PATRIARKË DHE PROFETË

32/74

31—“MËKATI I NADABIT DHE ABIHUT”

*****

Pas dedikimit të tabernakullit, priftërinjtë u shenjtëruan duke u veçuar kështu për shkak të funksionit të tyre të shenjtë. Këto shërbesa zgjatën shtatë ditë, dhe secila prej tyre kremtohej nëpërmjet ceremonive të veçanta. Në ditën e tetë, priftërinjtë duhet të fillonin shërbesën. I ndihmuar nga bijtë e tij, Aaroni ofronte flijimet që kërkoheshin nga Perëndia, si dhe ngrinte duart lart që të bekonte popullin. Gjithçka ishte bërë ashtu siç kishte urdhëruar Perëndia, dhe Ai e pranoi flijimin, dhe e shfaqi lavdinë e Tij në një mënyrë të jashtëzakonshme; zjarri zbriti nga vetë Zoti në qiell dhe e dogji plotësisht flijimin që ndodhej mbi altar. Populli u mahnit nga ky manifestim madhështor i fuqisë hyjnore dhe shikonte gjithçka me druajtje e interesim të pazakonshëm. Ata panë tek ky manifestim miratimin e lavdisë dhe mëshirës së Perëndisë. Kështu, ata thërritën njëzëri dhe me zë të lartë britma lavdërimi dhe adhurimi dhe u përkulën përdhë, njësoj sikur të ndodheshin në praninë e drejtpërdrejtë të Zotit Perëndi. 22 PPAlb 271.1

Por jo shumë vonë pas kësaj ceremonie, një fatkeqësi e menjëhershme dhe e rëndë ra mbi familjen e kryepriftit. Në orën e adhurimit, ndërkohë që lutjet dhe lavdërimet e popullit ngjiteshin lart drejt Perëndisë, dy prej bijve të Aaronit morën secili nga një temjanicë dhe dogjën temjan, që të ngjitej si një aromë e ëmbël kundërmuese për Zotin. Por duke bërë kështu, ata shkelën urdhrin hyjnor sepse përdorën “zjarr të huaj.” Për djegjen e temjanit, ata përdorën një zjarr të zakonshëm në vend të zjarrit të shenjtë që ishte ndezur nga Vetë Zoti Perëndi, dhe që ishte urdhëruar nga Ai për t’u përdorur pikërisht për këtë qëllim. Për këtë faj të rëndë, zjarri zbriti nga lart dhe i gllabëroi që të dy në sy të popullit. PPAlb 271.2

Pas Moisiut dhe Aaronit, Nadabi dhe Abihu kishin pozitën më të lartë në Izrael. Ata ishin nderuar në mënyrë të veçantë nga Zoti kur u lejuan, së bashku me shtatëdhjetë krerët e pleqësisë së Izraelit, që të vështronin lavdinë hyjnore në mal. Pikërisht, për këtë arsye shkelja e tyre e rëndë nuk mund të falej apo të kalohej lehtësisht, përkundrazi, e bënte mëkatin e tyre edhe më të të kobshëm. Atyre njerëzve që kanë marrë njohuri të madhe nga Perëndia, që janë ngjitur në mal, ashtu si krerët e Izraelit, dhe kanë patur privilegjin që të kenë kuvendim me Perëndinë si dhe të qëndrojnë në dritën e lavdisë së Tij nuk duhet t’u gënjejë mendja aspak se më vonë mund të mëkatojnë sa të duan poshtë e lart, meqënëse janë nderuar më përpara. Ata kujtojnë se Perëndia nuk do të tregohet i rreptë dhe do t’ anashkalojë padrejtësitë e fëlliqësitë që kryejnë. Kjo gjë nuk është asgjë tjetër përveç se një mashtrim fatal që i bëhet vetes. Dhënia e njohurisë dhe privilegjeve kërkon shpërblimin e këtyre bekimeve me një jetë të virtytshme dhe të shenjtëruar, në porpocion me njohurinë që është dhënë. Çdo gjë më e pakët se kjo nuk mund të pranohet nga Perëndia. Bekimet apo privilegjet e mëdha nuk duhet të precipitojnë kurrë në vetësiguri dhe shkujdesje. Ato nuk mund të japin në asnjë mënyrë leje apo liçensë për të mëkatuar apo t’i bëjnë njerëzit që të kujtojnë se Perëndia do të tregohet indiferent me ta. Të gjitha avatazhet që Perëndia ka dhënë shërbejnë në të njëjtën kohë për t’ dhënë grintë frymës, zell përpjekjes, si dhe energji shtesë për të zbatuar vullnetin e Tij të shenjtë. PPAlb 271.3

Nadabi dhe Abihu nuk ishin mësuar në rininë e tyre që të ushtronin zakonet e vetë-kontrollit. Natyra tepër tolerante e Aaronit, babait të tyre, mungesa e vendosmërisë nga ana e tij për të vërtetën e bënë atë që të tregonte neglizhencë në disiplinimin e fëmijëve të tij. Bijtë e Aaronit ishin lejuar që të merrnin rrugën e gabuar. Duke qenë se veset e llastimit ishin kultivuar për një kohë të gjatë tek ta, të dy djemtë e gjetën veten tërësisht nën kontrollin e këtyre veseve, të cilat ishin aq të theksuara saqë asnjëanësuan edhe përgjegjësinë që vinte nga detyra e tyre e shenjtë. Ata nuk ishin mësuar që të respektonin autoritetin e babait të tyre, dhe nuk arritën ta kuptonin dot domosdoshmërinë e zbatimit të saktë të të gjitha kritereve të Perëndisë. Llastimi i gabuar i të dy djemve nga Aaroni bëri që më vonë në jetë ata të përballeshin me ndëshkimin hyjnor. PPAlb 272.1

Perëndia synonte që t’i jepte një mësim mbarë popullit se ata duhet ta përqasnin Atë me respekt të thellë e druajtje, si dhe vetëm në mënyrën e përcaktuar nga Ai. Perëndia nuk mund të pranojë bindje të pjesshme. Nuk ishte aspak e mjaftueshme që në këtë feste solemne adhurimi pothuajse gjithçka ishte kryer sipas udhëzimeve të Tij. Perëndia ka shpallur një mallkim mbi të gjithë ata që u kthejnë shpinën urdhërimeve të Tij, si dhe ata që përtojnë të bëjnë dallimin ndërmjet gjërave të rëndomta dhe atyre të shenjta. Kështu, Perëndia deklaron me anë të profetit: “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi! PPAlb 272.2

Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes! Mjerë ata që janë të fortë në pirjen e verës dhe të fuqishmëve që përziejnë pijet dehëse, që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij! Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe tlaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit.” - Isaia 5:20-24. Askush të mos gënjejë veten duke kujtuar se një pjesë e urdhërimeve të Perëndisë nuk janë dhe aq thelbësore, apo se Ai do të pranojë një zëvendësim për atë gjë që Ai ka kërkuar. Profeti Jeremia thotë, “Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?” - Vajtimet 3:37. Perëndia nuk ka vendosur asnjë urdhër në fjalën e Tij të cilit njerëzit edhe mund t’i binden por edhe mund t’i mos binden, pra, sipas dëshirës, dhe të mos vuajnë kështu pasojat që vijnë nga mosbindja. Në qoftë se njerëzit zgjedhin një rrugë tjetër përveç asaj të bindjes së rreptë, ata do të kuptojnë se “në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes” - Fjalët e Urta 14:12. PPAlb 272.3

“Pastaj Moisiu u tha Aaronit, Eleazarit dhe Ithamarit, bijve të tij: “Mos e zbuloni kokën tuaj dhe mos i grisni rrobat tuaja që të mos vdisni, ... [dhe] Mos u largoni nga hyrja e çadrës së mbledhjes, ... sepse vaji i vajosjes së Zotit është mbi ju.” - Levitiku 10:6, 7. Ndërsa Moisiu, udhëheqësi i madh i rikujtoi të vëllait fjalët e Zotit, “Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlavdëruar përpara tërë popullit.” - Levitiku 10:3. Aaroni nuk foli. Vdekja e dy bijve të tij që u vranë papritur e palajmëruar, nga një mëkat kaq i kobshëm—mëkat të cilin Aaroni e kuptoi se kishte ndodhur si pasojë e neglizhimit të detyrës së tij si prind—e mbushi zemrën e tij me një hidhërim të thellë, por ai e mbajti veten dhe e ruajti çehrjen e fytyrës. Çdo lloj shfaqjeje pikëllimi do të dukej si shprehje simpatie për mëkatin e djemve. Nga ana tjetër, popullit nuk duhet t’i jepej asnjë shkas për të murmuritur kundër Perëndisë. PPAlb 272.4

Zoti dëshiron që t’i mësojë popullit të Tij që të pranojnë drejtësinë e korrigjimeve nga ana e Tij, në mënyrë që të tjerët t’i druhen Atij. Kishte nga ata në Izrael të cilëve ky paralajmërim i këtij ndëshkimi të tmerrshëm u shërbeu mjaft mirë, sepse ata mësuan të mos luajnë lojra me durimin apo zemërgjerësinë e Perëndisë, sepse ndryshe i priste një fat i njëjtë. Në këtë kontekst, qortimi hyjnor bie mbi atë iluzion të rremë që krijohet nga fajtori që përpiqet ta justifikojë mëkatin që ka kryer. Shkatërrimi i perceptimeve morale vjen si pasojë e efektit që ka mëkati. Kështu, keqbërësi nuk arrin ta kuptojë shkallën e lartë të shkeljes që ka kryer, dhe pa fuqinë ndërgjegjësuese të Frymës së Shenjtë ai mbetet në një errësirë të pjesshme përsa i përket mëkatit. Detyra e shërbëtorëve të Krishtit është që t’u tregojnë këtyre njerëzve se ku qëndron gabimi i tyre, dhe se sa i rrezikshëm është ai. Por ata që e shkatërrojnë efektin e paralajmërimit duke ua mbyllur sytë mëkatarëve ndaj karakterit dhe pasojave të vërteta të mëkatit shpesh i bëjnë qejfin vetes sepse në këtë mënyrë, ata nuk bëjnë asgjë tjetër veçse tregojnë zemërmirësi. Mjerisht, ata ne fakt janë duke punuar drejtpërsëdrejti për të kundërshtuar dhe penguar veprimtarinë e Frymës së Shenjtë të Perëndisë. Ata i sugjerojnë fajtorit që të rrijë rehat, ndërkohë që ndodhet në prag të shkatërrimit. Kështu, ata bëhen bashkëpjesëmarrës në fajin e tij si dhe mbajnë një përgjegjësi të frikshme për mospendimin e tij. Shumë e shumë njerëz kanë rënë në humnerën e shkatërrimit si rezultat i kësaj simpatie të rremë dhe ngatërruese që vjen nga njerëzit gjoja “tolerantë” dhe “të butë.” PPAlb 273.1

Nadabi dhe Abihu nuk do ta kishin kryer kurrë ata mëkat fatal në rast se pak më përpara nuk do të ishin intoksikuar pjesërisht nga përdorimi pa kufi i verës. Ata e kishin mëse të qartë se një përgatitje më se e kujdesshme dhe solemne ishte e domosdoshme përpara se të paraqiteshin në shenjtërore, atje ku manifestohej prania hyjnore e Perëndisë; por sjellja e tyre plotësisht e papërgjegjshme i bëri ata të paaftë për të kryer atë detyrë të shenjtë. Mendjet e tyre u bënë lëmsh ndërsa perceptimet e tyre morale u mpinë në atë masë saqë ata nuk ishin më në gjendje të dallonin ndërmjet gjërave të shenjta dhe atyre të rëndomta. Kështu, Aaronit dhe bijve të tij që kishin mbetur iu dha një paralajmërim: “Mos pini verë as pije dehëse as ti as bijtë e tu, kur të hyni në çadrën e mbledhjes, që të mos vdisni; ky do të jetë një statut i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, me qëllim që të mundni të dalloni midis gjësë së shenjtë dhe asaj profane, midis të papastrës dhe të pastrës, dhe të mundni t’u mësoni fëmijëve të Izraelit të gjitha ligjet që Zoti u ka dhënë atyre me anë të Moisiut.” - Levitiku 10:9-11. Përdorimi i pijeve dehëse alkoolike shkakton dobësimin të trupit, konfuzionin e mëndjes, dhe prishjen e moralit. Ky përdorim nuk i lejon njerëzit që të arrijnë të kuptojnë shenjtërinë e gjërave të shenjta si dhe forcën detyruese të kritereve të Perëndisë. Të gjithë ata që kanë marrë një pozitë që kërkon përgjegjësi të shenjtë, duhet të jenë njerëz rreptesisht të përgjegjshëm dhe pa vese. Vetëm duke qenë të tillë, mendjet e tyre mund dallojnë lirisht ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës, vetëm kështu ata mund të tregohen plotësisht parimorë, dhe vetëm kështu ata do të jenë në gjendje të tregojnë mençuri në administrimin e drejtësisë dhe shfaqjen e mëshirës. PPAlb 273.2

I njëjti detyrim bie mbi të gjithë ndjekësit e Krishtit sot. Apostulli Pjetër deklaron, “Por ju jeni një brez i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i veçantë...” - 1 Pjetrit 2:9. Neve na kërkohet nga Perëndia që të ruajmë të gjitha forcat siç duhet, në mënyrë që të ofrojmë shërbim të pranueshëm për Krijuesin tonë. Kur përdoren pijet intoksikante (alkoolike), efekte të ngjashme me ato që patën priftërinjtë e Izraelit do të bien edhe mbi ne. Ndërgjegja ka për ta humbur ndjeshmërinë ndaj mëkatit, si dhe ka shumë të ngjarë që të nisë një proçes mospërfilljeje dhe çthurrjeje, derisa gjëja e shenjtë dhe ajo e rëndomtë të humbasin çdo dallim e domethënië ndërmjet tyre. Si vallë do të mundnim ne në këtë gjendje që të arrinim standartet e kritereve hyjnore? “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Prandaj, përlëvdoni Perëndinë në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.” - 1 Korintasve 6:19-20. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t'i bëni për lavdinë e Perëndisë.” - 1 Korintasve 10:31. Një paralajmërim solemn dhe i frikshëm i është adresuar bashkësisë së Krishtit përgjatë të gjitha kohërave: “Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë është i shenjtë—[dhe] ky tempull jeni ju.” - 1 Korintasve 3:17. PPAlb 274.1