Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit
2. NDJEKJET NË SHEKUJT E PARË
Kur Jezusi ua zbuloi nxënësve të vet fatin e Jerusalemit dhe skenën e ardhjes së vet të dytë i profetizoi gjithashtu vështirësitë nëpërmes të cilave do të kalojë populli i tij nga çasti kur do të ngritet deri në kthimin e tij me fuqi dhe lavdi, kur do t'ua sjellë shpëtimin. Nga maja e Malit të Shenjtë, Shpëtimtari e kishte vështruar stuhinë e cila do të vinte në kishën apostullike. Duke shikuar në ardhmëri Ai e kishte parë stuhinë e ashpër të shkretërimit e cila do të vërsulej në pasuesit e tij në shekujt e ardhshëm të errësirës dhe të ndjekjes. Në disa fjali të shkurtëra përplotë kutpime të tmerrshme ai kishte profetizuar se çfarë qëndrimi do të merrnin prijësit e kësaj bote ndaj kishës hyjnore (Mateu 24,9.21.22). Pasuesit e Zotit duhet të shkojnë rrugës së njëjtë të nënshtrimit, të turpit dhe të pësimit në të cilën kishte shkuar mësuesi i tyre. Armiqësia e cila kishte shpërthyer kundër Shpëtimtarit të botës do të manifestohet edhe kundër të gjithë atyre të cilët do të besojnë në emrin e tij. BZ 45.1
Historia e kishës së parë të krishterë e dëshmon plotësimin e fjalëve të Shpëtimtarit. Fuqitë tokësore dhe fuqitë satanike janë ngritur kundër Krishtit duke i ndjekur pasuesit e tij. Paganizmi kishte parashikuar se me ngadhnjimin e ungjillit tempujt dhe altaret e tij do të rrafshoheshin me tokë, prandaj i kishte tubuar të gjitha fuqitë e veta për ta shkatërruar krishterimin. Zjarri i ndjekjeve ishte ndezur. Të krishterët ishin privuar nga pasuria dhe ishin ndjekur nga shtëpitë e veta. “Ata e përballuan një luftë të madhe durimesh.” (Hebrenjëve 10,32) “Sprovuan poshtrime, frushkullime, madje edhe pranga edhe burgje.” (Hebrenjëve 11,36) Një numër i madh i tyre e kishte vulosur dëshminë e vet me gjak. Fisnikët dhe sklleverit, të pasurit dhe varfërit, të arsimuarit dhe të paarsimuarit qenë vrarë pa mëshirë. BZ 45.2
Këto ndjekje të cilat filluan në kohën e Neronit, përafërsisht atëherë kur Pali e kishte pësuar me vdekjen martire u vazhduan me një ashpërsi më të hovshme apo më të vogël gjatë shekujve. Të krishterët qenë akuzuar në mënyrë të rrejshme për krimet më të tmerrshme duke u paraqitur si shkaktarë të fatkeqësive të mëdha: të urisë, të kolerës dhe të tërmeteve. Pasi që u bënë objekt i urrejtjes dhe dyshimeve të përgjithshme, lehtë u gjetën edhe spiunët të cilët për të nxjerrë qelepire i tradhtonin të pafajshmit. Ata u gjykuan si rebeluesë kundër perandorisë, si armiq të religjionit dhe si mortajë për popullin. Shumë sish u hodhën para egërsirave ose u ndezën të gjallë nëpër amfiteatra. Disa i kryqëzuan, disa të tjerë i veshën në lëkura të bishave dhe i hudhën në arenë për t'i shqyer egërsirat. Ndëshkimet e tyre shpeshherë qenë mjet kryesor i argëtimit me rastin e kremteve popullore. Një shumësi e madhe e botës grumbullohej për t'u kënaqur me ato skena duke i përshëndetur mundimet e tyre të vdekjes me buzqeshje dhe duartrokitje. BZ 46.1
Kudo që kërkonin vendstrehim, pasuesit e Krishtit ndiqeshin si egërsira. Detyroheshin të kërkonin strehim nëpër shkretëtira dhe në vende të izoluara. “Ishin të sprovuar në poshtrime, frushkullime madje edhe në pranga dhe burgje—endeshin nëpër shkreti, nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër gropa dheu.” (Hebrenjëve 11,37-38) BZ 46.2
Mijëra prej tyre kishin gjetur vendstrehim nëpër katakombe. Nëpër brigjet jashtë Romës ishin hapur korridore të gjata nën tokë dhe nëpër kreshta; rrjeta e errët dhe e pshtjelluar e korridoreve shtrihej me kilometra jashtë qytetit. Nëpër ato vendstrehime nëntokësore pasuesit e Krishtit i varrosnin të vdekurit e tyre. Këtu gjithashtu gjenin vendstrehime kur ndiqeshin apo kur mbi ta binte dyshimi. Kur ndonjë dhuntues i jetës i zgjonte ata të cilët luftonin në luftën e mirë të fesë, shumë martirë për shkak të Krishtit dilnin nga këto shpella të errëta. BZ 46.3
Këta dëshmitarë të Krishtit e ruajtën fenë e tyre të panjollosur edhe gjatë kohës së ndjekjeve më të tmerrshme. Edhe pse të privuar nga çdo komoditet, larg nga drita e diellit, duke e gjetur shtëpinë në gjirin e errët por miqësor të tokës ata megjithatë nuk u ankuan. Me fjalët e besimit, të durimeve dhe të shpresës e kurajonin njëri tjetrin që t'i përballonin skamjen dhe fatkeqësitë. Humbja e çfarëdo lumturie tokësore nuk mundë t'i detyronte që të hiqnin dorë nga besimi në Krishtin. Sprovat dhe ndjekjet qenë vetëm shkallë me të cilat i afroheshin paqjes dhe dhuratës së tyre. BZ 46.4
Si edhe shërbëtorët e Zotit, në të kaluarën shumë prej tyre “të vënë në mundime nuk e pranuan faljen, që të fitonin një ngjallje më të mirë” (Hebrenjëve 11,35). Atyre u kujtoheshin fjalët e Jezusit se duhej të gëzoheshin kur t'i ndiqnin për hir të tij, sepse paga e tyre do të ishte e lartë në qiej; sepse edhe profetët para tyre i kishin ndjekur njësoj. Aq shumë gëzoheshin që ishin të denjë për të pësuar për Krishtin sa që këngët e ngadhnjimit jehonin edhe në vlugun e shpërthimit të flakës së turrave. Duke shikuar në lartësi me besim ata i shihnin Krishtin e engjëjt se si lakoheshin drejt tyre dhe si shikonin me bashkëndjenjën më të sinqertë, duke miratuar besimin e tyre. Një zë nga Froni hyjnor u fliste “qëndro besnik deri në vdekje dhe do ta jap kezën e jetës” (Zbulesa 2,10). BZ 47.1
Më kot satani është përpjekur që me dhunë ta shkatërrojë kishën hyjnore. Lufta e madhe në të cilën nxënësit i kishin dhënë jetërat e tyre nuk ishte ndërprerë kur këta bartës besnikë të flamurit kishin rënë në pozitat e tyre. Me rëniet e tyre ata kishin ngadhnjyer. Bashkëpunëtorët e Zotit ishin vrarë, por vepra e tyre ishte avansuar. Ungjilli edhe më tutje ishte përhapur kurse numri i ithtarëve të tij ishte shtuar vazhdimisht. Ungjilli kishte depërtuar edhe në viset e papërshkueshme bile edhe për shqiponjat romake. Një i krishterë duke diskutuar me pushtetarët paganë të cilët e kishin ndezur ndjekjen kishte thënë: “Ju mund të na vrisni, të na torturoni, të na gjykoni ... padrejtësia e juaj është dëshmi se ne jemi të pafajshëm ... brutaliteti i juaj nuk bën kurrfarë pune. Ai është vetëm thirrje e fuqishme që besimit tonë t'i bashkangjiten edhe të tjerët. Ne po bëhemi gjithënjë e më shumë, sa më shumë që na vrisni: gjaku i të krishterëve është fara e krishterizimit”.4Tertullian, Apology, paragraf 50. BZ 47.2
Mijëra e mijëra u futën nëpër burgje dhe u vranë, por të tjerët u afroheshin dhe i zinin vendet e tyre. Ata që kishin vdekur si martirë për fenë e tyre janë të sigurt në Krishtin dhe Ai i konsideron ngadhnjimtarë. Ata kanë luftuar në luftën e mirë dhe do ta pranojnë kurorën e lavdisë kur të vijë Krishti. Pësimet nëpër të cilat kanë kaluar të krishterët i kanë bashkuar edhe më tepër reciprokisht edhe me Krishtin. Shembulli i jetës së tyre dhe dëshmia e vdekjes së tyre kanë qenë dëshmitarë të qëndrueshëm në favor të së vërtetës; dhe atje ku më së paku është pritur, ithtarët e satanit e kanë braktisur shërbimin e tij dhe kanë hyrë nën flamurin dhe në gjirin e Krishtit. BZ 47.3
Satani, për këtë arsye ka bërë plan që më me sukses të luftojë kundër pushtetit hyjnor: ka vendosur që flamurin e tij ta ngrisë brenda vet kishës së krishterë. Në qoftë se arrin t'i mashtrojë pasuesit e Krishtit dhe në këtë mënyrë të shkaktojë që ta humbin përkarahjen e Zotit, atëherë forcat e tyre do të asgjësohen, do të humbet guximi dhe do të thehet paluhatshmëria dhe në këtë mënyrë do të bëhen lehtë pre e tij. BZ 48.1
Tani kundërshtari i madh është përpjekur që me dinakëri ta arrijë atë që nuk e ka arritur me forcë. Ndjekja është ndërprerë, kurse në vend të ndjekjes janë paraqitur ndjenjat e rrezikshme të vrapimit pas kënaqësive, lumturisë botërore dhe të respektit tokësor. Idhujtarët e kanë pranuar një pjesë të besimit të krishterë, por i kanë hedhur të vërtetat tjera kryesore. Ata kanë pranuar ta akseptojnë Birin e Zotit, ta besojnë vdekjen dhe ringjalljen e tij, por nuk i kanë parë mëkatet e veta, nuk e kanë ndjerë nevojën për t'u penduar dhe për ta ndryshuar zemrën. Të gatshëm për t'i bërë nga ana e vet disa lëshime, u kanë propozuar të krishterëve që edhe ata ta bëjnë të njëjtën gjë nga ana e tyre dhe që të gjithë së bashku të bashkohen në fenë e Krishtit. BZ 48.2
Atëherë Kishës i është kërcënuar një rrezik i tmershëm. Burgimet, torturat, zjarri dhe shpata kanë qenë bekim në krahasim me këtë rrezik. Disa të krishterë kanë qëndruar në deklaratat se nuk mund të pranojnë asnjë kompromis. Disa të tjerë kanë qenë të gatshëm të bëjnë kompromise ose t'i ndryshojnë disa pika të fesë së tyre për t'u bashkuar me këta të krishterë gjysmakë, me shpresë se në këtë mënyrë do të bëhet një katarzë e plotë. Ky për pasuesit e Krishtit ka qenë një çast i frikës së madhe. Nën maskën e krishterimit të dukshëm, vetë satani është futur në kishë për ta prishur fenë e tyre dhe për t'i kthyer mendimet e tyre kundër fjalëve të së vërtetës. BZ 48.3
Më në fund, shumica e të krishterëve ka pranuar që në një masë të caktuar të largohet nga parimet e veta të fesë dhe kështu është bërë sinteza ndërmjet të krishterëve dhe paganëve. Edhe pse idhujtarët kanë pohuar se janë kthyer në fenë e vërtetë dhe formalisht i janë bashkangjitur kishës, megjithatë, ata edhe më tutje i janë përmbajtur idhujtarisë, përveç se i kanë zëvendësuar objektet e adhurimit të tyre me figurat e Krishtit bile edhe të Marisë dhe të shenjtërve. Tharmi i papastër i idhujtarisë i futur në këtë mënyrë në kishë e ka vazhduar veprën e vet të krimit. Pseudo—shkenca, ritet bestyte dhe ceremonialet pagane hynë në besimin e tyre dhe në shërbesën hyjnore. Kur pasuesit e Krishtit u bashkuan me idhujtarët u prishë feja e Krishtit kurse kisha e humbi pastërtinë dhe fuqinë e vet. Megjithatë, pati edhe të krishterë të cilët nuk iu nënshtruan këtyre mashtrimeve. Ata edhe më tutje i mbetën besnik Autorit të së vërtetës dhe iu falën vetëm Zotit. BZ 48.4
Ndër të krishterët gjithënjë kanë qenë dy grupe njerëzish; disa që me kujdes e studiuan jetën e Shpëtimtarit dhe bënë përpjekje serioze për t'i korrigjuar të metat e tyre dhe për të jetuar në pajtim me idealin e vërtetë; disa të tjerë që iu shmangën të vërtetave të qarta dhe të thjeshta të cilat do t'i zbulonin lajthitjet e tyre. Bile edhe në gjendjen e vet më të mirë kisha nuk është përbërë vetëm prej anëtarëve të besueshëm, të pastër e të sinqertë. Shpëtimtari ka thënë se ata të cilët me vetëdije bëjnë mëkat nuk bën të pranohen në kishë por megjithatë i kishte lidhur me veten njerëzit me karakter të papërsosur dhe u kishte dhënë përparësi që ta dëgjonin shkencën e tij dhe ta merrnin atë si shembull me qëllim që t'u krijohej rasti për t'i parë gabimet e veta dhe për t'u korrigjuar. Ndërmjet dymbëdhjetë apostujve njëri kishte qenë tradhtar. Juda Iskarioti ishte pranuar jo për shkak të mangësive të karakterit të tij, por megjithë këto magësi, ai ishte i bashkuar me nxënësit me qëllim që nga mësimet dhe nga shembulli i Krishtit të mësonte se ku qëndron karakteri i krishterë dhe që në këtë mënyrë t'i shihte gabimet e veta, të pendohej dhe që me ndihmën e mëshirës hyjnore ta pastronte shpirtin e tij “duke iu nënshtruar të së vërtetës”. Mirëpo Juda nuk kishte ecur nëpër dritën e cila me mëshirë e kishte shëndritur rrugën e tij. Duke lëshuar pe para mëkatit, ai kishte lejuar që ta sprovonte satani. Linjat e shëmtuara të karakterit të tij kishin mbizotëruar. Ai kishte lejuar që në shpirtin e tij të mbizotronin fuqitë e errëta, hidhërohej kur e qortonin për mëkatet e tij dhe kështu arriti deri në gjendjen që ta bënte një krim të tmerrshëm: ta tradhtonte mësuesin e tij. Gjithashtu të gjithë ata të cilët tregohen të devotshëm kurse e duan të keqen, i urrejnë ata të cilët e prishin qetësinë e tyre i urrejnë të mirat. Posa tu ofrohet rasti i përshtatshëm si Judës, ata do t'i tradhëtojnë të gjithë njerëzit që i kanë qortuar për të mirën e tyre. BZ 50.1
Apostujt në Kishë i kanë gjetur edhe anëtarët të cilët janë treguar të devotshëm por që fshehtas kanë bërë mëkate. Anania dhe Safira kanë qenë mashtruesë sepse pohonin se po ia kushtojnë flinë Zotit ndonëse një pjesë e ruanin për vete. Fryma e së vërtetës, apostujve ua kishte zbuluar karakterin e vërtetë të këtyre besimtarëve të rrejshëm, kurse gjyqi i Zotit e kishte çliruar kishën nga kjo njollë e papastër e cila e kishte prishur pastërtinë e saj. Kjo dëshmi e qartë e pranisë së Frymës së Zotit në kishë e cila e zbulon çdo mëkat ka qenë tmerr për dyftyrësitë dhe për delikuentët. Ata nuk kanë mundur shumë kohë të qëndrojnë në bashkësi me njerëzit që kanë qenë përfaqësuesë besnik të Krishtit në shprehi dhe në shpirt. Kur për pasuesit e Krishtit kishin ardhur sprovat dhe ndjekjet, atëherë vetëm ata kishin dëshiruar të mbeteshin nxënësit të cilët kanë qenë të gatshëm të mbeten vetëm për shkak të së vërtetës. Kështu deri sa kishin zgjatur ndjekjet, kisha kryesisht kishte mbetur e pastër. Mirëpo, posa kanë pushuar ndjekjet, kanë ardhur lajkatarët e rinjë të cilët nuk kanë qenë të sinqertë dhe të përkushtuar kështu që përsëri satanit i është hapur rruga që në kishë t'i arrijë qëllimet e veta. BZ 50.2
Ndërmjet princit të dritës dhe princit të errësirës nuk ka kurrfarë lidhje, prandaj nuk mund të ketë lidhje as ndërmjet pasuesëve të tyre. Kur të krishterët pranuan të bashkohen me ata të cilët vetëm pjesërisht u tërhoqën nga paganizmi dhe të cilët u penduan vetëm pjesërisht, dolën në sipërfaqe ata të cilët gjithnjë e më tepër ndaheshin nga e vërteta. Satani kishte triumfuar pasi që kishte arritur ta mashtronte një numër aq të madh të pasuesve të Krishtit. Atëherë ai i kishte orientuar të gjitha fuqitë në drejtim të asaj që sa më tepër të ndikojë në të mashtruarit dhe t'i nxisë që t'i ndjekin ata të cilët i kishin mbetur besnik Zotit. Askush nuk kishte mundur më mirë ta kuptonte se si duhet më së miri t'i kundërvehen religjionit të krishterë se sa ata që dikur kishin qenë mbrojtësit e tij. Këta të krishterë të devijuar duke u bashkuar me miqët e tyre gjysëm paganë i drejtuan përpjekjet e tyre kundër pikave më të ndritshme të mësimeve të Shpëtimtarit. BZ 51.1
Ata të cilët kishin dëshiruar të mbeten besnikë u detyruan ta përballonin luftën e pamëshirëshme për t'u ngritur mbi mashtrimet dhe veset të cilat duke u maskuar në petkun klerikal qenë futur në kishë. Bibla më nuk vlente si rregull e fesë. Shkenca për lirinë fetare ishte njollosur si heretizëm, kurse mbrojtësit e saj u bënë të urrejtur dhe ndiqeshin. BZ 51.2
Pas lufës së gjatë dhe të ashpër, një numër i vogël i besimtarëve vendosi që ta shkëpusë çdo lidhje me kishën e devijuar, në qoftë se ajo edhe më tutje do të refuzonte të çlirohej nga gënjeshtrat dhe idhujtaria. Ata e kishin vërejtur se patjetër duhet të ndahen në qoftë se dëshirojnë ta dëgjojnë zërin e Zotit. Nuk kishin guxuar më tutje t'i durojnë lajthitjet të cilat kanë mundur të jenë të rrezikshme për shpirtrat e tyre dhe nuk kishin guxuar ta japin shembullin i cili do t'i shpiente në fe të rrezikshme fëmijët dhe nipërit e tyre. Me qëllim që ta ruanin paqjen dhe unitetin ishin të gatshëm t'i bëjnë të gjitha lëshimet të cilat nuk i kundërveheshin lojalititet ndaj Zotit, por e ndjenin se paqja do të paguhej shumë shtrenjtë në qoftë se do të detyroheshin ta blenin me çmimin e sakrifikimit të parimeve. Në qoftë se për ta ruajtur unitetin e rrejshëm do të detyroheshin ta sakrifikonin unitetin dhe drejtësinë atëherë më mirë kishin pranuar të shkëputeshin dhe të luftonin. Do të ishte mirë për kishën dhe botën sikur parimet që i kishin entuziazmuar këta shpirtëra besnikë përsëri të ngjalleshin në zemrat e atyre të cilët pohonin se janë populli hyjnor. Në bazë të mësimeve të cilat janë shtyllat e besimit të krishterë vërehet një indiferencë që shqetëson. Ekziston mendimi se ato nuk kanë rëndësi aq të madhe. Ky bastardim i jep hov veglave të satanit. Sot me mijëra njerëz që pohojnë se janë pasuesit e Krishtit i shikojnë me simpati teoritë e rrejshme dhe mashtrimet e rrezikshme, ndërsa besimtarët e shekujve të kaluar i patën sakrifikuar jetërat e tyre për t'i zbuluar dhe për t'i thyer. BZ 51.3
Të krishterët e parë vërtetë kanë qenë një popull i veçantë. Sjellja e tyre shembullore dhe besimi i paluhatshëm janë bërë qortim i përhershëm i cili e ka prishur qetësinë e mëkatarëve. Edhe pse numerikisht pak, pa pasuri, pa pozita dhe pa tituj nderi ata megjithatë kudo kanë qenë tmerr për kriminelët, kudo që karakteri dhe besimi i tyre kanë qenë të njohur. Për këtë arsye mëkatarët i kanë urrejtur, ashtu siç e ka urrejtur Kaini pagan Abelin. Ata të cilët kanë dëshiruar të çlirohen nga kufizimet e Shpirtit Shenjt i kanë vrarë fëmijët e Zotit për arsye të njëjta për të cilat Kaini e kishte vrarë Abelin. Për arsyet e njëjta hebrejët e kishin refuzuar dhe e kishin sakrifikuar Shpëtimtarin—sepse pastërtia dhe shenjtëria e karakterit të tij ishin qortim i vazhdueshëm për egoizmin dhe papastërtinë e tyre. Që nga ditët e Krishtit e deri më sot, nxënësit e tij besnik e kanë shkaktuar urrejtjen dhe kundërshtimin e atyre të cilët e ndjekin rrugën e mëkatit dhe ecin nëpër të. BZ 52.1
Prandaj si mund të quhet Ungjilli lajm i paqjes? Kur Isaia e kishte profetizuar Lindjen e Mesisë e kishte quajtur si Princ i Paqjes, kur engjejt ia kishin shpallur barinjëve lindjen e Jezusit kishin kënduar mbi rrafshin e Betlehemit “Lavdi Hyut në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve që i ka në zemër!” (Mateu 2,14) Ekziston një kundërthënie e tejdukshme ndërmjet këtyre deklaratave profetike dhe fjalëve të BCrishtit: “Nuk erdha ta bie paqen por shpatën.” (Mateu 10,34) Mirëpo në qoftë se kuptohem drejtë këto dy shprehje janë në harmoni të përsosur. Ungjilli është lajm i paqjes. Krishterimi është shkencë e cila në qoftë se pranohet dhe dëgjohet e përhapë paqjen, harmoninë dhe lumturinë në tërë botën. Religjioni i Krishtit i bashkon në vëllezëri të dashur të gjithë ata të cilët e pranojnë mësimin e tij. Misioni i Krishtit ka qenë që t'i pajtojë njerëzit me Zotin reciprokisht. Mirëpo pjesa më e madhe e njerëzve është nën kontrollin e satanit, armikut më të madh të Zotit. Ungjilli ua tërheqë vërejtjen njerëzve për parimet jetësore të cilat janë në kundërshtim me shprehitë dhe dëshirat e tyre; prandaj ata ngriten kundër tij. Ata e urrejnë pastërtinë e cila zbulohet dhe i gjykon mëkatet e tyre, prandaj i ndjekin dhe i shkatërrojnë të gjithë ata që i predikojnë parimet e drejta dhe të shenjta. Në këtë kontekst—sa më madhështore të jenë të vërtetat që i sjellë ungjilli ato e shkaktojnë urrejtjen dhe luftën—ungjilli quhet shpatë. Parashikimi misterioz i cili lejon që dora e të këqijëve t'i ndjekë të drejtit ka qenë shkak i lajthitjes së madhe për shumë besimtarë të dobët. Disa bile janë të gatshëm që ta refuzojnë besimin në Zotin, për arsye se Ai lejon që të këqijët të përparojnë kurse më të mirët dhe më të ndershmit të martirizohen dhe të shtypen nga forcat e këqija. Disa pyesin se si Ai që është i drejtë, i mëshirshëm dhe me forcë të pakufishme mund ta durojë këtë padrejtësi dhe dhunë? Kjo është pyetje e cila nuk na përket ne. Zoti na ka dhënë mjaft dëshmi për dashurinë e tij dhe në qoftë se ne nuk i kuptojmë rrugët e tij, kjo nuk duhet të jetë shkak i dyshimit tonë në mirësinë e tij. A nuk u ka thënë Shpëtimtari nxënësve të vet duke i vërejtur që më parë dyshimet të cilat do t'i shqetësonin shpirtërat e tyre në ditët e sprovave dhe të errësirës: “T'ju bjerë ndër mend fjala që jua thash: nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij. Nëse mua më salvuan edhe ju do t'ju salvojnë.” (Gjoni 15,20) Jezusi ka pësuar më tepër për ne se që ka mundur cilido prej pasuesëve të tij ta pësonte prej njerëzve të këqijë. Ata të cilët janë të atillë që i përballojnë mundimet dhe vdekjen martire vetëm shkojnë hapave të Birit të përkdhelur të Zotit. BZ 52.2
“Nuk vonohet Zoti me premtim.” (2 Pjetrit 3,9) Ai nuk harron dhe nuk i lë pas dore fëmijët e vet; por ai ua lejon të këqijëve ta zbulojnë karakterin e vet në mënyrë që secili që dëshiron ta plotësojë vullnetin e tij të mos jetë i lajthitur në pikëpamje të karakterit të tyre. Të drejtit hyjnë në mokrën e fatkeqësive në mënyrë që të pastrohen, me qëllim që me shembullin e tyre t'i bindin edhe të tjerët në vërtetësinë e besimit dhe të devotshmërisë dhe me qëllim që qëndrueshmëria e tyre t'i gjykojë ata që nuk besojnë si dhe paganët. BZ 54.1
Zoti lejon që të këqijët të përparojnë dhe ta dëshmojnë urrejtjen e tyre ndaj tij, në mënyrë që kur ta mbushin kupën me të keqen e tyre ta shohin drejtësinë dhe mëshirën e tij në shkatërrimin e vet të plotë. Dita e hakmarrjes së tij po afrohet kur të gjithë ata të cilët e kanë shkelur ligjin e tij dhe e kanë shtypur popullin e tij ta marrin pagën e drejtë për veprat që kanë bërë. Atëherë çdo vrazhdësi dhe padrejtësi ndaj shërbëtorëve besnikë të Zotit do të ndëshkohet sikur të ishte bërë kundër vet Krishtit. BZ 54.2
Mirëpo, ekziston edhe një pyetje e rëndësishme e cila sot duhet ta tërheqë vëmendjen e kishave. Apostulli Pali ka thënë se të gjithë “ata që dëshirojnë të jetojnë të denjë në Jezu Krishtin do të ndiqen” (2 Timoteut 3,12). Atëherë, përse duket se ndjekja gati është ndërprerë? Arsyeja e vetme është se kisha po i përshtatet botës, kështu që nuk shprehë kurrfarë kundërshtimi. Feja e ditëve tona nuk e ka më atë karakter të pastër e të shenjtë i cili e kishte shënuar fenë e krishterë në kohën e Jezusit dhe të apostujve. Krishterimi duket aq i popullarizuar në botë, vetëm për arsye të kompromisit me mëkatin, për arsye se në të vërtetat e mëdha të fjalës hyjnore shikohet me indiferencë dhe për arsye se ka pak devotshmëri të vërtetë në besim Posa t'i kthehen besimtarët fesë dhe forcës së kishës apostullike, përsëri do të ngjallet fryma e ndjekjeve ndërsa zjarri i ndjekjes përsëri do të ndezet. BZ 54.3