. Ai do të shprehë qëndrim armiqësor ndaj miliona njerëzve të cilët janë zgjuar nga të vdekurit dhe duke pohuar se si prijës i tyre është i aftë ta pushtojë qytetin dhe përsëri ta marrë fronin e vet dhe shtetin. BZ 627.1

Në këtë masë jashtëzakonisht të madhe është edhe një numër i madh nga brezat e njerëzve të para përmbytjes që kanë jetuar kohë të gjatë; këta njerëz me shtat të lartë dhe me arsye të fuqishme të cilët duke iu dorëzuar pushtetit të engjëjve të rënë, tërë aftësinë dhe dijen e tyre e kanë theksuar si meritë të veten; njerëzit me veprat e mrekullueshme të cilat e kanë nxitur botën ta adhurojë gjenialitetin e tyre por gjakpirësia dhe shpikjet e së keqes së tyre i kanë dhënë Zotit shkas që t'i mënjanojë nga sfera e veprimtarisë së vet sepse e kanë prishur tokën dhe e kanë bastarduar përfytyrimin e Zotit. Aty janë mbretërit dhe ushtarakët të cilët kanë ngadhnjyer mbi popujt; njerëzit e guximshëm të cilët nuk e kanë humbur kurrë asnjë betejë; luftëtarët krenarë dhe të krekosur nga të cilët janë dridhur perandoritë. Ata as në vdekje nuk janë ndryshuar. Kur dalin nga varri e vazhdojnë rrjedhën e mendimeve të veta pikërisht aty ku u është ndërprerë. Pasioni i njëjtë për pushtime që ka dominuar në shpirtërat e tyre kur kanë rënë i lëvizë edhe tani. BZ 627.2

Satani merret vesh me të gjithë engjëjt e vet e mandej edhe me këta mbretër, pushtues dhe njerëz të fuqishëm. Ata e shikojnë fuqinë dhe numrin se është në favor të tyre dhe deklarojnë se ushtria e qytetit është e vogël në krahasim me të tyren dhe se mund ta mposhtin. Krijojnë plane se si t'i zënë pasuritë dhe ta pushtojnë lavdinë e Jerusalemit të Ri. Të gjithë përnjëherë fillojnë të përgatiten për luftë. Mjeshtrit e njohur do t'i bëjnë armët e luftës. Ushtarakët e lavdishëm për fitoret e tyre tani e organizojnë këtë masë jashtëzakonisht të madhe të luftëtarëve në batalione dhe çeta. BZ 628.1

Më në fund jepet urdhëri për marshim dhe masa jashtëzakonisht e madhe niset—ushtria të cilën pushtuesit botëror kurrë nuk kanë arritur ta tubojnë, çfarë nuk do të ishte e barabartë me forcat e bashkuara të të gjitha kohëve të tokës qysh se ka filluar lufta. Satani, luftëtari më i fuqishëm u prinë kurse engjëjt e tij i bashkojnë forcat për këtë betejë të fundit. Mbretërit dhe luftëtarët e rrethojnë satanin kurse masa e madhe e ushtrisë shkon pas tyre në formacione jashtëzakonisht të mëdha secili me prijësin e vet të caktuar. Me saktësi ushtarake rradhët e ngjeshura lëvizin nëpër sipërfaqen e plasaritur dhe jo të rrafshët të tokës drejt Qytetit të Zotit. Me urdhërin e Jezusit mbyllen të gjitha dyert e Jerusalemit të Ri, ndërsa ushtria e rrethon qytetin dhe përgatitet për sulm. BZ 628.2

Tani Krishti përsëri u tregohet armiqëve të vet. Lartë mbi qytet, në bazamentin prej arit të shkëlqyeshëm qëndron froni i tij madheshtor dhe i lartësuar. Në këtë fron qëndron Biri i Zotit kurse rreth tij ithtarët e mbretërisë së tij. Fuqinë dhe madhështinë e Krishtit nuk mund ta përshkruajë asnjë gjuhë dhe asnjë penë. Lavdia e Atit të amshueshëm e rrethon Birin e Tij. Prania e tij e shkëlqyeshme e plotëson Qytetin e Zotit me rrezet e veta të shkëlqyeshme të cilat dalin jashtë dyerve dhe e vërshojnë tërë tokën. BZ 628.3

Më afër fronit janë ata që dikur kanë qenë shumë të lidhur për çësthjen e satanit, por të cilët me koka të ulura nga zjarri janë nisur pas Shpëtimtarit me një lojalitet të thellë dhe të sinqert. Skaj tyre gjenden ata të cilët në vlug të mashtrimeve dhe pabesive e kanë ndërtuar karakterin e përsosur të krishterë të cilët e kanë respektuar ligjin e Zotit, atëherë kur bota e krishterë e ka shpallur të pavlefshëm dhe të parëndësishëm dhe miliona njerëz të tjerë nga të gjitha kohët të cilët për shkak të besimit të tyre e kanë pësuar vdekjen martire. Kurse pas tyre vjen “në shumicë e madhe që askush s'mund ta numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe. Qëndronin në këmbë para Fronit dhe Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë” (Zbulesa 7,9). Beteja e tyre ka përfunduar dhe fitorja është siguruar. Ata e kanë përfunduar garën dhe e kanë marrë shpërblimin. Gjethi i palmës është në duart e tyre dhe ai e shënon simbolin e ngadhnjimit të tyre kurse petkat e bardha janë simbol i dretjësisë së përsosur të Krishtit e cila tani është edhe e tyre. BZ 628.4

Të shpëtuarit i ngrisin zërat e tyre me këngën e lavdisë e cila jehon dhe kumbon në sfondin qiellor: “Shpëtimi i përket Zotit tonë që rri në Fron dhe Qengjit.” (Zbulesa 7,10) Engjëjt dhe të ngjallurit i bashkojnë zërat e tyre në kremtim pasi që të shpëtuarit e kanë dëshmuar fuqinë dhe të keqen e satanit, duke qenë më të vetëdijshëm se kurrë më parë se asnjë forcë përveç ajo e Krishtit nuk do të mund t'i bënte ngadhnjimtarë. Në tërë këtë masë të ndritshme të të shpëtuarve nuk gjendet asnjë i cili shpëtimin ia përshkruan vetes, se do të kishte fituar me forcën dhe mirësinë e vet. Asgjë nuk flitet për atë se çka kanë bërë apo çka kanë vuajtur ndërsa mendimi i lavdishëm i çdo kënge dhe i përmbajtjes së çdo hymni është: “Shpëtimi i përket Zotit tonë dhe Qengjit!” BZ 629.1

Në praninë e banorëve të tubuar të qiellit dhe të tokës bëhet kurorëzimi final i Birit të Zotit. Tani i veshur me madhështinë e lartësuar dhe me fuqi, mbreti i mbretërve ua shqipton aktgjykimet rebelëve dhe e zbaton drejtësinë ndaj atyre që e kanë shkelur Ligjin e tij dhe e kanë shtypur popullin e tij. Profeti Zotit thotë: “Atëherë pashë një fron të madh të bardhë dhe Atë që rri në të. Para tij u zhduk toka e qielli pa lënë fare gjurmë. Pashë edhe të vdekurit: të mëdhej dhe të vegjël në këmbë para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër: libri i jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas shkrimeve që ishin në libra—sipas veprave të tyre.” (Zbulesa 11,12) BZ 629.2

Posa të hapet libri i raporteve dhe syri i Jezusit t'i shikojë mëkatarët ata do të jenë të vetëdijshëm për të gjitha mëkatet e veta që i kanë bërë gjatë jetës së tyre. Ata tani qartë e shohin se ku i ka shpënë devijimi nga shtigjet e pastërtisë dhe shënjtërisë dhe sa larg i ka dërguar fodullëku dhe rebelimi ndaj Ligjit të Zotit. Sprovat mashtruese të cilave u janë nënshtruar dhe kanë bërë mëkat, bekimet e keqpërdorura, urrejtja e lajmëtarëve të Zotit, refuzimi i vërejtjeve, refuzimi i valëve të mëshirës nga kokëfortët dhe zemrat e papenduara—të gjitha këto tani qëndrojnë para tyre si të ishin shkruar me shkronja të zjarrta. BZ 629.3

Mbi fron paraqitet kryqi dhe si në një panoramë pasqyrohen ngjarjet e sprovës dhe rënies së Adamit dhe me radhë çdo gjë që ka ndodhur në planin e madh të shpëtimit. Lindja e Shpëtimtarit në poshtrime, thjeshtësia dhe dëgjueshmëria e tij në rini, pagëzimi në Jordan, agjërimi dhe sprova në shkretëtirë; shërbimi i tij publik që ua zbulonte njerëzve bekimet e shtrenjta të qiellit, ditët e plotësuara me veprat e dashurisë dhe mëshirës, netët e lutjes dhe të qëndrimit në vetminë e maleve; kurthet nga smira dhe urrejtja dhe të këqijat si shpërblim për veprat e tija të mira, lufta e tmershme dhe misterioze shpirtërore në Getasemani nën presionin e peshës së mëkatit të tërë botës; tradhtia dhe dorëzimi në duart e grumbullit të kriminelëve; ngjarjet e tmerrshme të asaj nate të ankthit—kur i burgosuri i qetë i braktisur nga nxënësit e tij të dashur ishte marrë me dhunë dhe tërhequr zvarrë rrugëve të Jerusalemit; nxjerrja e Birit të Zotit para gjyqit në pallatin e kryepriftit, mandej shpënia në gjykatorën e Pilatit dhe para Herodit qyqar dhe gjakëpirës; pamjet se si e përqeshin, e poshtrojnë, e torturojnë dhe më në fund e gjykojnë me vdekje—e gjithë kjo pasqyrohet qartë si në pëlhurë. BZ 630.1

Tani para shumicës së madhe që dridhet tregohet ngjarja e fundit: martiri i rraskapitur, përplot durim, ecë shtegut drejt Kalvarit; Princi i qiellit qëndron në kryq; udhëheqësit fetarë e krekosur dhe grumbulli i shpirtkqinjëve e përqeshin luftën e tij me vdekjen; errësira mbinatyrore; termeti, shkëputja e kreshtave dhe varrezat e hapura e shënojnë momentin kur Shpëtimtari i botës kishte dhënë shpirt. BZ 630.2

Skenat e tmerrshme paraqiten pikërisht ashtu siç kanë ndodhur. Satani, engjëjt dhe ithtarët e tij nuk kanë fuqi që të kthehen dhe të mos e shikojnë pasqyrën e veprës së tyre. Secili nga të pranishmit e përkujton atë që e ka bërë. Herodi i cili pat urdhëruar që të vriteshin fëmijët e pafajshëm të Betlehemit në mënyrë që kështu ta vriste mbretin e Izraelit; Herodiada tinzake në shpirtin mëkatar të së cilës qëndron njolla per shkak të gjakut të Gjonit Pagëzuesit; hipokriti shpirtgushtë Pilati, skllavi i mjerë i fodullëkut; ushtarët që përqeshin; klerikët, farisejtë dhe masa e egërsuar që ulurinte: “Gjaku i tij në ne e jo në fëmijët tanë—tani të gjithë e shohin tmerrin e fajit të tyre. Më kot përpiqen të fshehen para fytyrës së Tij hyjnore, madhështore që shkelqen si dielli ndërsa të shpërblyerit i vejnë kurorat e tyre para këmbëve të Shpëtimtarit dhe brohorisin: “Ai vdiq për mua!” BZ 630.3

Ndër të shpërblyerit gjenden edhe apostujt e Krishtit: Pali trim, Pjetri i vendosur, Gjoni i dashur dhe i sjellshëm dhe vëllezërit e tyre besnikë kurse me ta edhe një numër i madh i martirëve, ndërsa jashtë mureve gjenden ata që i kanë ndjekur, që i kanë futur në burgje dhe që i kanë vrarë. Aty është Neroni monstrumi i gjakëpirësisë dhe i krimeve i cili tani e sheh gëzimin dhe lartësimin e atyre që dikur i ka torturuar, në mundimet më të rënda të të cilëve ka qëndruar kënaqësia e satanit. Aty është edhe nëna e tij për të dëshmuar pasojat e mëkatit të vet; për ta parë gjurmën e keqe të karakterit të cilën e ka bartë në të birin dhe ftytin e pasioneve të cilat me ndikimin dhe shembullin e vet i ka nxitur dhe i ka zhvilluar në të—nga krimet e të cilit është tmerruar bota. BZ 631.1

Aty janë klerikët e papës dhe prijësit e lartë kishtarë të cilët kanë pohuar se janë të dërguar të Krishtit kurse i kanë përdorur veglat më të errëta për mundim, burgjet dhe turrët e zjarrit për ta robëruar ndërgjegjen e popullit të Zotit. Aty janë papët fodullë të cilët ngriteshin mbi Zotin dhe e merrnin guximin për ta ndryshuar Ligjin e të Gjithfuqishmit. Këta etër të ashtuquajtur kishtarë patjetër duhet t'i japin llogari Zotit të cilës mundohen t'i shmangen. Tepër vonë e shohin se i Gjithëfuqishmi e gjakon Ligjin e vet dhe se askë më nuk do ta lirojë nga fajet. Tani e shohin se Krishti i barazon interesat e veta me interesat e popullit të vet të martirizuar; e ndjejnë forcën e fjalëve të tij: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi të vegjël, e bëtë për mua.” (Mateu 25,40) BZ 631.2

Të gjithë mëkatarët e botës qëndrojnë në gjyqin e botë të akuzuar për tradhëtinë më të madhe kundër pushtetit dhe qiellit. Nuk e kanë askë për t'i mbrojtur; ata nuk mund të shfajsohen prandaj u shqiptohet gjykimi me vdekjen e amshueshme. BZ 631.3

Tani të gjithë e kanë të qartë se paga për mëkatin nuk është pavarësia e dëshiruar dhe jeta e amshueshme, por skllavërimi, shkatërrimi dhe vdekja. Mëkatarët e shohin se çka kanë humbur me jetën e tyre rebeluese. Ata e kanë urrejtur vlerën e patejkalueshme dhe të amshueshme të lavdisë e cila u është ofruar; oh, sa do ta kishin dëshiruar tani! “Të gjitha këto” klithë mëkatari “kam mundur t'i kem tani; por të gjitha i kam hedhur. Oh, çfarë çmendurie e tmerrshme! E kam këmbyer paqen, lumturinë dhe lavdinë me fatkeqësinë, turpin dhe dëshprimin.” Të gjithë e shohin se përjashtimi i tyre nga qielli është i drejtë. Me jetën e tyre ata kanë deklaruar: “Nuk duam që juve t'ju prijë Jezusi!” BZ 631.4

Si të çmendur mëkatarët e vështrojnë kurorëzimin e Birit të Zotit. Ata i shohin në duart e tij rrasat e Ligjit të Zotit, urdhërat të cilat i kanë urrejtur dhe shkelur. I shikojnë dhe dëgjojnë galdimet e mrekullisë së gëzimit, entuziazmin dhe këngët hymnizuese të të shpëtuarve; dhe, derisa tingujt e melodisë depërtojnë deri te masa që është jashtë qytetit nga brenda të gjithë brohorisin njëzërit: “Të mëdha dhe të madhërushme janë veptrat tua, o Zot, Perëndi i Gjithpushtetshëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët tua o Mbreti i popujve!” (Zbulesa 15,3) Masa bie në gjunjë dhe i falet Princit të jetës. BZ 632.1

Satani duket se si i nemitur e vështron lavdinë dhe madhështinë e Krishtit. Ai i cili dikur ka qenë engjëll i parë e përkujton se si ka rënë. Kerubini i shkëlqyeshëm “biri i agimit si është ndërruar dhe bjerrur! Ai përgjithmonë është pëijashtuar nga Këshilli Qiellor ku dikur ka qenë i respektuar. Tani e sheh tjetrin duke qëndruar afër Atit, duke ia zbehur lavdinë e dikurshme. E shikon se si dora e një engjëlli, dukurisë së lartësuar dhe madhështore ia ofron kurorën kokës së Krishtit dhe e di se Ai ka mundur ta kryejë këtë shërbim të lartë të këtij engjëlli. BZ 632.2

Atij i përkujtohet atdheu i kohës së tij të virgjër dhe të pastër, i kohës së paqes dhe kënaqësisë të cilat i ka pasur deri sa nuk patfilluar të mërmëllojë kundër Zotit dhe ta lakmojë Krishtin. Akuzat, rebelimi dhe mashtrimet e tija për të përfituar përkrahjen dhe bashkëndjenjat e engjëjve, këmbngulësia e tij kokëfortë për të bërë diçka që ta përmirësojë gabimin kur Zoti dëshironte t'ia falte—të gjitha këto tani i dalin para sysh. Ai e hedh shikimin prapa dhe e vështron punën e vet ndër njerëz dhe pasojat e saj: armiqësia e njeriut ndaj të afërmit, shkatërrimi i tmershëm i jetës, ngritja dhe shkatërrimi i mbretërive, rrëzimi i froneve, një varg kryengritjesh, luftërash dhe revolucionesh. I kujtohen tentimet e tija të vazhdueshme për t'iu kundërvënë veprës së Krishtit dhe për ta futur botën në mëkate thellë e më thellë. E sheh se sulmet e tija monstruoze kanë qenë të kota për t'i shkatërruar ata që i janë dorëzuar Krishtit. Deri sa e vështron sferën e mbretërisë së vet dhe frytet e veprimit vetiak sheh vetëm dështim dhe shkatërrim. Ai e ka mashtruar këtë masë që të besojë se Qytetin e Zotit do ta pushtojnë shpejt dhe lehtë por e din se kjo nuk është e vërtetë. Vazhdimisht dhe gjithmonë gjatë luftës së madhe, ky ka humbur dhe është detyruar të tërhiqet. Tepër mirë e njeh fuqinë dhe madhështinë e të Amshueshmit. BZ 632.3

Rebeli i madh gjithnjë është përpjekur që të arsyetohet dhe që pushtetin hyjnor ta bëjë përgjegjës për rebelim. Për këtë qëllim i ka përdorur të gjitha forcat e arsyes së tij të mprehtë. Ka punuar me paramendim, sistematikisht dhe me shumë sukses i ka mashtruar masat e mëdha për t'i pranuar shpjegimet e tija për luftën e madhe që aq shumë ka zgjatur. Me mijëra vjet ky prijës i kurtheve ua ka imponuar njerëzve lajthitjen në vend të së vërtetës. Mirëpo, tani ka ardhur koha që rebelimi definitivisht të ngulfatet ndërsa të zbulohet historia dhe karakteri i satanit. Në orvatjen e tij të fundit që Krishtin ta rrëzojë nga froni, ta shkatërrojë popullin e tij dhe ta pushtojë Qytetin e Zotit, mashtruesi i madh është demaskuar plotësisht. Ata që janë bashkuar me të e kanë parë dështimin e plotë të aksioneve të tija. Pasuesit e Krishtit dhe engjëjt besnikë e kuptojnë esencën e vërtetë të mashtrimeve të tija dinake kundër pushtetit hyjnor prandaj ai tani është subjekt i urrejtjes së përgjithshme. BZ 633.1

Satani e sheh se rebelimi i tij arbitrar e ka paaftësuar për qiell. Ai i ka ushtruar forcat e veta të luftojnë kundër Zotit. Pastërtia, paqja dhe uniteti i qiellit tani për të janë mundimet më të mëdha. Akuzat e tij kundër mëshirës dhe drejtësisë së Zotit heshten. Qortimin të cilin dëshironte ta bartëte mbi Jehovën tani plotësisht ka rënë mbi të. Dhe, satani tani bie para Zotit dhe e pranon drejtësinë e gjykimit të tij. BZ 633.2

“Kush të mos të druaj ty o Zot, dhe kush të mos e lavdërojë emrin tënd? Ti i vetmi je i shenjti. Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë para teje, sepse gjyqet e tua u dëftuan të drejta. Zbulesa 15,4. Tani sqarohet çdo çështje për të vërtetën dhe mashtrimin të cilat kanë qenë objekt i luftës aq të gjatë. Pasojat e rebelimit, frytet e shkeljes së ligjeve hyjnore tani mund t'i vështrojnë të gjitha qeniet e krijuara. Ndikimi i pushtetit të satanit i cili i është kundërvënë pushtetit të Zotit i pasqyrohet-tërë gjithësisë. Satanin e gjykojnë veprat e veta. Mençuria e Zotit, drejtësia dhe mirësia e tij tani arsyetohen plotësisht. Tani shihet qartë se të gjitha veprimet e tija në luftën e madhe janë bërë në interes të së mirës jetike të popullit të tij dhe i të gjitha botërave që i ka krijuar. “Le të lavdërojnë o Zot të gjitha veprat e tua e le të bekojnë shenjtërit e tu.” (Psalmi 145,10) Historia e mëkatit, gjatë tërë amshimit do të jetë dëshmitare se lumturia e të gjitha krijesave që i ka krijuar Zoti është e lidhur me ekzistimin e Ligjit të Zotit. Duke i pasur parasysh të gjitha pasojat e luftës së madhe, e tërë gjithësia—si ata që kanë mbetur besnikë ashtu edhe ata që kanë rënë—njëzërit brohorisin: “Të drejta dhe të vërteta janë urdhërat e tua, o Mbret i popujve!” (Zbulesa 15,3) Tërë kozmosit do t'i tregohet qartë flijimi i madh të cilin Ati dhe Biri e kanë bërë për njeriun. Ka ardhur çasti kur Krishti e zë vendin e vërtetë dhe lavdërohet mbi të gjitha mbretëritë, fuqitë dhe mbi të gjithë emërat. Ai që e pësoi kryqëzimin dhe e barti turpin vetëm për hir të gëzimit i cili qe premtuar—se shumë fëmijëve do t'u sillte lavdi. Ndonse dhimbja dhe turpi qenë të tmerrshme, megjithatë gëzimi dhe lavdia është më e madhe. Ai i vështron të shpërblyerit të cilët janë përtritur në bazë të pamjes së tij, zemrat e të cilëve e mbajnë vulën e përsosur hyjnore dhe çdo fytyrë shkëlqen me pamjen e Mbretit të vet. Ai e sheh në ta suksesin e përpjekjeve të shpirtit të tij dhe është i kënaqur. Atëherë në zërin që e dëgjojnë të drejtit e tubuar dhe masat e të jobesimtarëve thotë: “Ja paga e gjakut tim! Për këta kam vuajtur, për këta kam vdekur që këta të banojnë në jetën e pasosur afër meje.” Dhe kënga e lavdisë dëgjohet nga njerëzit me petka të bardha rreth fronit. “I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë.” (Zbulesa 5,12) BZ 633.3

Ndonëse satani është i detyruar ta pranojë drejtësinë dhe t'i përkulet fuqisë së Krishtit, karakteri i tij mbetet i pandryshueshëm. Fryma e rebelimit përsëri shpërthen si vërshim i fuqishëm. I mbushur me zemërim ai vendosë që të mos heq dorë nga lufta e madhe. Ka ardhur koha për betejën e fundit të zhgënjimit kundër Mbretit të Qiellit. Ai ngutet për t'i nxitur ithtarët e vet duke tentuar që t'i ndezë me zemërim dhe t'i entuziazmojë që menjëherë të nisen në betejë. Mirëpo nga aq shumë miliona që i nxitë për rebelim nuk është më asnjë që e pranon pushtetin e tij. Fuqia e tij ka marrë fund. Mëkatarët janë mbushur me urrejtjen e njëjtë si kundër Zotit ashtu dhe kundër satanit. Ata e shohin se rasti i tyre është i pashpresë dhe se nuk mund të luftojnë kundër Zotit. Zemrimi i tyre tani ndizet kundër satanit dhe atyre që kanë qenë vegla të tij në mashtrime, të cilat me shpërthim djallëzor nisen tani kundër tij. BZ 634.1

Zoti thotë: “Pse zemrën tënde e barazove me të Zotit, do t'i dërgoj kundër teje të huaj, ata më të egrit ndër popujt. Do t'i zhveshin shpatat mbi të bukurën dijen tënde e do ta hedhin në baltë shkëlqimin tënd. Në pellg do të hedhin dhe do të vdesish.” “Duke u rritur tregtia jote u mbushe me fajësi e mëkate, prandaj të flaka nga Mali i Zotit e të treti kerubini mbrojtës ... Hi do të bëj unë përmbi tokë, në sy të atyre që të shikojnë ... Ti u bëre shenjë tmerrimi, e sharrove për jetë të jetës.” (Ezekieli 28,6-8.16-19) BZ 635.1

“Sepse të gjitha të mbathurat e luftës e çdo pekt i Iyer me gjak, do të digjet, pre do të jetë e zjarrit.” “Zemërimi u shfry mbi popujt mbarë, furia e tij mbi të gjithë ushtritë e tyre iu kushtua mallkimit, i caktoi për kërdi.” “Mbi mëkatarët do të bëj të bjerë prush: zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre.” (Isaia 9,5; 34,2; Psalmi 11,6) Prushi vjen prej Zotit nga qielli. Toka hapet. Armët e fshehura në thellësinë e saj dalin jashtë. Flaka që gëlltitë shpërthen nga çdo humnerë e hapur edhe kreshtat ndezen. Erdhi “dita më e keqe se furra.” Elementet shkrihen nga nxehtësia e tmerrshme shkrihet edhe toka dhe çdo gjë që ndodhet në të (Malakia 4,1; 2 Pjetrit 3,10). Sipërfaqja e tokës duket si masë e shkrirë—deti jashtëzakonisht i madh i zjarrtë që vlon. Ka ardhur koha e gjyqit dhe e shkatërrimit të mëkatarëve—“Sepse është dita e hakmarrjes së Zotit, viti i shpagimit për të marrë gjakun e Sionit.” (Isaia 34,8) BZ 635.2

Mëkatarët e marrin pagën e vet në tokë (Fjalët e Urta 11,31). Ata do të jenë “kashtë dhe do t'i djeg dita që po vjen—thotë Zoti i ushtrive” (Malakia 4,1). Disa do të shkatërrohen për një çast ndërsa të tjerët do të mundohen shumë ditë. Të gjithë do të dënohen “sipas veprave që kanë bërë”. Pasi që mëkatet e të drejtëve kanë rënë mbi satanin, ai duhet ta pësojë jo vetëm për mëkatet e veta por edhe për mëkatet me të cilat e ka nxitur popullin e Zotit. Dënimi i tij do të jetë shumë më i madh se dënimi i atyre që i ka mashtruar. Kur të jenë shkatërruar të gjithë ata që u janë nënshtruar mashtrimeve të tij, ai ka për të jetuar edhe më tutje në mundimet më të mëdha. Të gjithë mëkatarët më në fund od të digjen me zjarr i cili i pastron rrënjët dhe degët—satani si rrënjë kurse pasuesit e tij si degë. Më në fund zbatohet dënimi i plotë ligjor, kërkesat e ligjit plotësohen kurse qielli dhe toka i vështorjnë të gjitha këto dhe e pranojnë drejtësinë e Zotit. BZ 635.3

Vepra shkatërrimtare e satanit përgjithmonë ka përfunduar. Gjashtë mijë vjet ai e ka zbatuar kryeneçësinë e tij duke e mbushur tokën me mynxyra dhe duke i shkaktuar dhimbje tërë gjithësisë. Të gjitha krijesat në ankth janë dridhur duke u munduar. Tani krijesat e Zotit përgjithmonë janë çliruar nga prania dhe sprovat e tij. “Pushon e qetë, dikur mbarë toka. Shpërthen me gëzim në brohoritje.” (Isaia 14,7) Këngët e lavdisë, të gëzimit dhe falënderimit ngriten nga i tërë kozmosi besnik. “Thuajse një zë i shumicës së madhe njerëzish, thuajse ushtimë ujërash të mëdha, bubullimë rrufesh të forta”, dëgjohet duke theksuar: “Aleluja, mbretëroi Zoti, Perëndia unë i Gjithëpushtetshëm.” (Zbulesa 19,6) BZ 636.1

Derisa toka ka qenë e mbështjellur nga zjarri shkatërrimtar, të drejtit kanë qenë të sigurtë në qytetin e shenjtë. Ndaj atyre që kanë pasur hise në ringjalljen e parë, vdekja e dytë nuk ka pushtet. Deri sa Zoti ua ka dërguar mëkatarëve zjarrin që i gëlltitë, për popullin e tij Ai është “diell dhe mburojë” (Zbulesa 20,6; Psalmi 84,11). BZ 636.2

“E pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën.” (Zbulesa 21,1) BZ 636.3

Zjarri që i shkatërron mëkatarët e pastron tokën. Është mënjanuar çdo gjurmë e mallkimit. Kurrëfarë ferri jetik nuk do t'i përkujtojë të shpëtuarit për pasojat e tmerrshme të mëkatit. BZ 636.4

Ka mbetur vetëm një përmendore: Shpëtimtari ynë gjithnjë do t'i bartë gjurmët e kryqëzimit të tij: në kokën e tij dikur të lënduar, në brinjët, duart dhe këmbët shihen gjurmët e vetme të veprës monstruoze të cilën e ka shkaktuar mëkati. Profeti duke e shikuar Krishtin në lavdinë e tij thotë: “Qesin rreze duart e tija: aty fshihet fuqia e tij.” (Habakuku 3,4) Në atë anë e cila ka qenë e therrur nga e cila ka rrjedhur çurgu i gjakut që njeriun e ka pajtuar me Zotin qëndron lavdia e Shpëtimtarit, aty “fshihet fuqia e tij.” Ai ka qenë i fuqishëm për të shpëtuar me flijimin e shpërblimit, prandaj ka qenë aq i fuqishëm që t'i gjykojë ata që e kanë urrejtur mëshirën e Zotit. Shenjat e poshtrimit të tij janë nderi i tij më i madh; nëpër tërë amshimin plagët e Kalvarit do ta theksojnë madhështinë dhe do ta shpallin fuqinë e tij. BZ 636.5

“E ti o kulla e Grigjes, ti kodra e bijës së Sionit, te ti do të vijë, do të arrijë pavarësia e dikurshme.” (Mikea 4,8) Erdhi koha të cilën njerëzit e shenjt e kanë shikuar dhe pritur me gjakim qysh se shpata e zjarrtë i dëboi njerëzit e parë nga parajsa—koha e shpëtimit të të shpërblyerve (Efesianëve 1,14). Toka e cila në fillim i qe dhënë njeriut si mbretëri e tij dhe që me tradhti kaloi në duart e satanit dhe aq kohë mbeti nën pushtetin e këtij armiku të fuqishëm iu kthye njeriut me planin e madh të shpërblimit. Çdo gjë që u humb me mëkat përsëri u shëlbua. “Sepse kështu thotë Zoti... Ai që i dha trajtë tokës, e krijoi, ai që e bëri të patrandshme, e krijoi që të banohet ...” (Isaia 45,18) Qëllimi i parë i Zotit gjatë krijimit është plotësuar pasi që toka është bërë banesë e amshueshme e të shpërblyerëve. “Të drejtit do ta trashëgojnë tokën dhe do të jetojnë në të përjetë të jetëve.” (Psalmi 37,29) BZ 637.1

Nga frika që trashëgimia e ardhshme të duket shumë materiale, shumë profetë në mënyrë simbolike i paraqesin ato të vërteta të cilat na mundësojnë që kjo trashëgimi të konsiderohet atdheu ynë i vërtetë. Krishti i ka bindur nxënësit e vet se ai po shkon për t'ua përgatitur banesat në shtëpinë e Atit. Ata që i pranojnë mësimet që dalin nga Fjala e Zotit në pikëpamje të atdheut qiellor nuk janë të padijshëm. Megjithatë: “Çka syri nuk e pa, e veshi nuk e dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Zoti gati atyre që e duan.” (1 Korintasve 2,9) Gjuha njerëzore nuk ka mundësi ta përshkruaj shpërblimin e të drejtëve. Këtë mund ta bëjnë vetëm ata që do ta shohin. Asnjë arsye e kufizuar nuk është në gjendje ta kuptojë lavdinë e parajsës së Zotit. BZ 637.2

Në Bibël trashëgimia e të shpëtuarëve quhet atdhe (Hebrenjëve11, 14-16). Atje Bariu qiellor e shpie Grigjen e vet në burimet e ujit të jetës. Pema e jetës e jep frytin e vet çdo muaj, ndërsa gjethet e pemës shërbejnë për shëndetin e popullit. Atje gjenden përrockat që gurgullojnë gjithnjë të kthjellta si kristal, në brigjet e të cilave lisat duke u luhatur i hedhin hijet e tyre në shtigjet të cilat Zoti ua ka përgatitur të shëlbuarve. Atje rrafshinat e gjëra vazhdohen në çuka të mrekullueshme kurse malet e Zotit ngriten në maja të larta. Në lëndinat e qeta skaj prrockave të jetës, populli i Zotit i cili aq kohë ka qenë udhëtar e pelegrin do ta gjej atdheun e vet. BZ 637.3

“Populli im do të banojë në një vend paqeje, do të jetojë në banesa të qeta.” “Më s'do të flitet për dhunë në vendin tënd, as për shkretim e ndrydhje në kufijtë e tu; “shpëtim” do t'i quash muret e tua e “lavdi” dyert e tua.” “Do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbëltojnë vreshta e do t'i hanë frytet e tyre ... Të zgjedhurit e mi do t'i gëzojnë frytet e duarve të veta.” (Isaia 32,18; 60,18; 65,21.22) BZ 637.4

“Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si drandofili”, “në vend të ferrave do të rritet qiparisi, në vend të hithave do të rritet mërsina.” (Isaia 35,1; 55, 13) “Ujku do të jetojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet risi ... Fëmija i vogël do t'i çojë e do t'i kthej.” “S'do të bëhet dëm as s'do të vritet kush në Malin tim të shenjtë” thotë Zoti.” (Isaia 11,6.9) BZ 638.1

Në atmosferën qiellore nuk ka vuajtje. Atje më nuk do të ketë lot, as varrim, as kurrëfarë shenje të pikëllimit. “As vdekje më s'do të ketë, as vaj, as ofshama, as dhimbje sepse bota e mëparme mbaroi.” (Zbulesa 21, 4.11) “Asnjë qytetar s'do të thotë jam i sëmurë. Popullit që banon në të do t'i shlyhet fajësia.” (Isaia 33,24) BZ 638.2

Aty është Jerusalemi i Ri, Froni i tokës së re të mrekullueshme, “kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd” (Isaia 62,3). “Shkëlqente nga lavdia e Zotit: i shëndëritshëm porsi guri i çmueshëm, si jaspis kristalor.” “Popujt do të ecin në dritën e tij e mbretërit e dheut në të do ta sjellin lavdinë e vet.” (Zbulesa 21,11.14) Zoti thotë: “Do të galdoj mbi Jerusalem, do të kënaqem me popullin tim.” (Isaia 65,19) “Ja tenda e Zotit me njerëz. Zoti do të banojë me njerëz ata do të jenë popull i tij, kurse Ati, vetë Zoti do të jetë me ta—Zoti i tyre.” (Zbulesa 21,3) BZ 638.3

Në Qytetin e Zotit “nuk do të ketë netë.” Askush nuk do të ketë nevojë as dëshirë për pushim. Askush nuk do të lodhet në kryeijen e vullnetit të Zotit dhe në lavdimin e emrit të tij. Vazhdimisht do ta ndjejmë freskinë e mëngjezit dhe ajo kurrë nuk do të pushojë. “Nuk do të ketë natë, as drita e llambës më nuk do të duhet, as drita e diellit sepse Zoti Perëndi do të shëndërris mbi ta.” (Zbulesa 22,5) Drita e diellit do të zëvendësohet me shkëlqimin i cili nuk do t'i pengojë sytë por që larg e tejkalon dritën e diellit të mesditës. Lavdia e Zotit dhe e Qengjit do ta mbushë qytetin e shenjtë me dritën e cila kurrë nuk do të shuhet. Të shpërblyerit do të jetojnë në lavdinë e ditës së amshueshme edhe pa dritën e diellit. BZ 638.4

“Në qytet as tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Perëndi i Gjithëpushtetshmi dhe Qengji.” (Zbulesa 21,22) Populli i Zotit i gëzon përparësitë e bashkësisë së drejtpërdrejtë me Atin dhe Birin. “Por atëherë do të shohim faqe—faqas.” (1 Korintasve 13,12) Ne tani e shohim fytyrën e Zotit si në ndonjë pasqyrë: në verpat e natyrës dhe në veprimin e tij me njerëzit; por atëherë do ta shohim sy më sy, pa perde ndërmjet nesh. Do të qëndrojmë para Tij dhe do ta shohim lavdinë e fytyrës së tij. BZ 638.5

Atje të shpërblyerit “do të njihen ashtu siç e njohin veten.” Ndjenjat e dashurisë dhe të ngushëllimit të cilat Zoti i ka mbjellur në shpirt atje do ta gjejnë zbatimin më të mirë. Lidhja e pastër me qeniet e pastra, jeta shoqërore harmonike me engjëjt madhështorë dhe me besimtarët nga të gjitha kohët të cilët i kanë pastruar petkat e veta dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit; lidhja e shenjtë e cila reciprokisht i lidhë të gjithë “fëmijët edhe në qiell edhe në tokë” të gjitha këto i kontribuojnë lumturisë së të shpërblyerëve (Efesian 3,15). BZ 640.1

Atje mendjet e pavdekshme me entuziazmin e pamasë do t'i studjojnë mrekullitë e fuqisë kreative dhe të dashurisë misterioze që shpëton. Atje nuk do të jetë armiku gjakëpirës dhe dinak për ta mashtruar dike që ta harrojë Zotin. Çdo aftësi do të zhvillohet, çdo prirje do të shtohet. Arrijtja e dijes nuk do ta lodhë mendjen e as do ta shterrojë forcën jetësore. Atje ndërmarrjet më të mëdha do të mund të kryhen, synimet më të lartësuara të realizohen, dëshirat më të mëdha të plotësohen, por do të ketë edhe qëllime të reja për t'u arritur, mrekulli të reja të cilat do të jenë objekt i adhurimit, do të mund të kuptohen të vërtetat e reja, objektet e reja për ta lëvizur forcën e arsyes, të shpirtit dhe të trupit për t'u zhvilluar. BZ 640.2

I tërë thesari i kozmosit për të shpërblyerit do të jetë në dispozicion për kërkime. Të çliruar nga vdekja ata do të nisen në fluturime të palodhshme në botëra të largëta—në botërat të cilat duke i shikuar mjerimet e njerëzve kanë qenë të shtanguara nga dhimbja dhe kanë kumbuar me këngë gëzimi pas lajmit të gëzueshëm për ndonjë shpirt të shpëtuar. Me dashuri të pamatshme do të njihen fëmijët e tokës me gëzimet dhe dijen e atyre qenieve të cilat kurrë nuk janë bjerrur. Ata do të marrin pjesë në begatimin e shkencës dhe të dijes të cilat këto qenie i kanë arritur gjatë shekujve të studimit të veprave të Zotit. Do ta vështrojnë lirshëm lavdinë e krijimit—të diellit, të yjeve dhe të sistemeve të tyre se si të gjithë sipas radhës së caktuar qarkullojnë rreth fronit të Zotit. Në çdo gjë prej më të voglit deri te më i madhi është shkruar emri i Krijuesit dhe në të gjithë shihet begatia e fuqisë së tij. BZ 640.3

Duke kaluar vitet e amshimit do të sendërtohen zbulesa gjithnjë më të begatshme dhe më të mrekullueshme të Zotit dhe të Krishtit. Me shtimin e dijes do të shtohet dashuria, respekti dhe lumturia e tyre. Sa më shumë që njerëzit të dijnë për Zotin aq më i madh do të jetë adhurmi i tyre për karakterin e tij. Ndërsa kur Jezusi para tyre ta zbulojë begatinë e shpërblimit dhe rezultatet e mrekullueshme në luftën e madhe kundër satanit, zemrat e të shpërblyerve do të ndizen flakë nga dashuria gjithnjë e më e madhe. Me gëzim entuziast do t'i marrin harfat e floririt dhe dhjetë mijë herë dhe mijëra, mijëra zëra do të bashkohen do të jehojë zëri i korit të fuqishëm të lavdisë. BZ 641.1

“Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det,—të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: ‘Atij që rri në Fron dhe Qengjit: Bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!'” (Zbulesa 5,13) BZ 641.2

Beteja e madhe ka mbaruar. Mëkat dhe mëkatarë më nuk ka. I tërë kozmosi është i pastër. Harmonia e plotë dhe gëzimi mbretërojnë në tërë kozmosin e paskajshëm. Prej Atij që ka krijuar çdo gjë rrjedhë jeta, drita dhe gëzimi nëpër të gjitha botërat e hapësirës së paskajshme. Prej atomit më të vogël e deri te bota më e madhe, të gjitha gjërat, natyra e gjallë dhe jo e gjallë në bukurinë e saj të patrazuar dhe në gëzimin e përsosur thonë se Zoti është dashuri. BZ 641.3