PATRIARKË DHE PROFETË

54/74

53—“GJYKATËSIT E HERSHËM”

*****

Pas vendosjes në tokën e Kanaanit, fiset e Izraelit nuk bënë ndonjë përpjekje serioze për të përfunduar pushtimin e plotë të tokës. Meqënëse ishin të kënaqur me territorin që kishin fituar, zelli i fillimit u venit, dhe kështu lufta përfundoi.“... Kur Izraeli u bë i fortë, i nënshtroi kanaanitët dhe i bëri robër, por nuk i dëboi plotësisht.” - Gjyqtarët 1:28.1 PPAlb 418.1

Nga ana e Tij, Zoti kishte përmbushur me besnikëri të gjitha premtimet e bëra Izraelit. Jozueu e kishte mposhtur fuqinë e kanaanitëve, dhe ua kishte shpërndarë territorin fiseve. E vetmja gjë që ngeli pa u bërë, duke patur besim në sigurinë e ndihmës hyjnore, ishte përfundimi i shpronësimit të plotë të banorëve të vendit. Por pikërisht këtë ata nuk e bënë. Duke hyrë në njëfarë bashkëjetese me kanaanitët, ata shkelën drejtpërsëdrejti urdhërin e Perëndisë, dhe në këtë mënyrë, ata dështuan në përmbushjen e kushtit që Ai kishte vendosur për ta me marrjen në dorëzim të territorit të Kanaanit. PPAlb 418.2

Që prej komunikimit më të parë që Perëndia pati me ta në Malin Sinai, ata ishin paralajmëruar kundër idhujtarisë. Menjëherë pas shpalljes publike të ligjit, atyre iu dërgua një mesazh nga Moisiu në lidhje me kombet e Kanaanit. “Nuk do përkulesh para perëndive të tyre, dhe nuk do t’u shërbesh. Nuk do të bësh atë që bëjnë ata; por do t’i shkatërrosh plotësisht dhe do t’i thyesh shtyllat e tyre. Shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, Ai do të bekojë bukën tënde dhe ujin tënd; dhe Unë do të largoj sëmundjen nga ti.” - Eksodi 23:24, 25. Ata u siguruan se për sa kohë që ata u përmbaheshin urdhërimeve të Perëndisë, Ai kishte për t’i mposhtur të gjithë armiqtë përpara tyre. “Unë do të dërgoj para teje tmerrin tim dhe do të shkatërroj çdo popull pranë të cilit do të arrish, do të bëj që të gjithë armiqtë e tu të të kthejnë kurrizin. Dhe do të dërgoj para teje grerëza, që do t’i përzënë Hivitët, Kanaanitët dhe Hititët para syve të tu. Nuk do t’i përzë ata para teje brenda një viti, me qëllim që vendi të mos kthehet në një shkrerëtirë dhe kafshët e fushave të mos shumëzohen kundër teje. Do t’i përzë para teje pak e nga pak, në mënyrë që ti të rritesh në numër dhe të shtiesh në dorë vendin. Dhe unë do t’i caktoj kufijtë e tu nga Deti i Kuq në detin e filistinëve dhe nga shkretëtira deri te Lumi; sepse unë do të lë në duart e tua banorët e vendit dhe ti do t’i dëbosh para syve të tu. Nuk do të lidhësh asnjë aleancë me ta, as edhe me perënditë e tyre. Ata nuk do të banojnë në vendin tënd, që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër Meje: ndryshe ti do t’u shërbeje perëndive të tyre, dhe kjo do të ishte një lak për ty.” - Eksodi 23:27-33. Këto udhëzime u përsëritën edhe një herë në mënyrën më solemne nga Moisiu përpara se të vdiste, dhe madje edhe një herë tjetër nga Jozueu. PPAlb 418.3

Perëndia e kishte vendosur popullin e Tij në Kanaan si një mur i fortë mbrojtës i cili do të ndalte valën e fëlliqësisë dhe imoralitetit, që këto të fundit të mos e përmbytnin edhe një herë tokën. Në rast se ata do të qëndronin besnikë, synimi i Perëndisë për izraelitët ishte që ata të zgjeronin territorin e tyre duke mposhtur vazhdimisht armiqtë. Ai do t’u kishte dhënë në dorë kombe edhe me të mëdhenj ë më të fuqishëm se kanaanitët. Premtimi ishte: “Sepse, në qoftë se ju i respektoni me kujdes të gjitha urdhërimet që Unë ju urdhëroj të zbatoni në praktikë, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij dhe duke qenë të lidhur ngushtë me të, Zoti do të dëbojë para jush të gjitha kombet dhe ju do të shtini në dorë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ju. Çdo vend që do të shkelë këmba juaj, do të jetë juaji; kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban, dhe nga lumi, lumi Eufrat, deri në detin perëndimor. Askush nuk do të jetë në gjendje t’ju bëj ballë; Zoti, Perëndia juaj, ashtu siç ju tha, do të përhapë frikën dhe tmerrin për ju në të gjithë vendin që ju do të shkelni.” - Ligji i Përtërirë 11:22-25. Por pavarësisht nga ky prospekt i artë, ata zgjodhën rrugën më të lehtë dhe vetë-kënaqësinë; ata i neglizhuan krejtësisht mundësitë që kishin për të përfunduar pushtimin e territorit; dhe për breza me rradhë ata u munduan nga pasardhësit e popujve idhujtarë që ata kishin toleruar. Siç ishte parashikuar edhenga profeti, ato kombe u bënë si “hala” në sy dhe “gjemba” në trup për izraelitët. Numrat 33:55. PPAlb 419.1

Kështu, Izraelitët “u përzien midis popujve (paganë) dhe mësuan veprat e tyre.” - Psalmi 106:35. Ata kryen martesa të përziera me kanaanitët, dhe idhujtaria u përhap si një murtajë anembanë vendit. “Ata u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, dhe derdhën gjak të pafajshëm, ... për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u fëlliqën me aktet e tyre. Dhe zemërimi i Zotit u ndez aq shumë kundër popullit të Tij, sa Ai ndjeu neveri për trashëgimtarët e Tij.” - Psalmi 106:36-40. PPAlb 419.2

Deri kur ai brez që kishte marrë udhëzimet nga Jozueu u zhduk nga faqja e dheut, idhujtaria nuk para bëri ndonjë përparim të madh; por prindërit kishin përgatitur rrugën për apostazinë e fëmijëve të tyre. Mospërfillja nga ana e tyre e kufizimeve që u kishte vënë Zoti atyre që morën në zotërim tokën e Kanaanit, mbolli fara ligësie të cilat çelën frute nga më të këqijat për shumë breza në vazhdim. Zakonet e thjeshta të hebrenjve u kishin siguruar këtyre të fundit shëndet të mirë fizik; por shoqërimi me paganët bëri që ata t’u jepeshin epsheve dhe grykësive të cilat gradualisht e ulën forcën e tyre fizike si dhe i dobësuan aftësitë e tyre mendore dhe morale. Kështu, izraelitët u ndanë edhe një herë nga Perëndia për shkak të mëkateve të tyre; për rrjedhojë, forca e Tij u largua prej tyre, dhe ata nuk arrinin dot më që t’i përballonin armiqtë. Kështu, ata u bënë skllevër të po atyre kombeve që ata njëherë mund t’i kishin zaptuar me ndihmën e Perëndisë. PPAlb 419.3

“ata e braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti,” dhe i “kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.” PPAlb 419.4

“Ata provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre. Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin. Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve; dhe e la forcën e Tij të bjerë rob dhe lavdinë e Tij në dorë të armikut.” - Gjyqtarët 2:12a; Psalmi 78:52, 58-61. Megjithatë, Perëndia nuk e braktisi plotësisht popullin e Tij. Kishte një mbetje, një përqindje e vogël e popullsisë të cilët i qëndruan besnikë Zotit Perëndi; dhe herë pas here Zoti ngrinte burra besnikë dhe trima për të shkatërruar idhujtarinë dhe për t’i shpëtuar izraelitët nga armiqtë përreth. Por pasi shpëtimtari vdiste, dhe populli nuk ishte më nën autoritetin e tij, dalë ngadalë rrëshqiste sërish në drejtim të idhujve. Kështu, historia e shkeljeve dhe ndëshkimeve, e rrëfimeve dhe shpëtimit, përsëritej sërish e sërish. PPAlb 419.5

Sipas rradhës, Mbreti i Mesopotamisë, mbreti i Moabit, dhe pas tyre, filistinët, dhe kanaanitët e Hazorit, të drejtuar nga Sisera, u bënë sundues mbi Izraelin. Othnieli, Shamgari, si dhe Ehudi, Debora, dhe Baraku, u ngritën si shpëtimtarë të popullit. Por përsëri, “fëmijët e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; dhe Zoti i dorëzoi në duart e Madianit shtatë vjet me radhë.” - Gjyqtarët 6:1. Deri në këtë kohë, dora e sunduesve kishte qenë e lehtë mbi fiset që banonin në lindje të Lumit Jordan, por në këtë katastrofë të rradhës, ata ishin të parët që u goditën. PPAlb 420.1

Amalekitët në jug të Kanaanit, si dhe midianitët në kufirin lindor, dhe në shkretëtirat e mëtejshme, vazhdonin të mbeteshin armiq të pamëshirshëm të Izraelit. Në fakt, midianitët ishin shkatërruar pothuajse krejtësisht nga izraelitët në kohën e Moisiut, por që nga ajo kohë e kishin marrë veten, ishin rritur shumë në numër dhe fuqi. Duke qenë të etur për hakmarrje, midianitëve u erdhi kjo mundësi kur dora mbrojtëse e Perëndisë u largua nga Israeli. Jo vetëm fiset që banonin në lindje të Jordanit, por mbarë vendi vuajti si pasojë e plaçkitjeve të midianitëve. Banorët e egër dhe të ashpër të shkretëtirës, duke qenë “të shumtë si karkalecat” (- Gjyqtarët 6:5), vërshuan mbi tokën e izraelitëve me të gjitha kopetë e bagëtive të tyre. Si një murtajë gllabëruese, ata u shpërndanë anëmbanë vendit, prej Lumit Jordan deri në ultësirën filistinase. Ata erdhën në kohën kur sapo kishin filluar korrjet, dhe qëndruan deri sa ishin vjelur edhe frutet më të fundit të tokës. Ata zhveshën fushat nga prodhimet e tyre dhe grabitën e keqtrajtuan banorët dhe pastaj u kthyen sërish për në shkretëtirë, prej nga kishin ardhur. Kështu, ata izraelitë që banonin në vendet fushore u detyruan të braktisnin shtëpitë dhe të akomodoheshin brenda qyteteve të rrethuara me mure, duke kërkuar strehë nëpër kështjella, ose në rastin më të keq, nëpër shpella dhe qëndresa shkëmbore mes maleve. Kjo shtypje zgjati shtatë vjet, dhe atëherë, pasi populli, i dëshpëruar në kulm, ia vuri veshin qortimit të Zotit, dhe i rrëfeu mëkatet, Perëndia thirri edhe një herë tjetër një ndihmës për ta. PPAlb 420.2

Gideoni ishte biri i Joashit, nga fisi i Manasehut. Ndarja të cilit i përkiste kjo familje nuk kishte ndonjë pozitë udhëheqëse, por shtëpia e Joashit dallohej për kurajon dhe integritetin që kishte treguar. Për djemtë e tij trima është thënë, “Secili prej tyre ngjante si fëmijë të një mbreti.” Por të gjithë, përveç njërit, kishin rënë në betejat kundër midianitëve, dhe emri i tij në fakt shkaktonte frikë mes pushtuesve. Thirrja hyjnore për të shpëtuar popullin e vet i erdhi Gideonit.Në kohën kur ndodhi kjo, ai po merrej me shkundjen e grurit. Një sasi e vogël gruri ishte fshehur, dhe duke mos guxuar që ta rrihte grurin në dyshemenë e posaçme për këtë gjë, Gideoni kishte shkuar në një vend të fshehur pranë shtrydhëses së rrushit; sepse, meqë sezoni për vjeljen e rrushit vinte shumë më vonë, armiqtë nuk u kushtonin ndonjë rëndësi vreshtave. Ndërkohë që Gideoni punonte fshehurazi dhe në heshtje, ai reflektonte me trishtim mbi situatën në të cilën ishte katandisur Izraeli, dhe vriste mendjen se si mund të thyhej zgjedha e sunduesve nga kurrizi i popullit. PPAlb 420.3

Papritur, “Engjëlli i Zotit” u shfaq dhe iu drejtua me këto fjalë, “Zoti është me ty, o luftëtar trim.” - Vargu 12. PPAlb 421.1

“O imzot,” u përgjigj Gideoni, “në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na kanë ndodhur tërë këto? Dhe ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: ‘A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?.’ Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka dorëzuar në duart e midianitëve.” - Vargu 13. PPAlb 421.2

Lajmëtari i qiellit iu përgjigj, “Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e midianitëve. A nuk jam Unë që po të dërgoj?” PPAlb 421.3

Gideoni dëshironte një shenjë që ai me të cilin po bashkëbisedonte ishte Engjëlli i Besëlidhjes, i cili në kohërat e shkuara kishte punuar për Izraelin. Engjëjt e Perëndisë, të cilët bashkëbiseduan me Abrahamin, ishin vonuar në një rast, për të pranuar mikpritjen e tij; dhe Gideoni kësaj rradhe iu lut Lajmëtarit hyjnor që të rrinte si i ftuar. Ai vrapoi me nxitim drejt çadrës dhe përgatiti nga ajo që i gjendej një kec dhe kuleçë pa majá, të cilat i solli dhe i vendosi përpara Atij. “Por Engjëlli i tha, “Merre mishin dhe kuleçët pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit.” - Vargu 20. Gideoni bëri siç iu tha, dhe pastaj shenja që kishte dëshiruar aq shumë iu dha: me bastunin në dorë, Engjëlli preku mishin dhe kuleçët pa majá dhe një flakë që doli nga shkëmbi e konsumoi plotësisht flijimin. Pastaj Engjëlli u zhduk sa hap e mbyll sytë. PPAlb 421.4

Babai i Gideonit, Joashi, i cili, mjerisht, kishte marrë pjesë në apostazinë e bashkëkombasve të tij, kishte ngritur në Ofrah (qytet i fisit të Manasehut) një altar të madh kushtuar perëndisë së rreme të Baalit, tek i cili banorët e qytetit vinin për të adhuruar. Gideoni mori urdhër (nga Zoti) që të shkatërronte këtë altar dhe të ndërtonte një Altar për Zotin Perëndi të Izraelit (Jahve-in) mbi shkëmbin ku ishte konsumuar oferta që kishte bërë, dhe të paraqiste një flijim për Zotin.Ofrimi i flijimit për Perëndinë i ishte mirëbesuar priftërinjve, dhe ishte kufizuar vetëm me altarin e Shilohut; por Ai që e krijoi këtë shërbesë rituale, dhe Ai, tek i cili të gjitha këto oferta tregonin, kishte pushtetin që të ndryshonte kriteret. Çlirimi i Izraelit duhej të paraprirej nga një protestë solemne kundër adhurimit të perëndisë së rreme të Baalit. Gideoni duhet t’i shpallte luftë idhujtarisë përpara se të dilte në betejë kundër armiqve të popullit të tij. PPAlb 421.5

Udhëzimi hyjnor u realizua me besnikëri. Duke e ditur se do të haste në kundërshtime po ta bënte këtë hapur, Gideoni e kreu këtë punë fshehurazi; me ndihmën e shërbëtorëve, duke e mbaruar tërësisht brenda natës. Zemërimi i banorëve të Ofrahut ishte i madh, kur erdhën në mëngjes për të bërë homazhet para idhullit të Baalit. Ata do ta kishin vrarë Gideonin po të mos ishte për Joashin—i cili ishte njoftuar rreth vizitës së Engjëllit—dhe mbrojtjen që i bëri të birit. “Ju doni ta mbroni çështjen e Baalit”, tha Joashi, “A do ta ndihmoni atë? Ai që do të kërkojë të mbrojë çështjen e tij do të vritet para mëngjesit të ditës së nesërme. Në rast se ai është një perëndi (i vërtetë), le ta mbrojë vetë çështjen e tij, sepse i kanë shembur altarin e tij.” - Vargu 31. Thënë ndryshe, në qoftë se Baali nuk arriti të mbronte vetë altarin e tij, si mund të kihet besim tek ai se ka për të mbrojtur adhuruesit e tij? PPAlb 421.6

Pas kësaj, të gjitha përpjekjet e dhunshme kundër Gideonit morën fund; dhe kur ky i fundit tingëlloi trumpetën e luftës, burrat e Ofrahut ishin nga të parët që ia bashkuan flamurit të tij. Lajmëtarë u dërguan anembanë fisit të vet (Manasehut), si dhe atyre të Asherit, Zebulunit dhe Naftalit, dhe të gjithë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së tij. PPAlb 422.1

Gideoni nuk guxoi që ta vendoste veten në krye të ushtrisë pa patur evidencë të mëtejshme se Perëndia e kishte thirrur për ta bërë këtë vepër dhe se do të qëndronte me të. Ai u lut, “Në rast se ke ndër mend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë, ja, unë do të vë një gëzof prej leshi te lëma: në rast se do të ketë vesë vetëm mbi gëzofin dhe gjithë vendi rreth e qark do të mbetet i thatë, atëherë do të kuptoj se ke ndërmend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, ashtu siç ke thënë.” - Vargjet 36, 37. Në mëngjes, gëzofi ishte qullë me ujë, ndërsa toka ishte e thatë. Por tashmë i lindi dyshimi, meqënëse leshi e thith natyrshëm lagështirën kur kjo e fundit gjendet në ajër; kështu që testi nuk ishte plotësisht i mjaftueshëm. Kështu, ai kërkoi që të ndodhte dukuria e kundërt, (gëzofi i thatë, toka e lagësht), pasi iu përgjërua Zotit që të mos zemërohej nga kjo kërkesë e tillë. Kërkesa iu pranua edhe kësaj rradhe. PPAlb 422.2

Kështu, i mbushur plot me inkurajim, Gideoni udhëhoqi forcat në betejë kundër pushtuesve. “Të gjithë midianitët, amalekitët dhe banorët e lindjes ishin mbledhur së bashku, dhe kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jezreelit.” - Vargu 33. Ndërkohë, ushtria e komanduar nga Gideoni numëronte vetëm tridhjetë e dy mijë burra; por me ushtrinë e stërmadhe armike të shtrirë nga të katra anët, fjala e Zotit erdhi tek Gideoni; “Për mua n jerëzit që janë me ty janë tepër të shumtë, që unë t’u jap midianitët në duart e tyre; ndryshe, Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: ‘Eshtë dora ime ajo që më ka shpëtuar.’ Prandaj shpalli tërë popullit, duke i thënë: ‘Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Gileadit’.” - Gjyqtarët 7:2, 3. Në këtë mënyrë, ata që nuk ishin të gatshëm që të përballeshin me rreziqe dhe vështirësi, apo interesat meskine të të cilëve ua largonin zemrat nga vepra e Perëndisë, nuk mund t’i shtonin as forcën më të vogël ushtrive të Izraelit. Prania e tyre do të shkaktonte vetëm dobësi. PPAlb 422.3

Ekzistonte një ligj i tillë në Izrael që përpara se luftëtarët të niseshin për betejë, shpallja e mëposhtme duhet të bëhej anembanë ushtrisë: ” ‘A ka njeri që ka ndërtuar një shtëpi të re dhe ende nuk e ka përuruar? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpinë e tij, që të mos vdesë gjatë betejës dhe një tjetër të përurojë shtëpinë e tij. A ka njeri të ketë mbjellë një vresht dhe të mos ketë shijuar akoma frutet e tij? Le të shkojë e të kthehet në shtëpi të tij, që të mos vdesë gjatë betejës dhe një tjetër të gëzojë frytet e tij. A ka njeri që është fejuar me një femër dhe nuk e ka marrë akoma me vete? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që të mos vdesë në betejë dhe një tjetër ta marrë atë.’ Pastaj oficerët do t’i flasin akoma popullit, duke i thënë: ‘A ka ndonjë që ka frikë dhe të cilit i mungon guximi? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që guximi i vëllezërve të tij të mos mehet ashtu si i ndodhi atij”.’ - Ligji i Përtërirë 20:5-8. PPAlb 422.4

Meqënëse numri i luftëtarëve që Gideoni kishte në dispozicion ishte shumë i vogël në krahasim me armikun, ai nuk e kishte bërë shpalljen e sipërpërmendur. Ai në fakt u habit shumë kur Zoti deklaroi se ushtria e tij ishte tepër e madhe në numër. Por Zoti shihte krenarinë dhe mosbesimin që ekzistonte ende në zemrat e popullit të Tij. Të nxitur nga apeli energjik i Gideonit, ata ishin rekrutuar menjëherë; por shumë prej tyre u drodhën nga frika kur panë turmat e stërmëdha të midianitëve. Gjithsesi, në rast se Izraeli do të kishte triumfuar në këtë gjendje, këta ushtarë frikacakë do ta kishin marrë lavdinë për vete dhe nuk do t’ia atribuonin fitoren Perëndisë. PPAlb 423.1

Gideoni iu bind udhëzimit të Zotit, dhe me një zemër të rënduar, ai pa plot njëzet e dy mijë, ose më shumë se dy të tretat e forcave të tij, të cilët u larguan për në shtëpi. Edhe një herë fjala e Zotit erdhi tek ai: “Njerëzit janë përsëri shumë; bëji të zbresin në ujë dhe atje do t’i vë në provë për ty. Ai për të cilin do të them: ‘Ky të vijë me ty,’ ka për të ardhur me ty; dhe ai për të cilin do të them: ‘Ky mos të vijë me ty, nuk ka për të ardhur’.” - Gjykatësit 7:4. Kështu, njerëzve iu tha të zbritnin pranë bregut të lumit, duke kujtuar se do të kryenin një sulm të papritur ndaj armikut. Disa syresh, në nxitim e sipër, merrnin pak ujë me duar dhe e thithnin ndërsa vazhdonin rrugën; por pothuajse të gjithë u ulën në gjunjë, në mënyrë që të pinin rehat nga sipërfaqja e burimit. Ata që morën ujë në duar ishin treqind nga dhjetë mijë veta që kishin ngeluar; gjithesi, vetëm këta të treqindtë u zgjodhën; të gjithë të tjerët u lejuan që të ktheheshin në shtëpi. PPAlb 423.2

Karakteri i njeriut vihet në provë me anë të mjeteve më të thjeshta. Ata që në kohë të vështirë e kishin mendjen ende që të plotësonin dëshirat e tyre nuk ishin ata lloj burrash tek të cilësh mund të mbështeteje në rast emergjence. Zoti nuk ka vend në punën e Tij për përtacët dhe qylexhinjtë. Njerëzit e preferuar nga Zoti ishin ata të cilët nuk i lejuan dëshirat e tyre që t’i vononin në kryerjen e detyrës së ngarkuar. Ata treqind burra që u zgjodhën, jo vetëm që zotëronin kurajo dhe vetë-kontroll, por mbi të gjitha, ata ishin njerëz të besimit. Ata nuk e kishin ndotur veten asnjëherë me idhujtari. Perëndia mund t’i drejtonte ata fare mirë, dhe nëpërmjet tyre Ai mund të realizonte çlirimin e Izraelit. Suksesi nuk varet nga numrat. Perëndia mund të çlirojë me anë të disave ashtu siç mund të çlirojë me anë të shumëve. Ai nuk nderohet aq shumë nga numrat e mëdhenj se sa nga karakteri i atyre që i shërbejnë Atij. PPAlb 423.3

Izraelitët ishin vendosur në rrëzën e një kodre përbri luginës ku ishin vendosur ushtritë e pushtuesve. “... Midianitët, amalekitët dhe tërë banorët e lindjes ishin shpërndarë në luginë si një mori karkalecash dhe devetë e tyre të panumërta ishin si rëra që ndodhet mbi bregun e detit.” - Gjykatësit 7:12. Gideoni u shqetësua për betejën e së nesërmes. Por Zoti i foli gjatë periudhës së natës dhe e porositi që, së bashku me Furahun, shoqëruesin e tij personal, të zbriste në kampin e midianitëve, duke aluduar se atje ai kishte për të dëgjuar diçka që do ta inkurajonte. Gideoni u nis, dhe duke pritur në errësirë e në heshtje, ai dëgjoi një ushtar armik që po i tregonte një ëndërr shokut të tij: “Dëgjo, sapo pashë një ëndërr; më dukej sikur kisha përpara një bukë prej elbi që rrokullisej në drejtim të kampit të Midianit, dhe arrinte në çadër dhe e godiste duke e përmbysur dhe duke e rrëzuar çadrën.” - Vargu 13. Ushtari tjetër u përgjigj me fjalë që e ngrohën pa masë zemrën e dëgjuesit të padukshëm (Gideonit), “Kjo nuk është tjetër veçse shpata e Gideonit, birit të Joashit, burrë i Izraelit; në duart e tij Perëndia e ka dorëzuar ushtrinë e Midianit dhe tërë kampin.” - Vargu 14. Gideoni e njohu zërin e Perëndisë që po i fliste nëpërmjet bisedës së këtyre dy ushtarëve midianitë. Pasi u kthye tek ata pak njerëz që kishte nën komandë, ai u tha, “Çohuni se Zoti ju ka dorëzuar në duart tuaja kampin e Midianit!” - Vargu 15b. PPAlb 423.4

Me anë të një udhëzimi hyjnor, Gideonit iu sugjerua një plan sulmi të cilin ai e ekzekutoi menjëherë. Treqind luftëtarët izraelitë u ndanë në tre kompani. Çdo luftëtari iu dha një trumpetë, dhe një pishtar të fshehur brenda një ene boshe prej argjile. Luftëtarët u rreshtuan në një mënyrë të tillë që t’i përqaseshin kampit midianit nga të katra anët. Në kulmin e natës, pas sinjalit që Gideoni dha me trumpetën e tij të luftës, të treja kompanitë dhe i ranë trumpetave; dhe pastaj, pasi thyen enët prej argjile të cilat fshihnin pishtarët e ndezur, ata iu vërsulën armikut duke thërritur me të madhe për t’i tmerruar, “shpata e Zotit, dhe e Gideonit!” - Vargu 20. PPAlb 424.1

Ushtria armike që po flinte u zgjua papritur. Nga të katra anët vihej re drita e pishtarëve të ndezur. Në të gjitha drejtimet dëgjohej zhurma e trumpetave, e shoqëruar me britmat e sulmuesve izraelitë. Duke pandehur se kishin rënë prë e një force shumë më supëriore, midianitët i kapi keq paniku. Me britma të çmendura alarmi ata ia mbathën me të katra, dhe duke i marrë bashkëluftëtarët për armiq, ata iu hodhën njëri-tjetrit për vdekje. Ndërsa u përhap lajmi i fitores, mijëra prej atyre burrave izraelitë që ishin liruar ng adetyra për t’u kthyer në shtëpitë e tyre u kthyen dhe u bashkuan me Gideonin në ndjekje të armiqve që po vraponin të tmerruar. Midianitët në fakt kishin marrë rrugën në drejtim të Lumit Jordan, duke shpresuar të mbërrinin në territorin e tyre, përtej lumit. Gideoni dërgoi lajmëtarë tek fisi i Efraimit, duke u bërë atyre thirrje që t’u zënin rrugën ikanakëve në vatë e lumenjve jugore. Ndërkohë, së bashku më treqind burrat, të cilët, “megjthëse të lodhur, vazhdonin ta ndiqnin armikun,” (- Gjykatësit 8:4) Gideoni e kaloi lumin me vështirësi pas atyre që kishin fituar që më përpara anën e përtejme. Dy princat midianitë, Zebah dhe Zalmuna, të cilët kishin udhëhequr të gjithë ushtrinë, dhe që kishin shpëtuar me një ushtri prej pesëmbëdhjetë mijë vetash, u parakaluan nga Gideoni. Ushtria e tyre u shkërmoq plotësisht, ndërsa dy princat u kapën rob dhe u vranë. PPAlb 424.2

Në këtë humbje të konsiderueshme, u vranë jo më pak se njëqind e njëzet mijë ushtarë pushtues. Fuqia e midianitëve u thye aq keq saqë atga kurrë nuk e morën dot veten që t’i shpallnin luftë përsëri Izraelit. Lajmi i fitores u përhap shumë shpejt ngadokudo, se Perëndia i Izraelit kishte luftuar sërish për populllin e Tij. Fjalët nuk mund të përshkruajnë dot tmerrin e kombeve përreth kur mësuan se si një manovër e thjeshtë kishte mposhtur fuqinë e një populli guximtar dhe luftarak siç ishin midianitët. PPAlb 424.3

Udhëheqësi që u zgjodh prej Perëndisë për të mposhtur midianitët nuk mbante asnjë pozitë të lartë (prominente) në Izrael. Ai nuk ishte as drejtues, as prift dhe as levit. Ai e konsideronte veten si më të parëndësishmin në shtëpinë e atit të tij. Por Perëndia pa tek Gideoni një burrë me kurajo dhe integritet. Ai nuk kishte besim të tepruar tek vetja, ndërkohë që ishte i gatshëm që të ndiqte udhëheqjen e Zotit. Perëndia nuk zgjedh përherë për punën e Tij njerëzit me talentet më të spikatura, por Ai zgjedh ata që mund t’i përdorë sa më mirë. “Përpara nderit vjen përulësia.” - Fjalët e Urta 15:33. Zoti mund të punojë me efikasitet të plotë nëpërmjet atyre që janë më të ndjeshëm ndaj dobësive, si dhe atyre që do të mbështeten tek Ai si udhëheqës i tyre dhe si burim force. Ai ka për t’i bërë të fortë, duke bashkuar dobvësitë e tyre me forcën e Tij, dhe të mënçur duke lidhur mosdijen e tyre me mençurinë e Tij. PPAlb 424.4

Në qoftë se ata do të kishin treguar përulësi të vërtetë, Zoti mund të kishte bërë shumë më tepër për popullin e Tij; por shumë pak njerëzve mund t’u besohet një masë e madhe përgjegjësie apo suksesi ngaqë shumva prej tyre bëhen tepër euforikë dhe e harrojnë varësinë e tyre tek Perëndia. Kjo është arësyeja që kur Zoti zgjedh mjetet dhe personat e duhur për punën e Tij, Ai anashkalon ata njerëz të cilët nderohen nga bota si madhështorë, të talentaur dhe të shkëlqyer. Në shumicën e rasteve ata janë arrogantë dhe kryelartë. Ata madje nuk e kanë fare problem që të veprojnë për gjithçka me kokën e tyre, pa u konsultuar fare me Perëndinë. PPAlb 425.1

Ai veprim i thjeshtë i rënies së trumpetës nga ushtria e Jozueut përqark Jerikos, si dhe nga çeta e vogël e Gideonit midis hordhive të Midianit, pati efikasitet të lartë për shkak të fuqisë së Perëndise dhe mundësoi thyerjen e fuqisë së armiqve të Tij. Pa përfshirjen e fuqisë dhe mençurisë së Perëndisë, edhe sistemi më i kompletuar e i përsosur që ka hartuar ndonjëherë njerëzimi ka për të dështuar keqazi. Nga ana tjetër, metodat më modeste kanë për të pasur sukses kur marrin pëlqimin e Perëndisë dhe zbatohen me përulësi dhe besim. Besimi tek Perëndia dhe përmbajtja ndaj vullnetit të Tij janë po aq të domosdoshme për besimtarët e krishterë në betejën frymërore, sa ç’ishin për Gideonin dhe Jozueun në betejat që zhvilluan me kanaanitët. Me anë të manifestimeve të përsëritura të fuqisë së Tij në emër të Izraelit, Perëndia dëshironte ta nxiste popullin që të kishte besim tek Ai—me konfidencën për të kërkuar ndihmë prej Tij në çdo lloj situate emergjente. Perëndia është mëse i gatshëm që të punojë me përpjekjet e popullit të Tij në ditët e sotme (Izraelin frymëror) dhe të kryejë gjëra madhështore nëpërmjet njerëzve të dobët. Gjithë qielli pret nga ne që të kërkojmë mençuri dhe forcë nga lart. Perëndia është “në gjendje që të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë.” - Efesianët 3:20. PPAlb 425.2

Pasi Gideoni u kthye nga ndjekja e armiqve të kombit, atij iu desh të përballej me kritika dhe akuza nga më të ndryshmet nga vetë bashkëkombasit e tij. Kur burrat e Izraelit i ishin përgjigjur apelit të tij për të luftuar kundër midianitëve, fisi i Efraimit nuk ishte prononcuar. Ata e panë këtë përpjekje si një ndërmarrje tepër të rrezikshme; dhe meqënëse Gideoni nuk u dërgoi lajmëtarë të posaçëm, ata e përdorën këtë si justifikim për mospjesëmarrje në luftë së bashku me bashkëkombasit e tyre. Por kur ata morën vesh lajmin për triumfin e Izraelit, efraimitët u bënë xhelozë ngaqë nuk kishin marrë pjesë në këtë fitore. Pas shpartallimit të midianitëve, burrat e Efraimit, me urdhër të Gideonit, kishin zaptuar vatët e lumit Jordan, duke penguar kështu arratisjen e midianitëve. Për rrjedhojë, u vra një numër i konsiderueshëm i ushtrisë armike, ndërmjet të cilëve ishin edhe dy princat, Oreb dhe Zeeb. Pra, luftëtarët efraimitë më në fund u përfshinë në betejë dhe ndihmuan në arritjen e fitores përfundimtare. Megjithatë, ata ishin ziliqarë e të zemëruar, a thua se Gideoni kishte vepruar sipas vullnetit dhe gjykimit të vet. Ata nuk e dalluan dot dorën e Perëndisë në triumfin e Izraelit, ata nuk e vlerësuan fuqinë dhe mëshirën e Tij në çlirimin e vendit; dhe ky fakt i bëri ata të padenjë që të zgjidheshin si bashkëpunëtorë të posaçëm të Tij. PPAlb 425.3

Pasi u kthyen me trofetë e fitores, ata e kritikuan ashpër Gideonin, “Përse je sjellë në këtë mënyrë me ne, duke mos na thirrur kur shkove të luftosh kundër midianitëve?” - Gjyqtarët 8:1. PPAlb 426.1

“Por çfarë kam bërë unë në krahasim me ju?” tha Gideoni. “A nuk është vallë grumbullimi i rrushit të Efraimit më të mira se vjelja e Abiezerit? Perëndia ju ka dorëzuar në dorë princat e Midianit, Orebin dhe Zeebin; dhe çfarë mund të bëja unë në krahasim me ju?” - Gjyqtarët 8:2. PPAlb 426.2

Fryma e xhelozisë mund të ishte shndërruar lehtësisht në një grindje që mund të kishte shkaktuar përleshje dhe gjakderdhje; por përgjigja modeste e Gideonit e zbuti zemërimin e burrave efraimitë, dhe këta të fundit u kthyen në paqe në shtëpitë e tyre. Duke qenë i vendosur dhe i papërkulur kur bëhej fjalë për parime, dhe një “luftëtar i fuqishëm dhe trim” në situatë lufte, Gideoni gjithashtu tregoi një frymë modestie dhe mirësjelljeje të pashembullt. PPAlb 426.3

Populli i Izraelit, në shenjë mirënjohjeje për çlirimin nga midianitët, i bënë thirrje Gideonit që të bëhej mbreti i tyre, dhe që froni i tij t’u konfirmohej pasardhësve të tij. Ky propozim dhunonte drejtpërsëdrejti parimet e teokracisë (pra, sistemit shoqëroro-politik në të cilin Perëndia (Greqisht: theós) konsiderohej sovran absolut mbi popullin). Perëndia ishte mbreti i Izraelit, dhe të vendosje një burrë në fronin mbretëror do të nënkuptonte mohim ndaj Sovranit Hyjnor. Gideoni e kuptoi mjaft mirë këtë fakt; dhe përgjigja e tij tregon se sa të vërteta e të hijshme ishin motivet e tij. “Unë nuk do të mbretëroj mbi ju,” u përgjigj ai; “as biri im nuk do të mbretërojë mbi ju: Zoti do të mbretërojë mbi ju!” - Vargu 23. PPAlb 426.4

Por Gideoni u gënjye në një gabim tjetër, i cili do të sillte katastrofën si për shtëpinë e tij dhe mbarë Izraelin. Periudha e pasivitetit (mosveprimit) që vjen pas një lufte të lodhshme, shpesh druhet si më e rrezikshme se sa vetë situata e konfliktit. Gideoni ishte i ekspozuar ndaj këtij rreziku. Atë e kishte zënë një frymë ankthi. Deri në këtë moment ai i kishte kryer me zell e kënaqësi të gjitha porositë e dhëna nga Perëndia; por tani, në vend që të priste për udhëzime të mëtejshme hyjnore, ai filloi të bëjë plane për veten. Atëherë kur ushtritë e Zotit kanë fituar një fitore mashështore, Satani ka për t’i dyfishuar përpjekjet e tij për të përmbysur punën e Perëndisë. Kështu, mendime dhe plane iu sugjeruan mendjes së Gideonit, me anë të të cilave populli i Izraelit mori veten në qafë. PPAlb 426.5

Meqënëse ishte urdhëruar më parë që të ofronte flijimin mbi shkëmbin ku i ishte shfaqur Engjëlli, Gideoni doli në përfundimin se ai vetë ishte caktuar për detyrën e priftit. Pa pritur për një sanksionim hyjnor, ai u mundua të siguronte një vend të përshtatshëm shd të krijonte një sistem adhurimi të ngjashëm me atë që zhvillohej në tabernakull. Duke patur pas vetes mbështetje të gjërë popullore, ai nuk hasi ndonjë vështirësi në realizimin e planit. Me kërkesë të tij, të gjitha vathët e artë që u morën prej midianitëve iu dhanë atij si plaçkë lufte që i takonte atij. Populli mblodhi gjithashtu edhe materiale të tjera të kushtueshme, së bashku me veshjet e stolisura me gurë të çmuar të princave të Midianit. Prej materialeve të çmuara që iu dhanë, Gideoni ndërtoi një efod (shih Kapitullin 30 të këtij libri) dhe një parzmore, duke imituar ato që visheshin nga kryeprifti. Ky veprim rezultoi në një grackë si për të dhe familjen e tij por ashtu edhe për Izraelin. Adhurimi i paautorizuar bëri që shumë njerëz ta braktisnin përfundimisht Zotin dhe t’u shërbenin idhujve. Pas vdekjes së Gideonit, një numër i madh njerëzish, ndërmjet tyre edhe familjarët e tij, u bashkuan në këtë apostazi. Kështu, këta njerëz u larguan nga udha e Perëndisë nga i njëjti person që ironikisht kishte shkatërruar një herë e një kohë idhujtarinë në vend. PPAlb 426.6

Shumë pak njerëz arrijnë të kuptojnë se sa e konsiderueshme qshtë infuenca e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Sa shpesh ndodh që gabimet e prindërve shkaktojnë pasoja nga më katastrofalet për fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre, madje edhe shumë vite pasi këta njerëz prehen në varr. Të gjithë në një farë mënyre ushtrojnë njëfarë ndikimi tek të tjerët, dhe do të japin llogari për pasojat e këtij ndikimi. Fjalët dhe veprat kanë një fuqi treguese në vetvete, dhe shumë kohë më vonë do të tregohet se çfarë ndikimi ka patur jeta jonë këtu. Përshtypja që lihet nga fjalët që themi dhe veprat që kryejmë do të rezultojë me siguri ose në bekim ose në mallkim mbi neve vetë. Ky lloj të arsyetuari i jep një solemnitet jashtëzakonisht të madh jetës, dhe duhet të na afrojë tek Perëndia në lutje të përunjur që Ai të na drejtojë udhën me mençurinë e Tij. PPAlb 427.1

Ata që gëzojnë pozita të larta mund të largohen nga udha e drejtë. Edhe më të mençurit gabojnë; më të fortil mund të tulaten e rrëzohen. Ne si njerëz kemi nevojë për dritë të pandërprerë nga qielli që të na ndriçojë udhën. Siguria jonë e vetme qëndron vetëm tek mbështetja e jonë absolute tek Ai, i cili ka thënë, “Më ndiqni.” (- Mateu 4:19; 8:22; 9:9; 16:24; 19:21 etj.) PPAlb 427.2

Pas vdekjes së Gideonit, “fëmijët e Izraelit nuk u kujtuan fare për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte çliruar nga të gjithë armiqtë që i rrethonin, dhe nuk u treguan fare mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit (domethënë të Gideonit) për gjithë ato të mira që i kishte bërë Izraelit.” - Gjyqtarët 8:34, 35. Duke harruar të gjitha borxhet që i kishin Gideonit, gjyqtarit dhe çliruesit të tyre, populli i Izraelit pranoi djalin e paligjshëm të tij (të cilin e kishte me një konkubinë - vargu 31) Abimelek si mbret, i cili, për të përforcuar pushtetin e vet, vrau të gjithë fëmijët e ligjshëm të Gideonit përveç njërit. Kur njerëzit nuk kanë më frikë prej Perëndisë, nuk e kanë aspak të vështirë që të shkelin me këmbë nderin dhe integritetin moral. Vetëm një vlerësim i duhur i mëshirës së Zotit ka për të sjellë një vlerësim të atyre që, si Gideoni, janë përdorur si instrumente bekimi për popullin e Tij. Por mjerisht, rruga mizore që Izraeli ndoqi ndaj familjes së Gideonit ishte mëse e pritshme nga një popull që kishte manifestuar një mosmirënjohje kaq të madhe ndaj Perëndisë. PPAlb 427.3

Pas vdekjes së Abimelekut, filloi qeverisja e gjykatësve që i druheshin Zotit, të cilët shërbyen për një përiudhë kohe gjatë të cilës ata i dhanë fund idhujtarisë, por menjëherë më pas njerëzit iu rikthyen riteve dhe zakoneve të komuniteteve pagane përreth. Ndër fiset veriore, perënditë e rreme të Sirisë dhe Sidonit kishin shumë adhurues izraelitë. Në jugperëndim, idhujt e filistinëve, dhe në lindje ata të Moabit dhe Amonit, i kishin larguar zemrat e Izraelit nga Perëndia i etërve të tyre. Por apostazia e tyre do të sillte shumë shpejt ndëshkimin që mbarte në vetvete. Amonitët pushtuan fiset lindore dhe, pasi kaluan Jordanin, pushtuan edhe territorin e fiseve të Judës dhe Efraimit. Në perëndim, filistinët u ngritën nga ultësira e tyre pranë detit, duke djegur e plaçkitur çfarë t’u dilte përpara. Pra, edhe një herë tjetër, Izraeli u shfaq si i braktisur dhe nën pushtetin e armiqve të pamëshirshëm. PPAlb 427.4

Edhe një herë tjetër populli i kërkoi ndihmë Perëndisë, Atij të cilin e kishin braktisur e fyer keqazi. “Atëherë bijtë e Izraelit i klithën Zotit, duke i thënë: ‘Kemi mëkatuar kundër Teje, sepse kemi braktisur Perëndinë tonë por dhe i kemi shërbyer (idhujve të) Baalëve. Por ky lloj pikëllimi nuk kishte sjellë pendim të vërtetë. Njerëzit u hidhëruan jo se kishin çnderuar Perëndinë duke shkelur rëndë ligjin e Tij të shenjtë, por ngaqë vuajtjet i kishin prej mëkateve që kishin kryer vetë. Pendimi i vërtetë është shumë më tepër sesa pikëllim për mëkatin. Pendimi i vërtetë është një doreheqje e prerë nga ligësia. PPAlb 428.1

Zoti iu përgjigj izraelitëve nëpërmjet njërit prej profetëve të Tij: “A nuk ju çlirova Unë nga egjiptasit, nga amoritët, nga fëmijët e Amonit dhe nga Filistinët? Kur ata të Sidonit, amalekitët dhe maonitët ju shtypnin dhe ju më bëtë thirrje, a nuk ju çlirova nga duart e tyre? Megjithatë ju më braktisët dhe u vutë në shërbim të perëndive të tjera; prandaj Unë nuk do t’ju çliroj më. Shkoni, pra, t’u thërrisni perëndive që keni zgjedhur; le t’ju shpëtojnë ato në kohën e fatkeqësive tuaja!” - Gjyqtarët 10:11-14. Këto fjalë solemne dhe tmerruese e çojnë mendjen përpara në kohë përpara një skene tjetër—ditën e madhe të gjykimit përfundimtar—kur ata që kanë mohuar mëshirën e Perëndisë dhe ata që e kanë përbuzur hirin e Tij do të sillen ballë për ballë me drejtësinë e Tij. Ata duhet të japin llogari të plotë në atë gjyq ngaqë kanë përdorur dhuratat e dhëna nga Perëndia si koha, mjetet, apo intelekti, për t’u shërbyer perëndive të kësaj bote. Ata e kanë braktisur Krishtin, Shokun e tyre të vërtetë e të dashur, për t’u dhënë pas udhës së kënaqësive dhe komoditetit që ofron bota. Ata synuan për një farë kohe që ta ndiqnin udhën e Zotit; por bota, me mashtrimet dhe marrëzitë e saj ua gëlltiti këtë synim dhe ua vodhi vëmendjen. Dëfrimet e pavlera, veshja për t’u dukur, nepsi dhe grykësia ua ashpërsuan zemrën dhe ua paralizuan ndërgjegjen, dhe duke qenë kështu, ata nuk e dëgjuan dot zërin e së vërtetës. Detyrimet që kishin ata i përçmuan. Gjërat me vlerë të pallogaritshme u nënvlehtësuan si mos më keq, deri sa zemra e tyre humbi çdo lloj dëshire për të sakrifikuar për Krishtin, Atë që ka dhënë aq shumë për njerëzimin. Por në përiudhën e korrjes ata do të mbledhin atë që kanë mbjellur. PPAlb 428.2

Zoti thotë, “... Unë ju kam thirrur dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën Time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshiliat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen Time; . . . Kur ajo që druani do të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj do të vijë si një stuhi, kur t’ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi. Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e Mia. Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. . . . [P]or ai njeri që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga ligësia.” - Fjalët e Urta 1:24-31, 33. PPAlb 428.3

Pas kësaj, izraelitët u përulën përpara Zotit. “Atëherë hoqën nga mjedisi i tyre perënditë e huaja dhe i shërbyen Zotit.”. Dhe zemra plot dashuri e Zotit “u trishtua për vuajtjet e Izraelit.” - Vargu 16. Ah, sa e dhembshur është mëshira e Perëndisë sonë! Kur populli i Tij i largoi ato mëkate që kanë nxjerrë jashtë praninë e Tij, Ai i dëgjoi lutjet e tyre dhe mënjëherë filloi të punonte për të mirën e tyre. PPAlb 429.1

U ngrit një çlirimtar tjetër me emrin Jefthah, një gileadit, i cili luftoi kundër amoniteve dhe i shkatërroi krejtësisht forcat e tyre të armatosura. Vetëm pëpara tetëmbëdhjetë vjetësh, Izraeli kishte vuajtur keqazi nga shtypja e armiqve të tij. Megjithatë, mësimi që nxirrej prej vuajtjes nuk u mor parasysh as kësaj rradhe. PPAlb 429.2

Ndërkohë që populli i Tij iu rikthye rrugës së ligësisë, Zoti i lejoi që të shtypeshin sërish nga armiqtë e tyre fuqishëm, filistinët. Ata u munduan vazhdimisht për shumë vite me rradhë nga ky popull mizor dhe gjakatar, dhe në përiudha të caktuara, u nënshtruan plotësisht prej tyre. Ata ishin përzier me këta idhujtarë, dhe ishin bashkuar me ta në dëfrime e adhurim, deri sa dukeshin se ishin bërë një me ta në frymë dhe prioritete. Atëherë, këta të ashtuquajtur miq të Izraelit u shndërruan në armiqtë më të hidhur të tij, dhe bënë të pamundurën që të realizonin shkatërrrimin e tij. PPAlb 429.3

Ashtu si Izraeli, të krishterët sot bëjnë shumë lëshime ndaj influencës së botës dhe u konformohen parimeve dhe veseve të saj, me qëllim që të sigurojnë miqësinë e të pafeve (jobesimtarëve); por në fund do të qartësohet se këta të ashtuquajtur miq, janë armiq nga më të rrezikshmit. Bibla mëson qartë se nuk mund të ekzistojë harmoni ndërmjet popullit të Perëndisë dhe botës. “Mos u habitni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.” - 1 Gjonit 3:13. Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti thotë, “Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer Mua përpara se t’ju urrente ju.” - Gjoni 15:18. Satani punon nëpërmjet të pafeve, nën maskën e gjoja miqësisë, me qëllim që të joshë besimtarët e Perëndisë që të bëjnë faje, që të ketë mundësi që t’i ndajë prej Perëndisë; dhe kur atyre iu hiqet mbrojtja, atëherë Satani do të urdhërojë bashkëpunëtorët e tij që të kthehen kundër tyre dhe të bëjnë të pamundurën deri sa të arrijnë shkatërrimin e tyre. PPAlb 429.4