Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit
24. NË SHENJTROREN E SHENJTROREVE
Lëndë e shenjtrores ka qenë çelësi i cili e ka hapur misterin e dëshprimit të vitit 1844. Ai i ka hapur shtigjet e një vargu të të vërtetave të lidhura dhe harmonike të cilat kanë dëshmuar se dora e Zotit i ka prirë lëvizjes së madhe adventiste duke i shpjeguar pozitën dhe detyrat e popullit të Zotit dhe duke ia caktuar obligimet e sotme. Ashtu siç qenë gëzuar nxënësit e Jezusit pas asaj nate të tmerrshme të dhimbjes shpirtërore dhe të dëshprimit kur e panë Zotin, ashtu edhe tani u gëzuan ata që me besim e prisnin ardhjen e tij të dytë. Ata prisnin që Jezusi të vinte në lavdi për t'i shpërblyer shërbëtorët e vet. Pasi që u mashtruan në shpresat e tyre, e humbën Jezusin nga pamja dhe klithën si Maria në varr: “Ma morën zotëriun nga varri dhe nuk e dimë se ku e çuan.” Tani përsëri e shikonin në shenjtroren e shenjtroreve atë, kryepriftin e vet të mëshirëshëm i cili së shpejti do të paraqitej si mbret dhe çlirimtar i tyre. Drita nga shenjtrorja e ndriçoi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ata e dinin se u ka prirë Zoti në providencat e tyre të pagabueshme. Ndonëse edhe vet nuk e kuptonin si dhe nxënësit e parë, lajmin të cilin e kishin shpallur, ai megjithatë në çdo pikëpamje ishte i drejtë. Me shpalljen e këtij lajmi ata e plotësuan qëllimin e Zotit dhe puna e tyre për Zotin nuk qe e kotë. Përsëri të lidhur me mëshirën e madhe “për shpresën e gjallë” galdonin me “gëzim të pamatshëm dhe lavdi” (1 Pjetrit 1,3.8). BZ 401.1
Mirëpo profecia e Danielit 8,14: “Pas 2300 mbrëmje dhe mëngjeze dhe shenjtrorja do të pastrohet” dhe lajmi i parë engjëllor: “Druani Zotin dhe jepni atij lavdi sepse arriti ora e gjyqit të tij” (Zbulesa 14,7), shpienin në shërbimin e Krishtit në shenjtroren e shenjtroreve, në shenjtroren qiellore, në gjyqin hetues por jo edhe në ardhjen e Krishtit për shpëtimin e popullit të tij dhe për shkatërrimin e pafeve. Gabimi nuk ka ndodhur në llogaritjen e periudhave kohore profetike por në ngjarjen e cila është dashur të ndodhë në fund të 2300 ditëve. Për shkak të këtij gabimi besimtarët përjetuan dëshprim, mirëpo e tërë kjo është thënë në profeci. Çdo gjë që kanë mundur të presin nga Shkrimi Shenjt është plotësuar në atë kohë. Në të njëjtën kohë kur ankoheshin për shkak të shpresave të paplotësuara ndodhi ngjarja e cila qe profetizuar në këtë lajm dhe e cila është dashur të ndodhte para se të vinte Zoti për t'i shpërblyer shërbëtorët e vet. BZ 401.2
Krishti erdhi por jo në tokë siç e kanë pritur ata, por ashtu siç është shpallur në vizion në shenjtroren e shenjtroreve në tempullin e Zotit në qiell. Profeti Danieli e sheh se si në atë kohë vjen Ai para plakut. “Po shikoja kështu në vegimin e natës kur qe në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut”—jo në tokë—por “te plaku dhe qëndroi para tij.” (Danieli 7,13) Këtë ardhje na e përshkruan edhe profeti Malakia: “Papritur në kishën e tij do të vijë Zoti që po e kërkoni dhe engjëlli i Besëlidhjes që e dëshironi. Ja ai po vjen, thotë Zoti i ushtrive.” (Malakia 3,1) Ardhja e Zotit në tempullin e tij për popullin e tij ka qenë diçka e befasueshme e papritur. Nuk e kanë kërkuar atje: e kanë pritur se do të vinte në tokë “me zjarr të ndezur flakë dhe t'u hakmerret atyre që nuk duan ta njohin Zotin dhe atyre që nuk duan ta ndëgjojnë Ungjillin ...” (2 Selanikasve 1,8). BZ 402.1
Mirëpo populli ende nuk ka qenë i gatshëm ta pres Zotin e vet. Për përgatitjen e vet është dashur ta kryejë edhe një vepër. Është dashur ta pranojë dritën e cila mendimet e tij do t'i drejtonte në tepmpullin e Zotit në qiell dhe në qoftë se me besim di ta ndiqte kryepriftin e vet në shërbimin e tij atëherë do t'i zbuloheshin detyra të reja. Kishës është dashur t'i jepet edhe një lajm i vërejtjes dhe i mësimit. BZ 402.2
Pofeti thotë: “Kush do t'i qëndrojë ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t'i bëjë ballë kur Ati të dëftohet. Ai është zjarr që shkrinë, fi që lanë. Do të ulet për të shkrirë e për të pastruar argjendin. Do t'i pastrojë bijtë e Levit dhe do t'i kullojë posi arin e argjendin që të mund t'ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë.” (Malakia 3,2.3) Ata që do të jetojnë në tokë në kohën e ndërmjetësimit të Krishtit lartë në shenjtrore, para Zotit duhet të qëndrojnë pa ndërmjetësues. Rrobat e tyre duhet të jenë të pastra, kurse karakteri i spastruar nga mëkati me gjakun e spërkatur. Me mëshirën e Zotit dhe me përpjekjet e mëdha duhet të ngadhnjejnë në luftë kundër të keqes. Deri sa në qiell të bëhet gjyqi hetues dhe deri sa mëkatet e besimtarëve të penduar të mënjanohen nga shenjtrorja te populli i Zotit në tokë duhet të kryhet vepra e posaçme e pastrimit, e mënjanimit të mëkatit. BZ 402.3
Kur kjo vepër të kryhet, të dashurit e Krishtit do të jenë të gatshëm për ardhjen e tij. “Atëherë do t'i pëlqej Zotit flija e Judës e e Jerusalemit si në ditët e dikurshme.” (Malakia 3,4) Atëherë kisha të cilën Zoti me rastin e ardhjes do ta merrë me vete do të jetë “një kishë e lavdishme e panjollë, e pa rrudhë, pa ndonjë send si këto, do të jetë e shenjt dhe e pa të metë” (Efesianëve 5,27). Ajo atëherë do të duket “si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli, e tmerrshme si ushtria e flamujve” (Kantiku i Kantikëve 6,9). BZ 403.1
Përveç ardhjes së Zotit në tempullin e vet, profeti Malakia e parasheh edhe ardhjen e tij të dytë për ta bërë gjyqin me këto fjalë: “Do t'ju afrohem në gjyq dhe do të jem dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kurorëshkelësve dhe kundër atyre që ndrydhin mëditësin, vejushat e jetimat, kundër atyre që ua hanë të drejtat shtegëtarëve e që nuk më druajnë mua—thotë Zoti i ushtrive.” (Malakia 3,5) Juda e sjellë skenën e njëjtë kur thotë: “Ja po vjen Zoti, me dhjetra mijëra engjëj të vet për t'i gjykuar të gjithë dhe për t'i ndëshkuar të gjithë heretikët për të gjitha fjalët fyese që i thanë kundër tij mëkatarët e pa fe.” (Juda 14.15) Kjo ardhje dhe ardhja e Zotit në tempull janë dy ngjarje krejtësisht të ndryshme. BZ 403.2
Ardhja e Krishtit si kryeprift yni në shenjtroren e shenjtroreve për ta pastruar shenjtroren është profetizuar në Danielin 8,14; ardhja e Birit të njeriut te plaku është përshkruar në Danielin 7,13; dhe ardhja e Zotit në tempullin e tij është profetizuar te Malakia—të githa këto janë përshkrime të ngjarjes së njëjtë; kjo ngjarje është paraqitur si ardhje e dhëndërrit në dasëm ashtu siç është përshkruar Krishti në tregimin për dhjetë virgjërat në kaptinën 25 të Mateut. BZ 403.3
Në verën dhe vjeshtën e vitit 1844 është shpallur lajmi: “Ja dhëndërri po vjen!” Atëherë janë paraqitur dy grupe njerëzish të simbolizuar përmes virgjërave të mençura dhe të marra—grupi i parë i cili me gëzim e priste ardhjen e Zotit dhe përgatitej seriozisht për ta pritur dhe grupi i dytë i cili nga frika e pasioni kënaqej me teorinë e së vërtetës por të cilit i mungonte mëshira e Zotit. Në tregimin kur dhëndërri erdhi “të gatshme hynë me të në dasëm”. Këtu ardhja e përmendur e dhëndërrit ka ndodhur para dasmës. Dasma e paraqet marrjen e fronit që i takon nga ana e Krishtit. Qyteti i shenjt, Jerusalemi i Ri i cili është kryeqytet i mbretërisë është quajtur “Nusja, gruaja e qengjit”. Engjëlli i ka thënë Gjonit: “Eja do ta tregoj nusen, gruan e qengjit!” “Dhe më kaloi në shpirt” thotë profeti “dhe ma tregoi qytetin e shenjtë Jerusalemin: po zbiste nga qielli prej Zotit.” (Zbulesa 21,9.10) Në bazë të kësaj është e qartë se nusja e simbolizon qytetin e shenjtë kurse vajzat që i vijnë përballë dhëndërrit e simbolizojnë kishën. Sipas zbulesës fëmijët e Zotit do të jenë mysafirë në darkën e dasmës së qengjit (Zbulesa 19,9). Në qoftë se janë mysafirë në të njëjtën kohë nuk mund të paraqiten si nuse. Krishti siç e paraqet profeti Danieli do ta marrë nga plaku “pushtetin, lavdinë dhe mbretërinë.” Ai do ta marrë Jerusalemin e Ri, kryeqytetin e mbretërisë së vet i cili do të jetë “i stolisur si nusja për burrin e vet” (Danieli 7,14; Zbulesa 21,2). Pasi ta marrë mbretërinë do të vijë me lavdi si mbret i mbretërve dhe zotëri i zotërinjëve për shpëtimin e popullit të vet i cili do të “rrijë në tyrezë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në mbretërinë qiellore” (Mateu 8,11; Luka 22,30) për të marrë pjesë në darkën e dasmës së qengjit. BZ 403.4
Lajmi: “Ja dhëndërri ku po vjen!” Që u shpall në verën e vitit 1844, nxiti mijëra njerëz që ta presin ardhjen e drejtpërdrejtë të Krishtit. Në kohën e caktuar dhëndrri ka ardhur jo në tokë siç e ka pritur populli i tij, por te plaku në qiell në dasëm për ta marrë mbretërinë e vet. “Të gatshme hynë në te në dasëm dhe i mbyllën dyert”. Nuk është dashur të jenë personalisht të pranishëm në dasëm sepse ajo është bërë në qiell kurse këta ndodhen ende në tokë. Pasuesit e Krishtit duhet ta “presin zotëriun e tyre kur të kthehet prej dasmës ...” (Luka 12,36). Por ata duhet ta kuptojnë veprën e tij dhe ta përcjellin me besim kur të dalë para Zotit. Në këtë kuptim për ta mund të thuhet se kanë hyrë në dasëm. BZ 404.1
Në tregimin shembëlltyrë, në dasëm kanë hyrë ato vajza që kanë pasur vaj në enët e tyre me dritëza. Ata që krahas njohurisë së të vërtetës nga Shkrimi Shenjt e kanë pasur edhe frymën edhe mëshirën hyjnore; që natën e sprovës së tyre të hidhur kanë pritur me durim dhe në Bibël e kanë kërkuar dritën më të qartë, e kanë kutpuar të vërtetën në pikëpamje të shenjtrores në qiell dhe ndryshimin në shërbimin e Shpëtimtarit, dhe me besim e kanë përcjellur në veprën e tij në shenjtroren qiellore. Të gjithë ata që përmes dëshmisë së Shkrimit Shenjt i pranojnë këto të vërteta dhe e përcjellin Jezu Krishtin me besim kur të shkojë para Zotit që ta bëjë ndërmjetësimin e fundit e mandej ta marrë mbretërinë e vet, të gjithë ata janë pasqyruar si njerëz që shkojnë në dasëm. BZ 404.2
Në tregimin shëmbëlltyrë te Mateu 22, është përmendur pamja e njëjtë e dasmës dhe është pasqyruar qartë se gjyqi hetues do të bëhet para dasmës. Para dasmës vjen perandori për t'i parë mysafirët (Mateu 22,11).—A janë të gjithë të veshur në petkun e dasmës në rrobat e pastra por a e kanë karakterin e pastër dhe “a i kanë larë petkat e veta dhe zbardhuar në gjakun e Qengjit” (Zbulesa 7,14). Ai i cili nuk do të jetë i veshur në petkat e tilla do të nxirret përjashta kurse ata të cilët gjatë marrjes në pyetje do të konstatohet se i kanë petkat e dasmës do të pranohen nga Zoti dhe do të jenë të denjë për të marrë pjesë në mbretërinë e tij dhe për ta ndarë me Të fronin. Kjo vepër e sprovimit të karakterit, e vendosjes se kush është i gatshëm për mbretërinë hyjnore është gjyq hetues—me të cilin përfundon vepra e Krishtit në shenjtroren qiellore. BZ 406.1
Kur të kryhet vepra e hetimit, kur të merren në pyetje dhe të zgjidhen raste të atyre të cilët gjatë shekujve i kanë pranuar ithtarët e Krishtit atëherë, e kurrsesi më parë, do të kryhet vepra e hetimeve dhe dyert e mëshirës do të mbyllen. Kështu kjo fjali e shkurtër: “Dhe të gatshme hynë me të në dasëm, ndërsa dyert u mbyllën”, na shpie tej shërbimit të fundit të Shpëtimtarit në kohën kur do të kryhet vepra e madhe e shpëtimit të njerëzimit. BZ 406.2
Në shërbimin e shenjtrores tokësore e cila siç e kemi parë është simbol i shërbimit në shenjtroren qiellore është kryer shërbimi në pjesën e parë kur kryeprifti në ditën e pastrimit ka hyrë në shenjtrore e shenjtroreve. Zoti ka urdhëruar: “Asnjë njeri të mos jetë në tendën e takimit kur kryeprifti të hyjë në shenjtrore për ta bërë ritin e zgjidhjes për vete deri sa ai të dalë.” (Levitiku 16,17) Kështu Krishti kur ka hyrë në shenjtroren e shenjtroreve për ta bërë veprën e fundit të pajtimit e ka ndërprerë shërbimin në pjesën e parë. Por, kur është kryer shërbimi në pjesën e parë, atëherë ka filluar shërbimin në pjesën e dytë. Kur kryeprifti në shërbimin simbolik në Ditën e pastrimit e ka braktisur dhomën e parë të shenjtrores, ka hyrë në pjesën e dytë para Zotit për ta sjellë gjakun e flisë për mëkatin për të gjithë izraelitët që vërtetë janë penduar për mëkatet e veta. Kështu, Krishti e ka kryer vetëm pjesën e parë të shërbimit të vet si ndërmjetësuesi ynë për ta filluar pjesën e dytë, duke na arsyetuar para Atit me gjakun e vet. BZ 406.3
Këtë lëndë adventistët nuk e kanë kuptuar në vitin 1844. Pasi që ka kaluar koha kur është pritur Shpëtimtarin ata edhe më tutje kanë besuar se ardhja e tij është e afërt. Kanë menduar se për ta ka ardhur momenti kritik dhe se para Zotit ka përfunduar ndërmjetësimi i Krishtit për njeriun. U është dukur se Bibla thotë se koha e mëshirës do të përfundojë para ardhjes së vërtetë të Zotit në retë qiellore. Kjo u është dukur se del nga ato vargje të Shkrimit Shenjt që flasin për kohën kur njerëzit do të kërkojnë, do të trokasin dhe do të thërrasin para dyerëve të mëshirës por se nuk do t'u hapen. Ata e kanë shtruar pyejtjen a nuk e shënon koha në të cilën e kanë pritur ardhjen e tij, fillimin e një periudhe të re kohore e cila drejtpërsërdrejti duhet t'i paraprijë ardhjes së tij. Pasi e kanë shpallur vërejtjen për gjyqin, kanë menduar se e kanë kryer obligimin e vetë ndaj botës, kështu që e kanë shkarkuar shpirtin në pikëpamje të shpëtimit të mëkatarëve kurse përqeshja blasfemiste nga mëkatarët u është dukur edhe si një dëshmi se Shpirti Shenjt është tërhequr prej atyre që e kanë refuzuar mëshirën e Zotit. E tërë kjo i ka bindur më tepër në besimin se koha e mëshirës ka përfunduar ose siç janë shprehur ata se “dyert e mëshirës janë mbyllur”. BZ 407.1
Mirëpo, me studimin e çështjes së shenjtrores u duk një dritë më e madhe. Tani u pa se kanë pasur të drejtë kur kanë besuar se përfundimi e 2300 ditëve dhe netëve në vitin 1844 e shënon datën e rëndësishme. Por megjithëse është e vërtetë se janë mbyllur dyert e shpresës dhe të mëshirës nëpër të cilat njerëzit gjatë 1800 vjetëve i kanë pasur të hapura për të qenë me Zotin, janë hapur dyert e dyta dhe njerëzve u ofrohet falja e mëkatit me ndërmjetësimin e Krishtit në shenjtroren e shenjtroreve. Një pjesë e shërbimit të Krishtit ka pëfunduar, por vetëm për t'ia lëshuar vendin pjesës tjetër. Ende kanë ekzistuar edhe një palë “dyer të hapura” në shenjtroren qiellore ku Krishti e kryen shërbimin në favor të mëkatarëve. BZ 407.2
Tani u kuptua domethënia e atyre fjalëve të Krishtit në Zbulesë të cilat iu drejtuan kishës pikërisht për këtë kohë: “Kështu thotë Shenjti, i Vërteti, Ai që ka qelësin e Davidit, Ai që çelë dhe askush nuk mëshelë, Ai që mshelë dhe askush nuk mund të çelë.” (Zbulesa 3,7.8) BZ 407.3
Të gjithë ata të cilët me besim e kanë përcjellur Krishtin në veprën e madhe të pajtimit do t'i marrin bekimet e ndërmjetësimit të tij në dobi të tyre; ndërsa ata që e refuzojnë dritën që rrezaton nga kjo vepër e shërbimit të tij nuk do të kenë prej tij kurrfarë dobie. Hebrenjët të cilët e kanë refuzuar dritën që u është dhënë me rastin e ardhjes së parë të Krishtit, dhe kanë refuzuar t'i besojnë se është Shpëtimtari i botës, përmes tij, nuk kanë mundur ta marrin faljen. Kur Jezusi pas ngritjes së tij në qiell ka hyrë me gjakun e vet në shenjtrore, hebrenjët janë lënë në errësirën e plotë qe edhe më tutje të vazhdojnë me flijimet e dhuratat e pavlefshme. Shërbimi në figura dhe simbole ka përfunduar. Ato dyer përmes të cilave njerëzit kanë mundur të hyjnë te Zoti më nuk kanë qenë të hapura. Hebrenjët kanë refuzuar ta kërkojnë Zotin në mënyrën e vetme si kanë mundur ta gjejnë, përkatësisht përmes shërbimit në shenjtroren qiellore. Prandaj, as nuk e kanë gjetur lidhjen me Zotin. Për ta dyert kanë qenë të mbyllura. Nuk e kanë njohur Krishtin si flinë e parë dhe ndërmjetësuesin e vetëm te Zoti; prandaj nuk kanë mundur as të jenë pjesëmarrës të bekuar në ndërmjetësimin e tij. BZ 407.4
Gjendja e hebrenjëve të pabidnur dhe heretikë e pasqyron gjendjen e shumë të pafeve dhe heretikëve të cilët sot gjenden ndër ata që pohojnë se janë të krishterë dhe që pa vetëdije nuk duan të dijnë për shërbimin e kryepriftit tonë të mëshirëshëm. Kur në shërbimin simbolik kryeprifti ka hyrë në shenjtroren e shenjtroreve ka kërkuar prej të gjithë izraelitëve që të tubohen rreth shenjtrores dhe kështu në mënyrën më të mirë t'i përkulin shpirtrat e tyre para Zotit për ta marrë faljen e mëkateve dhe për të mos qenë të përjashtuar nga radhët e besimtarëve. Është shumë me rëndësi që ne në atë Ditë të vërtetë të pastrimit, ta kuptojmë shërbimin e kryepriftit tonë dhe t'i dijmë se cilat detyra kërkohen prej nesh. BZ 408.1
Njerëzit nuk mund t'i hedhin vërejtjet që ua dërgon Zoti në mëshirën e vet—pa u ndëshkuar. Në kohën e Noeut, qielli ia dërgoi botës lajmin dhe shpëtimi i saj varej nga fakti se si do ta pranonte lajmin. Mirëpo pasi ata e refuzuan vërejtjen, Fryma e Zotit u tërhoq nga ai brez mëkatar i cili u shkatërrua në përmbytje. BZ 408.2
Në kohën e Abrahamit u ndërpre mëshira për banorët mëkatarë të Sodomës. Sem Lota, gratë e tij dhe të dy bijat të gjitha u shkatërruan nga zjarri i cili ra nga qielli. Kështu ndodhi edhe në ditët e Krishtit. Biri i Zotit u tha hebrenjëve jobesimtarë të atij brezi: “Qe, shtëpia e juaj po ju lihet juve e shkretë.” (Mateu 23,38) Duke shikuar ditët e fundit, kjo Fuqi e jashtëzakonshme ka deklaruar per ata “që dashurinë e së vërtetës nuk e pranuan për t'u shpëtuar” se “Zoti do t'ua dërgojë fuqinë e mashtrimit, për t'i besuar gënjeshtrat; për ta pranuar gjyqin të gjithë ata që nuk i besuan të vërtetës, por e dashtën padrejtësinë.” (2 Selanikasve 2,10-12) Pasi që e refuzuan shkencën e Fjalës së tij, Zoti ua hoqi frymën e vet dhe i la në mëshirë të mashtrimeve të cilat ata i donin. BZ 408.3
Mirëpo Krishti ende ndërmjetëson në favor të njeriut dhe drita do t'u jepet atyre të cilët do ta kërkojnë. Ndonëse adventistët këtë në fillim nuk e kanë kuptuar, atyre më vonë u është bërë e qartë kur u thelluan dhe i kuptuan vargjet në Shkrimin Shenjt që e përcaktonin qëndrimin e tyre të drejtë. BZ 409.1
Pas kalimit të kohës së caktuar, vitit 1844, erdhi koha e halleve të mëdha për ata të cilët edhe më tutje i përmbaheshin fesë adventiste. Ndihma e tyre e vetme e cila i përforcoi në qëndrimin e vet qe drita e cila vëmendjen e tyre e orientoi nga shenjtroija qiellore. Disa njerëz hoqën dorë nga llogaritja e mëparshme e tyre e prerjes së periudhës profetike të kohës dhe ia përshkruanin këtë ndikim të fuqishëm të Shkrimit Shenjt të cilin e përcillte lëvizja adventiste, fuqisë njerëzore ose fuqisë satanike. Disa nejrëz të tjerë besonin në mënyrë të paluhatshme se Zoti u kishte prirë në përvojën e tyre të kaluar; dhe deri sa prisnin, bënin roje dhe luteshin për ta njohur vullnetin hyjnor duke parë se kryeprifti i tyre e ka filluar pjesën e dytë të shërbimit dhe duke e përcjellur në besim, mundën ta kuptonin detyrën përfundimtare të kishës. Ata tani e kuptuan qartë lajmin e parë dhe të dytë engjëllor dhe kështu qenë të gatshëm për ta pranuar dhe shpallur vërejtjen e shenjtë solemne të lajmit të tretë engjëllor nga Zbulesa 14. BZ 409.2