Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit

30/47

26. NEVOJA E REFORMËS

Profeti Isaia e ka paraparë Reformën e së shtunës e cila do të bëhet në ditët e fundit: “Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë, sepse shpëtimi i im është duke ardhur e s'vonon të dëftohet drejtësia ime. I lumi ai që bën kështu, Biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që e mban të shtunën e nuk e çnderon, që e ruan dorën e vet nga çdo vepër të keqe.” “Kurse bijtë e ardhacakut që do t'i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t'ia dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorë të tij, të gjitha ata që do ta ruajnë të shtunën e nuk do ta çnderonë dhe do ta mbajnë Besëlidhjen time, do t'i shpiej në Malin tim të shenjt dhe do t'i gëzojë ata në shtëpinë time të lutjës: flitë e shkrumbimit e therroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.” (Isaia 56,1.2.6.7) Këto fjalë kanë të bëjnë me periudhën e krishterë siç shihet nga këto fjalë: ‘'Kështu thotë Zoti Perëndi, ai që i bashkon izraelitët e shpëmdarë: “Rreth Izraelit do të mbledhë edhe më shumë të tjerë, përveç atyre që tash më janë mbledhur.” (Isaia 56, 8) Këtu shpallet grumbullimi i paganëve me ndihmën e Ungjillit. Atyre që atëherë do ta respektojnë të shtunën u jepet bekimi. Kështu obligimi i urdhërit të katërt shtrihet nëpër kohët e kryqëzimit të Krishti në kryq, të ngjalljes së tij nga të vdekurit dhe të ngritjes në qiell; ajo e përfshinë kohën kur shërbëtorët e tij duhet t'ia predikojnë lajmin e gëzueshëm të gjithë popujve. BZ 427.1

Përmes profetit të njëjtë Zoti urdhëron: “Mbylle dhe lidhe këtë dëshmi, vulose zbulesën në zemrat e nxënësve të mi.” (Isaia 8,16) Vula e ligjit të Zotit gjendet në urdhërin e katërt. Vetëm ky urdhër prej të gjitha dhjetë urdhërave e shprehë përveç emrit edhe titullin e ligjdhënësit ai e shënon si Krijues të qiellit dhe të tokës dhe kështu dëshmon se vetëm Ai e meriton për ta lavdëruar dhe adhuruar. Përveç këtij urdhëri nuk ka asgjë në Dekalog që do të tregonte se me autoriten e kujt është bërë ky ligj. Kur fuqia e papës e ndryshoi të shtunën u hoq edhe vula nga ligji. Nxënësit e Krishtit janë të thirrur që përsëri ta vendosin të shtunën në mënyrë që atë ta ngrisin në vendin e vet të merituar si ditë të kujtesës për Krijuesin dhe si shenjë të autoritetit të tij. BZ 427.2

“Ligjin dhe dëshminë kërkojeni.” Ka shumë shkenca dhe teori, por ligji i Zotit është kriteri i vetëm i pagabueshëm në bazë të të cilit duhet të gjykohen të gjitha mendimet e shkencës dhe të teorisë. Profeti thotë: “Ata që nuk do të thonë kështu, agimin nuk do ta presin.” (Isaia 8,20) BZ 428.1

Mandej është dhënë urdhëri: “Bërtit me zë të lartë e mos pusho, por si bori lartësoje zërin tënd. Shpallja popullit tim, fajet e tija, shtëpisë së Jakobit mëkatet e tija.” (Isaia 58,1) Kjo nuk është botë e pa fe, por janë ata që Zoti i quan “populli im” dhe të cilët për shkak të shkeljeve do të ndëshkohen. Ai thotë më tutje: “Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë dhe dëshirojnë t'i njohin urdhërat e mia, porsi populli që mbron drejtësinë, që nuk harron të drejtën e Zotit të vet. Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë, dëshirojnë të jenë farë e Zotit.” (Isaia 58,2) Këtu flitet për njerëzit që mendojnë se janë të drejtë dhe që në dukje shprehin interesim të madh për t'i shërbyer Zotit, por qortimi i këtillë serioz dhe solemn nga Ai që i teston zemrat dëshmon se ata i shkelin urdhërat e Zotit. Profeti kështu e përshkuran urdhërin i cili është lënë pasdore: “Populli yt do t'i ndërtojë rrënojat e vjetra, do t'i rindërtosh themelet e lënë brezni e brezni, do të quhesh: “rindërtues i rrënojave, ripërtritës i rrugëve deri n'banim.” “Nëse do ta ruajsh këmbën të mos e shkelësh të shtunën dhe në ditën time të shenjt nuk do të punosh, nëse do ta çmosh për kënaqje të shtunën, të ndershme ditën e shenjtë të Zotit, do ta nderosh duke mos udhëtuar, duke mos kryer punët tua me marrëveshje, atëherë në zotin do ta gjesh kënaqësinë tënde.” (Isaia 58,12-14) Kjo profeci ka të bëjë edhe me kohën e sotme. Kur pushteti i papës e ndryshoi të shtunën atëherë në ligjin e Zotit u shkaktua plasaritje. Mirëpo ka ardhur koha kur ky institucion hyjnor duhet të përtritet. Plasaritja duhet të korrigjohet dhe themelet e vjetra të hiqen. BZ 428.2

Adami në virgjiritetin e vet në kopshtin e Edenit e ka shenjtëruar të shtunën e shenjtë të Krijuesit me pushim e bekim; e ka shenjtëruar bile edhe atëherë kur për shkak të mëkatit të cilin e ka vajtuar me hidhërim është dëbuar nga atëdheu i vet i lumtur. Të gjithë patrikët — që nga Abeli e deri te Noeu i drejtë, Abrahami dhe Jakobi e kanë shenjtëruar të shtunën. Kur populli i zgjedhur ka qenë në skllavërinë Egjiptase, shumë njerëz e kanë humbur njohurinë për ligjin hyjnor për shkak të idhujtarisë që atje mbretëronte. Mirëpo, kur e çliroi Izraelin Zoti e shpalli Ligjin e vet në mënyrë madhështore, para popullit të tubuar në mënyrë që të gjithë ta njihnin vullnetin e tij, t'i frikësoheshin dhe t'i qëndronin lojal e ta dëgjonin. BZ 428.3

Prej atëherë e deri më sot në tokë janë ruajtur njohuritë për Ligjin e Zotit, kurse e shtuna si urdhër i katërt është shenjtëruar. Edhe pse “njeriu i bjerrur” arriti ta shkelte ditën e shenjtë të Zotit, megjithatë edhe gjatë kohës së supremacionit të papatit, shpirtërat besimtarë në vendet e fshehta e shënjtëronin të shtunën. Që nga koha e reformacionit në çdo brez ka pasur njerëz të cilët e kanë shenjtëruar. Megjithë përqeshjet dhe ndjekjet e shpeshta gjithënjë ka pasur njerëz që kanë dëshmuar për amshueshmërinë e ligjit të Zotit dhe për obligimin solemn ndaj të shtunës si kujtim për krijimin. BZ 429.1

Këto të vërteta të pasqyruara në kaptinën 14 të Zbulesës lidhur me “Ungjillin e amshueshëm” janë veçori e besimtarëve të Krishtit në kohën e ardhjes së tij. Si pasojë e shpalljes së lajmit të trefisht paraqitet populli për të cilin thuhet “këtu është durimi i të shenjtërve që u përmbahen urdhërave të Zotit dhe besimit të Jezusit.” Kurse ky lajm është i fundit i cili duhet të shpallet para ardhjes së Zotit. Menjëherë pas shpalljes së tij profeti e ka parë se si Biri i njeriut vjen plot lavdi për ta bërë korrjen e botës. BZ 429.2

Të gjithë ata që e kanë pranuar njohjen për shenjtroren dhe për pandryshueshmërinë e ligjit të zotit janë mbushur me gëzim dhe janë mrekulluar kur e kanë parë bukurinë dhe harmoninë e të vërtetave të cilat janë bërë të qarta. Ata kanë dëshiruar që drita aq e çmueshme t'i shkëlqejë edhe të krishterët e tjerë. Kanë besuar në mënyrë të sigurtë se edhe ata do ta pranojnë me gëzim. Mirëpo, të vërtetat në bazë të së cilave janë dalluar prej botës nuk kanë qenë të këndëshme për shumë njerëz që janë konsideruar pasardhës dhe ithtarë të Krishtit. Të mos e respektosh urdhërin e katërt kjo do të thotë të kërkosh flijim nga i cili shumica janë shmangur. BZ 429.3

Kur u paraqitën kërkesat për të shtunën shumë njerëz për këtë u gjykuan nga aspekti sekularist dhe thanë: “Ne gjithënjë e kemi shenjtëruar të dielen, e kanë shenjtëruar etërit tanë; dhe shumë njerëz të mirë e të devotshëm kanë vdekur me vdekjen e bekuar duke e shenjtëruar të dielen. Në qoftë se ata kanë pasur të drejtë atëherë kemi edhe ne. Shenjtërimi i kësaj dite të re të pushimit do të na shpiente në konflikt me botën dhe ne nuk do të mund të ndikonim në të. Çka mund të bëj një grup i vogël i atyre që e shenjtërojnë ditën e shtatë, përkundër botës së tërë që e shenjtëron të dielen?” Me argumente të ngjashme kanë tentuar edhe hebrenjët ta arsyetojnë refuzimin e Krishtit. Zoti i ka pranuar etërit e tyre të cilët kanë bërë fli prandaj përse nuk do të mund të shpëtoheshin fëmijët në qoftë se shkojnë rrugës së njëjtë? Gjithashtu, në kohën e Luterit ithtarët e Romës pohonin se të krishterët besnikë kanë vdekur në fenë katolike, prandaj se kjo fe mjafton për t'u shpëtuar. Botëkuptimi i këtillë është pengesë e madhe për çdo progres në fe dhe në jetë. BZ 429.4

Shumë njerëz kanë pohuar se shenjtërimi i së dielës është dogmë e përvetësuar dhe zakon i përhapur i kishës së shumë shekujve. Mirëpo, përkundër këtij pohimi, mund të dëshmohet se e shtuna dhe shenjtërimi i saj janë shumë të vjetër, bile të vjetër edhe sa vet bota dhe të verifikuara nga Zoti dhe engjëjt. Kur janë vënë themelet e botës dhe kur kanë kënduar së bashku të gjitha yjet e mëngjesit dhe të gjithë bijët e Zotit kanë brohoritur nga gëzimi, atëherë janë vënë themelet e së shtunës (Jobi 38,6.7; Zanafilla 2,1-3). Për këtë arsye ky isntitucion e ka të drejtën për ta respektuar. Atë nuk e ka krijuar autoriteti njerëzor dhe nuk mbështetet në legjenda njerëzore; atë e ka themeluar i Amshueshmi dhe e ka verifikuar me Fjalën e tij të amshueshme. BZ 430.1

Kur vëmendja e njerëzve është kthyer drejt reformimit të së shtunës, predikuesit e popullarizuar e kanë shtrembëruar Fjalën e Zotit dhe e kanë interpretuar në aso mënyre me qëllim që sa më me sukses t'i qetësojnë ndërgjegjet e zgjuara. Ata të cilët vetë nuk e kanë studjuar Shkrimin Shenjt janë kënaqur me mendimin që është përputhur me dëshirat e tyre. Shumë njerëz janë përpjekur ta kundërshtojnë të vërtetën me pohime të ndryshme, me dinakëri, me legjendat e tyre dhe të gjyshërve dhe me autoritetin e kishës. Mirëpo mbrojtësit e tij e kanë marrë në dorë Biblën për ta dëshmuar validitetin e urdhërit të katërt. Njerëzit subtil, të armatosur vetëm me Fjalën e Zotit i janë kundërvënë sulmeve të njerëzve të ditur të cilët të befasuar dhe të mllefosur kanë parë se i tërë invencioni i tyre është i paaftë përballë interpretimit të thjeshtë dhe të sinqertë të njerëzve të cilët e kanë njohur më mirë Shkrimin Shenjt se sa filozofinë e njeriut. BZ 430.2

Duke mos pasur dëshmi të përshtatshme biblike, shumë njerëz që kishin harruar se kundërshtimet e tilla janë paraqitur edhe kundër Krishtit dhe nxënësve të tij—me qëndrueshmëri të palodhshme e kanë shtruar pyetjen: “Përse njerëzit tanë të mëdhenj nuk po e kuptojnë këtë çështje të së shtunës? Pak njerëz besojnë si ju. Nuk mund të qëndrojë fakti se ju keni të drejtë kurse të gjithë njerëzit e ditur të jenë të lajthitur.” BZ 431.1

Me qëllim që të atakohen dëshmitë e tilla nevojitej të theksohej vetëm mësimi i Shkrimit Shenjt dhe të theksohej fakti se si Zoti në të gjitha kohët ka vepruar me popullin e vet. Zoti punon përmes atyre që e dëgjojnë zërin e tij dhe që me lojalitet dhe sipas nevojës i paraqesin edhe të vërtetat e pakëndëshme dhe nuk frikësohen t'i demaskojnë mëkatet e përgjithshme. Arsyeja, përse Zoti nuk i merrë njerëzit e ditur dhe me prestigj për udhëheqës të lëvizjeve reformatore është fakti se ata mbështeten shumë në dogmat e veta, në teoritë dhe sistemet teologjike dhe nuk e ndjejnë nevojën që t'i mësojë Zoti. Janë të aftë për ta kuptuar dhe shpjeguar Shkrimin Shenjt vetëm ata njerëz që kanë lidhje personale me burimin e urtisë. Ndonjëherë njerëzit me shkallë më të ulët shkollore dhe arsimore janë të thirrur ta predikojnë të vërtetën, jo për arsye se nuk janë të ditur por për arsye se nuk mbështeten tepër në veten dhe lejojnë që t'u prijë Zoti. Ata mësojnë në shkollën e Krishtit, ndërsa përkulja dhe dëgjueshmëria e tyre i bëjnë të mëdhenjë. Pasi që Zoti ua ka besuar njohjen e së vërtetës së vet ata e nderojnë në atë mënyrë, në krahasim me të cilën nderi dhe madhësitë botërore nuk janë asgjë. BZ 431.2

Shumë adventistë i kanë hudhur të vërtetat për shenjtëroren dhe ligjin e Zotit dhe shumë sish e kanë humbur besimin në lëvizjen adventiste duke pranuar mendime të gabueshme dhe kundërthënëse lidhur me profecitë që kanë të bëjnë me këtë vepër. Disa prej tyre kanë rënë në lajthitje kështu që përsëri e kanë përcaktuar kohën e ardhjes së dytë të Krishtit. Drita e cila tani ua ka ndriçuar çështjen e shenjtrores ka mundur të dëshmojë se asnjë kohë profetike nuk arrinë deri në ardhjen e dytë të Krishtit e që nuk është profetizuar qartë koha e kësaj ngjarje. Por duke ia kthyer shpinën kësaj drite ata kanë vazhduar edhe më tutje ta përcaktojnë kohën e ardhjes së Zotit dhe secilën herë janë dëshpruar. BZ 431.3

Kur kisha në Selanik i ka pranuar mendimet e gabueshme për ardhjen e sërishme të Krishtit, apostulli Pali i ka këshilluar që shpresat dhe pritjet e veta t'i analizojnë me kujdes në bazë të Fjalës së Zotit. Ai i ka njohtuar me ngjarjet e profetizuara të cilat duhet të plotësohen para ardhjes së Krishtit dhe u ka treguar se nuk kanë arsye ta presin Shpëtimtarin në kohën e tyre: “Mos lejoni t'ju gënjej kush në asnjë mënyrë” (2 Selanikasve 2,3) ka qenë vërejtja e tij. Në qoftë se do t'i mbështesnin pritjet të cilat nuk kanë themel biblik kjo do t'i shpiente në rrugë të gabueshme. Dëshprimi do t'i kishte futur në përqeshjen e të pafeve; do t'iu kishin ekspozuar rrezikut që të dekurajohen dhe të bien në sprova për të dyshuar në të vërtetat themelore që kanë të bëjnë me shpëtimin e tyre. Vërejtja e apostullit selanikasve e përmban një mësim të rëndësishëm për ata që jetojnë në ditët e fundit. Shumë adventistë kanë besuar se nuk mund të jenë të zotët dhe të zellshëm në veprën e përgatitjes në qoftë se besimin e tyre nuk e drejtojnë në kohën e caktuar të ardhjes së sërishme të Krishtit. Mirëpo, pasi që shpresat e tyre vazhdimisht shqetësoheshin për arsye se vinin nga frika që të mos shkatërroheshin përsëri, besimi i tyre në këtë mënyrë ka pësuar aso goditje sa që gati ka qenë e pamundshme që në ta të ndikojnë të vërtetat e mëdha të profecive. BZ 432.1

Predikimi i kohës së caktuar për gjyq në kohën e lajmit të parë engjëllor ka qenë sipas urdhërit të Zotit. Mbetet e pakontestueshme llogaritja e kohës profetike që do të ishte bazë e këtij lajmi dhe që e cakton mbarimin e 2300 ditëve në vjeshtën e vitit 1844. Përpjekjet e pandërprera për të gjetur datat e reja për fillimin dhe mbarimin e kohës profetike si dhe pohimet e papabazuara që kanë qenë të nevojshme për t'u dëshmuar qëndrimi i këtillë jo vetëm që i kthejnë mendimet nga të vërtetat aktuale por ia nënshtrojnë urrejtjes çdo përpjekje për t'u shpjeguar profecitë. Sa më shpesh që të caktohet data e ardhjes së sërishme dhe rrethit sa më të gjërë të njerëzve që i predikohet ky mësim kjo aq më mirë i përgjigjet qëllimeve të satanit. Sepse kur të kalojë koha, ai i ekspozon në përqeshje dhe urrejtje ithtarët e asaj ardhje duke i shkaktuar kështu turp lëvizjes së madhe adventiste të viteve 1833 dhe 1834. Ata që u qëndrojnë këtyre lajthitjeve më më fund do ta përcaktojnë datën e ardhjes së Krishtit e cila do të jetë shumë larg në ardhmëri. Në këtë mënyrë do të mashtrohen për t'u mbështetur në sigurinë e rrejshme dhe shumë njerëz atëherë do ta shohin se janë në lajthitje por do të jetë tepër vonë. BZ 432.2

Historia e Izraelit të vjetër është ilustrimi më i mirë i përvojave nëpër të cilat kanë kaluar adventistët. Zoti e ka shpënë popullin e tij në lëvizjen adventiste ashtu siç u ka prirë Izraelitëve për të dalur nga Egjipti. Në dëshprimin e madh është sprovuar besimi i tyre, ashtu siç është sprovuar besimi i hebrenjëve në detin e kuq. Në qoftë se edhe më tutje do t'i kishin besuar dorës e cila u ka prirë në përvojat e kaluara, do ta kishin parë shpëtimin nga Zoti. Sikur të gjithë ata që kanë punuar në lëvizjen e vitit 1844 ta kishin pranuar lajmin e tretë engjëllor dhe ta kishin shpallur me fuqinë e Shpritit Shenjt, Zoti do të kishte ndikuar fuqishëm përmes tyre, ndërsa vala e dritës do ta kishte përshkuar botën. Banorët e tokës do të kishin qenë të njohtuar para shumë vitesh, vepra do të ishte kryer, kurse Krishti tani më do të ishte ardhur për ta shpëtuar popullin e vet. BZ 433.1

Nuk ka qenë vullneti i Zotit që Izraeli të bridhte 40 vjet nëpër shketëtirë; Ai ka dëshiruar të drejtën ta sjellë në tokën e Kananit dhe atje ta vendosë së bashku me popullin e vet të shenjtë dhe të lumtur. Mirëpo ne e pamë “se nuk mund të hynin për shkak të pabesimit” (Hebenjëve 3,19). Për shkak të pabesimit të tyre dhe rënies së vazhdueshme vdiqën në shkretëtirë, kurse të tjerët ishin ngritur të hynin në tokën e premtuar. Gjithashtu nuk ka qenë vullnet i Zotit që ardhja e sërishme e Krishtit të zgjatë aq shumë dhe që populli i tij aq gjatë të mbetet në këtë botë mëkatare dhe me brenga. Mirëpo pabesimi i ndau prej Zotit. Kur refuzuan ta kryenin veprën e tyre të cilën Ai ua kishte besuar, u thirrën të tjerët që ta predikonin këtë lajm. Nga mëshira ndaj botës Krishti e shtyen ardhjen e tij në mënyrë që mëkatarët të kenë rast ta dëgjojnë vërejtjen dhe që në Atë ta gjejnë vendstrehimin para se t'i kaplojë mllefi i Zotit. BZ 433.2

Sot si dhe dikur shpallja e së vërtetës e cila i zhveshë mëkatet dhe lajthitjet e kohës së vet shkakton rrezistencë. “Vërtetë kushdo që e bën te keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tija.” (Gjoni 3,20) Shumë njerëz kur e shohin se pohimet e tyre nuk mund t'i argumentojnë me Shkrimin Shenjt, vendosin që t'i mbrojnë me çdo kusht dhe në mënyrë të inkriminuar i sulmojnë karakterin dhe motivet e atyre që ngriten per t'i mbrojtur të vërtetat jo të popullarizuara. Kështu ka qenë në të gjitha kohët. Elia ka qenë i akuzuar se po i përçan hebrenjët; Jeremiu se po i tradhton; Pali se po e përdhosë tempullin. Prej asaj kohe e deri më sot ata që kanë dëshiuar t'i mbeten besnik të vërtetës janë njollosur si rebelë, heretikë dhe të devijuar. Shumë njerëz që e kanë tepër të dobët besimin se mund ta pranojnë fjalën e sigurtë profetike, lehtë i besojnë akuzave kundër atyre që marrin guxim për t'i njohllosur mëkatet e popullit. Kjo frymë do të shtohet vazhdimisht. Bibla na mëson qartë se po afrohet koha kur ligjet shtetërore do të jenë në kundërshtim aq të madh me ligjet e Zotit sa që çdo njeri që do të dëshirojë t'u përmbahet të gjitha normave të Zotit do të duhet të jetë i gatshëm të përballet me turpin dhe me ndëshkimet si kriminel. BZ 433.3

Por, cila është detyra e lajmëtarit të së vërtetës duke e pasur parasysh të gjitha këto? Vallë a të konkludojë se e vërteta nuk bën të predikohet vetëm për arsye se veprimi i saj i shpeshtë i vetëm, është që njerëzit t'i nxisë të shmangen nga kërkesat e saja apo t'i kundërvehen? Jo, nuk ka të drejtë ta pengojë dëshminë e Fjalës së Zotit për arsye se ajo mund të shkaktojë kundërshti, ashtu siç nuk kanë guxuar të bëjnë as reformatorët e mëparshëm. Pranimi i fesë në të cilën janë dëshmuar martirët dhe shenjtët ka qenë i dobishëm për brezat e mëvonshëm. Shembujt e gjallë të shenjtërisë dhe të ndershmërisë së paluhtashme janë ruajtur për të kurajuar ata që tani janë të thirrur të ngriten si dëshmitarë për Zotin. Ata nuk e kanë pranuar mëshirën dhe të vërtetën vetëm për vete por që përmes tyre bota të ndriçohet duke e njohur Zotin. A ju ka dhënë Zoti në këtë brez dritë shërbëtorëve të vet? Atëherë le të lejojnë ata që ajo ta ndriçojnë botën. BZ 434.1

Në kohën e vjetër Zoti i ka thënë njërit i cili ka folur në emrin e tij: “Por shtëpia e Izraelit nuk do të dëgjojë sepse nuk duan të më dëgjojnë mua, sepse mbarë shtëpia e Izraelit është kokëfortë e zemërgur.” Mirëpo, Ai e ka thënë edhe këtë: “Ti tregoju fjalët e mija, le të dëgjojnë apo le të mos më dëgjojnë sepse janë njerëz kundërshtarë.” (Ezekieli 3,7; 2,7) Shërbëtorëve të Zotit në kohën tonë u perket edhe ky urdhër: “Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartëso zërin tënd shpallja popullit tim fjalët e tija, shtëpisë së Jakobit mekatet e tija.” (Isaia 58,1) BZ 434.2

Aq sa t'ia lejojnë rrethanat secili njeri që e ka njohur dritën e së vërtetës është para përgjegjësisë së njëjtë dhe të tmerrshme ashtu siç ka qenë profeti i Izraelit të ciiit i është dërguar fjala e Zotit: “Ty o biri i njeriut, unë të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin:—i paudh do të vdesish!, e ti nuk i thua që i paudhi të largohet nga udha e tij e mbrapsht ai do të vdesi në fajsinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por në qoftë se e qorton të paudhin që të kthehet nga rruga e ligë kurse ai nuk kthehet, ai do të vdes në fajësinë e vet por ti e ke shpëtuar jetën tënde.” (Ezekieli 33,7-9) BZ 434.3

Ajo që më tepër pengon në pranimin dhe përhapjen e së vërtetës është fakti se ajo është e lidhur me gjëra të pakëndshme dhe me përqeshje. Kjo është dëshmia e vetme kundër së vërtetës të cilën mbrojtësit e saj kurrë nuk kanë mundur ta përgnjeshtrojnë. Mirëpo kjo nuk u pengon ithtarëve të vërtetë të Krishtit. Ata nuk presin që e vërteta të bëhet e popullarizuar. Të bindur në obligimin e vet ata me vetëdije e marrin mbi vete kryqin dhe mendojnë me apostullin Palin “sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme pa krahasim më të madhe” (2 Korintasve 4,17), prandaj e mbajnë si njërin ndër profetët e vjetër “mundimin e Krishtit e çmoj pasuri më të madhe se visaret e Egjiptit sepse i kishte sytë të ngulur në shpërblim” (Hebrenjëve 11,26). BZ 435.1

Çfarëdo që të jetë besimi i tyre, shërbëtorët e botës janë ata që veprojnë me gjërat religjioze në bazë të mençurisë botërore dhe jo sipas parimeve të vërteta. Ne duhet ta zgjedhim atë që është e drejtë sepse është e drejtë kurse pasojat t'ia lëmë Zotit. Për reformat të mëdha bota duhet t'i falënderoj njerëzve të parimeve, të besimit dhe të guximit. Edhe në kohën tonë veprën e reformës do ta udhëheqin njerëzit e tillë. BZ 435.2

Kështu thotë: “Më dëgjoni ju që e njihni të drejtën, ti o popull qi ma ke në zemër Ligjin; mos e druani përqeshjen e njerëzve, mos u trembni nga fyeijet e tyre! Sepse ndërgjegjja do t'ju brejë si petkun, por si leshin krimbi do t'i brej kurse drejtësia e ime do të qëndrojë gjithherë, shpëtimi im brezni më brezni.” (Isaia 51,7.8) BZ 435.3