Konflikti I Madh
36.—Konflikti i Pashmangshëm
Qëllimi i Satanit, që në fillim të kontradiktës së madhe qiellore, ka qënë ai i shkatërrimit të Ligjit të Perëndisë. Ai rebeloi kundër Perëndisë për të arritur pikërisht këtë qëllim dhe megjithëse u dëbua nga qielli ai vazhdoi në tokë të njëjtën luftë absurde. Ai i ka hyrë punës për të mashtruar njerëzit, duke i bërë ata ta shkelin me këmbë ligjin hyjnor. S’ka rëndësi në se kjo do të arrihet duke e fshirë tërësisht ligjin apo duke “harruar” një nga urdhëresat e tij, rezultati do të jetë i njëjtë. Kush e shkel ligjin “në një pikë” tregon mospërfillje për ligjin në tërësi ai bëhet “fajtor në të gjitha pikat”. (Jakobi 2:10) KiM 566.1
Duke u përpjekur që të ngjallë urrejtje për urdhëresat hyjnore Satani shtrembëron doktrinat Biblike dhe besimi i mijëra njerëzve, që mendojnë se kanë si udhërrëfyese Shkrimet e Shenjta vishet me gabime. Konflikti i fundit mes së vërtetës dhe të rremes nuk është asgjë tjetër veçse beteja përfundimtare e kontradiktës, që ka vazhduar për një kohë të gjatë në lidhje me ligjin e Perëndisë. Ne po e fillojmë këtë betejë - betejën mes ligjeve njerëzore dhe urdhëresave të Zotit, mes besimit të Biblës dhe besimit të përrallave dhe traditës. KiM 566.2
Forcat, që do të bashkohen kundër të vërtetës dhe drejtësisë tani janë më se aktive. Fjala hyjnore e Perëndisë, e cila ka kaluar nga brezi në brez me gjak dhe sakrifica e ka humbur vlerën e saj. Biblën mund ta lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që me të vërtetë e pranojnë atë si udhërrëfyese në jetë. Pabesnikëria mbizotëron frikshëm jo vetëm në botë, por edhe në kishë. Shumë njerëz kanë arritur deri aty sa të mohojnë doktrina, të cilat përbëjnë shtyllat e besimit Kristian. KiM 566.3
Pjesa më e madhe e botës së krishterë i kanë mohuar plotësisht apo pjesërisht faktet e mëdha të krijimit, mëkatin e parë të njeriut, dhuratën shlyese të kryqëzimit dhe natyrën e pandryshueshme dhe të përhershme të ligjit të Perëndisë. Me mijëra njerëz, që krenohen me mençurinë dhe pavarësinë e tyre e quajnë shenjë dobësie besimin e plotë dhe të patundur tek Bibla. Ata janë të mendimit se t’i sulmosh Shkrimet e Shenjta, t’i pastrosh apo t’i zhveshësh nga kuptimi të vërtetat e tyre të mëdha është shenjë dije dhe talenti. Shumë pastorë po i mësojnë anëtarët e kishave të tyre, shumë profesorë dhe mësues po u thonë studentëve të tyre që ligji i Perëndisë ka ndryshuar apo është shfuqizuar dhe ata që i konsiderojnë urdhëresat e tij akoma në fuqi apo me fjalë të tjera që u binden atyre fjalë për fjalë meritojnë të tallen dhe të përbuzen. KiM 567.1
Duke mohuar të vërtetën njerëzit mohojnë Autorin e saj. Duke shkelur me këmbë ligjin e Zotit ata mohojnë autoritetin e Ligjdhënësit. Të krijosh një idhull doktrinash dhe teorish të rreme është po aq e lehtë sa të gdhendësh një idhull druri apo guri. Duke i shtrembëruar vetitë e Perëndisë, Satani i bën njerëzit të krijojnë një mendim të gabuar mbi karakterin e tij. Për shumë njerëz në fronin e Zotit është ulur një idhull i sofistikuar, ndërkohë që të paktë janë ata që adhurojnë Perëndinë që jeton, ashtu siç është përshkruar Ai në fjalën e Vet, në figurën e Krishtit dhe në mrekullitë e krijimit. Me mijëra njerëz hyjnizojnë natyrën, ndërsa mohojnë Zotin e natyrës. Idhujtaria ekziston sot në botën e Krishterë edhe pse në një formë të re po ashtu siç ekzistonte mes Izraelitëve të hershëm në kohën e Elijas. Zoti i shumë njerëzve të ashtuquajtur “të mençur”, i filozofëve, poetëve, politikanëve, gazetarëve - zoti i rretheve “të llastuara” të shoqërisë, të shumë kolegjeve, universiteteve e madje të disa instituSioneve fetare - nuk është aspak më i mirë se Baali, Perëndia - diell i Fenikasve-s. KiM 567.2
Doktrina moderne, që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha sipas së cilës njerëzit nuk janë të detyruar t’i binden më ligjit të Perëndisë, është gabimi më i madh i pranuar nga bota e krishterë, që cënon autoritetin qiellor, që i vë kufi zërit të arsyes dhe e rrezikon lirinë e besimit. Çdo komb ka ligjet e veta, që duhen respektuar dhe iu duhet bindur, asnjë qeveri nuk do të mbijetonte pa këto ligje, si mund të mendohet atëherë që Kri-juesi i qiellit dhe i tokës nuk ka ligje për të qeverisur krijesat e veta? Mendoni çdo të ndodhë sikur ministra të mirënjohur t’u mësonin publikisht njerëzve se respektimi i ligjeve që qeverisin vendin dhe që mbrojnë të drejtat e shtetasve nuk është i detyrueshëm - se ato (ligjet) kufizojnë liritë e njerëzve e prandaj nuk duhen zbatuar, për sa kohë do t’u jepej e drejta e fjalës këtyre njerëzve? Çfarë është më e rëndë: mosrespektimi i ligjeve shtetërore dhe kombëtare apo shkelja me këmbë e urdhëresave hyjnore, që përbëjnë themelet e çdo lloj qeveris-jeje? KiM 567.3
Do të ishte më e pranueshme që kombet t’i shfuqizonin ligjet e tyre dhe t’i lejonin popujt të bënin çfarë të donin se sa Sundimtari i universit të anullonte ligjin e Tij dhe ta linte botën pa një standart gjykimi për fajtorin dhe shfajësimi për të bindurin. A i dimë ne vallë rezultatet që do të sillte mohimi i ligjit të Perëndisë? Një eksperiment i tillë është kryer. Franca u bë dëshmitare e skenave të tmerrshme kur ateizmi mori në dorë pushtetin. Pikërisht atëherë bota mësoi se të flakësh tej caqet e vendosura nga Zoti do të thotë të pranosh sundimin e tiranëve më të pacipë. Me t’u mohuar standarti i drejtësisë, princit të errësirës i hapet rruga për të sunduar botën. KiM 568.1
Aty ku nuk përfillen urdhëresat hyjnore, mëkati nuk duket më diçka e keqe dhe drejtësinë nuk e pëlqen askush. Ata që refu-zojnë t’i nënshtrohen qeverisjes së Perëndisë, nuk janë në gjendje që të qeverisin as veten e tyre. Përmes mësimeve të tilla të rrezikshme në zemrat e fëmijëve dhe të rinjve, që nga natyra nuk e parapëlqejnë kontrollin, hidhet fara e mosbindjes dhe nga kjo rezulton një shoqëri e shthurur dhe pa ligje. Me mijëra njerëz, ndërsa tallen me besimin e atyre që iu binden urdhëre-save të Perëndisë, pranojnë me etje të madhe zhgënjimet që iu ofron Satani. Në jetët e tyre mbretëron epshi dhe ata janë të dhënë pas atyre mëkateve, që çuan në gjykimin e paganëve. KiM 568.2
Të gjithë ata, që i mësojnë njerëzit t’i marrin me shaka urdhëresat e Perëndisë, mbjellin mosbindje për të korrur mos-bindje. Me t’u flakur tutje njëherë e përgjithmonë ligji hyjnor, ligjet njerëzore shumë shpejt do të shihen me mospërfillje. Duke qënë se Zoti ndalon praktikat e shthurura, lakminë, gënjeshtrën dhe mashtrimin, njerëzit janë të gatshëm të hedhin baltë mbi ligjin e Tij, sepse ai iu bëhet pengesë në rrugën “e përparim-it”tokësor. Por groposja e këtyre urdhëresave do të sjellë re-zultate të paparashikuara. Në qoftë se ligji nuk është i detyrueshëm pse duhet të kemi frikë ta shkelim atë? Pronat nuk do të ishin më të sigurta. Njerëzit do t’i vidhnin pasuritë e fqinjëve të tyre me dhunë dhe më të fortët do të ishin edhe me të pasurit. Do të humbiste edhe respekti për jetën vetë. Betimi martesor nuk do të ishte më një fortesë mbrojtëse për familjen. Ai që kishte fuqi e pushtet do të mund po të donte ta merrte gruan e tjetrit me dhunë. KiM 568.3
Urdhëresa e pestë do të shkonte bashkë me të katërtën në kosh të plehrave. Fëmijët do t’i vrisnin pa frikë prindërit e tyre në qoftë se, duke bërë këtë do t’i bënin qejfin zemrës së tyre të korruptuar. Bota e qytetëruar do të kthehej në një hordhi grabitësish dhe vrasësish dhe paqja, qetësia dhe lumturia do të zhdukeshin nga faqja e dheut. KiM 569.1
Doktrina, sipas së cilës njerëzit nuk janë të detyruar t’u binden urdhëresave të Perëndisë, ka filluar tashmë ta dobësojë forcën e detyrimit moral dhe i ka hapur derën paudhësisë. Paligjshmëria, shthurja dhe korrupsioni janë duke na përmbytur në formën e një rryme të helmët. Satani po punon edhe në familje. Flamuri i tij valëvitet edhe në të ashtuquajturat familje të Krishtera. Ekzistojnë në to zilia, hipokrizia, mendimet e liga, ftohja, sfida, grindjet, tradhëtia e të vërtetave hyjnore dhe dëshira për çthurje. I gjithë sistemi i parimeve dhe doktrinave fetare, që duhej të formonte themelin dhe strukturën e jetës sociale, s’është asgjë tjetër veçse një masë lëkundëse gati për t’u thyer në mijëra copëra. Kriminelët më të ulët, kur futen në burg për krimet që kanë kryer shpesh trajtohen me përkujdesje të veçanta a thua se janë veçuar nga të tjerët për t’u nderuar. Karakterit dhe krimeve të tyre i bëhet një reklamim i paparë. Shtypi boton hollësitë revoltuese të krimit, duke i nxitur kështu të tjerët drejt mashtrimit, vjedhjes dhe vrasjes, ndërsa Satani ngazëllohet nga suksesi i skemave të tij djallëzore. Shtrirja e së keqes, vrasjet e kota, rritja e tmershme e padrejtësive të çdo klase dhe rangu duhet t’i bëjë të gjithë ata që e nderojnë Perëndinë të pyesin veten se çfarë mund të bëjnë për t’i bërë ballë kësaj rryme mëkati? KiM 569.2
Gjykatësit janë të korruptuar. Sundimtarët nxiten vetëm nga dëshira për të fituar dhe nga dashuria për kënaqësi seksuale. Shumë njerëz janë verbuar nga bollëku që i rrethon, ndaj iu pëlqejnë bakshishet, u pëlqejnë shumë. Ligjvënësit janë mbartës të veseve të tilla si pija, çthurja, pasioni, zilia dhe shpërdhosja. “Drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta ndodhet në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të” (Isaia 59:14) KiM 569.3
Paudhësia dhe errësira shpirtërore, që mbizotëronin në vitet e pushtetit suprem të Romës ishin rezultatet e pashmangshme që solli shtypja që u bëri ajo Shkrimeve të Shenjta. Po cila është arsyeja e mohimit të Ligjit të Perëndisë dhe e korruptimit që pasoi nën shkëlqimin e plotë të dritës së Ungjillit në një kohë lirie fetare? Tani që Satani nuk mund ta mbajë më botën nën kontroll duke i fshehur asaj Shkrimet e Shenjta ai përdor mjete dhe rrugë të tjera për të arritur qëllimet e tij. Të shkatërrosh besimin në Bibël do të thotë shkatërrim i vetë Biblës dhe ky është qëllimi i tij. Duke hedhur idenë se Ligjit i Perëndisë nuk është i detyrueshëm ai i bën njerëzit që ta shkelin me këmbë atë në të njëjtën mënyrë që do ta shkelnin edhe sikur të mos dinin asgjë për urdhëresat e tij. Në ditët tona ashtu si në shkuarën ai përdor kishën për t’i thelluar e zgjeruar planet e tij. Sektet fetare të kohës sonë nuk ia kanë vënë veshin të vërtetave, që shfaqen qartë në Bibël, por që nuk gëzojnë simpatinë e njerëzve dhe në mënyrë që t’i luftojnë ato kanë bërë të vetat disa interpretime dhe ide, që kanë mbjellë kudo farat e skepticizmit. Duke përqafuar gabimin e Kishës së papës mbi pavdekshmërinë e natyrshme dhe ndërgjegjen në vdekje, ata kanë flakur tej të vetmet armë që kishin kundër përrallave të spiritualizmit. Doktrina e vuajtjeve pafund në ferr i ka bërë shumë njerëz që të heqin dorë nga besimi tek Bibla. E ndërsa përpara njerëzve shfaqet urdhëresa e katërt, e cila mban në vetvete respektimin e së Shtunës, ditës së shtatë, shumë mësues “të mirënjohur” shohin si të vetmen rrugë për t’i bërë bisht një detyre, që nuk duan ta kryejnë, idenë se Ligjit i Perëndisë nuk është më në fuqi. Kështu ata hedhin poshtë si Të Shtunën ashtu edhe ligjin. Me zgjerimin e reformës së Shtunës ky mohim i ligjit hyjnor për të shmangur përgjegjësinë që mbart në vetvete urdhëresa e katërt do të bëhet pothuajse mbarëbotëror. Mësimet e disa udhëheqësve fetarë i kanë hapur rrugën mosbesimit, spiritualizmit dhe përçmimit për Ligjin e shenjtë të Zotit; dhe këta udhëheqës fetarë mbajnë mbi supe një përgjegjësi të frikshme për paudhësinë, që ekziston në botën e krishterë. KiM 570.1
Megjithatë është pikërisht ky grup njerëzish, që pretendon se fajin për përhapjen e shpejtë të korrupsionit e ka keqinterpretimi i të ashtuquajturit “sabat i të Krishterëve” dhe se respektimi i detyrueshëm i të Dielës do ta përmirësojë shumë moralin e shoqërisë. Ky pretendim ka gjetur shtrirje të madhe në Amerikë, ku është predikuar shumë edhe doktrina e së Shtunës të vërtetë. Këtu puna për ndalimin e pijeve alkoolike, një nga reformat më të njohura dhe më të rëndësishme morale, shoqëron shpesh lëvizjen pro të së Dielës dhe avokatët mbrojtës të kësaj të fundit hiqen sikur po përkrahin interesat më të larta shoqërore, ndërsa ata, që nuk pranojnë të bashkohen me ta quhen armiq të reformës. Por fakti që, një lëvizje me synim që të ligjërojë një gabim, bashkohet me një lëvizje të dytë që është në vetvete diçka e mirë, nuk është një provë në favor të këtij gabimi. Ne mund ta fshehim helmin, duke e përzier me ushqim të shëndetshëm, por nuk mund t’ia ndryshojmë natyrën atij. Përkundrazi kjo përzierje e bën atë më të rrezikshëm, sepse ndodh shumë më lehtë e kundërta. Ndërthurja e gënjeshtrës me një dozë fare më të vogël të së vërtetës që do ta bëjë të parën të besueshme është një nga mjetet e punës së Satanit. Udhëheqësit e lëvizjes në mbrojtje të së Dielës mund të përkrahin reforma, për të cilat njerëzit kanë nevojë dhe parime, që janë në përputhje me Biblën, por nëse me to përzihet diçka që është në kundërshtim me Ligjin e Perëndisë, shërbëtorët e Tij nuk mund të bashkohen me ta. Asgjë nuk mund t’i shfajësojë ata, që mohojnë urdhëresat e Zotit për të përqafuar udhëzimet e njerëzve. KiM 571.1
Përmes këtyre dy gabimeve të mëdha siç janë pavdekshmëria e shpirtit dhe natyra e shenjtë e të Dielës, Satani do të arrijë t’i mashtrojë njerëzit. Ndërsa e para hedh themelet e spiritualizmit, e dyta krijon një lidhje simpatie me Romën. Protestantët e Shteteve të Bashkuara do të jenë të parët që do të zgjasin duart mbi hendek për të rrokur dorën e spiritualizmit, ata do të zgjaten mbi humnerë për të përplasur duart me Romën dhe ky vend nën ndikimin e këtij bashkimi të trefishtë, do të ndjekë rrugën e Romës, duke shkelur me këmbë të drejtat e ndërgjegjes. KiM 571.2
Meqënëse spiritualizmi po imiton gjithnjë e më shumë Kris-tianizmin e ditëve tona ai mban në vetvete një fuqi të madhe mashtrimi dhe dredhie. Vetë Satani është shndërruar për t’iu përshtatur rjedhës moderne të ngjarjeve. Ai do të shfaqet në formën e një engjëlli drite. Me anë të kësaj agjencie -spiritualizmit - do të kryhen mrekulli, do të shërohen të sëmurët dhe do të ndodhin çudira të papara ndonjëherë. Dhe duke qënë se shpirtrat do të deklarojnë se i besojnë Biblës dhe do të shfa-qin respekt për instituSionet kishëtare, punës së tyre do t’i vihet emri “fuqi hyjnore”. KiM 572.1
Dallimi midis të krishterëve dhe të pafeve sot e kësaj dite është shumë i vogël. Anëtarëve të kishës u pëlqen ajo që i pëlqen botës dhe janë gati të bashkohen me të tjerët, ndërsa Satani i ka bërë përgatitjet e duhura për t’i kthyer ata në një trup të vetëm dhe për të forcuar kështu, duke i hedhur ata në rrjetat e spiritualizmit, kauzën e tij. Papistët, që mburren me mrekullitë, duke i quajtur ato shenja të kishës së vërtetë do të mashtrohen shpejt nga kjo fuqi çudibërëse. Edhe Protestantët do të gënjehen, sepse e kanë hedhur me kohë mburojën e së vër-tetës. Si papistët dhe protestantët, ashtu edhe të pafetë do ta pranojnë krahëhapur këtë formë të perëndishme, por të zhveshur nga fuqia transformuese dhe të tre palët do të shohin në këtë bashkim lëvizjen e madhe të shndërrimit mbarëbotëror dhe fillimin e mijëvjeçarit të shumëpritur. KiM 572.2
Përmes spiritualizmit, duke shëruar të sëmurët dhe duke “paraqitur” një sistem të ri dhe më të zhvilluar besimi fetar Satani merr rolin e mirëbërësit të racës njerëzore, por në të njëjtën kohë ai mbetet shkatërruesi i vjetër. Tundimet, që e kanë buri-min tek ai vetë po rrënojnë me mijëra njerëz. Tepria e rrëzon nga froni arsyen, shthurja, mosmarrëveshjet dhe gjakderdhja i shkojnë pas. Satanit i bëhet zemra mal kur shikon luftra, sepse lufta nxit pasionet më të egra të shpirtit dhe më pas i fshin për-jetësisht viktimat e këtyre luftrave, që përfshihen dashje pa dashje në krime e gjakderdhjeje. Qëllimi i tij është që t’i shtyjë kombet të luftojnë kundër njëri - tjetrit, sepse kështu ai i largon mendjet e njerëzve nga përgatitjet për të qënë gati në ditën e fundit. KiM 572.3
Satani përdor të njëjtat elemente edhe për të futur në ham-bar të korrat e shpirtrave të papërgatitur. Ai i ka studiuar të gjitha sekretet e laboratorëve të natyrës dhe përdor të gjithë fuqinë që ka, për t’i kontrolluar këto elemente aq sa i lejon Perëndia. Kur iu lejua që të sulmonte Jobin, bagëti, shërbëtorë, shtëpi, fëmijë u zhdukën nga faqja e dheut sa hap e mbyll sytë; fat-keqësitë ndoqën njëra - tjetrën në një të dhjetën e minutit. Eshtë Zoti Ai që i mbron krijesat e Tij nga fuqia shkatërruese e Satanit. Por bota e krishterë ka filluar ta përçmojë ligjin e Zotit dhe ka ardhur koha që Zoti të bëjë pikërisht atë që ka thënë se do të bëjë - ai nuk do ta bekojë më botën dhe nuk do t’i mbrojë më ata që po rebelojnë kundër Ligjit të tij dhe më keq akoma që po mësojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Satani kontrollon të gjithë ata që nuk mbrohen në mënyrë të veçantë nga Perëndia. Që të arrijë qëllimet e veta ai do të tregohet dashamirës dhe do t’i ndihmojë disa njerëz, ndërsa të tjerëve do t’ju sjellë vetëm shqetësime dhe probleme, duke i bërë që të mendojnë se Zoti është përgjegjës për të gjitha këto. KiM 573.1
Ndërsa nga njëra anë u shfaqet fëmijëve të njeriut si një mjek i madh që është në gjendje t’i shërojë të gjitha sëmundjet e tyre, nga ana tjetër ai është burimi i çdo sëmundjeje dhe ka-tastrofeje që ka izoluar dhe shfarosur popullsinë e qyteteve të tëra. Ai po punon edhe sot e kësaj dite, duke ushtruar fuqinë e tij në aksidente e fatkeqësi tokësore e detare, në zjarre e ura-ganë të fuqishëm, në rrebeshe e fortuna, në përmbytje, ciklone e tërmete dora e tij vepron në çdo vend e në mijëra forma të ndryshme. Ai fshin nga faqja e dheut të korrat, duke sjellë kësh-tu zi buke dhe shkatërrim. Ai infekton ajrin dhe me mijëra njerëz zhduken nga sëmundjet ngjitëse. Mos harroni! Këto shenja do të bëhen më të shpeshta e më të rrezikshme. Shkatërrimi do të bjerë si mbi njerëzit, ashtu edhe mbi kafshët. “Toka është në zi dhe vuan” “Populli i dheut ligështohet. Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin dhe kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e për-jetshme.” (Isaia 24:4,5). KiM 573.2
Më pas mashtruesi i madh do t’i bindë njerëzit se të gjithë këto të këqija vijnë nga ata që i shërbejnë Perëndisë. Ata njerëz, që kanë provokuar Zotin me veprimet e tyre do të fajësojnë, për të gjitha fatkeqësitë dhe shqetësimet që kanë rënë mbi ta, të gjithë të tjerët, që falë bindjes së tyre ndaj urdhëresave të Perëndisë, qëndrojnë të patundur përballë shkelësve të Ligjit hyjnor. Do të thuhet se njerëzit, duke shkelur me këmbë të Shtunën — Sabatin ofendojnë Perëndinë dhe ky mëkat do të va-zhdojë të jetë mbartës fatkeqësish derisa respektimi i së Dielës të bëhet i detyrueshëm dhe se të gjithë ata, që mbrojnë dhe quajnë të vërtetë urdhëresën e katërt, duke i vënë kështu kazmën respektit për të Dielën, janë hala në syrin e njerëzimit që po pengojnë rikthimin e dashamirësisë hyjnore dhe të përparimit të përkohshëm. Kështu do të përsëritet edhe një herë akuza që në të shkuarën u bëhej shërbëtorëve të Perëndisë e për më tepër edhe rrethanat do të jenë të njëjta: “Ashabi i doli përpara Elias dhe me ta parë Elian i tha: “Ti je pikërisht ai, që e bën rrëmujë Izraelin? Elia u përgjigj: “Nuk jam unë që e bëj rrëmujë Izraelin, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Zotit dhe ti ke shkuar pas Baalëve” (1 Mbretërve 18:17,18). Me t’u nxitur zemërimi i njerëzve nga këto akuza të rreme, ata do t’i trajtojnë ambasadorët e Perëndisë në të njëjtën mënyrë që Izraeli femohues trajtoi Elinë. KiM 574.1
Fuqia çudibërëse e spiritualizmit do të drejtohet kundër atyre që do të vendosin t’i binden Zotit dhe jo njerëzve. Shpirtrat transmetues do të deklarojnë se i ka dërguar Perëndia për t’i bindur ata që nuk e njohin të Dielën si ditë të shenjtë se e kanë gabim, duke theksuar se ligjet e vendit duhet të respektohen si të ishin ligji i Zotit. Ata do të ankohen për mëkatin, që ekziston sot në botë dhe do të përsërisin dëshminë e mësuesve fetarë se kjo gjendje e dëshpëruar morale e ka zanafillën tek mosrespek-timi i të Dielës. E madhe do të jetë indinjata, që do të nxitet kundër të gjithë atyre, që nuk do ta pranojnë këtë dëshmi të tyren. KiM 574.2
Satani do të ndjekë në konfliktin përfundimtar me popullin e Perëndisë, të njëjtën politikë që ka përdorur që në fillim të kontradiktës së madhe qiellore. Ai deklaronte se po përpiqej që të siguronte qëndrueshmërinë e qeverisjes hyjnore, kur në të njëjtën kohë po bënte ç’ishte e mundur që ta rrëzonte këtë qeveri. Dhe quajti engjëjt hyjnorë fajtorë për punën që ai vetë po përpiqej të kryente. E njëjta politikë mashtrimi e ka vulën e vet edhe në historinë e Kishës së Romës. Ndërsa deklaron se vepron si zëdhënëse qiellore, kjo fuqi përpiqet që të vetëlartësohet mbi Perëndinë dhe të ndryshojë ligjin e Tij. Nën sundimin e Romës, të gjthë atyre, të cilët vdiqën për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Ungjillit iu vu emri “keqbërës” dhe “bashkëpunëtorë të Satanit” për të ngjallur pakënaqësinë e njerëzve dhe për t’i bërë ata të shfaqeshin në sytë e të tjerëve si kriminelët më të ndyrë, u përdor çdo rrugë e mjet i mundshëm. E njëjta gjë do të ndodhë në ditët tona. Meqenëse Satani po përpiqet që të rrënojë ata, që e nderojnë ligjin e Perëndisë ai do të bëjë ç’është e mundur që ata të akuzohen si shkelës të ligjit dhe si persona që, duke çnderuar Zotin po i sjellin fatkeqësi botës. KiM 574.3
Perëndia nuk i vë kurrë cak vullnetit të lirë apo ndërgjegjes, por Satani, në mënyrë që t’i kontrollojë ata që nuk mund t’i zërë në grackë përmes ndonjë rruge tjetër e përdor detyrimin me anë të mizorisë. Ai përpiqet që të sundojë mbi ndërgjegjet njerëzore dhe të sigurojë respekt për veten, vetëm përmes frikës apo forcës. Që ta arrijë këtë ai punon me anë të autoriteteve fetare dhe sekulare, duke i bërë ata që të fuqizojnë me ligj disa ligje të caktuara shtetërore, që e kundërshtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ligjin e Perëndisë. KiM 575.1
Të gjithë ata që e respektojnë Të Shtunën Biblik do të quhen armiq të ligjit dhe të rregullit, si njerëz që, duke flakur tej kufizimet morale të shoqërisë po sjellin anarki dhe korrupsion dhe po nxisin zemërimin e Zotit lart në qiell. Rezistenca e tyre e ndërgjegjshme do të merret si kokëfortësi, kryeneçësi dhe përçmim ndaj autoriteteve. Ata do të akuzohen se nuk ju pëlqen qeveria kombëtare. Pastorët dhe ministrat që e hedhin poshtë detyrimin që përfaqëson ligji hyjnor do të theksojnë nga podiumet kishëtare se duhet t’i bindemi autoriteteve civile, se këto të fundit na qenkan emëruar nga vetë Zoti (?!). Mbajtësit e urdhëresave do të keqprezantohen dhe do të dënohen nga trupat gjykues dhe autoritetet legjislative. Fjalëve të tyre do t’u jepet një ngjyrë e rreme, qëllimet e tyre do të vishen me domethënie nga më absurdet. KiM 575.2
Ndërsa kishat protestante do të mohojnë argumentet e qarta Biblike në mbrojtje të Ligjit të Perëndisë, ata mezi do të presin që t’ua mbyllin gojën atyre njerëzve, besimin e të cilëve nuk mund ta hedhin poshtë me asnjë të dhënë nga Shkrimet e Shenjta. Edhe pse nuk arrijnë ta kuptojnë një gjë të tillë ata i kanë hyrë në fakt një rruge që do t’i çojë në persekutimin e atyre që refuzojnë me ndërgjegje të bëjnë atë që po bëjnë të gjithë të krishterët e tjerë, refuzojnë të njohin pretendimet pa vend të Shtunës të Kishës së papës. KiM 576.1
Autoritet e kishës dhe të shtetit do të bashkohen që t’i blejnë, t’i binden apo t’i detyrojnë të gjithë njerëzit që ta nderojnë të Dielën. KiM 576.2
Mungesa e autoritetit hyjnor do të zëvendësohet nga disa ligje shtypëse. Korrupsioni politik po i vë shkelmin dashurisë për drejtësi dhe respektit për të vërtetën, e madje edhe në Amerikën e lirë, sunduesit dhe ligjvënësit, në mënyrë që të fitojnë përkrahjen e popullit, do t’i dorëzohen kërkesës popullore për ta bërë respektimin e të Dielës të detyrueshëm me ligj. Liria e ndërgjegjes, që është arritur me sakrifica të mëdha, do të groposet. Në konfliktin e së ardhmes së afërt ne do të përjetojmë përmbushjen e fjalëve të profetit: “Dhe dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhësit e saj, me ata që i ruajnë urdhëresat e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit” (Zbulesa 12:17). KiM 576.3
1. Në ç’mënyrë mund ta bëjmë Ligjin e Perëndisë tërheqës për njerëzit në mënyrë që ata ta zbatojnë atë? KiM 576.4
2. Kur na vijnë problemet, ne shpesh herë fajësojmë Zotin; por cili është fajtori në të vërtetë? KiM 576.5
3. Spiritizmi do të infiltrohet deri në kishë në ditët e fundit. Në ç’mënyra po ndodh kjo gjë sot? KiM 576.6
4. Para se Jezusi të vijë, pothuajse e gjithë bota do të jetë rreshtuar kundra Perëndisë dhe Ligjit të Tij. Ku qëndroni ju në mes të këtyre ngjarjeve? KiM 576.7